martedì, giugno 23, 2015

PORNOKRACIA - J.-P. Proudhon, Copyleft prej perkthyesit




Pierre-Joseph

Proudhon

PORNOKRACIA
ose femrat në kohët moderne

përktheu:
Astrit Cani




Një libër i edukimit qytetar

(Fjala e përkthyesit)


Me vite i jam drejtuar termit 'pornokraci', duke nënkuptuar gomorrën-bllok të Tiranës, me kah nga muzika 'nudiste' që shpërtheu në masë në Ballkan qysh në fundin e viteve '80, por që në Shqipërinë tonë hyri sidomos pas vitit sizmik '97.
Pikërisht tani që disa nga këto këngëtare ia hynë politikës, duke u bërë 'pornokrate' me të gjitha atributet, ndjej se termi pornokraci nuk duhet përdorë më për 'to. Janë të tjera 'pornet'* që e prodhojnë sistemin perceptiv ku vegjeton shqiptaria. Dhe këto 'porne' janë së pari opinion-keqbërësit dhe klika e njerëzve që dreqosin perceptimin publik shqiptar, bashkë me burokratët e kulturës, legjitimuesit zyrtarë të çdo skandali. Dhe shì këta 'pornë' janë dorëzanët e hyrjes së 'porneve' në politikën shqiptare. Dhe pikërisht pse janë këta, nuk kemi më çfarë të shpresojmë.
Ka shkruar Brankati: «[...] “Neroni u kujtua për Epikarinë, dhe duke mos besuar që një grua e duronte dhimbjen urdhëroi ta torturonin. Por as kërbaçi as zjarri as tërbimi i xhelatëve nuk e bënë me rrëfye; dhe kështu, ajo fitoi ditën e parë. Pasi e çuan të nesërmen tek po ato tortura, duke mos mundur me u mbajtë në këmbët e saj të dërmishura, grisi nga gjoksi një cohë, e lidhi nyjë tek stoli, bëri një lak në fyt duke e ngushtuar me peshën e trupit, dhe e mbyti edhe atë pak frymë që i kishte mbetur. Shembull i paharrueshëm sesi një prostitutë donte me shpëtue do të panjohur pas gjithë asaj agonie, kurse burrat - kalorës, senatorë - pa torturë, kallëzonin njerëzit më të dashur. [...] kur një shoqëri nuk mund t'i zërë më besë prostitutave të veta, ka marrë fund gjithçka! Nuk ka mbetur asgjë më ku të shpresosh!»**
Përtej Ballkanit, pornokratët janë do udhëheqës të jugut t'Europës apo veriut të Afrikës, në një moshë që shqipja e quan 'të thyer', por që nuk ua përtojnë festave goliardike. Rininë mundohen ta ruajnë falë 'implementimit' të një lënde sintetike që në rast se pas vdekjes do çoheshin në kremim, do i bënte me u ardhë era gomë***. Po përse një libër merret direkt apo indirekt me këso inertesh?
Pavarësisht se jo pa qëllim jam munduar ta bëj me qarkullue termin 'pornokraci', nuk kam pasë ndërmend me e përkthye një libër të tillë, edhe pasi zbulova që një libër i tillë ekzistonte.
Ajo çka më bindi për shqipërimin e këtij libri ishte një libër tjetër, ai i bashkëkombasit të Prudonit (këtej e tutje emrin e autorit shkurtimisht do e hasim hera herës thjesht me inicialin “P.”), Guy Debord, dhe pikërisht 'Shoqëria e spektaklit' (bot. Gaid Margot, 2009): një kritikë radikale e pushtetit të imazhit në shoqërinë aktuale, e shprehur nga një laik e mbase ateist, por me ndjetin e një profeti Moisi, përmbysësit më të madh e më të hershëm të antropomorfizimit.
Tjetër ngjashmëri e Deborit me Prudonin është refuzimi me u ba autoritet në kontestimin e autoritetit, siç e gjejmë te një letër që P. i dërgon K. Marksit për bashkëpunim. Ai i thoshte:

«Hajt t'i kërkojmë bashkë, në daçi, ligjet e shoqërisë, mënyrën sesi realizohen këto ligje, procesin sipas të cilit arrijmë me i zbulue, por, pashi Zotin, pasi t'i kemi shkatërruar të gjitha dogmatizmat a priori, të mos mendojmë me e indoktrinue popullin; të mos biem në kontradiktën e bashkatdhetarit tuaj Martin Luter... Nuk duhet ta shtrojmë aksionin revolucionar si mjet reforme sociale pasi ky mjet i pretenduar do ishte thjesht një apel ndaj forcës, arbitraritetit, shkurt, një kontradiktë».*

Situata e sotme na lejon së paku një konsideratë në lidhje me këtë; se Prudoni, edhe duke qenë një dialektikan shumë modest para Marksit, rezulton një edukator shumë më i mirë se ai. Prudoni beson te ndryshimi i vetvetes. Marksi tek ndryshimi i botës. Por sa më shumë njerëz të besojnë tek ndryshimi i vetvetes, aq më shumë ka me ndryshue bota.
Ndryshimi më i madh dhe më dramatik i ndodhur në kohën tonë i përket sferës së edukimit. Ky ndryshim ka trajtat e një përmbysjeje radikale. Më parë, përgjatë të gjithë periudhës klasike (nga antikiteti në Rilindje) e deri me revolucionin industrial, mjeti kryesor i edukimit ishte narracioni. Në qendër ishte njeriu. Sot jemi të pranishëm në eklipsimin e plotë të këtij instrumenti par excellence të ethosit njerëzor. Narracioni është i vetmi instrument që mund të quhet organ. Humanizmi është në krizë. Mjeti kryesor i edukimit sot është imazhi. Një mjet që kurrë s'mund të jetë një organ, pasi është i vdekur. Pasojat janë të pallogaritshme. Ngushtimi i rrezeveprimit të memories. Debilizimi. Kakofonia. Makthi teknokratik. Karaokja ekzistenciale.
Ne shqiptarët jemi te karaokja ekzistenciale. Kushdo që jeton në Tiranë a Prishtinë e kupton këtë gjë. Karaokja kombëtare është emisioni më i ndjekur.
Thamë, se pornet sot nuk mund të quhen vetëm ato që për P. ishin të tilla, por sidomos duhen quajtur të gjithë individët që e kanë shitur jetën e tyre për t'i dhënë jetë imazhit spektakolar. E gjithë 'rizoma' që përmendëm: e opinion-keqbërësve, fuksave, sekserëve që e kanë shndërruar pushtetin në një orgji onaniste që pushteti kryen mesveti. Kjo sot ka mbërritur deri në atë pikë, sa nuk dallohet më a e kanë shndërruar këta politikën, a politika këta.
Nën dritën e Debord-it, ne sot kuptojmë se pushteti - për relativizimin e të cilit P. luftoi gjithë jetën - na ka vjedhë të vetmen pronë, që as Prudoni nuk do e quante një vjedhje: kohën. Ka të drejtë P. kur thotë se prona është një vjedhje, qysh në paragrafin e parë të librit të tij më me ndikim. Por kohën time unë si individ (pra si i pa-ndashëm shì nga ajo) nuk ia kam vjedhur njeriu, por po ma vjedhin. Jetojmë në epokën kur kompanitë e telefonisë së lëvizshme bëjnë oferta 'marramëndëse' duke të ofruar me qindra minuta në javë, falas(!), për të ndjenjur në linjat e tyre. Ato na falin kohën tonë sikur të ishte e tyrja. Dhe shumë spektatorëve të devotë kjo i duket përfitim.
Kuptohet, se kuplaraja globale ka në qendër femrën, imazhi i së cilës është gjëja më e prostituuar në ekran, po aq sa ç'është i prostituuar edhe trupi i saj në rrugë. Dhe Prudoni sak ka gjetur tek libertinazhi i femrës sindromin e dekadencës së perëndimit, si dekadencë e tipit dhe e modelit perandorak, e pame qysh në Egjipt, Romë e me radhë; por duhej të kalonte një shekull pas tij, për të kuptuar se kjo dekadencë jo vetëm që ishte pa fund, jo vetëm që nuk do prunte humusin e nevojshëm për lindjen e një kulture të re, por është përjetësuar in vitro nga pushteti dhe është bërë e shitshme nën formulën 'fundi i historisë'.
Dhe nëse Prudoni me të drejtë e dënon kultin e erotizmit si kancerin e kombit francez në shekullin e tij, sot Erosi ndryshon konotacion. Erotizmi bëhet debord-ianisht një nga barkat e pakta të shpëtimit ndaj 'irrealizmit të botës reale'. Një ndër të paktat fusha të veprimit njerëzor ku mund të gjindet 'jetësorja' në botë. Me kusht që ky erotizëm të jetë hedonizëm, jo përftim tekno-komercial i imazhit erotik.
Nëse duhet të flasim për 'pornon' si zhanër apo si kategori të së shëmtuarës mandej, do përmendim fjalët e shkrimtarit siçilian, Leonardo Shasha, që gjenden tek ditari i tij i titulluar “E zezë mbi të zezë”. Ka shkruar Shasha aty, se vetëm një herë i ka ndodhur në jetën e tij të shohë një film porno. Për pak minuta. Dhe e ka kuptuar se e vetmja gjë porno e një filmi porno janë spektatorët e tij. Pra nëse spektatorët janë porno, atëherë si e ka emrin qytetërimi që i prodhon ata në shifra industriale?
Megjithatë, pas një refleksioni kam mëtuar t'i jap një konotacion tjetër fjalës porno. Për mua ajo shënon njeriun pa metafizikë, çdo gjest a veprim që e mëton lirinë a vlerën si diçka fizike; anën formale të praktikimit të një kredoje, mekanikën e një mënyre jetese - deri edhe të një religjioni; banalizimin e tejskajshëm të çdo hapësire, mizozofinë e turmave, folitikën non-stop, makiavelizmin fshatar të kapitalizmit egërshan në Evropën lindore, skizofreninë e kapitalizmit të avancuar perëndimor etj. Porno është fryma e kopjes. Është kallpi që vetëquhet origjinal. Liria pa metafizikë.
O spektator: gjëja më pak porno, pra, është filmi i zhanrit porno, kulmi i pornos je ti që e sheh. Nuk është aq porno politikani që çon kamerieren në banjo, sa ç'është suksesi që ka videoja (e fshehtë!?) e këtij skandali. Qoftë ky një sukses i kurorëzuar me (dis)kreditimin publik të politikanit. E kështu me radhë. Dhe akoma më porno është harresa mes dy skandalave. Suksesi është institucioni më pornografik i shoqërisë së spektaklit. Dhe vini re se si një botë që e ka zhdukur ngjarjen, krijon një mit që e ka rrënjën të prejardhur nga ngjarja!
Shpresoj që ky libër të mos lexohet për turizëm mendor, si ekskursion në një shekull ekzotik, aq sinkronik me moshën psikologjike tonën, të shqiptarëve, por të kuptohet ashtu siç është, si një polemikë e zhvilluar (atëherë në Francë dhe sot te ne) në kohën e duhur, kur emancipimi i femrës brenda patriarkatit, po shndërrohej në zholin me ngjyra të vetë patriarkatit. Kur patriarkati duke pranuar kufinjtë e vet, e zhdukte njëherësh rolin e burrit apo të gruas duke i hapur udhë karrieristit pa shpirt e pa gjini të kohës sonë. Epoka jonë është domain-i i të pakategorizueshmes, dhe e pakategorizueshmja është monstruozja.
Pornokracia është patriarkati pa patriarkë, kulti pa kulturë, kandisja pa moral; është asgjësimi i diferencave përplotësuese mes femrës e mashkullit, në favor të vetëmjaftueshmërisë egocentrike si gjegjëse e modelit të monopolit në sferën private.
Besoj se librin Pornokracia, do e ndjejnë më pranë leçitësit e kakotopive, asaj aradhe librash që në fakt do e përuronte Zamjatini gjysmë shekulli më vonë me romanin 'Ne', ndjekur nga Huxley, Orwell, Burgess. Pavarësisht se nuk ka kompozicionin as thukninë e romanit, ky pamflet ndan me këta diziluzionistë të mëdhenj energjinë e tij profetike.
Në kohën kur fizikja ulërin se po ulërin realen, realja është bërë më e fshehtë se kurrë. Realja, realja e mirëfilltë ka gjetur një poezi të sajën që dukej se e kish humbur.
Realja është bërë metafizike!
A. Cani
Milano, fund gushti-fillim shtatori 2011























PJESA E PARË

PREMISË

Për zonjat J.L.
dhe Jenny d’H.


Zonja, kam në dorë tre vëllimet tuaja1 dhe i kam lexuar: sigurisht, jo pa mundim. Kurrë nuk kam provuar zhgënjim të tillë; kurrë s’kishte ndodhur që një kauzë kaq e urryer të mbrohej me mjete kaq të këqija. Nuk ju qortoj për sharjet tuaja: kur lindin nga një indinjatë legjitime, i kuptoj të sharat dhe i duroj në përvuajturi absolute, thua se bëhet fjalë për motive të arsyeshme. Por nisur nga arsyeja nuk gjendet as hija më e vogël në sulmet tuaja; ajo që më godet më shumë nga ana juaj, është vetë pacipësia në mënyrën tuaj të arsyetimit. Nuk shpresonit sigurisht, zonja, se do t’i isha përgjigjur kësaj rrjedhe fjalësh; juve vuanit, pikësëpari, për të shfryrë vrerin tuaj; fundja, pak rëndësi kishte për ju. Kur prodhon këso fenomenesh, një doktrinë është e gjykuar tashmë; nuk më ngelej tjetër përpos të fërkoja duart dhe t’iu lija në triumfin tuaj. Çfarë mund t’i uroja vetes më mirë, përpos që të shihja një antagoniste të pretenduar që zbret te ky nivel falë të gjitha budallësive që mëria dhe vaniteti i lënduar mund ta grumbullojnë në trurin e një gruaje?
M’u duk me vend, megjithatë, të mos e lë pasdore punën tuaj, ndërkohë që ju mund ta merrni me mend fare mirë, zonjat e mia, se kjo nuk ka ndodhur pa shkak. Bëhet fjalë për diçka krejt tjetër, në fakt, sesa për deklamimet tuaja dhe për keqardhjen time.
Dekompozimi i shoqërisë sonë përparon çilembyll sytë; sa më shumë që analizoj simptomat, aq më tepër vë re se liritë publike kanë për bazë dhe për tutelë zakonet shtëpiake; që maksimat me të cilat të drejtat e popujve janë shkatërruar, janë po ato me të cilat ju dhe shefat tuaj e përmbysni rendin e familjeve; se çdo tiraní, me një fjalë, përfundon në prostitucion dhe se prostitucioni, i shqyrtuar në themelet e veta, është saktësisht ajo çka ju, zonja të dashura, me Át Enfantinin2 e ndihmësit e tij, e quani çlirim të gruas ose dashuri e lirë.
Tani, a thua është faji im që ju, si dama të zonja, figuroni në rreshtin e parë të kësaj pornokracie, e cila prej tridhjetë vjetësh e ka bërë Francën t’i rroposet erzi publik, duke krijuar gjithandej ndër avoketër, filozofë, poetë, të devotë*, një mal me përçartje dhe me ndihmën e korruptimit më hollë? Ju sulmoni gjithçka që unë dua dhe nderoj, të vetmin mes institucioneve tona antike ndaj të cilit unë kam ruajtur respekt, pikërisht sepse shquaj aty një mishërim të drejtësisë. Pranoni, pra, pasojat e rolit që keni marrë; pësoni, pa shumë qaravitje, përçartjet që ju a imponon teoria juaj; për sa më takon mua, më quani edhe katallàn, Minotaur dhe Mjekërblu: po arritët të më provoni, me argumentime serioze, se unë gabohem afërmendsh që nuk do të ankohem.




kapitulli i Parë

ÇËSHTJA E MARTESËS

A doni të lozim me letra të hapura, zonja të dashura? Atëherë rrëfeni se ajo që ju irriton në Studimin tim1 nuk është paragjykimi që teoria ime e martesës mund t’i shkaktojë seksit tuaj: mbi po këtë plan, e dini më së miri, nuk keni asgjë për të drashtur. Nga ana ime, jam gati t’iu rrëfej se aty ku kam trajtuar, me njëfarë ironie, mendoja në të vërtetë për diçka krejt tjetër nga gjysma më e bukur e sojit njerëzor. Mes meje dhe jush problemi është mirëfilli vetanak: nuk i përket as nuses, as nënës, as bijës, as aq më pak kreut të komunitetit. Për këtë do të doja të ishte shumë e bindur çdo grua e ndershme që do t’i lexojë këto faqe.
Çështja e martesës, kështu siç është shtruar prej meje, mund të përkthehet te kjo alternativë: 1) ose burri dhe gruaja, të konsideruar në shpërfaqjen e tyre të trefishtë fizike, intelektuale dhe morale, janë në të gjitha aftësitë të barabartë: shì për këtë arsye duhet të jenë njësoj edhe në familje, në luftë; pra, në çdo funksion publik dhe shtëpiak; 2) ose janë vetëm të barzvlefshëm dhe secili ka epërsi mbi tjetrin për shkak të një parakushti të veçantë: burri për shkak të forcës, gruaja për bukurinë. Në këtë rast, bilanci i të drejtave dhe detyrave të tyre përkatëse duhet të bëhet ndryshe, por në mënyrë të tillë që, për rrjedhojë, të ketë mes dy sekseve barazi mirëqenieje dhe nder.
Në të dy rastet, e drejta dhe dinjiteti i gruas njihen; ajo mund ta quajë veten të lirë dhe është e shpëtuar. Sistem të tretë nuk ka: madje nëse doni të jeni të drejta, duhet të më thurni lëvdata për shkak se kam ditur ta reduktoj një çështje kaq komplekse në një alternativë kaq të thjeshtë. Çfarëdo që të ndodhë, legjislatori kryefamiljar, filozof, ekonomist apo moralist, duhet të sjellë një ekuacion, nga momenti që nuk është e mundur të pranosh, siç vë në dukje unë vetë, që gruaja, krijesë racionale dhe morale, shoqe e burrit, të trajtohet sikur seksi i saj nënkupton minorizim. Përse nuk jeni mjaftuar që t’i merrni shënim fjalët e mia, në vend që të më mbuloni me sharje?
E di mirë se, sipas paragjykimit dominues, paragjykim nga i cili ju nuk jeni të imunizuara, bukuria duket diçka me fare pak peshë, një fantazi e kulluar, një jo-realitet; e di mirë, ndërkohë, se kur them «po, burri është më i fortë, por gruaja është më e bukur», më duket sikur po bëj një shakà pa kripë. Sipas mendimit tuaj, është njëlloj sikur mbi kokën e burrit të vendoset shenja pozitive + dhe mbi atë të gruas shenja negative –. Pyesim veten: çfarë është bukuria? Sa rëndësi ka në qeveri, në familje, në treg?... Kështu arsyeton vulgu, që pranon si reale vetëm atë që mund të peshohet dhe të matet me metër; në të njëjtën mënyrë arsyetoni ju, zonja të dashura: pavarësisht krenarisë suaj, në fakt, duhet akoma shumë kohë që ju të jeni të lira, siç pretendoni.
E pra, bukuria nuk është diçka e vogël; do të më lejoni të pohoj, në lidhje me këtë, se burrat janë gjykatës më kompetentë se gratë. Bukuria nuk është një hiçmosgjë. I referohem bukurisë ashtu si forcës nën të gjitha pikëvështrimet, fizike, intelektuale dhe morale e mos ta harrojmë: bukuria është e anasjellta e forcës, një fuqi, një virtyt, një tharm të cilit është shumë më e lehtë t’i tregohet veprimi se t’i përçanësohet thelbi; por amà diçka që nuk është një hiçmosgjë, sepse vepron dhe shërben si ndërlidhës për forcën dhe për substancën, duke mos mundur kështu të mos jetë një hiçgjë.
Jam përpjekur, në një Studim, me shpjegue rolin e idealit në lëvizjen e njerëzimit; kam besuar se kam njohur tek ai atë hir promotor me të cilën teologët shpjegojnë të gjitha virtytet dhe progreset e tij; që pohojnë se, pa këtë fuqi idealizimi, burri, mospërfillës për dinjitetin e vet, do të mbetej shurdh ndaj kërkesave të vetëdijes. Dhe kur, më vonë, në një Studim tjetër, e kam bërë gruan pamjen e gjallë të këtij ideali, nuk kam bërë tjetër pos konkretizimit të një mendimi deri atëherë të humbur në abstragimet e teologëve dhe të filozofëve. Oh, sikur ta kishte vënë re këtë gjë i nderuari Ati Enfantin; sikur të kishte thënë se bukuria te gruaja është më efikase, më krijuese se forca e shokut të saj, duke konsideruar faktin se është bukuria, shumicën e herëve, që e vë në lëvizje forcën, sa duartrokitje dhe tufa lulesh, madje dhe puthje që do kisha marrë!...
Tani zonja të dashura, ka mundësi që unë edhe të gabohem. Mbase ideali, gruaja dhe bukuria nuk mbulojnë në shoqërinë njerëzore rëndësinë që unë u caktoj. Mbase, mundet dhe që unë po tregoj thjesht shije të keqe kur pohoj, së bashku me pothuajse tërë të ngjashmit e mi, se gruaja është më e bukur se mashkulli, siç mundet që gratë, figura e të cilave na josh, të jenë në realitet të shëmtuara, gjithaq e më të shëmtuara për sa kanë privilegjin që të mund të bëhen të padurueshme sepse duan t’u ngjasojnë burrave. Por në këtë gabim të padëmshëm, a kishte për ju një motiv minimal zemërate? Ç’të keqe ju shkaktonte kjo juve dhe kauzës suaj? Të paktën qëllimin tim të mirë duhet ta kishit mbajtur parasysh, nga çasti që, duke u realizuar (si me thanë) në personin e gruas bukuria e përjetshme dhe qiellore, në përfundim shtoja në të mirë të seksit tuaj një vlerë shumë të madhe. Jeni avokatë fort të çuditshëm të kauzës suaj, nëse ankoheni se kundërthënësit tuaj u japin mjetet më vendimtare, titujt më solidë, madje edhe nëse e quani të gabuar që ne ta zbukurojmë ca si tepër nusen!
Duke e konsideruar gjithë këtë, kam pyetur veten: «Çfarë është martesa?». Bashkimi i forcës dhe i lëndës, bashkim i pazgjidhshëm sa dhe i bukur i formës dhe i materies, ku divorci nënkupton shkatërrimin e të dyjave. Pikërisht për këtë martesa ndryshon nga shoqëria* civile dhe komerciale, në thelb e zhbëshme dhe që ka për objekt fitimin. Forca dhe bukuria bashkohen falas: ato nuk paguhen përkëmbyeshëm - e para në shërbime, e dyta në favore; nuk është e mundur të maten frytet e punës dhe dhantitë** e idealit. Martesa, në pastërtinë e idealit të saj, është një pakt vetëmohimi absolut. Kënaqësia është e pranishme aty - vetëm se në plan të dytë; çdo shkëmbim i pasurive që prodhon burri kundrejt gëzimeve që gruaja jep, çdo shkëmbim epshesh është konkubinat, në mos qoftë prostitucion i dyanshëm. Kështu, për çiftin e të martuarve, martesa është bërë një kult i vetëdijes dhe për shoqërinë është bërë vetë organi i drejtësisë. Një martesë e shenjtë, nëse është për të martuarit e pa mëkat, përjashton nga ana e tyre, kundrejt të huajve, çdo krim dhe djallëzi; konkubinati, ose bashkimi i burrit dhe gruas, i fshehtë ose solemn, por në funksion vetëm të kënaqësisë, megjithëse nganjëherë i justifikueshëm, është, përkundrazi, streha e zakonshme e parazitëve, e hajdutëve, e mashtruesve dhe e vrasësve.
Oh, zonja të dashura, e di sa i rreptë ju duket ky moral, pikërisht juve që qeshni me forcën dhe akoma më shumë me bukurinë, e që madje pretendoni se kënaqësia dhe pasuria janë në fund fare kontrata e vërtetë sociale, religjioni i mirëfilltë. Pranoni megjithatë se në kushtet e punës dhe të kursimit që vetë natyra e gjërave i imponon llojit tonë, nëse duam të formojmë martesa solide dhe një shoqëri të virtytshme, më shumë sesa maksimat tuaja epikuriane vlen kjo teori e sakrificës. Gjithsesi, nuk mund të mëtoni se i kam ngrënë hakun gruas, pra qenies sipas meje më të dobët: ja, në vija të përgjithshme, si e kam trajtuar.
Për sa i takon familjeve, ekonomia e ekzistencës ndahet në dy pjesë kryesore: prodhim dhe konsum.
E para është, pa dyshim, më e mundimshmja: e kam bërë atribut të burrit: e dyta është më e lehtë, më zbavitëse: ia kam rezervuar gruas. Burri plugon, mbjell, korr, bluan drithin; gruaja pjek bukën dhe ëmbëlsirat. E gjithë jeta e tyre, për sa i përket punës, mund të përkthehet te ky simbol: pak rëndësi ka se në ç’mënyrë, në t'ardhmen, do të mund të ndahet puna, t'organizohet dhe të shpërndahet; në analizë përfundimtare, të gjitha operacionet virile dhe femërore janë në vartësi gjegjëse nga plugu ose nga tigani. A do dinit të më tregoni se në çka është e padrejtë kjo ndarje?... Po a i kam thënë vallë gruas, pasi është shtruar tavolina dhe është shërbyer dreka, të ulet në një qoshe, të presë, për të ngrënë, një shenjë të të zotit dhe padronit të saj, të kënaqet me bukë të zezë, të thatë, teksa burri shijon bukën e bardhë dhe të freskët? Larg qoftë, unë i mësoj burrit se gjithë sa ka më të mirë shtëpia i duhet rezervuar gruas dhe bijve dhe se gëzimi i tij duhet bazuar sidomos mbi atë të tyrin. Pa dyshim, kam lënë pa përmendur shumë gjëra; nuk harroj, pikërisht sepse kam dëgjuar të ma përsërisin shumë herë, të jem pak i sjellshëm dhe i dashur; por, tekefundit, do të pranoni besoj, se sistemet e mia nuk janë aspak ato të një egoisti, të një shfrytëzuesi, të një tirani. Nëse është kauza e lumturisë së grave që ju doni të shërbeni, njehmëni, pra, mes partizanëve tuaj.
Në vazhdën e Auguste Comte2 dhe më mirë se ai, kam pohuar se gruaja, mishërim i idealit, shfaqet me një natyrë eprane ndaj burrit, i cili nuk ka nga ana e tij gati asgjë tjetër përpos forcës; nëse ai provanon* për gjërat e dobishme, ajo vetëm shpërndan lumturi; për këtë arsye gruaja duhet të ishte - për sa qe e mundshme - e çliruar nga çdo vepër utilitare, sidomos nga puna e rëndë dhe e papëlqyeshme. E kam bërë monogaminë ligjin themelor të çiftit androgjen; e kam përzënë divorcin; kam pohuar se, në një martesë me të vërtetë të denjë, dashuria duhet të ishte e nënshtruar ndaj vetëdijes, në atë pikë që martesa e ndërgjegjja e mirë mund dhe duhej të ruante vendin e dashurisë: për të mirën e kujt qenkej e gjithë kjo, nëse nuk ju vjen keq? Dihet, në të mirë të gruas, të asaj që, mes dy bashkëshortëve, mbretëron sidomos me bukurinë dhe, prandaj, është e ekspozuar me lehtësi më të madhe ndaj humbjes së të drejtave të veta.
Për sa i takon gjërave të jashtme, nuk kam dashur as nuk dua për gruan, për të njëjtat konsiderata, luftën, sepse lufta, ashtu si shërbyesia, nuk i kanë hije bukurisë.
Nuk dua politikën, se politika është luftë.
Nuk dua funksione juridike, policore ose qeverisjeje, sepse edhe kjo është luftë.
Pohoj se mbretëria e gruas është te familja; se sfera e rrezatimit të saj është vatra bashkëshortore; dhe pikërisht në këtë mënyrë burri, tek i cili gruaja duhet të dojë jo bukurinë, por forcën, do zhvillojë dinjitetin e vet, individualitetin, karakterin, heroizmin dhe drejtësinë; dhe pikërisht me qëllimin për ta bërë këtë njeri gjithmonë e më të guximshëm dhe të drejtë, ndërsa nusen e tij, për pasojë, gjithmonë e më mbretëreshë, unë luftoj centralizimin, burokracinë, feudalizmin financiar, mësymjen e fuqive qeverisëse dhe gjendjen e përhershme të luftës.
Për këtë arsye, qysh prej tetorit 1848, kam protestuar kundër restaurimit të Perandorisë3, që konsideroja si një prostituim kombëtar, madje nuk kam pushuar kurrë së kërkuari reforma ekonomike të afta, që duke i bërë më pak të shpeshtë dhe më pak të rëndë pauperizmin, revoltën dhe krimin, të reduktojnë hap pas hapi numrin dhe kohëzgjatjen e magjistraturave, duke e çuar pak nga pak rendin social te liria e thjeshtë dhe e pastër, çka domethënë restaurim i plotë i familjes dhe glorifikim i gruas.
Kam dënuar me tërë forcën për të cilën isha i aftë, joshjen, tradhtinë bashkëshortore, incestin, dhunën mishtore, prostitucionin, të gjitha krimet dhe keqbërjet kundër martesës dhe familjes: kundër gruas, do të ishte dashur të thosha. I kam kallëzuar ato si shenja dhe instrumente të despotizmit – dua të shpresoj që në këtë pikë fjala ime të mos ketë ngjallur dyshime. Nëse e kam justifikuar - në njëfarë mase, në pajtim me autoritete më të mëdha – konkubinatin, edhe kjo ka qenë n'interesin e grave. Nuk dyshoj se do të kishte qenë e mundur për një tjetër të thoshte më mirë se unë; por, në fund, unë kam folur sipas mjeteve të mia të dobëta dhe, nëse shoh rrotull, po t’i kthehem të shkuarës, nuk arrij të gjej një autor, as edhe një, që ta ketë marrë kaq shumë për zemër kauzën e gruas.
Përse atëherë gjithë ky qamet epitetesh sharës? Përse të thonë se jam i poshtër, gomar, burracak? Já, zonja të dashura, sikur të drejtat tuaja të ishin gjëja e vetme që keni për zemër, vetëm këtë duhet të më kishit thënë: «Zoti Prudon, deri më sot ju jeni i pari i mbrojtësve tanë dhe ne jemi shumë të lumtura për mtesat tuaja të shkëlqyera. Kondita ku e vini seksin tonë nuk është aspak për t’u përçmuar dhe, në rastin më të keq, do të na garantonte një ekzistencë të durueshme. Por, na lejoni t’ua themi, se, për sa i përket gruas, ju nuk jeni tjetër përpos një beqar i thjeshtë; nga shkëlqimi i saj nuk keni vënë re tjetër përpos një rrezeje të zbehtë dhe, si ju ka thënë një artist miku juaj, nuk kuptoni asgjë nga dashuria4”.
«Ju na çmoni të dobëta fizikisht, të varfra në intelekt, të ndrojtura në guxim dhe, vetëm në konsideratën e asaj që juve ju pëlqen ta quani bukurinë tonë - e që neve na frymëzon vetëm një stimë mediokre, - e pandehni veten të detyruar t’i përkushtoheni lumturisë sonë. Gabim bujar, por i përbuzshëm! Ne zotërojmë, që ta dini, forcën fizike, ose të paktën mund ta fitojmë atë, në të njëjtin nivel si ju - edhe pa hequr fare dorë nga sharmi ynë. Pastaj, edhe sikur të mos mund ta fitonim, ç’rëndësi ka! A thua se kemi ndonjë nevojë të madhe! Demi është më i fortë se burri, por kjo a provon vallë se është e mundur të kundërvihet i pari me të dytin?... Për sa i përket cilësive të shpirtit, të vetmeve që ia vlen të konsiderohen, gjenia, kujdesi, drejtësia, dinjiteti, guximi, ne do të ishim vetëm modeste duke iu mësuar se nuk na mungojnë më shumë se juve. Arsyetues jo fatlum, nëse me kaq pak sa keni kuptuar nga natyra femërore e doni atë kaq shumë, çfarë do të ndodhë sikur ajo t’iu zbulohej plotësisht? Na lini pra neve t’ua shpjegojmë, dhe jini të sigurt për mirënjohjen tonë. Shpirti juaj nuk e ka pa' fare; zemra juaj nuk e ka njohur kurrë vullnetin e pamatë me të cilin një grua e lirë mund të mbushë një vdekatar. Sigurisht, ju zotëroni stofin e një adhuruesi të zjarrtë të gruas, të një kalorësi besnik të Mbretëreshës së Qiellit. Tashmë, bëhet fjalë vetëm, për t’iu hequr këtë njollë që ju qorron, që t’iu kthejmë ju në Shën Palin e revolucionit femëror - mes të gjitha revolucioneve më i madhi dhe i sprasmi».
Kjo ishte gjuha e vetme me të cilën kishit të drejtë të më drejtoheshit mua, nga çasti që asnjëra prej jush nuk përmendej në librin tim; madje, duke folur për hesap të të gjitha simotrave tuaja, nuk duhet të bënit gjë tjetër përpos që të zaptonit rolin e volitshëm që iu caktoja, pa përfshirë aty në asnjë mënyrë personat tuaj. Paskëtaj, duke i ndihur shpërblimi i premtuar budallësisë sime, kushedi a nuk do të kisha pranuar në fund se kandari im i të dhënit dhe të marrit të gruas nuk qenkej i saktë; sepse, e barabartë me burrin në fuqi, ajo zotëron për më tepër bukurinë; se në këtë mënyrë ëpránësia juaj është e plotë; se, në lidhje me ju, ne jemi qenie të rëna dhe, për ta thënë shkurt, gruaja, shumë larg nga të shkaktuarit e humbjes së përgjithshme të sojit njerëzor me kureshtjen e saj të pacipë, siç referon ligësisht dhe me shpifje Zanafilla, a i është dhënë burrit për ta shëlbyer dhe për t’i shërbyer si engjëll mbrojtës?
Do ta pranoni, zonja të dashura, se do të ishit avoketër të këqij. Do të mjaftonte një fjalë e vetme me dy kuptime për t’iu bërë t’i kapërceni kufijtë; dhe, përveç rastit kur do përdornit me gjykatësit tuaj një dialektikë krejt të ndryshme, do të arrinit njësoj t’i çoni në gijotinë tërë klientët tuaj. Këtë kauzë femërore, që me ndërhyrjen tuaj deklaroni se doni ta mbroni, ju e tradhtoni në çdo pikë, dhe e çnderoni. Meqë kjo i përket saktësisht diferencës së prerogativave mes dy sekseve që unë kam besuar, në vazhdën e shumë të tjerëve, pa e nxjerrë në pah, pavarësisht se ju e mohoni pa asnjë provë me pafytyrësinë më të pabesueshme, nuk do t’ju duket e çuditshme që unë të ndalem këtu. Është kjo pika themelore e çështjes.



























Kapitulli i Dytë

PARALELI MES BURRIT DHE GRUAS
Nuk ka fuqi pa bukuri dhe, anasjelltas, s’ka bukuri pa fuqi, sikurse nuk ka lëndë pa formë, ose formë pa lëndë; prandaj thuhet një bukuri mashkullore dhe një grua e fortë; ja përse gruaja ka pjesën e saj në prodhimin shtëpiak, teksa burri ka të vetin në artin e të jetuarit virtytshëm, që mandej bëhet njësh me vetë familjen. Por fuqia dhe bukuria, sado që intimisht të bashkuara si lënda dhe forma, nuk janë një gjë e vetme dhe identike; natyra e tyre nuk është identike; dhe aq më pak është aksioni i tyre. Asnjë përpjekje e mendimit nuk do të ishte e aftë për t’i reduktuar në një shprehje të përbashkët. Kjo bën që, përtej seksualitetit organik, t'ekzistojë mes burrit dhe gruas një diferencë që të gjithë e ndjejnë dhe që arsyeja e shpall si të paepshme.
Por a nuk mund të jetë iluzor, ky ndryshim? A duhet të dallojmë tek ai, sikundër do të pretendoni ju, vetëm një efekt të edukimit dhe të zakonit, në mënyrë që të shpresojmë, pas një ndryshimi të regjimit, ta eliminojmë dhe të mos lëmë t'ekzistojë mes dy sekseve ndryshim tjetër përpos atij t'organeve të riprodhimit? Në fjalë të tjera, sistemi i raporteve mes burrit dhe gruas, që jam përpjekur të themeloj mbi barazvlerën e atributeve të tyre, a duhet të mbështetet, përkundrazi, mbi barazinë dhe mbi identitetin e vetë këtyre atributeve? Problemi qëndron i gjithi këtu.
Vëmë re se nga ligji i sekseve do të varet ai i familjes, dhe, për pasojë, rendi i shoqërisë dhe përvendosja e mbarë sojit njerëzor. Thashë se faktet konfirmojnë atë që për çdo individ të mirë do të mjaftonte një shikim për ta vënë re, pra që burri është më i fortë, por më pak i bukur dhe gruaja më e bukur por më pak e thantë. Mbi këtë pikë ju ngërdhesheni së tepërmi. I mohoni faktet sepse, përkundër tezës sime, hamendësoni se unë i citoj në keqbesim. Mbërrini deri aty sa pohoni se nuk kam prodhuar fakte, madje, edhe më tepër, se faktet janë nga ana juaj. Gruaja e kapur në shkelje kurore mohon gjithmonë; po t’i zësh besë asaj, i shoqi do të paskej ende detyrime kundrejt saj. Të kujtojmë atëherë, të paktën në vija të përgjithshme, këto fakte, në mënyrë që të mos jetë më e mundur t’i kalojmë në heshtje.
Aftësitë fizike. Merrni sidorasti*, në klasa dhe kushte të ndryshme sociale, dy të rinj, një fshatar dhe një fshatare, një punëtor dhe një punëtore, një riosh dhe një zonjushë; merrni, në shkelëza të tjera të shkallës, një burrë të rritur dhe një grua të pjekur, dy të moshuar, ose dy adoleshentë, një djalosh dhe një vashë, një vogëlush dhe një vogëlushe, dhe vërini të luftojnë bashkë. Është një provë që secili mund ta bëjë dhe që unë vetë e kam bërë njëqind herë, kur isha bari1. Ndonjëherë do të mund të ndodhë që shorti të përvijojë në këtë dyluftim një djalë të dobët dhe një vajzë shumë të fortë, që në këtë rast do të korrë fitore. Por nëntëdhjetë e nëntë herë në njëqind do të dalë që fituesi të jetë mashkulli. Në këmbim, do të gjeni një numër të barabartë herësh që gruaja është më e bukur se burri. Ky rast i dytë është kundëranësor i të parit.
A është pikërisht natyra ajo që e ka vendosur këtë ndryshim mes dy sekseve? Gjykimi është i lehtë, mjaftojnë sytë. Krahasojeni Herkulin e Farnës, gladiatorin, Tezeun apo Akilin me Venerën e Milos, me Venerën e Mediçit, me Hyjneshën Gjuetare: a nuk janë vallë të parët të dallueshëm për forcën dhe të dytat për bukurinë? Zbriteni në Arenë, si në Spartë, tërë rininë, tërë popullatën: efekti i prodhuar do të jetë i njëjti. I tillë është fakti dhe ky fakt do të përsëritet të gjitha herët - qofshin këto pak a shumë - që keni formuar çifte.
Mbase, do të hiqni vërejte ju, shkaku qëndron te regjimi. Të shohim. Deri në epokën e pubertetit, diversiteti mes çunave dhe gocave ka rëndësi të pakët: Fourier2 i quante seksi neutral. Regjimi i tyre është pak a shumë i njëjti; nëse ekziston ndonjë diferencë, është në pamje t'asaj çka vajza duhet të bëhet në mënyrë të pashmangshme. Pra, adoleshentët dhe fëmijët e dy gjinive afrohen shumë për nga forca dhe nuk janë shumë larg për nga bukuria; nga kjo, pjesërisht, rrjedh ajo dashuria greke, mbi të cilën nuk është nevoja që të zgjatem shumë me ju, zonja të dashura. Papritur, tek dy subjektet fizionomia ndryshon; format bëhen më të thata te njëri, më të rrumbullta tek tjetra; zhvillimi i ijëve dhe i gjirit, duke i dhënë penelatën e fundit bukurisë femërore, ia zvogëlon në të njëjtën kohë shkathtësinë.
Poetët e lashtë i kanë bërë Atlantën dhe Camillën3 gra të shpejta në vrap: trillim i kulluar! Shpejtësia e gruas është diçka e pamundur: përpjesëtueshmërisht, ajo mban më shumë peshë se burri. Rilexoni, tek Emili4, përshkrimin e garës mes Emilit dhe Sofies; do të shihni sa figurë të keqe bën gruaja kur konkurron me burrin për çmimin e garës. Rilexoni, në poemën e Kuintos prej Smirne5, dyluftimin mes Akilit dhe Pentesileas, mbretëreshës së Amazonave dhe do të shihni se çfarë ndryshimi i madh ekziston, edhe nga pikëpamja e epikës së mrekullueshme, mes një heroi dhe një heroine. Nëse Kamila, Atalanta, Diana vetë, e kishin këmbën e lehtë, siç pohojnë poetët, kjo vjen ngaqë nuk ishin gra të lehta; qendra e tyre e gravitetit duhet të gjendej - si tek burri - në kraharor; pra, kishin këmbë të dobëta, ije të zgavruara dhe s’kishin gjoks.
A doni shembuj të tjerë? N'Amerikë, gratë nuk angazhohen në punët e fushave dhe, sipas relacioneve të të gjithë udhëtarëve, janë të bukura dhe të preme mirë. Në Fransh Konte, në Borgonjë, ku fshataret punojnë si kafshë barre, qysh në moshën tridhjetë vjeç janë të shëmtuara, teksa burrat, që prapë marrin përsipër punët më të rënda, në moshën pesëdhjetë vjeçare janë ende të pashëm. Mbi gjithë këtë, konsultoni fiziologët, dhe do t’i gjeni dakord me piktorët dhe me skulptorët.
E keni parë ndonjëherë duke parakaluar ndonjë regjiment, përgjatë një parade, me në ballë një shportare* n'uniformë? Asgjë s’është më e bukur, në përgjithësi, se një trupë burrash të rreshtuar në rend beteje; por ka diçka që stonon: shportarja. Kjo grua në pantallona, që marshon me hapin e trupës dhe që tërheq menjëherë shikimin tuaj, sepse është grua dhe sepse ka veshur uniformë, në fund të fundit është pa hir. Gruaja, që vrapon keq, po aq keq dhe ecën. Ajo çka i vjen mirë përshtat është vallëzimi, valsi, ku udhëhiqet nga balerini, ose edhe hapi i ngadaltë dhe përgjumës i procesionit. Ja, këto janë fakte, besoj, të cilat mbase mund t’i shumëfishoja dhe t’i varioja në pafundësi. I kam shpikur unë, vallë, apo juve u duket se janë pa kuptim? Tekefundit, edhe pse ju vjen ndot ta pranoni, ju nuk e mohoni dot, në mënyrë pozitive, ëpránësinë e forcës fizike të gjinisë mashkull: e kaloni në heshtje, sikur të mos ekzistonte fare. Forca, mendoni ju, çfarë provon?...
Çfarë provon zonjat e mia? Se në sajë të përvendosjeve natyrore, ekziston një ndryshesë rrënjësore mes funksioneve dhe destineve, sa sociale aq edhe të jetës familjare, të burrit dhe të gruas: tek njëri, ka më shumë lëvizje, energji, aktivitet; tek tjetra, një shërbim më i ëmbël, një jetë më sedentare, tek e cila çdo tërheqje e personit shpaloset më mirë dhe prodhon tërë efektin e saj. Opinioni i sojit njerëzor është përshtat këtij ligji të natyrës: epiteti i viragos, me të cilin përvijohen krijesat e dysta, me forma virile dhe temperament ushtarak, në përgjithësi nuk interpretohet në kuptim pozitiv.
Cilësimet e kurvicës dhe t'emancipuarës, në sajë të po asaj analogjie të fizikut dhe moralit, janë edhe më të këqija. Dhe gratë në masë i bashkohen këtij gjykimi, përpos një grupi të vogël, nga i cili Enfantin-i nuk ka gjetur ende një kampion të paraqitshëm. Nga origjina e botës dhe pa dalë nga rendi fizik, natyra dhe ndërgjegjja universale e kanë dënuar Kishën tuaj, duke ju damkosur me poshtërsi. Ky është një fakt, apo jo?

Aftësitë intelektuale. Kam deklaruar se, nëse burri paskej forcë më të madhe nervore dhe muskulore se gruaja, falë unitetit të qenies, solidaritetit dhe harmonisë s'aftësive, duhet të kishte edhe një fuqi më të madhe intelektuale. Por, për të njëjtën arsye ishte e nevojshme të shtohej - dhe unë e kam shtuar - se inteligjenca femërore duhej dalluar, si trupi, për disa cilësi të veçanta, që janë përmbushje dhe kundërpeshë e atyre të burrit. Ku ka gjë më logjike se kjo, dhe njëkohësisht më të drejtë; ku ka gjë më pak kërcënuese për të drejtën e grave, sesa ky induksion nga fizikja tek intelektualja, që megjithatë duhej mbështetur me fakte.
Fakte, ju kam cituar nga të gjitha llojet; por meqë keni preferuar të mos shihni gjë tjetër përpos sarkazmave t'adresuara kundër jush, i keni deklaruar të pambërritura në destinacion. Megjithatë, zonjat e mia, është e nevojshme që të nisemi nga një pranim, nëse duam që të na dëgjojë publiku i lexuesve. Për çfarë bëhet fjalë, për ju a për gjininë tuaj? Me sa duket, për gjininë tuaj, n'emër të së cilës protestoni dhe e quani si të tiranizuar, të degraduar nga gjinia ime. Ta lëmë atëherë veçmas atë çka mund të rezultojë fort e papëlqyeshme për ju në këtë hetim: ose do të shpëtoheni së bashku me të gjitha gratë, dhe kjo domethënë se do të mohoni maksimat tuaja, ose do të qortoheni vetëm ju. Jini të qeta, nuk do të ketë konfuzion, as padrejtësi.
Fakte! Ju kam cituar në një turr gjashtëdhjetëmijë brevetat* e shpikjeve dhe perfeksionimeve të marra nga burrat, në Francë, nga 1791, kundër një gjysmë duzine brevetash të marra nga gratë për modën!
Fakte! Do t’ju citoj edhe Biographie universelle: numëroni sa subjekte të dy gjinive janë shquar në filozofi, në drejtësi, në shkencë, në poezi, n'art, me një fjalë, në të gjitha veprat e shpirtit: sa për rezultatin, ua lë juve në dorë. Pas fakteve bruto, a doni dëshmi, që prapë janë fakte? Ju kam cituar të urtët e Antikitetit dhe të kohërave moderne, poetët, teologët, koncilet, sigurisht duke mos marrë në konsideratë termat fyes me të cilët, tepër shpesh, është prononcuar arsyeja mashkullore ndaj femrës.
Gjithçka që është thënë e shkruar në lidhje me këtë gjë reduktohet te këto fjalë të Lamentais6: «Nuk kam takuar kurrë një grua që të ishte e zonja për të ndjekur një arsyetim gjatë një gjysmë çereku ore. Gratë zotërojnë cilësi që neve na mungojnë, cilësi të një tërheqje të veçantë, të pathënë; por, sa i takon arsyes, logjikës, aftësisë për të lidhur idetë, parimet dhe pasojat, dhe për të perceptuar raportet, gruaja, edhe ajo me më shumë dhanti, rrallë e mbërrin lartësinë e një burri me aftësi mediokre. Edukimi mund të ketë sigurisht një peshë në gjithë këtë, por në themel të diferencës qëndron diversiteti i dy natyrave». Dhe e përmbyll: «Femra është një flutur e lehtë, e hirshme, brilante, që disa kërmillesha filozofe janë përpjekur ta deklasifikojnë në vemje».
Doni rrëfime, që janë gjithsesi fakte? Ju citova fjalët e Sandit, e D. Stern, e Necker de Saussure, e Guizot7, fjalët më të famshme t'epokës sonë, më të favorshmet ndaj teorisë së barazisë. Të gjitha, me një thumb me pak a me shumë majë, por shumë pa vend, flasin si Hegeli dhe Lamennais. Është e gjithë gjinia që rrëfehet me gojën e përfaqësueseve të saj më domethënëse dhe në të njëjtën kohë më të devotshme dhe e njeh dobësinë e vet. Cili fakt rezulton më shpartallues se ky?
Doni përvoja? Përvoja, në filozofi, nuk është tjetër përpos arti i kapjes së natyrës n'akt. I kam krahasuar veprat letrare të femrave me ato të burrave dhe kushdo që ka përvojë në procedurat e artit oratorik dhe të mënyrës me të cilën sot ndërtohet pjesa me e madhe e librave apo romaneve, mund të përsërisë, deri sa të ngihet, të njëjtin krahasim. A nuk rezulton vallë prej kësaj, që veprat e shkrimtareve kanë shumë më tepër aftësi shprehëse dhe gjallëri se aftësitë e mendimit? A nuk është vallë e vërtetë se i kemi gjetur të gjitha pak a shumë të prekura nga një lloj nimfomanie intelektuale që, përmes një rrebeshi fjalësh, i bën të vringëllojnë formula virile, madje i degdis pa pushim te një ide fikse, dashuria, ose ajo që ju e quajtët emancipimi juaj?
A doni tani të shtyheni përtej fakteve dhe t’u ikni shkaqeve? Drejtohuni frenologjisë*. Ajo ju thotë se truri i gruas është ndryshe prej atij të burrit. Njëmend seksionet cerebrale që i korrespondojnë për aq sa është arritur të përvendoset mbi bazën e mijëra vëzhgimeve, aftësive kryesore të mendjes, shkakësisë, krahasimit, përgjithësimit, idealizimit, perfeksionimit ose progresit, sikundër nga ana tjetër instinktet polemike dhe luftarake, të komandimit, të ngulmimit dhe të personalitetit, zhvillohen në masë më të madhe te burri dhe më të vogël te gruaja.
Anasjelltas, a thua se nuk është e kënaqur me këtë epránësi të fuqisë që i akordohet burrit dhe duke dashur të parandalojë çdo kryengritje nga ana e seksit të dobët, natyra i ka dhënë këtij të fundit, në masë mbizotëruese, venerimin, nënshtrimin, fiksimin, kujdesin, nevojën për pajtim dhe lazdrim, të gjitha aftësi që janë treguese të besimit të mangët që i ka gruaja te mjetet e saj, madje përfund njëfarë shpirti intuitiv dhe hyjnizues që te gruaja zëvendëson arsyetimin dhe bindjen. Dhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme për paqen shtëpiake, për rendin social dhe për fatin final të llojit njerëzor, masa totale e trurit është më e vogël te gruaja në përpjesëtimin mesatar prej 3 libra dhe 4 oncë kundrejt 3 libra dhe 8 oncë.
Tani, siç pohon Broussais8, qoftë edhe sikur pjesa tjetër të ishte njësoj, ka më shumë fuqi aty ku ekziston një sasi më e madhe; dhe vërejtja që mund të bëhet kundër frenologjisë duke u nisur nga truri i elefantit ose nga ai i balenës nuk qëndron, sepse truri i kafshëve nuk është i organizuar si ai i njeriut, nuk i përgjigjet të njëjtave nevoja, me aftësi kaq të shumta në numër, nuk qëndron pra, sepse mes kafshëve dhe njeriut të gjitha gjërat nuk janë të barabarta dhe homologe. Ju i mohoni mbase, pa asnjë dallim, të gjithë pohimet e frenologjisë?
Këto fakte, përveç atij të kategorisë së pestë, që i referohet krahasimit të veprave letrare, jam i kufizuar për ti treguar në bllok, sepse nuk e quaj veten të detyruar të referoj në mënyra të ndryshme të vërteta tashmë të domenit publik. Kjo ju shërben si pretekst për të mëtuar se nuk kisha cituar asnjë fakt. Kështu arsyeton femra kur e mbisundon pasioni, femra e privuar nga çdo besim sikundër nga çdo mirëbesim. Ajo nuk sheh, as nuk kupton; njësoj me Shilën e famshme9 të mitologjisë, ajo leh. Shkatërrojeni pra statistikën e tregut; shkatërroni jetëshkrimin universal; shkatërroni dëshminë e teologëve, të filozofëve, poetëve, moralistëve; duhet të shkatërroni konfesionet e drejtuesve tuaj; shkatërrojeni atë kritikë letrare që ju vendos në vendin tuaj; shkatërrojeni frenologjinë dhe, kur ta keni shkatërruar të gjithë këtë, do të mund të mëtoni se unë nuk parashtroj fakte.
Për sa më përket mua, duke e përndjekur në mënyrë të paepur këtë kalbësirë sensimoniane, nuk kisha asnjë qëllim për të ribërë satirën e Bualo-së mbi gratë10, kam nxjerrë konkluzionin, mbi bazën e këtyre fakteve (siç kisha bërë përpara në lidhje me pabarazinë e forcave), që fuqia intelektuale e burrit duhet të kishte si korresponduese te gruaja një cilësi të një lloji tjetër, cilësi aplikimi, thjeshtësimi, vulgarizimi, cilësi që për pasojë duhet t’i jepte shpirtit femëror, në pëlqyeshmëri, atë që burri ka në thellësi. Kam diskutuar për ushqimin shpirtëror sikundër për atë fizik. Por nuk mjafton që një tru ta prodhojë, është e nevojshme që një tru ta përgatisë.
Kemi një shembull të bukur te Mary Somerville, që, me lutje të lordit Brougham, përktheu në 1831-shin për Shoqërinë e përhapjes së dijes Mekanikën qiellore të Laplasit, «algjebra në gjuhë të përbashkët»; për këtë përkthim John Herschel flet si për një vepër të bërë për brezat që do vijnë11. Sigurisht, mistress Somerville mund të kalonte, në llojin e vet, për një dukuri; por kjo gjë nuk e pengoi të ishte amvisa më e mirë në botë. Përkthente nga Laplasi «algjebrën gjuhë vulgare» në çastet e lira, sikundër një tjetër do të kishte qëndisur; ndjente nga ana tjetër se, po të kishin qenë pak burra të aftë për një detyrë të tillë, asnjë grua, në të sajën, nuk do të kishte mundur ta zëvendësonte Laplasin apo Njutonin.
Nuk është pak që kam ditur të fitoj, thoshte Napoleoni; por pika themelore është të dish ta përdorësh mirë fitoren. E pra, është femra që e gëzon fitoren e burrit dhe nxjerr përfitim nga arritjet e tyre. Atij i takon puna e prodhimit ekonomik dhe filozofik; asaj arti i kënaqjes me ’të. Vetëm se, ai nuk do të dinte ta përdorte: ajo çka ai fiton me forcë, pa femrën, shkon dëm. E ku qenka më pak i denjë njëri prej këtyre atributeve nga tjetri?
Le ta ushtrojë burri, deri sa të ketë dëshirë, trupin e tij dhe mendjen, le të grumbullojë zbulim mbi zbulim, krijim mbi krijim, kryevepër mbi kryevepër: cilido qoftë zhvillimi i tyre, nuk do të arrijë kurrë ta ndryshojë natyrën e vet, as ta kamuflojë karakterin e tij. Forca do të ngelet atributi i tij kryesor; ai nuk do të bëhet kurrë një fytyrëz e hirshme sa i takon trupit, as një silf* sa i takon inteligjencës. Do të bëhet aq më pak sa më shumë të jetë munduar me trupin dhe me mendjen e tij.
Në të njëjtën mënyrë, gruaja le ta mprehë intelektin e saj, sa t’ia ketë qejfi, për të kuptuar idetë e burrit, le t'i shumëfishojë me 'të njohuritë e veta, le të depërtojë ndonjëherë deri në fund të spekulimeve të burrit: nuk do të bëhet kurrë mendimtar i lirë (e përdor këtu termin në kuptimin mirëfilli viril dhe filozofik të tij); ajo nuk do të bëjë tjetër përpos se do të rritet në hiret e saj, gjithë më shumë sa më tepër të ketë mësuar. Natyra, siç thashë, e ka prangosur, në vetë zhvillimin e saj, me bukurinë: është destini, është si me thënë kondita e saj.
Çdo devijim i qenies gjeneron sëmundje ose deformim. Homoseksuali i ri që merr pamje me hire femërore, është i neveritshëm si zezaku fytyrë-gorillë; femra që mban baseta dhe mustakë është mbase edhe më e turpshme. Për këtë arsye intelektualja e vetëshpallur që dogmatizon, që përdhos, që shkarrashkruan, që përsërit me çdo qëllim, siç bëni ju, madame Jenny H., «mëtoj, pohoj, mësoj, ekspozoj, pranoj, mohoj, kam shkruar, deklaroj», femra që ngjesh një mjekër filozofike, që e përkthen metafizikën në një gjuhë të pakuptueshme dhe ka mendjemadhësinë të kundërshtojë teori që nuk i kupton, madje që prapë i kopjon, sikundër bëni ju, madame J.L., kjo femër rrëzohet nga cilësitë e saj dhe bëhet e shëmtuar. Ekziston në fakt një shëmti në shpirt, njëqind herë më e shëmtuar se ajo e trupit: është ajo që Molièri ka përshfaqur, mes duartrokitjeve të tërë shekujve, në komedinë e pavdekshme: Shkolla e grave12. Shkoni rilexojeni, zonja të dashura: ajo që do t’ia ketë kuptuar më shumë filozofinë asaj, do të mund të krenohet se ka hedhur hapin më të madh në udhën e urtësisë.

Aftësi morale. I kam trajtuar aftësitë morale saktësisht siç i kisha trajtuar ato intelektuale: nëse te njeriu ekziston një forcë më e madhe temperamenti dhe inteligjence, falë unitetit kushtetues të qenies, ligjeve të harmonisë dhe përpjesëtisë, duhet të jetë edhe një forcë më e madhe vetëdijeje. Për të njëjtën arsye, duhet të verifikohet edhe këtu ajo dukuri që kemi vëzhguar sakaq për dy herë: nëse lejohet, në rendin moral, si në atë fizik dhe intelektual, femra duhet të dallohet nga burri për diçka të veçantë, diçka që rivendos mes asaj dhe atij ekuilibrin e dinjitetit. Në këtë mënyrë burri, pasi ka shërbyer si nismues i gruas, për të drejtën sikundër për idenë, merr prej saj një ndikim që ia dyfishon zellin për të vërtetën dhe drejtësinë. Të gjitha këto gjëra unë i kam pohuar: ju i keni lexuar; asnjë bilanc nuk u hartua ndonjëherë me kujdes më skrupuloz. Për çfarë më qortoni, pra? Kam përvendosur si s’do të kisha mundur të bëja më mirë të vërtetën e këtij pohimi: nëse burri - shprehje e fuqisë -, i rri gruas si 27-a 8-s, gruaja, shprehje e ideales, i rri burrit si 27-a 8-s. Ju që pohoni, propozoni, mësoni kaq shumë gjëra zonja të dashura, a e pranoni apo e mohoni barazvlerën e gjinive? Në fakt sa më shumë që t’ju lexojmë, aq më pak merret vesh se çfarë doni?
Është apo jo e vërtetë se këtu, si tjetërkund, çështja është me marrë vesh nëse bukuria duket diçka e kotë dhe kimerike, aparencë e kulluar, apo gjë pozitive, që ka një rol të vetin, një ndikim shumë të madh dhe një vlerë të paçmuar? Dhe meqenëse ju nuk i besoni asaj që unë do e quaj ekzistenca e bukurisë, duke mëtuar me këtë, pa dyshim për arsye të mira, një doktrinë të kundërt me atë të filozofëve, poetëve, teologëve më të mëdhenj; meqë, në çështje ideali, ju jeni ateiste të vërteta, i thoni vetes se gruaja për të balancuar të shoqin ka vetëm bukurinë e vet, bukurinë e trupit të saj, të shpirtit të saj, atëherë për të paska mbaruar gjithçka.
«Gruaja është një skllave që duhet vetëm të bindet»13.
Kështu paskeni vendosur që të mohoni (por kjo a mund të quhet vallë me mohue?) të gjitha faktet fiziologjike, psikologjike, ekonomike dhe sociale, që ju kisha paraqitur në mbështetje të teorisë sime të martesës, pikërisht si ato gra që, duke mos e duruar lojën, kur vënë re se kanë humbur, vendosin të trukojnë letrat.
Çdo virtyt është një rrezatim i drejtësisë. Drejtësia e ka pikënisjen e vet në ndjenjën e dinjitetit, që sigurisht është gjith’ e më i fortë, sa më shumë që subjekti ndihet epran për inteligjencë, talent dhe forcë. Luani është më krenari dhe më i guximshmi mes kafshëve, ngase është më i forti dhe ngase zotëron në nivelin më të lartë vetëdijen e forcës së vet. Le t’ia aplikojmë njerëzimit këtë parim që është i përbashkët me të gjithë qeniet e gjalla dhe që përbën saora një fakt të parë.
Te burri, personaliteti është më energjik: ka më shumë krenari, më shumë sqimë, më shumë pavarësi; pika e nderit është më e ndjeshme; ambicia, shpirti i dominimit, instinkti i komandimit janë më të fortë; është një nga qortimet që na bëni. Femra, përkundrazi, është më e ndrojtur dhe, fakt akoma më i dukshëm, kjo ndrojtje nuk është se nuk i shkon; ajo nuk turpërohet fare: është në natyrën e saj, kur duket e përshpirtshme dhe e ndrojtur. Ajo ka, si me thanë, dhantinë e lotëve, që e bën mallëngjyese si sorkadhen, por që nuk do ta gjeni te luani dhe te demi dhe rrallë te burri. Është më e butë, më e gatshme për t’u bindur dhe për t’u dorëzuar; e valëvit shumë më pak autoritetin, e kënaqur se mbretëron, si një zanë, me rezervimin e figurës së saj dhe virtytin e shkopit të saj magjik. Këtë fakt nuk mund ta mohoni më shumë se tjetrin, meqë sidomos për shkak të këtij fakti indinjoheni kundër femrave, motrave tuaja, dhe i trajtoni si budallaçka dhe frikacake.
Është energjia morale e burrit që ka futur zakonin e duelit, i panjohur për gjininë tjetër: çfarë mund t’i themi këtij fakti tjetër?
Mbi bazën e këtij parimi, është organizuar lufta mes kombeve dhe konsiderohet një nga format e drejtësisë14: formë e tmerrshme që, sipas bindjes sime dhe shpresës sime, duhet të dalë pak e nga pak nga përdorimi, por që është gjithsesi thelbësore për mëvendimin e njerëzimit dhe për shpërfaqjen e së drejtës. Por këto janë gjëra që shkojnë përtej natyrës suaj prej femre ndaj nuk mund t’i kuptoni.
Ju mëtoni për gruan, sikundër për burrin, funksionet e gjykatëses. Mësoni pra, një herë e mirë, se çdo magjistraturë është një shpërbërje e autoritetit ushtarak, ashtu sikundër çdo urdhër është një deduksion i së drejtës së forcës. Mëtoni pra edhe për të rejat, si për të rinjtë, privilegjin e shërbimit të detyruar ushtarak. Por ju nuk jeni as në gjendje të bëni rojë!
Gjithsesi, pikërisht ngaqë gruaja zotëron më pak energji morale se burri, ajo prun te drejtësia e tij një moderim të domosdoshëm, pa të cilin gjendja jonë juridike nuk do të dallohej në asgjë nga gjendja e luftës; ky moderim qëndron në idetë e përdëllimit, tolerancës, faljes, hirit, pajtimit dhe mëshirës, që kudo bashkohen me këtë ide drejtësie. Burri priret edhe më shumë të arrijë me mbizotnue e drejta e kulluar, rigoroze, e pashtershme; femra priret të mbretërojë me mëshirë dhe me dashuri. I tillë është mendimi i krishtërimit, te Kushtetuta e të cilit femrat kanë një pjesë kaq të madhe. Është ndikimi femëror që e shtyn burrin që të heqë dorë me dashje nga një pjesë e së drejtës së vet dhe me qenë i lumtur për këtë sakrificë, çka ia vë vulën bujarisë të tij, më shumë nga sa do të ishte për një rivendikim të plotë dhe tërësor. Këtë faktin e fundit ju nuk e mohoni, meqenëse jeni të parat që i volisni këto thesare dashurie, zemërgjerësie, mëshire dhe hiri me të cilat Zoti e ka mbushur zemrën e grave. Vetëm se, nuk vini re që këto cilësi morale të seksit tuaj, të cilat ia ngrenë në kulm përsosjen, janë dëshmia e saktë, për nga pikëvështrimi i drejtësisë së kulluar, i inferioritetit të saj.
Përkundër opinionit të mbjellë nga kalorësit e dashurisë së lirë, kam guxuar të them se, edhe për atë çka lidhet me erzin, femra kishte marrë nga burri nismimin e saj. Mbi këtë gjë, bëhet nami mes feministeve a thua se u ndjeka ndopak për erzin. Ideja, megjithatë, ishte shumë e thjeshtë dhe nuk kishte asgjë paradoksale.
Qenia inteligjente dhe e lirë ndjen ndot kundrejt gjithçkaje që i kujton kafshërinë dhe e degradon në nivelin e brutëve. Për këtë arsye, meqenëse vetëdija e saj zgjohet, burri e mbulon lakuriqësinë e vet, pjek ushqimet, shmang, vetëm ose në shoqëri, gjithçka që i duket e pandershme. Në këtë pikë, Pentateukosi15 sjell më shumë se një normë të një thjeshtësie primitive, që do të ishte mirë t’ua kujtonim disa kombeve civile. Sa më shumë që përparon shoqëria në drejtësi, aq më shumë shquhet në artin e të ngrënit, aq më shumë individët bëhen të rezervuar në gjuhë e në gjeste. Gjithçka që i referohet dashurisë hyn te kjo kategori.
Natyrisht, individi aq më mirë do të bëjë dallimin mes gjërave të ndershme dhe të turpshme dhe aq më i ndjeshëm do të jetë për pasojë ndaj trashësisë së tjetrit, ndaj asaj që e quan mungesë respekti kundrejt vetes, sa më e fortë që do të jetë tek ai ndjenja e nderimit. Faktet këtu përputhen me induksionet e teorisë.
Në tërë këtë mes, femra është në marrëveshje të plotë me natyrën e saj dhe me destinin e saj, madje ajo që kam thënë për ’të nuk e turpëron aspak. Ajo është e gjitha bukuri dhe dashuri: pra, si mund të mos ketë inisjativë në çështjet dashurore? E njëjta ndjenjë që e bën të kalisë drejtësinë e rreptë të burrit, të zbukurojë strehën e tij, t’i bëjë poetike konceptimet e tij, e mëson edhe ta habisë nga mendimet e tij, nga sipërmarrjet e tij, nga luftërat e tij, për t’ju kushtuar bashkë me ’të veprave të tjera. Është e domosdoshme që të jetë kështu për rendin e shoqërisë dhe lumturinë e të dyve. Ndjenjë e lumtur, nëse idhujtaria e dashurisë nuk i bën të harrojnë për sa i detyrohen dinjitetit social, mu sikurse dinjitetit të tyre vetjak.
Por, edhe në lidhje me këtë, vini re ndryshimin mes dy gjinive: nëse burri, më shumë se gruaja, ka nsimën e erzit, ky nuk duket i bërë për ’të; ruajtja e këtij thesari do t’i takojë shoqes së tij. Tek burri erzi është zhdukur brenda fitores, tek gruaja rritet pas mposhtjes. Shenjtëria e vatrës shtëpiake do të jetë vepër e gruas; nga kjo shenjtëri e familjes do të dalë virtyti republikan. Ja përse, pranë popujve antikë, nëna ishte më e nderuar se virgjëresha, madje dukej edhe më e bukur: Gratia super gratiam, mulier sancta et pudorata*, thotë Bibla. Krishtërimi e ka përmbysur këtë rend: ai e deklaron jo të dëlirë femrën e martuar; i fal vëmendje vetëm vashës: pikërisht kjo është një përmbysje e natyrës, një atentat ndaj nderit të familjes dhe ndaj vetë dinjitetit të burrit.
Përse duhet të jem unë, zonja të dashura, që t’ua shpjegoj këto gjëra? Ja: është për faktin se pacipësia e dijenisë së pretenduar vërshon në mungesën e erzit nga ana e gruas. Ju gërthisni sepse, pa ju përmendur, meqë nuk ju njihja, i kam taksuar si të padëlira femrat e lira, kauzën e të cilave ju e mbështesni e vërtetoni, përmes të gjitha fjalëve tuaja, ngaqë edhe në qoftë se falë forcës së natyrës, jeni akoma të afta për t’u skuqur, e keni humbur ndijën e duhur të erzit. A nuk thoni vallë se shkelja e kurorës dhe prostitucioni, nuk janë aq faj për gruan sikurse për burrin, ndërkohë që po të gëzojë një tolerancë kaq të madhe mëkati i njërit, ai i tjetrës nuk duhet të duket si më i shfajsueshëm? Ky mosbarazim, që opinioni i të gjithë popujve e ka përcaktuar mes mospërmbajtjes së burrit dhe pacipësisë së gruas, a nuk është vallë një nga akuzat kryesore që e vini të rëndojë mbi tiraninë e burrit bashkëshort? Të marra, tri herë të marra, nëse nuk e kuptoni që duke rivendikuar një imunitet të tillë për gruan, i ngrini një piedestal... në baltë. Kujt shpresoni se do t’i pëlqeni, kur do të keni fituar për gjininë tuaj këso të drejtash: burrave apo majmunëve?
Po e sintetizoj tërë analizën në dy fjalë: burri është thelbësisht një fuqi veprimi; gruaja, një fuqi tërheqjeje. Nga diversiteti i natyrave të tyre rrjedh diversiteti i cilësive të tyre, i funksioneve të tyre, i ekzistencave të tyre. Si përshtaten këto cilësi, këto funksione, këto ekzistenca, njëra me tjetrën, për të formuar një çift? Me fjalë të tjera, cili është qëllimi dhe cili është ligji i martesës? Është pikërisht ajo çfarë duhet të shqyrtojmë tani.












































Kapitulli i Tretë

RAPORTI I DY GJINIVE.
LINDJA E VETËDIJES.
THEMELI I RENDIT POLITIK.

Deri më sot, më duket se femra nuk ka qenë tepër e shfavorizuar nga shorti. Sikur engjëjt në parajsë, që teologët e ditur pretendojnë se janë pa seks, të merrnin nga i Amshueshmi urdhrin për të zbritur në tokë dhe për të veshur këtu mishin tonë, por me aftësinë për të zgjedhur gjininë tonë a tuajën, a nuk mendoni, zonja të dashura, se këto shpirtra qiellorë do të zgjidhnin të lindnin femra më shumë sesa meshkuj?
Po a shqetësohesh për shortin e një krijese detyra e së cilës qëndron që të tregohet e bukur në gjithçka, e hirshme, e ëmbël, modeste, diskrete, e dashur, joshëse, e devotshme, e aftë nëse është nevoja për një sforcim heroik dhe e detyruar, për të mbijetuar, të bashkohet me një qenie më të fortë se ajo dhe që, për pasojë, nuk shkëlqen saktësisht për të njëjtat cilësi. Në fakt, nuk ke ç’të thuash, bashkimi është i detyruar.
Nga pikëpamja e inteligjencës dhe e vetëdijes, sikundër nga ajo e trupit, burri dhe gruaja formojnë një tërësi të plotë, një qenie në dy persona, një organizëm të mirëfilltë. Ky çift, që Platoni e ka përkufizuar androgjin1, është subjekti i vërtetë njerëzor. Secila nga dy gjysmat që e përbëjnë, e marrë veçmas, duket si një gjymtim. Ju nuk e mohoni, zonja, ju që përdorni këtë fjalëz të hirshme: androgjin, burrë-grua, për ta përmbyllur me atë që quani barazi të gjinive. Vini re sidoqoftë se kjo androgjinia nuk do të ekzistonte, sikur dy personat të ishin të barabartë në gjithçka, sikur secili prej të dyve të mos shquhej për disa cilësi të veçanta, ingranimi i të cilave përbën saktësisht organizmin.
Në këtë ekzistencë më dysh, fuqitë e shpirtit, të vetëdijes dhe të trupit fitojnë, për shkak të vetë ndarjes së tyre, energji më të madhe: ky është një aplikim i parë prej natyrës i parimit të madh të ndarjes së punës. Përvoja vërteton, në fakt, se rezultati më i madh është i këtillë për shkak të lumturisë së të bashkuarve kur veprimi i tyre i përbashkët ndahet në dy dhomëza: njëri material dhe utilitar, tjetri shpirtëror dhe estetik; njëri për jashtë, tjetri për brenda. Nëse prodhimi tërësor pakësohet prej kësaj, konsumi duket i organizuar më mirë; nëse zotësia filozofike është më e ngadaltë, veprimet fitojnë në konkretësi dhe bëhen familjare; nëse përparimi i të drejtës pëson ndonjë vonesë, ajo bëhet më njerëzore në tolerancë dhe mëshirë.
Le të depërtojmë më thellë në këtë sistem që e kam quajtur organ, i krijuar nga vetë natyra e drejtësisë. Cilat do të jenë të drejtat dhe detyrat e ndërsjella të bashkëshortëve?
Në të gjithë raportet me të ngjashmin e vet, burri kërkon shërbimin për shërbimin, produktin për produktin, këshillën për këshillën, të drejtën për të drejtën. Ligji që e qeveris është ligji i tatimit të drejtëpërdrejtë, ligji i tmerrshëm i konkurrencës, i luftës ose, çka mandej është e njëjta gjë, i ekuilibrit të forcave.
Mes burrit dhe gruas, sipas diversitetit të karaktereve të tyre dominuese, gjërat nuk ndodhin më në të njëjtën mënyrë. Pikësëpari, burri nuk mund të kërkojë nga gruaja punë për punë, shërbim për shërbim, produkt për produkt, sepse ajo është më e dobët. Në këto kushte, ajo do të trajtohej fatalisht si inferiore; dhe e dini se çfarë i ndodh, një krijese njerëzore, për inferioritetin e saj të deklaruar me të drejtë apo gabimisht? Çlirimi? Jo, skllavërimi! Shikoni zezakët e kolonive, shikoni kushtet e gruas pranë popujve të egër!
Çfarë mund t’i japë pra gruaja burrit në këmbim të punës së tij, të pasurisë që ai krijon, të të gjitha mrekullive që shpik? Bukurinë e saj, do të thoni ju, tërheqjen e saj, hiret e saj, dashurinë e saj, idealizmin e saj, të gjitha joshjet e trupit të saj, të frymës së saj dhe të shpirtit të saj. Është një diskutim prej mercenari, që beson se mund të bëhet pazar me bukurinë, me dashurinë dhe me idealin si me mishin apo me peshkun.
Enfantin-i, mjeshtri juaj, që ka folur kaq shumë për dashurinë, dishepujt e të cilit pas grushtit të Shtetit2, kanë bërë afera të mrekullueshme, nuk ka ditur kurrë t’i ndajë këto dy elemente: të bukurën dhe të dobishmen. Nuk ju ka thënë se bukuria dhe dobia ishin dy elemente të paepshëm e se nga kjo rrjedh si pasojë që nuk shkëmbehen kurrë, se bukuria nuk mund të shkëmbehet si një vlerë në mall apo monedhë, se femra, përfund, nuk do të mund t’i paguante dhuratat e burrit me asnjë huazim të hireve të saj, për faktin se këto hire nuk janë diçka që numërohen, maten, një produkt i industrisë së cilës mund t’ia llogarisim kostot: ato janë një dhanti e natyrës, jolëndore, që nuk mund të lëshohen dhe prodhimi i të cilave nuk ka kushtuar asgjë.
Unë ua kam thënë dhe askush nuk e kishte ngritur ndonjëherë gjininë tuaj kaq lart. Tërë veprat e burrit janë të shpërblyeshme, edhe ato të magjistratit të vendosur për të zbatuar të drejtën; të gjitha pasuritë e dorovitura nga natyra mund të shkëmbehen; të mirat që gruaja i premton burrit dhe për të cilat është depozitare, janë të vetmet që s’kanë çmim.
A është vallë e mundur të paguhet lëmosha, mëshira, falja, zemërgjerësia? Me i pague don me thanë me i asgjësue; ministri që bën pazar me koncesione të Shtetit është një ryshfetçi; gjykatësi që pezullon, për pare, sanksionin e ligjit, është një i mbiligjshëm. Vallë a mund të shitet erzi? Erzi që shitet, ju e dini si quhet: është prostitucion.
Njësoj edhe bukuria, termi i cili përmbledh të gjitha prerogativat e gruas, nuk shitet as nuk ulet: është jashtë çdo tregtie. Prandaj mes burrit dhe gruas që martohen, nuk ekziston, siç po thoni dhe siç e imagjinoni ju, ortakëri të mirash dhe fitimesh, sikundër mes dyqanxhinjve a pronarëve: ekziston në të kundërt dhuratë e dyanshme dhe falas, përkushtim absolut. Kontrata e martesës ka, pra, një natyrë krejt tjetër nga kontrata e shitjes, e shkëmbimit dhe e qirasë: është e kundërta.
Burri, shprehje e forcës, është i tërhequr nga bukuria, dëshiron të bëhet padron i saj, dëshiron të bashkohet me ’të në një lidhje të pazgjidhshme. Si do t’ia arrijë? Çfarë çmimi do të japë? Asnjë. Asgjë nga ajo çka burri zotëron, nga ajo çka mund të krijojë apo të blejë, s’mund ta paguajë bukurinë. Vetë përkëdheljet dashurore a nuk janë një çmim i denjë: dashnorët që e marrin shoqi-shoqen vetëm për epsh, janë egoistë, bashkimi i tyre nuk është një martesë; vetëdija universale e ka quajtur kurvërim, fëlligështi, libertinazh. Burri i denjë, zemra e të cilit aspiron për zotërimin e bukurisë, e kupton menjëherë një gjë: se mund ta fitojë vetëm me anë të përkushtimit. Ai zotëron forcën, por vendoset në vend të gruas, ia shenjtëron asaj detyrat dhe bëhet shërbëtor i saj. Duke e ditur se ajo është e dobët, e dehur nga dashuria, ai bëhet i respektueshëm, shmang çdo fjalë, çdo mendim epshi. Pasurinë dhe ambicien e tij, do ta çojjë deri në sakrifikim, për t’i pëlqyer asaj; vetëm vetëdijen e tij nuk do ta sakrifikojë kurrë, sepse kjo është forca e tij dhe se në bashkimin e forcës dhe të bukurisë qëndron martesa. Përkushtim absolut, përkushtim me një vetëdijeje të fortë dhe të papërlyeme: ja, në të vërtetë, ajo çka dhëndri i mundëson nuses së tij, e vetmja gjë që mund t’i japë dhe ajo nga ana e saj, domethënë të pranojë.
E njëjta gjë ndodh për gruan. Sa më shumë zotëron si karakter dominues bukurinë, aq më shumë ajo ka prirjen drejt forcës. Këtë forcë, kaq të dëshirueshme, ajo në fillim e ka frikë; çdo qenie e dobët provon njëfarë frike drejt qenies së fortë. Për ta reshtë, për ta zbutur këtë forcë, oferta e bukurisë së saj nuk do të shërbente për asgjë, do të zgjidhej vetëm n'akt prostituimi. Për ta bërë për vete forcën e burrit, bukuria femërore është e pafuqishme, siç është e pafuqishme vetë forca për ta bërë për vete bukurinë. Këtu, sikundër në rastin përpara, ngelet veçse një mjet: përkushtimi.
Përkushtim për përkushtim, ndaj cytjes së tërheqjes që provojnë ndërsjelltas forca dhe bukuria; ky është, tekembramja, pakti bashkëshortor, më sublimi nga të gjithë paktet, që duke e imituar do të bëhen më vonë paktet kalorsiake. A nuk e shihni sesi epshit, dashurisë, i është zëvendësuar një ndjenjë më e lartë, ndjenjë që nuk përjashton dashurinë dhe epshin, por që i komandon ato, i bën dytësore, i fshin dhe, nëse është e nevojshme, i zëvendëson? Ja, moj zonja, kjo është martesa, që më duket se asnjëra prej jush nuk e njeh. Përjashta saj - kini mendjen te këto fjalë që po u them - nuk ka gjë tjetër për gruan pos turpit dhe prostitucionit. Burri dhe gruaja të martuar në këtë mënyrë, e dinë, mund të më besoni, se çfarë është drejtësia: asnjë mashtrim nuk do të hyjë në vetëdijen e tyre të përbashkët. Do të duhej, për këtë gjë, që ata të ribëheshin, me marrëveshje të përbashkët, ajo çka nuk kanë dashur të jenë, ajo që janë betuar se nuk do të jenë kurrë: konkubinë të padëlirë. Martesa e tyre është një kolonë më tepër tek ai tempull i amshueshëm që Krishti donte me themelue në shpirtrat tonë dhe të cilin unë ju akuzoj, ju dhe ndjekësit tuaj, se po e shkatërroni.
A doni tani që të nxjerrim pasojat e kësaj kontrate martesore? Le të fiksojmë prej saj pikësëpari dhe më nga afër fillimin.
Burri dhe gruaja, që dashuria dukej se duhej t’i qeveriste në mënyrë ekskluzive, kanë përfunduar duke u angazhuar sipas një ligji më të lartë, ligjit të përkushtimit. Por përkushtim për çfarë? Në çfarë? Përse? Kjo çështje kërkon të sqarohet sepse, e kemi vënë re sakaq, burri nuk i paguan as në parà, as në xhevahire apo vlera të tjera gëzimet e dashurisë dhe zotërimin e bukurisë; dhe, nga ana tjetër, falë përparimit të qytetërimit, e reja nuk e pret më përkushtimin e të shoqit, për ta mbajtur frymën gjallë, as i riu përkushtimin e një gruaje që ajo të lajë dhe të kujdeset për ndërresat e tij. E çfarë lloji qenka atëherë ky përkushtim dhe mbi çfarë bazohet?



Përcaktimi që i kemi bërë cilësive përkatëse të burrit dhe gruas do të na e japë përgjigjen. Burri paraqet mbizotërimin e forcës fizike, intelektuale dhe morale; gruaja mbizotërimin - në këtë pikëvështrim trefish - e bukurisë. Duke u martuar, pra, nën ligjin e një përkushtimi të ndërsjellë, burri dhe gruaja votojnë për njëri-tjetrin: i pari, për kultin e bukurisë së personit të gruas; e dyta, për respektin e forcës në personin e burrit të vet; të dy, votojnë për zhvillimin e forcës dhe të bukurisë së bijve të tyre.
Në fakt, ai që i përkushtohet një personi ose një vepre, angazhohet ta shërbejë këtë person ose këtë vepër sipas natyrës dhe sipas aftësive të veta: kjo për ‘të nënkupton, për më tepër, detyrimin për ta ruajtur këtë aftësi në gjendjen më të përsosur të mundshme. Tani, kemi thënë se burri dhe gruaja, të krahasuar njëri me tjetrën, mund të përcaktohen, i pari si një natyrë ku dominon forca, e dyta një natyrë ky mbizotëron bukuria. Për pasojë burri dhe gruaja, duke iu përkushtuar njëri tjetrës, angazhohen ndërsjellas njëri për të ndjekur femrën e vet sipas prirjeve që i ka të sajat, bukurinë, butësinë, hirësinë, idealin, dhe pra, për ta bërë veten gjithnjë e më burrë; tjetra për të shërbyer të shoqin sipas temperamentit të tij, që është forca dhe, pra, për ta bërë veten gjithnjë e më grua. Duke i bërë në mënyrë të ndërsjellë të gjitha shërbimet që mbart një përkushtim absolut, sa më shumë që ata do t’i afrohen secili tipit të vet, aq më shumë falë këtij diferencimi në rritje bashkimi i tyre do të bëhet intim dhe aq më pak do të rëndojë përkushtimi i tyre. I këtillë është ligji, në shprehjen e tij më të saktë dhe më të përgjithshme: fusha e tij e veprimit është shumë e madhe.
1) Bashkimi bashkëshortor do të jetë nga të dyja anët monogamik dhe i pazgjidhshëm. Arsyet kuptohen lehtë. Atje ku ndahet, përkushtimi pushon së ekzistuari. Një grua që mbahet e përkushtuar ndaj më shumë se një dashnori, në të vërtetë nuk është e përkushtuar ndaj asnjërit; një burrë që e quan veten të përkushtuar ndaj më shumë se një gruaje, nuk është i përkushtuar ndaj asnjërës. Dhe jo vetëm që nga kjo poligami dedikimi del i shkatërruar, por edhe burri dhe gruaja dalin të pakësuar në dinjitetin e tyre. Burri është egoist, i pashtruar, autoritar, përjashtues; ai e bën gruan të besuarën e tij, rrëfyesen e tij, ruajtësen e fatit të tij dhe të nevojave, po ashtu edhe orakullin e vetëdijes. Me nda dashurinë e gruas së tij do të nënkuptonte për ’të me sakrifikue nderin dhe vetë dashurinë e tij. Nga ana e saj, gruaja vlen veçse për dëlirësinë; lavdia qëndron në besnikërinë e të shoqit: si - duke humbur njërën - do të ekspozohej ndaj rrezikut me humbë dhe tjetrën? Bashkëshortët janë, njëri për tjetrën, përfaqësues të hyjnisë; bashkimi i tyre formon religjionin e tyre: çdo poligami është një politeizëm, një ide kontradiktore, një gjë e pamundur.
2) Në dashuri, ekskluzivizmi sjell me vete ndarjen e familjeve, pa të cilën intimiteti bashkëshortor do të ishte vazhdimisht i dhunuar, i ekspozuar ndaj çnderimit dhe ndaj tradhtisë. Po të pranojmë monogaminë, askush s’do të mundet ta mohojë këtë pasojë: komuniteti i familjes mund të mbahet vetëm mes prindërve dhe bijve, sepse nga bijtë tek prindërit nuk mund të ketë lakmi dashurore, dhe sepse, nga ana tjetër, qëllimi i martesës është të krijohet familja dhe nga prindërit te bijtë familja nuk bën tjetër por vazhdon, është e njëjta.
3) Me të krijuar familjen, burri merr përsipër punën, prodhimin, marrëdhëniet me jashtë; gruaja, administrimin e brendshëm. Kjo ndarje përcaktohet nga cilësitë përkatëse të bashkëshortëve. Më të fortit, veprimi, lufta, lëvizja; asaj që shkëlqen dhe që dashuron, por që duhet të shkëlqejë vetëm për të shoqin, ta dojë atë dhe vetëm atë, përkujdesjet shtëpiake, paqja dhe rezervimi i vatrës. Të dy janë përgjegjës dhe prandaj janë të lirë në funksionet e tyre; megjithatë burri do të ketë të drejtë kontrolli mbi gruan, kurse gruaja duhet vetëm ta ndihmojë, ta këshillojë, ta informojë të shoqin. Motivi i kësaj gjëje është i qartë: mbajtja e familjes varet shumë më tepër nga prodhimi i burrit sesa nga ajo, dhe, meqë burri ngarkohet me punën kryesore, meqë i takon atij epërsia e fuqisë dhe sa më e madhe është përgjegjësia që i bie mbi kokë, ai gjendet i vënë - për vetë të drejtën e fuqisë - kré i komunitetit. Dhe e drejta - sikundër detyra - e gruas është ta përnjohë këtë fuqi, t’i mbrojë aktet e saj, ta shkaktojë, t’i shërbejë, t’i përkushtohet asaj. Eliminojeni këtë fuqi më të madhe të të shoqit, mënjanojeni përkushtimin e bukurisë ndaj forcës, madje do të bini në konkubinat, do ta shkatërroni martesën.
4) Le të shtjellojmë tashti sa ndikon martesa mbi zhvillimin e drejtësisë. Në krye të komunitetit, dhëndri i ri ndjen tek rritet brenda tij personaliteti, ambicia, shpirti i nismës, krenaria e karakterit, pavarësia e shpirtit. Njëherit rritet energjia e tij, ndo për ndihmën që i jep gruaja, ndo për vetë nënrenditjen e kësaj të fundit, ose, nëse preferoni ta quajmë kështu, për diskrecionin me të cilin ajo sillet. Mandej afshi dashuror qetësohet, epshi kalon në plan të dytë kundrejt punës, pranisë së fëmijëve, perspektivave t'ardhshme; mbretërisë efemere të dashurisë ia ka zënë vendin, për pjesën tjetër të jetës, mbretëria më serioze e vetëdijes. Për këtë arsye kam mundur të pohoj, në njëfarë kuptimi, se mes njerëzve të ndershëm nuk flitet për dashuri, madje sa më pak hapësirë që nxë dashuria në ekzistencë, aq më shumë rriten mundësitë për të jetuar të lumtur. Do shohim pas pak efektin e kësaj metamorfoze.
5) Burri, vetëm me përpjekjet e tij, do të mundohej shumë për të plotësuar nevojat vetjake; aq më tepër do të stërmundohej po të kujdesej fill i vetëm për mbajtjen e gruas dhe fëmijëve. Është e nevojshme që ai ta kombinojë veprimtarinë e vet me atë të të ngjashmëve të tij. Që këtej lind shoqëria politike, ku familja është veçse embrioni. Kjo shoqëri zotëron ligjet dhe fatin e saj, që filozofia i njeh akoma shumë pak; por nuk është e mundur me dyshue se ajo nuk ka edhe si qëllim, nga njëra anë, zhvillimin e dinjitetit dhe të lirisë së njeriut, nga ana tjetër, rritjen e pasurisë pra edhe të mirëqenies së të gjithëve. Raporti i familjeve me Shtetin, me një fjalë Republika - ky është, për gjininë mashkullore, problemi për t’u zgjidhur. Femrat ndërhyjnë, vetëm se në mënyrë të tërthortë, me një ndikim të fshehtë dhe të padukshëm.
Si mundet me qenë ndryshe? Organ n'embrion i drejtësisë, bashkëshortët përbëjnë një trup të vetëm, një vullnet, një shpirt, një inteligjencë të vetme; i përkushtohen njëri-tjetrit për jetë dhe për vdekje; si mund të kenë opinione dhe interesa të ndryshme? Nga ana tjetër, çështja politike, që i afron familjet, nuk ka qëllim tjetër përpos atij që të ndërtojë solidaritetin e tyre, dhe t’u sigurojë të gjitha garancitë e lirisë, pronës, punës, tregtisë, sigurisë, arsimimit, informimit, qarkullimit, që gjakojnë - gjëra që janë të gjitha kompetencë ekskluzive e atributeve të burrit. Si munden gratë të konsultohen nominalisht?
Të hamendësosh që gruaja të ketë të drejtën për t’u shprehur n'asamblenë popullore me një votë të kundërt me atë të të shoqit, domethënë t’i hamendësosh se janë në mosmarrëveshje duhet edhe t’ua gatitësh divorcin. Të marrësh me mend se arsyeja kryesore mund ta kundërpeshojë atë të të dytit, do të thotë të shkosh kundër dëshirës së natyrës dhe ta degradosh mashkullësinë. Të pranosh në fund se në ushtrimin e funksioneve publike një person që natyra dhe ligji bashkëshortor e kanë shenjtëruar si me thanë për funksionet thjesht shtëpiake, do të thotë t’i bësh atentat erzit familjar, ta bësh gruan person publik, ta shpallësh me fakte ngatërrimin e gjinive, përbashkësinë e dashurive, zhdukjen e familjes, absolutizmin e Shtetit, shërbëtorësinë dhe feudizimin e pronave.
Ja si përcaktohet nënrenditja e bashkëshortes dhe bashkëshortit në martesë; ajo nuk është as një fiksion ligjor, as një uzurpim i forcës, as një deklarim padenjësie për seksin e dobët, as një përjashtim që i imponohet të drejtës pozitive të gruas nga nevojat e një rendi shtëpiak dhe shoqëror: kjo nënrenditje rrjedh nga fakti, i qartë dhe i pamohueshëm, se detyrat mashkullore rrokin shumicën madhore të punëve, publike sikundër edhe familjare; veç kësaj, kjo nuk përbën për burrin, në dizavantazh të gruas, as prerogativën më të vogël të mirëqenies ose të nderit; përkundrazi, duke i imponuar barrën më të rëndë, ajo e bën atë ministër të besnikërisë femërore, nga e cila vetëm ai duhet të nxjerrë mandej të vetën.
Ndërroni, ndryshoni apo përmbysni me çfarëdo mjeti, këtë raport mes gjinive, dhe do ta keni shkatërruar martesën n'esencën* e saj; prej një shoqërie të themeluar mbi mbizotërimin e drejtësisë, do të keni bërë një shoqëri të mbisunduar nga dashuria; do të keni rënë në konkubinat dhe në shthurje; do të mund të keni ende baballarë dhe nëna, siç keni dashnorë, por nuk do të keni më familje; dhe, pa familje, kushtetimi juaj politik nuk do të jetë më një federim njerëzish, familjesh dhe qytetesh të lira, por do të jetë përkundrazi një komunizëm teokratik ose pornokratik - tirania më e keqe.
Për ta bërë këtë fakt edhe më sheshit, le të hamendësojmë se natyra, që sipas meje, për mënyrën sesi i ka pajisur dy gjinitë, ka formuar martesën, familjen dhe shoqërinë civile sikurse i shohim, ose të paktën siç na vjen e lehtë t’ua përcaktojmë tipat, le të marrim me mend, pra, se vetë kjo natyrë paska dashur ta ndërtojë shoqërinë njerëzore ndryshe. Çfarë duhet të bënte? Plani që ajo ka ndjekur, na tregon atë që ka refuzuar: ose faktin se i ka shpërndarë të gjitha aftësitë mes dy gjinive në masë të barabartë, se u jep të dyve bukuri dhe fuqi të njëjtë; se e bën gruan energjike, prodhimtare, luftarake, filozofe, gjykatëse, sikundër burrin; dhe burrin të hirshëm, të njerëzishëm, delikat, engjëllor, me të gjithë ato që e pasojnë, sikundër gruan; me fjalë të thjeshta, se nuk lë që të ketë mes tyre asnjë diferencë tjetër përpos asaj të aparatit gjenital, për të cilën me sa duket nuk ankohet njeri, madje pa të cilën, çfarëdo që të thonë mistikët, nuk mund të konceptohet dashuria.
Në këto kushte, është e qartë se burri dhe gruaja, duke zotëruar sekush atë plotësi atributesh që sot e gjejmë vetëm tek çifti, duke qenë në gjithçka të barabartë njëri me tjetrën dhe të ngjashëm, përpos në atë që s’është nevoja ta përmendim, do të ishin në marrëdhënie shumë të ndryshme nga ato që parashikon aktualisht martesa. Burri nuk do të rezultonte aspak i përkushtuar ndaj bukurisë që do të kishte në zotërim; gruaja nuk do t’i përkushtohej forcës që barabar do t’i takonte në pjesë. Ndikimi që, në gjendjen aktuale të kushtetimit të tyre, ata ushtrojnë njëri mbi tjetrin, nuk do të ishte më i njëjti; nuk do të ekzistonin mes tyre as admirim, as kult dhe asnjë prirje ndaj përkushtimit; nuk do të ekzistonte asnjë nevojë miratimi, konfidence ose inkurajimi, sikundër mbrojtjeje, shërbimi ose mbështetjeje.
Do të përcaktoheshin atëherë, mes burrit dhe gruas, raporte si ato që shohim mes personash të së njëjtës gjini: shërbim për shërbim, produkt për produkt, ide për ide. Pa dyshim do të vazhdonte të kishte dashuri, meqë e ruajmë, me këtë qëllim të shkoqur, dallimin seksual. Por do të ishte e karakterizuar ndryshe: dashuria e tyre nuk do të shkonte përtej eksitimit epshor, as nuk do të kishte diçka të përbashkët me vetëdijen, mbi të cilën madje do të mbizotëronte; duke mos qenë e sublimuar nga përkushtimi më absolut, ajo nuk do të synonte më tek monogamia, tek pandashmëria. Përkundrazi do të mbetej në zonën e lirisë dhe konkubinatit, pa ngjallur kurrfarë xhelozie, duke përjashtuar çdo ide tradhtie, madje duke u ekzaltuar, në të kundërt, në garën e aventurave galante, meqë prirja e përgjithshme do të ishte drejt një komuniteti pak a shumë të shënuar nga dashuriçka, biribija*, bashkëjetues, brenda një familjeje unike, Shtetit.
Ky organizim, përjashta monogamisë dhe familjes, është ëndërruar nga të gjithë ata që - si t'emancipuarat dhe t'emancipuarit tanë modernë - kanë besuar në barazinë e forcës dhe të bukurisë tek të dyja gjinitë; mistikët e kanë vendosur në qiell ku, siç mëtojnë ata, nuk do të ketë më as meshkuj as femra; në ditët tona, ajo u duket një shumësie personash, madje shumë të kulturuar, mjeti i vetëm për të shkatërruar antagonizmin, për të shuar pra krimin dhe mjerimin. Por a mund të qëndrojë një shoqëri e tillë? Unë guxoj të pohoj se ajo do të ishte njëqind herë më e keqe se e jona; më mirë me thanë rrënjësisht e pamundur.
Shoqëria qëndron prej nënrenditjes së të gjitha forcave dhe aftësive njerëzore, individuale dhe kolektive, ndaj drejtësisë. Në sistemin që skicova pak më sipër, individi, duke pasur në vetvete plotësinë e atributeve që natyra, siç e patëm rastin të binim në godi, ia ka falur vetëm çiftit, do të jetë i pahyshëm në personalitetin e tij; elementi idealist do të bëhej mbizotërues në të; vetëdija do të mbetej anësore; drejtësia do të reduktohej në një ide të kulluar; dashuria - sinonim i epshit - kishte për të qenë thjesht një kënaqësi.
Do të shpërthente atëherë, me dhunë të papërmbajtur, kontradikta mes individit dhe shoqërisë: vetë ky subjekt, që na rrente mendja ta lidhnim fort me rendin publik e me përbashkësinë e dashurive, grave, bijve, familjeve, shtëpive, do të ishte gjithaq e më i kundërt për komunizmin social, sa më shumë që ta kemi çliruar. Ka mundësi se nuk do të luftohej më për femrat, meqë, sipas hipotezës dhe në konsideratë të kushtetimit fizik e moral të individit, nuk do të ekzistonte më xhelozia; por kompeticioni do të ishte akoma më i zjarrtë për plaçkën, pasurinë, rehatinë, luksin, të gjitha gjëra, prodhimi i të cilave do të ngelej i nënshtruar ndaj të njëjtave ligje, madje, në një shoqëri në mëshirë të dashurisë dhe të idealit, do të ishte édhe më e pamjaftueshme nga ç’është sot. Vendoseni, me përbashkësinë e dashurive, universalitetin e beqarisë dhe, nuk kam frikë ta pohoj, do të keni një teprí të konsumeve, më pak punë, më pak kursim, pra më shumë mjerim; n'analizë përfundimtare, në vend të një shoqërie civile, do të kini një shoqëri të përkushtuar ndaj cubërisë ose, përndryshe, ndaj shërbyesisë më degraduese. Ky rezultat - për çdo burrë që ka reflektuar mbi raportet e familjes, të martesës, të punës, të prodhimit dhe të grumbullimit të pasurisë, sikundër mbi kushtet e drejtësisë në shoqëri - është i sigurt siç është i sigurt se dy plus dy bëjnë katër.
Kështu konfirmohet, me zhvillimin e idesë së kundërt, teoria e martesës. Shoqëria, ose bashkimi i forcave, bazohet mbi drejtësinë. Drejtësia ka si kusht organik një dualizëm, përjashta të cilit ajo reduktohet shumë shpejt në një nocion të kulluar, joefikas. Ky dualizëm është martesa, e formuar nga bashkimi i dy personave përplotësues njëri me tjetrin: esencë e kësaj është përkushtimi, përgatitja e kësaj është dashuria.
Kështu zgjidhet ajo kontradiktë në dukje që i thotë burrit: ji i bindur, për të mbretëruar më mirë; kontradiktë që e shpreh me shumë energji ingranazhin martesor dhe përmban tërë ligjin e misterin e sakramendit. Bota është plot me kësi kontrastesh; ajo jeton dhe përparon vetëm në këtë mënyrë. Nëse domethënia e maksimës së famshme, mbreti mbretëron dhe nuk qeveris, është e errët vetëm për ata demagogë që aspirojnë pushtetin absolut, aq më tepër këto dy pohime: të komandosh, për të shërbyer më mirë dhe për të qenë i bindur, për të mbretëruar më mirë, duhet të duken të qarta për çdo njeri që ka ndjenjën e detyrës dhe të drejtës së vet, por edhe për çdo grua që ka respekt për të shoqin dhe për dinjitetin e tij. Ekziston vetëm ky ndryshim mes monarkisë kushtetuese dhe martesës, pra që tek e dyta thjesht kemi konstatuar vetë rendin e natyrës; ndërsa tek e para bëhet fjalë - veç në rast informacionesh më të mëdha - thjesht për një krijim të intelektit, për një teori të kulluar, një fiksion.
Deri më tash, zonja të dashura, më duket se vëzhgimet e mia nuk janë të pasakta. Në çdo rast, nuk mund të më akuzoni për anshmëri dhe t'ankoheni për ndonjë të padrejtë që i bëkam gjinisë suaj, meqë gjithmonë, përballë prevalencës mashkullore, konstatoj një preminencë femërore, ndoshta pse në këmbim të përkushtimit që kërkoj nga gruaja, i imponoj burrit detyrimin e një përkushtimi akoma më të madh. Çfarë ju trazon pra ende? Nëse nuk gjakoni asgjë tjetër përpos të drejtës suaj, ja: barazi shansi dhe nderi; zhvillim dhe triumf të cilësive tuaja më të çmuara; një pjesë e drejtë ndikimi; nisjativë më e vogël në sektorët e ekonomisë e të politikës, por edhe përgjegjësi më e vogël; në përfundim mbretërimi, pa mundimet dhe rreziqet e pushtimit. Çfarë ju duhet më shumë? Dhe përse tërë kjo mëri?
Kur kam trajtuar - duke e përmbledhur në dy fjalë teorinë e martesës dhe fatit të gruas - duke u shprehur kundër disa tendencave të epokës sonë, si përfundim kam thënë këtë shprehje energjike: kurtizane ose amvisë - për të cilën në të vërtetë ju duhet të më kishit duartrokitur. E kur në vazhdim, në indinjatën time në rritje, shtova këtë formulë me të sharë: më mirë burgu, sesa ky emancipim i pretenduar i gruas!, sikur të kishit pasur qoftë edhe më të voglin respekt kundrejt gjinisë suaj, do të kishit mundur të më citonit dhe të thoshit, siç do të kishte bërë Lukrecia3: më mirë vdekja! Dhe kur, në fund, i vendosur për t’ia marrë hakun erzit publik nga fyerjet e ndonjë të emancipuare - i kam quajtur këto lloj femrash 'të përlyeme' që mëkati i ka bërë të marra - ju duhej vetëm të heshtnit, pa i dhënë shkas publikut që të mendonte se shprehja ju drejtohej juve.
Në vend të kësaj sjelljeje, e vetmja që i shkon për shtat femrave të ndershme, parapëlqyet, të mbështetura dhe të inkurajuara prej ndonjë letrari të tredhur, të rroknit sfidën; édhe më e çuditshme, jeni ju që qëndroni si të përgojuara: «já ne të dyja, që nuk jemi as 'të përlyeme' as të marra, që pohojmë, rivendikojmë dhe mëtojmë çlirimin e gruas. Sfidojmë këdo që të na përgjigjet».
Oh zonja, larg keqkuptimet, ju lutem. Mos bëni si të fyera më shumë nga sa jeni, as unë më provokues nga ç'jam. Kur kam shkruar atë libër nuk ju njihja, as ju njoh më shumë tani. Parapëlqej të besoj se virtyti i të dyjave nuk e ka kapërcyer atë farë hendeku nga i cili nuk kthehesh mbrapsht; sa u takon juve, zonja J.L., e lë veten në dorë t'atij që prej ligjit të martesës është thirrur të ruajë dhe të përgjigjet për zakonet tuaja: të kish dashtë Zoti që ai ta kishte ruajtur me kujdes penën tuaj!... Dhe sa u takon juve, zonja Jenny d’H., ju besoj në fjalë dhe ju lehtësoj nga prodhimi i arnave tuaja për mbështetje. Më me qejf i besoj humbjes së shpirtit tuaj sesa perversionit të zemrës suaj. Mbase, mes promovueseve të emancipimit femëror, ka të tjera në kushte të njëjta me ju: le ta mbajnë shënim edhe ato këtë deklaratë timen.
Unë gjykoj qëllimet, jo aktet. Me të thënë këtë, më lejoni, zonja, t’ju tërheq vëmendjen te mendimi që i ka dhënë zanafillë kritikës sime dhe që e ka motivuar epitetin 'të përlyeme', absolutisht të përligjur për pjesën më të madhe të femrave të famshme në shekullin tonë, sikundër në të mëparshmin, pasi kundër tij është e kotë që të protestoni. Ky mendim është se çdo grua që po ëndërron emancipimin ka humbur, ipso facto,* shenjtërinë e shpirtit, mprehtësinë e mendjes dhe virgjërinë e zemrës, madje është përudhur drejt mëkatit: nuk po shkoj më tej. Dhe nga çasti që preferoni çiltërsinë - pasi provokimet tuaja më detyrojnë për këtë - do të arrij t’ju them, zonja, se dy botimet tuaja, nëse vërtet janë tuajat, e konfirmojnë rregullin. Është ajo çka do t’ju vërtetoj menjëherë.



































Kapitulli i Katërt

FIZIOLOGJIA E FEMRËS SË EMANCIPUAR

Natyra është fuqi absolute dhe harmoni. Por veprat e saj, siç ka vëzhguar me të drejtë Raffaello1, nuk janë gjithmonë siç i dëshiron ajo: shumë shpesh, shenjohen nga dobësia dhe nga shëmtia. Kjo është një nga arsyet për të cilat natyra e ka krijuar njeriun: duke u vetëglorifikuar me prodhimin e kësaj kryevepre, ajo ka zgjedhur tek ai një soditës dhe një kritik, mjaft inteligjent për t’ia rrokur ligjet e krijimit dhe për t’ia dalluar idealin, sigurisht mjaft të fortë për t’ia riparuar të metat dhe për t’ia shëruar plagët, por tepër të dobët gjithsesi, në trup dhe në mendje, për ta modifikuar e shkatërruar. Bir i mbramë i natyrës, i ngarkuar për t’i dhënë prekjen e fundit rendit të botës, vetë njeriu, në shpërfaqjen e tij, nuk është përsosmërisht sipas prototipit të vet, të paktën jo më shumë se krijesat e tjera. Kështu vepra e tij e riparimit zë fill dhe përfundon me vetë atë: progresi i drejtësisë tek njerëzimi është fillimi e fundi i të gjitha gjërave.
Ajo çka e bën krijimin e njeriut, përshtat tipit të tij, më të vështirë se cilido tjetër, është mënyra sesi natyra e ka kushtetuar me këtë element të dyfishtë - forcën dhe bukurinë - të ndara në përpjesëtime të barabarta në tërësinë e llojit. Por lloji njerëzor nuk vepron vetëm si qenie kolektive, por sidomos edhe përmes nënndarjeve të tij: ekzistojnë burra dhe gra, raca, kombe, familje, individë.
Gjinia mashkullore zotëron fuqi më të madhe; ajo femërore shpërfaq bukuri dhe ideal në masë më të madhe: në çfarë përpjesëtimi, njërën dhe tjetrën? Do të ishte shumë i vështirë, në mos shumë i guximshëm, përcaktimi i kësaj.
Në disa kombe, burrat duken më të fortë se në kombe të tjera, dhe gratë më femra: prej kësaj lind pohimi i etnografëve sipas të cilit nga njëra anë është elementi mashkullor më i zhvilluari, nga tjetra është elementi femëror. Doktor Claveli, në veprën e tij diturake Racat njerëzore2, vërteton se karakteri anglez mëkaton për tepri mashkullsie, teksa karakteri francez për tepri femërsie. Sipas përshkrimit që bën ky autor, tipi gjermanik duket si një nga më të ekuilibruarit në elementin e tij të dyfishtë. Të tilla mosbarazi i detyrohen dy shkaqeve: ndikimi i mjedisit, ligji i të cilit është përcaktues në krijimin dhe zhvillimin e mbretërisë së kafshëve dhe ndikimi i institucioneve, që nga ana e tyre veprojnë si vetë mjediset.
Nga kjo rrjedh që një komb, pasi ka hedhur hapat e para me energji burrnore, mund të femërzohet, dhe të rrënohet për këtë shkak: i ka ndodhur persëve pas Kirit, grekëve pas luftës së Peloponezit3, vetë romakëve, si pasojë e pushtimeve të tyre të pamata dhe të luftërave civile. Për të njëjtën arsye, nëse një racë mund të vijë duke u femërzuar, mundet po ashtu, me punë, filozofi dhe institucione, të bëhet më burrnore: kjo u ka ndodhur francezëve të Shtetit të Tretë. N'atë periudhë përgjithmonë të lavdishme që shkon nga vdekja e kardinalit Flërí (1743) tek ajo e Luigjit XVIII (1824)4. Nuk mund të thuhet sigurisht se kjo lëvizje ka vazhduar mirë edhe nga 1825a te 1860a; por vepra mund të vazhdohet.
Kjo luhatje nga elementi mashkullor tek ai femëror, me fjalë të tjera, nga forca te bukuria, nga politika tek arti, nga e drejta tek ideali, është tregues i caqeve të fuqisë së njeriut mbi veten, i sferës së veprimit të tij dhe i dy skajeve mes të cilëve ai duhet ta gjejë temperamentin e tij të drejtë.
Sikundër burri, në shpërfaqjet e tij, nuk është gjithmonë i pajisur me një burrëri të theksuar mjaftueshëm, kështu dhe gruaja jo gjithmonë është e bukur: në moral, si në fizik, ajo i nënshtrohet një mijë shëmtive. Shpesh bie nën nivelin e vet dhe është e ligë, e flashkët e budallaqe, siç thotë Zhorzh Sand. Mund të themi, në këtë rast, se ajo abuzon me koncesionin e natyrës, që e dëshiron të ngathët, por relativisht më të dobët dhe natyrisht më të bukur se shoku i saj. Nganjëherë ndodh dhe e kundërta. Teksa burri degradon duke u zhytur në kotnitë e Kapuas5, shohim gruan tek emancipohet, teksa vesh, siç thotë Bibla, rrobat e burrit, gdhend pamjen, gjuhën, sjelljet e virilitetit, dhe të aspirojë që t’i ushtrojë funksionet.
Në çdo vend dhe në çdo epokë takohen krijesa ekcentrike të këtij lloji, qesharake në gjininë e tyre dhe të padurueshme për tonën: janë disa llojesh. Në disa, kjo shkujdesje mashkullore është efekt i temperamentit dhe i një energjie të madhe fizike: quhen virago*. Janë më pak të frikshmet; nuk janë prozelite dhe mjafton kritika e femrave të tjera për t'i pru' në fé. Në lloje të tjera, prirja për emancipim vjen nga një ekstravagancë e mendjes, ose nga profesioni që ushtrojnë, ose, më në fund, edhe nga libertinazhi. Këto janë më të këqijat: nuk ka prapësi ku nuk mund t’i shpjerë emancipimi. Në disa epoka, shpirti sektar përzihet në kësî çorbe; dekadenca e zakoneve publike e komplikon të keqen: flashkësia e burrave bëhet mbështetje për guximin e grave, dhe shohim tek shfaqen këto teori të emancipimit dhe të promiskuitetit, për të cilat fjala e fundit është pornokraci. Atëbotë është fundi i shoqërisë.
Pornokracia kombinohet më së miri me despotizmin dhe me vetë militarizmin: perandoria romake jep një shembull të kësaj me Eliogabalon6. Dhe kombinohet po ashtu me teokracinë. Është ajo për çfarë u përpoqën gnostikët në shekullin I dhe II pas Krishtit, madje për çka përpiqeshin edhe mistikët, në kulmin e shekullit XVII7. Në epokën tonë, kemi parë pornokracinë të bëjë aleancë me burokracinë! Maltusi8 dhe Enfantini janë shprehja e dyfishtë e dekadencës moderne. Por ora ka kaluar dhe bota, që po e sheh me indiferencë fikjen e teokracisë papale, ia kthen shpinën pornokracisë maltusiane.
Nuk do të ankoheni, zonja, për faktin se unë i konsideroj idetë tuaja me rëndësi të pakët, si njeri që nuk e ka kuptuar rëndësinë e doktrinave tuaja. E di mirë se me çfarë fryme jeni gatuar dhe nuk kam asnjë vështirësi të pranoj se pikërisht kjo frymë, frymë epshi dhe shfrenimi, frymë konfuzioni dhe promiskuiteti, prej tridhjetë e pesë vjetësh ka qenë murtaja e demokracisë dhe shkaku kryesor i disfatave të partisë republikane. Prandaj ma ndjen që publiku t’u gjykojë, intus et in cute.*
Le të fillojmë me shembujt më pak të dyshimtë. Parent-Duchâtelet (Parò-Dyshatlé), në veprën e tij mbi Prostitucionin9, ka sinjalizuar se prostitutat ishin të babëzitura, të dhëna pas dehjes, shushunja të pangishme, shurdhane, bjerraditëse, grindavece, thashethemexhie, të padurueshme dhe pa asnjë fije logjikë. Nën këto tipare njihet gruaja e rënë në gjendjen natyrore ose të femrës së thjeshtë. Nga se lind kjo dekadencë? Nga frekuentimi i tepërt i burrave, gjë që i bën ato të humbasin, bashkë me rezervimin, ndrojtjen, kujdesin, cilësinë thelbësore të gjinisë së tyre, atë që përbën shpirtin dhe jetën e gruas së ndershme, erzin. Parò-Dyshatlé do të kishte mundur të shtonte se pamja e këtyre grave ndryshon në po atë masë si zakonet e tyre: ato shformohen, marrin shikimin, zërin dhe sjelljen e burrave dhe nuk ruajnë tjetër, në gjininë e tyre, te fiziku sikundër te morali, përpos pjesës ngushtazi materiale, minimumin e domosdoshëm.
«Po çfarë kemi të përbashkët ne – do të jeni duke thënë – me këto prostituta?». Do t’ju pyes pikësëpari, zonja, ç’kuptim ka në gojën tuaj fjala prostitutë. Ju lutem të vini re se këto gra, tekembramja, nuk bëjnë tjetër përpos që zbatojnë dashurinë e lirë; se, po të jetë shtyrë aty ndonjëra nga joshja, shumica shkon aty me zgjedhje; se madje, nga pikëvështrimi i demokracisë dashurore, ato bëjnë një akt filantropie dhe mëshire, si e nënkuptojnë gnostikët; dhe se, tekembramja, gjithmonë sipas maksimave tuaja, ëndja erotike në vetvete nuk ka asgjë imorale, është legjitime sa edhe është e natyrshme, formon të mirën më të madhe dhe veprimtarinë më të shumtë të sojit njerëzor; madje rrjedhimisht, ajo femër e bukur që, për lumturinë e një burri të ngazëllyer nga dashuria, pranon t’i sakrifikojë një ditë të kohës së saj, ka përsosmërisht të drejtën, siç do thoshte J.-B. Say10, të marrë në këmbim një shpërblim. E ka gjith’ e më shumë të drejtën, sepse me ushtrimin e funksionit dashuror, femra shprishet gati pa e vënë re dhe degradon. Nuk ekziston, nuk mund të ekzistojë dashuria falas, jeni dakord?, me përjashtim të asaj nga e cila heqim dorë, në emër të vetëdijes, në martesë.
Pra, ose martesën, nëpërmjet së cilës dashnorët bashkohen përgjithmonë, sipas ligjit të përkushtimit dhe në një sferë fort më të lartë se dashuria, ose (dëm)shpërblimin: nuk ka rrugë të mesme. Mbase të emancipuarat, që jetojnë si konkubina do të kishin pretendimin të jepeshin për hiçmosgjë, rastësisht? Të paktën e kanë marrë kënaqësinë, siç e provon fakti se, kur kjo gjë nuk u pëlqen më atyre, i kanë rezervuar vetes të drejtën për ta rimarrë. Dashnorja që jepet në këmbim t'asgjëje, është një feniks dhe ekziston vetëm te poetët; për vetë faktin se e jep veten (jashtë martesës), ajo është e lirë, është prostitutë; e kupton kaq mirë sa, në vazhdim, po t’i ndodhë të martohet, do të paraqitet si vejushë; do të gënjejë; mungesës së erzit, do t’i shtojë hipokrizinë dhe pabesinë.
Ja sesi pazari i burrave, ose dashuria e lirë, e transformon gruan: e shkreton, e shnatyron, e deformon dhe e bën vitrinë, të lmertë në të pame, mashkullí. Mirëpo, ju paralajmëroj, çdo frekuentim i ekzagjeruar i burrave, edhe kur kufizohet në biseda të thjeshta salloneske, akademike, në punë, e kështu me radhë, në fund del i dëmshëm për gruan, që zvenitet dhe zvetënohet në mënyrë të pandjeshme. Po them edhe këtë: nuk është e mundur që një grua, pa i frekuentuar më shumë se duhet burrat, të merret zakonisht me gjithë sa i takon gjinisë së saj pa e pësuar hiret natyrore dhe, sipas rasteve, pa iu ndezur imagjinata, pa iu përflakur shqisat dhe, sigurisht, pa iu hapur kanát porta e mëkatit përpara.
Ekziston një raport i atillë mes faktit dhe idesë, saqë gjithmonë, te një burrë që e mohon me kryeneçësi njërën anë të moralit, mund të rroket një fill thyerjeje ndaj këtij parimi. Është krejt e pamundur, për shembull, me mëtue në teori despotizmin dhe me qenë çiltërsisht liberal në praktikë; është e pamundur në ekonomi politike të mbështetësh lirinë e vlerave dhe të mos biesh mandej, qoftë për pak kohë, në spekulim ose në fajde; është e pamundur të ekzaltosh shkëmbimin e lirë, pa favorizuar, në masë më të vogël a më të madhe, kontrabandën. Pohoj gjithashtu se është e pamundur që një grua ta shkojë jetën mes burrave, të jepet pas studimeve apo pas veprimtarive burrnore, të mëtojë, për shembull, teorinë e dashurisë së lirë dhe në fund fiziku i saj të mos përftojë diçka prej viragos, dhe të mos i ngelet një majth lirie në fund të zemrës.
Kjo pikë është rrokur me përsosmëri nga Molièri në komedinë Shkolla e grave. Ai shpërfaq një nënë, Filamintan, një grua e ndershme (lulja e intelektit i ka ardhur më vonë), por që gërthet më fort se një gjel, siç thotë shërbyesja, prej karakterit të saj ndër më t'urryeshmit, tiranik ndaj të shoqit dhe së bijës; në fund, është më e mjerueshmja mes budallaqeve. Ngjat Filamintës është motra Belisa, bigotja plakë gjithë e tendosur të dëbojë nga vetja dashurinë, por që imagjinon se të gjithë burrat janë të dashuruar me 'të, që megjithatë nuk ua merr për keq. Sapo të dalë njëri që do të përpiqet ta bindë, është e qartë se Belisa do të bëjë çfarëdo marrëzie. Vazhdon në fund e paralindura e Filamintës, zonjusha Amanda, që nuk do të lypte gjë më të mirë se të lozte nga agu në mug lojën e dashurisë, por që nuk di ta ndajë mendjen e të shkojë në shtrat me një burrë vërtet lakuriq. Është spiritualizmi i Kartezit11 që e pajis me këso idesh, për të cilat përkundrazi nuk mendon fare Enriketa, amvisa, që nuk han as greqisht, as filozofi. Molièri, moralist i madh përpos që komedian gjigand, ju njihte me themel. E dinte sa vlejnë arsyeja, virtyti dhe finesat e t'emancipuarave. Ju nuk kufizoheni të doni me qenë burra: e kërkoni; ja çka ka provuar Molièri në komendinë mbi Femmes savantes dhe tek ajo mbi Précieuses12.
Përmenda qëparë shportaret. Qoftë larg që unë të mendoj ose të flas keq për këtë kategori interesante qytetaresh. Janë të gjitha të martuara; në pjesën më të madhe, pa dyshim, janë besnike. Por janë përgjysmë ushtarë: jetojnë në kazermë, marrin pjesë në paradat, janë të shënuara mbi regjistrat e regjimenteve me një numër amze. Nuk e di nëse shërbimi i tyre është absolutisht i domosdoshëm, por do të më pëlqente, për respektin që kam kundrejt gjinisë femërore, që të ishte krejtësisht e larguar nga ajo ushtarake. Shportarja e Béranzherit13 më është dukur gjithmonë, madje ende më duket, një këngë shumë e bukur. Le të pranojmë, sidoqoftë, se ky kompozim nuk merr ndonjë pah të veçantë nga hiret e një lavireje. Po këtë diskutim e bëj për shitëset e tregjeve qendrore, më të tmerrshme se burrat e tyre, shkarkuesit. Asnjë qeveri nuk ka guxuar akoma t’i bastisë tregjet pariziene nga privilegji i këtyre zonjave: mund të thuhet se ato bartin një revolucion ndër funde.
Kam banuar për një kohë të gjatë në një azil ku mbahej një kurs obstetrie: bëhej fjalë për një shkollë të vërtetë prostitucioni dhe kodoshllëku. Sigurisht, ka njerëz të ndershëm në korporatën e mëndeshave, kam njohur të tilla dhe pikërisht ju, zonja Jenny d’H., jeni një shembull i bukur. Por s’mund ta pengoj veten të mëtoj, kur të zini e të përgojoni palët, se po luftoni më shumë në favor të klientelës suaj, sesa të emancipimit. Në mirëbesim, si thoni që një romake të mendojë në trurin e vet për disa gjëra, pa iu ndezur flakë imagjinata dhe pa iu ngazëllyer koka e saj e gjorë? Më e pakta që mund t’i ndodhë është, duke u martuar me tërë shpejtësinë, të veshë, si i thonë, pantallonat. A njihni ndonjë burrë me shije të mirë, ndonjë grua që ka respekt për veten, që dëshiron një zanát të tillë dhe një short si ky, për të bijën?
Vërtè me të padrejtë, zonjë, ju doni të na bëni që ta konsiderojmë angazhimin e obstetrikeve si një simptomë relaksi dhe zelli që tregoni në lidhje me këtë në fejtonet tuaja provon përkundrazi, se thjesht përpiqeni të ruani me tezën tuaj erzin e lehonave. Kjo është taktikë, asgjë më tepër. Do të kisha shumçka për të thënë mbi mëndeshat, si mbi ato të qyteteve si mbi ato të fshatrave. Abstenoj, nga frika e shpifjeve. Nga çasti që gratë, në një shoqëri me nivel të lartë qytetërimi, nuk mund të pjellin vetë, siç bënin gratë e çifutëve në Egjipt dhe siç bëjnë ende sot të gjitha zezaket dhe të egrat, prandaj dhe nga ky çast, në vijim të zhvillimit të ndjeshmërisë nervore, pjellja është bërë tashmë një rast patologjik, është e parapëlqyer, në vetë interesin e ndershmërisë publike, që t’i drejtohesh një mjeku, më mirë se sa t’i arsimosh, në këtë shkencë të pahijshme, të rejat nga fshati. Mes mjekut dhe gruas që pjell, e rrethuar nga i shoqi dhe njerëzit e familjes, erzi nuk është më në lojë më shumë sesa mes ushtarit të plagosur dhe murgeshës.
A doni pra t’i përzini gratë, me pretekstin e erzit, edhe nga spitalet? Jo, jo: sikundër mjeku, gruaja është në vendin e vet në shtratin e të sëmurit; përballë rrezikut, erzi tërhiqet nën flatrën e mëshirës. Këtu shpërfaqet vetëm përkushtimi: përkushtimi i burrit ndaj gruas, përkushtimi i gruas ndaj burrit. Këtu, është ligji i martesës që qeveris, ligj që erzi juaj i rremë nuk e kupton, çprej se ju jeni një grua e lirë. Sa më takon mua, po ua deklaroj, unë parapëlqej njëmijë herë, për moralin publik dhe për atë familjar, rrezikun e mjekut ndaj atij të mëndeshave, qofshin edhe të betuara.
Kjo histori e mjekëve-obstetër, mbi të cilën lëshoni kaq shumë vikama, më kujton një tjetër që dua t’ju tregoj, edhe me rrezikun që të akuzohem prapë nga zonja J.L. për prirje pacipësie. Jam i sigurt se do të më jetë mirënjohëse për anekdotën.
Kam njohur një apaltator* zëvendësuesish për shërbimin ushtarak, kur këto ishin ende objekt tregtie14, gruaja e të cilit, në mungesë të tij, i vizitonte fizikisht subjektet. E ndjente, e prekte mallin e tij, e bënte me ecë. Kollituni, u kërkonte atyre... Tekembramja, një grua shumë e zonja, që kurrë nuk u dyshua mos kishte zakone të shthurura. E ushtronte zanatin e vet me filozofi. Në sytë e saj zëvendësuesit nuk qenë burra: ishin mish për top. Një këso gruaje, do të ishte një model, në botën e të emancipuarave; por cili burrë me dy fije mend do të mund t’i afrohej pa neveri?...
Në fshat kam parë bija të një fermeri pronar të një demi fare që, në rast nevoje, në mungesë të tatës, e përmbushnin detyrën pa sikletin më të vogël. Honni soit qui mal y pense.* Ajo çka bënin me duart e tyre këto virgjëresha fshatarake nuk është e mundshme të përshkruhet. Çuditërisht, ato nuk dukeshin aspak të ngazëllyera, përkundrazi. Sa më takon mua, që atëherë isha djalosh, mund të pohoj shumë mirë se nuk kam ndjerë kurrë asgjë kundrejt atyre grave kaq të fuqishme.
E gjithë kjo është shumë vulgare dhe çon në pasoja mediokre; nëse flas për të e bëj që në fund të përcaktohet kundër njomëzakeve të shtira, që vënë duart mbi sy dhe shohin nëpërmes gishtave, se duhet bërë një dallim pozitiv mes adeteve të burrit dhe atyre të gruas; se paqja shtëpiake dhe një pjesë e konsiderueshme e moralit publik, varen nga përkufizimi që do të bëhet nga njëra dhe nga të tjerat, meqë sa herë që gruaja del nga caqet që i ka caktuar natyra, prishet dhe zvetënohet në po atë masë sikurse burri dhe që, larg nga uzurpimi i funksioneve, frika e saj më e madhe duket të jetë me i ngja atij.
Citova të bijën e fermerit të zotit të një demi, pazaritësen e burrave, mëndeshën e betuar, shitësen tek tregjet qendrore, kurtizanen, intelektualen; a thua mbarova? Mund të bëhet një fjalor me këto. Le të ndalemi pak mbi dy kategoritë kryesore: artistet kështu i quajnë, por edhe mendimtaret e lira.
Gruaja, shprehje e idealit, së cilës natyra i ka dhënë kryesisht bukurinë, ka prirje estetike që s’më shkon mendja t’i mohoj sepse kjo do të nënkuptonte që unë t'i dilja hasha vetes. Por këtu, si kudo, është çështje mase, gjë për të cilën ju të tjerat, zonja pa kut, nuk doni të dëgjoni as të flitet. Përpos faktit se asnjë grua nuk iu është afruar kurrë, as nga larg, artistëve të mëdhenj, sikurse oratorëve të mëdhenj dhe poetëve të mëdhenj, është e nevojshme të konsiderojmë gjithashtu, në angazhimin e talenteve femërore, konvencionin e gjinisë dhe të familjes, që mbizotërojnë mbi gjithçka.
Tek antikët, pjesët femërore recitoheshin nga burrat. Arsyeja qëndron në faktin se antikët mendonin se ishte e pamundur ta përshfaqje mirë dashurinë pa e konsumuar dhe se nuk pranonin në skenë këtë kalim nga fiksioni te realiteti; në vazhdim do ta kishin konsideruar zanatin e aktores, ose cilindo që i ngjan atij, si një reklamë ose nxjerrje zyrtare në publik të gruas, fakt për të cilin ishte kundër ndershmëria qytetëse. Tani e kemi ndryshuar këtë gjë: ka mundësi që teatri të ketë fituar prej kësaj; po zakonet? Le të reflektojmë: çdo kryefamiljar i ndershëm bëhet pak a shumë përkrahës prostitucioni nëse çon aty të shoqen apo të bijën...
Nuk po shkoj më tej. Është fakt se shumica dërrmuese e grave të teatrit kultivojnë dashurinë e lirë; kurse për sa i takon atyre që kënaqen me burrin e tyre dhe më sigurojnë se ka sosh, do të duhej parë nëse, brenda meselesë së tyre, ndoshta do të pretendojnë se kanë kryekëput të njëjtën rëndësi si bashkëshortët. Jà nënrenditjen e grave, të garantuar nga rezervimi i jetës së tyre, jà zvjerdhjen e burrave: duhet zgjedhur! E di mirë se natyra, që në çdo fushë krijon dykuptimësi, siç thoshte Furjé, duket sikur i ka predestinuar disa meshkuj për të shërbyer si shoqërues të gjysmave të tyre. Më në fund! Gruas së emancipuar, burrin kukuvajkë! Paqe dhe tolerancë për të sakrifikuarit e ngratë. Por të mos i transformojmë në modele amà, sidomos të mos ua kodifikojmë shembullin në maksimë të së drejtës civile dhe politike. Në sintezë, unë nuk kërkoj mbylljen e teatrove; por pohoj se na ngelet shumë punë për të bërë që t’i moralizojmë. Në këtë pikë, nuk iu është dhënë kurrë përgjigje vërejtjeve të Rusoit apo të Bosuesë15.
Le të kalojmë te letraret. I kam përnjohur gruas një funksion edukatoreje; nuk besoj se u kam bërë, duke përnjohur këtë gjë, ndonjë lëshim kundërshtareve të mia. Gruaja, për cilësinë e mendjes së saj, vendoset mes burrit dhe të bijve si një reflektor i gjallë, që ka funksionin të bëjë konkrete, të thjeshtojë, t’u transmetojë inteligjencave të reja mendimin atnor*. Meqë burri jeton në shoqëri dhe familjet me bashkimin e tyre solidar formojnë qytetin, besoj se gruaja që i zotëron në një nivel të lartë adetet e gjinisë së saj mund ta shtrijë sferën e ndikimit të saj në mbarë komunitetin. Ashtu sikundër bukuria e disa të rejave mund t’u shijojë të gjithave, virtyti i lartë dhe talenti i jashtëzakonshëm i disave mund të jenë edhe të dobishme jo vetëm për të gjitha, por për të gjithë. Për pasojë, jam dakord se gruaja mund të ndajë, deri në njëfarë pike, me burrin funksionin e shkrimtarit; por gjithmonë me kusht që, edhe kur shkruan, edhe kur shfaqet në publik, ajo të ngelet grua dhe nënë: përtej atij caku, nuk e toleroj më.
Kjo është pika më delikate. Është shumë e vështirë që gruaja që merr fjalën n'asamble te mos ketë një ton pak më të lartë në familje. Pra, sa më shumë që një grua tregon talent, aq më shumë ka nevojë për virtytin shtëpiak. A kemi mbërritur në këtë pikë? Publiku, me miratimin e tij indiskret, është autori i parë i kësaj tollovie. Mund të thuhet dhe se unë i çmoj pak gratë që bashkojnë me talentin më të vërtetë një sjellje të rezervuar dhe modeste. Një majth skandali e rrit ndershmërinë e gruas diturake dhe e mbështjell në një brerim të parfumosur. Amable Tastu dhe zonjusha de Meulan16 po fillojnë të harrohen; Necker de Saussure njihet vetëm nga zyshat. Sa gra të tjera, përkundrazi, më të pafytyra, kanë parë tek zgjerohej reputacioni i tyre bashkë me zakonet e lehta!
E pranoj pra që një grua, kur i vjen rasti, të shkruajë dhe të botojë veprat e saj, por kërkoj që para së gjithash të garantohet respekti i familjes. Kodi pohon se «gruaja nuk mund të dhurojë, të tjetërsojë, të hipotekojë, të blejë, të dëshmojë në gjyq, pa autorizimin e të shoqit». Si ka mundur t’i shpëtojë legjislatorit se rasti është fort më i rëndë, për dinjitetin e burrit dhe për sigurinë e tij, kur bëhet fjalë për botimin e një shkrimi, ose të çdo shpërfaqjeje tjetër të së shoqes. Në Francë, janë burrat që tregohen më të zellshmit në vleftësimin e gjysmave të tyre. Në 1847n, disa kohë para revolucionit të shkurtit, qeshë i pranishëm në një mbledhje politike socialiste, ku një grua, shumë e bukur, debutonte si oratore, nën mbrojtjen e të shoqit. Improvizimi qe më keq se mediokër: zonja nuk kishte zë. Nuk do të dija ta përshkruaj sa kam vuajtur për atë grua të gjorë, të shfaqur nga ai debil. Besoj se, po të kisha qenë dashnori i saj, do ta kisha bërë të kthehej menjëherë në shtëpi dhe do ta kisha kapur në shpulla të shoqin. Një grua që shkruan duhet të njihet nga publiku vetëm si emër; një grua që flet në publik duhet vënë n'arrest shtëpie.
Gjendesha në seancën e pesë Akademive ku zonjusha Luizë Kolé-Révual17 erdhi të merrte çmimin e poezisë për shkrimin e saj mbi muzeun e Versajës. Kanë kaluar më shumë se njëzet e pesë vjet: Luizë Kolé duhet të jetë plakur tashmë; qysh prej atij çasti e mbrapa nuk ka prodhuar asgjë të vlefshme. Brenda meje, irritohesha kur shihja një grua të re të ekspozuar ndaj shikimit të të gjithëve, e ekzaltuar nga duartrokitjet e publikut, pa dyshim më shumë nga sa do ishte në rast të miratimit të të shoqit dhe përkëdheljet e të bijve. Më dukej atëherë se, sikur të kisha qenë i afërmi përgjegjës për atë fitimtare, do t’i kisha thënë, kur të vinte për të më treguar kurorën e saj: «Zonjë, i keni dërguar vargjet tuaja në konkurs pavarësisht lutjeve të mia. Jeni paraqitur në seancën e Akademisë kundër vullnetit tim. Vaniteti që ju mbyt do të dalë vrastar për të dy. Por e keni mbushur kupën. Në mosbindjen e parë, do t’ju gjej kudo që të jeni strukur dhe do t’jua bëj të pamundur që të paraqiteni prapë para publikut dhe të flisni për veten...». Do të kisha bërë siç thashë. Në një shoqëri ku ligji nuk mbron dinjitetin e kryefamiljarit, i takon këtij të fundit të mbrohet vetë. Në raste të tilla besoj, sikundër romakët, se burri ka mbi gruan të drejtën e jetës dhe të vdekjes.
Soji më i keq i gruas së liruar është mendimtarja e lirë, ajo që fut hundët në të filozofuarin, që ekstravagancave të zakonshme të lirimit, lmerës për martesën, i bashkon pretendimet doktrinare, krenarinë e një partie, shpresën e fshehtë të një dekandence masive të gjinisë mashkullore.
Tek artistja apo tek romancierja, emancipimi mbërriti nëpërmjet rrugëve t'imagjinatës dhe të shqisave. Ajo joshet nga ideali dhe nga epshi. Këtyre kategorive i përkiste kurtizania e dikurshme: ishte, në llojin e vet, një artiste. Artiste janë edhe baiadera hindu, almea egjiptiane, gratë e shtëpisë së çajit japonez. Një fjalë që vjen nga zemra, një frazë e sjellë, shumë shpesh pak vëmendje: nuk duhet kushedi çë për t’i ndryshuar. Kështu u soll Jezusi me Magdalenën. Tekembramja bëhet fjalë për gra të humbura më shumë sesa të emancipuara. Ja për ç’arsye shumë burra i parapëlqejnë stoiket, pranë të cilave virtyti merr karakter autoriteti.
Mendimtarja e lirë femër, kjo pulë që këndon si gjel, siç thonë fshatarët, është e pa-marr-vesht. Çekuilibri mes mendjes dhe zemrës, në këtë kategori, është i përgjithshëm. Në kritikat që kam shprehur mbi zonjat Roland, de Staël18, Necker de Saussure dhe Zhorzh Sand, tek të cilat kam sinjalizuar, anipse në nivele të ndryshme, praninë e sëmundjes, ia kam nxjerrë në pah simptomat kryesore në këtë mënyrë:
«Për vetë faktin se një grua, me pretekstin e religjionit, të filozofisë, të artit apo të dashurisë, emancipohet në zemrën e vet, duke dalë nga gjinia e saj, duke dashur të barazojë burrin dhe të gëzojë prerogativat e tij, ndodh që në vend që të prodhojë një vepër filozofike, një poemë, një kryevepër arti, mënyra e vetme për të justifikuar ambicien e saj, ajo dominohet nga një mendim fiks që nga ai moment nuk e braktis më dhe zëvendëson çdo prirje dhe çdo ide: pra mendimin se në çdo gjë, arsye, forcë, talent, gruaja vlen sa burri, dhe se kur ajo nuk nxë të njëjtin vend në familje dhe në shoqëri, i bëhet dhunë dhe padrejtësi.
«Barazi e shqisave me pasojat e saj të pashmangshme, liri në dashuri, dënim i martesës, përçmim për gruan, xhelozi dhe mëri e fshehtë për burrin, dhe për ta kurorëzuar sistemin, një epsh i paçmuar: kjo është, në mënyrë të pandryshueshme, filozofia e gruas së emancipuar...».
Dhe më tej përfundoja: «Do duheshin përsëritur vazhdimisht të njëjtat gjëra. Do duhej të tregoja gjithmonë femrën, sapo mania e barazisë dhe emancipimi ta ketë zaptuar mendjen e saj, e ndjekur nga ky obsesion si nga një spektër; do të duhej ta tregoj mërimbajtëse ndaj gjinisë sonë, plot përçmim për të vetën, në kërkimin e shajnitur të një ligji të jashtëzakonshëm që t’i falë, mes të ngjashmeve të saja, privilegjet politike dhe familjare të virilitetit; plus kësaj, tërhiqet te Zoti dhe tek egoizmi i vet, nëse është besimtare; çartet në fantazi dhe figura të turpshme, nëse është grua bote, e robtuar nga dashuria; nëse shkruan, kapardiset, e fryn zërin dhe shpik një stil ku nuk gjendet më as mendimi origjinal i burrit, as riprodhimi i këtij mendimi të reflektuar me hir te gruaja; nëse shkruan një roman, rrëfen dobësitë e veta; nëse i fut hundët në filozofi, e paaftë për të rrokur me forcë një subjekt, për ta shestuar, për ta argumentuar, për të bërë një sintezë, në impotencën e saj metafizike, ajo e vendos mendimin e vet në majë të fjalisë; nëse merret me politikë, ngacmon me thashethemet e saj zemërimin dhe acaron urrejtjen».
Në sintezë, gruaja e sëmurë nga kjo mani priret me marrë distancë në zemër dhe në mendje nga gjinia e vet, që ajo e shpërfill dhe që e merr zët pikërisht në gjënë më të mirë që ka. Ndërkohë, lakmon, denigron dhe sforcohet të barazojë apo edhe të zëvendësojë tonën, pa mundur veç kësaj ta zëvendësojë kurrë, ose edhe vetëm ta kuptojë. Nga e gjithë kjo rrjedh për fatkeqen njëfarë hermafroditizmi idiosinkratik që e bën të humbasë, përpos nurit të gjinisë së saj, ndjenjën e vërtetë të dashurisë, ia bën të urryeshme martesën dhe e bën të bjerë, me mendim e shumë më shpesh me fakte, në një erotizëm gjithmonë e më ekscentrik. Kur afeksionet korruptohen, edhe inteligjenca shpërbëhet; veprat e gruas s'emancipuar sinjalizohen për një mosnivelim të tepërt, një llafologji të pashtershme, një përzierje të kalamanësisë femërore dhe të gjakimit të mashkullsisë. Që të mos flasim për arsyen a për gjykimin; fjalë të boshatisura nga domethënia e tyre, ide të përmbysura; një ngut i dukshëm në zaptimin e mendimeve dhe të shprehjeve të kundërshtarit për t’i transformuar në argumente të vetat; zakoni me iu gjegjë fjalisë së fundit të muhabetit; të përgënjeshtruara kundër çdo evidence, formula të plaçkitura kudo dhe të aplikuara mbarë e prapë, lojëra fjalësh, kërcime pup këtu e pup në Stamboll, teprime karikaturale: shkurt, ngatërrimi i të gjitha raporteve, anarkia e nocioneve, kaosi! Ja se në çfarë dallohet intelekti i një gruaje të emancipuar. Këto karakteristika, që në studimin tim jam kufizuar t’i rrok tek disa të famshme të shekullit, i kam vëzhguar në qindra subjekte. Nga çasti që botimet tuaja më autorizojnë për këtë gjë, nuk do ta gjeni të mbrapshtë faktin se, zonja të dashura, unë ju rehatoj edhe juve në galerinë time dhe që, duke i lënë mënjanë personat tuaj, të tregoj, përmes librave tuaj, se çfarë ka ngjarë me intelektin tuaj.
Oh, zonja, e di se çfarë do të thoni: se idetë që mbroni nuk janë tuajat; se janë më të vjetra se ju; se gjithçka që keni bërë është se i keni vënë vulën tuaj dhe se rrjedhojat pra që marr përsipër të nxjerr nga kjo autopsi janë pa themel. Ju, zonja J.L., rridhni në linjë të drejtpërdrejtë nga Ati Enfantin; ju, zonja Jenny d’H., bëni pjesë në një tjetër degë të sensimonizmit që, para do vjetësh, kishte si organ një revistë të vetëshpallur filozofike dhe religjioze19. E di gjithë këtë dhe jam gati t’ju shkarkoj si njërën dhe tjetrën nga barra e çdo shpikjeje dhe nisjative. Kurrë s’u pretendua se gruaja që emancipohet nga burri nuk ishte e aftë për të pjellë, pa të, një sofizmë, si kopilin. Por ndo teoritë tuaja të rrjedhin nga të femërsuarat a nga të emancipuarat, është gjithmonë e njëjta gjë, në fund: qoftë, në radhë të parë, për sa i përket teorive të marra veçmas, parimi i të cilave është promiskuiteti i nocioneve, dhe konkluzioni i të cilave është ai i dashurive; qoftë, mandej, për sa iu përket juve, që bëheni oshënare të këtyre. Ç’rëndësi ka, në fakt, për gjendjen tuaj mendore, që mendja juaj mund të prodhojë apo të krahasohet vetëm me disa kërpudhëza? Është vesi specifik i tezës suaj fakti që nuk mund ta refuzojmë pa konstatuar, njëherit, ulçerizimin e trurit tuaj.































Kapitulli i Pestë

PORNOKRACIA

Zonja J.L., ju e dini se çfarë ka në fund t'ideve antiprudoniane mbi dashurinë, femrën dhe martesën? Jam i sigurt se as që e dyshoni. Pikësëpari, fejtoni juaj prej 196 faqesh ngjan si i shkruar me shumë duar. Ka disa pjesë që janë vërtè katilinare*: sidomos te këto shpërfaqet prirja e gruas; të tjerave u vjen era profesorát prej një milje larg. Me një lehtësi fjale të aftë për të çmeritur injorantët, ju flisni për metafizikë, për sintezë, për antinomi; nën penën tuaj, absolutja, idealja, konkretja dhe abstraktja lozin si dashuriçkat nën brezin e Venerës. Këtu shihet pedantja që përsërit, fjalë për fjalë, leksionin e një dite para, kur nuk ka qenë pikërisht profesori që ia ka përgatitë temën.
E pra moj zonjë, sado që është e dhimbshme t’i thuash një femre të arsimuar, që zotëron një inteligjencë të natyrshme, se nuk kupton asgjë nga ajo që flet, më duhet t’i dorëzohem një nevoje kaq mizore. Fejtoni juaj, sikundër dy vëllimet e zonjës Jenny d’H., janë gjëja më e mirë që kam takuar deri më tani për të vërtetuar me anë të shembullit këtë pohim, që përmban ajkën e përgjigjes sime: promiskuiteti i nocioneve çon në promiskuitetin e dashurive, dhe e kundërta. Këtu gjendet karakteri i epokës sonë, për të cilin të gjithë shkrimtarët me ndopak vlerë pajtohen kur vjen puna për të sinjalizuar analogjinë me atë që shenjoi fundin e qytetërimit pagan dhe ardhjen e krishtërimit.
Keni ndjekur një udhërrëfyes të keq: àtë Enfantinin që është braktisur prej njëzet vjetësh nga mendjet më të thanta dhe nga ndërgjegjet më të kthjellëta të shkollës sensimoniane, ndaj të cilit tribunali penal1 ia ka vlerësuar saktësisht, sipas meje, doktrinën, sado që i vjen keq që nuk i ka lënë moralit të përjetshëm, të mohuar por jo të abroguar prej tij, kujdesin për të gjetur disa mbrojtës. Enfantini është një nga ata burra me kujtesë të dobët, me imagjinatë vetëlavdëruese, që nuk janë të zotë të prodhojnë vetë ide, megjithëse kanë talentin për të rrënuar gjithçka që prekin. Prej disa vjetësh, ka marrë zakon të qëndrojë prapa siparit, teksa përkundrazi, për mendimin tim, paskërka ardhur momenti që ai të dilte zbuluar pa mbështetjen e ndonjë bukle dhe të thoshte: ja tek jam!
Do ta ekzaminoj librin tuaj, zonjë, me ftohtësi, seriozitet dhe, sikundër edhe ju padyshim e dëshironi, me doktrinë. Në shembullin e teologëve, duke lënë pasdore çështjet dytësore, do të kufizohem të nxjerr pohimet që përbëjnë skelën e ideve tuaja dhe pa të cilat nuk do të kishte ide enfantiniane, por që sigurisht do të kishte më shumë gra të lira. Pak durim: nuk do të duhet shumë kohë.
1) Për sa i përket punës sime të fundit mbi drejtësinë, ju është dukur origjinale të pohoni se libri im është një udhëtim i ri në kërkim t'absolutes. Është fort e pakëndshme për mua, që njihem sot për luftën që udhëheq kundër absolutes siç kam qenë njohur dikur për sulmet e mia kundër pronës, të ndjehem fajtor pse kërkoj absoluten nën një emër tjetër. Kështu, në lidhje me këtë absolute që më paska infektuar, nuk përtoni të më akuzoni sheshit se e bëj popullin që ta harrojë drejtësinë. Është akuzë e rëndë: nëse akuzohem për absolutizëm, ja që jam i dyshuar; nuk meritoj më të më dëgjojnë; nuk paskam të drejtë, veç të tjerash, të flas për martesën e as për gruan. Është një fakt shqetësues në të vërtetë.
Duke ekzaminuar mbi këtë bazë jo vetëdijen time, që në çështje absolute nuk më qorton për asgjë, por për tuajën, kam pyetur veten nëse ju e dini çfarë thoni, kur flisni për drejtësi dhe për probleme absolute. Dhe ja me çfarë rezultati; një rezultat me të vërtetë befasues e, për kryepriftin tuaj, shumë i rëndë.
Nëse për absolute ju nënkuptoni të sigurtën, atëherë sigurisht unë besoj tek absolutja, madje e pohoj sepse u besoj disa ideve të sigurta, disa ideve që kanë siguri absolute, si të vërtetat matematike, ligji i serisë, vijimësia e kohës, raporti i shkakësisë, nocioni i ekuilibrit e kështu me radhë. Nëse për absolute, prapë, nënkuptohet universalja, përgjigjem edhe këtu se jam një përkrahës i absolutes, sepse u besoj ideve universale, pse pranoj që ka universale dhe kategori, të cilave u atribuoj një të vërtetë njësoj objektive e subjektive dhe ndër të cilat në sytë e mi ideja më universale është drejtësia.
Por kurrë, për sa më është dhënë të njoh, këto skaje, universalja, e sigurta dhe absolutja, nuk janë konsideruar si sinonime, përpos kur ato bashkohen për të thënë: kjo është absolutisht e sigurt; absolut bëhet atëherë një mbiemër i aplikueshëm për çdo lloj ideje apo objekti, për të nxjerrë në pah fuqinë më të lartë, idealsinë apo realitetin.
Kur e mohoj absoluten, i referohem, tok me të gjithë logjicienët, besoj, një esence ose entiteti që do të bashkonte në vetvete, njëkohësisht dhe në një shkallë të pafundme, çdo fuqi, çdo jetë, çdo bukuri, çdo të vërtetë, çdo drejtësi, e kështu me radhë. Absolutja duhet kuptuar atëherë në një kah logjik, ontologjik, estetik, juridik: s’ka gjë më të qartë se kjo.
Duket evidente, pas këtij shpjegimi, se Drejtësia, që e marr si bazë të filozofisë sime, nuk është absolute, sado që për mua është një realitet dhe një siguri absolute. Prova është në faktin se me nocionin e Drejtësisë, edhe pse mund të deduktoj tërë legjislacionin dhe tërë moralin e njerëzimit, megjithatë nuk do të mundem t’i jap jetë as një mize, apo të zbuloj sistemin që mban botën, apo të ndërtoj një statujë si ajo e gladiatorit, apo të shpik një algjebër. Sall me nocionin e së Drejtës, po kështu, nuk do të mundem me improvizue një kushtetim politik, nga çasti që duhen njohur, për ta aplikuar të drejtën, raporte të tjera që nuk varen drejtpërdrejt nga kjo: raporte politike, ekonomike, gjeografike, historike, e kështu me radhë. E gjithë kjo nuk e pengon fare Drejtësinë të jetë për nga natyra absolutisht e sigurt, në çdo kohë dhe në të gjithë dekretet e saj, sikundër është shkenca aritmetike në tërë artikulimin e vet, qoftë sikur të kufizohet në formimin e numrave, qoftë sikur të shtrihet edhe në të kuptuarit e logaritmeve.
Kurse ju, zonjë, dhe padroni juaj Enfantin, nuk nënkuptoni kështu as drejtësinë, as absoluten, as universalen, as saktësinë. Për ju, asgjë nuk është e sigurt, asgjë nuk është universale, asgjë nuk është e drejtë në vetvete. Gjithçka është relative, e ndryshueshme, variabël, si dallgë deti: drejtësia, bukuria, dinjiteti. Të mëtosh të kundërtën, ose të pranosh ide të sigurta, nocione universale, parime të drejtësisë së pandryshueshme, domethënë të kërkosh absoluten, domethënë ta korruptosh moralin; urtësia qëndron në marrjen e gjërave sipas rrethanave dhe pikëvështrimit që duket më i leverdishëm. Sot republikë, nesër monarki; një herë martesë dhe familje, herë tjetër dashuri e lirë; tani demokraci socialiste, diku më tej feudalizëm industrial dhe pronar; të krishterë në Mesjetë, protestantë me Luterin, deistë me Rusoin, maltusianë dhe spekulatorë në shekullin XIX. Kini pra guximin të flisni qartë, gjith’ nëse ia arrini ndonjë herë të keni qartësi; thoni atë që keni në zemër, në mënyrë që të mundemi t’ju gjykojmë.
Ajo që ju, zonjë, zbuloni tek unë dhe e cilësoni si absolute, është arsyeja, e vërteta, realiteti, drejtësia, siguria, mbarë morali, çdo ligj natyror e social; teksa relativi juaj qëndron te pirronizma2, te shkatërrimi i çdo arsyeje, i çdo shkence, i çdo morali, i çdo lirie. Për ju, për Enfantinin, që së bashku me dishepujt e tij e ka treguar, shoqëria është arbitrariteti në pushtet, spekulimi n'ekonomi, konkubinati (po përdor këtu termin më të butë) në familje, është prostituim i vetëdijeve, është shfrytëzim i besëtytnisë, i makutërisë dhe i çdo instinkti tjetër të keq njerëzor. Oh, fejtoni juaj prej 196 faqesh, që pak vetë e kanë lexuar, është një shenjë e kohërave! Ai na tregon se korruptimi ka rënë, përmes mendjes, zemrës, shqisave, deri tek gratë; nesër, do ta kenë radhën edhe më të rinjtë.

2) Tash që e kemi kapur pikën tuaj të fortë, madje pikën tuaj të dobët, mund të diskutojmë më mirë. Nuk jeni, ju dhe Enfantini aq fare pa logjikë: por është gjithaq e vërtetë se nuk ju kushton sforcim të madh të trurit, sepse bëhet fjalë për logjikën e konfuzionit, logjikën e kaosit, logjikën, siç thashë sakaq, të promiskuitetit. Me ju, zonjë, ne përparojmë me hapa të mëdhenj drejt pornokracisë.
Çdo e vërtetë bashkësore nënkupton harmoni, simetri, seri mes termash të ndryshëm, ose raport. Kur harmonia kriset, kur seria ndërpritet, nuk ka më raport; relativi nuk ekziston. Shkak tjetër i gabimit tuaj; disa qenie, disa bashkësi prodhohen nëpërmjet rritjes së vazhdueshme; kështu ndodh për qeniet e gjalla, kështu edhe për drejtësinë. Në atë logjikë krejt tuajën, ju mëtoni se skllavëria është më e mirë se antropofagia, shërbyesia më e mirë se skllavëria, proletariati më i mirë se shërbyesia, e kështu me radhë. Pra, konkludoni se skllavëria qenka relativisht pozitive, proletariati relativisht pozitiv; dhe, meqë nuk është e mundur të mbërrihet e përsosura, absolutja, gjithçka është relativisht pozitive dhe negative.
Por kjo është logjikë miopësh, njerëzish të deridikushëm ose që ngatërrojnë për dialektikë disa maksima konvencionale. E vërteta logjike, filozofike, e saktë, e rreptë, është krejt gjë tjetër. Ja, kjo e vërtetë: drejtësia, e vërtetë në vetvete në çdo pjesë të saj, zhvillohet progresivisht te njerëzimi. Në masën që ky proces vjen duke u realizuar, njerëzimi ngrihet përmbi gjendjen kafshërore, për të hyrë në gjendjen e shoqërisë dhe të drejtësisë. Nga kjo rrjedh që skllavëria, në vetvete, nuk është më e vërtetë, as e marrë më vete, as relativisht, se antropofagia: është, sikundër kjo tjetra, ende kafshëri; shërbyesía, proletariati, janë kafshëri, fatalizëm, progresivisht të reduktuara nga aksioni i lirisë dhe i drejtësisë.
Them po këtë gjë për zhvillimin e institucioneve politike e fetare. Kështu, skepticizmi juaj mbështetet vetëm mbi konfuzionin e ideve dhe mbi arbitraritetin e përkufizimeve tuaja: filozofia juaj, po jua përsëris, është kaos, është promiskuitet, ndërsa do t’jua vërtetoj menjëherë që është prostitucion. Ju flisni për relativitet, për të vërteta relative, duke ia kundërvënë këtë term absolutes. Por edhe këtu gaboheni, madje nuk dalloni gjë tjetër përpos konfuzionit. Çdo e vërtetë është e vërtetë, nga një këndvështrim i dyfishtë: në vetvete, e konsideruar individualisht; ndoshta si pjesë përbërëse ose kushtetuese e sistemit të gjërave, inteligjenca (inteligjenca, në kuptimin që i vjen prej 'intelligere')* e plotë e së cilës do të na pajiste, në fakt, me një aspekt t'absolutes.
Kështu, çdo pohim i Euklidit është i vërtetë në vetvete dhe pavarësisht tërë gjeometrisë, është i vërtetë si term i tërë serisë së gjeometrisë, e cila është po ashtu e vërtetë në tërësinë e saj. Teoria e baticave është e vërtetë, pavarësisht sistemit kopernikan. Qarkullimi i gjakut, sistemi i funksioneve ushqyese, janë fakte të vërteta në vetvete, pavarësisht nga çdo teori e riprodhimit: çka nuk i pengon ato të jenë të vërteta edhe në raportet e tyre me sistemin gjenerues, sistemin cerebral, e kështu me radhë. Ja se çfarë janë absolutja dhe relativja; dhe ju punoni me fantazi, duke ndjekur dritën e bishtukut, kur i kundërvini njëra me tjetrën: ato qëndrojnë së bashku, po edhe sikur të konsiderojmë se çdo ide, çdo fenomen, çdo qenie e krijuar, a e marrë veçmas, formon një të tërë, një universale, një absolute (shumë filozofë s’kanë asnjë ngurrim për ta përdorur këtë term), duhet të pranoni se absolutja dhe relativja janë prapë identike.
E vërteta, pra, zotëron një aspekt të dyfishtë: aspekti më i qartë është ai i relacionit, sepse kur njihet një pohim në vetvete, nuk njihet e vërteta në tërë shtrirjen e saj; prej saj dihet diçka, jo gjithçka. Nga kjo rrjedh se idetë e relacionit që, sipas mendimit tuaj, nuk janë të vërteta, janë përkundrazi më të mëdhatë nga të gjitha: kjo provon që ju i përdorni termat mbrapsht. Shkaku i gabimit tuaj, në këtë rast, është se e bëni gabimin, mos’harmoninë, anomalinë, sinonim të relatives, çka është përsëri një kundërsens.
Kështu, e gjithë metafizika juaj kaq krenare, kaq e shkujdesur, reduktohet në një mosdije të thellë jo vetëm të termave, por të raporteve dhe të nocioneve. Nuk e dini më se çfarë është absolutja dhe se çfarë është relativja; për ju, nuk ekzistojnë as saktësia, as realiteti, as universalet, as kategoritë: jeni si një idhull që ka sy, por nuk sheh, ka veshë, por nuk dëgjon, ka një intelekt por nuk dallon më as mbresa as raporte. Te kjo reduktohet forca spekulative e Enfantinit: mbase me këtë gjë ai ju ka joshur, ju e të gjitha ato tek të cilat prirjet mashkullore e kanë fshirë shqisën morale dhe kanë shkatërruar gjykimin e shëndoshë. Në gjithë këtë, Enfantini ka qenë një burrë i kohës së vet, ithtar i denjë i religjionit të kurmit, përfaqësues i atij shkatërrimi të parimeve, e asaj zhbërjeje të ndërgjegjeve, për të cilat mbretëria e Lui Filipit3 qe momenti përgatitor.

3) Tashti që zotërojmë çelësin e fshehtë të doktrinës suaj, mund t’ju ndjekim dhe t’ju ftillojmë. S’më shkon mendja t’ju bëj një kurs logjike: nuk është çasti e mandej nuk do të më kuptonit. Ju kam premtuar një autopsi, autopsinë e shpirtit tuaj; dëshiroj vetëm ta mbaj premtimin.
Nga çasti që e keni hedhur poshtë drejtësinë si absolute, cila do të jetë pika juaj e orientimit? Në fakt keni nevojë për një orientim në skepticizmin tuaj. Nuk po ju flas për parime, ju nuk do t’i njihnit ato: bash ato do t’ju çonin tek ideja universale, te siguria, tek ajo që e quani absolute. Ju duhet një ligj, më e pakta konvencional. Ky ligj i aftë për t’u orientuar, kjo dritë, pra, e ka emrin ideal. Por, konsekuente me veten tuaj, dua të them besnike ndaj errinive që ju mbështjellin, nguteni të mëtoni se ky ideal nuk ka asgjë absolute. Mbi këtë pikë e tërheq sërish vëmendjen tuaj, për t’ju treguar: 1) se nuk dini çka thoni, kur flisni për ideal; 2) që, edhe po e njohët, bini në gabimin më të rëndë, duke e bërë udhërrëfyese të arsyes suaj dhe zotin e zemrës suaj.
Në faqen 13 pohoni se «nuk është e vërtetë që ideali i shenjtërohet fatalisht absolutes». Dhe mbi këtë ju mënoni për të shpjeguar se si ju e merrni një ideal ad libitum*, ndo në veten tuaj, ndo në natyrë, pa i atribuar kurrë as mirësinë e pafundme, as përsosmërinë supreme, as ndonjë gjë që gjakon absoluten.
E gjithë kjo do të thotë se për ju, zonjë, që mëtoni se kultivoni idealin, ai në fakt nuk ekziston; ekzistojnë vetëm objekte që e tërheqin pak a shumë dëshirën, nepsin. Ideali, për çdo burrë që e kupton vetveten, është një fjalë me të cilën shprehet konformiteti i një qenieje me tipin e vet; që përdoret edhe në lidhje me atë aftësi të shpirtit, falë së cilës, - sikundër thashë qëparë,duke u nisur nga realiteti se të gjitha janë pak a shumë defektoze sipas Rafaelos - ne ngjitemi me mendim deri te modeli i përsosur që supozojmë se ekziston në mënyrë të pashmangshme në mendimin e natyrës krijuese, n'arsyen hyjnore. Në këtë kuptim ideali, gjë jo reale, por e rrokshme më së miri nëpërmjet intelektit, është një absolut, meqë bashkon të vërtetën, harmoninë, saktësinë, përpjesëtimin, forcën, bukurinë. Ne nuk mbërrijmë kurrë aty, kjo është e sigurt, por sillemi në bazë të tij, me përjashtim të të drejtave të drejtësisë, që këtu janë të rezervuara: bastardohemi, kur ndjekim diçka tjetër. Heqja dorë nga ideali është një shenjë e dekadencës sonë.
Në të kundërt, ju e mohoni a priori këtë ideal, e mohoni si absolut; absolut, në mendimin tuaj, është sinonimi i të vërtetës, ligjit, sigurisë. Për ju, e përsëris, nuk ka ideal; me këtë term, gishtoni gjithçka që ju pëlqen: gishtoni shëmtinë. Ideal është një term që duhet fshirë nga fjalori juaj, barazi me absolut, relativ, i sigurt, universal, sepse nuk dëshironi të thuhet asgjë, absolutisht asgjë për ju. Do duhej zëvendësuar me një term tjetër që quhet në latinisht libido, në frëngjisht 'fantaisie'4.
Në këtë terren, jeni në shoqërinë e shumëkujt, çka sigurisht nuk ju bën nder. Në letërsi, në poezi, në pikturë, në dramaturgji (është e kotë të citosh dancin), jemi në mes të shkollës së fantazisë, fjala e fundit e romantizmit; frytet i kemi para syve. E njëjta gjë ndodh në fushën e moralit, dhe rezultati është gjithmonë po ai: prostitucioni. A do e njihni veten aty? Lexoni fejtonet e Gotjesë5, gjithë atë masë romanesh, dramash, poeziçkash, që ilustrojnë epokën tonë.
Një nga efektet e këtij zëvendësimi të fantazisë me idealin, është fakti se nuk kemi më, në Francë, teori arti, madje nuk kemi më art; vepra shthurjeje, asgjë më shumë. Dikur, arti kishte për qëllim riprodhimin ndo të ideales, për aq sa mund ta zaptojë imagjinata nëpërmjet të dhënave t'inteligjencës, ndo të reales, por si antitezë ose shprehje pak a shumë e plotë e ideales. Shkolla e Rafaelos është eksponente e tendencës së parë; shkolla flaminge e së dytës. Këto dy qëllime të ndryshme të artit janë njësoj legjitime, sikundër janë komedia dhe tragjedia. Arti është në përshfaqjen sa të reales aq dhe të ideales. Antikët e njihnin këtë teori dyfishe. Sot, masa e artistëve dhe e letrarëve nuk njeh kurrë tjetër pos një gjëje, fantazisë dhe, nëpërmjet saj, largohet barabar nga realja dhe nga idealja. Në këto vepra nuk ka të vërtetë, nuk ka sipëráni: ka vetëm mall në modë, artikuj pornokracie.
Por nuk kemi mbaruar akoma. Ju vetëmashtroheni plotësisht mbi karakterin e ideales; pasi e keni mohuar si absolut, e bëni zotin tuaj, gjë që kuptohet mirë në një religjion pa parime, pa ligj, pa siguri, pa ide universale, pa njohje, pa drejtësi, pa zakone, në një shekull ku çdonjëra nga këto gjëra zëvendësohet nga fantazia, që implikon një inkoherencë, një kundërtí.
Në teorinë që u përpoqa të formuloj mbi progresin, kam shpjeguar sesi progresi e kishte fillin e vet te drejtësia; sesi, jashtë kësaj, çdo zhvillim tjetër politik, ekonomik, letrar, filozofik, bëhej subversiv dhe shthuranik; si idealja na qenkej dhënë për të na çuar te drejtësia; ndoshta më në fund, sikur po kjo ideale të merrej si rregull dhe qëllim i jetës, në vend që të ishte si ndihmëse dhe mbështetje e së drejtës, shumë shpejt do të sillte për shoqërinë dekadencë e vdekje. Me një fjalë, ia kam nënrenditur drejtësisë idealin, ideja e të cilit, nga këndvështrimi i arsyes spekulative, është më pak universal, ndjenja e të cilit, është më pak sociale se ajo e të drejtës.
Ju, përkundrazi, ia nënrenditni të drejtën idealit, sipas shembullit të politeistëve idhujtarë, dekadencën e të cilëve unë e kam ilustruar: në këtë jeni përsosmërisht dakord me artistët modernë bohémë, maksima e të cilëve, e dini shumë mirë, është arti për art. Mirëpo, ky parim shpie në gjithfarë përfundimesh, që sigurisht hynë në katekizmin tuaj: pushteti për pushtet, lufta për luftë, paraja për parà, dashuria për dashuri, kënaqësia për kënaqësi. Kur ju them, o zonjë, se të gjitha mendimet tuaja çojnë tek prostitucioni, se nuk keni në tru gjëkafshë tjetër - nuk them në zemër (ju që jeni gruaja e zotit L., që e konsideroj si shpëtimtarin, shëlbuesin, një Krisht tuajin) - përveçse prostitucionit, e gjitha kjo ndodh sepse i keni vënë veshin atij hipnotizuesit Enfantin!...
Shkolla e fantazisë, metafizikën absurde të së cilës ju na e jepni, pa e marrë vesh dhe thjesht për shkak të tronditjes së trurit dhe të sëmundjes së shpirtit tuaj, është vesi, pavdekësia, denigrimi politik, është pornokracia.
4) Më qortoni se ngatërroj vazhdimisht konkreten me abstrakten: në lidhje me këtë, ju e mohoni ekzistencën e kolektiviteteve dhe të atributeve të tyre. Mbi gjithë këtë do të kem nderin t’ju bëj të vini re, zonjë, se edhe më përpara se të më qortoni që i ngatërroj, do të duhej të ishit siguruar se dinit t’i dallonit ju vetë, gjë që, për fatin tuaj të keq, nuk është e vërtetë. Nocioni juaj i abstraktes është i pasaktë dhe akoma më tepër është ai që keni krijuar për konkreten.
Në vazhdën e nominalistëve të vjetër6, përsërisni se shoqëria është një fjalë, se nuk ekziston asnjë qenie sociale përmbi individin, burrë a grua; se çifti që formohet me bashkimin e tyre nuk është tjetër pos një krijim moral, jo një krijim real; që aq më tepër nuk mund t’i atribuohen, si një qenieje pozitive sui generis, disa cilësi, disa atribute dhe disa funksione (do të flasim më vonë) pro, kundër ose mbi individët, burrë dhe grua. «Në kuptimin e fenomenit, njeriu shoqëror nuk është asgjë. Nuk hyn në shqisat tona; por, i konsideruar në kuptimin abstrakt, ai është rezultati i cilësive specifike të burrit dhe atyre specifike të gruas»: këtë thotë mjeshtri dhe këtë përsërit nxënësja.
Ja një çështje tjetër. Pak më parë keni mohuar, nën emrin e absolutes, idetë universale, sigurinë; keni mohuar relativen, shkatërruar idealen, të cilën e keni zëvendësuar me fantazinë, duke eliminuar drejtësinë: dhe ja që tani mohoni kolektivitetet, ekzistencat e përgjithshme, pra idetë e përgjithshme, ligjet e përgjithshme, ose vetë natyrën e shoqërisë. Nga kaosi, biem në nihilizëm, nga pornokracia biem në vdekje. Është logjike, për aq sa është e mundshme të përdorësh sensin logjik në lidhje me errnitë, me vdekjen, me hiçin.
Një ide quhet abstrakte kur shërben me përshfaqë* një raport të thjeshtë, pavarësisht dhe madje me përjashtim të çdo realiteti. Numri 5, për shembull, është një ide abstrakte; numri 7 është një tjetër. Formula 5 x 5 = 25 është abstrakte, sikurse për të njëjtën arsye formula 7 x 7 = 49. Nëse, duke përgjithësuar akoma më shumë, i eliminoj numrat e veçantë 5, 7, 25, 49, dhe them A x B = C, formula do të jetë më abstrakte se dy të parat. Ekzistojnë ide abstrakte të çdo lloji, por ky shembull mund të mjaftojë.
Tashti, idetë e kolektivitetit, grupit, gjinisë, llojit, janë gjë tjetër kundrejt ideve abstrakte: janë madje diametralisht e kundërta. Të parat, sapo e kemi parë, e përjashtojnë idenë e materies; të dytat, përkundrazi, në thelb e presupozojnë. Kur shqiptoj numrin 5 ose shumëfishat e tij 25, 150, 250, 2.500, 25.000, e kështu me radhë, është e qartë se nuk nënkuptoj as njerëz, as kuaj, as pemë etj.; por kur them një koshere, një tufë, një komb, një pyll, është po aq e qartë se nënkuptoj bletë, kafshë, burra, pemë, cilido qoftë numri; pa këtë, fjalët koshere, tufë, pyll, komb, nuk do të kishin asnjë kuptim.
Ideja abstrakte dhe ideja kolektive, ideja e grupit, gjinisë dhe llojit, janë pra diametralisht të kundërta njëra nga tjetra: por ju, zonjë, dhe mjeshtri juaj Enfantin, nuk e keni pasur kurrë vëmendjen. Konfuzioni juaj kaotik do të kishte qenë i pamundur, sikur t’u kishte hyrë në mendje ky dallim, tekembramja fare i qartë. Por nuk mbaron me kaq.
Kolektivitetet, grupet, gjinitë, llojet, nuk janë stisje të kulluara të intelektit tonë, porse realitete reale sa dhe individualitetet, monadat apo molekulat, që i përbëjnë, dhe me të njëjtin tagër me këto të fundit. Vërtèt çfarë është një pemë, apo një njeri, apo një insekt? Një qenie e formuar nga pjesë në raport me njëra-tjetrën, që prodhojnë, me këtë raport, një njësi të një rendi sipëran, të cilit i jepet emri njeri, pemë, insekt. Qenie të thjeshta, nuk njohim: për ne, kjo është absolutja, absolutja që ju e mohoni, zonjë. Tani, një komb, një shoqëri, një koshere, një shkëmb, një mineral, një gaz, një pyll, të gjitha rendet, gjinitë dhe llojet e bimëve dhe kafshëve, formojnë njësi rendi superior, ekzistenca pozitive, të përbëra nga raporti mes njësive inferiore dhe që kanë veti, cilësi, aftësi të veçanta. E kam trajtuar në shumë raste këtë argument, prandaj e quaj veten të falur që të mos ndalem prapë mbi ’të.
Në thelb, ne njohim, rrokim, shohim, prekim, e masim vetëm kolektivitete, grupe, vëllime, konglomerate: njësia elementare nuk kapet kurrë. Realja është e shumëfishta, seria, sinteza; abstraktja, absolutja, është atomi. Si ndodh pra, zonjë, që duke kërkuar realen, konkreten, idealen, madje duke iu arratisur absolutes, në filozofinë tuaj ju gaboni vazhdimisht adresë, duke e marrë gjithmonë absoluten për relative, konkreten për abstrakte dhe e kundërta? Si ia bëni që nuk e dalloni se ajo çka, për inteligjencën tonë, i bën reale qeniet, është raporti mes pjesëve të tyre; se, pra, duke qenë burri dhe gruaja përplotësues njëri me tjetrin, siç janë pjesët e trupit njerëzor, burri dhe gruaja formojnë me bashkimin e tyre një organizëm shumë pozitiv, shumë real, shumë konkret, aspak abstrakt, por të një rendi superior; dhe se ndodh absolutisht e njëjta gjë në lidhje me familjen, qytetin, kombin?
Për njëfarë periudhe, shpirti njerëzor ka ngurruar mbi këtë pikë: një dokument i qartë i kësaj është lufta e realistëve dhe e nominalistëve. Duhet një shkallë vëmendjeje më e madhe për të perceptuar raportin e pjesëve të ndara, nganjëherë shumë të largëta, sesa për të rrokur atë të gjymtyrëve të një trupi të gjallë: kjo dobësi perceptimi është një nga tiparet që karakterizojnë fëmijërinë e shpirtit njerëzor, intelektin e fëmijëve dhe të grave. Është dashur teoria e Njutonit për të kuptuar se sistemi planetar është pa dyshim një gjë unike, siç janë dielli dhe secili nga planetët.
A doni ta shikoni tani se ku çon ngatërrimi mes ideve abstrakte dhe ideve të përgjithshme, dhe mohimi juaj i realitetit të ekzistencave kolektive? Do t’jua shpjegoj në dy fjalë. Për mua, shoqëria njerëzore është një qenie reale, me të njëjtin tagër si njeriu, që bën pjesë tek ajo. Kjo qenie, e përbërë nga njerëz, por që nuk është e njëjta gjë si disa njerëz, ka jetën e vet, fuqinë e tij, atributet, arsyen, ndërgjegjen, pasionet e veta. Diçka kam përmendur në studimet e mia IV dhe VI7. Pra ajo ka edhe ligjet e veta, ligje dhe relacione që na i zbulon vëzhgimi dhe që vetëdija organike dhe psikologjike e individit, e vetme, nuk do të ishte në gjendje ta tregonte. Nga kjo rrjedh, sipas meje, një botë e tërë relacionesh, tërësia e të cilave formon atë që quaj e drejta publike, e drejta ekonomike, e drejta e njerëzve; njëlloj sikurse rrjedh morali privat dhe individual, prej studimit të aftësive të njeriut,. Në të kundërt, për ju, që shihni te shoqëria vetëm se një abstragim, që për pasojë nuk i njihni as atribute, as funksione, as relacione, pra asgjë nga gjithë çka përbën ekzistencën e jetën, qenia sociale nuk është tjetër pos rezultati i relacioneve që ju japin individët, relacione, sipas jush, e në thelb të shndërrueshme e të ndryshueshme. Nuk paska kushtetutë të shoqërisë, nuk paska të drejtë ndërkombëtare, nuk paska sistem ekonomik: gjithçka u mbaka nga fantazia, në raport me rrethanat dhe sipas urtësisë së atyre që nga rasti, nga teka e masës, nga korrupsioni ose nga forca janë paracaktuar për të menaxhuar interesat e përgjithshme. Citoj atë që ju pohoni në faqen 173: «Shoqëria nuk është një autoritet sui generis, një fuqi e jashtme; nuk zotëron një sferë që është tamam e saja; ajo është mjedisi ku funksionojnë qeniet shoqërore, sikundër eteri është mjedisi ku sferat qiellore kryejnë rrotullimin e tyre».
Për disa centralizues, shoqëria ose Shteti është gjithçka; individi është asgjë; e para e përthith të dytin. Për ju, shoqëria është asgjë, ekziston vetëm individi, mashkull apo femër; shoqëria është një skaj që shërben për të përvijuar tërësinë e relacioneve të individëve mes tyre (a thua se disa individë munden që të mbajnë raporte, e jo përkundrazi të krijojnë, ipso facto, një tërësi konkrete, një realitet sipëran që i shkapërcen!). Të parët përfundojnë në komunizëm, që është e njëjta gjë me despotizmin; të tjerët në anarki ose në fantazi; por meqë fantazia dhe anarkia janë nga natyra të papraktikueshme, është e pashmangshme për këta nominalistë të përdorin forcën: kështu, duke u nisur nga dy skaje të horizontit, mbërrihet tek tirania.
Gjithmonë lëmsh, gjithmonë promiskuitet i qeverisur nga qejfet, nga idealizmi i epsheve, i mbështetur nga nevoja e forcës. A e keni të qartë, zonjë? Mjeshtri juaj Enfantin nuk do ta kishte guximin për ta mbështetur sot sistemin komunist, kundër të cilit opinioni publik është prononcuar përfundimisht. Por është e qartë se, duke mohuar realitetin e Qenies shoqërore, duke pranuar vetëm një drejtësi të ndryshueshme dhe arbitrare, të nënrenditur ndaj idealit, ose ndaj fantazisë së qejfeve, ai bie përfundimisht në komunizëm, në një promiskuitet, në një pornokraci të përgjithshme. Ky citim i fundit do ta tregojë menjëherë.

5) Librushka juaj mbaron me një seri pyetjesh dhe përgjigjesh, që ju e keni titulluar «Përmbledhje sintetike». Ky term, sintetik, vendoset këtu qëllimisht, për të kundërvënë sintezën e Enfantinit me antinominë time, që në disa pika ju e keni tallur për bukuri. E deklaroni ju vetë, në faqen 152: «Gabimi themelor i Prudonit qëndron në faktin se ka dashur t’i studiojë dy termat në raportet e tyre, pa dashur t’i referojë këto raporte ndaj një termi të tretë, që ua vendos shprehjen dhe domethënien reale».
Konceptim ky prej Enfantini të kulluar. E gjora grua! Si e keni pasur guximin ta fusni veten në atë diskutim trinitar, kur Enfantini e ka kapërcyer me njëqind kut qesharaken, sakaq kolosale, të vetë atit të triadës, të mirit dhe të ndershmit Pierre Leroux (Pjer Lëru)8? E përsëris, i mirë dhe i ndershëm, pavarësisht sarkazmave të vogla që Lëru i ka lejuar vetes kundër meje: kafshon keq e përdreq; i mungojnë dhëmbët.
A është e nevojshme mbase që unë t’ju tregoj, zonjë, për t’i marrë hakun asaj filozofie që ju tallni kaq përçudnisht, se kryeprifti juaj ju ka çuar mjerisht në gabim me sintezën e tij të ashtuquajtur; se dialektika e tij është një karikaturë e asaj të Hegelit; se antinomia nuk zgjidhet; se termat e kundërvënë thjesht kompensojnë shoqi-shoqin; se ekuilibri mes tyre nuk lind nga ndërhyrja e një termi të tretë, por nga veprimi i tyre i ndërsjellë; se asnjë fuqi nuk do të dinte t’ia fiksonte vlerën; se ky përcaktim është një konvencion i kambistëve i aplikueshëm vetëm ndaj aftësisë së tyre të shkëmbimit; se në këtë mënyrë nuk ekziston njësi natyrore ose kampion peshe, mase, vlere dhe se ajo që tregohet me këtë emër nuk është tjetër pos një konvencion i kulluar; se teoria juaj bankare është ajo e spekulimit, e kështu me radhë? Do të ishte një procedim fort i gjatë, që nuk do të ishit në gjendje as ta kuptonit. Parapëlqej të procedoj me shembuj, duke e lënë pas dore demonstrimin: do të jetë më zbavitëse për ju, do t’ju godasë në masë më të madhe, do të prodhojë efekte më të mira. Është me të vërtetë interesante: do të shihni sesi Enfantini mbërrin, nëpërmjet sintezës, ose Triadës, tek pornokracia.
Më kujtohet se një ditë, në 1848n, në një mbledhje ku po ekspozoja parimet e Bankës së Popullit9, Pier Lëru u përpoq ta hidhte poshtë sistemin tim, duke vëzhguar se ato parime kundërshtonin, nga a-ja te z-ja, ligjet e Triadës. Durimhumbur, desha ti vija në dukje filozofit se Triada, në fushën e financës dhe të skontos, ishte e papërdorshme, meqë këtu, sikurse në kontabilitet, gjithçka rrotullohet përreth dy termave të vetëm: jep e merr, aktiv dhe pasiv, shitje dhe blerje, konsum dhe prodhim, e me radhë. “Ekonomia juaj politike, bërtiti Lëru, është e rreme; kontabiliteti juaj është i rremë; unë ju them, në emër të Triadës, se mbajtja e librave kontabël duhet bërë në parti trefishe, jo në parti dyfishe, çka është absurde!”. Në këtë çast, Lëru dukej në pikën për të akuzuar në regjistrat në parti dyfishe përgjegjësit e lindjes dhe mjerimit të proletariatit.
Mënyra sesi e nënkupton dhe e praktikon Enfantini sintezën është saktësisht identike me atë të Lërusë; nuk e kuptoj sesi këta dy reformatorë kanë mundur të grinden. Me mendue është si me peshue, mëton Enfantini. E dimë qysh nga kohët e kolegjit10; por meqë peshimi është vetëm një formë krahasimi, mund të pohojmë, sikur te mendimi të mos hynte asgjë më shumë se krahasimi, se me mendue është si me krahasue; formula do të ishte më e përgjithshme, pra dhe më e mirë.
Veprimi i të krahasuarit ose i të përshkuarit implikon dy terma. Nuk mund të krahasohet asgjë me asgjë; është një aksiomë logjike. Enfantini amà nuk kënaqet me dy terma, dëshiron tri. Mund t’i bëjmë rixhà katër, njëqind, njëmijë, sepse rezultati i krahasimit del aq më i madh sa më shumë që ajo është bazuar mbi një numër të madh objektesh. Por këtu bëhet fjalë për një operacion logjike elementare, që duhet reduktuar për pasojë në shprehjen e saj më të thjeshtë të mundshme. Pyesim veten, pra, nëse krahasimi implikon të paktën tri terma apo vetëm dy.
Enfantini merr si shembull peshoren. Nëpërmjet zëdhënësit të tij, zonjës J.L., ai pohon (faqja 153): “Duke krahasuar në raportet e peshës dy trupa të rëndë, janë pikërisht dy pjatat e peshores që shënojnë peshën më të madhe apo më të vogël; por, për të përcaktuar ndryshimin, për ta shprehur dhe për ta konvertuar në substancë, është i nevojshëm një kriter rëndese që bën pjesë te peshorja ose që i shtohet në çastin e operacionit (sikurse peshat), por që, në normën e tij unitare, të jetë parak dhe epran ndaj faktit të peshimit, ndërkohë që i duhet të lidhet me ligjin e përgjithshëm të gravitetit. Në këtë operacion, keni nënshtruar një fenomen nga ligji i tij vetjak, e keni kthyer në unitet; keni krahasuar dy gjëra mes tyre në lidhje me një ligj të përgjithshëm, duke formuluar kështu një fakt të ri. E pra, në të njëjtën mënyrë procedon intelekti juaj; vetëm intelekti ynë, që është i gjallë, është njëherit agjenti dhe instrumenti i operacionit. Sikurse peshorja, ai ka dy pjatat e tij dhe një masë të vetën”.
Nuk kuptoni asgjë prej kësaj gjuhe të çuditshme, apo jo, zonjë? As unë. Mundem sall t’iu garantoj, të paktën, se termi i tretë është një ré që ekziston vetëm në trurin e Enfantinit; kaq është e gjitha. Peshorja, për shembull, është një aplikim i një ligji që e ka modelin e vet në sistemin planetar. Toka dhe hëna, në këtë rast, duke tërhequr njëra-tjetrën, duke peshuar njëra mbi tjetrën, balancohen, formojnë një peshore. Këtu nuk ekziston një term i tretë; sikur dielli dhe të gjithë planetët e tjerë të mos ekzistonin, asgjëmangut, mes tokës dhe hënës fenomeni do të vazhdonte të prodhohej. Në peshoren që përdor komshiu juaj, bakalli, gjithçka ndodh në të njëjtën mënyrë: dy objektet masat e të cilëve krahasohen, balancohen mes tyre si toka dhe hëna; kaq është e gjitha. Vetëmse, meqë operacioni ndodh mbi sipërfaqen e tokës, që tërheq tek vetja objektet e sipërpërmendura, duke shkatërruar, si me thanë, me tërheqjen e vet eprane tërheqjen e tyre të ndërsjellë, vendosemi mbi pjatat e një peshoreje dhe gjykohet atëbotë, për krahasim, cila peshon më tepër, jo mbi tjetrën, por mbi tokën që i mban të dyja. Fenomeni është bërë më i komplikuar, siç shihet, por nuk është më pak dualist në formën e vet elementare; provë e kësaj është fakti se në peshim abstragohet toka, tërheqja e të cilës ka ndryshuar formën e përvojës.
Ajo çka në këtë rast ju mashtron, zonjë dhe mashtron gjithashtu Enfantinin, është se kur tregtari e peshon mallin e tij, nuk e krahason me sendin e parë që i vjen ndoresh: për këtë i duhet një peshë, mbi të cilën është vendosur një vulë e Shtetit, që ka shumëfishe dhe nën-shumëfishe, me të cilën është rënë dakord që të raportohej masa e çdo sendi. Kështu, në vend që të themi se një pulë vlen baras me peshën e një lepuri, me shumë duzina vezë, me shumë kokrra grurë, thuhet se peshon kaq e aq kilogram (kilogrami apo decimetër kubi i marrë si njësi është fuqia e tretë e Enfantinit); por bëhet fjalë vetëm për një konvencion të zëvendësueshëm me po aq konvencione të ngjashme, sa ç’janë edhe trupat e rëndë, të matshëm dhe të krahasueshëm që ekzistojnë në natyrë; pra, kthehemi gjithmonë të përsërisim se veprimi i peshimit ose i krahasimit është i dyfishtë, implikon dy terma, as më shumë e as më pak. Ta bësh kilogramin apo decimetrin kub të ujit të distiluar në një temperaturë prej zero gradë rregulluesin dhe prototipin e peshores, është në rregull për praktikën komerciale, por nuk mund të thuhet asgjë në filozofi dhe në ekonomi politike: është një naivitet fëmijëror nën moshën shtatë vjeç.
Sikurse mbi peshën Enfantini arsyeton edhe mbi shkëmbimin, mbi monedhën, mbi bankën. Në mënyrën e tij të të pamit, edhe krahasimi i vlerave implikon tri skaje: dy objekte të ndryshme që krahasohen, për shembull një kapelë dhe një palë çizme dhe një të tretë që shpreh çmimin, monedha. Por edhe në këtë rast, është e qartë se monedha, sikundër kilogrami, është një shenjë konvencionale, e zgjedhur mes të gjitha mallrave për lehtësinë dhe shpejtësinë e transaksioneve; nuk ka tri terma, ekzistojnë vetëm dy: analiza ekonomike nuk ka më asgjë për t’i shtuar këtij qëllimi.
Mjaftojnë, këta shembuj, për të treguar logjikën e veçantë të Enfantinit. Kalojmë tani tek aplikimet, që janë me të vërtetë të çuditshme: filozofia sintetike e Enfantinit mund të emërtohet filozofia e ndërmjetësit. Në veprimet e peshimit, për shembull, nuk janë të mjaftueshme, mëton ai, dy pjatat e peshores: duhet pesha - shprehje e njësisë së peshës. Kjo përcaktohet nga Shteti, organ i ligjit të përgjithshëm dhe mbi bazën e saj dy trupat e vendosur mbi peshore krahasohen dhe vlerësohen në çmim. Shteti, shpikësi i peshave dhe i masave, rezulton pra si ndërmjetës i detyrueshëm i çdo peshimi: vetë peshimi, në disa raste, ishte një funksion publik dhe peshorja ishte një instrument publik për të cilin paguhej një e drejtë e caktuar. Mbesin akoma sot disa gjurmë. Nga ana ime, pohoj se e gjithë kjo është një stisje dhe se asgjë s’duhet paguar.
Kështu për shkëmbimin: «Në operacionin e shkëmbimit - mëton Enfantini gjithmonë nëpërmjet penës së zonjës J. L. (faqja 158) - nuk mjaftojnë dy fuqi individuale, shitësi dhe blerësi, duhet një e tretë që, duke përvendosur vlerën, të përcaktojë unitetin mes pjesëve dhe të lidhë faktin e veçantë të shkëmbimit në një ligj të përgjithshëm të riprodhuar në rendin shoqëror. Kjo fuqi e tretë përfaqëson pra ndërhyrjen e shoqërisë: instrumenti i saj është monedha».
Prej këtu, siç thamë më parë, rrjedh një e drejtë që shoqëria vjel mbi shitjet dhe mbi blerjet, e drejta e qarkullimit, e ushtrimit, e licencës. Mbretërit e lashtë të Francës arrinin të mëtonin se monedha ishte vetëm një shenjë, madje s’e kishin të drejtën për t’i dhënë me një çmim të kalibrit të 1 frange vlerën e 5, 10, 50 frangave; bëheshin falsifikues monedhash.
Unë mëtoj, përkundrazi, se monedha është një çështje konvencioni të thjeshtë, një mënyrë për ta bërë më të shpejtë shumësinë e shkëmbimeve; se, në fund, produktet shkëmbehen kundrejt produkteve; se vetë monedha është thjesht një produkt, pavarësisht privilegjit që gëzon; që, siç ndodhte kaq mirë në shoqëritë primitive, akoma sot mund të bëhet pa ‘të; që, në çdo rast, tregtia është për nga natyra falas dhe nuk duhet t’i paguajë të drejta askujt.
E njëjta gjë për Bankën. Këtu, duke mbrojtur sintezën e vet, Enfantini lufton për altarin e tij, për vatrën e tij. Meqë tek operacioni i peshimit ndërhyrja e një të termi të tretë është e nevojshme dhe e njëjta gjë ndodh te shkëmbimi, e njëjta gjë do të ndodhë edhe në operacionet e kreditimit, që janë thjesht një aplikim më i komplikuar i përdorimit të monedhës dhe shkëmbimit. Edhe në lidhje me këtë do të jetë e nevojshme ndërhyrja e një termi të tretë: Banka e Francës, e autorizuar nga Shteti, shoqëria e Kreditit fondiar dhe mobiliar, njësoj të autorizuara, agjentë të privilegjuar shkëmbimi e kështu me radhë. Për të gjitha këto shërbime, do të vilet një e drejtë: skontoja, ose mita, ose kurtazhi, ose interesi; të gjitha këto skaje shprehin nuancat e një gjëje të vetme dhe unike: të drejtën e ndërhyrjes.
Unë them, në të kundërt, se institucioni i një Banke sociale nuk ka asnjë nevojë për ndërhyrjen e një fuqie të tretë; që kjo fuqi e tretë është thjesht një stisje; se Shteti nuk përfaqëson gjë tjetër, në këtë rast, përpos ndihmës së ndërsjellë të qytetarëve, që në zanafillë nuk presupozon mëse dy terma, sikundër vetë kontabiliteti, debit dhe kredit, huadhënës dhe debitor; se në këtë mënyrë organizohet krediti mutual, që ka shumë shembuj në Belgjikë; dhe se, për pasojë, krediti njësoj si tregtia mund dhe duhet të ushtrohet një ditë pa kanun tjetër përpos shpenzimeve të operacionit.
Dihet si ka operuar, në këto vitet e fundit, shkolla sensimoniane. Këta apostuj që duhet ta anulojnë proletariatin dhe të shëndoshin mjerimin, kur i ka ardhur radha, pas 2 dhjetorit, që t’u pranohen shërbimet, kanë kryer një lëvizje të pamasë kapitalesh dhe, si ndërmjetës krediti, kanë filluar të përvetësojnë, qysh para çdo prodhimi efektiv, përfitime të pamasa. Nderi i apostullatit do të kishte kërkuar në radhë të parë që ata ta bënin më të pasur masën, duke ruajtur për vete pjesën e fundit, sikundër gjatë tërheqjes gjenerali i armatës mbahet në rresht të fundit dhe sikundër, në mbytje, kapiteni është i fundit që e lë anijen. Enfantini dhe sintetistët kanë marrë kurtazhet e tyre, ndërsa janë të gjithë milionerë. Franca a mos është bërë vallë më e pasur? Pyetja e plebenjve, rrogat e të cilëve sigurisht nuk janë rritur në përpjesëtimin e rritjes së çmimeve të produkteve; po pyes borgjezinë e vogël, të rrënuar në tre të katërtat. Vetëm shërbimet falas mund ta çojnë sot prapë në Francë mirëqenien, lirinë, barazinë: por kjo është saktësisht e kundërta e asaj që na mëson Enfantini.
Vini re se, duke kujtuar këto fakte, nuk e vë në dyshim mosinteresimin e Enfantinit: një herë për të gjitha, zonjë, ju përsëris se i çmoj burrat dhe gratë shumë më të mira nga sa duken.
Enfantini është shumë i bindur për nevojën e një parimi autoriteti. Ai beson në fuqinë absolute të Shtetit dhe në hierarkinë sociale. Beson se fuqia sociale, ajo fuqi sintetike që është në bazën e metafizikës së tij, është pararendëse dhe sipërane ndaj termave që përbashkon; dhe se, për pasojë, kjo ekzistencë është e saktë dhe kalon para gjithçkaje. Prandaj, meqë nuk dëshpërohet për t’u bërë papa suprem dhe të konvertojë kah doktrinat e veta tërë botën, duhet thënë se, për të kushtetuar priftërinë e re, paraja ishte e domosdoshme, sepse me paranë do të kishte ardhur pushteti: dhe atëherë është përshpejtuar, me dishepujt e tij, të vërë pará. Skrupuj ka pasur shumë pak, edhe ngaqë mënyra sesi vinte pará, me miqtë e tij, ishte një aplikim i metafizikës vetanake; në linjë principi dhe në praktikë, është gjykuar i paqortueshëm. Oh, e njoh mirë, Enfantinin tim; mes nesh, s’ka shpifje, s’ka zili, s’ka sharje; vetëm, luftë për vdekje!
Ja se në çfarë qëndron filozofia e Enfantinit: sipas logjikës, quhet realizimi i një abstraksioni, i një konvencioni, pra krijimi i një ndajvënieje, që nuk është e ndryshme, në politikë, meqë dikur quhej e drejtë hyjnore dhe, në moral, priftëri. Kështu, Enfantini na del thelbësisht legjitimist dhe priftëror, pavarësisht revolucionit të ’89s, njeriu është zot i vetes, promotor, princ, gjykatës, prift; kam shpjeguar herë të tjera, me teorinë e punës, për shkëmbimin e për kreditin, se si nëpërmjet ndihmës së ndërsjellë ai ishte edhe huadhënësi i vetes, bashkëortak, padron, punëtor, shërbyes.
Enfantini nuk e kupton kështu: në të gjithë këto raste, ai shfaq një ndërmjetës, një fuqi të tretë, që shkatërron lirinë, barazinë dhe autonominë; ngel fikse dhe e drejta për t’u paguar për këtë ndërhyrje të vazhdueshme nuk harrohet kurrë. Çfarë është, sipas tij, gjykatësi? Një ndërmjetës epran që vendos të drejtën e palëve, interpreton ujditë e tyre, madje dikur për këtë punë merrte peshqesh. Unë pohoj se gjykatësi i përfton pushtetet e tij nga palët që i drejtohen atij, se çdo njeri është i aftë të jetë gjykatës dhe se funksioni i magjistratit, në fund, është ai i një dëshmitari; asgjë më shumë.
Anglia, Amerika, Belgjika, Zvicra, e kështu me radhë, afirmojnë self-governmentin, dhe e provojnë tezën e tyre me një aplikim nga më të arrirët. Ligji, thonë këto kombe, është shprehja e vullnetit të përgjithshëm: për t’u shpërfaqur ka nevojë vetëm për një debat kontradiktor, për një votim, e paskëtaj vihet në zbatim nga qeveria. Nuk është i nevojshëm, për këtë gjë, asnjë autoritet i ndërmjetëm. Të njëjtën gjë ka thënë revolucioni i ‘89s: ndaj kushtetutat e ndryshme të quajtura monarki që kanë dalë, kanë dashur që mbreti, drejtori apo presidenti, të ishte thjesht i ngarkuar për të ushtruar ligjin dhe personi i kërkuar me këtë qëllim nga formimi i qeverisë; jo autori i saj, por shpalosësi i saj!
Disa parti, të shtyra nga kujtime të largëta, janë rrekur ta rrisin pushtetin vetjak të mbretit, prerogativat e kurorës, ta ribëjnë pra, mbretin kushtetues një ndërmjetës në kuptimin që ka dashur Enfantini dhe ancien régime*. Por kjo përpjekje mandej u neutralizua; është e kotë tani t’ia përkujtojmë motivet. Është thënë se Franca nuk e rrënjëzon fiksionin e papërgjegjësisë, atë të princit; sigurisht, nëse princi del nga atributet e tij. Por akoma nuk kemi pasur shembull të një qeverie që të mbyllej në atributet e saj ligjore; të gjithë duan të bëjnë ligjin; të gjithë bëhen autoritete. Shihet se Enfantini dhe shkolla e tij nuk janë bash liberalë.
Në lidhje me punën, gjejmë prapë të njëjtën metodë. Enfantini shpjegon në këto terma maksimën sensimoniane «secilit sipas aftësisë së tij, secilës aftësi sipas veprave të saj»: kush do ta gjykojë, pyesim, aftësinë? Kush do ta gjykojë veprën? Jo individi i aftë; jo prodhuesi, që është i interesuar ta ekzagjerojë meritën e vet; jo ai që e paguan, i interesuar ta ulë. Atëherë duhet një fuqi e tretë, interpretuese dhe organ i ligjit të përgjithshëm, që shpërndan funksionet dhe shpërblesat, që i cakton rolet dhe atitudat. Kjo ndodhte në Ménilmontant11?
Dhe ja tani goditja përfundimtare. Katolicizmi, religjion i së drejtës hyjnore, që pohon nevojën e një priftërie, që priftin e bën një ndërmjetës mes ndërgjegjes së njeriut dhe lirisë së tij, gjykatësin një ndërmjetës mes palëve, bankierin një ndërmjetës të shkëmbimit, princin një ndërmjetës mes çdo relate sociale dhe politike, e pra, as katolicizmi nuk ishte shtyrë kurrë deri sa të supozonte ekzistencën e një ndërmjetësi të martesës. Prifti u jepte bekimin të martuarve, por i linte të lirë të zgjidheshin mesveti; nuk shfaqej fare në bashkim. E njëjta gjë ndodh me nëpunësin bashkiak të ngarkuar për martesën civile, që pret deklaratën e të martuarve dhe e regjistron, në mënyrë që të gjithë të dinë se filani e filania janë burrë e grua.
Enfantini nuk e ka këtë rezervim. Burri dhe gruaja, thuhet aty, janë dy termat e parë t'ekuacionit. Por ku është fuqia e tretë që do t’i bashkojë? Kjo fuqi, thuhet aty, është prapë shoqëria, pra princi a papa, depozitar i fuqive të saj. Jo vetëm, pra, që ky ndërmjetës konstaton bashkimin, por edhe formën: është ai që gjykon, në teorinë enfantiniane, pëlqimin e të martuarve, afinitetin e tyre të ndërsjellë; është ai, me një fjalë, që u shpërndan burrave gratë, grave burrat, sipas dijes së saktë që ka për simpatitë dhe antipatitë e tyre; është ai, mandej, që shqipton ndarjen e tyre, kur shteret dashuria e ndërsjellë, dhe që përvendos lidhjet e reja; pra, është prifti androgjin, që bën e zhbën bashkimet dashurore dhe ua përcakton kohëzgjatjen. Meqë gjithçka është relative; meqë ideali ndryshon, le të mos e harrojmë; dhe meqë, në fund, dashuria është e lirë.
Tashti, nëse supozohet se në këtë rast, si tek rastet e bankës, politikës e kështu me radhë, ndërmjetësi ka të drejtë për një taksë, po ju lë vend të mendoni se çfarë mund të bëhet nga një ndërhyrje e tillë. Deri më tash, kemi jetuar në pornokraci; çfarë emri do t’i jepnit tani këtij princi-papë të ngarkuar për të siguruar gra e burra? Çfarë mendoni për këtë sintezë? A e ka ajo një emër në gjuhën e prostitucionit.
Po ndalem këtu; kam thënë sa mjafton që kushdo që të lexojë këto faqe të mund ta kuptojë se metafizika juaj, se metafizika e Enfantinit, është veçse konfuzion, lëmsh, kaos, realizim abstragimesh dhe mohimesh realiteti; se ju nuk e kuptoni domethënien e fjalëve: abstrakt, konkret, absolut, relativ, siguri, e vërtetë, universal, ligj, tezë, antitezë dhe sintezë, ideal, drejtësi, progres; se e gjithë filozofia juaj reduktohet tek një promiskuitet nocionesh, dhe se ky promiskuitet ju shpie tek fantazia e kulluar, në drejtësi, në shkencë, n'art dhe në zakone, tek arbitrariteti në qeverisje, te spekullimi në afera, te mitmarrja në drejtësi, te prostitucioni dhe tek sekserizmi në dashuri; për ta thënë të gjithën me një fjalë të vetme, te pornokracia.
Çfarë nevoje kam, pas gjithë kësaj, t’i përgjigjem kritikave tuaja mbi teorinë time të martesës? Vërejtjet tuaja janë pasoja të pastishit intelektual për të cilin shquheni; a mund t’i përgjigjem vallë një personi që nuk e kupton veten, dhe që mëson konfuzionizmin?
E mohoni se çifti bashkëshortor është organi juridik, elementi primitiv i shoqërisë njerëzore që jepet dhe përvendoset në zanafillë nga natyra: kjo kuptohet; ju nuk do ta njihnit drejtësinë; kjo për ju nuk është përpos se një ide e ndryshueshme dhe që, për t’u bërë diçka, ka nevojë për një fuqi, Zotin, princin, ose papën, që ta bëjë të mbizotërojë. Për sa i takon çiftit bashkëshortor, gjithë duke e njohur, ia mohoni realitetin kolektiv, sepse intelekti juaj nuk i rrok ekzistencat kolektive dhe e bëni atë një makinë dashurore.
Është e thjeshtë, ju mohoni pazgjidhshmërinë e martesës, që sipas meje i bie të jetë e kundërta, çprejse shpreh rregullin themeltar zanafillor të ndërgjegjes. Zotimet? janë një simbol i martesës: kur njeriu e kupton veten, nuk duhet të përdorë më simbole. Sipas jush, në të kundërt, drejtësia nuk është tjetër pos një raport i ndryshueshëm; ajo i nënrenditet idealit, që në radhën e vet është i ndryshueshëm; nga ana tjetër martesa, ose më thjesht bashkimi i dy sekseve, është organi i dashurisë, asaj ideale dhe më të fuqishme, por gjithmonë të ndryshueshme, i epshëm për t’u rritur a për t’u zvogëluar. Si do të mundnit ta pajtonit këtë pazgjidhshmëri? Në lidhje me këtë, bëni këtë arsyetim të çuditshëm: Shteti i ka anuluar zotimet e përhershme. Mirëpo martesa e pazgjidhshme është një zotim i përhershëm, që çdokush mund ta bëjë sipas qejfit të vet, por që Shteti nuk duhet ta njohë më. Por ju nuk e vini re se votat e përhershme, në religjion, janë themeluar pikërisht mbi shembullin e martesës, që është e përhershme!
E refuzoni familjen dhe ky është një diskurs akoma më i thjeshtë. Sepse të martuarit nuk bashkohen, nën ligjin e përkushtimit, për praktikimin, realizimin dhe përhapjen e të drejtës; ata nuk do formojnë një krijim juridik, të destinuar për tu rritur me lindjen e bijëve dhe më vonë me martesën e tyre. Është një shoqëri e dashurisë, e dominuar nga një fuqi e tretë që fut hundët mes burrit dhe gruas, të cilës mund t’i besohet momentalisht edukimi i bijve që prodhon, por që mbi këta bij, që varen nga fuqia e tretë akoma më shumë se nga prindërit e tyre, nuk ka asnjë të drejtë drejtësie apo prone.
Ju refuzoni trashëgiminë: është e natyrshme, meqë nuk njihni as vlerën juridike të martesës, as atë të familjes, as të bijve, as vlerën e atësisë dhe prejardhjes dhe meqë çdo pronë, çdo punë, çdo pasuri, zbulokërkan, sipas jush, një pushtet të tretë, pararendës dhe epran ndaj njeriut, ndaj qytetarit, ndaj punëtorit, ndaj pronarit. Unë, që synoj ta eliminoj gjithmonë e më shumë aksionin e qeverisë, e gjej logjike, natyrore, morale, që të mirat të transmetohen nga i ati tek i biri, pa asnjë formë tjetër procesi; preferoj t'ekspozohem ndaj gabimeve të natyrës më shumë sesa ndaj arbitritaritetit të një administrimi. Kurse ju, që gjithçka e merrni në konsideratë nga lart, në bazë të maksimës secilit sipas aftësisë së vet, ju bëni të ndërhyjë paprâ autoriteti publik ose krerikal, gjykatës i aftësisë dhe i veprave.
Për faktin që burri dhe gruaja, njëri shumë i fortë, tjetra e bukur, janë ekuivalentë në intimitetin e tyre, ju i shpallni të barabartë me shoqërinë, duke rivendikuar pra për gruan analogji funksionesh, punësh, zelli, atribute. Duket sheshit konfuzioni, por edhe logjika, dhe gjithnjë e më tepër i pashmangshëm. Me të mohuar familjen, me të shfronësuar burrin, me të degraduar gruan në nivel konkubine, e redukton martesën te dashuria dhe edukimin e fëmijëve tek një detyrë e autoritetit publik, ndaj dhe për pasojë me tu reduktuar në hiç jeta private, bëhet shumë e nevojshme që gruaja të transformohet në funksionar publik, përndryshe nuk është më asgjë. Atëherë, për inat të natyrës dhe të bonsensit, jeni e detyruar të kërkoni për gruan atribute përjashta seksit të saj, për t’i krijuar muskuj më të fortë, tru më të hapur, nerva më të forta; e bëni burrë, e denatyroni, e bëni më të shëmtuar, me një fjalë e emanciponi: ju a përsëris se është logjike. Konfuzioni është në kulm.
Duke e pranuar të gjithë këtë si të mundshme, jemi tek çrregullimi: jo më familje, jo më drejtësi, virtyt, dashuri. Drejtësia nuk është më një religjion. Përse, pyesni ju, burri dhe gruaja nuk mund të jenë, nga jashtë, të barazvlefshëm siç janë nga brenda, nëse është e vërtetë se forca dhe bukuria vlejnë baras?
Jam përgjigjur sakaq që forca dhe bukuria janë gjëra që nuk maten me një kut; shërbimet e së parës mund të shiten, të së dytës jo. Është aplikimi i vetë parimit të estetikës që e vendos jashtë tregut të vërtetën, bukurinë dhe drejtësinë, duke i shpallur jo-veniale, ndryshe prej produkteve të industrisë, të vetmet që hanë shkëmbim. Por ju, që bëni gjithçka me ndihmën e termit të tretë, ju nuk jeni i këtij mendimi; thoni se «mes forcës dhe bukurisë ekziston një kompensim», çka domethënë se njëra mund ta kompensojë shumë mirë tjetrën, prandaj ja venaliteti i gruas. Forca është paraja, bukuria është trupi; fuqia e tretë, është kuplaraja. Dhe ju nuk do të dilni prej kësaj, për aq kohë sa të bëni dashuri për hir të dashurisë, për aq kohë sa të kërkoni idealin për ideal, për sa të përnjihni të vërtetat relative, të drejtat relative, dhe përderisa të pohoni, si zgjidhje, sintezën tuaj: autoritetin.
Për një idealist (çuditem që nuk e keni kuptuar), kjo është një nga gjërat që e nxjerrin në pah gjininë tuaj. Po të dal nga kjo, do të përgjigjeni ju, do e bëj gruan prodhuese sa burri. Atëherë do të mund të shkëmbehet produkti me produktin dhe dashuria me dashurinë. Mirë, nëse gruaja punon me të vërtetë! Po nëse nuk punon, si n'Amerikë? Ekstrem tjetër: shkëmben rolet.
Ju flisni për barazi. Ky ekuivok duhet sqaruar. Ju nuk doni barazi, ju jeni një aristokrate. Çerdhet, azilet, ju shërbejnë për të mbajtur të zëna mësueset tuaja, presidenteshat tuaja, gjykatëset tuaja dhe kështu me radhë. Sipas mendimit tuaj, dy sekset, si sekse dhe si persona, janë njësoj ose të barasvlershëm, është e vërtetë; por nga kjo nuk rrjedh, për këtë arsye, se të gjithë individët, meshkuj e femra, janë të barabartë mes tyre; përkundrazi. Hierarkia sensimoniane prehet mbi mos-barasvlershmërinë.
Budallenjtë u vetëmashtruan me këtë. Aksh zotni vetëquhet barazimtar, sepse synon barazinë mes njerëzve; ne jemi shumë më tepër, ne që synojmë te barazia mes burrave dhe grave. Mendimi im është ndryshe. Të gjithë individët, njerëzit e së njëjtës racë, janë njësoj përpara ligjit, dhe qëllimi i arsimit është t’i bëjë të barazvlefshëm me shkencën, veprimtarinë, artin dhe punën. Burri dhe gruaja janë të barabartë në brendësinë e tyre, si persona; por, me të marrë akt për vështirësitë e tyre, burri ngelet epran në punën dhe në jetën e relacionit, teksa gruaja nuk e fiton dinjitetin e saj përpos se me martesën dhe përmbushjen e detyrave që kjo imponon. Është false çdo barazi tjetër.
Ju pohoni: forca, inteligjenca, talenti, te burri si te gruaja, ndryshojnë në pafundësi. Kush mund ta thotë nëse, me një regjim tjetër, nuk mund t'arrihet të bëhet gjithçka e barabartë mes dy gjinive? Kushedi nëse gruaja nuk mund të bëhet energjike, e shkathët, e aftë për shkencë, sa burri? Kushedi që burri nuk mundet të fitojë bukurinë, hirin, butësinë femërore? Kështu arsyeton pafuqia kokëfortë, duke iu ngjitur disa mbaseve dhe kjo ndoshta tregon akoma sa konfuze i kemi idetë.
Është sikur të thoshit: gjithçka është relative n'intelektin tim, gjithçka varion, gjithçka ndryshon dhe gjithçka më vallëzon në krye. Kushedi a nuk ndodh e njëjta gjë në natyrë? Kushedi se mos lisi nuk është duke u bërë kallam, kulumbria iriq dhe e kundërta? Kushedi se mos toka, pasi ka piruetuar përreth diellit për njëqind vjet, nuk përfundon aty brenda?... Arsyetoni pra me njerëz që ju përgjigjen me mbase. Bëni ligje në parashikim të fundit të botës!... Mohimi i ngultësisë së ligjeve dhe të tipave të natyrës është shenjë e sëmundjes mendore. E gjejmë te zonja Jenny d’H.
Çfarë është progresi?, hiqni vërejte ju (faqja 81): «Femra e gorillës ose e gibonit nuk është aspak më e dobët se mashkulli, as ky nuk është më pak i bukur se shoqja e tij. Mes Adamit dhe Evës, diferenca nuk është më e madhe». Dhe këtu ju citoni Volterin. Jeni ju, zonjë, që e keni shkruar dhe keni dëshmuar respektin tuaj të mangët për paraardhësit tuaj. Kjo nuk ju pengon të më qortoni në një pikë tjetër, shumë pa lidhje me këtë, se e kam krahasuar gruan (gruaja e emancipuar, pa dyshim) me majmunin12.
E pra, zonjë, ju ngatërroni dy gjëra: progresin, dhe shkallën e racave. Të gjithë popujt e sotëm civilë kanë kaluar gradë të ndryshme civilizimi: gjendjen e egër, barbarinë, patriarkatin e kështu me radhë, por secili prej tyre i ka mbetur besnik vetvetes: gjermanët, grekët dhe keltët nuk qenë kurrë Kum-Kum; hindutë dhe arianët nuk qenë kurrë të krahasueshëm me patagonasit dhe me eskimezët, sikundër nuk mund të krahasohet një semit me nativë të Zelandës së Re. Kurrë Afërdita hotentote* nuk lindi dashuriçka. Racat e forta dhe të bukura kanë përthithur ose eliminuar të tjerat: është fatale. Pra, ju përfitoni nga një dukje false, që dëshmon mirë se sa i errësuar është intelekti juaj.
Ju përmendni historinë, duke pohuar se njerëzimi perfeksionohet dora-dorës që gruaja fiton liri më të madhe dhe ndikim më të madh në shoqëri. Çfarë po pretendokeni me këtë pohim? Liria e gruas është shkaku apo pasoja e përsosjes së përgjithshme, apo nuk është tjetër përpos një aspekt i veçantë? Nuk arrini të dalloni asgjë dhe çdo fjalë që ju del nga goja është një përrua tymi. E pra zonjë, ja ajo që na mëson historia: në fillim, bashkimet ishin të rastësishme, kalimtare; jo për këtë shkak gratë e burrat rezultonin më libertinë ose vendosnin mënyra të rafinuara dhe djallëzi. Mandej u formuan çiftet: poligamia dhe konkubinati. Në fund, u kushtetua martesa: facta est sanctificatio ejus**. Privilegj i patricëve, në vazhdim u pranua edhe për plepsin; në radhën e vet, krishtërimi e bëri sakramend. Në këtë pikë jemi, tani.
A mendoni vallë se progresi qëndron në dashurinë e lirë?... Në më shumë se një rast, zakonet familjare janë dobësuar në kombet, duke i bërë të bien në promiskuitet, duke i bërë të vdesin. Çfarë mendoni për këtë simptomë? Për sa i takon vështirësive shtëpiake, për të cilat shumë herë është fajësuar martesa, është e qartë se ato rrjedhin nga sistemi ekonomik, nga ai organizim i keq i punës dhe i kapitalit, që ju pretendoni se do ta bëni jetëgjatë dhe se do ta zhvilloni edhe më shumë përmes sintezës suaj të famshme; është me të vërtetë tepër ofensive ta akuzosh martesën për të keqen që prodhojnë tek ajo armiqtë e saj.
Ju mohoni të drejtën e forcës dhe qeshni me të. Pa dyshim, zonjë, vetëm personi human zotëron të drejtat, sepse vetëm ai është i lirë, i moralshëm dhe i respektueshëm. Por kjo nuk na ndalon të pohojmë, duke klasifikuar të drejtat e njeriut sipas aftësive të veta, që ekzistojnë: një e drejtë e inteligjencës dhe një e drejtë e punës; ju vetë do të pranoni, në avantazh të gruas, një të drejtë të bukurisë. Përse s’u dashka t'ekzistojë edhe një e drejtë e forcës? Mos vazhdoni të përsërisni, do të thoni ju, si një fëmijë që s’e bën dot dallimin, përrallat e La Fontaineit13: «Arsyeja e më të fortit është gjithmonë më e mira»! Kur thuhet kjo, besohet se ke thënë gjithçka. Jo, do t’ju përgjigjem unë, arsyeja e më të fortit nuk është gjithmonë më e mira; por nganjëherë ama është, mbajeni mend.
Kundrejt jush, zonjë, nuk ka të drejtë force: përndryshe, mund të jeni e sigurt se nuk do të kishit prekur penë në jetën tuaj. Por kam të drejtën e kritikës dhe e përdor atë pa përdëllim. Fejtoni juaj është një sulm, fare pak i maskuar, por thellësisht hipokrit, kundër martesës dhe familjes. Për ta bërë të kalueshëm, jeni mbështetur te burri që gjykata, për arsye që nuk dua të diskutoj, e kishte dënuar si fajtor për sulmin ndaj moralit publik dhe religjioz*; jeni rrekur t’i bëni të gjithë gratë t'interesuara për kauzën tuaj, duke e bërë copash veprën time dhe duke paraqitur si t'adresuara kundër të gjitha grave shprehjet që binin vetëm mbi ju dhe mbi të ngjashmet tuaja. Jeni rrethuar me keqkuptime, keni rizbuluar me shprehje erzplota mendimin tuaj, keni folur për martesën duke shitur respekt, a thua se do të duhej t’i merrnit hakun kundër një teorie absurde. Keni mburrur dashurinë e përkryer, aq t'ëmbël për zemrën e grave, jeni rrekur t’i verboni lexuesit tuaj, herë me përqeshjen dhe sarkazmën, herë me ojna metafizike çka nuk mund të mos i mashtronte syleshët...

































PJESA E DYTË

Citime nga Cornaelius Agrippa mbi gruan, të përftuara nga monografia e Margeritës nga Burgonja, regjente e Vendeve të Ulëta, nga Altmeyer1, “De feminei sexūs praecellentiā”, përkthyer nga Guerdeville:

«Burri është Adami; është natyra, mishi, lënda. Gruaja është Eva; është jeta, fryma, tetragrami i mistershëm i fuqisë së pakumtueshme hyjnore. Kështu gruaja është, në vetvete, përplotësim i krijimit; pasi që i dha ekzistencën, Zoti pushoi, gati i lodhur nga një vepër kaq e përsosur. Gruaja pati për djep parajsën, burri pá dritën mes brutëve. Gruaja është eprane ndaj burrit për nga intelekti sikundër për nga bukuria, ky pasqyrim hyjnor, kjo rreze e dritës qiellore; më shumë se kaq, gruaja është vetë Hyu».
«Në këtë libër të çuditshëm – vazhdon cituesi – të shumtë janë pasazhet ku autori shpreh mbi konditën femërore ide të drejta dhe shumë të përparuara; në fakt gjithçka që ekziston në shoqërinë tonë s’e ka atë delikatesë formash, atë shkathtësi, atë sharm, që gjithsesi duhen; e përse? Sepse vetëm burri ka ndërhyrë me dorën e tij gjithë kallo në vepër dhe nuk i ka lënë asgjë gruas të bëjë, ose hirit që perfeksionon gjithçka. Kush ka ndërtuar, gdhendur, shkruar, pikturuar? Burrat, gratë kurrë. Arti ka vetëm një gjini, atë mashkullore, teksa duhet të bashkojë - dhe një ditë do t’i bashkojë - fuqinë e seksit qartazi më të fortë dhe sharmin e seksit më të dobët. Atëbotë do ketë mbërritur dita për bukurinë e shprehjes ideale».

Mjerisht, nëse burri i ka bërë të gjitha kjo vjen ngaqë gruaja s’ka gjenialitet dhe nismë. Ajo nuk di. Nga ana tjetër, me ç’qëllim? Arti a nuk është vallë femëror për nga natyra, sado që janë burrat që e ushtrojnë? Nëse fusin hundën gratë, bëhet i sipërfaqshëm, ndotet.
Altmeyer pranon vetëm se teza e Agrippas është sall një paradoks, e se i mbrojtur nga ajo ai englediset kundër Biblës, historive të saj skandaloze, dogmave të saj... Në një vepër tjetër, Agrippa shprehet në mënyrë më pak galante mbi seksin e bukur: De incertitudine et vanitate scientiarum atque artium declamatio. Zakonisht, sipas Agrippas, çdo art, çdo shkencë, çdo profesion i jetës çon vetëm te një rezultat fatkeq dhe i kotë:

«Të gjitha të vërtetat e jetës, thotë ai, më kanë bërë ta marr zët atë. E vërteta e shkencës më ka konsumuar me mërzitje; e vërteta e miqësisë më ka treguar shëmbëlltyrën e saj dhe më ka larguar nga realiteti; e vërteta e dashurisë më ka bërë të njoh femrat, për të qenë më pak i lumtur më to dhe për të kuptuar sa larg lumturisë është dashuria».

A nuk i njohim vallë gratë? Çfarë nënkuptohet me njohim? Askush s’i ka njohur më mirë se Fénelon-i2, pafajësia e të cilit nuk është vënë kurrë në diskutim. Me njohtë, domethënë të vëzhgosh në jetën private dhe në tërë aktet e saj, përshfaqjet dhe kushtet. Domethënë të mbash parasysh historinë, gjendjen natyrore në nivelin më të lartë të qytetërimit; të studiosh fiziken dhe të moralshmen; të matësh forcat, të gjykosh produktet, librat, punën, stilin; të pyesësh vëzhgimet e bëra sakaq nga shkrimtarët paraardhës, filozofët, udhëtarët, natyralistët, frenologët, poetët, dhe aktet e drejtësisë penale.
Me njohtë, domethënë të kesh marrë rrëfimin e çdo lloji personash, të rinj, pleq, burra, dashnorë, vasha dhe gra. Me njohtë, në fund, domethënë të kesh provuar vetë afektet familjare, dashurinë në aspektin e saj të dyfishtë: familjen, atësinë; të kesh qenë vëlla, bir, mik, person i besuar, babë, e kështu me radhë. Me njohtë, domethënë në analizë përfundimtare, të kesh studiuar higjienën dhe patologjinë e dashurisë, në mos me përvojë të drejtpërdrejtë, të paktën me vëzhgim. Mjeku a është i detyruar të ketë ethe për t’i njohur ato, apo të sëmuret nga murtaja për ta kuruar atë? A është vallë e domosdoshme me të kafshue nepërka apo me të kullufitë luani, për t’i njohur ato?
[A nuk i njohim gratë?] Fyerje prej kalamàneje, prej mendjemadhi të vogël a prej të degjenuari të ndyrë. Por, meqë nuk pranohet përvoja aktuale, duhet saktësuar menjëherë se ndjenja e dashurisë ruhet deri në pleqërinë e skajshme; se ajo vetëm dobësohet, por nuk shuhet; se burri pesëdhjetë vjeçar është në të njëjtat kushte të atyre që janë njëzet, veç përvojës që e ka më me shumicë dhe vullnetit për t’i dhënë drejtim gjërave, gjithsesi; dhe se, për pasojë, gjykatësi më i mirë është ai që ka parë më shumë.
Jo të gjitha gratë janë të hijshme: ja një vërejtje prej vashe të njomë. Ne arsyetojmë mbi seksin të marrë në universalitetit e tij, mbi gruan në tërësinë e aftësive të saj fizike, morale, intelektuale. Kësodore, bukuria fizike e disa grave u shërben edhe të pabukurave dhe meqë është më pak e rëndësishmja dhe çdo grua e ka në dorë të fitojë kulturë e zakone të mira, si dhe të tregohet e zellshme, e ëmbël dhe e urtë, kam të drejtë të pohoj se bukuria iu përket të gjithave.
Po ç’arsye kanë pra gratë t'ankohen? Epo, padyshim ekzistojnë gra që kanë arsye me qenë të pakënaqura, por kauza e tyre nuk është ajo e gjinisë, sikundër as triumfi i mbështetësve të tyre nuk është triumfi i së drejtës.
Kur flitet për seksin e tyre, gratë e ndershme kanë dobësinë të solidarizohen me të pandershmet. A duhet t’u përsërisim pra njëqind herë të njëjtën gjë? Për mua, si për të tjerë, është një e dhënë e fituar fakti që gratë - padyshim inferiore për nga forca fizike, gjenialiteti, puna, filozofia, politika, arti dhe aferat - marrin njëfarë avantazhi në praktikën e virtyteve shtëpiake, në atë moralitet të vijueshëm, që mbase është më i zjarrtë se vetë erotizmi. E gjithë kjo varet nga ndjeshmëria natyrore, personaliteti i gjinisë të tyre, nga idealizmi e butësia e tyre. Për fat të keq, duhet përsëritur këtu se ky superioritet i veçantë që ato përftojnë mbi ne kundërbalancohet nga një aftësi po e njëjtë imoraliteti, ku ne burrat nuk jemi në gjendje të arrijmë. Rezulton se, meqë gratë e ndershme përbëjnë vetëm elitën e seksit të tyre, një elitë të vockël, të mbytur nga masa, duhet konsideruar moraliteti i mesëm i seksit, bazuar vetëm mbi ndjenjën, si inferior ndaj moralitetit të mesëm të burrave.
Kjo nuk është një shpifje e shpikur këtu për këtu: është konkluzioni logjik i fakteve. Atëherë, çfarë mund të bëj unë?... Jeni një grua e ndershme, një grua e mirë, juve që fjalët e mia ju bëjnë të rebeloheni? Në këtë rast ju kanonizoj; më shumë; gjunjëzohem përballë jush për t’ju adhuruar dhe për t’ju dashuruar. Dhe jini e sigurt se kjo fjalë e fundit mbi buzët e mia është më e forta që mund të përdor për të provuar ndjenjën time; sepse nuk shoh tjetër pos mesatares, jam i detyruar të pranoj, sado që ju jeni një grua e ndershme dhe sado që zemra ime bashkë me arsyen time të përulen përpara jush, nuk e dua fare seksin tuaj dhe se akoma më pak e marr parasysh.
Çfarë doni pra më shumë dhe më mirë se kaq? Në gjendjen primitive, edenike, të natyrës, gruaja mundet të ngjallë tek ne seksualitetin, siç bëjnë gratë n'ishujt e Paqësorit, por ka të drejta të mangëta ndaj afeksionit tonë dhe ndaj konsideratës sonë. Dhe sa më pak që gruaja civile largohet nga kjo gjendje primitive, aq më pak ka të drejtë t'ushtrojë një patronazh çfarëdo, përpos atij të mishit dhe të shqisave. Jini pra ajo çka ju kërkohet: e ëmbël, e rezervuar, e edukuar, e devotë, punëtore, e dëlirë, e përmbajtur, e nxitur, e butë, modeste dhe jo vetëm që nuk do të polemizojmë mbi meritat tuaja, por do t’ju vëmë n'altar dhe do t’ju jepemi trup e shpirt.
Të mos ju frikësojë numërimi i kaq shumë virtyteve: në fund, del në pah gjithmonë i njëjti virtyt; jeni shtëpiake: kjo fjalë thotë gjithçka. As dashuria, as dashuria për veten, s’do kenë ç’të humbasin, ju betohem.
Mëtoj se duke e quajtur gruan shoqe të burrit ajo ngrihet tepër lart. E lumtur dhe e denjë për lavd qoftë ajo që arrin ta meritojë një titull të tillë; por sa i vogël dhe i padenjë për stimë është ai që nuk është shumë më lart kësaj shoqeje! Gruaja nuk është aspak një shërbëtore, as një mercenare dhe aq më pak një konkubine. Do ta përkufizoja me qejf një nxënëse, jeta e së cilës është një emancipim i vazhdueshëm, që merr fund vetëm me vdekjen. Prandaj, në përgjithësi, asnjë grua s’duhet konsideruar sui juris sui compos [«plotësisht padrone e vetes»]: mbahet përherë në tutelën e të atit, vëllait, ungjit, burrit, mandej dashnorit, atje ku konkubinati përnjihet ligjërisht. Në mungesë të një tutori natyror, ligji duhet t’i caktojë një nga personazhet e përvijuar ligjërisht për të bërë pjesë te këshilli i familjes: kryebashkiaku, gjykatësi i paqit, shefi i repartit e me radhë.
Dhe këtë e pohoj jo dhe aq për shkak të dobësisë së seksit, sa për sigurinë e tij. Gratë nuk do të jenë larg nga shijimi i të gjithë lirisë për të cilën kanë nevojë, kur të vendosen në këtë mënyrë nën mbrojtjen shoqërore, kur secila prej tyre të ketë mbrojtësin e saj natyror ose legal, që duhet ta këshillojë e kështu me radhë.
Gra mbretëresha. Kanë lozur një rol shumë të keq në Poloni. Bona Sforza, arqidukeshat Maria Grisilda, Luisa di Gonzaga, Maria d’Arquien3, qenë po aq damtore. Të vetmet të përjashtuara nga qortimi janë ato që nuk kanë bërë të flitet për ’to në histori.
Mes veseve kryesore të monarkisë, ndryshe nga funksionet e tjera të Shtetit, është ai për t’u përfaqësuar nga një çift: mbret e mbretëreshë. Sigurisht, çdo funksionar publik, çdo magjistrat mund të përballet nga e shoqja: provë e kësaj është procesi i Beaumarchais (Bomarshesë)4. Por çfarë ndryshimi! Sistemi Kushtetues e ka reduktuar ndikimin e grave, që megjithatë ngelet i konsiderueshëm dhe që, pa dalë nga Vendi im, nuk druhem ta përcaktoj negativ.
Një grua mbretëreshë mund të mbahet në dy raste të përkundërta: në një Shtet kushtetues, ku mbreti nuk bën ligjin, nuk qeveris, nuk vendos asgjë, si në Angli; ose në një despotizëm absolut, ku kapriçioja dikton ligjin dhe bindja është e verbër. Të gjitha gazetat angleze përnjohin sot se princi Albert5 ka qenë këshilltari dhe udhëheqëse ka qenë Viktoria: a do t’ia kishte hedhur më mirë, kjo, në pozicionin e një Katerine II, të një Semiramide apo të një Zinge? Dhe më, kush na siguron se këto mbretëresha të famshme nuk kanë qenë buratinë në duart e dashnorëve të tyre? Ksenobia, më e dëlirë se Elizabeta, ia hodhi mirë deri sa mundi të bazohej te një këshilltar si Longjini, dhe deri sa mbeti e lirë: e bërë për vete nga Aureliani, e humbi toruan dhe i tradhtoi miqtë e saj6.
Barazia e sekseve. Ky sofizëm fiton kredi n'epoka lodhjeje, gjunjëzimi, sidomos shtypjeje dhe shfrytëzimi; kur një numër i madh meshkujsh janë transformuar në kafshë pune; kur padrejtësia e bën punën më pak fitimprurëse, jetën të vështirë, të rrezikshme martesën, të mundimshme lindjen e fëmijëve, të pamundur familjen. Atëherë martesa çnderohet nga interesi, ligji i vijimësisë konsiderohet si shplëngim, familja braktiset për Shtetin. Të gjithë i turren Shtetit. Liria mohohet. Nuk ekziston më drejtësia; pasi zë të mungojë drejtësia nëpër ndërgjegje, njerëzit i drejtohen forcës.
Martesës i faturohen të këqijat dhe mjerimet që janë pasojat e rendit social; martesa dhe shpirti i saj i përkushtimit e i vetëmohimit shmangen; kalohet në konkubinat, por vetëm për pak kohë; dashuri lule më lule, poligamike dhe poliandrike; përbashkësi, promiskuitet, ngatërrim gjinie; degradim për burrin, që femërsohet; degradim për gruan, që prostituohet; zhbërje e shtatit shoqëror, që bie në skllavëri dhe sodomi.
A i njihni tani? Këtë deduktim përfundimtar, e kam bazuar mbi faktet. Kam treguar me shembullin e antikëve dhe modernëve, të paganëve dhe të të krishterëve, me teoritë e filozofisë dhe me ato të Kishës, se gjërat qëndrojnë saktësisht kështu.
Kam mëtuar që në këtë çast, gjashtëdhjetë e dy vjet pas Revolucionit të ’89-s, gjendemi në të njëjtën situatë si në shekullin e parë. Kam rigjetur në fakt, në sekte bashkëkohëse, humanitare, sensimoniane, falansteriane, në tërë këtë bohèmë artistike dhe letrare, të njëjtat prirje, të njëjtin karakter, të njëjtën korruptim si ndër gnostikët.
Duke e shtyrë analizën deri në fund, kam vërtetuar me shembuj të famshëm se gruaja që largohet nga seksi i vet, jo vetëm humbet hijeshitë që natyra i ka dhënë, pa përftuar tonat, por ndodh edhe që bie në statusin e femrës llapazane, të pacipë, bjerraditëse, të pafytyrë, djallëzore, bartëse korruptimi, helmuese publike, një lokustë, një murtajë për familjen dhe shoqërinë. Këtë kam thënë dhe e pohoj prapë: kam akuzuar dhe e akuzoj korruptimin aktual si shkak për dekadencën e Francës dhe të një pjese të Evropës, mes shkaqeve të tjera si dhe idetë që janë hedhur në qarkullim mbi gruan.
Nivelimi i sekseve vërshon në shthurjen e përgjithshme. Pa një larmi aktuale të atributeve, nuk ka as martesë, as familje. Pa ménage* dhe pa familje, nuk ka as drejtësi, as shoqëri, por vetëm egoizëm të pastër, luftë civile, banditizëm. Zemra e mashkullit do duhej të mund të fryhej nga afshi për të komanduar në shtëpinë e vet: përndryshe, burri zhduket.
Kam kritikuar shën Palin dhe më thonë se përkundrazi e imitoj atë. Ç’keqbesim! Ajo çka i qortoj shën Palit është fakti se arsyeton mbi dashurinë e martesën, saktësisht si Enfantini, me ndryshimin e vetëm të nënrendimit, që ky i fundit nuk e pranon.
Të më qortojnë pse nuk di këtë apo atë fakt! Sa peshon, e gjithë kjo, n'arsyetimin tim? Është si të qortohesha për gabimet e gramatikës dhe të sintaksës që gëlojnë në librin tim: sa peshon, e gjithë kjo, në stilin tim?
Thuhet: sa më shumë që gratë kanë fituar liri e respekt, aq më shumë është zhvilluar shoqëria. Është e vërtetë e kundërta amà: sa më shumë që një racë shpreh inteligjencë, aftësi, poezi, aq më shumë e ka respektuar seksin dhe aq më pak i ka dhënë liri... Shembuj: racat gjermanike, greke e latine.
Atributet e ndërsjella nuk duhen përmbysur. Seksi vetjak nuk duhet ndryshuar. Njeriu që e bën është i pafisëm, i mjerë, i papastër. Gruaja që e bën bëhet katalkë, e surrufjasur, kuçkë...
Ju deklaroheni e dëlirë; dhe, me atë mënyrë arsyetimi tipike tuajën, arrini të pretendoni se gabimet që burri i lejon vetes kundër dëlirësisë nuk janë më të përbuzshme te gruaja.
Lemmonier, Fauvety, Massol, Guépin, Brothier, Renouvier, Ausonio Franchi e kështu me radhë, që punojnë tek «Revue philosophique», janë miqtë tuaj7. Kam pra arsye të supozoj se opinionet tuaja janë edhe të tyret. Pra, le të flasin, le të shpjegohen! Mjaft me hipokrizinë! Duhet që të gjitha opinionet të dalin në dritë, të gjitha doktrinat të paraqiten. Jetojmë në kohë revolucionare; të shpjegohemi!
Nëse ju jeni treçerek të marra, për këtë fajësoj ata burra!
Jeni një kishë rrufjanësh dhe të pacipash. Ja fjala ime e fundit. Sensimonizmi, ose pornokracia, e bën të urryeshme edhe gruan.
Ndikimi femëror, në 1848n, ka qenë një nga rrënimet e Rupublikës. Zhorzh Sand, grua dhe artiste, që bashkë me Jules (Zhyl) Favre, një artist tjetër, hartonte komunikatat e famshme: këtu qe katandisur Republika e rënë në dorë të grave. Ku ishte burri, në qeverinë provizore? Lamartini, një artist, Crémieux (Kremië), artist; A. Marrast, artist; Louis Blanc (Lui Blan), artist; po e lë me kaq. Elementi femëror ishte në shumicë. Arago ishte burrë, sigurisht; por, pikërisht për këtë, i çuar me detyrë në marinë, një instrument, një vegël8.
Lloji më i keq i t'emancipuarave: mendimtaret e lira, ato gra që kanë zjarrin për të filozofuar, dhe që me këtë tekë të tyren bashkojnë pretendimin e një doktrine, krenarinë e një partie, shpresën e një korruptimi të shoqërisë. Shenjë e veçantë: çekuilibrim i arsyes, që bart me vete zhdukjen e cipës dhe humbjen e ndjenjës morale.
Tek artistet dramatike, lirike, koreografike, emancipimi lind nga shqisat dhe nga imagjinata. Jezusi i ka folur Magdalenës: ishte një artiste. Kurtizania e vërtetë, në kuptimin e lashtë të fjalës, ishte artiste, madje dhe priftëreshë: baiaderat, almeat janë artiste. Mendimtari i lirë femër është prapë gjë tjetër. Është një pulë që këndon si gjel; ideja e saj fikse: me imitue, me kopjue dhe me përtallë burrin, kuturù.
Na ka ardhur në majë të hundës zvarritja nga një tirani tek tjetra! T'ia besojmë fëmijët shoqërisë: s’ka dyshim se funksionarët publikë, dada dhe dado, do të vlejnë për fëmijët më shumë se prindërit e tyre!... A është diskutim serioz, ky? Është një ëndërr prej utopisti beqar dhe prej beqareshe të emancipuar. Natyra na ka caktuar pjesën më të mirë të kësaj detyrë të vështirë dhe ne e pengojmë në ligjet e saj.
Sado e kulturuar të jetë gruaja, ti e dallon shumë shpejt se nuk di shumë, madje gojëtaria e saj e mjegullt është më e padurueshme se thashethemet e injorancës.
Kam parë një grua që stërligjëronte. I shoqi, me pamjen e njeriut që shet mend, dukej se i thoshte publikut: «çfarë burri që jam, unë që jam martuar me një grua të aftë me improvizue!»...
Kundër grave të emancipuara. Nuk na pëlqeni, në këtë mënyrë; na dukeni shushka, budallaqe dhe të helmëta: çfarë keni për të kundërshtuar këtu? Kujt merakoseni për t’i pëlqyer? Cjapit të shtrigave, Belfagorit, Kings-Charles-ve tuaj9...? Dakord; por kur meshkujve do t’u jetë kthyer cipa, ata do t’ju mbysin në një pus me dashnorët tuaj. Kësaj i përgjigjeni se edhe ne nuk u vijmë përshtat? Ashtu pra qoftë: atëherë luftë. Çështje force.
Ç’pretendim të çuditshëm kanë këto mantenutat: duan që t’i dashurojmë, kur ne nuk i gjejmë aspak të denja për t’u dashur! Duan që t’i trajtojmë si vestale*, kur ne i njohim si saktësisht të kundërta! Krishtërimi ka kanonizuar tre apo katër gra të përdala: Magdalenën, Taiden, Afran10, por pasi e kishin mbledhur mendjen: mbajeni shënim këtë. Sot, përkundrazi, mëtohet që ne t’i temjanisim të papenduara!
U dashka mëtuar se mundimet intelektuale veprojnë mbi uterusin në mënyrën e anjokastos ose të kantarideve11: nuk mjaftoka që babai i familjes, burri, i dashuruari, t’ia ndalojë së bijës, së shoqes, të fejuarës?
E kam lutur një shok të mbledhë ndonjë shënim për të hartuar një biografi të zonjave tona shkrimtare: mbeta i shkurajuar qysh nga rreshtat e parë.
Një grua nuk mund të bëjë më fëmijë kur mendja, imagjinata dhe zemra e saj shqetësohen për çështje të politikës, të shoqërisë dhe letërsisë.
Nuk janë në gjendje t’i kryejnë deri në fund punëdoret e tyre dhe vijnë për të na thënë se duan të bëjnë gjykatësit, mjekët, bakallët, prefektët; ku di unë, edhe xhandarë e dragoj!
Mbani parasysh se gratë, të cilave i janë hequr dore rrobat për të larë, pastiçeria, kujdesi për bagëtinë, kanë lënë pas dore edhe vegjët dhe punëdoren. E kam parë nënën time t’i bëjë të gjitha këto punë. Bënte brumin, lante teshat, hekuroste, qepte, milte lopën, shkonte në fusha të siguronte foragjeret; bënte shtizë sa për pesë veta, madje arnonte dhe ndërresat.
Roli i gruas. Mëndeshë dhe kullandrisëse. Nga çfarë rrjedh fakti se fëmija i ngjan së ëmës? Shpjegimi mund të rroket në shembullin e bletëve: ndikimi i ushqimit. Bletët prodhojnë sipas qejfit të tyre, me të njëjtën vezë, një mbretëreshë, një mashkull, një punëtore!
Quid vero*, kur ushqimi i parë i farës është substanca përkatëse e një gruaje, e një qenieje të gjallë? Nuk ekzistojnë ngjizje të tjera përpos atyre spontane. Ngjizja është spontane në qelizën e bimës, në zoospore, ndër rotiferë; është spontane te kallamari, ku nuk dallohet nga rritja; është spontane tek burri, i cili pikërisht formon farën! E gjitha kjo është e madhe, sublime dhe e bukur.
Nuk di çfarë të bëj me këtë unë, me frenologjinë, anatominë, fiziologjinë; është detyrë e hetuesve kureshtarë të lëndës të kërkojnë cila pjesë e organizmit i përgjigjet një akti të tillë të ndërgjegjes ose të mendjes. Pa dyshim, është interesante të shohësh të konfirmuar nga vëzhgimi kranioskopik, fiziognomik, të dhënat e kulluara të arsyes dhe të ndërgjegjes; por filozofi nuk procedon në këtë mënyrë. Sikurse lloji njerëzor, ai procedon nga intuita, nga a priori, nga pasuria e zemrës dhe nga përkryerja e idesë.
Ka mundësi që burri të ndryshojë nga gruaja vetëm për një gradë nxehtësie më tepër, që e prodhon mikroorganizmin.
Martesa lind me natyrën e burrit dhe të gruas: përjashta saj, ka pornokraci. Ja motivi i monogramisë: 1) barazia numerike e sekseve: tani, meshkujt, të barabartë mes tyre, kanë të drejtë secili për një grua; 2) përse të mos kalohet nga njëra te tjetra: dinjiteti i burrit dhe individualiteti i tij. Në përfundim, shoqëria është për burrin sa një mjet aq dhe një qëllim.
Martesa është një kushtetim natyror, i përshtatshëm për fizikun dhe për moralin, sipas atitudave të ndryshme të dy gjinive, që është kuptuar menjëherë nga ndërgjegjja e popujve, në lindjen e kombeve, por në vazhdim e mjegulluar nga paragjykimet dhe nga pasionet, madje sot pothuajse krejt e pakuptuar. Është mbërritur deri sa të konsiderohet martesa shkak kryesor i të gjitha vështirësive sociale. Nuk është një punë e thjeshtë t’ia kthesh domethënien e vërtetë, pra ta rivendosësh; përjashta saj, është vdekja shoqërore. Organ natyror dhe krijues i drejtësisë, martesa është parim themelor i shoqërisë: ajo prodhon lirinë dhe Republikën. Pornokracia, e kundërta e saj, është rezultati i fundmë i çdo uzurpimi dhe tiranie.
Para se të mbushin përkatësisht njëzetenjë dhe njëzetegjashtë vjeç, gruaja dhe burri nuk mund të martohen, për arsye të ndryshme: arsye shëndeti, morale, ngjizjeje më të mirë, ekonomie publike, ekonomie familjare dhe edukimi të bijve, kohëzgjatje dhe paprekshmërie të bashkimit bashkëshortor. Çdo gabim personi, familjeje, cilësie, moraliteti, fati, shëndeti, çdo mashtrim me një fjalë, është arsye anulimi.
Të paktën tre muaj fejesë. Edhe refuzimi i konsumimit të martesës është një arsye anulimi, për më tepër i ndëshkueshëm me gjobë.
Do të duhej kënaqur në një herë të vetme kurioziteti që kërkon vazhdimisht të shohë objekte që nuk duhen parë. Për shembull, hollësitë e veçanta të ngjizjes, të lindjes dhe kështu me radhë. E gjithë kjo është shumë e pacipë, përveçse për fiziologun-filozof, që sheh aty gjëra krejt të tjera.
I gjori djalosh: nuk ka asgjë për të parë në të gjithë këtë, për ty. Arsyeja jote nuk duhet të mësojë asgjë prej kësaj.
Të lexosh te botanika e zotit de Jussieu (Zhysië)12 përshkrimin e riprodhimit; kaq është e mjaftueshme, asgjë më tepër. Të shohësh një herë, në një traktat mbi lindjen, detajet e operacionit; pasi ke bërë këtë, dihet gjithçka. Sa për të tjerat, është çështje imagjinate, epshi, korruptimi të fshehtë. Është gjithmonë i njëjti roman që rilexohet dhe të cilit i lypen shtysa të ndaluara. E pra edhe nga kjo duhet të çlirohemi njëherë e mirë, duke e kthyer në realitet.
Të rinjtë duhet të jenë plotësisht të informuar mbi dashurinë: kjo vlen më shumë se përvoja e rrejshme dhe tepër e parakohshme që bëjnë. Asnjë iluzion mbi gratë. Por gjithashtu asnjë përbuzje dhe asnjë përçmim.
Këshilla për të riun: edhe në dashuri, duhet të jesh ti që komandon. Po more një grua energjike, a do durosh me qenë lodra e saj, engletisja a skllavi i saj? Jo lehtë. Gjithçka që mundet me të degradue ty faqe vetes, e tulat afshin tënd.
Nëse engledisesh me një prostitutë dhe e trajton me dashamirësi e njerëzisht, a do mund të duroje që të mos të të respektojë, që të mbahet si e barabarta jote? Jo, do të humbisje dinjitetin dhe, për pasojë, kënaqësinë. Në martesë, dominimi është i një lloji tjetër: ti e do gruan dhe ti mbetesh zot.

Tertulliani, Exhort. ad cast., i cituar nga Vatel13: «Videtur esse matrimonii et stupri differentia, sed utrobique est communicatio. Ergo, inquis, et primas nuptias damnamus? Nec immerito, quoniam et ipsae constant ex eo quod est stuprum» [Duket se ka një ndryshim mes martesës dhe përdhunimit, por në të dyja rastet ka pjesëmarrje. Pra, a duhet ta dënojmë edhe natën e parë të martesës? Pyesim jo pa arsye, nga çasti që edhe ajo bazohet mbi përdhunimin»].

Vattel-i, si protestant i mirë, indinjohet për këtë shenjë barazimi. Por protestantizmi, që e ka rivendosur divorcin, ka treguar edhe ai se e koncepton martesën vetëm si mjet për të kënaqur natyrën. Romani i Rusoit dhe Rrëfimet e tij shpjegojnë sesi e kupton protestantizmi martesën; dhe po kështu edhe historia e Sofisë14. Dihet fakti se pastorët e kultit protestant, megjithëse janë të martuar, vazhdojnë të bëjnë galantët me gratë, saktësisht si priftërinjtë tanë; dhe nuk ka asgjë më të shthurur, në përgjithësi, se bashkëshorti protestant, në atë masë që i bindet protestantizmit. Edhe mbi këtë pikë Luteri ka kryer një tregim besimi të pakeqkuptueshëm, siç e tregon konsulta në favor të landgravit*.
Shën Jeronimi15 pohon (Vattel, që e citon këtë pjesë, nuk e specifikon nga cila vepër e ka nxjerrë): «Hanc tantum esse differentiam inter uxorem et scortum, quod tolerabilius sit uni esse prostitutam quam plurimis» [«Gruaja dhe lavirja ndryshojnë vetëm nga fakti se është më e durueshme të jesh prostituta e një burri të vetëm se e shumë burrave»]. Është e qartë. Në çdo dashuri, mëton i krishteri i vërtetë, ka ndotje dhe prostituim të trupit. Prandaj, bekimi martesor nuk është përpos që absolutisht preliminar.
Krishtërimi, duke ngritur në qiell dashurinë e të krishterit, sikundër mendimin e tij, ka organizuar, si me thanë, shpërbërjen shoqërore. Fakt që do ta kishte habitur bonsensin antik, në atë shoqëri ku konkubinati dhe kurvërimi i thjeshtë mbahen si krime kundër dokeve, një ligj kundër beqarisë do dukej arbitrar. Jo familja, por një përkorje murgjërore, antishoqërore, mbrohet nga ligji i krishterë. Ne e dimë, megjithatë, përmes vetë asaj përvoje që i kishte bërë të dijenishëm të lashtët, se «kryefamiljarët janë qytetarë më të mirë, më të interesuar se beqarët për të mirën publike».
Nuk ke ç’ti bësh: në botën tonë, sekush bën garë me nda çka natyra vetë përpoq: Kisha shumëfishon sa mundet kuvendet e saj; Shteti shton ushtritë e tij; dhe për martesë ngelin veç të gjymtët dhe veremlinjtë; letërsia dhe sektet rekomandojnë dashurinë e lirë. Kështu, duke mos qenë më shoqëria e mbështetur nga familja dhe e drejta publike nga ajo familjare, s’kemi hall as derman pa përdorur forcën: pasi ka kushtetuar të drejtën e votës për të gjithë, ja që emëron një perandor!...

Përse të mos ketë një certifikatë martese? Çdo individ i gjinisë mashkullore, «omnis masculus adaperiens vulvam»**, siç thotë Bibla, që nuk jep provë të një aftësie dhe zotësie, dhe të njëfarë force muskulare, nuk duhet të konsiderohet i përshtatshëm për martesë. Fuqia për të dhënë jetë është vetëm një kusht: ka shumë të tjera.
Çdo komunizëm çon në rrënimin e familjes. Çdo sulm kundër familjes çon tek tirania. Çdo dashuri e lirë sjell zvetënimin e ndërgjegjes bashkëshortore dhe shpërbërjen e shoqërisë. Nëse natyra ka pasë qëllim ta kushtetojë shoqërinë njerëzore mbi parimet e drejtësisë, të barazisë dhe të lirisë civile, të përgjegjësisë së funksionarëve publikë, të kontrollit mbi pushtetet dhe të shfaqjes së lirë të mendimit, i është dashur medoemos të bëjë atë që unë mëtoj se ka bërë. Gruaja merr pjesë tek e drejta: këtu qëndron barazia e saj.
Nëse, përkundrazi, ka dashur të përcaktojë parimet e autoritetit, përbashkësisë, promiskuitetit apo absolutizmit, atëherë natyra ka qenë e detyruar t’i bëjë gjinitë krejt të ngjashme, përveçse n'organin e dashurisë.
Mes dashurisë dhe drejtësisë, me fjalë të tjera mes martesës dhe shoqërisë apo Shtetit, ekziston një marrëdhënie e afërt, një lidhje solidariteti, që është pranuar në çdo epokë, falë së cilës çdo goditje që i jepet drejtësisë dhe lirisë publike zbulohet shkatërruese për familjen, pra dhe për vetë dashurinë; dhe e kundërta, çdo goditje ndaj dashurisë dhe ndaj martesës është shkatërruese për shoqërinë dhe Shtetin.
Burri i shëndetshëm e ruan deri në fund fuqinë e tij jetëngjizëse dhe mençurinë e tij, sado që mosha e shtyrë i imponon ta përdorë gjithnjë e më pak të parën dhe ta moderojë të dytën. Kurse gruaja, në njëfarë pike, e humbet aftësinë për të ngjizur, por jo gjithmonë edhe pasionin dashuror; së bashku me këtë aftësi të ngjizjes, ajo humbet hirin rinor dhe bëhet njëfarë hibridi, as burrë as grua, psikologjia e së cilës ngelet e gjitha për t’u studiuar, madje që ka nevojë të kontrollohet edhe më shumë se vasha. Në këtë fushë edukimi mund të bëjë gjithçka.
Disa gra, si Lukrecia, janë në gjendje më parë të vdesin se sa të njollosen me një faj, ose të vrasin veten kur bëhen me faj. Kam njohur të tilla. Janë të rralla. Bëhet fjalë, sigurisht, për një virtyt të çmuar, që tregon shumë të tjera. Por çdo medalje ka faqen tjetër. Te gruaja një dëlirësi e madhe dhe një virtyt i paepur janë treguesi i një personaliteti të fuqishëm: gratë e këtij lloji nuk janë të përshtatshme për të gjithë burrat. Një Lukrecie i shkon përshtat një burrë i ëmbël, i duruar, i urtë; një karakter pasional nuk i volitet. Shumëkush, duke e menduar mirë, do të preferonte një heroizëm më të vogël dhe një nënshtrim më të madh. Gruaja mendjelehtë është shpesh më e mirë. Të gjithë ndjejnë dashamirësi kundrejt Maria Magdalenës, kurse të paktë janë ata që shqetësohen për motrën e saj të tmerrshme Marta16.
Prej natyrës dhe prej shortit të vet, gruaja kërkon elegancën dhe luksin; s'ka si të mos jetë kështu. Në një shoqëri dhe në një familje të mirëorganizuar, ajo e përfton këtë elegancë veç me burimet familjare, produktin e punës së të shoqit; ky luks është pasojë e administrimit dhe ekonomisë së saj. Por kur dashuria dhe idealizmi bëhen ligji suprem, puna dhe përkorja shumë shpejt e lodhin, bashkëjetesa fillon të përçmohet, bashkimi bëhet konkubinat, madje gruaja, nga ministër i kursimeve dhe i rehatisë, bëhet agjent shpërdorimi dhe rrënimi. Atëherë gruaja korruptohet dhe pëson ligjin e të gjitha gjërave luksoze; perversioni i saj është mes të gjitha perversioneve më i keqi. Konkubinë apo kurtizane, ajo bëhet një torturë për burrin.
Luksi gëlon sot në të gjitha kryeqytetet e Evropës: Paris, Bruksel, Berlin, Vjenë... Aq sa prodhojnë burrat nuk mjafton më: kësaj i duhen shtuar borxhet, mashtrimet, abuzimi me besimin, falimentimi, prostitucioni. Bëhet gjithmonë e më i ashpër shfrytëzimi i popullit punëtor, që korruptohet edhe vetë, prostituohet dhe heq dorë nga puna. Atëherë prodhimi i përgjithshëm zë të zvogëlohet, pikërisht kur, prej luksit pa hesap, do të ishte e nevojshme të dyfishohej.
Rritje sa hap e mbyll sytë e çmimit të gjërave. Nga pajimet e përvitshme të kreut të Shtetit, tek soldi i trupave; nga taksa e skontos tek buka e thekrit.
Femërzimi social ose pornokracia është një dukuri që vihet re tek të gjitha kombet.
Prirja e përgjithshme për të vënë pasuri me marifete rrjedh nga epshi i përgjithshëm, nga nevoja e tepruar për elegancë dhe për jetë komode, pa të cilën nuk ka dashuri që duron: sine Baccho et Cerere friget Venus*.
Akoma më e urryeshme se puna është përkorja: është shumë e thjeshtë, qullja e trurit dhe e trupit kërkon një ushqim më të bollshëm.
Në sintezë, Michelet17 jep receta për të kultivuar martesën dhe gruan, t'imituara nga autorë si Ruso, Bomarshé, e kështu me radhë. Ai ngelet skllav i dashurisë, që vetëm ndërgjegjja e zbut; i gjithë libri i tij e tregon nga fillimi në fund. Gjithë duke përnjohur vazhdimisht brendësinë e gruas, e shpall të barabartë dhe superiore ndaj burrit. Më befasojnë shumë gjëra që sforcohet të pajtojë.
Si Ruso dhe të tjerë, ai pikturon një bashkim të rehatshëm (10 mijë franga të hyra mujore), por nuk thotë asgjë për familjet punëtore dhe për më tepër mbi ato inferiore. Drejtësia e ka frikësuar: ai nuk e kupton ëmbëlsinë e saj, veprimin e dobishëm, pasurinë, garancinë e fuqishme, burimet e stërmëdha dhe reale. Dhe sidomos harron se gruaja, e trajtuar me dashuri, bëhet gjithmonë e më e dobët, e brishtë, e epshme; teksa, e ngritur pak nga pak kah drejtësia, më parë me edukim të rreptë, mandej nga bashkimi martesor, bëhet e guximshme, heroinë dhe me lehtësi të madhe, pa emfazë, pa sforcim, pa siklet.
Ndërgjegjja, ndërgjegjja! Ku është, ndërgjegjja? Në zemër, në tru, në stomak, në veshka, a në ndonjë pjesë tjetër të trupit? Asgjë nga e gjithë kjo. Ndërgjegjja është e përbashkët me të gjithë njerëzit: është e pandashme. Por natyra, para se të formohej shoqëria, u desh të përdorë një krijim special që, sipas meje, qëndron në dualitetin androgjin ku reciprociteti është, në nivelin e tij më të lartë, respekti sublim i ndërsjellë, sakrifica më e plotë.
Gruaja është e dobët por e bukur; burri i fortë, por i palatuar; gruaja është joproduktive, por e nënshtruar; burri punëtor, por mbisundues. Kjo përballje mund të vazhdohet. Këtu është fjala për diç më shumë sesa një aleancë: është fjala për një asociacion, për një ingranazh mes më të veçantëve, ku kënaqen si krenaria ashtu dhe dashuria.
Bëhet vërejtja: si ta ngjizim një organizëm të përbërë nga disa persona? Me teorinë e qenies, njësi kolektive. Mjafton objekti më i thjeshtë; një vandak shermendi, për shembull. Nuk duhen futur të gjitha në një thes.
Një vandak shkarpash është një gjë, kurse shermendi nga të cilat përbëhet janë një gjë tjetër. Zgjidheni vandakun, ndajini shermendet: do keni shkatërruar një gjë reale, sado që nuk do t’ia keni asgjësuar elementet. Kështu për shermendin: mund të gdhendet, ndahet, prehet, thyhet, e kështu me radhë: pjesëzat e tij qëndrojnë. Mund të digjet, bëhet hi, gaz, mandej mund ta zhbësh akoma: shkatërrohet gjithmonë një realitet, një gjë, por kurrgjë nuk asgjësohet. Nëse sprapseni para kësaj pasoje, s’ka më drejtësi: shoqëria evoluon. Për ta rindërtuar, është e nevojshme të kthehemi tek e drejta hyjnore, ose të rifillojmë prej fillimit.
Gruaja e martuar nuk do më fëmijë. Gruaja e pamartuar nuk do më martesa.
Në shëtitjet e mia në rrethinat e Brukselit kam mbledhur një batutë thumbuese nga një grua e popullit, që kishte mbetur e ve me shtatë fëmijë. I shoqi, një punëtor i paguar me mëditje, që fitonte një frangë e gjysmë në ditë, kishte pësuar një lëndim vdekjeprurës. Në vdekjen e tij, shtëpitë e asistencës, damat e lëmoshës, të gjithë ishin kujdesur për ’të: vajza e madhe kishte zënë një punë; me dy fëmijët që pasonin ishin marrë disa të tjerë; e ëma merrte ndihma të përjavshme dhe për më tepër gjente mënyrën si të fitonte diçka.
Sa e lumtur ishte ajo vejusha, më e lumtur se kur kishte burrë. Duke folur për të ndjerin, thoshte: «I gjori, duhej ta mbanim; për çdo të diel, t’i laja këmishën, t’i laja tutat, t’i jepja pesë groshë për të pirë dy gota birrë; t’i shërbeja, bashkë me bukën, pak gjellë!... Çfarë ngelej për ne? Ka mbaruar: burri kushton më shumë sesa vlen!».
Djalosh, nëse ke dëshirë të martohesh, të dish para së gjithash se kushti i parë, për një burrë, është të dominojë gruan, të jetë zot i saj. Nëse pasi e ke ndalur vëmendjen tënde mbi një person dhe e ke konsideruar me vëmendje, nuk ndjehesh në tërësinë e aftësive të tua të paktën njëherë më i fortë se gruaja jote, mos u marto. Nëse është grua me mendjen fjollë, me talent dhe kështu me radhë, duhet që ti të jesh shtatë herë më i fortë se ajo; përndryshe mos u marto.
Nuk ka paqe për burrin kur dëgjon ta kritikojnë; nuk ka dinjitet kur e kundërshtojnë; mund t'i ndodhë nga çasti në çast që të bëhet loloja i gruas, ose poshtërimi dhe mjerimi i fundmë. Më mirë të frekuentosh femrat e përdala, sesa të kesh një kontratë të keqe martesore. Duhet me mundë sa më shumë. Dhe meqë është e vështirë që ndonjëherë të mos bësh gabime, mos lejo që të të qortojnë ose të të thërrasin në rreshtore. Nëse gruaja jote të kundërvë një rezistencë ballore, duhet ta zbusësh me çdo kusht.
Mos u marto me një artiste, për tri arsye: 1) sepse i përket publikut; 2) sepse, nëse zotëron talent, do dojë me të qenë superiore; 3) sepse do jepet pas jetës shoqërore dhe do të thotë se nuk i detyrohet asgjë të shoqit. Lëre që të jenë Talmat që martohen me Georges, Mars apo Duchenois18; edhe ai i përket publikut, madje për më tepër është më i forti.
Duhen ridimensionuar idetë e mëdha të të riut; i duhet mësuar atij se rrallë, shumë rrallë, dashuria e parë e tij mund të përmbyllet me martesë dhe se është pozitive për të që kjo nuk ndodh; se nuk duhet të martohet para njezetetetë-tridhjetë e dy vjetëve; që duhet të presë sa të jetë i pjekur, moralisht e fizikisht, të lërë pas krahëve idealizmin e vet dhe të mund t’i dalë zot vetes, të jetojë jetën e vet dhe të kontrollojë gruan.
I duhet mësuar se çdo dashuri e parakohshme gjeneron një nivelim të pakëndshëm; se gruaja dëshiron ta zbusin dhe ndjehet mirë ashtu; se ajo ka prirjen të jetë epshore, e shfrenuar, e pacipë, e shthurur dhe se aq më tepër i imponohet një burrë i fortë; që është e lehtë të dominohet përderisa është e re, e dashuruar dhe bën fëmijë: paskëtaj, bëhet burrneshë dhe atëherë është akoma më e domosdoshme që burri të ruajë predominimin, që e ke vetëm nëpërmjet zakonit të fituar, nga drejtimi që ka marrë ai bashkim (por kjo nuk pengon që të ketë dërdëllitje të shurdhëta revolte).
I duhet mësuar se edhe bijtë mund të japin njëfarë kontributi, në kuptimin që e ëma identifikohet me dëshirë me bijtë, rinohet me ‘ta, madje nga kjo forcohet autoriteti atnor, pa të cilin nuk ka paqe, as rend, as erz, as nder, as shpëtim; në rast të kundërt, gjithçka degjeneron në trazira e skandale.
I duhet mësuar se kryefamiljari duhet t’i përkushtohet plotësisht të vetëve; se çdo egoizëm duhet fshirë nga zemra e tij, afektet duhen shumëfishuar; por, në të njëjtën kohë, se ai është roja, furnizuesi dhe edukatori përgjegjës, dhe pra nuk duhet të lejojë kurrë as thyerjen më të vogël ndaj urdhrave të tij.
I duhet mësuar se gruaja priret vazhdimisht ta ulë burrin, duke e lajkatuar, duke e mikluar, me qëllimin për ta bërë shokun e të barabartin; është në natyrën e saj; ajo e bën pavetëdije, duke konspiruar pafajnisht kundër hierarkisë familjare dhe kundër vetes.
Por i duhet thënë edhe se herë pas here është e nevojshme me e kurdisë orën, me marrë qëndrim për vendim, e kështu me radhë; se i takon të shoqit të shqyrtojë se me ç’mënyrë të sillet, në ç’rast, me çfarë toni e kështu me radhë.
Duhet bërë gjithmonë të psherëtijë dhe të kujtohet për këtë aforizëm: burrat që duhen më fort nga gratë e tyre janë ata që dinë më shumë të ngjallin respekt, si dhe pak frikë. Mos harro se gruaja priret ta bëjë pa qëllim burrin e vet dashnor, por që burri duhet të ruhet nga kjo dobësi si nga një degradim.
Është pozitive për burrin që një grua bashkohet në martesë me dashurinë e saj të parë; në këtë perspektivë, aq sa mundet, ai duhet ta marrë të virgjër. Po të supozojmë se zemra e saj ka psherëtirë sakaq për një tjetër, buzët e saj do të mbyllen. Gruaja afeksionohet gjithmonë me atë që i ka shpërfaqur vëmendjet e para.
Të lejosh shumë, jo në formë tranzicioni, porse liberaliteti. Burri është zotni, duhet të jetë bujar, nuk duhet të bëjë pazare. Besimi duhet të jetë absolut nga ana e gruas kundrejt të shoqit; ky duhet ta kërkojë me ngulm; besimi drejt gruas në të kundërt s’ka si të mos jetë i kufizuar. Çdo burrë ka të fshehta që mund t’ia besojë një miku, por jo të shoqes.
Shumë indulgjencë, sepse gruaja është e dobët. Kurrë mos me e falë për mangësi të mëdha: do të përfundonte duke e përçmuar të shoqin në përpjesëtim me fajin e vet. Një burrë i tradhtuar mund ta mbrojë duke shmangur skandalin, por duhet të ndahet fizikisht dhe afektivisht: nëse vepron ndryshe, zvetënohet dhe është i humbur. Është një triumf për nusen ta rikthejë tek vetja burrin kurorëshkalë; është degraduese për të shoqin të marrë gruan jo besnike. Nuk është aspak e gabuar me qenë energjik kur duhet, në fjalë, në vullnet, në veprim edhe në gjeste... Burri e zotëron forcën për ta përdorur; pa forcën, gruaja do ta përçmonte; ta bësh që ta ndjejë se je i fortë është një mënyrë edhe për t’i pëlqyer, për ta magjepsur, për ta joshur. Gruaja gërnjare, grindavece, pret çastin e favorshëm për ta përgënjeshtruar arsyen e të shoqit. Me u gjegjë pak a mos me u gjegjë fare, me u sjellë në mënyrë që me pasë të drejtë, dhe me dashtë. Vullnet dhe sovranitet, është diçka më shumë se arsyeja.
Në fund fare, duhet të reflektosh mirë mbi faktin se gruaja i është dhënë burrit për lumturinë e tij, për zhvillimin e dinjitetit të tij dhe të drejtësisë së tij, për gëzimin e zemrës së tij; por me kusht që ai të bëhet zot absolut i saj dhe që të jetojë së bashku me ’të, pothuajse të njësohet me ’të, t’i shërbejë si ndihmë e vlefshme, si partner dhe si bashkëbisedues.
Nuk po shprehem mbi galanterinë dhe mbi format e saj. Atje ku pranohet, bëhet fjalë për një stil, sikurse të dish me kërcye, me përshëndetë, me ecë, e kështu me radhë. Në mënyrën më të rafinuar, është shestuar se ajo shërben më tepër për t’i garantuar vetes favoret e grave sesa t’i dominosh. Është fjala këtu për një formulë mirakandje, asgjë më shumë. Në fund të fundit, gratë elitare parapëlqejnë troçësinë, ndershmërinë e thjeshtë e të njerëzishme, ndaj të gjithë favoreve të galanterisë.
Në marrëdhëniet me gratë, të tregosh një respekt të madh, një nderim të thellë, por të shprehur në mënyrë që gruaja të kuptojë se nga njëra anë, pjesa më e madhe, i drejtohet të shoqit. Mesveti, burrat e kanë detyrim këtë respekt, dhe gratë i japin rëndësi të madhe. Fyerja më e madhe ndaj një gruaje, është t’i lësh të nënkuptuar një mungesë vlerësimi kundrejt të shoqit.
Në përgjithësi, le ta mbajë mend i riu ynë se të gjithëve na bie për hise dashuria dhe bashkimi martesor. Heqja dorë me dashje nuk është e pamundur dhe mund të bëhet absolutisht e lavdërueshme, si çdo sakrificë, kur e lyp detyra, ose puna. Në çdo rast tjetër, ta lësh veten që të konsumohesh nga dëshirat është krejt e pahijshme dhe çon në veprime të turpshme.
Mbi marrëdhëniet dashurore. Marrëdhëniet me prostitutën, kur nuk mbartin shthurje, janë një fakt i falshëm, po aspak i denjë, dhe i patolerueshëm te një republikan, mik i popullit. Shenjë mjerimi dhe shfrytëzimi. Kurtizania ose gruaja e rrugës, një pus korruptimi. Konkubinati, ose lidhja e lirë, nëse personi ka ndonjë vlerë, transformohet në një martesë; për pasojë, nuk mund të tolerohet apo edhe të justifikohet, përpos në raste të jashtëzakonshme. Pra duhet mbërritur te martesa.
Talente: balerina, muzikantja, letrarja. Nëse bëhet fjalë për një zanát, hahet. Është gjë e rrezikshme, por e pranuar, si me qenë kapelabërëse, rrobaqepëse, e kështu me radhë. Në këtë rast, burri që gjen grua, përnjëherësh, një nuse dhe për më tepër një ortak në tregti, është në pozitën e kompleksit të inferioritetit.
Ruaju nga virgjëreshat mendjeshthurura, nga gratë e lehta. Thuhet lehtë, për t’u gjetur ndonjë shfajësim, se kanë zemër të mirë. Po, ju gllabërojnë me puthje, ju lëpijnë, ju kënaqin; janë të lezetshme në shtrat, të shërbyeshme, të dashura; janë të dhëna për entuziazëm, për sakrifica; kanë shpirt mëshire, do të arrinin deri edhe të jepnin peng xhevahiret e kështu me radhë. Këto cilësi për të cilat i lëvdojmë, madje që kanë rëndësi të paktë te gruaja serioze, që është e lidhur me detyrat e saj, janë tek ato subjekt vithisjesh të rënda.
Tek jeta familjare, këto gra nuk janë të mira për asgjë; lodhen shpejt, tregohen të guximshme një herë në javë, erzi i tyre është i dyshimtë; urrejnë të gatuajnë, e detyrojnë burrin të shkojë vazhdimisht në restorant; lodhen shpejt nga sertësia shtëpiake. Kanë nevojë të ngushëllohen goxha nga engletisje, vizita, pritje, shëtitje, spektakle. Konkubinati është shorti i tyre, veç në mos e kompensofshin mediokritetin e tyre si gra shtëpie me ushtrimin e një veprimtarie fitimprurëse, në të cilin rast bëhet e nevojshme t’i zëvendësosh në shtëpi me një grua tjetër, gjë jashtëzakonisht e rrezikshme.
Zemër virgjëreshe, zemër mermeri. Asnjë grua nuk është më e pafytyrë se vasha; asnjë nuk është më e dyshimtë, e brishtë dhe false, se vajza e pjekur.
Vasha nuk ëndërron gjë tjetër, me pretekstin e martesës, përpos të bjerë në krahët e një burri. Dhe sa më shpejt që është e mundur. S’ka fejesë: moshë hyjnore, thotë Grün19. Pasi të jetë ngopur burri i saj dhe ajo të ketë ngelur shtatzanë e mandej të ketë lindur, jeta e saj ka mbaruar, veç në mos gjettë ndonjë dashnor!...
Hegeli pohon se dinjiteti i vashës është ta lërë që ta martojë i ati. Féneloni, tek Telemaku, mëton të njëjtin parim. E gjithë kjo ka ndryshuar me Rusonë dhe Héloizën e tij.
Nga se lind madhështia sublime e martesës? Nga të qenit e saj sakrificë e përkushtim i plotë. Nuk martohesh për të bërë dashuri. Dashuria për dashurinë, dashuria për kënaqësinë: çdo grua që e mendon kështu është kurvë.
Vajzë, kam vetëm një këshillë me të dhanë. Pikësëpari, mos u marto tepër e re; ruaje për vete, nëse e ke të mundur, rininë tënde dhe virgjërinë deri në moshën njëzet e katër vjeç. Atëherë, nëse gjen një burrë më të vjetër se ti me nja dhjetë vjet, të fortë, inteligjent, punëtor, të guximshëm, të vullnetshëm, që të mundësohet, merre menjëherë, edhe pse nuk është as i bukur, as i gojës, as artist. Me ’të do të ndihesh e nderuar dhe e lumtur sa ç’mund të jetë një grua me gjykim të shëndoshë. Kujtohu se më galanti dhe më i pasionuari ndër të dashuruarit është bashkëshorti më i keq, një qenie qesharake, që shumë shpejt ka për të t’u neveritur dhe të cilin rrezikon ta bësh lolo, sapo të mos kesh më dëshirë për ’të.
Çdo grua e kullandris të shoqin, shumë më tepër ngaqë e sheh si budallà, të dobët e qesharak, a ngase gjithë duke luajtur me ’të lojën e dashurisë, ai e ka humbur respektin në sytë e saj, sesa pse nuk e don më. Burri që mbetet serioz dhe që ruan forcën e tij nuk do të bëhet kurrë qesharak dhe vetëm rrallë ka për t’u tradhtuar.
Çdo grua ka në jetën e saj çaste të mira; kjo të shtyn ta kërkosh, kjo mjafton për të dehur ndonjë fatkeq që prangoset në shortin e saj dhe nuk e kupton se çfarë ka bërë. Mirëpo, hiqeni zotimin e martesës, katandisuni në konkubinat: gruaja është e humbur.
Kur merret zotimi, vendosesh në shërbim të personit apo të Zotit të cilit i përkushtohemi, sipas aftësive vetjake dhe nevojave ose ligjit të këtij personi ose Zotit. Një grua që i kushtohet një burri, premton ta ndjekë dhe t’i bindet totalisht dhe të ketë kujdes për ’të, përderisa është më e dobët se ai, si një damë shoqërie. Një burrë që i përkushtohet një gruaje, premton se do t’i dalë zot, do ta ushqejë, do ta mbrojë e kështu me radhë, siç bën më i forti ndaj më të dobëtit!
Përkushtimi nuk është diçka arbitrare; pra, ai presupozon kushte natyrore të vendosura a priori. Ai e përjashton kapriçion, ku në të kundërt do të katandisej martesa e bazuar mbi pretendimin se burri e pranon gruan të barabartë me veten dhe këmben me ’të funksionet, të drejtat dhe detyrat. Por quid, nëse gruaja mohon raportin e përkushtimit dhe pretendon paritet e barazi?
E pra, ruaju mos e marrësh për grua, atëherë. Dëboje nga vetja, tek budallai që do të interesohet për ’të, këtë bishë të egër. Nëse mandej lidhja është konsumuar sakaq, nëse kanë lindur fëmijë, nëse fatkeqësia jote është e pakthyeshme, e pra, në këtë rast mos ngurro. Me arsyen dhe me forcën, duhet vënë ai bast. Mos thuaj: do ta lë; kështu bën i dobëti. Është e nevojshme që ajo të jetë e bindur, qysh në ditën e parë, për një gjë: që ti nuk do ta lësh dhe se ajo do të ulë kokën.
Një burrë inteligjent dhe i vendosur zotëron në vetvete atë çka duhet për ta zbutur këtë rebele. Ekziston vetëm një rrezik dhe është komploti i shoqërisë kundër të drejtës së bashkëshortit; gjykatat i pranojnë lehtë kallëzimet e të përdalave, përzihen në çështjet familjare, ndërhyjnë në të drejtën shtëpiake: është një uzurpim autoriteti dhe funksionesh. Disa i kanë përdorur detyrat e tyre si mjet libertinazhi. Bëhet fjalë për burra që duhen vrarë si qenër. Duhet kapërcyer pengesa, duke e konsideruar drejtësinë e shtetëruar si armike të qetësisë shtëpiake, madje edhe si shtyllë të imoralitetit dhe të revoltës femërore.
Bashkëfajësia sociale: burracakët, gjithmonë të gatshëm të mikpresin të përdalat dhe kurorëshkalat. Bota është plot me ’ta.
Duhet ndërhyrë mbi opinionin e zakonshëm dhe prej këtej mbi drejtësinë dhe legjislacionin, në mënyrë që kryefamiljari të rifutet në juridiksionin e vet shtëpiak, në nderet dhe në autoritetin e tij. Nëse gratë nuk ndihen të kontrolluara në nivel social, si në vatrën shtëpiake, janë tradhtuar pushtetet e Shtetit: do të ishte rasti të thoshim se kryengritja e qytetarëve bëhet detyrim.
Në familje, burri është gjykatës; gruaja është priftëreshë dhe idhull.
Kontradiktë në dukje: me u bindë për me mbretnue. Gruaja që komandon e turpëron të shoqin dhe herët a vonë ia dredh. Gruaja që në martesë kërkon kënaqësinë, nuk vlen më tepër: është një lavire bjerraditëse, makute, llafazane, plangprishëse, të cilës i shoqi nuk i mjafton gjatë. Pra, ose kurtizane ose amvisë; kam pasur të drejtë kur e kam pohuar këtë gjë dhe nuk ndryshoj mendje. Më mirë burgosja se emancipimi; Lukrecia, Kornelia, Virgjinia20 do thoshin: më mirë vdekja!
Raste në të cilat burri mund të vrasë gruan, sipas drejtësisë së rreptë atnore: 1) kurorëshkelja; 2) mungesa e cipës; 3) tradhtia; 4) dehja dhe shthurja; 5) plëngprishja dhe vjedhja; 6) mosbindja kryeneçe, arrogante, përçmuese.
Burri në martesë ka të drejtë ta gjykojë gruan, teksa kjo nuk ka të drejtë të gjykojë të shoqin. Një ndërsjellshmëri në këtë rast do të ishte e papajtueshme me nënrenditjen martesore: ajo nënkupton një kontradiktë. Gruaja e keqtrajtuar, e përdhosur, mund t’i drejtohet këshillit të familjes dhe, nëpërmjet këtij, drejtësisë publike.
Çdo familje e formuar nga burri dhe nga gruaja, me apo pa fëmijë, ose nga një vejan apo vejushë, me të bijtë, ose vetëm nga bijtë, jetimë, përbëhet natyrisht prej babait e nënës, ungjërve dhe tetove, vëllezërve dhe kunetërve, kushërinjve dhe kushërirave, vjehërrve dhe vjehrrave, bijve e nipërve në moshë të rritur, të mbledhur në numrin prej së paku katër personash; në mungesë të të afërmve, afrohen persona të përcaktuar ligjërisht: kryebashkiaku ose zëvendësi, gjykatësi i paqit, kryetari shefi i uzinës a shefi i zyrës, ortaku, kolegu ose vëllami; kapedani i shoqërisë, nëse kryetari i bashkisë bën pjesë te garda nacionale apo tek ushtria; mjeku i familjes, miqtë, të njohurit.
Këshilli i familjes ekziston në titull të plotë në tërë botën. Thirret në mënyrë legjitime, me kërkesë të pjesës paravajtëse, nga ai që mes përbërësve të tij është kryetari i natyrshëm, sipas rendit t'afërsisë së gjakut ose të pozitës civile. Është një turp për shoqërinë tonë, një simptomë dekadence, fakti se gruaja mund të lypë divorcin për mospërputhje karakteri ose për shkak të dhunës së të shoqit. Derisa nga ana e këtij të fundit nuk ka urrejtje, imoralitet, paaftësi, vese të rënda dhe të pamotivuara, gruaja që bën kallëzim duhet të gjykohet fajtore dhe të çohet në shtëpi. Vetëm këshillit të familjes i takon të formulojë, për ’të, kërkesën e ndarjes.
Burri ka aftësinë të përçmojë ad libitum. Prodhon kontradiktë detyrimi - tek ai që ushtron autoritetin - me jetue pa dëshirën e tij me nusen. Vetëm këshilli i familjes dhe, nëse i shkohet më tej, gjykatat, do gjykojnë në lidhje me kthimet dhe dëmshpërblimet. Nëse burrit i është dhënë më shumë inteligjencë dhe karakter se gruas, ato janë për t’i përdorur. Këtë e imponojnë inteligjenca dhe karakteri. Dhe nëse i është dhënë një forcë më e madhe, është edhe për t’ia ushtruar të drejtat e saj. Forca e zotëron të drejtën, forca e imponon.
Brezi i sotëm nuk është në lartësinë e martesës; shoqëria kërcënohet nga një rënie drejt konkubinatit. Në këtë parashikim, ka rëndësi që ai burrë, i cili në vend të një gruaje merr një dashnore, të dijë si të sillet. Marrëdhëniet e lira nuk kanë qëllim tjetër përpos dashurisë: të nisemi nga ky parim, pa i shtuar asgjë tjetër. Posa të vendosni edhe miqësinë, çështjet e interesit, edukimin e bijve, ju dashnorë rrëshqisni gati pa e vënë re tek martesa. Atëherë mos bëni pazare: martohuni.
Pra, mes dy dashnorësh asnjë strehë e përbashkët, asnjë bashkëjetesë dhe numri më i vogël i mundshëm i netëve bashkë. Zelli, bashkëbanimi, e bëjnë dashurinë të amësht; vetëm dinjiteti bashkëshortor nënkupton jetën në bashkësi. Secili në shtëpinë e vet, secili duke u marrë me punët e veta: dashuria, epshi, do fitojnë prej kësaj dhe po kështu morali. Nëse mandej ju e lini veten të tërhiqeni drejt jetës së përbashkët, mos bëni pazar, martohuni! Jeni praktikisht bashkëshortë, përveçse nga lidhja zyrtare: është e kotë t’i kundërvihesh zakonit dhe ta ofendosh institucionin me njëfarë sfide. Që të dy do të gjendeni keq: duke pushuar së qeni diçka e rrallë, duke mos qenë më paradoks, paradoksi që është përgjithësuar, konkubinati juaj nuk do të ishte tjetër përpos një martesë, pa garancitë e saj ligjore, çka është një absurditet.
Një burrë nuk duhet t’ia prezantojë kurrë dashnoren e vet miqve, t’i çojë tek ajo, ta çojë në shoqëri. Nderet dhe aletet e nuses nuk janë bërë për ‘të: është natyra e gjërave që i kundërvihet. Dashuria bëhet kapardisje e vetëm dy tipave: atij bashkëshortor dhe atij të prostituuar, dy skajet pra, antiteza. Dashuria konkubine fshihet; sekreti është ligji dhe rregulli i saj. Konkubina që shfaqet në shoqëri, duke mos qenë nuse, është një prostitutë. Meqë nuk është kund nderi bashkëshortor që ta mbulojë, ajo është e pacipë, ka zakone të shthurura, është e pacipë. Dashnores që rri në hije dhe mezi e lë veten të duket, i falen shikime; dashnores që kapardiset, i rezervohet vetëm përçmim dhe, me raste, fyerje.
Burri galant i detyrohet afekt dashnores së tij, mbrojtje, ndihmë; por asgjë më shumë. Meqë nuk merr përsipër përgjegjësinë e sjelljes së saj, nuk ka autoritet mbi ’të; nuk duhet të presë nënshtrim, sakrificë prej saj: anasjelltas, nuk i detyrohet asaj kurrfarë sakrifice; gabon nëse i komprometon qoftë dhe pjesërisht, për ’të, projektet e tij, të ardhmen e tij, ambicien, fatin, jetën e tij.
Skllavëria e konkubinatit është më e rëndë se lidhja bashkëshortore, pasi vjen nga mishi: martesa në të kundërt ka për qëllim, në flinë e dashurisë, çlirimin nga skllavëria mishtore dhe epshore, madje përvendosjen e lidhjeve të arsyes, nderit dhe së drejtës. Dashuria e lirë është një tiran, ai tiran që të gjithë poetët (mos harroni!), e kanë celebruar. Burrë, nuk do t’ia japësh lirinë gruas përveçse në kurriz të lirisë sate; grua, nuk do t’i japësh leje dashnorit tënd përveçse në dëm të nderit tënd dhe të lumturisë sate.
Mos ia beso sekretet ose punët e tua dashnores sate: do të abuzonte me ’to. Mos i kërko shërbime: do të përfitonte për të tiranizuar. Mos i jep kurrë një gruaje të lirë, dashnores sate, ndonjë vend ku me të kapë; mos u angazho, mos premto asgjë, mos i jep garanci. Mbaje në distancë, larg; vepro me ’të, në çdo çast, thua se një ditë do të ndaheni.
Një bashkëshort me namuz mund ta shkojë në thikë gruan e pabesë. Por nuk jam i bindur se i lejohet t’i japë një çokë dashnores tradhtare. Ajo është e lirë; ti e ke dashur të lirë; liria është karakteri i konkubinatit. Nën këtë raport, dashnorja e lirë ndan shortin e kurtizanes, që është gruaja e lirë në spikamë: ajo nuk e gëzon të drejtën të shkohet në thikë.
Xhelozia është shoqja e dashurisë së lirë: në mes çiftit, ajo është e panjohur. Këtu, mosbesnikëria të fyen, të bën fatkeq, shkakton dhimbje, por kaq është e gjitha. Te çifti ajo krijon një xhelozi djegëse, furinë e rivalitetit, dhe bren, të bën të xhindosur, të shtyn në vrasje. Te konkubinati dashuria për veten, vaniteti, krenaria, goditen nga mosbesnikëria; te martesa, goditet e drejta. Mosbesnikëria e dashnorit është gati një rezervë e nënkuptuar e kontratës së dashurisë së lirë dhe dashnori nuk ka të drejtë të marrë hak; vrasja e nuses së pabesë, në të kundërt, është një akt drejtësie bashkëshortore.
Dashuria bashkëshortore është ekskluzive, unike, e shenjtë; prandaj ta dhunosh është një krim, i dënueshëm me vdekje. Dashuria e lirë nuk është absolutisht e papajtueshme me shumësinë, kështu siç e ka parë Furie, e siç e kanë kuptuar mirëfilli Orientalët poligamë; prandaj premtimi i besnikërisë mes dy dashnorëve në vetvete është i pavlefshëm: është bileta për La Châtre21. Prandaj e vetmja hakmarrje që i lejohet konkubinatit të tradhtuar është ndarja dhe përçmimi.
Përkushtimi është epran ndaj dashurisë; ligji bashkëshortor është më shumë juridik se erotik.
Siç duhet të na çlirojë nga skllavëria, nga proletariati, nga poligamia, nga prostitucioni, kështu qytetërimi duhet të na çlirojë edhe nga ngatërrimi i gjinive, duke i dhënë burrit një edukim gjithmonë e më mashkullor dhe gruas gjithmonë e më femëror.
Konkubinati, në një demokraci, nuk mund të përnjihet si formë legale e bashkimit mes burrit dhe gruas. I përket në fakt, thelbësisht, dokeve aristokratike. Gjithsesi, lidhjet intime pa mashtrim dhe që janë zhvilluar në mirëbesim krijojnë disa të drejta në favor të gruas dhe të bijve dhe i lënë vend një veprimi kundër mashkullit. Ndihma, mirënjohje, dhe kështu me radhë.
Dashuria: është e shuar; është më i madh afshi: i shqisave, i gjakut.

Mbi dashurinë në martesë. Të gjithë e urojnë këtë gjë, të gjithë thonë se është një gjë e dëshirueshme, por asnjë moralist, asnjë poet s’e ka kuptuar se dashuria është e sigurt, por vetëm mes njerëzish të ndershëm dhe të arsyeshëm. Dhe përkundrazi bëhen gjykatëse vajzuket dhe të rinjtë njëzetvjeçarë! Si nëpër komedi: këtu janë kapriçioja (është zakon të thuhet: më është shkrepur për atë burrin), instinkti, turma, me mbretnue! Mirëpo, parimet e bashkimeve të lumtura janë të mëposhtmet:
1) Një edukim i mirë dhe një inteligjencë e mjaftueshme bëjnë që mes subjekteve të zhduken zakonet e këqija, tiket e papëlqyeshme, teprimet e temperamentit, të përpjetat pasionale, e kështu me radhë, dhe krijojnë një gjendje të ndërmjetme që, medoemos, është e epshme të përshtatet me gjithçka. Kështu zvogëlohen mospërputhjet dhe antipatitë e karakterit që, tek subjektet, përvijojnë temperamente fare pak të latuara.
Burri racional dhe i lirë, i dijenishëm nga përvoja universale, duhet ta mundë epshin e pashuar dhe mospërmbajtjen që ka brenda vetes, të kontrollojë zemrën e vet, të mos i zërë besë imagjinatës së tij, të ruhet nga prirjet e vetvetishme, të mbajtura si zbulesa hyjnore ose parandjenja misterioze, dhe që përkundrazi shumë shpesh janë vetëm shtazëri. Duhet të mbajë për të sigurt se mes burrit të ndershëm dhe gruas së ndershme dashuria është e sigurt dhe e cilësisë më të mirë. Çifti duhet të zgjidhet duke e parë njëri-tjetrin, si me thanë, vetëm me sytë e shpirtit; burri duhet të mëtojë se gruaja është e denjë për ‘të dhe bëhet e çmuar nëse bashkon këto cilësi: nëse është e shëndetshme, me mend në krye, punëtore, e dëlirë, e hijshme, e zonja në punët e shtëpisë, nëse e do rezervimin dhe erzin.
Nga ana e saj, gruaja duhet ta quajë burrin e saj të denjë për gjithë dashurinë e saj, nëse është i shëndetshëm dhe i fortë, mendjembledhur, punëtor, i urtë në gjykim, pa vese të tepruara (epsh, pije, mëri), arsimdashës, i sertë, padron i opinioneve dhe zakoneve të tij, aspak përtac... Bashkëshortë kësoje do mund të duhen pa qenë pamë asnjëherë, do jenë të përkushtuar shoqi ndaj shoqes, dhe dashuria e tyre do duket e paqtë dhe e freskët si një mbrëmje qershori.
Gruaja e hijshme dhe shtëpiake nuk është ajo që prek arkën e plehrave me majën e gishtave; që, për të pastruar, vesh një fustan miklues ose që, duke marrë zvarrë pantoflat me justifikimin e pastrimit, mbetet e mbuluara me rrecka dhe me zhele plot zdralë. Është në të kundërt ajo që, e ngjeshur në rrobat e saj, me fund të shkurtë, të ngjeshur, e veshur sa më thjeshtë, madje pa stërhollime, por në mënyrë të hijshme, me këpucë të qëndrueshme, me përparësen para kokës së mbuluar nga një kufje e mbyllur, nuk ka frikë të zhysë duart dhe krahët në pisllëk, e fshin tej pisllëkun, përdor fshesën dhe gatuan pa probleme.
Është absolutisht e nevojshme që burri t’i imponojë respekt të shoqes, duke përdorur të gjithë mjetet që i janë dhënë: forcën, largpamësinë, punën, zellin. Në asnjë nga këto fusha gruaja nuk do dinte ta mbërrinte. Veç kësaj, është e nevojshme që ai të ketë dhe të japë provë guximi, vullneti, drejtësie, mëshire; që të jetë i mirë, i devotshëm kundrejt miqve dhe gjësë publike. Mbi këto dy pika të fundit, gruaja është prej natyre kaq larg nga barazia me burrin, sa në vend që të lëvdojë virtytin e tij është në gjendje ta bëjë me faj. Virtyti femëror ka si masë intimitetin, jo dimensionin e jashtëm. Atë çka një burrë do bënte për miqtë dhe për republikën, ajo do e pretendonte për vete dhe për bijtë e saj: këtij justifikimi të bukur që fsheh egoizmin, burri nuk duhet të marrë kurrë mundimin për t’iu përgjigjur. Do bëhen përpjekje për ta bindur se nuk ka të drejtë t’u sakrifikojë të tjerëve, të huajve, as bijtë, as gruan, as mirëqenien e vet, as veten. Dhe këtu duhet kuptuar mirë ajo që ka thënë Krishti: se dora e majtë nuk duhet ta di të mirën që ka kryer dora e djathtë. Dora e majtë, kjo është gruaja! Një burrë i vërtetë nuk do t’i kërkojë leje para se të bëjë mirë: por as, më mbrapa, nuk do shkojë që t’ia thotë. Gjuha e gruas është shpifësja e virtytit viril, posa ky virtyt e kalon pragun e shtëpisë.

Vlen më shumë një grua sakate në shtëpi, se një lozonjare e shkathët që vërdalliset.

Mes epsheve, kam stimë vetëm për atë që është në gjendje të arsyetojë dhe të më lerë të lirë; atë që, për të rënë në sy, kërkon thjesht afeksion, folatroçësi, vetëdije dhe shije të mirë: përjashta kësaj, ka teprim, degjenerim, përdalje. Inteligjenca, shija e mirë, pacenueshmëria, liria: ja katër kushtet thelbësore të lumturisë, ja si mund ta shijosh një grua të ndershme, modeste dhe punëtore.
Për të qenë i lumtur me një grua, duhet: 1) me e respektue; 2) me e dashtë, jo me pasion, por me shpirtbutësi; 3) me qenë superior ndaj saj, për aq sa është e mundur, për nga kondita, gjenialiteti, puna, guximi, forca, përkushtimi; me një fjalë, duhet që ajo të marrë vesh se ju mund të bëni më shumë se ajo dhe se ajo ju ka borxh nga çdo anë. Këtu, pasioni dashuror nuk ka rëndësi; ëmbëlsia dhe sakrifica janë gjithçka.
Një romancier, nuk më kujtohet cili, ka botuar një libër të titulluar: Gruaja tridhjetë e tre vjeçare22, dhe një tjetër me titull: Gruaja dyzetvjeçare. Do kishte mundur me shkrue një vepër të dobishme, sikur vetëm të mos i kishte marrë shumë seriozisht pasionet dhe ekstravagancat që e kapin gruan kur iu afrohet të dyzetave. Edhe në martesat e zakonshme, gjërat shkojnë mirë për dhjetë a dymbëdhjetë vjetët e para, nganjëherë për pesëmbëdhjetë apo njëzet vjetët e para.
Mandej, papritur e pa kujtuar, kur fëmijët bëhen të mëdhenj, gruaja kapet nga një gjendje e veçantë melankolie, tipike për gjininë e saj dhe që përbën krizën më të madhe të jetës së saj morale. Duke reflektuar mbi ekzistencën e saj, mbi konditën femërore në familje dhe në shoqëri, arrin ta konsiderojë veten një krijesë e flijuar, me fat të dorës së dytë, që nuk vlen dhe nuk jeton as vetë, as për vete. Krenaria e saj rebelohet; ajo thartohet dhe bie në mizantropi, në hipokondri; ka çaste braktisjeje, merakosje pa shkak, lot pa shkak. Aspiron barazinë, përqesh të zotin. Nëse i shoqi del, ia lejon vetes këtë edhe ajo, e kështu me radhë: kjo duhet shtypur, nuk duhet duruar asnjë rebelim.
Cila është domethënia e gruas në tokë? Të supozojmë se shorti i saj ka qenë më zemërgjerë, aq sa me u shtie zili gjithë të tjerave; që, e lindur pa pasuri, është zgjedhur dhe dashuruar nga një burrë i ndershëm, besnik, bujar, pikërisht siç e dëshironte ajo dhe që mandej është martuar me ‘të. Le të marrim me mend se ka gëzuar të gjitha të mirat e dashurisë, të gjitha epshet e fatit, të gjitha vëmendjet sociale, të gjithë homazhet familjare, të gjitha kënaqësitë e amësisë; e pra, kur ka mbrri’ ora, e zbulon veten të palumtur. Në përfundim, ajo i thotë vetes, nuk kam lindur për vete, por për një tjetër; unë nuk jam qendra, por një rreze; jeta ime nuk është një jetë, është një shtojcë. Më kanë dashuruar, jam rritur e lumtur; iluzion!, jo për mua, por për atë që më ka marrë! Jam një xhevahir, një e mirë e lëvizshme; më kanë admiruar, rrethuar me vëmendje, me kanë trajtuar me çdo respekt, më kanë adhuruar; kam pasur suksese: por gjithçka i takonte atij, si një pronari. Vallë a nuk mbaj mbiemrin e tij, unë?
Një bashkëshorte nuk ka mbiemër, në mos atë që kishte në vajzëri. Nuk është një qenie që shquhet nga mbiemri: është e shoqja e Pjetrit apo e Palit, asgjë më shumë. Unë, e pafajshme, e verbër, iu dhashë atij, ai më deshi e më mori. Për çfarë u desh mosha ime më e bukur, më e ndritshme? Për ta bërë të lumtur, për ta bërë që ta kenë zili kudo, për t’i dhënë fëmijë. Gruaja është një makinë riprodhimi. Ai komandon dhe unë bindem; ai ecën dhe unë duhet t’i shkoj mbrapa. Dhe tani, gjithçka mbaroi; ditët e mia më të mira, dhe unë çfarë jam? E vraguar, e përdorur, e eklipsuar, e veçuar, gjyshe pas pak, objekt ironie dhe mëshire. Kurse ai, a nuk duket se po rritet në autoritet, fuqi, stimë? A nuk po bëhet më sqimatar, më i fortë, më i vlerësuar, më padron i vetes, dhe i të vetëve dhe i të tjerëve, sa më shumë që fytyra e tij mbulohet nga rrudhat, i përkulet këmba, i kërruset trupi dhe koka e tij thinjet? Lavdia e burrit rritet deri në vdekje; ajo e gruas bie qysh nga dita e martesës. E pra, unë bëj pjesë, pa asnjë dyshim, te grupi i grave të lumtura! Pale të tjerat pastaj! Ç’shakà!... Do jepja tërë jetën time për një ditë lirie, pavarësie, jete prej njeriu të vërtetë: ne, në fakt, nuk jemi njerëz të vërtetë. Personaliteti i gruas nuk riprodhohet jashtë familjeve, ai mbetet objekt pronësie të pandashme.
Kjo sëmundje mendore godet sidomos gratë e klasave të rehatuara, ato që kanë kohë të lirë dhe arsim: ato fatlumet, ato që lakmohen nga të gjithë; teksa është shumë më e rrallë - mezi i gjendet ndonjë gjurmë aty-këtu - në shtresat popullore, tek fshatarja dhe tek gruaja e punëtorit, atje ku veprimtaritë e përditshme, nevojat urgjente, nuk i lënë vend meditimeve. Jeta e burrit është një luftë, sidomos për burrin e popullit; gruaja është etèra* e tij, shoqja, ajo që i bien ushqim ushtarit. Pale, ku bëhet fjalë mes atyre të dyve, me debatue mbi mbizotërimin dhe mbi autoritetin! Duhet të luftojnë; rolet shpërndahen sipas qëndrimeve të subjekteve; asnjeri s’e ka kohën për të pyetur veten nëse qëllimin e tij e gjen brenda vetes a gjetiu, nëse është bosht apo tel, diell apo planèt.
Dëmet e kësaj sëmundjeje janë nganjëherë shpresëhumbës: disa bëhen kryengritëse të vërteta; disa të tjera, duke mos ditur si me e përdorë lirinë e tyre, hidhen te tradhtia bashkëshortore; të tjera mandej, n'urrejtje të seksit, hidhen në dashuri heterogjene. Pa një motiv të vlefshëm, shumë raporte familjare, përsosmërisht të bashkuara për dymbëdhjetë a pesëmbëdhjetë vjet, janë bërë një ferr.
Gruaja që i afrohet të dyzetave, dhe që sulmohet prej këtij Azmodeu23, pendohet pse është martuar; harron burrë, fëmijë, kurorë e shtëpi; gjithçka e neverit, i bëhet e papërfillshme ose e padurueshme; ajo do veten, kërkon, dhe nuk gjen.
Bëhet fjalë me e kapërcye këtë çast krize; varet nga ti, bashkëshort, me ia dalë në krye shëndosh e mirë këtij shtrëngimi dhe me e shëndue të sëmurën tënde. Sapo, prej disa shenjave të padurimit, prej disa akteve të vogla të pavarësisë, prej ashpërsisë së ndonjë vëzhgimi, do kesh përnjohur simptomën fillestare të së keqes, ka me tu dashtë me adaptue një sjellje të rreptë dhe të peshuar mirë. Asnjë këshillë, asnjë paralajmërim, asnjë fjalë ankese; kjo sëmundje nuk duhet trajtuar me arsye, e logjikë; gjithçka që do të thoje do shërbente vetëm për ta përkeqësuar të keqen. Është e qartë se nuk duhet ta kundërshtosh gjysmën tënde në gjithçka që e ç’aftëson: është kështu, dhe është mirë. Në vend që të përpiqesh ta ëmbëlsosh situatën, duhet përkundrazi ta bësh jo më pak të ashpër, por më të pathyeshme, më të paepur. Duhet të jesh, atëherë, gati për një përshfaqje të fatit. Aq më keq akoma do të ishte me e ngushëllue nga dertet e saj, me i dhanë zhdëmtime, me fshehë prerogativat e saj: do të kishte me të konsiderue dhe me të drejtë, hipokrit, të dobët; do kishe me e neveritë. Lëre ta shfryjë pikëllimin, pa asnjë fjalë, pa asnjë vëzhgim: sidomos atëherë, asnjë shenjë butësie. Në atë çast, ajo nuk është më një grua; dashuria jote do të ishte kundër natyre; kastiteti më i plotë të bëhet rregull. Përndryshe do humbisje, madje dhe ajo me ty. Mbi atë zemër të pandjeshme duhet të veprosh me mjete të tjera, për t’ia kthyer energjinë dhe moralitetin.
Në radhë të parë, duhet të mbikëqyrësh veten, duke abstenuar në mënyrë të skrupullt nga kuvlia bashkëshortore dhe duke ruajtur besnikërinë më rigoroze. Asnjë fjalë, asnjë gjest galant, as djathtas, as majtas. Me t’u goditur nga kjo sëmundje gruaja jote, duhet të sillesh si të ishte shtatzanë apo eremit. Vlera jote, autoriteti yt, do të shtohen shumë më tepër: dhe ajo nuk do ta kalojë pa e vënë re.
Me të hequr mënjanë dashurinë dhe butësinë, duhet të dyfishosh veprimtarinë e punës, në krye tek të gjitha gjërat që bëjnë pjesë te puna jote, mandej, dhe më shumë se në të shkuarën, në atë të shtëpisë. Gruaja jote vuan; mendja jote është e tronditur, zemra jote është e dobësuar; pa lënë me të shpëtue qortimi minimal ndaj saj, bëj si atëherë kur ajo është e sëmurë; shfaqu i zënë me punët e shtëpisë, duke treguar se, në mungesë të saj, mund t’ia dalësh fare lehtë.
Bisedat tuaja le të bien vetëm mbi të ardhmen: edukimi i bijve, paja e vajzave, shpenzimet që e gjithë kjo sjell, sforcimet që duhet të bësh, masat për t’u marrë, luftërat me u përballue. Pak e pak, gruaja jote do të përnjohë se ti vlen më shumë e më mirë se ajo; do të reflektojë mbi faktin se edhe ti je i nënshtruar dhe ekzistenca jote është e nënshtruar; por edhe që, teksa zemra jote mbushet dhe fryhet me tymtajë, ti përparon mendjembledhur, pa u ankuar, pa pritur shpërblime, mbi rrugën e sakrificës dhe të detyrës. Herët a vonë, këtë do të mendojë ajo dhe do të kapet nga brejtjet e ndërgjegjes.
Mandej, natyra femërore do të marrë prapë frerët: pasi ka gjëmuar dhe fsharë, ka me vu re se i ngelen akoma miket e rinisë; ka me dashtë me e rrokë këtë kthim dashurie, me u ndie ende e re, me u pëlqye prapë; atëherë ka shpëtuar, dhe ti ke me qenë edhe më padron i saj se më parë.
Mbi raportet mes burrit dhe gruas mendoj si mbi të drejtën e pronësisë. Përmes drejtësisë vetjake, burri mund të motivojë dhe legjitimojë zotërimin e tij tokësor, që në fund nuk është tjetër pos një uzurpim. Dhe, meqë përjashta pronës, shoqëria njerëzore është e papërsosur dhe liria është e paplotë, kam nxjerrë përfundimin për pasojë se nevojitet drejtësia. Në të njëjtën mënyrë pohoj se, jashtë martesës dhe nënshtrimit të seksit femëror ndaj atij mashkullor, bashkimi mes burrit e gruas është i pamundur; dhe meqë mbizotërimi i burrit mund të legjitimohet veçse me anë të drejtësisë, është e nevojshme që burri të jetë i drejtë. Kjo drejtësi kundrejt gruas do t’i jetë më e përshtatshme me dashurinë.
Jini të drejtë, burra, madje zotërojeni në superioritet dhe sovranitet të plotë tokën; drejtësia ju bën të gjithëve sovranë; e tërë natyra është mbretëria juaj. Jini të drejtë, burra, mandej zotërojini në epërsi të plotë femrat tuaja; drejtësia, që ju takon, e kalon dashurinë që iu takon atyre; dhe pa drejtësi nuk do të mund të donit në mënyrë dinjitoze, as t’ju duan. Çdo doktrinë e kundërt është prostitucion, është mohim i së drejtës: duhet ndaluar dhe ndëshkuar. Por mos u frikësoni për qarjet e vazhdueshme të grave tuaja: është në natyrën e tyre të priren pa fund drejt dominimit, madje do thosha edhe se është e drejta e tyre të vënë në provë pa fund autoritetin tonë dhe drejtësinë tonë, për të konstatuar se jemi të denjë për dashurinë e tyre. Mos bini në gabim: pavarësisht se të përcipta, ajo çka gratë duan tek ne është drejtësia, forca dhe puna. Sa i takon mençurisë, do të kenë gjithmonë pretendimin se kanë po aq sa ne.
Nuk e di cila grua skandalizohej duke parë se, ne të tjerët, burrat, mëtojmë se një bashkëshorte di sa duhet, kur na arnon këmishat dhe na përgatit beefsteaks. Unë jam mes këtyre.
E mohoj kategorikisht se gratë janë gjeniale. E mohoj se lloji njerëzor në gjashtë mijë vjet i ka qoftë edhe një ide të vetme borxh gjinisë femërore: me përjashtim të Cereres, Palladës, Prosepinës, Izidës, perëndeshave dhe zanave; por...
Kam vënë re se ndër dymbëdhjetë letrare, artiste lirike, teatrore, këngëtare, shkencëtare ose filozofe, të ditura, të paktën dhjetë ishin shushka. Çfarë kanë për të thënë mbi këtë gjë, zonjat L. dhe d’H.? Në këmbim, kam njohur një numër të mirë grash të paharrueshme për nga guximi, thjeshtësia dhe karakteri, që për pesëdhjetë vjet, pa u lodhur, pa u qarë, ia kanë rregulluar shtratin burrit, i kanë larë çorapet, i kanë përgatitur çajëra dhe kështu me radhë. Ishin të gjitha të ndershme, të virtytshme, të afta, modeste, e kështu me radhë. Pyes veten çfarë mund të fitojmë prej kësaj, në këmbim? Pa dyshim, ato do të thonë se gratë kanë të drejtë sa dhe burrat për t’u zbavitur: nuk jam dakord.
Por edhe sikur t'ishte kështu, një fakt është i sigurt: ne burrat nuk duam gra që zbaviten; dhe meqë nuk jemi të detyruar t’i marrim, nëse këto zonja, pasi janë zbavitur deri në dyzet vjeçe, pesëdhjetë vjeçe vdesin nga mjerimi dhe shkujdesja, pyes veten: i kujt është gabimi? A nuk jemi pra padronë, ne? Ja merr, ja len.
Pornokracia moderne. Është folur për feudalizmin e ri, ose feudalizmin industrial. Ai ka një pendant* të trishtë: pornokracinë. Duke abstraguar qeverinë, që, në çdo shoqëri, është pothuajse vetëm instrument i partive, i pasioneve, i veseve ose interesave, nganjëherë i lirive, i virtyteve sociale (dhe, nganjëherë, i të gjitha këtyre njëkohësisht), mund të konsiderohet pornokracia si fuqia e dytë e ditëve tona, pas asaj të parasë. Fuqi okulte, e kallëzuar prej shumë kohësh; gjithçka ndodh nëpërmes grave. Prej tridhjetë vitesh, kjo prirje theksohet në mënyrë progresive nga teoritë, nga librat, dhe nga një parti, që nuk është tjetër përpos la bohème.
Pornokracia ose maltuzianizmi ecin dorazi: tërhiqen, çiftohen, bashkohen, martohen, njëra si shkak, tjetri si efekt. E para do që të mos bëhen më fëmijë, tjetra mëson mos me pasë më. Poliandrinë për gratë; poligaminë për burrat; promiskuitetin për të gjithë: ja sekreti i Maltusit. Jeta është një banket, thotë Maltusi; bravo!, i përgjigjet pornokrati; duam kënaqësinë, shijimin, lumturinë! Punoni pak, konsumoni shumë dhe bëni dashuri.
Nuk ka rrugëdalje në mos me lirinë dhe me të drejtën; me lirinë dhe me të drejtën, jo me feminizimin. Prodhuesi, duke disponuar të gjitha garancitë që më kot ja kërkon centralizimit, duhet të detyrohet të bazohet vetëm tek vetja. Kombi francez i ruan cilësitë e veta dhe iu shton ato të popujve të tjerë.
Çdo prostitucion e ka themelin e vet te sensualizmi dhe tek idealizmi, madje mund të përkufizohet si vartësî e vullnetit ndaj shqisës ose idealit, ose prostituim i shpirtit, i ndërgjegjes dhe i lirisë ndaj një qëllimi më të ulët, shijimin ose kënaqësinë epsharake. Çdo doktrinë e cila, në vend që të kënaqë imagjinatën dhe shqisat, në vend që t’ia nënshtrojë drejtësisë pasionin, priret përkundrazi t’u shkojë mbas qejfit dhe t’i kënaqë ato, priret kah kurvërimi, kah pornokracia.
Filozofia e dashurisë e Rusoit dhe natyralizmi i Bernardin de Saint-Pierre24 bëjnë pjesë tek këto doktrina. Këta dy shkrimtarë, në pjesën më të mirë të veprave të tyre, janë moralistë të shkëlqyer; nuk është absolutisht e mundshme me vu’ nën akuzë qëllimet e tyre të mira; por mund të vihet re tek ata, për koncesionet që të dy i bëjnë dashurisë dhe epshit, një prirje ekuivoke që, veç tjerash, është e pranishme edhe tek jeta e tyre...
Në të njëjtën kategori duhen numëruar të gjithë idhujtarët e lashtë e modernë, religjiozë ose thjesht artistë e diletantë. Fermenti i vërtetë i pornokracisë arrihet kur i jepet parimit estetik eprania mbi parimin juridik dhe moral. Kjo është rruga nëpërmjet së cilës shumë njerëz mbërrijnë tek prostituimi i ndërgjegjes, tek braktisja e të drejtës dhe filozofia e Epikurit25; në fillim e lënë veten të mbërthehen nga mirakandja artistike, nga adhurimi i së bukurës, fill mandej nga epikurizmi dhe nga sensualizmi.
Përveç ndonjë përjashtimi të lavdërueshëm, artistët dhe literatët janë fare pak të virtytshëm, pak të prirë kah e drejta, me ekzemplaritet fare të mangët në zakonet e tyre. Lind që këtu, mes të tjerash, jeta bohème. Në këtë mënyrë, veç të tjerash, nuk janë sjellë artistë si Albert Dyreri, Rembrandti, e kështu me radhë. Faji i duhet hedhur reformuesve pasionantë, sensualistë: Helveciusit, Sen-Lamberit26, e të tjerë, kurse, në ditën e sodit, sensimonistëve, enfantinianëve, falansterianëve dhe komunistëve.
Similiter*, me adhurue një Zot perfekt, një Krisht heroik, të ëmbël, shpirtbutë, të mëshirshëm, nuk përkon me moralin; me ba procesione, me ndërtue kisha, me shkri këmbana, statuja, kupa, nuk don me thanë me qenë religjiozë; një kushtetim i kodeve, një procedurë, nuk përkojnë me drejtësinë. Idealizmi i krishterë është i pafuqishëm. Mistere, alegori, mite: arsyeja nuk është këso gjërash. Nuk kishte asgjë më të bukur se Homeri, Fidia27, e kështu me radhë: por e gjithë kjo nuk e ka shpëtuar Greqinë; romakët me jus-in* e tyre, ishin më të fortë se grekët.
Po, njëqind mijë herë po: para së Drejtës asgjë nuk reziston; gjithçka është imorale, e përçmueshme; prona është një vjedhje; përbashkësia e të mirave, shthurje; konkurrenca, cubëri; tregu, spekulim; autoriteti, shtypje; e drejta e votës për të gjithë, anarki; religjioni, dekadencë; Zoti, Djall; dashuria, epsh; ideali, mëkat; absoluti, hiç; puna, skllavëri. E gjithë kjo a pengon vallë që këto elemente të ndryshme të jenë pjesë e nevojshme e kushtetimit shoqëror? Nuk ka të tjerë: janë këto forcat e botës së shpirtit, e rendit ekonomik. Çfarë, atëherë, i shenjtëron dhe blaton, këto forca? Drejtësia, që i vendos në ekuilibër, e kështu me radhë.
Dashuria për veten, parim i drejtësisë: sa më i bukur ndihem, aq më shumë e respektoj veten? Sa më shumë dua, aq më shumë druhem se nuk i pëlqej kujt; por sa më shumë e respektoj veten, aq më i drejtë jam.
Shesin mend se rimarrin një klishé të vjetër sa bota, pra faktin se dashuria është zoti i njerëzve dhe i hyjnive, dhe triumfon mbi heroin sikundër mbi skllavin, mbi të diturin sikurse mbi injorantin dhe se fuqia e saj është e parezistueshme, fatale. Ç’budallësi! Ekzistojnë fatalitete krejt të tjera pos dashurisë: çfarë tregon ky fakt? Është fatale që ju hani dhe pini: por a është motiv i mirë, ky, për të vjedhur drekën nga fusha e fqinjit tuaj, nga tigani i tij, nga kantina e tij? Sigurisht, dashuria është e domosdoshme: por mos vidh të mirën e tjetrit; nënshtrojuni kushteve të dashurisë normale, ose martesës dhe detyrimeve të saj. Në rendin natyror, konkubinati është dobësi, faj i falshëm. I takon legjislatorit me e vendosë në ndalim, sikurse i takon me e ba legale pronën mbi tokën... Është e sigurt se në këtë drejtim ecën qytetërimi.
Nga konfuzioni i ideve dhe nga anarkia e gjykimit mbërrihet - në fushën morale - tek shthurja dhe tek prostituimi. Në të njëjtën mënyrë, nga prostituimi që sjell korruptimin e zakoneve mbërrihet tek kaosi intelektual: dy gjërat janë të lidhura, janë në mënyrë të ndërsjellë shkak dhe pasojë. Burri ka zakone të degjeneruara dhe nuk ka parime, as morale, as religjioze, as filozofike; ai e vë zemrën në paqe sipas asaj çka i dikton ndërgjegjja e tij. Kthjelltësia e mendjes dhe errësimi i ndërgjegjes janë të papajtueshme mes tyre.
Rrëmuja prodhon rrëmujë; rendi, në të kundërt, thërret rend. Mes të dyjave, ka një luftë të pamëshirshme: τάξις άταξία διώκει [«rendi e zbon rrëmujën»]. Kthejini qartësinë mendjeve, dhe ato do kthehen mbi rrugën e drejtë; kthejini qartësi ndërgjegjeve, detyrojini zemrat t’i besojnë drejtësisë dhe ato shumë shpejt do të peshkojnë do teorina, një doktrinë, një filozofi, një shkencë universale. Për këtë arsye, gruaja qëndrimet, zakonet, mendja dhe sifatet e së cilës janë të ndryshme dhe të kundërta me gjininë e saj, nuk vonon të humbë, së bashku me virtytet femërore, gjykimin moral dhe gjykimin e shëndoshë. Ribëhet pra kafshë.
Populli francez është një popull-grua. Zotëron cilësi të shkëlqyera, eprane: është i dashur në shoqëri, i gjallë në mënyrën si mendon, i flaktë në intuitat e tij, simpatik për të gjithë, i shtruar, aspak kurrnac, i ndjeshëm ndaj së bukurës, i gatshëm për heroizëm. Prodhon një aradhë mendjesh të epërme, shkrimtarë, mendimtarë, artistë, shpikës, shkencëtarë. Është një popull që do të shkojë gjithmonë duke përparuar, derisa ta shohë botën duke përparuar, pa dashur kurrë të mbesë mbrapa dhe duke synuar me ia dalë më mirë se popujt e tjerë në çdo fushë; mjerë ajo qeveri që do dyshohet se e pengon të bëjë mirë dhe të dallohet.
Me të thënë këtë, s’ka dyshim që francezi, gjithmonë i gatshëm për të krijuar dhe për t’u trazuar, për t’u ngritur e për t’u emancipuar, sikurse gratë, nuk e zotëron ndjenjën fisnike të lirisë, të lirisë civile dhe politike. Nuk e kupton fare, dhe ia ndjen shumë pak, si gratë. Dhe, po si gratë, bie fare lehtë viktimë e atyre që e joshin. Mjafton me e entuziazmue pak dhe ja e lëshon veten, ja shpërfundet në prostituimin e tij, si gratë. Si gratë ai është mendjemadh, dhe besim-madh me sharlatanët. Meqë, me ligj, qeveria duhet të jetë shprehje e shoqërisë, në Francë ndodh që qeveria u takon mediokërve, mendjeve që nuk kanë asgjë virile, njerëzve me mjekër false.
Revolucioni i ’89-s ka treguar meshkuj të vërtetë; demokracia nuk i ka dashur, i ka ndotur, i mohoi, i mbuloi me shpifje: Mirabonë, Dantonin. Ka adhuruar amà Robespierin28... Franca nuk i ka çmuar kurrë me të vërtetë Rishëlienë, Kolberin, Tyrgotin: ndaj këtyre gati gjithmonë ka preferuar Fushenë, Luvuasin, Nekerin29. Kjo mund të vihet re sidomos në rrethet politike dhe në prapavijat e partisë. Gazeta me numrin më të madh të abonentëve do të jetë gjithmonë ajo me një nivel më të ulët se mediokriteti.
Revolucioni francez nuk është një fakt i tërë kombit; ky i ka rezistuar Tyrgosë, e ka mohuar Mirabonë30; nuk e di çfarë është sistemi kushtetues; parimisht burrave s’iu zë besë, por është gjithmonë shpirtbutë karshi burrave të pajisur me ndjenja. Kombi, sot është e provuar, ka qenë nën nivelin e revolucionit të vet. Bonaparti, përhapësi i Kushtetutës së vitit VIII31, ka mundur të pohojë se populli francez nuk ishte i pjekur për revolucionin; nuk ishte akoma në 1814n, as në 1830n, as në 1848n; nuk duket më i pjekur në 1860n: nuk do piqet kurrë.
Jo mbi bazën apo për efekt të pjekurisë së Francës ajo do të bëhet e lirë; por kur të bëhet e lirë tërë Evropa dhe pasi të aplikohen mandej reformat ekonomike, do të jetë e pamundur që dhe Franca të mos jetë e tillë. Dhe e lirë ajo do të ngelet, sepse nuk do të ketë më asgjë që mund ta pengojë të jetë; sikur të bazohej te vetja, te forca e saj e gjykimit, tek energjia e karakterit të saj, te krenaria e shpirtit të saj, jo mbi kuptimin e së drejtës, mbi besimin e saj te legaliteti, Franca nuk do të bëhej kurrë e lirë. Është e paaftë për këtë, ia ndalon demokracia e saj.

Kulti i dashurisë dhe i epshit është kanceri i kombit francez.

Partia republikane i ka shkuar pas avazit kësaj prirjeje të urryeshme. Gazeta pesëcentëshe, në ditët e festës. Populli i dëndur me romane: qejf e epsh si informacion i përgjithshëm!... Një komb i mbaruar, që nuk ka më mision, nuk ka më rol; që e përuron Babiloninë e re me fanfarën e 130 regjimenteve të tij; që praktikon një politikë force për çdo përdorim dhe jo me forcën e volitshme, të zellshme, të virtytshme, por atë teatroren, atë brutalen, ushtaraken, shterpën.
Raporti i Delanglë32 mbi statistikën e krimeve në Francë nga 1851shi deri më 1860ën dhe artikulli i fashikullit të dhjetë të «Revue britannique-belge», shërbejnë për të treguar - ndryshe nga konkluzionet e pularuajtësit - që moraliteti publik në Francë ka pësuar një rënie të frikshme në dhjetë vitet e fundit.
Rënie e krimeve kundër rendit, e fenomene të banditizmit, e vrasjes, të gjithçkaje që presupozon njëfarë energjie; por rritje e krimeve të fëlliqura, të turpshme dhe të poshtra: krime kundër moralit, të kryera kryesisht mbi fëmijët e të dyja gjinive; vrasje të miturish; marrëdhënie seksuale të përgjithshme, kurorëshkelje (e pa përndjekur): jetë bohèmë; krime kundër nderit, mosrespektim i fjalës së dhënë, mashtrime të rafinuara, të paparashikuara me ligj, përvetësime abuzive, spekulime, baste, zarfe, fajet e falshme, tradhti, mosmirënjohje, mitmarrje, falimentim me qëllim mashtrimin; mosparaqitje në punë, e kështu me radhë. Ka dekadencë te vetë krimi! Është një komb që të kujton Italinë e shekullit XVI.
Mbi pornokracinë dhe mbi feminizimin në kohërat moderne. Ky infeksion shpërhapet gjithandej, në Belgjikë dhe në Gjermani sikurse në Francë. Kombësitë limohen, fshihen, ndërsa perfeksionohen.
Franca është e ngopur me lavdi ushtarake dhe me rrigixhingla nga Luigji XIV33. Njëzet vjet pas vdekjes së mbretit të madh, tashmë e kishte humbur kujtimin e disfatave dhe mjerimeve të veta. Mandej, me Volterin, Monteskiënë, Dideronë, e kështu me radhë, u bë libertine34, për t’u bërë mandej sentimentale me Rusonë; epshi është kundërshtuar nga fëlligshtia e shfrenuar seksuale. Sërish e dehur me militarizëm, e katandisur në grua kazerme nën Napoleonin, më vonë u përflak me diletantizëm, industrializëm, bankokraci, jakobinizëm banal. Në atë masë që përparonte në degjenerimin e saj, aftësitë virile iu dobësuan. Sot, Franca është një prostitutë.
15 qershor 1862. Ndoqa në Bruksel në Spektaklin e Parkut, një shfaqje e kuruar nga Raveli, artist i Palais-Royal, shok i vjetër i Alsid Tuseit dhe i Grasotit. “Një zjarrmi”, “Në shtëpinë e një gruaje zonjë” dhe “Ferma e Gonxheve”: këto tri punë teatrale mund të shërbejnë për të treguar lëmshin e ndjenjave, ideve, stolinë e epshit dhe të pacipësive prej të cilave dominohen sot autorët. Ajo çka habit më shumë, është fakti se publiku nuk kupton kushedi çka, pavarësisht vullnetit të mirë që ka për t’u degjeneruar.
Pjesa e parë, e njëfarë Mélesvil35, është një satirë. Është përshkrimi i një burri njëzetepesë vjeç, të pasionuar, ose më mirë të themi të babëzitur pas grave, që del në pah nga episodet pak a shumë bufoneske të shfaqjes, i zhytur në një ëndërr përherë të shfrenuar, teksa dëshpërohet nga burracakëria e vet, ekzaltohet, do të vrasë veten, i urren gratë, i adhuron dhe në fund i tërbuar në pikën sa të bjerë në një ekses likantropie, dhe të angullijë (nga dashuria) si një qen!... E gjithë kjo, në një kontur frazash bufoneske, keqkuptimesh, skenash të shfrenuara, e kështu me radhë. Në Francë ekzistokërka censura!... Autori është shtyrë deri aty sa ta cekë promiskuitetin e gjinive në dy skena, ku tregon tri vajzat e maskuara si djem, që shkojnë me ftue fqinjin e tyre; mandej, tregon po këto vajza, të veshura me rroba femërore që i përvëluari vazhdon t’i marrë për burra dhe shet mend se mund t’i puthë pa u eksituar!...
Në shtëpinë e një gruaje zonjë: doket e mbarë botës; është më pak imoralja nga të tria. Tek Ferma kemi përpjekjen për të joshur një fshatarkë të re nga ana e princit të Uellsit, maskuar si kasap. Deri këtu asgjë. Por e reja është shërbëtore pranë një fermeri, i cili e do pa ngjallur dyshime, si një motër dhe që, për t’i sajuar pak zbavitje kësaj motre, dëshiron të martohet me një grua që të bëjë punët më të rënda në fermë! Gjithmonë vëllazëri e përzier me dashurinë!
Mjafton thjesht një sy me hedhë mbi teatrin modern për të treguar se autorët degdisen tek jeta e shthurur, duke harruar moralin, natyrën, dashurinë dhe veprat e tyre e zëvendësojnë pa skrupuj karakterin e këtyre zonjave me atë të shoqërisë, që ato e plazmojnë mbi modelin e tyre, duke funksionuar kështu si sekserë dhe si korruptues. Fjalët më të pacipa, më të poshtra, mezi do mjaftojnë për të dhënë një ide të këtyre zakoneve.
Prostitucioni. Priret, thotë B., me u ba universal. Nuk mund t’i zihet më besë asnjë gruaje, asnjë vashe. Ato që kanë marrë gjithçka nga fati i mirë dhe që nuk janë të detyruara nga nevoja kah dashuria mercenare, i përkushtohen papunësisë, për kureshtje karshi vesit, për shkak të përflakjes së shqisave, në kërkim të epshit. Në Spa36, ku daljet e shtëpisë janë të ndara vetëm me reze, përfliten dashuriçka natësore të vajzave. Teksa i ati dhe e ëma, thellësisht të lodhur, flenë në dhomën e tyre, vajza çohet, del me kujdes, të takojë dashnorin e saj të një dite të vetme, që në dritë të hënës e çon shëtitje mbi male. Është rasti të kujtomë këtë varg të Juvenalit: «...Nil in montibus actum»37?
B. më tregon se shkojnë t’i japin në shtëpi lista me vajza, nga katërmbëdhjetë në tetëmbëdhjetë vjeç. E preferoni brune a bionde, të gjatë a të shkurtër, të hajthme a dërdëngë?... Ka zgjedhje. Çdo beqar a vejush, pareli e qejfli, është i fiksuar pas rrufjaneve. Pyes veten nëse ka, në krejt këtë, një epsh të vërtetë. Jo, bëhet fjalë për budallësi, pamendësi, nevojë urgjente, mungesë absolute, te ajo lloj gruaje, e kënaqësisë, e shpirtbutësisë, e artit. Bëhet fjalë për mishin sade dhe për vanitetin mizor për të shijuar një burbuqe të butë. Punëtorja nuk mund të jetojë më me punën e saj; kjo është e treguar. Më jepni prostitucionin, pa’ vendos unë. Gruaja jeton me privime, burri humbet kurajën, futen në borxhe, humbasin, për të mbajtur një dukje momentale elegance. Na jepni prostitucionin, pa’ vendosim!
Shihen vajza të dëlira, që pasi janë sakrifikuar gjatë me mbajtë prindërit e tyre, me edukue vëllezërit e tyre dhe motrat e vogla, pasi e kanë mbytur këtë mjerim të pandreqshëm, një ditë të bukur humbasin vendimin për të lëshuar në radhën e tyre, për të fituar një përmirësim të lehtë të situatës. Nga pikëvështrimi i tyre, bëhet fjalë për një vendim heroik, por që shumë rrallë arrihet të rroket, meqë nuk e përmendin. Këto lloj grash bëhen armike të betuara të gjinisë mashkullore. Pas raporteve të para, pasi është mposhtur turpi, ato bëhen spekulatoret më të zonjat dhe më të pamëshirat. Fundja, prostitucioni është burimi i armiqësisë mes burrit dhe gruas dhe, në vijim të shuarjes së dashurisë dhe të degjenerimit të shqisave, fillimi i kënaqësive kundër natyre.
Sipas B.-së, që më ka thënë se e ka marrë vesh nga një polic, paska në Bruksel 1800 a 2000 persona të akuzuar se praktikojnë këtë lloj zgjedhje. Një fakt tregues i gjerësisë së parakohshmërisë së degjenerimit të të rinjve; duket kur i sheh të shoqëruar në tre a katër për të mbajtur, me shpenzime të përbashkëta, një grua: një përbashkësi që është shkalla e fundit e poshtërsisë; me shkue me gra i vetëm është një gjë njëqind herë superiore. Konkubinati, ose dashuria e lirë, që do të ishte e preferueshme me u quejtë martesë e lirë ose e nënshtruar ndaj revokimit, bëhet shumë i rrallë. Të rinjtë, pasi e humbasin turpin dhe delikatesën, nuk i përkushtohen gjatë. Preferohet me ndërrue vazhdimisht, preferohet promiskuiteti, shumë më eksitues dhe i kushtueshëm. Është zanati i lorette38, sot, që e ka mbushë Europën.
Femrat e shquara të këtij lloji, nja pesëdhjetë prej të cilave kemi mundur t’i vëmë re këtë verë (1859) në Spa, nuk janë aspak të dalluara për bukuri rinore, siç mund të besohet, përkundrazi. Janë të gjitha gra nga njëzetepesë në tridhjetë vjeç, që e kanë lënë tashmë freskinë e rinisë me trupin e vyshkur sakaq, por eksperte dhe të rafinuara në ves dhe të famshme për aventurat më skandaloze, për burrat që i kanë shkatërruar, për ndonjë aftësi të veçantë dhe kështu me radhë.
Kur dashuria shuhet dhe shqisat firen, i zëvendësojnë vaniteti dhe kureshtia. Është e lehtë t’i kuptosh motivet. Pjesa më e madhe e burrave, duke mos ia dalë të sinjalizohen në asnjë fushë, tepër të dobët për të mbërritur - mes punës dhe ndershmërisë - në atë pozicion respekti pa të cilin jeta nuk vlen asgjë, vihen në dritë, siç bëjnë shkollaret e vogla, me zhurmë, çirrma, ngërdheshje, shakara, zdërhallje, dhe kështu me radhë. E gjithë kjo më çon n'ide të tjera.
Çdo burrë mund të dallohet në diçka, sa mjafton që dashuria e tij për veten të plotësohet dhe ekzistenca e tij të nderohet: mjaft me e dashtë. Puna, angazhimi, konstanca, studimi, një ndershmëri e rreptë, besnikëria e miqësive: e gjithë kjo është në dorë të të gjithëve, të të gjitha konditave dhe, në një moshë degjenerimi, me sigurinë e plotë se arrin suksesin. Ky dallim, do thuhet, do të ishte pra më i vështirë për t’u mbërritur, në një shoqëri të formuar në pjesën më të madhe nga njerëz të ndershëm?... Përgjigjem: të bëhemi njëherë të gjithë të ndershëm dhe atëherë do të mundemi të gëzojmë diçka më të mirë se dallimi i thjeshtë; do të kemi lumturinë universale, stimën dhe përkushtimin e ndërsjellë, vëllazërinë më të thellë. Do të jemi të rilindur.
Disa gazeta kanë mbërritur deri aty sa t’iu ndihin do korrespondecave fajtore, nën formë insertesh enigmatike. Më sinjalizojnë «Office de publicité» dhe «Étoile belge»39.
N'Amerikë, janë shumë pak pronarët e zezakeve pakëz të pashme që nuk e shohin veten të transformuar në sekser. Zezakja, në punën e fushave, jep vetëm dy dollarë në javë: me prostitucion, prodhon pesëdhjetë. Në Nju Jork, të gjitha veset e progresit gjejnë boll me se të kënaqen. Në tërë Evropën, gëlojnë cafés-chantants*, mejhane të pajisura me gra (mes të tjerave, për këtë qëllim citohen dhe lavdërohen Anversa, Roterdami, Amsterdami, e kështu me radhë).
Çdo luks degjeneron n'epsh; çdo trashëgimi e madhe degjeneron në nëpërkëmbje. Kjo ndodh në përgjithësi.
Leximi i një romani erotik, dhe vizita tek shtëpia e tolerancës që e pason, prodhojnë një të keqe më të madhe se një javë mundi të kotë.
Ka degjenerim të turpshëm të shërbëtorëve, për mungesë cipe e religjioni. Konsultojini gratë; janë në mjerim, nuk mundem më. Ka anekdota, episode budallallëku, pacipësie, në numër të pacak: një mungesë cipe e paramenduar, e vendosur, e qartë. Shërbëtorët, klasa punëtore, ju tregojnë se çfarë është femra për mashkullin.
Kur policia, kritika, artistët, literatët dhe baballarët do të tregohen të rreptë dhe mendjendarë, imoralitetit do t’i ketë ardhur fundi. Epoka jonë prodhon vetëmse fotografi të paturpshme, figura të përdalash të lumtura: inter quas...**
Gjithçka është prostituuar, deri edhe puritanët e vjetër të jakobinizmit. Të rinj të vyshkur: asgjë nuk fërgëllon në ndërgjegjen e tyre: apostatë të religjionit të etërve të tyre.
Duhet organizuar propaganda kundër korruptimit të të rinjve dhe rebelimit femëror. Burra, kushti i parë për të ngelur padronë është të dini me i komandue shqisat tuaja dhe me qenë të matur.

Vlen më shumë një këmbë druri në shtëpi se një krinolinë në Opera.
Duhen dalluar të gjitha tendencat jo natyrore dhe duhet përtërimë seksi duke eliminuar subjektet vicioze, kështu siç bëjnë anglezët, nëpërmjet ushqimit, me racat e buajve, të deleve dhe të derrave.
Ajo që quhet një zonjushë e edukuar mirë, është në të vërtetë një vajzoshe shumë e paedukatë, një grua të cilën s’e ke për gjë.
Është e nevojshme me i studiue racat dhe me gjetë ato që formojnë nuset më të mira, amvisat më të zonja: fiamingen, zvicerianen, anglezen, rusen dhe kështu me radhë. Sidomos nga ky pikëvështrim duhen studiuar kryqëzimet. Duhen skartuar pa mëshirë gratë e pafytyra, vicioze, bjerraditëse, të bëra për luksin, spitullimin dhe dashurinë.
E drejta e forcës. Ju flisni për ’të siç flet një i verbër për ngjyrat, për shkak të zakonit dhe falë paragjykimeve, siç bëjnë fëmijët, gratë dhe të gjithë ata që nuk reflektojnë. Kjo e drejtë është më e lashta dhe, praktikisht, më themelorja; përjashta saj, nuk ka asgjë! Të gjitha kombet janë të detyruara ta ushtrojnë dhe të bëjnë që ajo të respektohet brenda tyre, përndryshe zhduken.
Grua mosbesuese, e patënzonë, e paudhë: duhet marrë n'antipati filozofia. Ta dini pra se nuk e kemi zëvendësuar akoma atë ndjenjë të thellë morali të brendshëm që quhej ndjenjë religjioze, që i jepte një karakter kaq të ngritur burrit, gruas dhe familjes. Mjerë, ju që besoni se e gjithë kjo mund të zëvendësohet me ndonjë kritikë dhe me ndonjë frazë! Çfarë do vendosim në vend të Kishës, spektaklin, Operën, komedinë muzikore, garat me kuaj? Spektakli nuk është tjetër pos cytje drejt qejfit dhe epshit; është një mjet agjitacioni, tek e shumta; nuk ka më asnjë raport me moralin.
Është e nevojshme të rikuperohet morali gati si një kult. Vetëm me forcat e mendjes, mund të ndërtojmë një teori, të përçanësojmë të drejtën, t’ia formulojmë aplikimet; mund të themi gjëra shumë të bukura. Por a mund t’i mbushim me ’to zemrën dhe shpirtin? Kurrë! Na duhet diçka tjetër. Duhet të kthehemi tek origjinat, të kërkojmë hyjnoren, të hidhemi prapë në një venerim që të na japë edhe lumturi në të njëjtën kohë. Kërkojmë diçka mistike, që gjithsesi nuk e fyen arsyen, saktësisht atë çka do të donte të bënin me krishtërimin besimtarët miratues. Për sa më takon mua, unë kam besuar se duhej të ngjiteshim, ose të zbrisnim, deri te përthyerjet më të thella të historisë. Arsyeja e kulluar dhe ajo filozofike nuk mjaftojnë më, as mendimtarët dhe filozofët. Që këtu lindin shumë akte apostazie kundrejt arsyes.
Ne nuk mund të kënaqemi me protestantizmin, që ka vdekur sikurse gjithçka tjetër. Nuk mund të kënaqemi me deizmin, me magjinë, me tavolinat që çohen, me fantazmat që trokasin: jo, e gjithë kjo nuk din më shumë se ne; as me paganizmin: bëhet fjalë për foshnjarakësi. Është e nevojshme me u ngjitë përtej caktimit të sakrificave. Nuk shoh tjetër pos familjes në gjendje me na angazhue njëherit në zemër dhe në mendje, me na përmbytë me dashuri, me respekt, me prehje, me na dhanë atë dinjitet, atë paqtim të përshpirtshëm, atë ndjenjë të thellë morale, që dikur provonte i krishteri me kungimin.
Është një patriarkat ose patriciat i ri, tek i cili do të doja të ftoja të gjithë burrat dhe ku unë mëtoj se ekziston një autoritet i mjaftueshëm e një respekt i thellë për veten, për njeriun, një dinjitet e modesti për gruan: madje, në tërësi, diçka misterioze, hyjnore, që nuk e kundërshton fare arsyen, po që gjithsesi i kalon caqet e saj.
Drejtësia, sado që mund të qartësohet, ngelet gjithmonë, në fund, një mister si jeta; mister është dashuria bashkëshortore, dashuria e transformuar nga e drejta, që e ka përzënë tekën dhe idealin; dhe e mistershme është gruaja, si akti i saj i të lindurit ashtu dhe bukuria. Le të vendosim mbi këtë bazë drejtësinë e paepshme, moralin e sertë, padhunueshmërinë e vullnetit të lirë, zellin e së vërtetës, të shkencës, të barazisë, të cipës; le t’u sajojmë familjeve ditë dhe vende mbledhjeje: do të kemi një religjion.
E kemi humbur zakonin e prehjes, nuk dimë me jetue më brenda vetes, me qenë të lumtur me ndërgjegjen tonë, siç është besimtari me zotin e tij... Ne ikim prej vetes sonë; kemi nevojë të ritakohemi vazhdimisht me të tjerët; ekzistenca jonë është një lëmsh. Nuk ka më religjion shtëpie. Babai dhe nëna përfundojnë duke u mërzitur njëri nga tjetra: madje, mërziten së bashku, si persona pa ndërgjegje dhe pa moral; dikur, të dielën40, shkonin të kalonin një orë në kishë dhe tërë dita e tyre vijonte e lumtur. Tash kanë nevojë për festa balloje, pritje, spektakle, të trullosen. Dhe nuk gjejnë paqe përpos se tek puna, te mundimet!
Besojmë se e rregullojmë të keqen duke shfronësuar burrin, duke emancipuar gruan, duke e bërë çiftin ortakë, konkubinë, qenie në përbashkësi, aksionistë në një ndërmarrje jetë-dhënieje! Një burrë i rrënuar, një grua arrogante: çfarë jete!
Suprimojeni lirinë individuale do me thënë se nuk ka më shoqëri. Suprimojeni martesën, autoritetin atnor, familjen: s’ka më shoqëri, s’ka më Shtet, s’ka më komb, porse një rend fiktiv, të sanksionuar nga forca. Dobësojeni bazën sociale, me reduktimin e lirisë dhe denatyrimin e familjes: dobësoni lidhjen sociale. Sot, ne e dimë veten (ose e besojmë veten) në rrugën e progresit? Priremi drejt një rendi epran, ku paqja do të jetë e përhershme, puna solidare, mirëqenia e shpërndarë më mirë, virtyti i përgjithësuar. A mund të mendojmë se do ta mbërrijmë me shkatërrimin e respektit bashkëshortor? Vallë duam ta shkatërrojmë burrin?
Ka periudha kur rënia e kuptimit moral nga individët shtrihet te masat: bota është dëshmitare e kësaj gjëje prej 1848-s. Degjenerimi ishte shumë i madh, duke filluar me Direktoriatin, por ngelej më shumë privat se publik. Papritur, Ai shpërtheu; masat u degjeneruan duke ndikuar për pasojë tërë pjesën që mbetet. Ku do të ndalet, kjo shthurje? Askush nuk mund ta thotë.
Një komb në zhbërje është si një trup i sëmurë nga gangrena; duket i goditur vetëm gishti i madh, por kirurgu pret tokësen*. Gjashtë muaj më vonë gangrena është shtrirë te e gjithë këmba dhe duhet prerë kofsha; në fund, mbërrin kofshën, barkun dhe gjithçka ka mbaruar.
Ekziston një parim i jetës vegjetative, një i jetës shtazore, një i jetës shoqërore; ky i fundit shpërfaqet me religjionin, drejtësinë, politikën, poezinë, letërsinë, artin, familjen, punën dhe zakonet.
Pornokracia dhe perandoria. Zhdukja e lirive komunale dhe të jetës provinciale; zhdukja e martesës dhe e familjes. S’ka më individ: këtu mbërrihet njësoj si me transformimin e martesës në konkubinat, me dashurinë e lirë dhe promiskuitetin, ashtu dhe me plotfuqinë e Shtetit. Prona sulmohet me forcë: projekt ligje kalimi prone; jo më atësi. Te gruaja bëhet e urryer puna shtëpiake; tek burri zanati; zhvillim i byromanisë. Hotele të mobiluara, qytete punëtorësh: ja se ku është katandisur tashmë vatra; një vend, një punë, ja se ku është katandisur njeriu.

Napoleonidët lëvdohen se kanë tredhur vendin duke i suprimuar të drejtat dhe liritë publike; pornokracia do ta plotësojë këtë vepër, duke i tredhur burrat me zëvendësimin e e martesës me konkubinatin. Napoleoni III: kryetar i Shtetit, i lirive dhe i pronave; i punëve, i të drejtave; Enfantin me konkubinën e tij: kryetar i çifteve të martuara, rrëfimtar i burrave dhe kështu me radhë: një perandor, një papë. S’ka më doktrina, ide, teori, metodë. Poshtë arsyeja, rroftë improvizimi, rroftë arbitrariteti! Preket pulsi i opinionit publik; eksitohet ai; i mbresohet një drejtim; dhe mandej: vox populi, vox Dei**.
Ngado organizohet lufta ndaj familjes dhe individit. Nuk kërkohet më as martesa, as e drejta. Prirja është, fare qartë, për një prostituim të përgjithshëm: e tregojnë deklaratat eksplicite dhe teoritë e shkrimtarkave. Dashuri për dashuri, ja motoja e tyre... Mirëpo, dashuria për dashuri e përjashton martesën, peshën e bijve dhe kërkon epshmërinë, pra prostitucionin. Ja se në ç’pikë kemi mbërritur... Gjithçka është e lidhur: kush dëshiron shkatërrimin e martesës, emancipimin e gruas, dëshiron rrënimin e të drejtës dhe të lirisë, përfundon pastaj tek sodomia. E gjithë kjo është shumë e qartë dhe e pastër.
Personaliteti nuk ekziston në një konkubinat të pozicionuar mbi bazën e një barazie të përgjithshme. Në një shoqëri komerciale, ortaku më i fortë e merr me vete tjetrin: nëse janë të barabartë, lindin vështirësi; atëherë, në pjesën më të madhe të rasteve, mbërrihet te ndarja, përpos kur tek të dy personaliteti është shumë i dobët. Ose akoma, pushtetet ndahen dhe secili ndërton një mbretëri të vogël për vete. Burri i vërtetë, pater familias, është burri më i fortë. Në një Shtet të formuar nga kryefamiljarë të vërtetë, nuk ka tirani. Sot përkundrazi, quid? Etërit u kanë dhënë shembullin e frikës fëmijëve dhe këta i përçmojnë.
O i ri, nëse personaliteti yt përballet me rrezikun të bëhet copë e grimë, mos u marto. Nuk ka shurdh më të keq se ai që nuk don me ndëgjue. Kur kam shkruar: «Kurtizane ose amvisë; rrugë të mesme nuk ka» dhe që, në vend që me e pá gruan e emancipuar, siç mëtojnë disa, do preferoja ta fusja në burg, është e qartë se aludoja për gruan libertine. Kam folur për Bardha prej Kastiljes41: «Më parë se ta shihja fajtor tim bir, preferoj të vdesë!». Më parë se ta shoh të çnderuar, preferoj që ime bijë të vdesë!
Te gruaja më tërheqëse dhe më virtuoze ka tinëzi, bishë të egër. Tekembramja, flitet për një kafshë të zbutur, që herë pas here kthehet tek instinktet e saj të egra. E njëjta gjë mund të thuhet, në të njëjtën masë, në lidhje me burrin. Ky, më tërë forcën e tij, vullnetin, kurajën, inteligjencën, duke u zhytur përditë në shtjellën dashurore të gruas, nuk do të arrinte kurrë ta zbuste dhe të bëhej padron i saj, sikur të mos ndihmohej nga sëmundjet dhe nga molepsjet prej të cilave goditet kjo luaneshë: shtatzani, lindje, mëkime dhe mandej të gjitha të ligat që rrjedhin e që i lejojnë burrit të marrë frymë prapë dhe të bëhet sërish vetvetja, teksa gruaja, e gjunjëzuar nga vuajtja, është e detyruar të përkulet dhe të poshtërohet: ja rrënja e paqes shtëpiake.
Po flas këtu për histori natyrore: e konsideroj gruan në natyrën e saj, jo në gjendjen e saj të perfeksionuar. Edukimi i fsheh këto vese, e qetëson këtë furi: zbutja e zgjatur, pjellja, disiplina, e ndryshojnë pak nga pak brutalitetin. Por duhet të dimë atë që ajo është nga natyra, nëse duam ta qeverisim. Duke ecur në vite, gruaja përkeqësohet: në raportet e tij me ’të, duhet që burri ta bëjë të ndjejë se është jo vetëm një dashnor, por një atë, një shef, një padron: sidomos një padron!
Michelet, nga vëzhgimet e tij mbi gjendjen e zakonshme në sëmundje të gruas, nuk i ka nxjerrë të gjitha pasojat e mundshme prej saj: në veçanti, faktin se ky kusht ka një qëllim providencial, prehjen e burrit dhe nënshtrimin e gruas. Është një element që i egri e ka kuptuar: bishën e egër, femrën e tij, e ka bërë kafshë barre: te barbarët është gruaja ajo që punon: gruaja bën mund, teksa burrat rrinë dorë mbi dorë. Në vazhdim, do jetë burri që do punojë për ’të; por atëherë puna, gjithmonë e më jashtë rrezes së gruas, do ta bëjë që ta ndjejë inferioritetin e saj dhe nënshtrimin ndaj të shoqit. Ai do të fitojë katër franga në ditë, ajo vetëm një: thjesht, sepse ai punon katër herë më shumë dhe më mirë.
Mbaje mend o djalë i ri se puthjet që të jep janë të numëruara; se janë të gjitha lidhëse, dhe se tri ditë kreshmë mjaftojnë për ta kthyer gruan, pa parë e pa ndjerë gjë ti, në tiran.
Dhuna, tek femra, është në përpjesëtim me epshin që ajo ndjen. Dashuria dhe lojrat e saj nuk vinë duke u ëmbëlsuar, por përkundrazi. Ndaj dhe dhëndrri e nusja kurrë nuk janë më pranë sherrit sesa kur puthen. «Prisni vetëm sa të mbushet gruaja dhe të kënaqet burri.» Është çasti kur i mbërthen hasharia, duke nxjerrë prapë në pah xhindit egoist, vetanak, kryelartë, vrazhdësinë e karakterit, brutalitetin e zemrën, me një fjalë egërsinë e gruas. E kemi thënë: ajo është mace.
Femra pa prehë, e bezdisshme, e provokon burrin; ajo e neverit, dhe e trash nga koka; pa pushim, pa pushim, pa pushim!
Rusoi ka gabuar, duke e porositur gruan e martuar të jetë e kujdesshme dhe e matur në marrëdhëniet me të shoqin. Një grua nuk ka me thanë kurrë: Mjaft! - Këtë këshillë duhet ta marrë burri për vete dhe të mos e çojë veten dëm. - sigurisht, femra me cipë, e rezervuar, që vetëpërmbahet prej shpirtbutësisë, prej largpamësisë, prej respektit për të shoqin dhe për vete, kjo femër është një ideal hyjnor; por nuk është realitet. Realiteti është pikërisht e kundërta. - I takon burrit që të vetëpërmbahet, dhe të jetë gjithmonë i denjë, i rreptë, ndryshe, e shoqja, duke e njohur dobësinë e tij, do tallet me 'të dhe do ta kullufisë.
Gruaja është një kafshë e hijshme, por gjithsesi një kafshë. Është e babëzitur për puthje si dhia për kripë.
Pse mos me thanë të vërtetën, kështu siç është dhe siç e mendojmë të gjithë, mbi seksin dhe ndikimin e tij? A duhet të jetojmë gjithmonë si në një roman? A është legjitime që shkrimtari, moralisti, të kultivojnë galanterinë, duke dhënë mbi gjininë e bukur një dëshmi të rreme që, duke e çuar të riun në gabim, i përgatit zhgënjime të hidhura dhe fut mosmarrëveshje në familje?... Në këtë mënyrë e nderojmë? Meqë gruaja zbutet nëpërmjet dobësisë së saj, paaftësisë dhe sikleteve të saj, është e nevojshme me e ba me ndejtë e përvuajtur duke kallëzuar pa falsitet qenien e saj të vërtetë dhe prirjet e saj reale. Tekembramja, nuk ka përse ta ketë frikë braktisjen: shumë më tepër ka përse të ketë frikë, pasi e ka kapërcyer masën dhe është tejet e marrë.
Duhet që ajo të ndjejë, në përkëdheljet më intime të dashnorit të saj, të burrit të saj, se nuk ka të bëjë me një naiv dhe as me një leshko. Ngaqë e pohoj pa frikë se, sado inat që mund të shkaktojnë këto zbulesa tek të gjitha gratë, ato janë të gatuara në mënyrë kaq të çuditshme sa, gjithë duke e përnjohur skepticizmin, e në rast nevoje edhe energjinë e bashkëshortit: në thelb nuk se zemërohet shumë; do të xhindoseshin sikur gjërat të ishin ndryshe. Gruaja nuk përbuz fare që t’i bëhet pak dhunë dhe madje të përdhunohet. Ka një hipokrizi të madhe te romansierët, burra e gra, kur përshkruajnë brutalitetin mashkullor dhe pafajësinë e virgjëreshës së re që i jepet, natën e dasmës. Në nëntëdhjetë martesa mbi njëqind, është burri budallai.
Nuk ka egoizëm që është baras me atë femëror: i ëmbël, prerës, i hollë si një shtizë e zhytur në vaj; një egoizëm prej artisti. Gratë e njohin, dhe e fshehin; por kërko mirë, dhe do ta zbulosh.
Kjo është histori natyrore. Kam takuar në jetën time disa gra të mira. Dashuria që ato nuk mungonin së frymëzuari, në të ri, e të bashkuara me stimën, ka bërë që unë të afeksionohesha përzemërsisht. Bëhej fjalë me njerëz që edukimi, religjioni, një kulturë e thellë, i kishin transformuar, pak a shumë si ato kafshë që transformohen me dieta e kryqëzime. Këtij lloj femrash mund t’i zëmë besë deri në një farë pike: por është gjithmonë e mira me fjetë vetëm me një sy. Gruaja e mirë-edukuar sillet si racat për të cilat kam folur dhe që, pasi e kanë braktisur veten, kthehen si përpara.
Një anë e virtytit femëror rrjedh nga mizoria: ana e femrës, që është e babëzitur për mashkull, por që akoma më tepër i druhet dhe që nxjerr nga këllëfi kthetrat para se të jepet. Në një epokë virtyti familjar dhe moraliteti të ngritur publik, e gjithë kjo nuk perceptohet. Gruaja është ruajtësja e virtyteve që ajo përfaqëson. Një kritikë e tillë do rezultonte në atë rast skandaloze. Prandaj, e kuptoj mirë përse është protestuar kundër disa satirave të Etërve të lashtë dhe moralistëve. Por në epokat e dekandencës, kur gratë, duke ndjekur rrjedhën, kthehen te natyra e tyre shtazore, secili mundet me gjykue vetë mbi korrespondencën pak a shumë të saktë të përshkrimit tonë. Tash, kur Etërit e Kishës bubullinin kundër seksit, kishin nën sy modele, siç i kemi ne nën sy, sot. Merrni gruan e haremit ose një grua të lirë: është e njëjta gjë.
Kam folur tepër mirë për gruan! Më vjen keq për këtë por nuk kam portretizuar asgjë: kam përshkruar gruan ideale; është gjithmonë ideale, gruaja, kur nuk është e keqe. Por kam përshkruar edhe gruan normale. Dhe ne jemi nën normën.
Tregoni kujdesin më të madh para se me dënue atë që kam shkruar mbi bukurinë e grave.

































SHËNIME




PJESË E PARË

PREMISA

1 Botimi, më 22 prill 1858, i veprës De la Justice dans la révolution et dans l’Église, i kushtoi Prudonit një dënim dhe 4.000 franga gjobë dhe 3 vjet burg (2 qershor). U dënua edhe botuesi Garnier dhe tipografët Burdier dhe Bry. Prudoni i iku ekzekutimit të dënimit duke u strehuar në Bruksel (17 korrik), ku qëndroi, nën emrin Durfurt, deri më 1863. Në Francë, ndërkohë, debati mbi veprën e dënuar përftonte tone të ashpra. Në polemikë ndërhynë edhe disa feministe, që e kundërshtonin Prudonin për një konceptim të trashë konservator të rolit të gruas. Kritika të egra i rezervuan në veçanti, Juliette La Messine (Zhylietë la Mesinë), romanciere, dhe Jenny d’Héricourt (Zheni Herikur), ndjekëse e Saint-Simon-it (Sen Simonit); janë këto dy zonja të cilave, edhe pse pa u cituar mbiemrin përsëgjati, Prudoni ua kushton “Pornokracinë”, një pamflet që doli në dritë, në një hartim të paplotë, vetëm dhjetë vjet pas vdekjes së tij [botuar nga Lacroix (Lakrua), Paris 1875; një botim i ri, me hyrje dhe shënime të J.-L. Puech (Pyesh), u shfaq në 1939, te Oeuvres complètes (Ëvrë komplet – Vepra e plotë) de P.-J. Prudon të botuesit Rivière]. Vëllimet të cilave iu referohet Prudoni në tekst janë fejtoni prej 196 faqesh i La Messine, “Idées antiproudhoniennes” (Idee antiprudoniënë – Idetë antiprudoniane), dhe dy vëllimet e d’Héricourt, “La femme affranchi. Réponse à Michelet, Proudhon, E. de Girardin, A. Comte et aux autres novateurs modernes”, Bruxelles 1860.
2 Barthélemy Prosper Enfantin (1796-1864), dishepull i Saint-Simon-it; me vdekjen e këtij të fundit themeloi një shkollë që pati karakter sekti religjioz, dhe që shumë shpejt u nda në dy rryma: te më ekstremistja ai qe «papa» dhe «Ati» Enfantin.

KAPITULLI I PARË

1 Prudoni i referohet studimit të X dhe të XI të veprës së tij De la Justice (Dë la Zhystisë – Drejtësia).
2 Auguste Isidore Comte (Ogyst Izidor Kont) (1798-1857), mik dhe dishepull i Saint-Simon-it, iu largua në epokën e botimit të Politique positive (Politikë pozitivë – politika pozitive-1824). Mes 1830-s dhe 1842-shit botoi veprën e tij më të rëndësishme, Course de philosophie pozitive (Kur dë la filozofi pozitivë – Kursi i filozofisë pozitiviste), ekspozim organik i filozofisë pozitiviste. Mbi raportet mes Comte, Prudonit dhe Saint-Simon-it, shih mes të tjerash Leroy M., Histoire des idées sociales en France, vëll. III, Paris 1954.
3 Shpallja, në shkurt të 1848-s, i Republikës së Dytë, fryt i lëvizjes ku mori pjesë edhe Prudoni, u ndoq shumë shpejt në Francë nga një involucion konservator. Në zgjedhjet e drejtpërdrejta të Presidentit të Republikës në nëntor, borgjezë, fshatarë e katolikë i siguruan tre të katërtat e votave Lui Napoleon Bonapartit, nip i Napoleon Bonapartit, kandidat i forcave të moderuara. Ky qe hapi i parë drejt restaurimit të Perandorisë: më 2 dhjetor 1851, me një grusht Shteti, Lui Napoleoni siguroi kontrollin e pushtetit dhe, më 2 dhjetor 1852, u shpall perandor me emrin Napoleon III. Prudoni, që qe kundërshtar i tij kokëfortë dhe që madje bëri për këtë arsye tre vjet burg (1849-1852), botoi në 1852-shin La Révolution sociale demontrée par le coup d’État du 2 décembre, vepër e dënuar rreptë nga Marksi në “18 brymeri i Lui Bonapartit”.
4 Aluzioni është për Gustave Courbet (1819-1877), piktor, kryeshkollar i tendencës realiste, që pikturoi në 1865-n Prudonin në një portret të famshëm (i ruajtur në Paris, Petit Palais), dhe që në pozicione prudoniane mori pjesë te Komuna e Parisit.

KAPITULLI II
1 Lindur më 15 janar 1809 në Besançon nga një fshatare dhe një fuçibërës, Prudoni i kaloi dymbëdhjetë vitet e tij të para, siç kujton ai vetë në një nga letrat e tij, «në fusha, herë në punë të vogla fshati, herë duke kullotur lopët. Për pesë vjet kam qenë bari».
2 Charles Fourier (Sharl Furje) (1772-1837), një nga pararendësit e socializmit, shkroi mes të tjerash Le nouveau monde industriel, një vëllim të cilit bash Prudoni ia kuroi hartimin kur punonte si tipograf. Fourier projektoi dhe realizoi organizimin e «falansterit», shoqatë komunitare ku puna ndahej sipas prirjeve natyrore, e konceptuar si bazë organizuese e shoqërisë së ardhshme. Mbi falanserin, Prudoni shprehet edhe tek Pornokracia.
3 Heroinë e mitologjisë greke, Atalanta përshfaqej si e pakalueshme në garë: pasi i kishte mposhtur, ajo i vriste kundërshtarët e saj. E famshme për zotësinë në vrap ishte edhe Kamila, luftëtarja mitike e kënduar nga Virgjili tek libri VIII i Eneidës.
4 Jean Jacques Rousseau (Zhan Zhak Ruso) (1718-1778) botoi në 1762-shin Émile-in, vepër që konsiderohet manifesti i edukimit të ri. Në librin e V-të, të titulluar «Virilitet», Ruso përshkruan Sofinë, nusen e ardhshme të Emilit, kultura e vetme e së cilës duhet të jetë studimi i «zemrës» së burrit, për t’i pëlqyer dhe për t’ia bërë jetën e lumtur.
5 Kuinti nga Smirne (ose Kuinto Kalabro), poeti grek i shek. IV p.K., shkroi Postmetriket, në 14 këngë.
6 Abati Félicité Robert de Lamennais (Felisité Robert dë Lamëné) (1782-1854), eksponent i rrymës katolike të ultramondanizmit, prej 1830-s përkrahu me revistën «L’Avenir» liberalizmin katolik. Tezat e tij ngjallën jehonë të madhe dhe i vlejtën në 1832-shin një dënim zyrtar nga ana e Gregorit XVI.
7 George Sand (Zhorzh Sand) (pseudonim i Armandine-Lucie Aurore Dupin, 1804-1876), shkrimtare romantike e famshme për veprat e saj (mes të cilave Lélia, i 1833-shit), jo më pak sesa për dashuritë e saj të përfolura (me Alfred de Musset dhe Frédéric Chopin); Daniel Stern (Marie de Flavigny, kontesha e d’Agoult, 1805-1876), romansiere dhe eseiste, e lidhur me Franz Liszt; Albertine Necker de Saussure (1766-1841), kushërirë e madame de Staël, autore e shumë veprave me peshë të rëndësishme mbi mendimin edukativ të Tetëqindës; François-Guillaume Guizot (1787-1874), historian dhe politikan, eksponent i lëvizjes liberale të moderuar: gruaja e tij e parë qe Pauline de Meulan, mbi të cilën shkruan Prudon, në f. 77.
8 François-Joseph-Victor Broussais (Fransua-Zhozef-Viktor Brusé) (1772-1838), mjek, ndjekës i «frenologjisë», një teori e përpunuar nga gjermani Franz Joseph Gall (1752-1828), që lokalizonte emocione, pasione dhe elemente karakteriale në zona të kafkës. E merr emrin nga Brusé teoria (bruseizëm) që i konsideronte shqetësimet gastro-intestinale në zanafillë të të gjitha sëmundjeve, dhe gjente tek ushunjëzat kurën kryesore.
9 Në mitologjiën greke, Shilla përshfaqej si një përbindësh detar me gjashtë qafa të gjata dhe me gjashtë koka lehëse, secila me tri radhë dhëmbë.
10 Nicolas Boileau (Nikola Bualó), i quajtur Boileau-Despréau (Bualó-Desprë) (1636-1711), autor i famshëm për Satires dhe Êpîtres, botoi në 1694-n satirën Contre les femmes (të cilës i referohet Prudoni), ku dënonte evolucionin e zakoneve.
11 Astronomi anglez John Herschel (1792-1871), bir i sir William, zbuluesi i planetit Uran, qe në 1812-ën një ndër themeluesit e një Shoqërie analitike që promovoi dhe favorizoi, me përkthimin e veprave të matematikanëve francezë, përhapjen e metodës dhe të përllogaritjes diferenciale në algjebër. Pikërisht në 1831-shin u përkthye Traité de Mécanique céleste (1799-1803) i Pierre Simon de Laplace (1794-1827), me ftesën e Henry Peter, lord i parë i Brougham dhe Vaux (1778-1868), deputet whigs, përkrahës i ngulmët i nevojës së një edukimi shkencor të përgjithësuar, dhe i themelimit të Universitetit të Londrës.
12 Les femmes savantes (1672), komedi në 5 akte dhe në vargje, është ndër më të njohurat e Molierit (pseudonim i Jean-Baptiste Poquelin (Zhan Baptist Pokëlen), 1622-1673); Prudoni ndalet përciptaz në personazhet e tij në fq. 71-72.
13 Këtu Prudoni e deformon një varg të Art poétique (1674) të Boileau (Bualó): «La rime est une esclave et ne doit qu’obéir» [«Rima është një skllave që duhet vetëm me u bindë»].
14 Mbi temat e luftës që «prodhohet si një gjykim i bërë në emër dhe për hir të forcës» Prudoni botoi në maj të 1861-shit veprën La Guerre et la Paix. Recherches sur le principe et la constitution du droit des gens.
15 Pentateukon është emri që i është dhënë 5 librave të parë të Dhjatës së Vjetër: Zanafilla, Eksodi, Levitiku, Numrat dhe Deuteronimi.

KAPITULLI I TRETË
1 Miti i androgjinëve, nga të cilët për shkak të dënimit të Zeusit rrjedhin dy gjinitë, ekspozohet nga Aristofani tek Banketi (189 e) i Platonit.
2 Shih shënimin 3 të kapitullit të dytë.
3 Grua fisnike romake, grua e L. Tarkuin Kolatinit, Lukrecia vrau veten (509 p.K.) pasi qe fyer në nder nga Seksti, i biri i mbretit Tarkuin Mendjemadhi. Vdekja e saj ndezi revoltën kundër Tarkuinëve.

KAPITULLI I KATËRT
1 Në kapitullin VII («La Renaissance») të traktatit Du principe de l’art et de sa destination sociale, botuar postum në 1865-n, Prudoni zbulon praninë e po kësaj kontradikte në veprat e artistëve të Rilindjes italiane: «Nuk është e mundur me ia refuzue një origjinalitet Raffaelo-s, Michelangelo-s, Leonardo da Vinci-t, Tiziano-s, Correggio-s... Virgjëreshat e Raffaello-s, që sigurisht nuk janë bija të Afërditës, e aq më pak bija të pishmanit... Më pak hyjnore, më njerëzore se perëndeshat e Olimpit, ato të frymëzojnë një ndjenjë më pak të dëlirë se ajo e prodhuar nga statujat greke». Më tutje, tek Pornokracia, Raffaello prezantohet si eksponent i konceptimit të artit si riprodhim i idealit (shih f. 94).
2 A. Clavel, autor i Le corps et l’âme, ou histoire naturelle de l’espèce humaine, shkroi edhe një Traité d’éducation physique et morale, bot. Masson, Paris 1855: Prudoni i referohet, në veçanti, paragrafit II të kapitullit I («Les races», ff. 13-21) të kësaj vepre.
3 Kiri II i Madhi (v. 558 p.K.) konsiderohet themeluesi i perandorisë persiane. Lufta e Peloponezit (413-404 p.K.) u zhvillua mes Athinës dhe lidhjes së qyteteve të Peloponezit të udhëhequra nga Sparta.
4 André Hercule kardinal i Fleury (1653-1743), qe pretor dhe ministër i Luigjit XV; nip i këtij të fundit, Luigji XVIII qe mbret i Francës nga 1814-a deri më 1824-n, me intervalin e shkurtër të Njëqind ditëve të Napoleon Bonapartit.
5 Fitimtar mbi Romakët në 216-n p.K. në Canne, Hanibali me trupat e tij bujti fill më pas, në Capua, para se të hidhej në pushtimin e Romës: në ato «safalleqe», shkoi dëm rasti ushtarak i favorshëm për ’të.
6 Mark Aurel Antoni, perandor nga 204-a në 222-shin me emrin Eliogabalo, oshënar i zotit Diell, futi në Romë kultin sirian të ’tij.
7 Gnostikët (Basilidi, Valentini, Bardesani, Karpokrati) përfaqësojnë përpjekjen e parë për përpunimin e një filozofie të krishterë që pajton Zbulesën me traditën filozofike heleniste. Rrymat mistike të shekullit XVIII, për të cilat aludon Prudoni, qenë, në Francë, ajo religjioze e jansenizmit, dhe ajo filozofike e okazionalizmit; në Gjermani, ajo religjioze e pietizmit.
8 Thomas Robert Malthus (1766-1834) botoi në 1798 të famshmen Sprovë Mbi Parimin e Popullsisë, ku pohonte se, duke u prirë me u rritë me një ritëm gjeometrik popullata, teksa me ritëm aritmetik të mirat ushqimore, rreziku i zisë së bukës ishte gjithnjë e më i mundshëm dhe e pa gjithmonë e më të domosdoshme që të ndërhynin faktorë frenues si epidemitë, luftërat, kufizimet e lindjeve. Kundër këtyre tezave Prudoni u shpreh disa herë dhe në mënyrë të rreptë (Libri i cituar më lart i Maltusit është një nga librat më të rëndësishëm i të gjitha kohërave dhe është i përkthyer edhe në shqip nga redaktori i këtij libri dhe i botuar po nga Shtëpia Bt. “Helga’s Secrets”; në fakt ka mundësi të jetë e kundërta e asaj që kanë theksuar teoricienët e majtë dhe, në mënyrë totalisht të kundërt duket se e përdor teorinë maltusiane si të lidhur me ‘pornokracinë’ edhe Prudoni: Maltusi thoshte se nëse njerëzit nuk kontrollojnë difektin e këtij ligji të shtrembër natyror i cili shkonte kundër egzistencës së njeriut, atëhere nevoja për ekzistencë do ta çonte atë drejt luftrave për sigurimin e burimeve, varfëria do e çonte drejt epidemive dhe sëmundjeve, etj; ndaj Maltusi i madh thoshte: kontrolloni lindjet në raport me burimet natyrore e teknologjike të mirëqenies – shën. në kllapa nga redaktori A.C ).
9 Në 1836-n dolën dy vëllimet De la prostitution dans la ville de Paris, considerée sous le rapport de l’hygiène publique, de la morale et de l’administration, e mjekut Aexandre-Jean-Baptiste Parent-Duchâtelet (Aleksandër-Zhan-Baptist Paró Dyshatëlé) (1790-1836), për të cilin Prudoni flet në Shtojcën e Propozicionit të Pestë të kapitullit IV të Çfarë është prona?
10 Jean-Baptiste Say (Saj) (1767-1832), ekonomist dhe burrë shteti, është autor i një Traité d’économie politique dhe i një Cours complet d’économie politique pratique, ku sistemon doktrinën e shkëmbimit të lirë: Prudoni e sulmon duke e përkufizuar «Hermes i ekonomisë, trismegjisti Say» në kapitujt III dhe IV të Çfarë është prona?.
11 Sistemi filozofik i René Descartes (Dekart) (1596-1650) karakterizohet këtu si «spiritualizëm» mbi bazën e përkufizimit të Victor Cousin (Kuzë) (1792-1867): spiritualizëm është çdo filozofi që e vendos ndërgjegjen në zanafillë të njohjes.
12 Les précieuses ridicules, komedi me një Akt e 1659-s, e para në kostum e shkruar nga Molieri, i siguroi mbështetjen përfundimtare të monarkisë.
13 Chansons të poetit autodidakt Pierre-Jean de Béranger (Beranzhé) (1780-1857), pjesa e parë e të cilave Vivandière, kontribuan në periudhën e Restaurimit me përforcue kultin e Napoleonit, admirues i zjarrtë i të cilit qe Béranger. Në Hyrjen e tij për botimin italian të veprës La sorcière të Jules Michelet (cit. Shënimin 17 të Pjesës së dytë «Shënime dhe mendime»), Franco Fortini e sintetizon kështu rolin e mitizuar femëror në klimën politiko-kulturore franceze të shekullit XIX: «...e gjithë Tetëqinda demokratike përshkohet nga figura e gruas luftarake, amazonë, e gjirit të shpluar, krijesa e barrikadave, duart e të cilës janë të zbehura, të mrekullueshme... mbi bronzin e mitralozave/ përmes Parisit kryengritës, ose të një gruaje që nuk është as nënë as bijë as grua por vetëm krijesë maksimalisht e dëshirueshme, pra prej erosi e vdekjeje, që i shkul bijtë nga nënat, vivandiera Carmen; prostitutë sublime, tricouteuse për gijotinë, marseillaise për Hark Triumfi, petroleuse komunare» (La strega, BUR Rizzoli, Milano 1977, f. 18).
14 Mund t’i shpëtoje shërbimit ushtarak duke iu drejtuar disa sipërmarrësve të vërtetë, që siguronin një zëvendësues në bazë të një shpërblimi. Figura e sipërmarrësit u zhduk kur Prudoni ishte akoma gjallë; kurse mundësia ligjore e zëvendësimit u zhduk në 1872-shin.
15 Në një letër mbi spektaklet adresuar në 1752-shin Jean le Rond d’Alembert-it (Alamberit) (1717-1783), Ruso mëtonte, kundër Enciklopedistëve, se objektivi i teatrit nuk ishte dobishmëria morale, por kënaqësia. Në Maksima dhe refleksione mbi komedinë, të 1694-shit, Jacques-Bénigne Bossuet (Busé) (1627-1704) pat folur kundër rreziqeve të teatrit, burim korruptimi të zakoneve dhe shpirtrave. Prudoni shkroi se, në periudhën kur punonte në tipografi, pikërisht «veprat e Bossuet, e Bergier, etj., më kaluan nën sy; mësova nga këta mjeshtra të mëdhenj ligjet e arsyetimit dhe të stilit».
16 Amable Voïart Tastu (1795-1885), poeteshë me frymëzim lamartinian (Les Oiseaux du sacre, 1825), shkroi shumë vepra të destinuara për fëmijët. Mbi de Meulan-ën, sh. shënimin 7 të kapitullit të dytë.
17 Mike e Flaubert-it (Flober), Louise Colet-Révoil (Kolé-Revual) (1810-1876), poeteshë dhe shkrimtare, botoi mes tjerash Les couers brisés dhe L’Italie des Italiens.
18 E njohur në periudhën e Revolucionit si madame de Roland, Manon Roland de la Platière (1754-1793) e bëri sallonin e saj një qendër të grupit zhirondin, në rënien e të cilit, ajo u gijotinua. Tjetër sallon politikisht dhe kulturalisht i angazhuar qe ai i Anne-Louise-Germaine Necker de Staël-Holstein (1766-1817), autore e të famshmes De l’Allemagne (1810), që aq shumë kontribuoi në përhapjen e romantizmit gjerman.
19 Claude-Henri de Rouvroy (Ruvrua), kont i Saint-Simon (Sen-Simon) (1760-1825), konsiderohet themeluesi i socializmit utopist francez; në periudhën e fundit iu përkushtua përpjekjes për të themeluar një krishterim të ri (është e 1825-s Nouveau Christianisme e tij). Në vdekjen e tij u themelua nga ndjekësit një shkollë sen-simoniane që mori karakteret e një sekti religjioz, një pjesë e të cilës u drejtua nga Enfantin. Në 1854-shin, pas rënies së shpresave revolucionare të 1848-s, disa sen-simoniane themeluan «Revue philosophique et réligieuse», që u botua deri më 1 janar 1859 (sh. shënimin e Pjesës së dytë).

KAPITULLI I PESTË

1 Shih shënimin 11 të këtij kapitulli.
2 Pirron Elidi (365-275 p.K.), themelues i shkollës skeptike: pirronizmi është teoria që mëton pamundësinë për njeriun me e mbrritë njohjen e të vërtetës dhe të mirës.
3 Luigji Filipi I i d’Orléans, zgjedhur mbret gjatë revolucionit të korrikut 1830-s, u rrëzua nga revolucioni i shkurtit 1848.
4 Fantaisie, «fantazi», merr domethanien tek Romanticizmi, imagjinata krijuese, e palidhur me realitetin, me skemat logjike; shprehje e një lirie krijuese e ndryshme nga ajo e imagjinatës riprodhuese.
5 Théophile Gautier (1811-1872), gazetar e romansier (romani më i njohur i tij është Kapiten Frankasa); qe mes animatorëve të rrethit të Rue du Doyenné, i lëvizjes romantike të vonë të quajtur parnasjane. U përplas me Rembonë.
6 Nominalistë u quajtën filozofët e Skolastikës mbështetës të teorisë sipas të cilës universalja apo koncepti nuk ka realitet përjashta mendimit, por është një shenj e predikueshme e disa gjërave.
7 Prudoni i referohet këtu punës së tij Théorie de l’impôt, që kishte fituar çmimin e parë në një konkurs të organizuar nga Kantori i Vaud-it, dhe që u botua në 1861-shin.
8 Pierre Leroux (Lërú) (1797-1871), socialist sen-simonian, themelues i gazetës «Le globe», shkroi De l’égalité, De la ploutocratie ou du gouvernment des riches.
9 I referohet «Bankës së popullit», që duhej të arrinte me realizue lëshimin falas të kredive; e mbështetur mbi kolonat e gazetës «Le représentant du peuple», e konkretizuar në 1849-n, shumë shpejt Banka u zbulua si e pasuksesshme.
10 Në Kolegjin mbretëror të Besançon-it Prudoni kishte hyrë në moshën njëmbëdhjetë vjeçe; në 1831-shin, veç kësaj, punoi si mësues në Kolegjin Gray.
11 Në Ménilmontant, periferi pariziene, Enfantin-i kishte organizuar komunitetin e tij, që u shprish pas një procesi në Gjykatën (e Assise), që u mbyll me dënime të ndryshme.
12 Prudoni përdor këtu termin guenon në kuptimin e dyfishtë të femrës së majmunit dhe të gruas së përdalë.
13 Vargu i cituar bën pjesë tek fabula Ujku dhe qengji, që përmbahen tek libri, I-rë i Fabulave të Jean de La Fontaine (1621-1695); edhe në pjesën e Parë të librit të 4-t të Çfarë është prona? Prudoni citon, por më pak saktësisht, një varg prej njërës nga Fabulat e La Fontaine.

PJESA E DYTË

SHËNIME DHE MENDIME

1 Jean-Jacques Altmeyer (1804-1877), historian belg, shkroi mes tjerash një Cours de philosophie de l’histoire dhe një Histoire des communes flamande; të Heinrich Cornaelius Agrippa prej Nettesheim (1456-1535), filozof, mjek e magjistar; Prudoni sjell më poshtë një pjesë të marrë nga De incertitudine et vanitate scientiarum; regjentja e Vendeve të Ulëta që përmendet këtu është Margerita prej Jorkut (1446-1503), grua e Karlit Sypatrembur, dukës së Burgonjës.
2 Aludohet për Traité de l’éducation des filles, shkruar në 1689-n nga François de Salignac de la Mothe-Fénelon (1651-1715), që Prudoni tregon se e njeh me themel: në të ri, kishte lexuar veprat filozofike-religjioze të tij; te Pornokracia citon (shih f. 150) edhe Les aventures de Télémaque (1699), një roman edukativ i famshëm në historinë e pedagogjisë.
3 Është një gjykim historik, veçantisht për Bona Sforza-n (grua nga 1518 e Zigismond Plakut), Luisa di Gonzaga-n (nuse në 1645-n e Ladisllavit të 4-t), dhe Maria Casimira Lagrange de Arquien (që u martua me Jan Sobieski-n, nga 1676-a mbret i Polonisë falë ndihmës së Luigjit të 14-të).
4 Pierre-Augustin Caron de Beaumarchais (Bomarshé) (1732-1799), shkrimtar komedish të suksesshme (Barbier de Séville, Mariage de Figaro – Martesa e Figaros), pësoi në 1770-n një seri procesesh dhe grindjesh gjyqësore të bujshme me magjistratin Gowzmann; u mbrojt duke përmbysur në katër Mémoires e tij akuzën e gjykatësve të tij.
5 Alberti i Saksoni-Koburg-Gotas u martua në 1840-n me Viktorian e 1-rë, mbretëreshën e mbretërisë së bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës; më shumë se Alberton, Viktoria mori parasysh këshillat e lord Melborn dhe të Disraelit. Katerina e 2-të, grua e carit Pjetri i 3-të, e rrëzoi këtë në 1762-shin dhe mori kurorën e perandores së Rusisë, të cilën e ngriti në rangun e superfuqisë. Për Semiramidën, në fund, mbretëreshën e Asirisë dhe themeluesen e Babilonisë, legjenda nënvizon degjenerimin dhe mizorinë. Prudoni i vendos këto gra mbi të njëjtin plan dhe, më shumë se një gjykim historik, shpreh mbi ’to vlerësime moraliste.
6 Elizabeta e 1-rë, mbretëreshë e Anglisë (1558-1603), u mbiquajt Virgjëresha për shkak të refuzimit të saj me u martue. Luçio Domicio Aureli, perandor romak (270-275), shfronëzoi Ksenobian, mbretëresha e Palmirës, dhe e vrau së bashku me këshilltarin e saj të zotë Longinin.
7 Bëhet fjalë për bashkëpunuesit e «Revue philosophique et religieuse» (mbi ’të shih shënimin 19 të kapitullit të katërt). Charles Lemmonier botoi aty Essai sur la personnalité de Dieu; Charles Fauvety, Aspirations vers une religion rationelle; Ange Guépin, Esquisse d’une nouvelle théorie des fonctions cérébro-intellectuelles; Léon Brothier, Nécessité d’un dogme e Fondements de la certitude; Charles Renouvier, La Trinité au point de vue philophique; dhe Ausonio Franchi (pseudonim i Cristoforo Bonavino) një Défense du Criticisme. Tek kjo revistë bashkëpunoi vetë Jenny d’Héricourt, me esenë La Bible et la question des femmes.
8 Jules Favres (1809-1880), avokat dhe burrë shteti republikan; Alphonse de Lamartine (1790-1869), poet e shkrimtar, i famshëm për Méditations poétiques, në 1848-n ministër i Punëve të Jashtme të qeverisë provizore; Isaac-Moïse Crémieux, i quajtur Adolph (1796-1880), avokat, politikan i moderuar deri në grushtin e shtetit të Luigj Napoleonit; Armand Marrast, drejtor nga 1841-shi i gazetës «National»; Louis Blanc (1818-1882), gazetar dhe historian socialist, që në qeverinë provizore të 1848-s u përpoq të realizonte «Ateliers sociaux», dështimi i të cilave nxiti represionin e përgjakshëm të qershorit; François Arago (1786-1853), shkencëtar, në 1848-n ministër i Marinës.
9 Belfagor, hyjni e traditës kananase, u transformua në demon nga tradita biblike dhe letrare e perëndimit të krishterë. Kings-Charles-at, prej anglezit King Charles spaniel, janë një racë e veçantë qensh.
10 Taide, kurtizane egjiptase e shekullit të IV, qenkej konvertuar nga një anakoret; Afra, edhe ajo kurtizane e shekullit IV, e konvertuar, u dënua me turrë drush pranë Augsbourg, në Bavari.
11 Prudoni i referohet fuqive afrodiziake dhe abortuese që i visheshin të tharave të kantarideve dhe të agnokastit.
12 Shumë janë anëtarët e familjes së Jussieu që studiuan botanikë; bashkëkohës të Prudonit qenë Antoin Laurent (1748-1836), i njohur për «klasifikimin natyral» i bimëve, dhe i biri Adrien (1797-1853).
13 Emmer de Vattel (1714-1767), studiues zviceran i së drejtës, i kujtuar edhe mes studiuesve që kishin analizuar luftën, në veprën La Guerre et la Paix. Vepra e apologjistit të krishterë Kuint Septim Tetulian-it, e cituar këtu në mënyrë të pjesshme dhe të pasaktë, u shkrua rreth 207-s.
14 Confessions u botuan vetëm pas vdekjes së Rusoit; romani Émile u rimor dhe u vazhdua në një roman të ri, Émile et Sophie, që ngeli i pambaruar. Julie ou la Nouvelle Héloïse, që Prudoni citon në f. 150, është i 1761-shit.
15 Shën Jeronimit (347-420), At i Kishës, i detyrohemi mes të tjerash botimin «Vulgata» të Biblës.
16 Mbi Lukrecien shih shënimin 3 të kapitullit të tretë. Marta, motër e Magdalenës dhe Lazrit, është, në Ungjill, simbol i jetës aktive.
17 Jules Michelet (1798-1874), autori i famshëm i Histoire de la Révolution française (e lëvduar nga vetë Prudoni në një letër datuese më 11 prill 1851), i pezulluar nga mësimdhënia në ’51-shin, dhe i përzënë nga Collège de France vitin më pas ngaqë kishte refuzuar betimin e besnikërisë ndaj Perandorisë së Bonapartit, shkroi edhe një vepër mbi La femme (1859); katër vjet më vonë, teksa Prudoni ishte i angazhuar me La Pornocratie, nxori pranë botuesit Lacroix të Brukselit botimin e dytë të La sorcière (Shtriga), një vepër e rivlerësuar kohët e fundit.
18 François-Joseph Talma (1763-1826), qe aktor i madh dhe organizues spektaklesh; tri gratë të cilave iu referohet Prudoni qenë aktore të famshme të epokës së Napoleon Bonapartit: Marguerite-Josephine Weymer (George), Anne-Françoise-Hippolyte Boutet (Mars), dhe Catherine-Joséphine Rafuin (Duchesnois).
19 Karl Grün, gazetar me prirje fourieriste: shkroi në 1845-n Lëvizjen sociale në Francë dhe në Belgjikë, dhe qe përkthyes i Prudonit.
20 Kornelia, fisnike romake bijë e Skipion Afrikanit, kujtohet për anekdotën e të bijve Tiber dhe Gaj Grak të paraqitur si xhevahirë. Virgjinia, virgjëreshë shumë e bukur, sipas legjendës, e futur nga Ap Klaudi Deçemviri, u var në publik nga i ati, që kishte qëllim ta shpëtonte kështu nga çnderimi.
21 La Châtre, përpos që tregon qytetin kryesor të département-it të Indre (Donjon-i i lashtë), mund të nënkuptojë në frëngjisht «tredhjen»: dykuptimësia është e dukshme.
22 Prudoni «harron» se autori i romanit La femme de trente ans është Honoré de Balzac (1799-1850), që e botoi në 1831-shin. Është historia e Zhylisë, gruaja e palumtur dhe e pakënaqur e kontit Viktor të Aiglemont. Për Balzakun, mosha më e mirë për një grua është pikërisht tridhjetë vjeçe, kur ajo arrin (është rasti për shembull i Zhylisë) thantësinë fizike dhe pjekurinë e plotë.
23 Asmodeu është një personazh demoniak që, në Librin e Tobias, të Dhjatës së Vjetër, përpiqet të pengojë dasmën e Tobisë me Sarën: përfaqëson demonin e kënaqësive të papastra.
24 Jacques-Henri Bernardin de Saint-Pierre (1737-1814), pararendës i Romanticizmit, autor i të famshmes Paul et Virginie, kontribuoi me zhvillue shijen e natyrës, në veçanti tek vepra Études de la nature.
25 Edhe në këtë rast, si në lidhje me mbretëreshat e Polonisë, Prudoni duket se bëhet zëdhënës më shumë i një tradite skematike dhe kufizuese, sesa i një përkufizimi të përpiktë historik: filozofia e Epikurit (341-270 p.K.) gjente qëllimin etik të njeriut jo tek arritja e një kënaqësie nga çdo e drejtë dhe virtyt, por në konkuistën e një paqeje të brendshme, ataraksisë, e purifikuar nga pasionet dhe nga dhimbjet.
26 Albert Dürer (1471-1528), piktor, gdhendës, teoricien i artit; Harmenszoon van Rijn i quajtur Rembrandt (1606-1669); Claude-Adrien Helvétius (1715-1758), mbështetës tek De l’esprit (1758) i sensualizmit; Jean-François de Saint-Lambert (1716-1803), shkrimtar që rrotullohej rreth zonës kulturore të Enciklopedistëve.
27 Fidias (fund i shek. V-të – shek. IV-t p.K.), skulptor athinas, i detyrohemi për sistemimin urbanistik të Akropolit dhe të Partenonit të Athinës.
28 Siç dihet, Honoré Gabriel Riqueti, konti i Mirabeau-së (Mirabosë) (1749-1791), një nga shefat e rrymës së moderuar të Revolucionit, u akuzua për tradhti; Georges Jacques Danton (1759-1794) vdiq në gijotinë, pasi u akuzua nga Maximilien-François-Isidore de Robespierre (1758-1794).
29 Armand-Jean du Plessis de Richelieu (1585-1642), ministër i Luigjit XIII; Jean-Baptiste Colbert (1619-1683), ministër i Luigjit XIV; Robert-Jacques Turgot (1727-1781), kontrollor i përgjithshëm i Financave nën Luigjin XIV (Prudoni shton më tej se qe tërë kombi që rezistoi ndaj Turgot: në të vërtetë, reformat që ky çalltiste u penguan nga Oborri); Nicolas Fouquet (1615-1680), përgjegjës për Financat në periudhën e Luigjit XIV; François-Michel Le Tellier, markez i Louvois (1641-1691), ministër i Luftës dhe mandej i Punëve të Jashtme nën Luigjin XIV; Jacques Necker (1732-1804), ministër i Financave nën Luigjin e XVI.
30 Tek Esprit des lois (1748) të Charles-Louis de Secondat, baron i Bréde dhe i Montesquieu (Monteskië) (1689-1755) dhe konceptimit të tij të sistemit kushtetues iu frymëzua Kushtetuta franceze e 1791-shit. Gjykimi i Prudonit mbi revolucionin e ’89-s përmbahet në Ç’është prona?: «Flitet me entuziazëm të ekzagjeruar për revolucionin e lavdishëm francez, për ndryshimin e institucioneve: gënjeshtër! gënjeshtër!».
31 Është Kushtetuta që sanksionon, në 1799, diktaturën e Napoleon Bonapartit, pas grushtit të Shtetit të 18 brymerit (11 nëntorit).
32 Magjistrat dhe politikan, Claude-Auphonse Delange (Delanzh) (1797-1869) u emërua senator nga Lui Napoleoni, pas grushtit të Shtetit. Qe ministër i Brendshëm në 1858-n, mandej i Drejtësisë deri në 1863-shin.
33 Gjatë mbretësisë së Luigjit XIV (Mbreti-Diell, 1643-1715), Franca u angazhua në një seri të gjatë luftërash që, nëse i lejuan të bënte zap Fiandrat, Franca Kontenë, dhe territore të tjera, përfunduan duke zbrazur financat dhe burimet e saj.
34 Libertinizmi qe një lëvizje filozofike me karakter antireligjioz dhe antiklerikal që u afirmua në Francë në Gjashtëqindën. Ekstensivisht, Prudoni e përdor këtu termin për të rrokur «antiklerikalizmin» e Volterit (François Marie Arouet, 1694-1778), e Monteskjësë, dhe të Denis Diderosë.
35 Anne-Honoré-Joseph Dyveyrier, i quajtur Mélesville (1787-1865), magjistrat, shkroi më se 300 vepra teatrale, shumë prej të cilave humoristike dhe satirike.
36 Në shekullin e XIX, qyteti belg i Spa-së (territor i Liezh-it) përmendej për industritë dhe artizanatin e drurit.
37 Satira VI e Deçimo Jun Juvenalit (c. 60-140) është një përshkrim i egër i veseve të grave; Prudoni rimerr një frazë nga vargjet 58-59 («Quis tamen adfirmat nil actum in montibus aut in/ spelumcis? Adeo senuerunt Iuppiter et Mars?»), ku Juvenali ironizonte mbi banketet dashurore që Jupiteri e Marsi e kishin zakon të kalonin te shpellat e maleve.
38 Në fillimet e shekullit të XIX prostitutat dhe gratë e hedhura të Parisit quheshin lorettes, prej emrit të lagjes Notre Dame de Lorette.
39 Në gazetën «Office de la Publicité» Prudoni botoi artikujt L’Empire et la bohème, Mazzini et l’Unité italienne (7 shtator), që ngritën kritika dhe ndjenja kaq të thella (dukej në fakt sikur mbështeste tezën që, siç po bënte Italia duke u bashkuar, kështu duhej të bënte Belgjika, duke zgjedhur të bashkohej me Francën) sa shtyu më 16 tetor një turmë demonstruesish të manifestonin në rue du Conseil në Bruksel, ku banonte Prudoni; për pasojë, ky e la Belgjikën për Parisin. Në një letër të dy viteve më parë, adresuar avokatit të tij Gustave Chaudey, Prudoni shprehej mbi atë gazetë në këto terma: «E dini se kjo fletushkë e mjerë ka një tirazh prej 17.000 kopjesh, dhe kur vë dorë unë ka 100.000 lexues?»; dhe, në La Guerre et la Paix, saktësonte akoma se bëhej fjalë për një «gazetë të vogël që botohet në Bruksel dhe është krejt e panjohur në Paris». Mbi «Étoile belge» - që qe një nga gazetat liberale që e sulmuan artikullin e tij mbi Garibaldin, dhe ku aksioni kryesor ishte Toussaint, një noter nga Brukseli - Prudoni shkroi në 1863-shin se e gjykonte «pa asnjë opinion, megjithëse ishte më e shpërndara ndër të gjitha, dhe megjithëse shtypej në 20.000 kopje. Thuhet se financohet nga princat d’Orléans» (Du principe fédératif et de la nécessité de reconstituer le parti de la révolution, në Oeuvres complètes, bot. Rivière cit., Paris, 1959, fq. 192-193).
40. Referimi të dielës nuk është i rastit. Ditës së pushimit, dhe nevojës e shansit për të festuar të dielën nën «profilin e higjienës dhe të moralit, të relacioneve familjare dhe qytetëse», Prudoni i kishte kushtuar në fakt një studim, Célébration du dimanche, që fitoi një çmim special në një konkurs të çelur në 1839-n nga Akademia e Besançon.
41 Grua e Luigjit të VIII, Blanka prej Kastiljes (1188-1252) qe regjente e mbretërisë si gjatë vogëlisë së të birit Luigji IX (shën Luigji), ashtu dhe gjatë periudhës kur ky i fundit organizoi të parën nga kryqëzatat e tij në Palestinë: pikërisht në 1250-n, në Mansourah, Luigji u mposht dhe u zu rob; pasi u lirua, qëndroi në Palestinë edhe katër vjet të tjera.


* Në lat.: porne - prostituta.
** V. Brancati, Il bell’Antonio, Bompiani, f. 50. Më sipër bashkëbiseduesi i protagonistit i referohet faktit se një prostitutë, padrone e një bordelloje, ka shprehur simpatinë për Duçen, duke thënë se do dhuronte dhjetë vjet nga jeta e saj veç për të fjetur një natë me Mussolinin.
*** ...siç vëren një kultivues i humorit të zi në Shkodër.
* Letër e 7 majit 1846.
* Në kuptimin: të devotë besimin fetar. (të gjitha shënimet me * janë të shqipëruesit)
* Vini re se shoqëria ka edhe kuptimin e ortakërisë. Nga 'socio' – ortak.
** Na duket se trajta 'dhunti' e dhunon origjinën e fjalës nga folja 'me dhanë'.
* Nga leksiku kishtar: provanon, fjalë e rrjedhur nga it. provvedere. 'Dio vede e provvede'.
* Përzgjidhni rastësisht - neologjizëm i përkthyesit.
* Shportaret ju shisnin ushqime ushtarëve gjatë fushatave rraskapitëse të luftërave të atëhershme.
* Akt ekskluziv i regjistrimit dhe përdorimit të një shpikjeje i lëshuar nga shteti në përnjohje të shpikësit.
* Frenologjia: teoria e Gall-it (1758-1828) sipas të cilës çdo tipar i karakterit dhe çdo aftësi intelektuale shfaqen përmes një protuberance në një pikë të caktuar të kafkës. E krahasueshme me atë që thonë shahistët për “gungën e shahut”. Megjithatë Gall-i tek vepra e tij themeltare Sur le fonctions du cerveau et sur celles de chacune de ses parties, përdor termat kafkologji apo kafkoskopi. Fjala frenologji është e Spurzheim-it dhe mandej e A. Comte-it.
* Silfi: në mitologjinë gjermanike, emër qeniesh demoniake, përgjithësisht banues n'ajrí, që tradita popullore i mbante të zotë me u shkaktue të liga njerëzve dhe kafshëve. [nga lat. e Paracelsit (shek. XII) sylphus, shkurt. i lat. silvester ' pyllësor'].
* Hir përmbi hirin, është gruaja e shenjtë dhe me cipë.
* Parapëlqejmë në çdo rast trajtën latine esencë, ndaj asaj shqipe 'thelb', pasi nuk janë aspak të barazvlefshme: esenca është metafizike, thelbi fizik.
* Kjo fjalë jepet në këtë trajtë të njësuar siç e ka përdorur Xhojsi.
* Lat: Vetë fakti.
* Fjala shqipe që i afrohet më shumë kësaj është 'burrneshë', por 'burrnesha' ka një konotacion të fortë stoik që 'virago-ja' e Prudonit nuk e ka.
* Lat.: brenda dhe nën lëkurë.
* Ai që fiton e merr përsipër një kontratë zbatimi.
* Po e japim në këtë trajtë: Iu thaftë truri atij që i shkon mendja për keq.
* Mbiemri jepet në trajtë gegë, për shkak të përkimit me substantivin ‘etni’, fjalë që e kanë marrë shumica e gjuhëve europiane.
* Ky mbiemër, epitet bijohet nga Katilina, një politikan i Romës antike disa herë kanditat për konsull, e konspirator i përbetuar ndaj origarkisë së senatorëve. Këta i kundërvunë në fillim Ciceronin (që shkroi e ligjëroi anti-katilinaret), pastaj gjenerali Mark Petrei e vrau pranë Pistoias duke ia hedhur eshtrat në lum... Gjuhën e kulturën latine Prudoni i ka si autodidakt.
* Lat: prej 'intellego': shquaj, vërej, kuptoj, rrok me mendje, shoh, vëzhgoj. Këtu P., autor me pretendime dialektike (të cilat ia vinte në lojë Marksi që e njihte Hegelin n'origjinal) i mëshon kuptimit: rrok me intelekt.
* Si tua ketë qejfi. (Libido merr statusin që ka sot, vetëm duke filluar me Frojdin).
* Kështu kemi zgjedhur me e përkthye fjalën: représenter. Mendojmë se është trajta më e afërt ndo i re-présenter (ri-paraqes), ndo i vor-stellen (para-shtrim, para-vendosje).
* Parapëlqehet me u lanë origjinali pasi i referohet regjimit burbonik në Franë dhe nuk ka si me pasë barazvlera në vende a gjuhë të tjera europiane.
* Hotentot-ë quheshin popujt Khoi të Afrikës së Jugut. Pra: Afërdita e zezë.
** Lat.: Fakti është shenjtërimi i saj.
* Është rasti i vetë Prudonit.
* Fr.: jetë në bashkësi.
* Në Romën e lashtë, oshënarja që ruante zjarrin e shenjtë të qytetit.
* Lat.: përse qenka e vërtetë?
* Titull gjermanik i përdorur së pari në Perandorinë e Shenjtë Romake, i krahasueshëm me atë të kontit.
** Lat.: çdo mashkull që hap vulvën.
* Lat.: pa Bakun dhe Cereren zvjerdhet Afërdita.
* Në Greqinë e lashtë një grua e dhënë pas jetës së lirë, tepër e rafinuar për nga mënyrat e sjelljes.
* Fr.: gjegjës.
* Lat.: në mënyrë të ngjashme.
* Lat.: ligjin.
* Kafene ku këndojnë femrat.
** Lat.: mes të cilave.
* Po e përkthejmë kështu 'le pied' për ta dalluar nga 'la jambe', këmba e gjatë.
** Lat.: zëri i popullit, zëri i zotit. (Po e tha populli, e ka thënë zoti).