martedì, ottobre 19, 2010

Ftesë me hy në shekullin e ri

Astrit Cani


FTESË ME HY NË SHEKULLIN E RI

Na ishte njëherë një shekull i shkurtë

Si përqendrim i prodhimit historik, shekulli i XX ka qenë pa dyshim ma i pasuni dhe ma tragjiku i historisë moderne. Nëse ai u karakterizue prej "pasionit të reales" (pagëzimin e jep A. Badiou), pasi realja u vorfnue, mbeti vetëm "sëmundja e reales" me të gjitha simptomat e saj.

Sipas Hobsbawm, ky përqendrim nuk asht as një shekullor, por fillon më 1914 dhe mbaron më 1989 – ai e quen shekulli i shkurtë. Por nëse shekulli qe i shkurtë, sëmundjet e tij i patën pasoja të gjata që vijojnë edhe në shekullin tonë.

Me pak përqendrim mund të vërehet, se edhe në çështjen e kalimit në shekullin e ri, Europa perëndimore e hipun mbi TGVnë e saj e ka kalue Lindoren. Në radhë të parë për shkak të përditësimit të konceptit historik: p.sh., prania e ekologjistëve në parlamentet perëndimore asht e madhe, çka në kuvendet lindore asht luks i tepërt... Progresi i perëndimit drejt një epoke të re përçanësohet edhe falë ndoj artisti të shprehjes me origjinë nga ish-vendet komuniste, si Milan Kundera, përpunues i një estetike të mirëfilltë, sidomos tek vepra Testamentet e tradhtueme. Një estetikë atotalitare. Nuk them antitotalitare, pasi ndryshimi i një estetike antitotalitare me një estetikë totalitare, asht mosdomethanës e i paqenë në rrafsh ndo etik ndo estetik: sa ndryshim ka mes realizmit socialist sovjetik dhe realizmit socialist amerikan? Sa, mes komunizmit të Kadaresë me antikomunizmin e tij? A nuk bahet fjalë për një bazë të fortë militantiste në të dyja 'skajet'?

Edhe në këtë vetëdijesim ka ndodhë që Lindja ka pague, Perëndimi ka ble.

Dalja nga shekulli i XX, shënohet në radhë të parë nga ridimensionimi i marrdhanieve me vetë Historinë dhe sidomos me ideologjinë që gjakon ta prodhojë Ate. Ky ridimensionim mund të bazohet tek marrja e distancës, tek 'epoché'-ja e Husserlit, pezullimi i gjykimit, rrokja e historisë si fenomenologji, dhe relativizimi i saj, me synimin e qartë me u çlirue nga ideologjia, për të mbrojtë dhe fuqizue jetën në vetvete. Prodhimi historik nuk mundet me e jusfikue ma harxhimin e asnjë jete. Historia (ajo që u lançue në shek. XX) asht çnjerëzore, degjenerative. Jeta asht organike edhe në lidhjet që ka me botën, organike e për pasojë rigjenerative, prandaj asht arsyeja e botës. Ajo e ndërron botën në mënyrë ciklike dhe nuk e don progresionin gjeometrik të industrisë historike.

Shekulli i XX ende mendonte se gjestet dhe jetët tona do gjykohen nga historia, dhe do rigjykohen me çdo brez të ri; njerëzit linin takim në faqet e historisë. I besonin kunorave me lule të brezave që vijnë, dhe donin me i ndikue ato breza. (Ende sot, brezi i komunistave shqiptarë na sheh me përçmim, na sheh si pacifistë, duke na nënthanë: historinë e bamë ne!... Ata banë luftën (për pushtet), e në fakt s’po na lanë me e ndërtue paqen.) Kjo sëmundje asht quejtë nga Popper: historicizëm. Historicizmi ishte utopia që dhunonte realen. Utopia e parë: republika e Platonit, ajo që privilegjonte teknokratët dhe zbonte poetët. Shekulli i XX, e pa këtë sorollop kompetentash në krye të një mega-industrie të luftës pra të vdekjes.

Ata që e studiojnë sot kasaphanën, gjigantomakinë, nuk mungojnë së zbuluemi aty një pafundësi modash estetike, dhe mënyra si ndjejnë ata vetë sot ban pjesë te një modë. Historicistë postumë, ata fjala vjen ende e quejnë socializmin një utopi. E quejnë një Donkishot (- Kadare, jurisë së çmimit Asturias). Kjo nënkupton se dështimi i tij historik iu detyroka kushteve të shfavorshme historike; pra u dashka nxitë shfaqja e kushteve të reja për riaktivizimin e tij.

Por kushtet e reja, janë pikërisht pamundësia e aplikimit të kurrnjë ideologjie.

Kushtet e reja nënkuptojnë vetëdijësimin përfundimtar mbi natyrën artificiale të Shtetit, "natyrës së dytë", e cila tue mos pasë lidhje organike me natyrën njerëzore, asht degjenerative.

Absurdi, për mendimin tim, asht kategoria që prodhon bash ky Shtet, kjo "natyrë e dytë" të cilës njeriu i shekullit të XX ia delegoi jetën e vet totalisht, çka s’kish ndodhë kurrë ma parë në këto nivele. Pasojat e tmerrshme të këtij delegimi, janë dhanë në mënyrën ma të kthjelltë nga vizionari Franz Kafka.

Na, të birtë e shekullit të ri, e rimendojmë në mënyrë konstruktive (larg çdo dekonstruksioni, dhe jo mbi bazat e dekonstruksionit) "natyrën e dytë". Në këtë pikëpamje marrin për ne vlerë epokale qëndrim-marrjet e intelektualëve mbi nazizmin, mbi komunizmin dhe mbi shoqninë e spektaklit.

Interiere të shpisë sonë

Disa nga provat e mos-daljes ose thjesht ngeljes së elitës sonë në shekullin e XX, janë këto.

Politika shqiptare asht historiciste. Jo vetëm Hoxha asht mundue me prodhue një pafundësi ditësh historike, i ndihun nga shkrimtarët e oborrit të tij, por edhe kryeministri aktual qysh prej fillimeve të karrierës së vet politike, ka numërue në publik një pafundësi ditësh historike. Ende sot në 2010n ai asht krenar, fjala vjen, pse shqiptarët e paskan "ndie" ndërtimin e veprës "Durrës-Morinë", duke u ngutë me ia vu' emnin fëmijëve që iu lindin, Kalimash. Me dhjetra qenkan vërsnikët që mbakan kët emën. Shembull i përkryem i simbiozës simptomatike të historicizmit me folklorizmin.

Imagjinoj një prej këtyne Kalimashëve (Zoti i ruejtë!), në vitin 2030, në ndoj universitet të perëndimit a të Shqipnisë së atëhershme, nsa mundohet me ia shpjegue emnin e vet të pranishëmve. Me siguri ka me përdorë argumentin gjeografik në vend të atij historik.

Një provë tjetër e pizmosjes prej shekullit të XX, asht pasioni i intelektualëve tanë për frojdizmin dhe zelli i tyne në prodhimin e komplekseve të reja. Ma i famshmi ndër komplekset 'e freskëta' të prodhueme, asht kompleksi i Rozafës (me nënkomplekset relative), fabrikue nga një mësimdhanës i shquem.

Fabrikimi i komplekseve shpjegohet me përdorimin e standardeve të dyfishta.

I njejti mësimdhanës, nuk guxon me propozue ndoj kompleks të ri, në katedrat e perëndimit ku ligjëron. Një fabrikues kompleksesh ban prokopi në vendin tonë, se jashtë edhe me e quejtë Freudin të tejkaluem, asht gja e tejkalueme. Por qëllimi asht mbase i ndershëm: duen me i ba shqiptarët me zbulue të pavetëdijshmen. Me rrëmue koshin e plehrave të ndërgjegjes së vet. Ndërkohë që roli i intelektualit, të paktën prej iluminizmit, asht me çue kah vetëdija. Ata nuk i konsiderojnë shqiptarët popull. Për me e thanë me fjalët e albanologut të madh Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit, ata: “me popull nënkuptojnë vetëm popullin francez, madje, vetëm parisienët dhe ju vjen turp që populli (ynë) nuk është i tillë” (Shapovi tek Djajtë, fq. 29 – 30, Uegen 1999).

Momenti asht historik. Mtesa e tyne asht e qartë: "natyra e dytë" (Shteti) u mundka dhe u dashka t'i japë cilindo kuptim që i volitet 'të parës' (natyrës njerëzore). Kësodore, ndërsa tek miti si rrëfim, si narracion, Rozafa asht një grue tragjike protoshqiptare, tek frojdizmi postum bashkëkohës, Rozafa shndërrohet në sëmundje, në rozafizëm, e humbet ftyrën njerëzore, dhe bahet enigmë, shajni, tmerr.

Dhe ja që e përmendëm edhe mbaresën sufiksin vulën e fabrikës së aberracionit të shekullit të paranojave: izmën! Që ende sot mbijeton në konceptin ‘postmodernizëm’, që kërmëzohet në veprën e shkrimtarëve e artistëve tanë televizivë, veprat e të cilëve janë jo pak. Postmodernizmi si filozofi e artit kontraceptual.

Por ata që janë kambekrye në shekullin e XX janë në radhë të parë gazetarët. Nuk kanë faj. Duke mos mujtë me ia dalë në krye tanë asaj literature, i kanë lanë pothuejse tanë librat hapë dhe pa u shpikë ndonjë preparat që mundëson leximin simultan në shumë gjuhë të panjohuna, nuk kanë shpresa me i mbyllë ndojherë. Mjafton t'i hapni gazetat e gjeni se Aidsi vazhdon me u quejtë "sëmundja e shekullit". Në shekullin e XXII a mbase ndryshon? Kështu tek ne. Kurse në televizionin italian, ka një program që quhet 900, dhe drejtohet për bukuri nga Pippo B., çka të konfirmon se ata të shekullit të shkuem si të tundun që janë, as tuten as shkulen vendi... Sigurisht një kontratë e nënshkrueme në shek. e XX ka ma shum vlerë se nji kontratë e shekullit të ri që asht vetëm dhetë vjeç. Mbasi iu kanë ra dhambët, kanë vu proteza të fuqishme, dhe oreksi vetëm iu shtohet.

Një moment tjetër që ma konfirmon faktin se intelektualët tanë vuejnë prej ngërçit të shekullit të shkuem asht kriticizmi monotematik i vetë ngërçit. Ky ngërç mbahet gjallë nga vetë folitika e tyne e pafundme. Me misionin e tyne që nëpërmjet emisioneve me shikueshmëri të naltë (lexo: me pasivitet të naltë nga ana e shikuesve) me dekonstruktue çdo mit, e përfundimisht me dekonstruktue çdo strukturë narrative e logjike që kemi trashëgue dhe ruejmë deri sot.

Atyne, që mëtojnë se politikanët i kemi në shekullin e XIX, u duhet thanë se për vete janë në shekullin e XX, dhe te pjesa ma josubstanciale e këtij shekulli: tek karaokja e opinionizmit mediatik. Tek vitet ’80, tek letra higjienike, birra pa alkool, cigaret light, muzika disko, pornokracia.

Të dyja palët meritojnë vëmendje. Politika, sepse duke qenë në shekullin e XIX për vete, ban fushatë e mbledh vota tue iu premtue njerëzve se i fut në shekullin e XX. Por ai që politika e quen "shekulli i ri" për ata në fakt asht i kaluemi "shekulli i XX". Vëngëroshe asht elita kulturore, sepse me kategoritë ideologjike të shekullit të njëzet kallëzon prapambetjen e politikës në shekullin e nandëmbëdhetë.

Operacioni ma i randë që intelektualët kryejnë ka të bajë me mitin.

Në mbrojtje të narracionit

Mit në origjinën e vet domethanë narracion. Edhe vetë historia ka në zanafillë këtë kuptim. Opinionkeqbërësit e mediave shqiptare procedojnë në mënyrën e intelektualëve të makinerive totalitariste: në fillim e ideologjizojnë mitin, mandej duke kritikue anën ideologjike që i kanë shtue vetë, e demitizojnë atë. Por demitizimi nuk ka asnji kuptim në vetvete, pasi demitizim asht vetë ideologjizimi i mitit, duke ia heqë atij anën mitike, adamitike, narrative. Me çnarrativizue një narracion: ky asht kulmi i shitjes së ajrit të fërguem, asht H2O2 i shitun për ujë.

Në të vërtetë qëllimi i demitizuesve asht luftimi i mendësisë totalitariste. Edhe kjo detyrë e tyne ka një vonesë shekullore. Në kushtet e post-totalitarizmit duhet pozitiviteti, pohimi, idetë e reja.

Asht ma se e vërtetë që sistemet totalitare, sidomos nazizmi i Hitlerit e ka përdorë mitin (një mit të dhunuem ideologjikisht) për me përligjë një luftë të tmerrshme ndaj natyrës njerëzore, për me e përdhunue ate randë. Por miti, që nuk i përket 'natyrës së dytë – Shtet' nuk ka faj për kët.

Thamë se Shteti duke mos pasë lidhje organike me natyrën njerëzore, asht degjenerativ, por "natyra e dytë" e vërtetë që asht narracioni, pjesa ma klasike e të cilit asht mitologjia, i ka këto lidhje natyrore, prandaj asht rigjenerative. Schellingu tek Philosophie der Mythologie thotë se mitogjia "prej thellësisë, prej kohëzgjatjes dhe universalizmit asht e krahasueshme vetëm me vetë natyrën".

Nuk asht e vështirë me vërejtë se operacioni themelor i totalitarizmave ka qenë mitizimi i së tashmes. Meqë totalitarizmi nuk ka të ardhme, por veç të tashme, ai i mobilizon totalisht energjitë intelektuale për me i dhanë të tashmes universalizmin absolut, që ta bajë ate një kohë historike. Këtë lloj 'mitizimi' e bajnë zakonisht ideologët në pushtet. Ideologët që nuk janë në pushtet, bajnë të kundërtën, pra demonizimin e së tashmes.

Por e tashmja duhet pá thjesht si energji, proces dhe asht aq e hapun, madje deri në atë pikë, sa asht e hapun edhe mos me qenë ma.

Një personalit kozmo-historike që e ka ndikue maksimalisht kohën tonë dhe e ka ndikue shum ma tepër se ata që flitshin në emën të tij, si Marksi, e pá njeriun si thjesht njëpërmasor: si prodhues, si homo faber. Ai e injoroi homo narratorin, por përfundoi vetë i bamë narracion, një narracion i mërzitshëm.

Tani do mendojnë se po mitizoj narracionin, por nëse duhet të mitizojmë diçka, le të mitizojmë bash narracionin! Pasi narracioni asht shkolla ma e vjetër e njerëzimit, mënyra ma klasike e edukimit dhe e njehsimit të përvojave.

Nuk asht e largët dita kur Unesco (a sido që të quhet atëbotë) do ta shpalli narracionin si trashëgimi të njerëzimit, trashëgimi e dorës së parë. Dita kur kësaj veprimtarie themelore do i caktohet një datë feste në kalendar, ka me qenë për ne një ditë historike, por në historinë e narracionit ka me shënue mbase datën e pensionimit të parakohshëm.

Në shekullin e shkuem Shteti e ka luftue mitin për me i zanë vendin e ‘natyrës së dytë’. Fitorja e Shtetit ishte aq e pamatë sa tash kjo natyrë e dytë e legjitimueme rrezikon me zëvendësue edhe vetë natyrën, mbasi të realizojë edhe shkatërrimin e institucionit të fundit klasik: familjes.

Dalja nga shekulli i XX asht edhe një udhëtim mbrapa në kohë, kur kjo nuk kishte ndodhë ende. Prej këtij udhëtimi mund të rifitohet diçka në favor të programit të ri kulturor të shqiptarisë, botës tonë ku narracioni ende vepron.

Mirësevini në shekullin e ri!



Milano, tetor 2010

GAZETA STANDART, 23.10.2010

Nessun commento: