giovedì, gennaio 12, 2012

Tė mendojmė nė gjuhėn e shtėpis





Në intervistën e radhës, një përfaqësues nga më dogmatikët e doktrinës që në mësonte të hamë ideologji, thotë po ato gjëra që përsërit e majta e sëmurë shqiptare: ky lider i sotëm është ish-sekretar partie, nuk besoj se nuk kemi rini dhe se kjo rini nuk do bëjë revolucion... e quan '97 revolucion demokratik, e me radhë. Këta niktalopë flasin për rininë, por nuk janë të aftë ta dëgjojnë rininë. Bëjnë sikur shkreditojnë anën bukolike të kryeministrit aktual, por i qepin astarin ndryshkut të kësaj mënyre mendimi.

Personalisht nuk besoj se lideri ynë aktual është kripto-komunist. Ai është antikomunist I sinqertë, siç ka qenë komunist i sinqertë në rini. Do të thoni juve: të gjithë jemi komunistë në rini. Dhe antikomunistë në moshën e pjekur, kur e kemi fituar tashmë avantazhin dhe duam ta ruajmë. Mund të themi se në rini jemi të gjithë idealistë.
Atëherë mund të duket se evolucioni i këtij lideri është i natyrshëm dhe mund të jetë i pranueshëm, pavarësisht se niset nga një socializëm i tipit bizantin, dhe mbërrin tek një oksidentalizëm folklorik. Por duhet të pyesim veten, a është besimtar ky njeri? A ka spiritualitet?
Personalisht, më duket se nuk është ateist. Pavarësisht se legjenda thotë se ai nuk e lau dorën nji vit pasi ia shtrëngoi udhëheqjes. A thua përjetimi i tij më i thellë ka qenë takimi me pushtetin? Në këtë pikëvështrim shumë më njerëzor do na dukej Rama, i cili sipas gojëdhanës paska përjetuar artin, paska ngrënë bukë nga e bukura dhe mund të ketë qarë me lot para Guernikës. Rama ky ngrënës opiumi, ky dendi që u mundua ta kthente Tiranën në metropol të tipit bodlerjan.
Të parë në këto dy thjerrza të përkundërta hiperbolike, figura e parë do na dukej mishërimi i ambicies dhe i forcës, i dyti mishërimi i nevojës për me andrrue me çdo mjet.
Por unë kam dyshimin se janë të dy njerëz pa metafizikë. Ose do ta them ndryshe.
Kryeministri ka qenë ai që ka qenë dhe është ky që është, por këto dy pjesë të personalitetit të tij nuk kanë lidhje dialektike ndërmejt tyre. Sikundër dendizmi i Ramën nuk ka lidhje me diletantizmin e tij si politikan. Kemi të bëjmë me dy bipolarë. Mungon vetëm ariu polar me dajre dhe festa mund të fillojë.
Skizofrenia është sëmundja më e përhapur ndër ne shqiptarët, ajo kur njëra pjesë e personalitetit nuk i përgjigjet tjetrës. Dhe në rastin Rama, përdorimi i acidit lisargjik duhet pa' si kurë. Rama është shumë më i shëndetshëm në skizofreninë e tij.
Skizofrenia është sëmundja e vërtetë e elitës sonë. Kjo e bën të pamundur zbatimin e një programi mbarë-shqiptar. Pasi elita e Shqipërisë londineze, ngaqë vjen nga një histori pa prani okupatorësh të huaj, shihet akoma si lokomotiva e kombit edhe nga elita e re kosovare, e cila, pavarësisht patetizmit, duhet thënë se nuk vuan nga skizofrenia, dhe për arsye biologjike është e detyruar ta pranojë rininë në prodhimin e publikes. Çka në Tiranë nuk lejohet të ndodhë.
Shpesh kam pyetur nga iu vjen forca fizike këtyre ateistëve të pandalshëm që manovrojnë në hijen e shpirtit të tyre politikën e Tiranës. Besoj se nga skizofrenia do ishte një shpejgim i mirë. Çdo skizofren është i palodhshëm.
Jemi një shoqëri e sëmurë. Në komunizëm kishim një elitë të sëmurë dhe një pjesë të shoqërisë tërësisht të kriminalizuar, por tani jemi fund e krye një shoqëri e sëmurë. A do shërohet kjo elitë? Nuk e besoj. A do shërohemi ne njerëzit e thjeshtë thjesht duke ikur jashtë shtetit? A do kthehemi ndonjëherë, për ta investuar shëndetin tonë nëse do e kemi? Por ky moment dileme madhore për ne, është momenti kur të politikë po hyjnë pornet e reja, dhe politika do degradojë shpejt nga një politikë e bazuar mbi spektaklin bosh, në një pornokraci të dehur konsumiste.
Teksa Italia fqinje po fundoset prej pasojave të industrisë së imazhit që ia mbylli industritë e tjera, neve sapo i kemi hipur këtij Rozinanti.
Standarti përfaqëson kulturën fallco të kësaj pluto-elite, që tregun e vetëm e bazon mbi pornokracinë e imazhit. Por standarti do ta përqafësonte këtë marri edhe sikur të ishte i bazuar mbi gegnishten, mbi këtë nuk kam pikën e dyshimit. Standarti është universal siç është universale gjuha që flitet në filmat porno. Nuk duhet pritur pra që standarti të rrokë kuidin dhe të bëjë dritë. Pra nuk duhet pritur që standarti të prodhojë kulturë. Ata që kujtojnë se gjuha e njësuar e prodhon publiken, gabohen. Gjuha e njësuar e riprodhon publiken, nuk e prodhon atë. Standarti po mëton se po bën elektrifikimin e mendjeve. Është shenjtërimi i protokollit provincial.
Të gjithë ata që e duan identitetin shqiptar e duan gegnishten siç e duan dhe toskërishten. Nji ode liqenore e Lasgushit tingëllon shumë më e ëmbël buzë liqenit të Shkodrës, sikundër e di se 'Shiroka në dimër' e Rreshpjes duhet recituar pranë liqenit të Pogradecit. Ky mall vjen nga dashuria për mikun. Ç'nevojë kemi ta quajmë mysafir, ne e quajmë thjesht e pa formalitete: mik. Kur të vjen miku në shtëpi, i thonë.
Tani të shohim situatën e gegnishtes: edhe ajo po shtrembërohet nga mendjet e shtrembëra që me paratë e vjedhura ndërtojnë pallate të shtrembëra, por nuk është ky problemi i saj. Gegnishtja ka një filtër tjetër, të natyrshëm. I thonë Shkodër. Duke latuar koinenë urbane Shkodra ka filtruar njëherit edhe prurjet e maleve dhe ka qenë filtri natyror i etosit të veriut.
Një këso filtri nuk mund të rikrijohet në Tiranë as në përmasa të reduktuara, pa u krijuar tregu real gjuhësor, konkurenca e vlerave. Dhe këtë konkurencë për mua nuk e krijojnë gjuhëtarët, teknikët e gjuhës, por shkrimtarët dhe mbarë krijuesit në gjuhë të gjallë.
Duke u marrë shumë me përkthime, vë re një pezmatim të tepërt: për shumicën e fjalëve në gegnisht duhet të shënim në fund të faqes, ngaqë edhe ata 80% e shqiptarëve që e kanë amtare, mund të mos e kuptojnë, pasi nuk e kanë pa' të shkruar, dhe mund të mos dinë si lexohet. Me përfundue në fund të faqes: kjo ndodh vetëm me gjuhët e huaja!
Kemi gegnishten e katandisur në hirushe. Duke qenë më afër vatrës amà, ajo është edhe më afër zjarrit të së vërtetës, kur i thonë: përshfaq situatën reale të Shqipërisë: mjerimin e saj të detyruar. Prandaj një folës i 300 fjalëve të standartit më bën si profesor në Prishtinë, çdo folës i standartit pretendon dhe paguhet më tepër sesa një jofolës. Kemi një energji gjigande që është përjashtuar nga prodhimi i publikes, nga kultura. Kopshti antropologjik që bijon prej kësaj quhet xhungël.
Por në standart kemi dritë dhe ushqim të kontrolluar. Kemi serë. Ata që po rriten në mirëbesim në pallatet e shtrembëra me programacionin televiziv standart, do jenë lule serash, me afat skandence, me një qark kuptimor nga më të reduktuarit.
Po me toskërishten çfarë bëhet? Ajo duket sikur e ka braktisur polifoninë e vet dhe na ka lënë kakofoninë e këtyre brutëve që s'ndjejnë muzikë nëpër konaqet e tëvëve të metropolit. Duke i dhënë aksesin e vetëm tek pseudo-publikja, duke e bërë standarte, partia i bëri asaj dëmin më të madh. I hoqi muzikën. Dhe një gjë që ka humbur muzikën, ka humbur bash anën e saj shpirtërore. Kjo furje e toskërishtes është problemi më i mprehtë në rang publik.
Gegnishtja do ketë gjithmonë poetë, por toskërishtja duket se jo më. Furja e toskërishtes së sotme ka edhe arsyet e veta historike. Italishtja nuk ia hoqi muzikalitetin toskërishtes arbëreshe për shembull. Toskët e lavdishëm kanë humbur shumë qytete ose vatra ku farkëtohej mendësia e gjuha e tyre. Sa Toskëri ka mbetur jashtë prej Ohrit në Prevezë? A nuk janë aty jashtë edhe Konica e Noli, dy mjeshtrit?! Të dy të lindur jashtë këtyre kufinjve sakatues.
Imagjinoni çfarë do t'i kishte ndodhur gegnishtes, sikur Shkodra të ishte aneksuar nga sllavët para njëqind vjetësh.
Duke gjykuar fallsitetin e situatës kulturore të Tiranës, të gjithë ne kemi paragjykuar Jugun tonë. Por fakti se kryeshtetasit janë ushqyer me literaturën e diktatorit, që e kishin si 'provim shteti', nuk e bën të drunjtë dogmatike dhe të errët toskërisht e magjishme. Toskërishtja nuk ka lidhje me mendësinë bizantine. Ata që e paragjykojnë prej afërsisë gjeofizike me Bizantin grek, mos të harrojnë veriun dhe afërsinë e tij gjeofizike me Bizantin sllav.
Në kushtet e pushtimeve mijëravjeçare, heronjtë tanë kanë qenë banditët. Ata që arrinin me marrë diçka me forcë. Është koha me dhanë diçka me dëshirë.
Kemi qenë dy-gjuhësh, një në shtëpi, në një publik. Në kushtet golbale duhet të bëhemi shumë gjuhësh, por të mendojmë në gjuhën e shtëpisë para se të flasim dhe të veprojmë.
Dyfytyrësia është sedimentuar në kohë dhe është bërë strukturale. Jemi euro-aziatikë, lindoro-perëndimorë, piratë-papagaj. Është koha të mendojmë dhe të veprojmë në gjuhën që flasim në shtëpi. Të mendojmë me kokën tonë. Të punojmë kopshtin tonë. Të tregtojmë mallin tonë.
Do mbetemi për shumë kohë dygjuhësh. Me kusurin e skizofrenisë. Do mbetemi për shumë kohë shoqëri e bazuar mbi lidhjet e gjakut dhe mbi vampirizmin që rrjedh prej kësaj. Nëse e konsiderojmë standartin si gjuhë letrare, do mbetemi edhe pa letërsi. Nëse presim që ta zgjidhin gjuhëtarët, harrojeni, nuk iu del pensioni.
Gjuha letrare do vazhojë të bëhet prej shkrimtarëve, prej atyre që i japin dashuri falas, atyre që e kanë këtë instinkt burrnor.


Milano, tetuer 2011

Nessun commento: