venerdì, ottobre 13, 2006

MBI ROMANIN VDEKJA NUK VJEN, TE SHKRIMTARIT SHPETIM KELMENDI

Astrit CANI

Vdekja, identiteti, romani
Ese për romanin “VDEKJA NUK VJEN” të Sh.Kelmendit


Tue pa nji njoftim vdekje’, sytë nguliten vetiu te vitet ose skajet kohore të nji jete, e sidomos midis tyne te viza që i lidh. E atëherë diçka drithëmuese të thotë se jeta jonë âsht njajo farë vize fort e shkurtë që bashkon dy koordinata kohore. I vdekuni vazhdon me jetue nëpërmjet të afërmve e të dashtunve të tij, që zakonisht janë shumica të gjallë. Pra ai jeton halà mbi atë cope letre të vdekun, në sajë të lidhjeve njerzore që pat në jetë: pra identitetit të tij familjar, si zoon politicon. Për njerëzimin, kjo âsht vepra që i mbijeton vdekjes: familja me stadet e saj. Dhe identiteti vijon me u përtërî.
Artisti âsht ai njeri normal që realizon nji vepër tjetër, e sigurisht ia kundërvendos vdekjes. Nuk âsht fjala me luftue vdekjen fizike, që âsht e pathyeshme. Për veprën e artistit âsht rasa me mposhtë nji vdekje tjetër, të llaftarshme: vdekjen e njerzimit, fshimjen e identitetit.
Mbase identitetin ia detyrojmë grave, nanave, që nëpër shpella, kur njerzimi ishte halà bartës instinktiv i nji identiteti në potencë përpunonin rrëfimet e gjuetarëve dhe peshkatarëve ja shpiknin të reja: histori që gratë tregonin me rrejtë dimnin parahistorik. Atëbotë parahistoria filloi me u bâ histori, dhe vdekja u bâ pjesë e jetës, pse tashmâ ajo po i nënshtrohej nji zbulimi të jashtëzakonshëm: narracionit.
Narracioni, ka meritën e pazavendësueshme se e shndërron vdekjen në objekt të vetin, tue ia zbatue ligjësive të jetës, tue e bâ pjesë të harmonisë dhe moralit universal. Tue tregue për vdekjen, njeriu i rrëfehet jetës. Ai e njehë vdekjen si bosht identitar. Njeriu ka identitet, pse âsht i vdekshëm.
Dikur, kuptohet se shumica e përbâsave të llojit tonë të lavdishëm, ndodheshin andej jetës. Nji kafshë që âsht ndërgjegjësue për fatin e vet identitar, ka dalë prej llojit e ka hý te nji hipostazë e re: ajo e identitetit.
Identiteti i llojit, ruhet nëpërmjet identitetit gjenetik dhe përsoset te ai estetik. Mandej mbërrin edhe koha kur lloji fillon me mendue mendimin dhe thotë: E vetmja gja që di âsht se nuk di asgja, tue përftue mbrenda llojit, primatin e individit. Tashmâ mbijetesa e llojit duket e zgjidhun dhe objekti i perceptimit mësyn nji truell të ri: filozofinë. Porse filozofia me emnin e saj të kumbueshëm, âsht e vjetër sa bota, sa vdekja, sa letërsia. Objekti i parë i mendimit të fortë, âsht vdekja. Habia filozofike par excellence, âsht habia e vdekjes. Narracioni e ka kultivue mirësinë estetike të njeriut, dhe ka bâ të mujtun njiherësh, që çdo send me qenë send përjetimi estetik, edhe vetë vdekja, mësuesja e kohnave, para së cilës, pa mrekullinë e të rrëfyemit do njihnim histerinë mâ rrënuese.
Nji kënaqësi aq praktike siç âsht narracioni, çudi, si mun’ me pasë, nji vlerë aq të pamatshme filozofike dhe ditunore. Gjithmonë, kur e kam ndie veten të poshtnuem nga skizofrenia dhe virtualiteti i vjetëve të mija 2000, u jam kthye rrëfimeve të gjysheve të mija, e aty e kam gjetë atë urtësinë që e ban dallimin mes të mbijetuemit dhe të jetuemit. A mun’ njeriu i ishullit me i thanë qoftë vetes kam jetue? Cili udhëtim âsht real pa kthimin, pa Itakën pa historinë e vet të rrëfyeme?

Vdekja, âsht padyshim personazhi kryesor i letërsisë botnore. Nuk âsht nji personazh aktiv, nji personazh-tip. Por nji terminus ad quem, dhe nji deus ex machina. Vdekja si fundi i jetës, por edhe si pjesë e jetës (stafetë morale); vdekja si fundi i dashnisë, por edhe si pjesë e dashnisë ; vdekja si fundi i nji romani, finishi që ia çel vendin (simbas djalit të dialektikës Walter Benjamin), nji pyetje’ për kuptimin e jetës.
Në romanin « Vdekja nuk vjen », deus ex machina i vërtetë âsht personazhi i profesorit. Vdekja, këtu, âsht nji vdekje ekzistenciale - ajo nuk vjen : pret aty që ti t’a zgjosh! Vdekja fiton, vetëm atëherë kur jeta e pranon humbjen…
Profesori nuk ka droe : ai e din se vdekja nuk âsht asgja para budallësisë njerzore. Njeriu i qytetnuem, mëton maspari ligjin. Dhe vdekja âsht ligji nga i cili buron kodi moral, nji kod i pashkruem, pse ekziston qysh para shkrimit, si gramatikë e gjesteve dhe aksioneve të llojit. Vdekja si garanci se bota nuk âsht nji reprezentim, por nji realitet objektiv. E estetizueme nga nji qytetnim i tanë, ajo mbretënon format, përcakton etalonet, ofron kutin… Por le të dalim nga ky pus filozofik pa fund.
Në reprezentimin te romani në fjalë, vdekja âsht si e thamë, shum moderne. Nji sëmundje e keqe, si jeta. Dhe interesante âsht se këtë na e parashtron nji personazh i kallepit “klasik”, si profesori. Profesori, relacionohet me personazhet e tjerë, si “arketipi” me “prototipat” (këtë skemë e kam përdorë me përshkrue raportin e klasikut Rreshpja ndaj rrethit të poetëve modernë të sotëm me idiosinkrazitë dhe “soliloqui-ot” e tyne të urryeshme). Profesori ka fillue tue jetue vdekjen, ai jeton në do imazhe që veç vula e saktë e vdekjes i ka ngrî në kujtesën e tij. Ai jeton mementon, teksa të shtruemit e tjerë të infermierisë së burgut gjakojnë baudelaire-janisht se kjo jetë âsht nji spital ku çdo i sëmundë âsht i zaptuem nga dëshira me ndërrue shtrat. Ky memento, âsht vdekja e tij e bukur, pse ai tash âsht plak dhe kulti i tij i vdekjes së bukur i mbetet ligjësive të kontemplacionit.
Në nji nga poezitë e tij të fisme, Borges konstatonte: “Nuk kam ra/ Si shum prej të gjakut tim/ N’betejë.// Jam/ Në natën e kotë/ Ai që rrokjet numëron.” Të parët e Boges-it luftuen me shpatë pra tue vu në punë zanatin e vetëm, trimninë, me i pështue vdekjes së keqe: harresës. Horheja e dinte, anipse qe lodhë (si na e tregojnë këto vargje), se ai po e luftonte flakëpërflakë atë vdekje, me nji zanat tjetër të ngadalshëm e ma pak burrnor, atë të letrave (që lypte durimin e qendistoreve plaka), por fitorja s’do ishte kurrsesi mâ pak jetëgjatë.
Kurse profesori, (Maroni, si më duket se quhet), duket se ka vetëm nji zanat: të ndiemit, të ndiemit e naltë, të ndiemit e lirë e të dlirë, të ndiemit me dritën, të ndiemit si ligjërata e drejtë e të menduemit. Dhe të rrëfyemit e këtij të ndiemi.
Dhe zanatet e të tjerëve shpalosen aq mjeshtrisht në këtë roman të gjallë, sa duket se të gërvishtin edhe teksa t’gërdisin. Jevgu Rakip, që ka për zanat të vetëm mbijetesën e që s’i kursen vetes asgja, veç që ai dhe zanati i tij të mbijetojnë. Mjeku mandej, që ka për zanat shkërdhatërinë. Koloneli, përfund, i tmerrshmi, që (si çdo nazist i mirë) ka për zanat të zemrës vrasjen. Dhe bashkë me personazhet e tjerë, janë të gjithë njerz të skaduem! A janë njerzit e skaduem të fabrikës komuniste “NJERIU I RI”? Sigurisht. A janë njerzit e skaduem të ’97-s? S’ka dyshim! Por janë edhe dhe sidomos, njerzit e skaduem të tana kohnave dhe epokave, të tana vendeve dhe komuniteteve. Janë yahoos e Gulliver-it dhe Brodie-t. I gjejmë te Maupassant dhe Gogol, të gdhendun në mënyrën mâ plastike si te Dostojevskij e Céline. Janë obllomovët dhe humbert humbertët, janë tenorët e “procesit”, dhe vrasësit e Zotit.
Po ç’randësi ka me e dijtë nga vijnë? Autori na tregon kush janë, na i bân realë njiherë, dhe prej kësaj ne mandej mújm me ftillue nga vijnë e ku shkojnë. A janë realistë? Po, por jo edhe aq. Në ç’kuptim. Në kuptimin se këta, sikundër sall do personazhe të mjeshtrave Gogol, Dostojevskij, Kafka, e Nabokov janë për fatin tonë të mirë mrekullisht mâ shum realë se realistë. Dhe kështu duhet me qenë. Real si Çiçikov dhe si Don Kishoti*, mâ shum se realist si shoku Zylo a Enver Hoxha i «Dimrit të madh».
Dhe kjo âsht pranvera e letërsisë së madhe, pse me e pranue sfidën e realizmit domethanë me dhanë personazhe reale.
Pra, si e kam thanë kalimthi te nji shkrim tjetër, shkrimtari e ka lanë monologun (soliloquio-n), dhe âsht nisë drejt tjetrit, por në të vërtetë kundron Njisinë. Dhe ajo kurajo që i âsht dashtë për me e pranue sfidën, ia ka shpërblye bujarisht te romani “Vdekja nuk vjen”.
Kaq kishem, nuk mundem me e kapë mâ teknikisht, pse e kam lexue vetëm nji herë, me nji frymë këtë libër. Herë tjetër kur hyu kurrnac Kronos të ma lejojë, do i kthehem këtij romani, dhe shpresoj veprës së shkrimtarit në tanësi.



*Kryepersonazhi i realizmit âsht mâ shum real se realist!