martedì, marzo 06, 2007

Mbi nihilizmin e rinisë

Astrit CANI


RINIA PËRBALLË MODERNIZMIT


Mbi nihilizmin e botës së sotme


Qysh prej shpirtënimit të vjetër kinez, mbi faqen e këtij dheu, qytetnimet (zakonisht kultura të organizueme përreth perandorive) i kanë lanë vendin njani-tjetrit në mënyrë graduale. Nji qytetënim shuhet dhe prej humusit të tij del nji qytetnim tjetër, i cili, si gjithçka njerëzore e ka të shkruem fatin e vet prej vdekatari qysh në lindje. Historianët dhe filozofët numërojnë shum faktorë ndër arsyet e këtij mekanizmi shkëlqim-ramje. Mund të kujtojmë këtu se fill mbas periudhës “heroike” të nji perandorie, vjen nji dukuni degjenerimi që e ka simptomën ndezëse te korruptimi i elitave. Progresioni i natyrshëm i parabolës historike, kërkon ndryshimin (zgjanimin, hipostatizimin) e paradigmës. Dhe nji qytetnim vdes, por nuk vdes qytetnimi mbarë-njerëzor… Të paktën, jo në historinë që na ka sjellë deri këtu.
Në kohën tonë çmeritëse, ka ndodhë një fenomen tjetër: përmbysja e paradigmës. Nuk vdes thjesht kulturalisht nji qytetnim i caktuem, por mbarë qytetnimi njerëzor ka nji mundësi ma tepër (nji plusvlerë paradigmatike): atê me vra veten fizikisht. Ka bombën atomike! Ky mutacion i pandëgjuem paradigmatik, e universalizon në mënyrë urgjente problemin etik. Njeriu (i riu) i sotëm, ma shumë se kurrë duhet t’a mbajë parasysh faktin se nga veprimi i tij i përditshëm (në dukje pa peshë) mbi mjedisin njerëzor e natyror që e rrethon, varet drejtpeshimi i natyrës dhe ardhmënia e gjithë botës. Vetë njerëzimi asht nji bombë ekologjike!
Kultura jonë arriviste e konsideron si arritje faktin se ka prodhue nji armë me anë të së cilës mund të vrasë, por edhe të kryejë vetëvrasje. Kjo asht përmbysja e paradigmës: nse qytetnimi deri dje ishte i vdekshëm, sot ai zotnon edhe mundësinë me vra veten. E quejnë fjala e fundit e teknologjisë. Por shpresojmë që fjalën e fundit t’a ketë njerëzimi e jo teknologjia. Kjo armë asht mbase mishërimi teknik i asaj çka Nietzche e quente “vullnesa për fuqi”. E nse nji njeri (sipas shum mendimtarëve laikë) ka të drejtë me e vra veten (vetëvrasja si gjest i mramë lirie, aq e parapëlqyeme nga filozofët e egzistencializmit), arsyeja njerëzore kurrë nuk ka me e përligjë këtë akt në rastin e mbarë njerëzimit. Askush, që nuk vuen nga mendtë e kokës, s’mund t’a pranojë që njerëzimi të vrasë veten, dhe askush s’do e kursente jetën e tij po të varej prej saj mbijetesa e familjes njerëzore.
Amà njerëzimi ka sot dy opsione për me vra veten. Opzioni i parë asht ai i bombës atomike (e cila u eksperimentue “me sukses” ani pse “në shkallë të reduktueme” në fund të luftës së dytë botnore). Opsioni i dytë i cili me çka po ndëgjojmë po eksperimentohet saora, asht vetëvrasja graduale me anë të shkatërrimit sistematik të mjedisit që e mikpret atë formë jete që na përmban, pra bomba ekologjike.
Para do kohësh, Arte, i vetmi televizion pa reklama në mbarë kanalet që disponoj (me siguri i financuem prej masonësh), dha nji dokumentar mbi nji ujëdhesë n’Oqeanin Indian. Në vitet ’70-’80, ujëdheasit, ishin pasunue pa masë falë rezervave natyrale të fosfatit që flejshin nën kambët e tyne. Tue fillue nji eksport të çartun me disa kompani euro-atlantike, ata e kishin përmirsue nivelin e tyne të jetesës me 1000 %. Kishin ble me qindra makina luksi, dhe kishin ndërtue vila t’admirueshme. N’ato vite këta ujëdheas kishin aq pare, sa s’kishin nevojë me prodhue vetë asgja, blejshin gjithçka, me shumicë, i hypshin avionit, zdrypshin në perëndim, e mbushnin tue ble me pare në dorë dhe mandej ktheshin në vendlindje. Amà në ditët tona, kur fosfati pat mbarue, ujëdhesa na qenkej shndrrue në vorrezë makinash, e ata s’dijshin ma ç’me prodhue, jetojshin si peshkatarë t’epokës së tymit. Dhe kishin të gjithë nevojë për kura, anipse s’kishin pare për medikamente, ngase vuejshin nga diabeti. Kështu ndodhte që ministri i shndetësís, nji mjek i ri, të merrej personalisht me kurimin e tanë të sëmunëve t’ujdhesës. Të vetmet t’ardhuna të buxhetit t’atij shteti vijshin nga Australia, që kishte ngrehë nji kamp në qendër t’ishullit për me pritë refugjatët musliman që tue ikë nga lufta, i lypshin azil politik Canberra-s. Kështu pra, venin punët n’Ujëdhesën e Pilafit.
Ja pra nji shembull i nihilizmit bashkëkohor. Fallsifikimi i mjedisit natyror me anë të përdorimit instrumental të teknologjisë, shoqnohet me ma të rrezikshmin fallsifikim të jetës. Me i realizue këto asht fare e thjeshtë në epokën kur mundesh me industrializue dhe stereotipizue gjithçka. Dukuni kjo e sprasmja që përfaqet te shthurja e privates dhe kthimi i saj në mall publik, pra mall tregu; shkrimja e tana modeleve qytetnuese – globalizimi – në nji model të vetëm, modelin fitimtar, që i ka pré rrâjët me tana format prindërore nga buron, e që janë të bazueme te do vlera, sosh që s’kanë të bajnë doemos me tregun. Nse asht e vërtetë se martesa midis dy qytetnimeve e pasunon identitetin njerëzor, divorci midis këtyne por edhe divorci i nji qytetnimi nga vlerat e veta burimore e shtjerr djepin e qenësisë njerëzore.
Sistemi global prej rinisë kërkon që ajo të jetë në shërbim të sistemit, që ajo t’a fallsifikojë jetën e vet simbas modem-it të sistemit. Përfundimisht, sistemit i vjen për shtat që i riu të njohë anglishten (ja mbase kinezçen mbas do kohësh) dhe internetin. Por nuk i intereson që i riu të ketë nji ide morale në kokë. Nuk asht fare e nevojshme që i riu të ketë nji formim humanist, se ma që i riu t’i besojë miteve të vjetra të religjionit dhe të filozofisë klasike. I riu nuk duhet të ketë brum, por të jetë sa m’a i langshëm në mënyrë që të marrë simbas rastit formën e enës ku e rras sistemi.
Anglishten pra, dhe internetin. Nji anglishte business-çe dhe internet-çe, pra nji anglishte sa ma të çlirueme nga mbeturinat morale që fatkeqësisht çdo gjuhe i kanë mbetë në fyt ç’prej periudhës kur njerëzimi nuk kishte televizor dhe për me i kalue netët e ftohta të dimnit, e kishte zakon me tregue përralla përreth zjarmit. Nji gjuhë ku do i ishte marrë fryma Shakespeare-it e William Blaku-t, por edhe highlander-it ma të vetmuem të Skotlandës.
Komerçializimi i jetës, drogimi i ndërgjegjeve me virtualitete ose pahje të hiçit (nga “nihil” lat. “hiç”, lloji i drogës: nihiloinë), ka si pasojë atë që heidegger-ianisht do quhej: vorfënim i botës së jetës (Lebenswelt), ose zbrazja e jetës nga kuptimi e nga domëthania. Dhe (prapë simbas shvartcenvaldezit) kishim me thanë, se ai që s’e kupton qenien, nuk asht në gjendje me u kujdesë për tê.
Andrra e “qytetit të përkryem”, “qytetit të Diellit” ose “Qytetit të Zotit” po zavendësohet me zgjandrrën e të ashtuquejtunit “fshat global”. Bota po del nga periudha postromantike për të mos u kthye ma kurrë kurrkund, dhe nesër nuk do ketë ma vend për utopi. “Fshati global” asht në të vërtetë nji supermarket gjigand, ku gjithçka prodhohet veçse për t’u shitë. Ka kulturën e vet, filozofinë e vet, që janë – jo për reductio ad absurdum – nji kulturë dhe nji filozofi supermerkatoje. Epoka e informacionit, nëse në fillesat e saj kontribuoi në mënyrë vendimtare në ndërgjegjësimin e të rijve (le të kujtojmë se revolucionet kryesore të epokës moderne janë quejtë revolucione mediatike, prej ndikimit të padiskutueshëm që patën mediat - atëbotë sall të shkrueme - në përçmimin e ideve që i frymëzuen), sot po degjeneron në nji epokë të politikave informuese. Tue vu informacionin në shërbim të drejtëpërdrejtë të tregut (me pretekstin se përmirësohet përditë niveli i jetës) dhe tue vu’ mediat në shërbim t’informacionit, sistemi s’ban gja tjetër përpos se anestetizon ndërgjegjet dhe manipulon etjen e natyrshme që ka njeriu për mardhanie. Në të vërtetë shumë të rij mëtojnë me qenë në dijeni për shumçka, tue harrue se informacioni nuk asht formë e dijes. Por në të vërtetë stereopizimin i njeriut dhe reduktimi i tij në konsumator të telekomandue(shë)m, së shpejti ka me e shfaqë plotësisht efektin dytësor. Qè Kundera, n’esenw e tij të jashtëzakonshme (“Les Testaments Trahis”) ku ka hetue trashëgiminë e Kafkës dhe botën e sotshme: Sa ma shum reduktohet, nën mbikqyrjen e rreptë të gjykatores së konformizmit të përgjithshëm, liria e mendimit, liria e fjalës, e qendrimeve, e shakave, e refleksioneve, e ideve të veçanta, e ideve të rrezikshme, e provokimeve intelektuale, aq ma shum rritet liria e pulsioneve. Kundër mëkateve të mendimit rekomandohet rreptësia; kundër krimeve të kryeme në ekstazën emotive predikohet falja.
Nihilizmi asht dogma simbas të cilës shpirti jo vetëm nuk asht i përjetshëm por as që egziston, kurse trupi jo vetëm që egziston por ai asht nji makinë e përkryeme (përdoret si qëllim për me përligjë mjetin dhe si mjet me përligjë qëllimin) dhe falë tij dhe shkencës së tij njeriu asht kafshë jetëgjatë. A ka egocentrizëm këtu mbrenda? Shum, veç jo moralizëm. A ka antropocentrizëm këtu mbrenda? Shum, veçse autoreferencial e jo providencial… simbas tij njeriu asht diktatori i botës – i pathyeshëm, i përjetësueshëm qysh në gjallje, profesional etj.
Shkenca, që duhet me qenë pjellë (vepër) e racionalitetit të njeriut, me arritjet e saj i ka shkaktue atij nji dehje të pabesueshme shekullore. N’epokë industriale, njeriu zbuloi se rrféja asht pasoja verbuese e tokimit të dy reve të mbarsuna elektrikisht, dhe e përçmoi kaptimin e vjetër simbas të cilit, po kjo ishte atribut (përfaqje) e fuqisë së Krijuesit, tue mos e vu’ re, faktin e thjeshtë se rrféja mundet me qenë të dyja këto gjana njiherit, e se takimi i dy rêve asht thjesht shkasi fizik i saj, por jo edhe shkasi metafizik. Pohimi tautologjik: nji rê asht nji rê, i përfshin të dyja domethaniet.
Njeriu industrial e ka zbulue shkasin fizik të dukunive, dhe po e përdor imitimin e këtyne për qëllime përditë e ma shum të papërligjshme. Tue zbulue nji me nga nji ligjet e natyrës, por tue mohue ligjin e ligjeve, ai po e përdor racionalitetin e tij në mënyrë krejt të njianëshme, çka mundet me rezultue herën ma të parë e damshme për tê dhe për botën jetësore në përgjithësi.
Mund të thuhet, se nihilizmi asht sëmundje që e virtualizon (manipulon, fallsifikon, korrupton) përqasjen e natyrshme të njeriut me botën e jetës, simbas dogmës bllofeske se njeriu asht i mjaftueshëm dhe njiherit aksidental në vetvete.




Nihilizmi i rinisë së sotshme shqiptare

_ Nihilizmi i sotshëm asht në përgjithësi nihilizëm etik, dhe ai duket se ka rrjedhë drejtëpërsëdrejti nga nihilizmi teoretik (sistematik) i filozofëve të kohës së Nietszche-s. Nihilizmi etik ka të bajë me premjen e çdo raporti mes etikës dhe moralit nëpërmjet vrasjes së moralit dhe instrumentalizimit retorik të etikës. Në nji shoqni moralisht të shkatërrueme si ajo e jona, ku për ma tepër mungon nji traditë etike e rranjosun (shteti me idenë e së mirës publike), rinia në të vërtetë asht brez që e ka ma të vështirë, për mos me thanë krejt të pamundun, me dalë nga kriza egzistenciale e me gjetë do vlera kah të cilat me e orientue egzitencën e vet. Vijmë nga nji periudhë ku njerëzit u mbajtën të izoluem në mënyrë policore. E, mbrenda rrethit vicioz, sa ma shumë njerëzit janë të izoluem, aq ma shumë ngjasojnë, sa ma shumë ngjasojnë, aq ma shumë urrehen, sa ma shumë urrehen, aq ma shumë izolohen. (Tiqquin)
Në të njajtën kohë, në gjendjen e sotshme, pushteti ka forma mjaft dinake me e manipulue vëmendjen e njerëzve, dhe me e largue njeriun nga kultura, tue e vu’ në gjumë vetëdijen e tij. Sot nji gja ka sukses vetëm kur asht në modë. Sot në modë janë seksi, droga, dhe suksesi. Ky triptik totemik i quejtun me shum të drejtë pornokraci (pushtet i pornos), ka egzistue edhe në qytetnime të tjera (veçse në Romë, ku pat lindë, pati zgjatë jo ma se dy javë, dhe u quejt porno-kraci mbasi tue qenë se pat mbetë pa burra Roma ato ditë, dhe pushtetin e morën në dorë prostitutat e oborrit). Kjo mund të tingëllojë shum e randë, por duhet kujtue se nuk asht e pashmangshme që rritja e nivelit të jetesës së nji shoqnie të prujë me vete edhe çfisnikërimin e po kësaj. Për ma tepër sot në përgjithësi njeriu asht i dhanun shum mbas informacionit e pak mbas dijes. Deri para dhetë vjetësh në Shqipni (sikurse në tanë Lindjen) kishte halà puntorë me tetë klasë shkollë që lexojshin Homerin e Shekspirin. Sot Homerin e Shekspirin nuk i lexojnë ma as kandidatët e shkencave me nga tre mastera jashtë shtetit. Kultura ka ramë në vorr, ose, siç e quejshin tekstualisht vorrin etruskët, në hupní. Pse nuk lexohen ma klasikët? Po sepse njerëzve nuk i intereson ma e bukura në vetvete, tue qenë se nuk ka interes lukrativ në tê! Dhe kultivimi i të mirës estetike, asht diçka jashtë mode. Pornokracia ka edhe muzikën e vet: zhanrin rock. Ekstazën e tejzgjatun, siç e quente Milan Kundera, nji shkrimtar që ka nji formim të shkëlqyeshëm muzikor por edhe historik. Prapë Kundera na kujton se kjo muzikë, lindi kur shekulli po villte historinë e vet.
Kjo muzikë me tana nënllojet e saj i këndon gjendjeve protoseksuale të njeriut, dhe ban që të rijtë të harrojnë gjithçka tjetër dhe të pornokratizohen me shpejtësi. Të gjithë e njohin moton pornografike: seks, drogë & rock&roll, ku duket sikur skaji i parë, i korrespondon gjymtyrës së parë të togfjalëshit të famshëm, kurse i dyti gjysmës tjetër.
Rinia e sotme shqiptare asht e çorientueme, sepse lidhjet organike mes brezave janë këputë, dhe në fakt edhe brezi pararendës i saj, vazhdon të bajë nji jetë mjaft rinore, së paku në Europë, dhe nuk vuen nga përgjëgjësitë e tepërta.
Virtytet pozitive, jo vetëm që i bajnë mirë shpirtit, por edhe i bajn vend shpirtit në jetën shoqnore, tue dhanë ndihmesë për mirëevoluimin (pardon për neologjizmin) e nji komuniteti në përgjithësi. Nji intelektual i rilindjes rumune, qysh kah mesi i tetëqindës i paralajmojte të vetët se nji popull mund të mbijetojë pa kulturë, por jo me nji kulturë fallco (shih N.Iorga, “Storia della Rumania”). Prandej edhe në shoqnín tonë, janë tana premisat që ne mos mbijetue kulturalisht (me ra’ në hupní), prej kulturës fallco që asht instalue në dhjetvjetshat e fundit. Dhe që asht negativi i asaj të keqeje që ishte reale në kohën e diktaturës, dhe që mundet me u kthye prapë në forma edhe ma të frikshme. Vetë pseudo-kritika e diktaturës ka prodhue veç shum retorikë te ne, por asgja s’asht ba për ndërgjegjësimin real.
Po le të kthehemi te të rijtë. Ku asht problemi i tyne? Problemi i parë dhe ma i fuqishëm asht se ata kanë trashëgue nji shoqní të shkatërrueme, dhe tue pa’ ma së miri se nuk mjafton puna e nji brezi për me i vu’ gjanat në vend, ky brez s’merr përsipër as me ia fillue punës. E kush mundet me i thanë gja? Amà brezi i ri e di se ai duhet me qenë brezi i ndryshimit, por në vend që të thellohet në kërkimin e vlerave, mjaftohet me përsëritjen e disa modeleve të sjelljes që kanë sukses në perëndim, gjithë tue aspirue edhe tranferimin fizik atje. Por nuk e kuptojnë se kjo formë lirie (liria me qenë njeri kot) nuk asht “valore motrice” e perëndimit, por thjesht ndodh sepse perëndimi mundet me ia lejue vetes që rinia e tij të bajë kokrrën e pallës. Në të vërtetë vlera “motrice” perëndimore, që rinia duhet me ia pru Shqipnisë dhe kulturës shqiptare, asht vlera e punës.

Dy janë faktorët (demagogjikë) që e mjegullojnë imazhin real të perëndimit në Shqipni: intelektualët e lodhun që flasin për identitet europian (Europa si Klub i Krishtenë, por njiherit Shoqní e Dijes e themelueme nga iluministat) të shqiptarëve si identitet paleokristian e kështu me radhë, tue zavendësue mitin nacional të dikurshëm gjithmonë po me nji mit ani pse kontinental këtë radhë, dhe skandali tjetër, ku e ka fajin vetë burokracia europiane simbas të cilit rinia shqiptare nuk ka të drejtë me lëvizë lirshëm e me u ambjentue me kulturat që e rrethojnë, e për pasojë bie pré e komplekseve psikogjeografike dhe provon nji ndjenjë të fortë frustrimi. Këtyne intelektualve të shkollës së soc-realizmit, u duhet thanë se Europa bazohet mbi realitetin e punës, para se mbi ndonji mit palo-intelektual! Qè neni i parë i kushtetutës italiane: Italia asht nji republikë e themelueme mbi punën... Por mjegulla e publikut asht totale sepse asht si e jashtme ashtu edhe e brendshme. Se si ia ka ba me bllokue Europa lëvizjen e lirë të studentëve dhe korpusit universitar shqiptar për pesëmbëdhjetë vjet rresht, kjo asht çashtje më veti. Ajo çka na intereson ne me hetue asht ngërçi që ka pjellë ky status quo kulturor i shqiptarisë.
Të rijtë shqiptarë duhet t’a dijnë – gjithë nëse u intereson – se Europa asht sot nji kontinent moralisht shumë, po shumë i lodhun. Provë për këtë asht klasa e saj politike. Amà e mira që i ka mbetë Europës, asht inteligjenca e saj kulturore. Europa vazhon me pas nji inteligjencë kulturore të pashoqe në rruzull. Dhe kjo na intereson ne. Mos t’a ngatërrojë kush këtë inteligjencë me politikat kulturore, apo me OJQ-të. Kjo inteligjencë kulturore nuk duhet ngatërrue as me inteligjencjen europiane, që asht prapë gja tjetër. Kjo inteligjencë kulturore ka të bajë me klimën shum të favorshme shpirtnore që në Europë ka lejue qysh prej Greqisë së Moçme e tekëndej, pjekjen e fryteve ma të ambla të kulturës dhe shartimin e pemëve dhease (vendase) me pemët ma të mira të kulturave fqinje. Cioran, me shum poezi, e quente Europën: shoqnia e romanit. Për të nënvizue rolin qendror që ka pasë puna kulturore e disa artistave të jashtëzakonshëm (ndër ma të mirët e tana vendeve dhe kohnave) në kodifikimin dhe sublimimin e identitetit shoqnor të këtij komuniteti. Ne pra, na intereson inteligjenca kulturore e Europës, pikërisht sepse mund të dialogojmë me tê, tue qenë se jemi dhe duhet të vazhdojmë të konsiderohemi pjesë e saj.
Përveç kësaj duhet kujtue, se pulsioni përmbysës ndaj periudhës që na pruni deri këtu, ban që ky popull që për pesëdhjetë vjet qindroi në kambë, të ketë dëshirë me ndejtë ulun po për nja pesëdhjet vjet. Dhe nse demokracia i dha atij televizor ai mund të rrijë ulun edhe ma gjatë e të mos mërzitet, biles, nse mërzitet tue ndejtë ulun në shpi, mund shkojë të rrijë ulun në lokal e nse mërzitet tue ndjetë ulun si në shpi ashtu edhe në lokal, mundet me ndejtë ulun në bankat e shkollës disa vjet, me fitue nji kolltuk në ndonji zyrë e mandej me ble edhe nji makinë me sedile të rehatshme ku të rrijë ulun. Kemi të bajmë me nji qendrim jo të tipit: Gati-tu!, por: Në vend, ulu! Nji tjetër valë frymëzuese e rinisë në kohën e modernizmit asht pra dëshira e zjarrtë me ndejtë ulun! Ata që s’e kuptojnë këtë mënyra të ndjemi, kujtojnë se kjo asht nji ndjenjë e ulët, por ata në të vërtet nuk i njohin thesaret e ndejes! Thesari ma i parë i ndejes asht kriminalizimi i shoqnís. Nse të mirët e braktisin nji vend, qoftë fizikisht qoftë shpirtnisht, atëherë asht gjaja ma normale që t’a marrin në dorëzim të ligët. Dhe të ligët kanë shkathtësi, kanë shkërdhatëri, sadoqë nuk kanë vizion, se po të kishin vizion, do e shihnin edhe fundin e vet. Këtyne të ligëve mandej u shtohet masa e madhe barbare ose bastarde e atyne që me inisiativë të lirë e përdhojnë vendin e vet. Po elita, ç’rol ka në këtë mes? Pyetja asht: a ka elitë? Si shembull, mund të marrim shkurtimisht elitën letrare të vendit. A s’ju duket p.sh. se shkrimtarët shqiptarë janë halà shum të zanë tue ba si shqiptarë për me qenë shkrimtarë?! Edhe ata që janë të pavarun prej qerres së filestejve apo ujqve të thinjun që organizojnë aktivitet kulturore masovike. Edhe poetët e lirë dhe të talentuem, edhe ata nuk harrojnë për asnji moment me ba pak si shqiptarë. Nuk kanë kontakte me shkrimtarë të kombeve të tjera. I druhen ajrit të hapun. Ne e morëm si shembull këtë elitë, por a mund t’a marrim si model?
Rinia e sotme asht brezi ma i pafajshëm në lidhje me të gjitha këto shqetësime. Asht nji brez që ka lindë plak, së paku tremijë vjeçar po të mbajmë parasysh faktin se vetëdija jonë identitare fillon me Iliadën. Por asht brez pa vizion të qartë, dhe pa iluzione të tepërta. Kulturën e percepton në formë pensioni, me pikatore. Por asht nji rini në thelb e ndershme dhe nuk e don politikën e as pushtetin okult, asht nji rini që e don dijen dhe e don vendin e vet. Amà asht edhe nji rini që përditë para pasqyrës i thotë vetes se ka lindë në kontinentin e duhun por në shtetin e gabuem!
Cilat janë sfidat e kësaj rinie përballë modernizimit egërshan dhe të pakriter të jetës shqiptare?
E para sigurisht asht sfida e kriterit. Rinia duhet të mos pranojë asgja në mënyrë akritike, pavarësisht burimit.
E dyta asht sfida e organizimit. Rinia duhet të organizohet, dhe duhet të kërkojë paprâ përmirësimin e nivelit shkollor dhe të kushteve dhe të të drejtave të punës. Rinia duhet të organizohet rreth bibliotekave dhe rreth fondacioneve të huaja që financojnë iniciativat e saj. Rinia duhet të njohë truellin e të parëve dhe të përditësohet me zhvillimet e gjithsejta të shqiptarësisë. Rinia duhet t’a zhvillojë dimensionin qytetar në jetën shqiptare.
E treta asht sfida e kulturës. Ma e randësishmja. Rinia duhet t’a dallojë elementin fisnor e tribal në kulturën shqiptare nga elementi fisnik e bujar.
Rinia duhet t’i drejtohet për çdo gja institucioneve. Tue e shmangë njiherit si vetëgjyqësinë ashtu edhe abstenimin, të dyja dukuni me prumje të damshme për të vërtetën dhe vërtetësinë. Në këtë program (të shkruem në mirëbesim dhe pa pretendime) duhet të bajnë pjesë edhe gazetat dhe revistat e specializueme për problematikat reale. Mbasi ne nuk arrijmë, sado që dikush mundohet, të kemi nji rini të shpëlame, atëherë aq ma shum ia vlen të kemi nji rini intelektuale. Nji rini të përgjegjshme dhe të vetëijshme për shoqnín dhe vendin në ku jeton. Nji rini që t’i garantojë jetës publike shqiptare frymëmarrjen e nevojshme të lirisë por edhe nji koefinçent kritik. Për të gjitha çashtjet e kulturës dhe jetës shoqnore. Nji rini që t’i hapë rrugën brezit të nesërm, me nji ripërtërimje vlerash. Nji rini që t’a sfidojë çorientimin e përgjithshëm të etënve dhe rrymat e reja politike (berluskonizmin në radhë të parë), me identitetin e vet humanist, tue iu drejtue drejpërdrejt inteligjencës kulturore europiane.
Nji rini, përfund, e gatshme që t’a pranojë dhe t’a marrë përsipër ndryshimin e paradigmës mbarëshoqnore. Tue e nxjerrë jashtë loje njiherë e përgjithmonë mbizotënimin e praktikave televizivo-pornokratike, tue e nxjerrë jetën kulturore publike, nji herë e përgjithmonë nga tranzicioni dhe nga bizantinizmi. Tue e harrue për nji stinë individualizmin dhe tue zhvillue individualitetin.

botue te Java në republikën e Kosovës
dhe Drita në repuplikën e Shqipnisë

1 commento:

Anonimo ha detto...

pershendetje astrit!
krejt rastesisht me doli perpara faqja e astrit canit dhe thashe ta kontrolloj njehere se mos eshte i njejti astrit qe une kam pase 4 vjet ne gjimnaz. qe nga headlines e kuptova qe je ti dhe qe nuk ke ndryshu aspak. uroj qe te jesh sa me mire dhe qe jeta te te jete t'u te dhuru gjana sa me te bukura. un jetoj ne angli, kam kry studimet per financiere-kontabiliste dhe punoj per nje kompani si financiere. adresa jeme e e0maili-it eshte ledianaspahija@yahoo.co.uk. me shume respect lediana spahija lohja