domenica, aprile 29, 2007

Mbi qenien dhe mirëqenien

Astrit CANI

Mbi qenien dhe mirëqenien.

Me sa shihet, fjala mirëqenie si rranjë ka qenien. Mirëpo këtë duhet me e përsëritë përditë, mbasi e kanë harrue të gjithë. Benessere, italisht; well-being, anglisht. Porse të tanë mëtojnë me e lidhë mirëqenien me mirëqenien ekonomike, pra me me pasjen. Kështu, thohet: u rrit mirëqenia. Ose në italisht: accresciuto bennesere. Në anglisht: the increasing of well-being… Anglezët mandej e kanë korruptue herët të mirën tue e lidhë atë direkt me pasjen: thonë wealth, për me thanë pasuni, dhe e ka etimon te well…por kjo del pak prej argumentit tonë. Amà, dhe jo për me u dukë si filozof i Mesjetës europiane, pra nji fanatik - megjithëse çdo qenie e gjallë në përgjithësi (instinktivisht) dhe çdo njeri në veçanti (racionalisht), duhet të jetë nji fanatik i qenies – qenia asht ma hyjnore se pasja.
Argumenti për këtë asht se Zoti, tue qenë i vetëm dhe i papërsëritshëm, asht i pasun veç me qenien e tij. Dhe për me kënaqë qenien e tij, na pajis dhe ne me qenie, dhe na len lirinë, që asht dinjiteti i qenies. Pra, mjafton që qenia të jetë orientueme nga Qenia dhe nga vlerat që Qenia bart, dhe asht mirëqenie.

Në rrafshin shoqnor, ne shqiptarët mund të kujtojmë për shembull konsideratën që qytetarët shkodranë i falshin vetëm xhentëllmenve, pra njerzve të njerzishëm: i kenun, filani asht i kenun. Pra, nuk thojshin i pasun, mbasi i pasun nuk difton gjithmonë njerzillëk, por i pasun me qenie, pra i kenun. Nji kontrabandieri p.sh., ose nji politikani të korruptuem, qytetari nuk i thotë kurrë “i kenun”. Mund t’i thonë “pareli”, “miliarder”, ose “barkderr”, por jo i kenun. Kah ana tjetër “i kenun”, nuk i thohet as thjesht njeriut pasivisht të mirë, por u rezervohet atyne që janë mirë në lidhje me veten dhe me të tjerët, dhe me të mirën. Mirëpo ne, qeniet e gjalla a nuk luftojmë për me qenë, jo thjesht për mbijetesë, por për me qenë dikushi, me qenë i njoftun, i kenun, i pranuem dhe i nderuem… Me qenë në harmoni me qenien! Atëherë nga kjo rrjedh që ai që nuk asht në harmoni me qenien, nuk asht i realizuem! Nuk bahet fjala me kënaqë egon. Egoja si tana gjanat njerzore asht shum relative, biles sa ma e madhe të jetë gropa e egos, aq ma fort e ka gërrye shpirtin njeriu dhe aq ma e madhe asht mundësia që kte gropë t’a mbushin e liga, dhuna, helmi.
Njeriu i zakonshëm që i mendon fjalët simbas kuptimit që koha u jep, e sheh rregullisht mirëqenien si diçka të lidhun në lule të kërthizës me pasjen. Madje njeriu i zakonshëm (që zakonisht nuk asht shembulli ma i mirë njerëzor), mendon për nji pasunar të ditëve të sodit: ç’ia kam lakmi mirëqenien! Por jo qenien! Asht nji paradoks, sigurisht. Mirëqenia asht pjesë e qenies, dhe jo e kamjes.
Vetë fjala aspiratë, ka të bajnë me frymëmarrjen, me frymën, pra me jetën dhe me qenien. Dhe vetëm qenia asht reale. Parja, pushteti, politika këto janë të gjitha lojna dhe konventa nominale. Prandej beteja midis ideales dhe materiales nuk pushon në asnji minutë. Do pushojë vetëm kur të gjitha qeniet të kthehen te Qenia. Atëherë ka me u ditë, se çka ishte reale dhe çka ishte iluzion i egos.
“Ma i miri”, që sot duket sikur asht nji kategori e arrivizmit karriestik, asht pikërisht ai që arrin me qenë ma i miri, tue e respektue qenien e të tjerëve, dhe jo tue e shkapërcye, shkelmue, ose shkelë atë.
Nji skeptik, do thonë se nga sa u tha, del sikur qenia qenka diçka e pakorruptueshme dhe e pasundueshme prej ligjeve të kohës. Natyra, p.sh. e shkatërron trupin e njeriut sikurse ne djegim metalet në furrë për me prodhe diçka funksionale. Fakti se njeriu vdes dhe se shpirtit të tij nuk i dihet ma destinacioni, ban pjesë tek dialektika normale e natyrës, dhe te ekonomia klasike e qenies, por vetë natyra asht qenie e shkallës së ndërmjetme, pra qenia jonë edhe në fundin e saj i shërben qenies, dhe kjo asht shenjë si e inteligjencës së qenies ashtu edhe e triumfit të saj.
Në dritën e kësaj, thom se besoj se nji jetë tepër e gjatë e njeriut (kalo caqet natyrore), nji protopërjetësi e tij do na jepte veçse nji qenie njerzore të fjetun, pa stinë, pa harlisjen e qenies siç mund të gëzojnë njeriu klasik që mbërrin të tetëdhjetat.
Ajo çka mbetet këtu halà me kujtue asht se qenia ka nevojë për varietet, larmi. Qenia ka nevojë për frymëmarrje të gjanë, kozmike. Sikurse kultura i realizon thesaret e saj nëpërmes martesës së produkteve me origjinat ma të përskajme (p.sh. guzhina mesdhetare asht fryt i bashkimit të disa elementeve thelbesore të marra sa në Amerikën e Lëkurëkuqve aq dhe në Orientin e Marko Polos), ashtu edhe qenia ka nevojë për përpjekjen e hapsinave të largëta, për zgjanimin e dimensioneve dhe përmasave. Veçse në këtë rast, njeriu duhet të veprojë mbrenda vetes. Pra, nuk bahet fjalë me shkue me marrë nuse në Kinë, çka prapë s’duhet përjashtue si mundësi. Truelli i begatimit të qenies asht mbrenda njeriut. Aty njeriu duhet t’i kombinojë elementet ma të largëta që përbajën qenien e tij, me njani-tjetrin, për me krijue stimuj të rij, mendime të reja, ndjenja të reja. Njeriu duhet që t’i bashkojë kujtimet e vjetra me mendimet e reja, duhet të sintetizojë gjithçka që ka marrë prej qenies. Duhet të ndëgjojë muzikën e qenies së tij, dhe nëse kjo i duket zhurmë duhet të gjejë nota të reja. Dhe sidomos me zgjanue territorin e qenies së tij, që asht i mbrendshëm. Me zbulue thesaret e vetes. Me gjetë të mirën e qenies së tij, pra mirëqenien e tij. Kjo asht! Të gjithë shqetësohen për pare, dhe kanë të drejtë pikërisht se mungesa e pareve të shpërqendron nga mirëqenia e vërtetë.
Porse mirëqenie domethanë, me i përkitë nji niveli të realitetit ku kujdesi për qenien asht ligj; ky nivel i realitetit asht ai i njeriut të qytetnuem dhe të ligjshëm. Çdo shpirt aspiron natyrshëm të jetë banues i tij, të jetë pjesë e tij. Prandej njeriu që e dredhon atë shkon kundër vetes, dhe nuk asht në paqe me veten!
Qofshi mirë!