Astrit Cani
Artur Bejzade, peshkatar
Na ishte njëherë televizioni shqiptar. Nuk e dijmë a pati ndokur aty një tryezë të rrumbullakët, nuk e dijmë a na qe ndopak Kamelot. Vitet për të cilat flas ishin ato kur ne dilnim nga materializmi pa liri, dhe hynim këmbëekrye në materializmin me liri, që e perverton edhe vetë idenë e lirisë. Nse në këtë kohë vërshuan spiritualistët (me sekte, nënsekte, dogma dhe nëndogma), spiritualizmi nuk u duk gjëkundi në horizont. U rindërtuan objektet e kultit, por subjektet mbetën të pakultivuara. Premisat ishin të errëta. Lindja e pluralizmit kulturor, u përurua me vjedhjen e arkivit të këtij televizioni. Mund të duket se pikërisht kjo vjedhje shënoi lindjen e pashmangshme të mafies së re kulturore në Shqipëri.
Në këtë moment (gjysma e parë e viteve ’90) një njeri i dhënë pas dritës dhe dritëshkrojës, i vendosur në pult, fillon të ndryshuarët e perceptimit të spektatorit filmik, na katapulton në magjinë e një arti, kinemasë, që në fakt ngelet i kritikueshëm si i pari që krijoi konformizmin e përgjithshëm ose planetar ndaj spektaklit. Veç pati hereziarkët e vet, anarkistë e vizionarë, godardë e kubrickë, artistë të klasit më të lartë, nga ata që kanë diçka për të na dhënë, nga ata që e kritikojnë dhe i shpëtojnë ekonomisë së spektaklit, duke na mësuar së pari ekonominë e qenies njerëzore.
Ky përzgjedhës i shquar dhe i harruar për së gjalli, me estetikën e tij origjinale dhe frymëzuese, jo vetëm iu kundërvu realizmit socialist, nga i cili disa bënin sikur dilnin e të tjerë bënin sikur zgjoheshin, por i rezistoi mrekullisht edhe realizmit socialist amerikan. Puna e tij iu kundërvu gjithaq edhe pse për pak kohë, pornokracisë, që lulëzoi më vonë, me ballkanizimin etnofolklorik me bazë të gjerë pulsionale të Ballkanit.
Unë me brezin tim n’atë periudhë ishim në moshën më të mirë të njeriut: hunda s'na kishte zënë ende lesh (kishim nuhatje të jashtëzakonshme), veshët s'na kishin vënë ende dyll (ishim sidomos dëgjues të mirë, bij të radios). Besonim te Zoti si krijuesi i jonë dhe si krijuesi e frymëzuesi i Mr. Al Pacino dhe Mrs. Michelle Pffeifer.
Në këtë moment, ne shihnin te televizioni një burim kulture, dhe në fakt për ne ashtu rezultoi. Duke lundruar në kanalin tonë, ne pamë një seri filmash nga më të mirët e të gjitha kohëve dhe vendeve, kryesisht në gjuhë origjinale dhe të përkthyer mirë, çka na ndihte edhe në përvetësimin e gjuhëve të huaja.
Në fakt, disa njerëz gjendeshin pas gjithë këtij operacioni kulturor. Ky shkrim përmend veç njërin, z.Artur Bejzade, i denjë për këtë elozh të vonuar.
Dikush, me një thjeshtëzim tipik shqiptaresk, në mënyrë tendencioze, do mëtojë se Bejzade ishte thjesht në vendin e duhur në momentin e duhur, por unë them se ai në radhë të parë ishte personi i duhur, dhe kam prova për këtë. Në fakt këta janë njerëz që e kan kapakun gati vetëm për të mirën, sepse mëtojnë që kanë sensin e masës, në fakt masën ua jep dijenia se janë të parealizuar, e nuk i kemi parë t’ia vënë atë kapak të keqes...
Nuk dua, dhe nuk di të kujtoj shumë tituj. Një film me seri do e përmend patjetër: gjermanin Enigmat e rërës. Mandej serinë e pakrahasueshme të filmave francezë. Mandej kryeveprat hollywoodiane (“Dritarja mbi oborr”, etj.) dhe të tjerat nga Amerika (“Vdekja nuk di të lexojë”); perlat e paçmuara të shkollës italiane (Djemtë e rrugës Panisperna), filmin “Vdekja e një poeti” nga Spanja.
Filigranë e këtij korpusi ishin filmat e dashurisë, ku ne mësuam ta perceptonim erotizmin si diçka me vlerë dhe si vlerë e kultivuar dhe e kultivueshme... Ishim çunakë por e kishim kuptuar ku ishte e bukura e moshës që na priste. Vetë Bejzade ishte i dashuruar pas Nastasja Kinskit. Kozmogonia e tij filmike ishte e ndriçuar nga rrezet e argjendta të nitratit të dashurisë. Zgjidhte edhe filma dramatikë, epikë, satirikë... por në thelb prekja e tij dhe shqisa e tij e gjashtë, ajo e muzikës kozmike, ishte e lirës.
Nga një satirë te një film aksion ja ku çelnin Lulet e mollës, që lageshin nga Lot në shi, dhe ja ku ato lule na dhuronin Çaste magjike. Karrigeja në maje të kodrës te Dashnorët e Maries, ishte në fakt vendi ideal i spektatorit ideal të filmit. Narracioni filmik hynte sakaq në jetët tona dhe i mbrunte sipas imazhit të vet, gjithmonë e më bukur - muzika bëhej harmoni e gjallë.
I mrekullueshëm ishte fakti se ne po shihnim gjërat më të mira të etérit, pa pasur aspak idenë se këta ishin punë të regjizorëve më të mëdhenj. Burimi ishte platonik, ideal. Ne nuk pyesnim fare për regjizorët. Shumë më vonë (në moshë të pjekur, sic!), zbuluam se këta ishin regjizorët më të mëdhenj të botës së filmit, por kjo s'na e ndryshoi fare perceptimin, për mos me thanë, na la si na gjeti. Vazhduam t'i donim ato vepra dhe t'ushqeheshim me kujtimin e të pamit të tyre pa ia mbushur mendjen vetes se këta ishin punë të disa personave, pasi ne ishim jo vetëm spektatorë inteligjentë por edhe pjesmarrës në krijim. Ky është fat dhe fakt. Të hysh në vepër pa mik. Të lidhesh me dashuri, me ide.
N'atë dimension të realitetit (dhe ndoshta vetëm aty) Shqipëria ishte një ujdhesë fatlume. Por në qoftë lumturia një iluzion, shija e saj që ne e ndjemë ishte reale, dhe askush s'mund ta mohojë se ajo që perceptonim me ndihmën e atyre filmave ishte lumturia, moskokëçarse dhe haplehtë, vegimtare dhe ideale; la bonheur: gati gati, ora e mirë.
Besoj se në mos i pastë bërë të tëra Artur Bejzadja, së paku ai është per ne modeli i shkëlqyer i punëtorit të etérit. Dhe është puna ajo që e bën etérin eternel. Ai – e kush e ka harruar buzëqeshjen e tij! - kishte me thesarin filmik të regjizorëve të mëdhenj një konfidencë që vetëm një i barabartë mund ta ketë. Jo një primum inter paris, aq sa një i barabartë në mesin e të parëve.
Me qenë filolog është e pamundur në Shqipëri. Por ka pasë njerëz që ia kanë dalë, të paktën për një kohë. Artur Bejzade, mbetet i veçantë në këtë. Në misionin e tij estetik të përmbushur me thjeshtësinë e qytetarit të vërtetë, e ilirit, romakut, grekut të lashtë, anglezit... Artur Bejazde, përfaqëson edhe i vetëm (por s'është dhe pa shokë), tipin e vërtetë dhe të çmuar të merakliut.
Në kohën tonë të shnjerëzuar, kur spektakli ose grumbulli i të gjitha iluzioneve pa lavdi po i fundos të gjitha, po fundos librin, po dhunon artet, po e bastardon kinemanë, kur njerëzit si Bejzade nuk e gjejnë më vendin e vet, prapë Bejzade për të cilin flasim (pra ai i fillimiviteve ’90) arrin edhe sot të komunkiojë pasion e përkushtim ndaj së bukurës.
Ai nuk ishte një filmpërzgjedhës, një kontrollor cilësie, një programator, një pragmatist. Ai ishte një peshkatar. Ai na peshkoi të gjithëve. Na peshkoi me karremin luksoz të dritëshkrojës.
Kolegë të tij të sotëm, o bij të karaokes egzistenciale! Ju që keni 20000 filma në arkiv dhe s'dini që s'dini me zgjedhë. Këqyrni prapa jo dhe aq prapa në kohë, rikthehuni me mendje në vitet kur duhej të ishte formësuar ndërgjegja juaj, dhe aty do e gjeni një referencë të shkëlqyer. Mister Artur Bejzaden, peshkatar.
Tiranë, Maj 2008
botue te TEMA e Tiranës