martedì, settembre 09, 2008

doli revista Tregimet... ideja & dashnia A.Cani





Ja një revistë që i kushtohet Mjeshtrit Pashko Gjeçi… !

Dhurata Hamzai

-Doli në treg revista Tregimet... , një e përmuajshme antologjike me temë. Numuri 0 i saj nis me Tregimet e detit ku janë përzgjedhur autorët Michele Mari, Andreas Karkavicas, Edgar Allan Poe, Jorgos Skabardonis, të cilët janë shqipëruar përkatësisht nga Astrit Cani, Romeo Çollaku, Erion Temali…

Këndoje revistën dhe hidhe në det! Forumi Snack Bar Mediterran. Kështu shënohet në faqen e fundit të një reviste të përmuajshme me tregime antologjike, e cila dje ka dalë në treg nga botues Zenit&Forumi Snack Bar Mediterran me numërin 0. Kjo sprovë me numërin e saj zanafillor i kushtohet mjeshtrit Pashko Gjeçi. Numëri 0 i saj nis me Tregimet e detitku janë përzgjedhur Michele Mari, Andreas Karkavicas, Edgar Allan Poe, Jorgos Skabardonis, të cilët janë shqipëruar përkatësisht nga Astrit Cani, Romeo Çollaku, Erion Temali…

Ideja e kësaj reviste ka qenë e Astrit Canit. Ai, ndërsa ka ngjizur projektin e tij që do t’i vinte për mbarë ta quante dhe dashniaështë takuar me bashkudhëtarët në botën e përkthimit Ledia Dushi, Dalina Jashari, Chiara Lunardi, Ardian Kyçyku, Romeo Çollaku, Azem Qazimi, Shpëtim Kelmendi, Agron Tufa, Primo Shllaku, Gëzim Kame, Krenar Zejno, Erion Temali, Gilman Bakalli, Jonila Godole, etj, etj, ka shtyrë më tej këtë ide dhe revista e përmuajshme antologjike u bë.

Tirana që nga sot ka një të përmuajshme antologjike me temë. Cani ka pohuar në intervistën për gazetën TemA se pas detit, sipas temave përkatëse, ata kanë menduar të vijojnë me numurat në seri me Tregimet për humorin (të bardhë e të zi), Tregimet për shahun, Tregimet për gotën, Tregimet për nitratin e argjendit e me radhë. Sipas tij, revista nuk do të mbahet vetëm me përkthime. Do zgjedhim edhe tregimet më pikante të shkrimtarëve shqiptarë. Synojmë edhe t’i japim lexuesit fjalorthët përkatës, të detarisë, të erotikës, të shahut, të kinemasë, etj , ka pohuar poeti dhe përkthyesi Astrit Cani. Ky numër nuk flet për detin turistik, po për detin aventuresk, për detin si dimension metafizik të aventurës, siç e quan i ndrituri Michele Mari, shprehet Cani. Ndërsa përsa i përket numërit zanafillor që i kushtohet përkthyesit të Odisesë”, Pashko Gjeçit, Cani pohon se ja: Odiseja e Gjeçit është libri themelor i fëmijërisë sime. Vetëm pasi e lexova mund të them se fillova të kem një ndërgjegje. Aty gjenden vlerat themelore të qytetërimit tonë, dhe Mjeshtri i ka përcjellë në shqip me shumë dashuri. Pra, duket se kjo revistë e ka rëndësinë më të madhe të saj ngaqë i kushtohet zejes së përkthimit, sepse është koha kur kjo zeje është futur nga përkthyesit sharlatanë në rrugën e banalitetit.

Intervista me Astrit Canin, ideatorin e numërit 0 të së përmuajshmes antologjike Tregimet e detit

Dhurata Hamzai : Doli numri i parë i revistës Tregimet, një e përmuajshme antologjike. Nëse kjo është sprova që ju e quani numri 0, cili është niveli që synoni më tej ?

Astrit Cani : -Niveli është letërsia e vërtetë, nuk ka nivel tjetër.

Dhurata Hamzai : Letërsia e vërtetë… ?!

Astrit Cani : -Po. Ajo që arrin me qenë me të vërtetë pjesë e jetës.

Të krijohet përshtypja se publiku është çmendur pas viçit të artë, ose shamanit demoniak me emrin e krupshëm spektakël. Por kjo është ajo çka vetë spektakli don me na ba të besojmë. Por ne i besojmë Orwellit dhe jo Big brother-it. Një gjë e vogël e vërtetë ka më shumë kuptim dhe jetëgjatësi se një rrenë e madhe.


Dhurata Hamzai : Tregimet e detit i kushtohen Pashko Gjeçit, ngaqë ai ka përkthyer Odisenë ?

Astrit Cani : -Po. Sidomos për këtë gjë. Miku im Zejno e kishte shumë për zemër këtë dedikim. Unë dua vetëm të shtoj se nga Odiseja tek Moby Dick, deti ka qenë ati i letërsisë së burrave të vërtetë. Ata që kujtojnë se klasikët e letërsisë detare janë libra për fëmijë kanë të drejtë, por edhe ata që kujtojnë se kemi të bëjmë me kryevepra të epikës ose me epikë të kulluar, kanë të drejtë.

Ky numër nuk flet për detin turistik, po për detin aventuresk, për detin si dimension metafizik të aventurës, siç e quan i ndrituri Michele Mari. Odiseja e Gjeçit është libri themelor i fëmijërisë sime. Vetëm pasi e lexova mund të them se fillova të kem një ndërgjegje. Aty gjenden vlerat themelore të qytetërimit tonë, dhe Mjeshtri i ka përcjellë në shqip me shumë dashuri.

Dhurata Hamzai : Ja ku dolëm tek përkthyesit, a ka përkthyes të rinj që mund të krahasohen me mjeshtërit e kalibrit si Gjeçi, Shllaku, Zheji?

Astrit Cani : -Unë personalisht e kam humbur shijen e leximit në shqip. Kjo lidhet me inekzistencën e filologjisë shqiptare. Ka përpjekje individuale dhe arritje të shkëlqyera individuale mes të rinjve. Është një Romeo Çollaku dhe një Azem Qazimi, por nuk kemi një shkollë të vërtetë. Puna e këtyre pak individëve të përkushtuar, nuk gjen as terrenin, as përmasën fizike, as volumin për të përbërë një korpus.

Dhurata Hamzai : Thatë që janë pak të rinj që e njohin zejen e përkthimit, por në Shqipëri ka një përmbytje me tituj të letërsisë së përkthyer?

Astrit Cani : -Po kjo dihet. Ky është një fakt banal. Është më banal se banaliteti i përkthimeve. Besoj se kjo mund të zgjidhet vetëm me krijimin e kritikës së mirëfilltë. Lexuesit i duhen dhënë koefiçentat e korrigjimit. Perceptimi sot fabrikohet nga gazetat. Sipas disa interesave që vetëm me të ardhmen nuk kanë lidhje. Kritiku duhet të gjejë kriteret, duhet të bëjë diskrecionin midis vlerës dhe mosvlerës. Por duhet punuar në skuadër për ta bashkuar realitetin kulturor shqiptar, dhe për ta ngjitur atë në një nivel më të lartë. Ndërkohë, mediat po punojnë për të shkatërruar receptimin.

Dhurata Hamzai : Cila është natyra e revistës ?

Astrit Cani : -Kjo është një e përmuajshme antologjike me temë. Pas detit si tema ne kemi menduar humorin (të bardhë e të zi), shahun, gotën, nitratin e argjendit e me radhë. Kuptohet revista nuk do të mbahet vetëm me përkthime. Do zgjedhim edhe tregimet më pikante të shkrimtarëve shqiptarë. Synojmë edhe t’i japim lexuesit fjalorthët përkatës, të detarisë, të erotikës, të shahut, të kinemasë, etj.

Dhurata Hamzai : Revista del si botim Zenit & Forumi Snack Bar Mediterran. Zenitin e njohim, na thoni dy fjalë për forumin Snack Bar Mediterran….. ?

Astrit Cani : -Ky forum është një bashkim artistësh, shkencëtarësh dhe filozofësh të rinj që ngulmojnë për ndryshimin e perceptimit dhe synojnë të punojnë me brezin e vet. Misioni ynë është të promovojmë kulturën e lirisë, sepse ne e kemi lirinë, por e kemi marrë ndoshta gratis dhe nuk e zotërojmë kulturën e saj. Liria e shprehjes duhet të vijë bashkë me kulturën e shprehjes. Revista është gjëja e parë që ky bashkim intelektual sprovon dhe shpresojmë të vijojë me prurjet e tjera. Duke pasur para sysh kuadrin filologjik ku Zeniti i vendos botimet e veta, ne e konsiderojmë atë partner tonin natyror.

Jeni shprehur për të disatën herë mbi ndryshimin e perceptimit, çfarë kemi parasysh me këtë?

Astrit Cani : -Kjo temë lyp më shumë bojë nga sa importon sot Shqipëria. Mund të themi se perceptimi ka frekuencën e vet, dhe ne luftojmë që kjo frekuencë të jetë e lirë e pakontrolluar dhe e mosvarme. Në momentin kur këtë frekuencë e kontrollon spektakli kemi të bëjmë krejtësisht me një zhurmë që shkatërron pikësëpari shqisat perceptive ose receptimin. Ne synojmë që njerëzit të shpallin pavarësinë e mendimit. Duhet shpallur pavarësia e perceptimit. Besojmë se orientuesi më i mirë për çdo njeri është zemra dhe mendja.

Çfarë nënkuptoni me spektakël?

Astrit Cani : -Përkufizimin na e jep Guy Debord. Ai thotë se spektakli është kapitali i grumbulluar deri në atë pikë sa me u kthy në imazh. Filozofi italian A. Zhok, flet për shpirtin e parasë dhe likujdimin e botës. Debord, pikas dy lloje spektakli: spektaklin e përqëndruar që e bënte partia në mbarë Lindjen Evropiane, dhe spektaklin e hallakatur që e bën kushdo dhe më mirë se kushdo e bën stërbosi, në botën e lirë. Për lexuesin shqiptar, një ide mbi këtë luftë e jep Orwelli, te libri 1984(bot. Zenit). Raste galopante të spektaklit te ne janë televizionet alla berluska, sektet fetaroide, muzika porno, pornokracia, etj. Prandaj ne, i kthehemi Kinës e Indisë, Biblës, Kuranit, Kantit, qoftë edhe Engelsit, apo Freudit dhe i mbrojmë si vlera të qarta të mendimit historik. Dhe jemi kundër spektakolarizimit të këtyre vlerave, dhe sidomos jemi me mish me shpirt kundër interpretimit folkloristik të tyre. Kundër interpretimit folkloristik të politikës. Kundër interpretimit.

TEMA