sabato, maggio 02, 2009
Substanca intime e virtualitetit
Substanca intime e virtualitetit
Astrit Cani
Tri vajza nga Firence, erdhën në TIFF vjet; erdhën dhe sollën një karrige regjisori. Kjo karrige ishte një memento, një shenjë prej shoqes së tyre që kishte vdekur e re, por që në gjallje vdiste pas filmit.
Këtë karrige ato e sollën si premio, duke sfiduar pavetëdije, statusin kuptimor që ky objekt ka në jetën shqiptare. Te ne karrigia është simboli i kotësisë. I ndenjës ndenjur kot, i ndjenjës ndenjur si skllav i sistemit para pc-së, i ndejës ndenjur si shfrytëzues i vetëkënaqur me pushtetin që naiviteti i të tjerëve të ka dhuruar.
Karrigia e regjisorit, dhe karrigia e spektatorit janë plotësuese apo anulluese të njëra-tjetrës?
Këtu, më duhet të rikujtoj edhe karrigen në kodër te filmi “Dashnorët e Maries”. Ushtari jo fort i mirë X., është kthyer nga Vietnami. Krejt i traumatizuar. Mendon me e rifillue jetën falë shoqes së tij më të vjetër, Maria, me të cilën është rritur. Martohet më ‘të. Karrigia është vënë prej tyre në fëmini. Dhe ishte destinacioni i tyre, pas lojërave të drekës mes pemëve dhe gjelbërimit. Ata uleshin aty dhe shihnin natyrën, horizontin, të ardhmen e tyre. Ajo karrige ishte objekti i tyre, ishte dhe një gur kilometrik i ndjenjave të tyre.
Pasi martohen, të dy vënë re se ajo karrige tashmë e humbur, është tepër e vogël për ‘ta, jo dhe aq për shkak se janë rritur, por për shkak se shikimi i tyre e ka humbur atë pafajësi që e mbush me kuptim objektin e shikimit. Tashmë ajo karrige është e të gjithëve, pra e asnjërit. Ajo karrige është kthyer thjesht dhe në mënyrë të pakthyeshme në: imazh.
Kjo humbje pafajësie, është një ndër dramat që ka ndodhur në mënyrën e jetuarit të shoqërisë perëndimore.
Të pamët e spektaklit nënkupton të pamët e një imazhi (ose imazherie) që nuk ka as fund as krye; por ky nuk është shikim. Ky është vështrim. Është vështrim në hiç. Pikërisht natyra e papërcaktuar e imazhit spektakolar, që pas çdo proftasje të tij (ose konsumimi) nga ana e individit, lë diçka pezull, një pritshmëri që ky fluks virtual të vazhdojë. Mbivendosja mendore e të gjitha këtyre imazheve pa domethënie autonome, pa lidhje me narracionin, ka çuar në zhdukjen e njeriut në kuptimin klasik të fjalës, duke krijuar njeriun bosh, ose të birin e “harresës së qenies”.
Duke ditur se sa fort njeriu mund të jepet pas këtij imazhi pa fund as krye, teologjia dhe filozofia (në rastin konkret në personin e Agustinit) e ka grishur ndërgjegjen të shohë brenda vetes. Çka do të thotë se të shikuarët nuk është i gabuar në vetvete.
Kujtesa e kësaj gjendje shpirtërore të kërkimit të së vërtetës, është detyra e intelektualit, që me punën e tij duhet thjesht tu bëjë sa më të qartë njerëzve se i vetmi kriter për të gjykuar është ai i kuptimit dhe i pakuptimshmërisë, i domethënies dhe i mosdomethënies, i të rrëfyeshmes kundër të pakuptueshmes, i kujtesës kundër harresës.
Progresi teknologjik ka vërtetur njëherë e përgjithmonë ekzistencën e frekuencës së perceptimit. Dhe menjëherë kjo frekuencë është zënë nga valët e pushtetit. I pari që e ka shfrytëzuar maksimalisht në kohë minimale për qëllimi pushteti, ka qenë diktatori Adolf Hitler gjatë karrierës së tij që preku dy dekada (’30, ’40). Duke parë suksesin e Hitlerit që arriti të uniformonte dhe të vinte në resht mbarë popullin gjerman, tregu, në pak dekada, arriti ta kthente kah vetja mekanizmin e kontrollit të frekuencës së perceptimit, për të mbërritur një totalitarizëm të ri, që është totalitarizmi, tashmë global, i tregut.
Shqipëria është një vend ku narracioni ka një traditë të gjatë të lidhur ngushtë edhe me faktin se gjuha jonë e lashtë ka mëtuar të mbesë e folur për shumë kohë para se të shkruhet. Një situatë e tillë, ka çuar që ky vend të jetë i mbushur me ngjarje, ose jashtëzakonisht i pasur me ngjarje.
Prandej, sinqerisht nuk mund ta shpjegojmë kollaj, faktin se pse shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më shumë të shohin një hapësirë pa hapësirë, ku koha s’është kohë dhe ku ngjarja s’është ngjarje, që quhet reality-show.
Në radhë të parë, sa me iu kujtue diçka mbi natyrën e reales, reale asht dashnia që na ka lindur, jo shtirja e reales para syve të spektatorit që shtiret edhe vetë se po sheh diçka reale.
Shoqëria e spektaklit, krijon pa kthim, një komunitet aktorësh duke zvogëluar elementin faktor deri në absurd, deri në virtualitet.
Në këtë rrenë pa qendër, ndërgjegjja njerëzore humbet njëherë e mirë, idenë e reales (dhe nuk po them të së vërtetës). Edhe vetë vdekja, ngjarja më e madhe, më tragjike dhe më kuptimplotë e një jete, spektakolarizohet. Kjo shpie, që në mënyrë retroaktive, jeta të bëhet një kategori e botës, koha një kategori e hapësirës, e vërteta një fytyrës e fiktives.
Problemi i virtuales, është një problem etik më shumë se estetik. Është etik sepse në një shoqëri ku të gjithë “ndjejnë se ndjejnë njësoj”, në anestezi të plotë, njeriu resht së qeni qenie morale. Çdo vlerë shndërrohet në imazh, ngase çdo imazh është shndërruar në vlerë. Njerëzit nuk ndjejnë më, nuk ndihen as mirë as keq, as fajtorë as të pafajshëm, as të drejtë as të padrejtë. Në këtë implodim të perceptimit, në këtë lajthitje të telosit, elementi jetësor është kthyer në shenj të botës së jashtme, dhe jeta nuk mund të ndjehet më së brendshmi, si udhëtim i brendshëm. Njeriu për herë të parë në histori, përfton vetë historinë si ndjesi, pra humbet ndjenjat. Sa më shumë që njeriu e ndjen realitetin si diçka të jashtme, aq më virtual ai vetë bëhet brenda vetes, aq më virtuale i duket jeta e tij.
Atëherë mbetet me thanë se kjo është me të vërtetë koha e utopisë. Koha kur jeta s’ka vend (u-topi=jo-vend), dhe duhet të ndryshojë botën. Atëherë, utopisti kontemporan i fton njerëzit t’i rikthehen edhe njëherë primordiales, familjes, luftës, seksit, për të ripërftuar ato efekte të reales që i mundësojnë individit të ndihet real, në raport të drejtë me veten e tij, duke qenë i ndershëm me veten përpara se me perceptimin e përgjithshëm. Në dis-harmoni me artificialen totale.
Më të mirët janë ata që ndjehen më mirë.
botuar te gazeta Don Kishot
Iscriviti a:
Post (Atom)
Etichette
21 ARSYE
(1)
Aforizma
(1)
Aleanca per mbrojtjen e tearit
(1)
Artikull
(22)
Astrit Cani
(2)
BIZANT
(2)
Borges
(1)
CAMAJ
(1)
Cioran
(2)
COPYLEFT
(1)
COSTUME
(1)
DEBAT
(11)
DEBORD
(2)
Demokracia
(1)
Diario albanese
(1)
DODONA
(1)
Don Kishot
(4)
Drini
(1)
Elozh
(11)
Email
(1)
ENCIKLOPEDI
(1)
ENGLETISJE
(1)
EPISTOLA
(1)
EROTIKA
(1)
ESEISTIKE
(14)
Eulog
(1)
EVOLA
(1)
Facebook
(1)
Fante
(1)
FILOZOFIA
(6)
FOTO
(4)
GAID MARGOT
(2)
GEGNISHTJA
(3)
GRIMCA;
(1)
GUESTS
(1)
HUMOR
(4)
HUMOR I ZI
(4)
INTERVENTO
(1)
INTERVISTE
(2)
ITALIANO
(11)
KAFKA
(1)
KINA
(1)
Kinema
(1)
KOSOVA
(2)
KRIJIMTARI
(2)
KRITIKA
(7)
KRYEVEPRA
(5)
Kundera
(3)
KURIOZITET
(1)
LEKSION
(1)
letersi amerikane
(3)
Letersi angleze
(2)
Letersi franceze
(2)
Letersi irlandeze
(2)
Letersi shqipe
(4)
Letersia ruse
(1)
Letteratura albanese
(1)
LIBRAT E MI
(1)
LIBRI
(3)
LOVE BOOK
(1)
MAPO
(4)
McCarthy
(1)
Memento
(1)
Metafizika
(2)
Moikom Zeqo
(1)
parathanie
(2)
PERKTHIM
(16)
Perkthime te lira
(2)
PERLA
(9)
PESSOA
(2)
Petro Zheji
(1)
POESIA
(1)
POESIA ALBANESE
(5)
POESIA ITALIANA
(3)
POEZI
(13)
Polemika
(3)
POLEMIKE
(5)
Politikisht korrektja
(2)
PROKLAME
(1)
PROUDHON
(1)
PROZE
(2)
PRUDHON
(1)
PUBBLICISTICA
(2)
PUBLICISTIKE
(7)
Quarta di copertina
(1)
RACCONTO
(3)
RELIGJION
(1)
Rendi i ri botnor
(1)
REVISTA
(5)
Rusia
(1)
SAGGIO
(1)
SCACCHI
(1)
SHQIP
(34)
SHQIPJA
(2)
STAMPA
(1)
Stephen King
(1)
Syzim
(1)
TEATRI
(2)
Teatri kombtar
(1)
TEST
(1)
TIRANA
(2)
TREGIM
(2)
TREGIMET
(5)
VETEPERKTHIM
(2)