sabato, giugno 06, 2009

KAFKA, një gjuhë e vdekur e së ardhmes


Franz KAFKA, i huaji si mrekulli dhe jeta si vonesë


«E vërteta ka një fytyrë të tmerrshme» reflekton Hannah Arendt në lidhje me Kafkën. Ky, në një nga aforizmat e tij shkëndritëse, na kujton pikërisht se si arti (e citoj përmendësh) i sillet rrotull të vërtetës, si miza llambës, pa ndonjë vullnet të madh për tu afruar, nga frika se digjet. Kjo e vërtetë nuk mund të shihet pasi të pamët e saj do na asgjësonte, dhe kontemplimi i saj do ishte fatal për ne, pasi ajo është teomorfike si Zoti i Moisiut që thotë “Jam ai që jam”. Edhe arti na mbaka pra larg nga e vërteta? Kafka kështu mendon, dhe prandej si vullnet të mbramë kërkon shkatërrimin e asaj pjese që ai vetë ka te arti: shkrimet e tij. Gjithçka që ne prodhojmë, na alrgon nga e vërteta, sidomos drejtësia jonë...- vallë a nuk është kjo theza, dhe njëkohësisht frika më e madhe e Kafkës? Dhe ka një gjurmë teomorfike në të gjitha gjërat që bëjnë pjesë te bota kafkiane, por shkrimtari i përqaset negativisht, negativitetin e gjen dhe e ndjen deri në pasojat e mbrame brenda vetes te lëkundja e besimit dhe e shpresës, te frika e njeriut brenda profetit. Dhe: çdo njeri është një profet i vogël i fatit të famlijes dhe komunitetit t ë vet, dhe pa dyshim i fatit të shpirtit të vet.
Me kujtesë njerëzore, duket te të parët që kanë ndjerë teomorfkisht, dhe që e kanë themeluar ekzistencëne vet mbi transhendencën, kanë qenë tributë semite. Dhe a rigor di storia, duhet pranuar se mund të flitet p njëfarë primati estetik të të ndjerit teomorfiken, ose po të duam, të të ndjemit teomorfikisht. Primat ky që traditat religjioze monoteiste e mendimi filozofik i bazuar mbi njësinë, e ndajnë së bashku me identitetin hebre.
Por neve këtu na intereson të hetojmë të ndjemët e shkrimtarit Kafka.
Na duket për shembull se ai e ndjen kohën, por jo hapësirën, ngaqë pika e referimit (qendra e tij) është Zoti, arsye për të cilën, duke u gjendur gjithmonë në të njejtë distancë nga qendra, pra si nga vetvetja ashtu dhe nga Krijuesi, lëvizja mohohet ontologjikisht. S’është e rastit se tek ai, procedura narrative, siç ka zbuluar Borgesi pajtohet përsosmërisht me paradokset e Zenonit, deus ex machina të mirëfilltë në romanet kafkjanë.
Situata dhe ngjarjet ndodhin në Histori, por Zoti është i pranishëm në ‘to si një i huaj. (Kafka vetë merr përsipër identitetin e mrekullueshëm të të huajit. Atij historik: hebreut dhe atë filozofik: mendimtarit.) Prania është indirekte, të paktën kështu ndihet. Kalon i pavënëre, por shpirtrat më të ndjeshëm ia ndjejnë në mënyrë të pashpjegueshme praninë. Zoti vjen në festa si një i huaj, dhe mandej ikën në heshtje, sepse nuk e kanë njohur ose nuk i njeh më bijtë e tij. Si një Uliks që pas Odisesë së tij kthehet në atdhe por nuk ndihet më as bir as atë, por i huaj, dhe ikën pa mall e pa mllef, pa lotë as buzëqeshje, si një zot.
Personazhet kafkianë, janë si të djegur nga kalimi i frymës hyjnore dhe sikundër egjiptasit ata duket sikur nuk e kanë marrë kumtin profetik, duke mos ditur t’i ngjyejnë dyert me gjakun e qengjit. Heroi kafkian nuk ka vlerë por as dëshirë shoqërore. Ai është ndalur, i ka hequr sandalet; nuk do ecë më tutje. Por profecia nuk shpërfaqet. Dikush i ka pëshpëritur këtij profeti të munguar se Zoti ka vdekur; ai nuk arrin të dëgjojë asgjë tjetër, ai nuk arrin të dëgjojë asgjë. Kafka është një profet, por ndryshe Moisut, është një profet pa profeci; është një profet në mënyrë negative siç i shkon kohës sonë. Vetë shpresa shihet nga Kafka, si një atribut i pakumtueshëm hyjnor.
Në fakt, një nga cilësitë më të rëndësishme e kategorisë së “kafkianes” është pakapshmëria. Ata që kujtojnë se duke kapur kë pakapshmëri, kanë kapur Kafkën gabohen. E dimë se fati i tij kritik do rinovohet përgjithmonë, sepse Kafka është shkrimtari më pak kafkian i letërsisë, sikundër Dante është më dantesku. Kafka nuk ka krijuar një Kafkë të përjetshëm, por ka kafkianizuar përjetësinë.
Sa më shumë ta njohim dhe aq më shumë Kafka bëhet i huaj; i huaj si bartës risishë, si tjetër, si mrekulli. Çelësat që ne gjejmë, janë ai alfabetë të rinj, bartës amà të një shkonje të vetme që bën pjesë te alfabeti i vërtetë. Kafka është një gjuhë e vdekur e së ardhmes.
Historitë e Kafkës, janë histori të huajsh. Ato nuk zënë fill në mos pikërisht kur protagonistët janë bërë të huaj. Siç është rasti i Karl Rossmannit, por edhe i Jozef K. apo i gjeometrit K. Të gjithë ata mundohen t’i ikin këtij kushti, por nuk kanë për t’ia dalë. Mbase, ngaqë i huaj lindesh. Duke lindur bëhesh i huaj... Dhe këta personazhe janë vërtet të huaj të shoqërisë, të historisë apo të botës, por sidomos ata janë e mbeten të huaj të Zotit dhe të përvanësisë së tij.
«Zoti vdiq, atë e vratë ju»… dhe te Kafka, ka qenë sidomos vonesa jonë që e ka vrarë. Fakti më tragjik i botës kafkiane është kjo vonesë. Edhe vdekja e dhunshme e K.së te “Procesi” duket më tragjike sepse nuk ndodh në kohën “natyrore” por duhet e përshpejtuar nga vonesa e ‘tij për të zbuluar fajin e vet. Dhe në fund, kjo vonesë, që është e parakohshme (un anticipo) është e rrënjosur te njeriu. Sepse të gjithë ne vdesim me një vonesë të tmerrshme mbi kuptimin e jetës; para se ta kuptojmë përse kemi jetuar. Dhe mbase ky është faji më i madh. Se nuk kemi kuptuar, se nuk kemi besuar... Thënia e moçme kumton se Zoti i verbon ata që duan të humbasin.
Prometeu edhe ai, madje ndoshta ai është vërtet simboli i të vonuarve. Zjarri i tij i gjeti njerëzit të zbutur nga errnitë.
Te “Dyert e ligjit”, tregim qendror i gjithë veprës kafkiane, jemi dëshmitarë të provës së njeriut para fatit. Aty gjenden dy negativitete: e para është ajo që bujt brenda njeriut, që është pikërisht pamundësia e tij për të zgjedhur deri në fund. E dyta është negativiteti i rrënjosur te pushteti. Por Kafka jo vetëm e përshkruan, por edhe i bën ballë këtij negativiteti; sepse ai humbet shumë nga vetja prej faktit se rrëfehet.
Absoluti hegelian te Kafka konkretizohet te gjesti. e për çfarë flasin veprat e Franzit të mirë në mos se për fatin e bërë destin?
Gardiani që gjithsesi e gjen veten bartës pushteti, nuk është tjetër veçse fshatar para pushtetit që ka gardiani pas tij, dhe kështu me radhë deri te gardiani i fundit, që Kafka nuk e përmend, por përballë të cilit të gjithë gardianët janë si fshatari. Kafka duket se na thotë, që udha e shpëtimin ekziston, por është e papërshkueshme, ngaqë hapi i parë (lindja) na bën të përfundojmë në mes të një labirinti dialektik, i cili është i gjithi qendër, dhe nuk është më pak i vështirë se paradoksi i Zenonit. Problemi logjik i Zenonit, bëhet te Kafka një problem teologjik.
Kafka ka frikë nga pushteti. Sepse sa më shumë i afrohemi këtij, aq më shumë trandet humaniteti ynë… Pushteti frikëson pasi është objektiv. Dhe subjekti nuk mund ta durojë. Gardianë e ligjit nuk janë të frikshëm ngaqë të ligj apo diabolikë, por sepse ushtrojnë e rrezatojnë pushtet dhe vullnet. Besoj se një nga problemt qëndore të veprës kafkian është pamundësia (mosfuqia) - shumë moderne - për t’i shpëtuar pushtetit. Për të dalë nga ajo Wille zur Macht, që i bie të jetë i vetmi realitet objektiv ngaqë është vullnet subjektiv i aftë për ta objektivizuar realitetin.
E gjitha kjo, nuk mëton aspak të nxisë kultin e Kafkës si filozof-profet që vazhdon të çorientojë gjysmën e lexuesve të tij në botë. Kafka, si çdo mendimtar tjetër afabulant, duhet lexuar si letërsi. Te zotësia e tij për të treguar, pra për t’i dhënë një formë pozitive negativitetit të jetës në botë, qëndron gjenialiteti i tij. Të gjithë mistifikimet na largojnë prej tij, dhe e kthejnë në sfinks. Por ai është një shkrimtar. Dhe duke e lexuar si të tillë, ne do respektonin amanetin e tij. Atë për t’i djegur moralistin dhe filozofin që fshihej aty, sepse digjet vetëm çka është lëndë djegëse, dhe jo e vërteta. E sigurt është se ai donte të kujtohej si shkrimtar, prandej dhe kishte botuar. Por dërëshkrimet, sidomos te romanet, dilte në pah me shpatë përpara një filozof i religjionit që e zhgënjente atë dhe mund të nxirrte nga udha lexuesin e tij. E donte të besonte, jo të mësonte besimin. Dhe me skrupuj të pafundëm i kërkoi mikut Brod, të bënte një gjest diskret.
Ai ishte shkrimtar në kuptimin klasik: jo dikush që kultivon mistere. Sepse një libër nuk është enigma, por zgjidhja.
Dhe pyetjet e Kafkës sa më të thella të jenë, në atë masë do i përmbajnë përgjigjet.
Kafka ka sot në kohën tonë poshtërsisht antropocentrike dhe narciziste, detyrën e vështirë për të na bërë ta ndjejmë teomorfiken, për të na kujtuar se duhet besuar besimi. Dhe në këtë gjë, vepra e tij është ndër më pozitivet e kohës sonë.
E vërteta është fytyra e Zotit.

Milano, 2006