venerdì, agosto 21, 2009

Guy Ernest Débord - Shoqëria e Spektaklit

1
E gjithë jeta e shoqërive ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit shpallet si një grumbullim i pamatë spektaklesh. Gjithçka që jetohej drejtpërsëdrejti është larguar në një sh(për)faqje [représentation].

2
Imazhet të cilat janë shkëputur nga çdo aspekt i jetës shkrihen në një rrjedhë të përbashkët, ku uniteti i kësaj jete nuk mund të rivendoset më. Realiteti i konsideruar pjesërisht afirmohet në unitetin e vet të përgjithshëm si pseudo-botë më vete, objekt vetëm i soditjes. Specializimi i imazheve të botës gjindet, i përmbushur, në botën e imazhit të autonimizuar, ku gënjeshtari është vetëgënjyer. Spektakli në përgjithësi, si përbysje konkrete e jetës, është lëvizja autonome e të-pajetës [non-vivant].

3
Spektakli paraqitet njëherit si vetë shoqëria, si një pjesë e shoqërisë, dhe si instrument unifikimi. Si pjesë e shoqërisë, ai është shprehimisht sektori që përqendron çdo shikim dhe çdo vetëdije. Për vetë faktin se ky sektor është i ndarë, ai është vendi i të pamit të abuzuar dhe i vetëdijes së rreme; dhe unifikimi që ai realizon nuk është gjë tjetër përpos një gjuhë zyrtare e ndarjes së përgjithësuar.

4
Spektakli nuk është një bashkësi imazhesh, por një raport social mes personash, i ndërmjetësuar nga imazhet.

5
Spektakli nuk mund të kuptohet si abuzim i një bote pamore, produkt i teknikave të shpërndarjes masive të imazheve. Ai është më së miri një Weltanschauung i bërë efektiv, i përkthyer materialisht. Është një vizion i botës që është objektivuar.

6
Spektakli, i kuptuar në tërësinë e vet, është njëherit rezultati dhe projekti i mënyrës aktuale të prodhimit. Nuk është një shtojcë e botës reale, dekorimi i ndajshtuar i saj. Ai është zemra e irrealizmit të shoqërisë reale. Nën të gjitha format e veçanta, informacion a propagandë, publicitet a konsumim i drejtëpërdrejtë i argëtimeve, spektakli përbën modelin e pranishëm të jetës shoqërisht mbizotëruese. Është pohimi i gjithëpranishëm i zgjidhjes së kryer tashmë në prodhim, dhe konsumimit pasues. Forma dhe përmbajtja e spektaklit janë në mënyrë identike justifikimi total i konditave dhe i qëllimeve të sistemit ekzistues. Spektakli është gjithaq prania permanente e këtij justifikimi, si nxënie e pjesës më të madhe të kohës të jetuar jashtë produksionit modern.

7

Vetë ndarja bën pjesë te uniteti i botës, te praxis-i shoqëror global që është krisur në realitet dhe imazh. Praktika sociale, përpara së cilës vendoset spektakli autonom, është gjithaq tërësia reale që e përmban spektaklin. Por skizma në këtë tërësi e gjymton deri në pikën sa e bën të duket spektaklin si qëllimin e saj. Gjuha e spektaklit përbëhet nga disa shenja të prodhimit mbretërues, që janë njëherit finaliteti i mbramë i këtij prodhimi.

8
Nuk mund të kundërvihen në mënyrë abstrakte spektakli dhe veprimtaria shoqnore efektive; ky dublim është në vetvete i dubluar. Spektakli që përmbys realen prodhohet vërtet. Në të njejtën kohë realiteti i jetuar është materialisht i droguar nga soditja e spektaklit, dhe riprodhon në vetvete rendin spektakolar duke e pranuar aktivisht. Realiteti objektiv është i pranishëm nga të dyja anët. Çdo nocion i fiksuar kësisoj nuk ka për bazë gjë tjetër përpos kalimit të tij në të kundërtën: realiteti shpifet në spektakël, dhe spektakli është real. Ky tëhuajësim i ndërsjellë është esenca dhe mbështjetja e shoqërisë aktuale.

9
Në botën realisht të përmbysur, e vërteta është një moment i së rremes.

10
Koncepti i spektaklit njëson dhe shpjegon një larmi të madhe fenomenesh të dukshme. Larmia dhe kontrastet e tyre janë aparencat e kësaj aparence të organizuar shoqërisht, e cila duhet njohur në të vërtëtën e saj të përgjithshme. I konsideruar sipas vetë termave të tij, spektaktli është afirmimi i aparencës dhe afirmimi i çdo jete njerëzore, domethanë shoqërore, si thjesht aparencë. Por kritika që e mbërrin të vërtetën e spektaklit e zbulon atë si mohimin e dukshëm të jetës; si një mohim të jetës që është bërë i dukshëm.

11
Për të përshkruar spektaklin, formimin e tij, funksionet e tij, dhe forcat që gjakojnë për zhbërjen e tij, duhen dalluar artificialisht disa elemente të pandashme. Duke analizuar spektaklin, flitet në një farë mase vetë gjuha e spektakolares, përderisa kalohet në terrenin metodologjik e vetë kësaj shoqërie që shprehet në spektakël. Por spektakli nuk është asgjë tjetër përpos sensi i praktikës totale të një formacioni ekonomik-social, përdorimi i saj i kohës. Eshtë momenti historik që na përmban.

12
Spektakli paraqitet si një pozitivitet i pamatë i padiskutueshëm dhe i padepërtueshëm. Ai nuk thotë asgjë më shumë sesa «ajo që duket është e mirë, ajo që është e mirë duket». Qëndrimi që ai parimisht kërkon është ky pranim pasiv që në fakt e ka fituar tashmë nga mënyra e tij e të dukurit pa replikë, me monopolin e tij të aparencës.

13
Karakteri thelbësisht tautologjik i spektaklit rrjedh nga fakti i thjeshtë se mjetet e tij janë në të njetën kohë qëllimi i tij. Ai është dielli që nuk perëndon kurrë mbi perandorinë e pasivitetit modern. Ai mbulon të gjithë sipërfaqen e botës dhe laget papërcatueshëm në lavdinë e vet.

14
Shoqëria që mbështetet mbi industrinë moderne nuk është rastësisht apo sipërfaqësisht spektakolare, ajo është thelbësisht spektakoliste. Te spektakli, imazh i ekonomisë mbretëruese, qëllimi s'është asgjë, zhvillimi është gjithçka. Spektakli nuk do të dalë tjetërkund përpos se te vetja.

15
Si stolisje e domosdoshme e objekteve të prodhura aktualisht, si ekspoze e përgjishme e racionalitetit të sistemit, dhe si sektor ekonomik i përparuar që farkëton drejtpërsëdrejti një shumësi në rritje objektesh- imazhe, spektakli është prodhimi kryesor i shoqërisë aktuale.

16
Spektakli nënshtron njerëzit e gjallë në atë masë që ekonomia i ka nënshtruar plotësisht. Ai nuk është gjë tjetër përpos ekonomia që zhvillohet për hesap të vet. Ai është refleksi besnik i prodhimit të gjërave, dhe objektivizimi jobesnik i prodhuesve.

17
Faza e parë e mbizotërimit të ekonomisë mbi jetën shoqnore kishte përcaktuar në përkufizimin e çdo realizimi njerëzor një degradim evident të qenies në pasje. Faza e tanishme e okupimit total të jetës shoqnore nga disa rezultate të grumbulluara nga ekonomia çon në një rrëshqitje të përgjithësuar të pasjes në dukje, ku çdo «pasje» efektive duhet të përftojë prestigjin e saj imediat dhe funksionin e saj të mbramë. Një të njejtën kohë çdo realitet individual është bërë social, i varur direkt nga fuqia shoqërore, i modeluar nga ajo. Asaj i lejohet të shfaqet, veç në atë që nuk është.

18
Aty ku bota reale shndërrohet në imazhe të thjeshta, imazhet e thjeshta bëhen qenie reale, dhe motivimet efiçiente të një sjelljeje hipnotike. Spektakli, si tendencë për ta bërë të shikueshme botën përmes disa ndërmjetësimeve të specializuara, e cila (bota) nuk rroket më drejtpërsëdrejti, gjen normalisht te të pamët shqisën njerëzore të privilegjuar që në epoka të tjera ishte prekja; shqisën më abstrakte, dhe më të mistifikueshmen, që i korrespondon abstragimit të përgjithësuar të shoqnisë aktuale. Por spektakli nuk është i identifikueshëm me shikimin e thjeshtë, qoftë ky i kombinuar me dëgjimin: është ajo çka i shpëton aktivitetit të njerëzve, rikonsiderimit dhe korrektimit të veprës së tyre. Ai është e kundërta e dialogut. Gjithandej ku ka sh(për)faqje [répresentation] të pavarur, spektakli rikonstituohet.

19
Spektakli është trashëgimtari i të gjithë dobësisë së projektit filozofik perëndimor që ishte një kuptim i aktivitetit, i dominuar nga kategoritë e të pamit; ashtu siç edhe bazohet mbi zhvillimin e pareshtur të racionalitetit të saktë teknik që ka dalë prej këtij mendimi. Ai nuk e realizon filozofinë, ai filozofon realitetin. Është jeta konkrete e të gjithëve që degradon në univers spekulativ.

20
Filozofia, si fuqi e mendimit të ndarë, dhe mendim i fuqisë së ndarë, nuk ka mundur kurrë ta tejkalojë vetë teologjinë. Spektakli është rindërtimi material i iluzionit fetar. Teknika spektakolare nuk i ka davaritur rêtë fetare ku njerëzit i kishin vendosur fuqitë e veta të shkëputura prej tyre: ajo thjesht i ka lidhur me një bazë tokësore. Kështu është jeta më tokësore ajo që bëhet opake dhe asfiksuese. Ajo nuk e degtis më në qiell, por e strehon në shtëpinë e vet përçmimin e saj absolut, parajsën e vet mashtruese. Spektakli është realizimi teknik i mërgimit të fuqive njerëzore në një përtejbotë; skizma e përmbushur në brendësi të njeriut.

botuar te gazeta Don Kishot