sabato, novembre 14, 2009

Nje gjuhe e vdekur e se ardhmes / Libri



Ndërgjegje estetike


Këto ese nuk janë as filozofi, as psikologji dhe aq më pak politikologji. Ato janë thjesht letërsi. Një letërsi që jeton dhe lëviz brenda vetvetes, duke qenë e ndërgjegjshme për një gjë të tillë.
Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë vetëmjaftueshmëri të mbyllur dhe të burgosur në arrogancën e saj të verbër, por për një nivel të lart ndërgjegjësimi. Ndërgjegjësim që kërkon të ndërgjegjësojë. Ndërgjegje!
Kjo ndërgjegje e paraqitur në mënyrë konstante dhe të përqendruar tek këto ese (të cilat megjithëse janë të ndryshme nga pikëpamja tematike, rrezatojnë të njëjtin shqetësim), nuk është tautologji, nuk është retorikë, nuk është abstraksion. Ajo nuk është gjithashtu as një halucinacion i papërcaktuar që shformon dhe shpërqendron trajtat e shqetësimit burimor të këtyre eseve. Në këtë rast, kjo ndërgjegje, që është manifestim i shqetësimit nga i cili ajo ushqehet, ka një natyrë të përcaktuar dhe të mirëfilltë, ajo është: Ndërgjegje estetike.
Një ndërgjegje estetike që e propozuar përmes mënyrash të larmishme (shqipe jo standarde, stil poetik, argumentime sintetike etj.), është shprehje e një shqetësimi estetik; pra, ajo që vihet re qartë në këtë kontekst është se problemi është estetik. Sipas shkrimtarit dhe shkruesit të këtyre eseve, problemi që qëndron në themel të gjithë problemeve, ose problemi i problemeve, është ky: Shqiptari është estetikisht i gjymtuar! Shqipëria është një vakum estetik!
Në lidhje me këtë problem qartësisht të dhimbshëm, esetë e A. Canit na këshillojnë pothuajse unanimisht, se terapia e vetme për këtë sëmundje është edukimi estetik.
A do të thotë kjo se duhen edukuar shqisat? A edukohen shqisat? Ç’do të thotë një gjë e tillë?
Shqiptarët (këtu po evitojmë termin “populli shqiptar”, sepse ky i fundit është tepër problematik dhe arbitrar për t’u marrë si i mirëqenë), e pranojnë dhe e pohojnë se kanë mangësi të mëdha kulturore, politike, historiografike dhe intelektuale, këtë ua bëjnë të qartë pothuajse çdo ditë edhe analistët e tyre të palodhshëm llafazan, këta zhigolo qesharakë të opinionit publik që e kalojnë tre çerekun e jetës së tyre nëpër kafene dhe televizione. Por ajo që nuk kanë kuptuar këta zhigolo llafazanë dhe dëgjuesit e tyre apatikë, është se trualli mbi bazën e të cilit hedhin themelin të gjitha përmasat e sipërpërmendura të jetës komunitare të vetëprojektuar përmes transhendimit të vetvetes në aktin e këtij vetëprojektimi (d.m.th. komuniteti njerëzor), është përmasa estetike. Estetikja, që për Platonin do të ishte një tejkalim problematik i abstraksionit të tij steril dhe që për Kantin do të ishte një subspecie e paklasifikueshme ndërmjet shqisoresh dhe mendores, është themeli i vetisë që ka njeriu për të transhenduar vetveten. Ajo është dukuria në të cilën shqisa (niveli parësor i të qenit) kapërcen vetveten duke shpalosur terrenin në të cilin çdo ndërprerje (çdo dualizëm si ai materie-shpirt, subjekt-objekt, interioritet-eksterioritet etj.) tretet në një vijimësi pa kufij. Është pikërisht kjo vijimësi pa kufij trualli ku merr trajtë çdo konstruksion i konstruktit të njerëzores. Prandaj, duhet zhvilluar dhe ruajtur ndjeshmëria ndaj kësaj vijimësie të pandërprerë tejpërmasore (që ndryshe quhet jetë), në të cilën bazohen të gjitha përmasat e njerëzores. Dhe, kjo ndjeshmëri ndaj jetës është pikërisht arti, i cili nuk është një shtojcë luksoze në raport me veprimtaritë e tjera njerëzore, por është burimi origjinar i tyre. Jo më kot grekët antikë e konsideronin çdo veprimtari njerëzore si lloj arti, sepse për ‘ta arti ishte burimi i njerëzores ku veprimtaritë e tjera të saj ishin degëzime të këtij burimi.
Këtu pra konsiston, pak a shumë, ai që quajtëm edukim estetik, për të cilin ka aq shumë nevojë shoqëria jonë.
Por, e gjitha kjo nuk mund të bëhet duke injoruar gjuhën dhe artin e fjalës (letërsinë) që mbruhet në ‘të dhe me ‘të.
Gjuha është përmasa themelore në të cilën farkëtohet njerëzorja. Arti i fjalës është dukuria përmes të cilës gjuha çlirohet dhe pasuron mundësitë e vetvetes duke bërë që të pasurohet forma njerëzore e të qenit. Për Hajdegerin tek poezia gjuha i afrohet maksimalisht Qenies, por ndoshta do të ishte më me vend të thoshim, se tek poezia(1) gjuha i afrohet maksimalisht jetës. Kjo e fundit është tepër e qartë tek shkrimet e A. Canit; ato janë bulza jetësore. Kjo është arsyeja pse unë preferoj t’i konsideroj ato si letërsi, sepse ato janë art fjale.
Duke kuptuar këtë, nuk është tashmë e vështirë të marrim me mend pse autori i kësaj përmbledhje me ese kritike nuk i beson gjuhës standarde, që për ironi të fatit akademizmi i kalbur komunist na e ka shitur për gjuhë letrare. Gjuha standarde nuk është letrare. Ajo nuk mund të jetë e tillë, sepse është një konstruksion artificial i larguar nga bota jetësore, e krijuar për të mohuar dhe fshehur ekzaltimet magjike të kësaj bote, të cilën diktatura enveriste kërkonte ta mposhtte(2) duke e mbytur me duart e saj të përgjakura.
Gjuha standarde, mjeti me anë të cilit totalitarizmi enverist kërkoi të konsolidonte pushtetin e tij, i përvidhet jetësores dhe ndoshta ajo është shkaku kryesor i gjymtimit estetik të shqiptarit (por natyrisht jo i vetmi).
Ky është shqetësimi i shkrimeve të A. Canit, shqetësim përmes të cilit ai kërkon të ndërgjegjësojë ata që duan dhe dinë të ndërgjegjsohen.




1. Këtu me poezi nënkuptojmë të gjitha format dhe gjinitë e letërsisë dhe jo vetëm mënyrën e të shkruarit në vargje.
2. Sepse në thelb çdo diktaturë i kundërvihet jetës, duke qenë se ka frikë prej saj.

Armand Dedej