giovedì, agosto 26, 2010

Snobët edhe folitika

Tema e debatit

Në një intervistë verore, Albin Kurti, i përgjigjet pyetjes: a ekziston identiteti kosovar? Pyetja asht shum e mirë, dhe nuk asht e gazetarit që ia shtron, por e polemistit Migjen Kelmendi, editorit të librit Who is kosovar. Kurti përgjigjet se ekziston identiteti kosovar, por vetëm si identitet krahinor.

Mandej përmend dy zona të Gjermanisë për me tregue se nuk ka ndryshim mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyne të Shqipnisë. Ai përgjigjet edhe në lidhje me gjuhën standarde: thotë se standardi vendoset nga politika. Megjithatë, pranon se standardi asht i papërsosun.

Por mjafton me kujtue një fakt që sot e din tanë bota: identiteti kosovar asht identitet shtetnor, jo thjesht krahinor siç asht identiteti matjan për shembull.

Sa për standardin: nuk duhet lanë ma që politika me vendosë për jetën e përditshme. E ka ba me grusht të hekurt, gjatë 5 dekadave, e ban pa shum sukses sot me anë të spektaklit mediatik.

Vini re se në Shqipni, diktatura bahej ma e egër, bash atëherë kur jeta e përditshme fillonte të bahej ma e lirë.

A asht standardi i papërsosun, si çdo gja njerëzore? Nji standard ku Shën Maria bahet Shën Mëria, Zoja e papërlyeme, bahet Zonja e papërlyer, e lumnueshmja, bahet e lumturuar, nuk asht lajm nji i mirë.

Por kjo kartëmonedhë false, që mundohet me zanë tregun gjuhor, nuk asht e këmbyeshme në ar, çka në gjuhën e kulturës, d.m.th.: nuk jep vepra. Ajo vetë asht vepra e nji glosatori vlleh, biblioteka "shkencore" e të cilit sot po shitet buzë Lanës, e na gëzohemi se ky fat, nuk i ka ra në hise bibliotekës vërtè shkencore të anti-standartistit Pipa, që ruhet me pekule në muzeun e Shkodrës.

Pse duhet ngulmue prapë në çështjen e gjuhës?

Në radhë të parë gjuha nuk asht mjet, por asht mendësi. Mendësia mundet me qenë e mbyllun ose e hapun ndaj ndryshimit, ndaj të resë, ndaj të përditshmes.

Standardi asht i mbyllun dhe asht shurdhan: ai nuk ka organe për me e ndijue realitetin. Cinik asht fakti se damin ma të madh standardi ia ka ba bash tosknishtes: pasi i ka shitue organet e saj për jetën e përditshme. Ai asht nji tosknishte pa muzikë: por tue i heqë muzikën nji gjuhe, i ke heqë shì anën shpirtnore.

Pushteti mundohet me e përdorë gjuhën si mjet me kontrollue mendësinë. Me paret e veta ai nxjerr 30 gazeta identike me stok të garantuem, organizon qindra sfilata sfilitëse, disa festivale kange, dhjetra talk-shoë, me qëllimin e vetëm për me zaptue frekuencën e perceptimit, që njerëzit të mos flasin për asgja tjetër përveçse për pushtetin dhe folitikën.

Por mendësia që mundëson gjuha shqipe, nuk asht e përshtatshme vetëm për folitikë, si mundohen me na ba me besue. Shqipja e vërtetë asht shum e larmishme. Ajo nuk ka dy, por katër variante në fondin e saj të jashtëzakonshëm: arbërishten, toskërishten, gegnishten dhe standartishten.

E përse ndër 'to u dashka me mbizotnue ma artificiali e ma joburimori, pra standardi?

Ngase po bani e mbizotnoi standardi ka me mbizotnue folitika.

Kush don që me mbizotnue ky variant, don që me mbizotnue nji mendësi: e kjo mendësi, përshfaqet te monokultura e bllokut dhe nga bunkerizimi i djeshëm horizontal e nga ai i sotshëm vertikal. Kjo mendësi lufton kundër çdo mendësie tjetër, lufton klasicizmin arbëresh me anë të përkthimit të De Radës në standard, lufton fisnikërinë toske, me anë të identifikimit të 'saj me elitën komuniste.

Mendësia standardizuese, mëton me i hi në shpi malësorit në majë të malit e me i thanë: malok. Që ai të mos ndihet në shpi të vet. Kush ia thotë, nuk rrezikon asnjë kundërpërgjigje, mbasi ia thotë mbas ekranit të televizorit.

Kjo mendësi nuk don që labi "t'ia thotë këngës" si di vetë, por të vijë në karaoket e Tiranës.
Kush ka frikë nga snobët e rinj?

Në një intervistë dimnore, Enzo Biagi, e pyet Pasolinin: po juve, çfarë njerëzish ju pëlqejnë? P., i gjegjet: mua më pëlqejnë të thjeshtit, dhe të thjeshtit janë ose njerëzit analfabetë ose ata përnjimend të kulturuem...

Bash mes këtyne dy palëve janë dhe snobët: sine nobilitate, pa fisniki.
Distanca që ata kanë mes Unit dhe Mbi-unit asht e frikshme. Uni i tyne asht nji skilipec që ban si ish-nxanës i mirë, kur Mbi-uni asht nji totalitarist-sadist.

Snobët e rinj në Tiranë, janë të gjithë nga familje që përqafuan komunizmin e u puthën me partinë, por, achtung!, Marksi asht i fundmi i autorëve që lexojnë, sikundër nuk e kanë lexue as prindët e tyne.

Këta snobë nuk kanë punue kurrë në jetë të tyne, por ankohen se këtu (në këtë vend) të tjerët nuk gjejnë punë.
Janë idiosinkratikë të ndërkryem dhe kritikojnë indiosinkracinë.

E kanë të stampueme në bluzë: Qiellin me yje sipër meje, ligjin moral brenda meje, por bahen me nga tre kantianë bashkë për me kapë të njejtën studente edhe ajo kantiane.
Një pjesë e këtyne snobëve vdesin me lindë francezë.

Nji pjesë janë kritikë të spektaklit mbrenda spektaklit: janë pjesë e folitikës së pafundme, rraskapitëse, haluçinative të Tiranës.

Mbahen për hedonistë, por përfshihen shpesh ndër orgjina onaniste.
Vetëquhen radikalë të majtë, por janë asistentë e bashkautorë me Çanin.
Janë vipa që lançojnë vipa, por vijnë nga nji vend i humbun që me u përkthye shqip domethanë Ujë i zi.

Shkruejnë libra mbi masturbimin e dikurshëm, por masturbojnë sot shumë ma fort se atëherë, e për ma tepër live nga ekranet e televizorit.
Në '67n i kanë vu kazmën kishave e xhamive të vjetra, por sot janë ba të njoftun si arkeologë.

Dibranët ju duken katundarë, por e kanë vetë mbiemrin Dibra.
Kanë shkrue poezi satirike kundër dollarit, por sot paguhen me euro.
Po hangrën një sillë me Kadarenë, e keni të sigurt se do bajnë librin "Një sillë me Kadarenë".

Marrin pare nga të huejt me ba dokumentarë për Shkodrën, dhe të vijnë me objektiva nji metër të gjatë, pa ditë gja as për legjendën e Rozafës.

Në Itali janë në gjyq për të drejtat e emigrantëve me U. Bossin, në Shqipni themelojnë Lidhjen e veriut (Lega Nord).

Nji pjesë janë vërtè antiberlusconianë, por kanë një gazetë që e quejnë Gazeta (si cavalliere që të vetmen giornale që bani, e quajtën il Giornale).
Janë anoreksikë, por ju duket se studentët shqiptarë në perëndim (sidomos ata që punojnë nëpër restorante), janë duke vdekë për bukë.

Teksa politika asht shndërrue në folitikë, snobët e rinj në Kosovë, themelojnë lëvizjen "Fol". Dekalogu i tyne nuk ka dhetë por vetëm nji urdhnesë: Fol! para mikrofonit... dhe kështu e din se vendndodhja e mikrofonit nuk asht e dhimbshme për ty.
Ata të Tiranës nuk i sheh kurrë vetëm, sepse publikja mbrohet vetëm duke ndejë të gjithë së bashku, e vetëm duke folë.

Shumica e tyne nuk kanë vepër, por kanë veprimtari.
Janë kuratorët e përjetshëm të rrënimit të artit shqiptar.

Mbarojnë ma shum se nji shkollë, por filloren s'e dinë as vetë si e kanë mbarue.
Kanë histeri historiciste dhe janë fiks historiografë.
Shkruejnë editoriale të ulun në ndoj lokal snobash në bllok. Dhe e fillojnë editorialin me emrin e lokalit.

Bajnë si lexues të Pashk Gjeçit post mortem, por stonojnë në mënyrën ma qesharake, duke mos pasë nocionet ma elementare të leximit letrar.
Në emnin e tyne çelsi i Tiranës iu dha Goran Bregoviçit.

Ata mëtojnë me qenë kryeqytetarët e këtij vendi, e me prodhue ide për pjesën tjetër, por s'e kanë mbrri halà stadin e qytetarit të thjeshtë. Iu ka ndodhë si i ndodhi Tiranës: të vetmit kryeqytet në Europë, që u ba kryeqytet pa qenë akoma qytet.

Formati bizantin kundër mendjes së lirë

Lufta ndaj mendimit shumpërmasor (multiversit të ditëve të sodit) asht luftë për ngushtimin e frekuencës së perceptimit, dhe luftë për dominimin e saj total.
Për mue, ndryshimin e vërtetë, vetëvendosjen psikologjike në Kosovë e përvijon vepra polemike e Migjen Kelmendit.

Sikundër nji Lubonja në Tiranë, e mbase me rezonanca ma të mëdha, Kelmendi, asht nji nga të mirët. I mirë, në kuptimin që i jep Niçe, i cili "buonum" e nxjerr nga "duo", ai që ndan. Vetë Krishti asht ndamës par excellence, kur thotë: unë bie shpatën, jo paqen. Ai që ndan të vërtetën nga e rremja në radhë të parë, të mirën nga e keqja.

Kelmendi nuk asht nji përçamës si romaku që thotë: divide et impera. Ai nuk don me sundue. Ai don me u nda kalbësinë nga jetësorja. Në mënyrën e Debordit ai ka dashtë me e çlirue at pak jetë të përditshme që kosovarët kanë. Ngase çlirimi duhet me vazhdue, ditë për ditë.

Teksa çlirimi që propozon Kurti mbas çlirimit, asht nji kontradiktë. Ai thotë se në Europë duhet të shkojmë si komb i bashkuem në nji shtet, se simbas tij kombi shqiptar do jetojë ma gjatë se Europa, dhe ne nuk duhet ta brendësojmë ndamjen që Europa na e paska shkaktue.

Harron se kombin-shtet e ka prodhue Europa, dhe kur Europa e likuidon duke krijue shtetin-shumëkombësh - Veten e saj - a mund ta kapim fillin edhe njiherë para njëqind vjetësh?

Programi kulturor i Rilindjes, (ku nji kapitull e shkroi me dhunë edhe diktatura e proletariatit) asht i tejkaluem.

Në Europë nuk shkohet ma me atë program. Shkohet me nji program të ri, kulturor. Programet e ndryshkuna nacionaliste po i mbajnë komshitë tanë serbë e grekë, e shì pse po i mbajnë me forcë në fuqi po prodhojnë katastrofat që sot po i sheh gjithë bota.
Sipërmarrja ma bizantine e komunizmit shqiptar ka qenë zhdukja e fisnikërisë shqiptare. E bashkësisë së mendjeve të lira.

Fundi i kësaj shfarosjeje, përpos me konsolidimin e pushtetit, ka rezultue edhe me përvendosjen e formatit mendor bizantin. Prej kohëve të Bizantit, diktatori Hoxha asht përfaqësuesi ma i shquem i kësaj mendësie ndër shqiptarë.


Të paktën prej viteve '70 Prishtina ka marrë direktiva nga Tirana e kuqe. Rolin e Tiranës në rezistencën kosovare gjatë kësaj kohe, e errëson roli negativ i saj çprej fundit të Luftës së Dytë e deri atëbotë.

I ndikuem nga Demaçi e Qosja, Albin Kurti mëton orientimin total të Prishtinës nga Tirana e sotme e kuqrreme. Por asht mirë që Prishtina Beogradin të mos e zëvendësojë me Tiranën (duke zgjedhë, si ndodh rëndom ndër shqiptarë, të keqen ma të vogël). Së bashku me Tiranën e vonueme, Prishtina mundet thjesht që qendrën e lojalitetit ta zhvendosë në Bruksel.

Orientimi i qartë evropian i Kosovës kishte me i ndihë ridimensionimit të formatit mendor bizantin të një pjese të Shqiptarisë. Kjo mendësi në Kosovë asht përhapë për shkak të ndikimit serb, e në jugun e Shqipnisë, për shkak të ndikimit greko-vlleh.

Rezistencën ma të mirë këtij formati mendor, ia kanë ba katolikët romanë të veriut dhe bektashinjtë sufi të jugut e të Kosovës. Fatin ma tragjik në këtë rezistencë e kanë pasë patriotët ortodoksë.

Nuk ka dyshim që mendësia e këtyne rezistuesve asht ajo që mund ta mbartë mbrothësisht ekonominë mendore europiane ku ne po (ri)hyjmë. Nuk ka dyshim se vetëm me atë mendësi të lirë e të hapun mundemi me u ndie vërtè shqiptarë.
Kush don me u nisë për Kubë le të niset vetëm.


Gazeta Shekulli