martedì, agosto 07, 2012

PORNOKRACIA, nji liber per Tiranen


 
Blloku, (ose Bërlloku siç e don gjuha normale) hyn me të drejta të plota, ndër lagjet porno të Evropës. Kuptohet që kjo lagje porno ka veçoritë e saj dhe i ngjan ma shum nji lagjeje porno të Moskës sesa nji simotre në Amsterdam. Sepse kjo lagje asht shtabi tipik i njeriut të ri.

Por ka diçka që nuk ndodh në Moskë, ndodh që Kremlini i vendit tonë, të kthehet në nji belvedere seksi të reklamuem. 

Këtu gjithçka asht porno. Nga vila e diktatorit që ruhet dit e natë, siç ruhet dhe duhet ruejtë virgjinia e çdo monumenti trash. Jo pak porno janë lokalet me televizorët – bordello 24 orëshe imazhesh - që varen në atmosferën e gërbulun, por kurrë aq sa kazinotë, ku njerz me syzë të errëta iu hapin derën klientave me barqe të errëta, që zbresin nga super-qerret me xhame të zeza. Aty hyn tinzash edhe syleshi i radhës që len bukën e fëmijëve, veç për pak jetë porno. Porno asht mashkullia kalimtare që shëtit 'xhevahiret e familjes', tue u mundue me ecë me hap prej bosi. Por ma porno janë bosat e vërtetë, që nuk janë kurrkund të kenun. Porno asht trafiku dhe porno asht dhuna. Porno janë rrogat, por kurrë aq sa çmimet. Nji çoko-krem hormonal i lyen fytyrat e bllokmerdëve të rij, en bloc. Por pornoja shqiptare asht modeste dhe prandej do ndigjojsh kah të thonë: në daç me ba jetë porno, shko në Mal t'Zi.

Kjo lagje ka redaksitë e veta. Me nji ose ma shum sesa nji vaskë për redaksi. Thonë se rubinetat e këtyne vaskave janë prej ari, por edhe sikur vetëm të lyem në ar të ishin, mjafton me i ba pornografët të ndihen pornokratë. Sidomos kur këta nuk lanë pa lye as flokët.

Prej vetë konstruktit të tyne, këto redaksi janë mjaft të hapuna për bashkëpunim. Kohët e fundit këto kuvlina kukulturet janë hapë edhe për ish-aktivistët e shoqatave të mjaftueshme. Këta aktivistë, ose këto aktivistë janë në të vërtetë shum aktivë në jetën sociale, kurse në jetën intime janë pasivë, gja kjo që e kanë ba vetë publike. Dhe luftojnë për të drejtat e pasivitetit. Tue marrë jo pak mbështetje prej ambasadave që janë të interesueme me qenë të përfaqësueme në bllok.
Njiherë, para se vorfënia të çrranjosej, shoqata e mjaftueshme pat ba nji porteste kundër mjerimit, tue dhanë shembullin nga maja e nji jahti ku me ndihmën e disa amplifikave që ishin fjala e fundit e teknologjisë, ia amplikojshin pordhët shoqi-shoqit. Kjo protestë, aspak snobe nga forma dhe mjaft higjenike për nga përmbajtja, pati aq shum sukses, sa në pak vite mund të thuhet se vorfnia u zhduk ndër shqiptarë.
Së fundmi, të frymëzuem nga lëvizjet simotra ish-anëtarët e shoqatës së mjaftueshme, të bamë tashma të vetmjaftueshëm, vendosën me dalë me protestue kundër mungesës së fantazisë së shqiptarëve, të cilët ishin akoma në epokën e sekseve të kundërta. Kjo botë ku harmoninë e krijojnë të kundërtat, duhej përmbysë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Me nji 'vafanculo' për Heraklitin.
Siç e shihni, bllomenët e vërtetë, janë ma afër artit se politikës. Janë fiks tek zhanri hibrid i quejtun folitika. Kohët e fundit janë tue koordinue folitikën e vetëvendosjes së shqiptarëve. Kanë deklarue se Kosova asht jo ma pak e kuqe se Albania e etënve të tyne, kanë botue librin themelor 'Shqipëria' që asht çuemja në vend e testamentit të Samiut dhe po ndërtojnë 'bllokun' e Prishtinës. Ndërtimi i kësaj lagjeje-shtab asht e vetmja gja që s'ju ka ecë deri më tash, për mungesën natyrore të nji lumi.

Por lagjja-shtab e Tiranës e ka lumin e vet, që e zhbllokon bllokun. Asht lumi AnaL që përmbajtjen e tregon qysh nga forma. Të pasionuem mbas nji perrie të kangës kaliforniane, të rijtë po e quejnë gjithmonë e ma shpesh Lana. Asht banale që nji qytet me u ndërtue buzë nji lumi, e aq ma tepër nji fshat që asht vetëshpallë kryeqytet, por nuk asht aspak banale, që nji qytet me u ndërtue buzë nji lumi që quhet AnaL. Kjo don me thanë që nji qytet me luejtë me letra të zbulueme, tue qenë i sigurt për vlerat urbane që mbart.

Ne, arkaikët, i qëndrojmë emnin tradicional, sepse na shpjegon shum gjana për gjeografinë njerzore të kryeqytetit. Ky lum e ndan qytetin në dy pjesë, përplotësuese me njena tjetrën: Sodoma në perëndim dhe Gomorra në Lindje.

Asht nji ndamje pikante, si ndamja mes barokut dhe gotikut.

Sodoma ia ka lakmi Gomorrës, por edhe anasjelltaz. Gomorra historikisht ka arritë me eksportue kamorrën në Sodomë, kurse Sodoma ia pat dalë me i dhanë Gomorrës nji Sodom. Të cilit përpos se me luejtë doktorash, i pëlqente qamet edhe me diktue. Diktimin e kishte mësue direkt nga shoku En Verité.

Në kthimin prej studimeve jashtë, ku thonë se qenkesh nismue me analet historike, shoku En Verité pat sjellë frymën e revolucionit: dhe motua e tij asht akoma e shkrueme në brigjet e lumit AnaL: liberté, egalité, fekalité. Nga këto të trija, shqiptarët s'i kanë realizue halà dy të parat, por të tretën e kanë pasë realizue qysh në lashtësi. Pavarësisht se e kanë trashëgim prej të parëve, asht meritë e tyne në çdo kohë ruejtja e kësaj vlere. Tolerimi i fekalitetit të tjetrit asht baza e realizimit të dy vlerave të tjera, të cilat janë parat në rend, por jo ne trend. Amëlsina, edhe në kët rast, asht lanë për fund.

Domethanë, torta asht e bame dhe libri Pornokracia i Pjetër Zef Prudonit, vjen si qershia, pra ka funksion ma fort dekorativ.

Në mbretninë e dekoratave, nji dekorim nuk asht gjaja ma inovative që mund të bajmë për momentin. Sidomos kur puna si përkthyes na ven në pozitën e nji sekseri. Por fundja Prudoni nuk asht seksolog!



Sekserët full-time i dinë ma mirë këto punë. Shpresoj që kjo vepër ta fitojnë vëmendjen e tyne.
Qe pra dhe Pornokracia, nji libër për të gjithë sekserët.



8/7/2012 (Milano)

lunedì, agosto 06, 2012

Një libër i edukimit qytetar (PORNOKRACIA e P.-J. PRUDHON, botimet HELGA'S SECRET)

Pornokracia, domethënë “pushteti i prostitutave”. Në historinë e Romës, u quajt një periudhë e shkurtë, kur pushtetin e morën 'pornet' e oborrit. Në ditët tona kuptimi shtrihet mbarë demokracive spektakolare.



Me vite i jam drejtuar termit 'pornokraci', duke nënkuptuar gomorrën-bllok të Tiranës, me kah nga muzika 'nudiste' që shpërtheu në masë në Ballkan qysh në fundin e viteve '80, por që në Shqipërinë tonë hyri sidomos pas vitit sizmik '97.

Pikërisht tani që disa nga këto këngëtare ia hynë politikës, duke u bërë 'pornokrate' me të gjitha atributet, ndjej se termi pornokraci nuk duhet përdorë më për 'to. Janë të tjera 'pornet'* që e prodhojnë sistemin perceptiv ku vegjeton shqiptaria. Dhe këto 'porne' janë së pari opinion-keqbërësit dhe klika e njerëzve që dreqosin perceptimin publik shqiptar, bashkë me burokratët e kulturës, legjitimuesit zyrtarë të çdo skandali. Dhe shì këta 'pornë' janë dorëzanët e hyrjes së 'porneve' në politikën shqiptare. Dhe pikërisht pse janë këta, nuk kemi më çfarë të shpresojmë.

Ka shkruar Brankati: «[...] “Neroni u kujtua për Epikarinë, dhe duke mos besuar që një grua e duronte dhimbjen urdhëroi ta torturonin. Por as kërbaçi as zjarri as tërbimi i xhelatëve nuk e bënë me rrëfye; dhe kështu, ajo fitoi ditën e parë. Pasi e çuan të nesërmen tek po ato tortura, duke mos mundur me u mbajtë në këmbët e saj të dërmishura, grisi nga gjoksi një cohë, e lidhi nyjë tek stoli, bëri një lak në fyt duke e ngushtuar me peshën e trupit, dhe e mbyti edhe atë pak frymë që i kishte mbetur. Shembull i paharrueshëm sesi një prostitutë donte me shpëtue do të panjohur pas gjithë asaj agonie, kurse burrat - kalorës, senatorë - pa torturë, kallëzonin njerëzit më të dashur. [...] kur një shoqëri nuk mund t'i zërë më besë prostitutave të veta, ka marrë fund gjithçka! Nuk ka mbetur asgjë më ku të shpresosh!»*

Përtej Ballkanit, pornokratët janë do udhëheqës të jugut t'Europës apo veriut të Afrikës, në një moshë që shqipja e quan 'të thyer', por që nuk ua përtojnë festave goliardike. Rininë mundohen ta riprodhojnë falë 'implementimit' të një lënde sintetike që në rast se pas vdekjes do çoheshin në kremim, do i bënte me u ardhë era gomë**. Po përse një libër merret direkt apo indirekt me këso inertesh?

Pavarësisht se jo pa qëllim jam munduar ta bëj me qarkullue termin 'pornokraci', nuk kam pasë ndërmend me e përkthye një libër të tillë, edhe pasi zbulova që një libër i tillë ekzistonte.

Ajo çka më bindi për shqipërimin e këtij libri ishte një libër tjetër, ai i bashkëkombasit të Prudonit, Guy Debord, dhe pikërisht 'Shoqëria e spektaklit' (bot. Gaid Margot, 2009): një kritikë radikale e pushtetit të imazhit në shoqërinë aktuale, e shprehur nga një laik e mbase ateist, por me ndjetin e një profeti Moisi, përmbysësit më të madh e më të hershëm të antropomorfizimit.

Tjetër ngjashmëri e Deborit me Prudonin është refuzimi me u ba autoritet në kontestimin e autoritetit, siç e gjejmë te një letër që P. i dërgonte K. Marksit për bashkëpunim. Ai i thoshte:



«Hajt t'i kërkojmë bashkë, në daçi, ligjet e shoqërisë, mënyrën sesi realizohen këto ligje, procesin sipas të cilit arrijmë me i zbulue, por, pashi Zotin, pasi t'i kemi shkatërruar të gjitha dogmatizmat a priori, të mos mendojmë me e indoktrinue popullin; të mos biem në kontradiktën e bashkatdhetarit tuaj Martin Luter... Nuk duhet ta shtrojmë aksionin revolucionar si mjet reforme sociale pasi ky mjet i pretenduar do t'ishte thjesht një apel ndaj forcës, arbitraritetit, shkurt, një kontradiktë».***



Situta e sotme na lejon së paku një konsideratë në lidhje me këtë; se Prudoni, edhe duke qenë një dialektikan modest para Marksit, rezulton një edukator shumë më i mirë se ai. Prudoni beson te ndryshimi i vetvetes. Marksi tek ndryshimi i botës. Por sa më shumë njerëz të besojnë tek ndryshimi i vetvetes, aq më shumë ka me ndryshue bota.

Ndryshimi më i madh dhe më dramatik i ndodhur në kohën moderne i përket sferës së edukimit. Ky ndryshim ka trajtat e një përmbysjeje radikale. Më parë, përgjatë të gjithë periudhës klasike (nga antikiteti në Rilindje) e deri me revolucionin industrial, mjeti kryesor i edukimit ishte narracioni. Në qendër ishte njeriu. Sot jemi të pranishëm në eklipsimin e plotë të këtij instrumenti par excellence të ethosit njerëzor. Narracioni është i vetmi instrument që mund të quhet organ. Humanizmi është i minuar nga teknologjia. Mjeti kryesor i edukimit sot është imazhi. Një mjet që kurrë s'mund të jetë një organ, pasi është i vdekur. Pasojat janë të pallogaritshme. Ngushtimi i rrezeveprimit të memories. Debilizimi. Kakofonia. Makthi teknokratik. Karaokja ekzistenciale.

Ne shqiptarët jemi te karaokja ekzistenciale. Kushdo që jeton në Tiranë a Prishtinë e kupton këtë gjë. Karaokja kombëtare është emisioni më i ndjekur.

Thamë, se pornet sot nuk mund të quhen vetëm ato që për Prudonin ishin të tilla, por sidomos duhen quajtur të gjithë individët që e kanë shitur jetën e tyre për t'i dhënë jetë imazhit spektakolar. E gjithë 'rizoma' që përmendëm: e opinion-keqbërësve, fuksave, sekserëve që e kanë shndërruar pushtetin në një orgji onaniste që pushteti kryen mesveti. Kjo sot ka mbërritur deri në atë pikë, sa nuk dallohet më a e kanë shndërruar këta politikën, a politika këta.

Nën dritën e Debord-it, ne sot kuptojmë se pushteti - për relativizimin e të cilit P. luftoi gjithë jetën - na ka vjedhë të vetmen pronë, që as Prudoni nuk do e quante një vjedhje: kohën. Ka të drejtë P. kur thotë se prona është një vjedhje, qysh në paragrafin e parë të librit të tij më me ndikim. Por kohën time unë si individ (pra si i pa-ndashëm shì nga ajo) nuk ia kam vjedhur njeriu, por po ma vjedhin. Jetojmë në epokën kur kompanitë e telefonisë së lëvizshme bëjnë oferta 'marramëndëse' duke të ofruar me qindra minuta në javë, falas(!), për të ndjenjur në linjat e tyre. Ato na falin kohën tonë sikur të ishte e tyrja. Dhe shumë spektatorëve të devotë kjo i duket përfitim.

Kuptohet, se kuplaraja globale ka në qendër femrën, imazhi i së cilës është gjëja më e prostituuar në ekran, po aq sa ç'është i prostituuar edhe trupi i saj në rrugë. Dhe Prudoni sakt ka gjetur tek libertinazhi i femrës sindromin e dekadencës së perëndimit, si dekadencë e tipit dhe e modelit perandorak, e pame qysh në Egjipt, Romë e me radhë; por duhej të kalonte një shekull pas tij, për të kuptuar se kjo dekadencë jo vetëm që ishte pa fund, jo vetëm që nuk do prunte humusin e nevojshëm për lindjen e një kulture të re, por është përjetësuar in vitro nga pushteti dhe është bërë e shitshme nën formulën 'fundi i historisë'.

Dhe nëse Prudoni me të drejtë e dënon kultin e erotizmit si kancerin e kombit francez në shekullin e tij, sot Erosi ndryshon konotacion. Erotizmi bëhet debord-ianisht një nga barkat e pakta të shpëtimit ndaj 'irrealizmit të botës reale'. Një ndër të paktat fusha të veprimit njerëzor ku mund të gjindet 'jetësorja' në botë. Me kusht që ky erotizëm të jetë hedonizëm, jo përftim tekno-komercial i imazhit erotik.

Në kohën kur me “seksin” bëhet një marketing i pashtab, seksi ka vdekur.

Nëse duhet të flasim për 'pornon' si zhanër apo si kategori të së shëmtuarës mandej, do përmendim fjalët e shkrimtarit siçilian, Leonardo Shasha, që gjenden tek ditari i tij i titulluar “E zezë mbi të zezë”. Ka shkruar Shasha aty, se vetëm një herë i ka ndodhur në jetën e tij të shohë një film porno. Për pak minuta. Dhe e ka kuptuar se e vetmja gjë porno e një filmi porno janë spektatorët e tij. Pra nëse spektatorët janë porno, atëherë si e ka emrin qytetërimi që i prodhon ata në shifra industriale?

Megjithatë, pas një refleksioni kam mëtuar t'i jap një konotacion tjetër fjalës porno. Për mua ajo shënon njeriun pa metafizikë, çdo gjest a veprim që e mëton lirinë a vlerën si diçka fizike; anën formale të praktikimit të një kredoje, mekanikën e një mënyre jetese - deri edhe të një religjioni; banalizimin e tejskajshëm të çdo hapësire, mizozofinë e turmave, snobizmin folitik, makiavelizmin fshatar të kapitalizmit egërshan në Evropën lindore, skizofreninë e kapitalizmit të avancuar perëndimor etj. Porno është fryma e kopjes. Është kallpi që vetëquhet origjinal. Liria pa metafizikë.

O spektator: gjëja më pak porno, pra, është filmi i zhanrit porno, kulmi i pornos je ti që e sheh dhe sheh veten tek e sheh. Nuk është aq porno politikani që çon kamerieren në banjo, sa ç'është suksesi që ka videoja (e fshehtë!?) e këtij skandali. Qoftë ky një sukses i kurorëzuar me diskreditimin publik të politikanit. E kështu me radhë. Dhe akoma më porno është harresa mes dy skandalave. Suksesi është institucioni më pornografik i shoqërisë së spektaklit. Dhe vini re se si një botë që e ka zhdukur ngjarjen, krijon një mit që e ka rrënjën të prejardhur nga ngjarja!

Shpresoj që ky libër të mos lexohet për turizëm mendor, si ekskursion në një shekull ekzotik, aq sinkronik me moshën psikologjike tonën, të shqiptarëve, por të kuptohet ashtu siç është, si një polemikë e zhvilluar (atëherë në Francë dhe sot te ne) në kohën e duhur, kur emancipimi i femrës brenda patriarkatit, po shndërrohej në zholin me ngjyra të vetë patriarkatit. Kur patriarkati duke pranuar kufinjtë e vet, e zhdukte njëherësh rolin e burrit apo të gruas duke i hapur udhë karrieristit pa shpirt e pa gjini të kohës sonë. Epoka jonë është domain-i i të pakategorizueshmes, dhe e pakategorizueshmja është monstruozja.

Pornokracia është patriarkati pa patriarkë, kulti pa kulturë, kandisja pa moral; është asgjësimi i diferencave përplotësuese mes femrës e mashkullit, në favor të vetëmjaftueshmërisë egocentrike si gjegjëse e modelit të monopolit në sferën private.

Besoj se librin Pornokracia, do e ndjejnë më pranë leçitësit e kakotopive, asaj aradhe librash që në fakt do e përuronte Zamjatini gjysmë shekulli më vonë me romanin 'Ne', ndjekur nga Huxley, Orwell, Burgess, JG Ballard. Pavarësisht se nuk ka kompozicionin as thukninë e romanit, ky pamflet ndan me këta diziluzionistë të mëdhenj energjinë e tij profetike.

Në kohën kur fizikja ulërin se po ulërin realen, realja është bërë më e fshehtë se kurrë. Realja, realja e mirëfilltë ka gjetur një poezi të sajën që dukej se e kish humbur. Realja është bërë metafizike!


 *V. Brancati, Il bell’Antonio, Bompiani, f. 50. Më sipër bashkëbiseduesi i protagonistit i referohet faktit se një prostitutë, padrone e një bordelloje, ka shprehur simpatinë për Duçen, duke thënë se do dhuronte dhjetë vjet nga jeta e saj veç për të fjetur një natë me Mussolinin.
 **...siç vëren një kultivues privat i humorit të zi në Shkodër.
 ***Letër e 7 majit 1846.

A.C.