mercoledì, novembre 28, 2012

PORTRETI I PLAKUT TE VLORES

Artisti Eltjon Valle më fton me më tregue pikturën e tij të fundit. Vizitojmë apartamentin tij, në skaj të lagjes ‘Isola’ të Milanos, ku muret janë të mbuluar nga kuadrot e tij me format të madh, në tonalitete të errëta, shpesh monokromatike. Këtu lart mbërrijnë veprat të cilat autori i ndjen më afër, ato që meritojnë të rrinë veç, larg angarisë së ateljesë. Herën e fundit që kam parë një seri prej tij, ishte një inventar i shkrimtarëve të mallkuar të shekullit XX, ku secili mund të njihte shkrimtarin e vet. E vetmja gjë që ka mbetur e pranishme edhe sot, nga ajo ‘recherche’ e dikurshme, është përdorimi i naftës në telajot e tij, me bazë bojrash vaji. Hedhja e bazës ose ‘grunti’ bëhet gjithmonë me bojra klasike. Më vonë vjen retushimi me olio di pietra ose petrolio. Elementi naftë për Vallen, është një mënyrë me sondue fëmininë e vet, në jugun industrial. Dhe fëminia është obsesioni i çdo artisti. Duke ia shtuar naftën, piktura e tij refuzon me qenë e bukur tout court. Ajo të imponohet me mënyra të tjera. Sikundër në mënyrë magjike një fëmini mund të jetë fatlume, pa qenë e bukur. Piktura e tij të imponohet në radhë të parë me dimensionin e saj urban, ku asgjë nuk i lihet rastit. Valle e vazhdon kërkimin e tij në të gjitha përthyerjet e postmodernizmit, duke kërkuar udhën e tij në peisazhin apokaliptik. Megjithatë herë pas here, ai ndjen nevojën t’i kthehet akademisë.
Këtë radhë ka marrë përsipër një subjekt pa të dytë, personalitetin më në zë dhe më të padiskutueshëm, flamurtarin e Rilindjes sonë, Ismail Qemalin. Larg zhurmës institucionale, larg fetishizimit mediatik, ka qenë vetë familja Vlora që e ka porositur këtë portret, e pakënaqur nga përshfaqjet e deritanishme të kësaj figure sa të nderuar aq edhe të shfrytëzuar. Nismëtari i projektit shprehet i kënaqur me rezultatin, dhe uron ta shohë në qarkullim sa më shumë, deri sa kjo e përshfaqje të tjera si kjo t’ia zënë vendin atyre të realizmit socialist. Për filatelistët urojmë ta kemi edhe në ndonjë seri pullash. Ka ende shumë punë me arritë tek ndryshimi i perceptimit edhe për këtë ikonë kombëtare.
Shumica e shqiptarëve e njohin atë nëpërmjet filmit, i cili, pavarësisht aktorit të pazëvendësueshëm që e luan, e rëndon gjithçka me një retorikë prapavepruese, që e prish vërtetësinë realiste të kohës dhe vendit, ‘hic et nunc’-un aristotelian. Më shumë se gjithçka, na intereson me hetue pikëpjekjen e përmasës njerëzore me përmasën historike të asaj bëme. Nga libri i edituar e botuar prej Darling I. Vlora, përmendim një citat që na jep nga afër kalimin e vështirë drejt destinacionit që bëhet destin. Nga kujtimet e delegatit Dh. Zografi:

«…Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç’kemi parë dhe ç’kemi bërë në këtë udhë bëhet një roman më vete. Fushët e Muzeqesë, të mbytura me ujë, dukeshin si nonjë det pa anë dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë më këmbë në ujë gjer mbi gju, asisoj dhe udhë të gjata me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali. Për tu vënë re ish guximi, kurajua, fytyra e ëmël dhe e pandryshueshme e plakut Ismail Qemali, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar nër ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta veshësh, s’ta bën atë udhëtim. Po patriotizmi dhe gazi i punës së shenjtë që kish nisur, e mbushte me kurajo që të marrë atë udhë të gjatë. Duke parë guximin e plakut të shtrenjtë, na forcohej edhe neve zemra që të kapërcejmë gjithë ato rreziqe, të cilat kur i kujtojmë sot na zë tmerri. Ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që di dhe pa veprat e tij…»

…Poezia e fortë e realitetit. Shprehja “gazi i punës së shenjtë” flet për atë nivel realiteti ku aksioni bëhet poezi. Një poezi që duhet vazhduar. Ismail beu ka qenë kapiteni i parë i kësaj anijeje që quhet Albania. Të na falni që po i përmendim emrin ndërkombëtar, por i shkon anijeve një i tillë. Ai qe i pari që vërtetoi se kjo anije e vogël lundron, dhe i siguroi asaj njohjen dhe përnjohjen ndërkombtare. Ka pasur kohë kur një pjesë e vetë shqiptarëve e kanë sekuestruar këtë anije, dhe mu si Robinson Crusoe pas anijembytjes e kanë plaçkitur atë, anijen e vet. Dritëshkurtëve kjo i është dukur racionale, thuase mund të çohet në shpi atdheu copa-copa. Por është e kundërta, duhet të vendoset shtëpia në një atdhe, atëherë begatohet shtëpia e atdheu bashkë. Robinsoni e plaçkit anijen e vet, pasi ajo nuk lundron më, e nuk mund ta shpëtojë dot, i duhet thjesht për mbijetesë. Por anija jonë Albania do lundojë sot e mot e do ketë prapë kapitenë si Ismail beu. Piratët qysh sot kanë filluar të kthehen në papagaj.
Me cinizëm prej kritiku, them se arsyeja përse Valle e ka qarë portretin e Ismail Qemalit, vjen prej distancës nga historia dhe kompleskiteti i saj. Dora e tij lëviz me ritmnin e emocionit, pa ngërçin e ideologjisë. Sikundër ka aktorë që e qajnë tekstin pikërisht sepse nuk e kuptojnë atë, dhe vetëm kështu ata bëhen vetë teksti. Por Valle e ka ndjerë subjektin e vet, s’e ka duruar dot gjatë, e ka rrokur me penelata të shkathëta, ku gjithsesi ndihet një emocion që ka lidhje me sekretet e gjakut të të parëve. Dhe kështu kemi një portret të formatit mesatar (100 me 70), të punuar mbi një fotografi të përsosur të vitit 1910, prej arkivit të familjes. Kuptohet, që shtrimi i imazhit në pikturë, i jep atij shumë më tepër jetë, ngasa do t’i jepte një zmadhim i thjeshtë i resmes origjinale.
Mbi mur, prapa një gramafoni kinse butaforik, fytyra e plakut të urtë duket sikur buzëqesh dhe na jep bekimin, a thua se mirësia e tij na qenkej edhe mirësia jonë, sikur po na dhuron pak nga ai dinjitet duke e ngjallur atë brenda nesh, ku ka qenë i topitur për shumë kohë.
I thirrur gati para përgjegjësisë, për të realizuar portretin Valles i duhet të shfrytëzojë gjithçka që i ka marrë shkollës shqiptare dhe akademisë italiane që ka frekuentuar në vitet e vështira të formimit të tij. Për gruntin dhe flamurin, ai kërkon të kuqen, por nuk mjaftohet patriotikisht me atë të Onufrit, kërkon Tintoreton, mjeshtrin e kahershëm. Mosnjohja e historisë nga ana e piktorit, i jep kësaj pikture një pafajsi të rrallë dhe e çliron nga çdo akademizën e njëherësh nga çdo ideologji. Valle pikturon njeriun prej mishi dhe ashti dhe gjestin e tij.
Nuk është këtu vendi të flasim për modernitetin dhe tagrin shumëpërmasor të figurës së Ismail Qemalit. Si individ, pavarësi-bërësi jonë ka edhe një tregues tjetër shumë të rëndësishëm, se është ndër shqiptarët me zhvillimin më të mirë psiko-fizik të kohës. Na duket i dorës së parë fakti se ai ishte një figurë që po të mos kishte bërë Shqipërinë do të kishte punuar për Turqinë moderne, e mbase kontributi i tij direkt do t’i ishte shpërblyer familjes së tij aty. Por sikur ai të kishte zgjedhur të bënte për Turqinë, familja e tij sot do të ishte mbase më e kamur, më e madhe dhe më e respektuar, por nuk do të ishte më shqiptare.‘Amor fati’ e deshi për ’të dhe për ne që pas lavdisë të vinte kupa e hidhur. Një poet amerikan ka thënë: find what you love and let it kill you.
Na frymëzon maturia, drejtpeshimi dhe personaliteti i shëndetshëm i Ismail beut (për anglishtdashësit: lord Qemali). Ai nuk anon kurrkah. Kudo ku shkon është shqiptar, nuk është as lindor as perëndimor. Njerëz si ai europianizuan edhe Turqinë. Po të ishim si ai nuk do t’imitonim, nuk do ta bënim me anue anijen tonë, duke vrapuar herë kah perëndimi herë kah lindja. Kështu do t’ishim as lindorë as perëndimorë, pra edhe lindorë edhe perëndimorë. E në këto kohëra të globalizimit ne do t’ishim mediatorë të shkëlqyer të këtyre dy Botëve, që janë e njejta botë. Pra në vend që të ishin perëndimi dhe lindja dy gurët e mokrës që na grijnë qëmoti, do të ishin dy burimet tona që na furnizojnë padà me energji sociale. Do të ishte e vetmja mënyrë për mos e e fetishizue veten, siç kemi fetishizuar të gjitha ikonat tona.
Portreti e ka vazhduar rrugëtimin e tij. Janë bërë shumëfishime të shtypura dhe është shpërndarë edhe elektronikisht. Diaspora e shqiptarëve të Kosovës e ka pritur Darlingun dhe nderuar atë me qytetari nderi. Kuptohet që për stërnipin e Ismailit, ky është një vlerësim frymëzues. Ne shqiptarët e simbas-Londrës nuk e harrojmë amà, se ishte stërgjyshi i tij që na e dha qytetarinë bashkë me nderin. Nuk do të lejojmë e as nuk do të ndodhë që piratët të na i marrin të dyja.
Sot ky portret është pjesë e koleksionit privat të zotit Renato Skënderi. Me prani të kahershme në atdheun e pikturës, ai i ndih me sa mundet artit të ri shqiptar…Të gjitha formulimet janë të tepërta dhe e lëmë portretin të flasë.
Na intereson ta ndjekim udhëtimin e portretit. Jemi shumë kureshtarë të shohim si do festohet në familjen Vlora 100 vjetori. Si një Vit-i-Ri Shekull-i-Ri?…
Pavarësia është një realitet që duhet vazhduar pa ia prishur poezinë.