Me qenë intelektual nuk don me thanë me qenë në vijën e drejtë,
as në udhën e Zotit. Juda ishte i vetmi intelektual ndër apostujt
e Krishtit, i vetmi që kishte kulturë simethanë, kurse të tjerët
ishin analfabetë. Ai tradhtoi.
Amà leksionin ma t'idht bash atij ia dha mjeshtri, tue i caktue
njiherit edhe detyrën ma të vshtirë.
Ndjeshmënia ime për problemin e gegnishtes si problem i gjuhës
shqipe në tanësi, nuk ka lindë mirëfilli prej gazetave të
Prishtinës a të Tiranës (vaj hallit me t'lindë ndjenja nga gazetat), sa ka lindë prej do kryeveprave të
përkthyeme a shkrueme në kët variant letrar të shqipes. Nji mbi
tana, Iliada e Gjon Shllakut. Si ka mundësi që nji superkryevepër
e letërsisë shqipe, sikundër duhet konsiderue me të drejtë ky
natyralizim, nuk asht e përfaqësueme kurrkund në shkollat tona?
Dhe si ka mundësi që arin e gegnishtes, tregu i shtetit nuk e
pranon si valutë, por e quen të vjetër, arkaik? Arkaik e quen edhe
bylmezi Vehbiu Eposin tonë të kreshnikëve, teksa analizon
androgjininë e Halilit në trans, tue i ba nji përdhosje kshu edhe
Eposit edhe Freud-it. Por në kët shkrim do të merremi me nji
Ardian tjetër, jo me Vehbiun i cili ka ba harakiri me kohë.
Ardiani tjetër asht nji flamurtar i gegnishtes dhe i katolicizmit.
Madje simbas tij njena pa tjetrën s'kanë kuptim. Falë avancimeve
të tij gegnishtja sot tolerohet edhe nga Muçi, për hir të
urbanizmit katolik shkodran etj. Dmth, asht mrritë deri aty sa me
thanë, po, ka pasë dikur qytetnim edhe në veri. Nënkuptohet: tash
s'ka ma.
Ardiani tjetër madje arriti deri aty sa me fitue edhe simpatinë e
Kadaresë, i cili i dha bujarisht leje, tue e këqyrë nga syzet e
tij kagebese, "nuk ka ndonjë gjë të keqe pse shkruhet
gegnishtja".
Edhe vetë Enverit me ia pasë marrë, leja s'do ishte dukë ma e
amël.
Vetëm nji demokrat i flaktë si Kadareja mundet me të dhanë leje
me qenë vetvetja në këto vite të errëta mesjetare që po
jetojmë.
Në tanë kto vite gegnishtja e Ardianit shkëlqeu nëpër gazeta dhe
prodhoi aq shum artikuj gazetash sa me i ba konkurencë edhe vetë
standartit si gjuhë gazetash me u marrë shembull. Pra u prodhue nji
gegnishte letrare por me qëllime gazetareske, ergo, pa vlerë
estetike.
E meqë formën e dekonspiroi zhanri, at'herë ne gegët e maleve
kthyem sytë kah përmbajtja. Përmbajtja e artikujve t'Ardianit
ishte krejtsisht gazetareske. Sala, Edi, Nanë Tereza, Kisha,
Berisha, Fazlliçi, Nishani, Berisha prapë, Tuneli, Kriza, Kisha
prapë, Pullat e postës, Ligji, Maliqi, Iriqi etj. Nji eklektizëm
pa dandizëm, premtonte toka t'ujta në çdo faqe.
Por n'asnji prej shkrimeve ky klerik i munguem, nuk shpërfaqi
përkorsinë e pritun. Përkundrazi, nji vner ushtarak dhe nji ton
prej oficeri (i përkthyem me sukses në gegnishte kësaj here), i
përciti shkrimet e tij ndër vite, tue i ba me fshikullue si
kërbaçhane. Kërbaçi i tij antikomunist fshikulloi mu si kërbaçi
komunist, dhe Ardiani tankist rrafshoi e bani petë edhe trimin Kasem
Trebeshina, që e krahasoi me Hitlerin.
Në historinë e Vatikanit gjendet aleat ma të vyem të Hitlerit se
socialisti Kasem Trebeshina, por Ardiani të palamet i ka për me na
i nxjerrë ne, jo atyne që e kanë lavanderinë sa gazepi. E drejtë:
nuk ke pse me qenë konstruktiv aty ku asht ndërtue gjithçka, ne
kemi nevojë për tipa konstruktiv, që "të ndërtojmë
Shqipërinë e re". Megjithatë mbasi shau Kasëmin, s'arrita ma
me lexue asnji rresht nga kërbaçhana.
Deri sot, kur shof se Ardiani kishte dalë nga tanku dhe nën
këshillat e shokëve Blushi dhe Islami po udhzohej drejt Vatikanit.
Të gjithë bajshin sikur porosia për kët emnim vinte nga Tirana
dhe jo direkt nga Vatikani. Kësaj hipokrizie i shtohej kritika
konstruktive e Blushit për gegnishten e artikujve të Ardianit dhe
kritika konstruktive e Islamit për tonet e kërbaçme të tija
kundër Nishanit. Ardiani i përgjigjet Blushit se ka me e shkrue
standartin pa gabime, kurse Islamit se e respekton institucionin e
presidentit. Të dyja përgjigjet janë të lodhuna dhe të
stërthanshme, mbasi nji intelektual e shkruen kurdo gjuhën zyrtare
të shtetit të vet pa gabime – pra s'ka pse e ven në dukje –
sidhe e respekton institucionin e presidentit, si pasojë e
respektimit të ligjit.
Ju betohem se mu duk origjinal si nji pionier i Enverit i nxjerrun
para klasës për nji kritikë konstruktive.
Zemërimi im me Ardianin asht se me sektarizmin e tij e bani
gegnishten me u dukë për nji çast si koine eksluzive e pjesës
katolike, aq sa filloi marria e nëpër Shkodër rrethet paraletrare
që vetëquhen letrare flitshin cilsojshin gegnishte myslimane çdo
gegnishte që të mos ishte fjalë për fjalë ajo e Gjuhadolit. Tue
pasë kompleksin e të kenit pakicë, me synimin me pasë pushtet
prej shumice, i dhanë Evropës ngjyra fetare e kishtare që me i
kujtu pjesës muslimane se jeni ju pakica. Tu mos pasë kurrfarë
shpirti artistik futën duert nëpër artista mediokër dhe i hoqën
çdo shpresë me dalë përmasa e tyne reale. Tue qenë klerikë të
munguem nuk e kthyen në virtyt vetëmohimin e nji jete klerikale,
por në neurozë.
Nuk tha kurrnji fjalë kur Kadareja vuni do parathanie tek ata Camaj,
Zorba, Pllumi, si gjethe fiku me mbulue lakuriqsinë e vet, mbas
pilafit, kur s'e kqyrte ma kush.
Fakti se ky gazetar i gegnishtes kapitulloi para Blushit, nuk më
zemëron. Nuk më zemëron asgja në fakt, as toni i stërfalë që e
karakterizonte. Por më zemëron fakti se ky me shkrimet e veta
monopolizoi zemërimin si instrumenti ma i akorduem i demokracisë. E
monopolizoi dhe e kompromentoi me filistinizmin e tij. Foli për
shëlbim siç fliste Nanoja për katarsis.
Nuk e njofti kurrë Shqipninë me sytë e njerzve të thjeshtë, por
gjithmonë me sytë e verbër të pushtetmbajtësve: të Nexhit,
Berishës, Edit, Kadaresë. Pra nuk e njofti. Prandej duhet emnue jo
ambasador i Shqipnisë në Vatikan, por ambasador i Vatikanit në
Shqipni.
Veç zemërimi i rrejshëm shpërblehet me ofiq.