Kafe Drakul.
Sa
kam ardhë.
Kthimi
nga jashtë në atdhé, nuk asht ma pak emocionues se kthimi nga
Tirëra në provincë.
Nuk e
di pse lashë që miku im të më tërhiqte për tek kafja e fundit
që ishte çilë në kët qyqtet kafshësh që rrinë në kafe. Mbase
qe shpresa me pá ndonjë ftyrë të re femnore, a ndonji ftyrë të
vjetër të papame kaherë, mbase ndonji arsye tjetër ma e fshehtë,
por kurrsesi forca e inercisë. Nuk mundet forca e inercisë me të
çue drejt inercish të reja.
Sa
hymë më bani përshtypje se mobilimi e muret e lyeme me stuko
venedikase por të importueme prej Turqiet e të përzieme mandej
shqiptarçe, ishte pak hard-core. Nji varg hudrash sa gazepi varej pa
turp mbi banak.
Në
atë lloj pompe që shokët e mi të akalopisë, e quejnë me
admirim surrealizëm. E ky asht shoku i parë për nji sy si ky i
imi, në tanësi i pamësuem me teknikat e artit kontraceptual.
Amà
ky lokal më shkaktoi edhe nji mbresë të mirë: banaku i tij fin,
pa asgja të
tepërt dhe karriget e pakta i ftojshin njerzit me
ndejtë në kambë. E thashë, ja, ma në fund nji vend që ta nxjerr
gjumin. Se kishte sak, rrum nja dy-tri shekuj që jeta në kët
qyqtet qe kthye në nji konvaleshencë të vërtetë, por pa
përmirësim energjish jetësore, pa rikthim as të oreksit me punue,
as të oreksit me
jetue, të atij me shijue anën hedoniste të jetës, a
si e thonë njerzit këtu: me e kullotë ma... Veç oreksi me hangër
sa vinte e zgjahej.
Veç
halà nuk më ishte përshtypë qartë kjo mbresë ndër shqisa, kur,
nji fjollë e lehtë e nji tymi të tejdukshëm e ma të lehtë se
ajri, më shkëputi da-kadalë prej ritmit e mandej edhe prej të
tjerëve. Atëherë nën kët efekt, shkova e u ula te nji tavolinë
e kandit. Me nji portret aktoreje italiane mbi murin djathtas e nji
portret aktori hollivudjan me origjinë italiane mbas kreje, të
dy me origjinë origjinale shqiptare.
Piva
nji cigare e gati po më shijote, e po rrëshkisja ma thellë në at
topitje, kur, qe, më shkrepi me shkue në banjo për me u freskue
pak. Nuk jam si Leoja që ka kuriozitet me iu pá edhe banjat
mjediseve të reja që hapen për publikun, por simethanë, po më
qëllonte mue shorti me e përurue, prandej, e përurinova... dhe
sikur u rinova për
vedi.
Kur u
ktheva, me ftyrën në mos ma të zgjueme, të paktën ma të lame,
tek tavolina ime, shoh se qe ulë nji tip tmerrësisht
i çuditshëm. E s'më len as kohën me u habitë pse
po ikin tanë, kur më thotë:
-
Zatet, i dashtun.
-
Zaten, me ke kam nderin?
-
Juve si kush ju dukkem?
-
Si Vlad Tepeshi, fatosi kombiar...
- Po,
pikërisht ay jam, Drakuli me nammë... por unë më shumë përdornja
hunjtë sesa retorikën nacionaliste për punët e mia. Kam qenë
sitatheshja, i hurrit e i litarrit.
-
E mbase edhe shprehja prej jush ka mbetë...
-
Ppoo. Jjoo. Hurrin
nuk e shpikka h...unn... tek ne në
Dakki, e kanë pasë sjellë
hunnt... por
sitatheshja mmua
më mbeti.
-
Chi di palo ferisce di palo perisce, non è così conte?
Thashë
unë në mendjen time. Por Drakula kishte telepati.
- Po,
ashtu me hu, më dënuan dhe turkkit.
-
Po tash n'epokë moderne me se merreni?
-
Oh, po ta sspjeggoj, durim. Po juve çffarë do të
merrni? - ma
priti ai që kishte hallin e xhiros.
- Unë
nji kafe, simbas vendit kuvendi.
-
Bukkur.
Dhe i
bani nji sinjal kaq të avashtë banakierit, sa mu duk si ngurrimi i
qëllimshëm i qezarit në kolosé para se ta kthente gishtin e madh
për me vendos fatin e të mposhtunit n'arenë. Veçse unë
nuk e pashë si publik at gjest, por si gladiatori i mposhtun prej
mosluftimit.
- Na
ven edhe do muzikkë.
Klasikke, kuptohet, për mysafirin moddern.
Më
erdhi nji kafe e nxime, këllirë e shkuar këllire, as me qenë zie
me lesh të
palamë. Ladi shihte kah korridori i shkurtë majtas meje, ku
vareshin do steka bilardoje luksoze. Nuk iu shkulkan hujt nga mendja
dhe këtij...
mendova.
- Ja,
çfarë bëj tani me hunjtë
– më
tha me at shqipen prej sllavo-dakasi të Transilvanisë.
Por unë e kisha mendjen te kafja, dhe fill mbasi riktheva kryet në
pozicionin fillestar, mendova se më kishte ba me kthye kryet
qëllimisht për me më ba me ekspozue qafën. Dhe unë që bash at
ditë pata dalë me qejf prej të ngrohtit, e ma në fund pa pasë
nevojë me e veshë golfin.
-
Kont, i thashë, tue e pranue përfundimisht identitetin
e tij prej të vdekuni të pakallun, pozitën
e tij prej mbreti të ndërbotëve, a
mund të kem nji kafe ma të mirë?
-
Jjoo... Jjoo...
ka bbërë
më
të
mirën e mundshme.
- Jo
mu duk si e zieme...
- Ppo
e zierë
është
ajo dreqi e hëngërt...
-
E di conte, por më duket sikur â
zi uji veç e kafja veç...
-
Dale, se kshu e kka ekspressi sapo është vvënnë
në
punnë...
njësoj do dalë edhe tjettra.
- Po
pak sheqer kont, ju lutem (e me veti: na qenka dhe leibnitzian pale).
-
Sheqerin na e ka ndaluar biroja, por ka kripë... - tha
ai me nerva prej të
vdekuni që s'gjen vorrim dhe futi
dorën tek nji thes poshtë tavolinës e më hodhi do kokrriza të
bardha në kafen e zezë si nata transilvanike. Mandej futi thonin e
tij të zi e të gjatë të gishtit të vogël dhe e përziu. Në
fund, kur po bante me e nxjerrë, nga gishti i tij i hollë i shêjit
ra drejt e në filxhanin tim nji unazë.
- Oh,
tovarish, e kisha harrosur... (veç tek varrosjet e kishte mendjen
shejtani!) kisha edhe pak nga ky pluhuri i cianurit... e kam qysh
prej Luftës së Ftohtë.
Mori
unazën, e mbylli rubinin dhe e vuni prapë në gishtin e hollë. E
mbante siç mbahet kambëza e nji pistolete e jo siç mbahet nji
unazë.
-
Pra juve conte, i thashë unë me pak latinitet edhe në
za, keni qenë aktiv gjatë Luftës së Ftohtë.
-
Po. Pse prej kujt mësuan
ata? Dhe e dini juvve
pse u quajt e ftohtë?
-
Ngaqë ishte luftë
nervash mes byrokratësh të ftohtë?!
-
Jjooo. Dimri rus nuk hyn aspak. Asnjë
dimër i madh s'ka lidhje. Ajo qe
luftë e ftohtë, pasi ishte thjesht një
luftë civvile e jona. Por ne jemi të pavdekshëm,
prandaja...
dhe jemi gjak-ftohtë. Luftuam kryesisht në
bursë, me thënë të drejtën. Ndërsa
vegjëlia luftonte për pilaf. Dhe
faktikisht dolëm shumë më të pasuruar se çdo dilnim nga çdo
luftë e nxehtë, por sa parà bën kjo pasuria jonë? Nuk ha mordja
as dyfishim t'i japim! Të na thuash vdeksh neve është njësoj si
juve kur i thoni njëri-tjajtrit rrofsh!
Kshtu
mora vesh që kontit mund t'i faleshe nderit, por jo t'i thoshe
rrofsh!
Me
këto fjalë konti po hynte prej derës kryesore në rolin e vampirit
filozof, ma profesionistit në kohnat moderne, në kohnat kur
karriera asht gjithçka, ku edhe kometat luhet në
bursë!
-
I keni të
gjiththa aty, te 'Dimri i madh'...
këshilli i vamppirëve... në dimrin rus. Por mos u tuttni, se ne
nuk i tuttemi dimrit rus... më
shumë
na tuttet dimri nne!
-
Interesante.
- Kam
shumë respekt për vampirizmin shqiptar.
-
Komunizmin, deshët me thanë?
- Po
pra, vampirizmin... Ai, Rampiri ka qenë talent i linddur. Qysh para
se ta njihja. Një
virtuozz. S'kishe ç'ti mësoje.
E mbann mend takkimin me studentët?
...Ai e kafshoi edhe shekullin
e ri...
që ju akoma e ndiqni si bebat kur
ndukin
bishtin e mackave.
- ...E
mbaj mend si nëpër
tym atë takim, me sa na e
kanë
shtrembënue mediat veç.
- Po
pra, natën përpara pattëm
qenë bashkë për darkë. Çfarë ironiku ai, ë? Si iu tha
studentëvve:
juve nuk i dini ca gjëra. Nuk dinin menunë
e re, me ingrediantët e vjetër, që po u gatiste ai. Si i thonë
fjalës, mirë që do hani, po dikush duhet të gatuajë. Dhe
ky pilaf do tu thejë edhe
ato gjysma dhëmbësh
që ju kanë mbetur.
- Po
mirë kont, cili asht vampirllëku ma i madh që keni ba ju vetë?
- O,
nuk e kam bërë
akoma, atë po pres, ndaj jam edhe këtu
në mesin tuaj, e mbasse kur ta bëj
do të vdes
më
në fund nga gëzimi. Shiko, unë
i mësova të gjithë këta, dhe hapën të gjithë bisnez. Por edhe
unë e bëra time: këta hap një biznes, unë hapu antibiznes
përballë, në
krah, poshtë shtëpisë së prindërve.
Pse kush i lexoi Marksin, Adam Smithin, Bakuninin? Këta
parapolitikët tuaj?! Këta nuk dinin as shqip! Kupton?! Unë ua
thashë të gjitha. Kot, se jam snob!! Por më gjetën plak. Dhe
kujtuan se më lanë si pykë, hahahu... Besoj e kuptuat lojën e
fjalëve? (Dhe me gjysmë zani: Plepi
plak i plasur pak palcë ka pasur, Plepi plak i plasur pak palcë ka
pasur, Plepi plak i plasur pak palcë ka pasur...
konti i bënte kto ushtrime për zgjidhje gjuhe, me i vërtetue vetes
dhe mue se edhe pas gjashtë shekujt vegjetimi ai akoma ishte në
gjendje me llapë)
-
Ngaqë... pykë asht ai që mbet guak, por pyka asht edhe ajo majë
druni që shërben me vra vampirat... tue ia ngulë në... hëkhë...
në... zemër.
- Po,
pra, me më lanë ata mua si pykë. Unë i bëra rehat. Pse, s'i
thashë unë sektretarit tim dhe tuaj të parë En Verité-së,
ç'industri zezën do bësh, bëre traktorin dhe nuk të eci... e
vetmja industri që të ec këtu është një industri që bazohet
mbi një lëndë të parë që nuk ka kosto përpunimi...
-
Gjaku...?!
-
Ekzakt, zotni, gjaku. Industri, biznes, dhe për më tepër e vetmja
industri që respekton mjedisin. Pse kot e mora për sekratarim tim
të parë unë atë, ashtu vetëm Aliun kam patur!!
-
Domethanë, Vladiç, edhe ju paskeni vendosë me hapë biznes.
- Oh,
biznes këtu hap gjithkush. Unë do të hap direkt monopol. Ndërsa,
antibinzese simethanë kam boll. Jam Ladi i Dhombëve, ke nigju
besoj... Kam edhe atë uniseksin... më fal, universitetin privat.
Dhombët i njof kaher fort, i njoh me rrojë, simethonë... përpos
kësaj mund të shërbej edhe si pemtar gjenealogjik... ja ti për
shembull, i njoh të tonë të parët e tu... e keni gjakun e omël,
po duhet t'i shtoni pak ujë amà... dhe më zgjati nji gotë ujë që
ia mori kamerierit, gjesti i tij qe aq i avashtë, dhe unë kisha aq
të nxehtë, sa gjysma e gotës mund të avullonte deri sa të ma
vinte para ai. Kishte do kokrriza mbrenda... si naftalinë dukej, por
unë kishem tepër etje.
-
Falemnderit për komplimentin, kont – thashë unë dhe e piva me
neps.
Me aq
u ndamë, se shkoi në banak me pi Bloody Mary me kryetarin e
bashkisë.
Rrugës
mendojsha se si më ishin shkoqë tanë ato gjana. Tanë ata
vampirushat merrkan zemër e mësokan prej kryevampirit të
kryevampiratës botnore esnafit Vlad Tepesh, që masat e njofin vetëm
me nji emën: Drakula.
Po
Transilvaninë kujt do t'ia ketë lanë?
vijon