Të
gjithë ata që kanë pasë fatin me lexue në fëmini përkthimet
nga Petro Zheji, a Klio Evangjeli, Pashk Gjeçi a Gjon Shllaku, kanë
ruejtë me letërsinë artistike nji afërsi kaq të madhe, sa me e
ndi halà si afërsi gjaku. Dhe kanë fitue nji respekt për gjuhën
shqipe, që nuk e kanë humbë kurrë.
Emrat
nuk janë të numrueshëm. Shkolla shqiptare e përkthimit ka pasë
dhe në masë ma të vogël ka, mjeshtra kaq të mirë, sa në klimën
e sotme të zvetënimit shpirtnor, ende janë dorëzanët e lidhnisë
së njerzve me artin, dimensionin shpirtnor t'ekzistencës.
Petro
Zheji ndër të gjithë kryemjeshtrat e përkthimit përban
përjashtimin ma ekstravagant, për shkak se ai ka lanë nji vepër
të vetën me randësi epokale, dhe kjo asht "Shqipja dhe
sanskritishtja".
Në
tollovinë e botimeve të sotme në gjuhë shqipe, ku forca e verbët
fizike e mbisundon sensin e masës, energjia e mrritjes e përpin
energjinë e nisjes, vepra përkthimore e Zhejit, mbetet nji etalon i
maturisë, duke qenë Zheji artisti i matun dhe njeriu me formim të
mirëfilltë shkencor, që e ka rrokë artin si mbishkencë, por ruen
të paprekun higjienën mendore të intelektualit të mbrujtun me
logjikë.
Përfaqësuesi
ma i njoftun i zejes së përkthimit shqip para Zhejit, asht pa
diskutim Fan Noli, qoftë për arsye politike, qoftë për arsye
artistike. Noli, si përkthyes (por në gjithçka) i përket popullit
të vet. Por Don Kishoti i tij, pjesa e parë pra, asht nji version
që nuk i len mangut asgja të thanmeve e të bameve të Nastradinit.
Bukuria e gjuhës së këtij përkthimi asht e gjitha tek mjalti i
traditës fshatare shqiptare, nji traditë tmerrsisht e pasun dhe e
gjanë. Noli asht për gjuhën e vulgut. Asht popullor. Tjetër
karakteristikë e dorës së parë e stilit nolian në përkthim,
asht liçensa poetike, shkurt e shqip: përmirësimi i origjinalit.
Ose ma mirë me thanë zbukurimi, se zbukurimi jo gjithmonë asht
përmirësim. Dhe Noli e stilistët e tjerë të ksaj magje, e
shfrytëzojnë shqipen edhe me i shtue notat komike, edhe me e
thellue kumbin tragjik të veprave që përkthejnë. Kjo asht ajo çka
quejmë shqipërim. Kulmin e vet ky stil, nuk e mrrin me vetë Nolin,
por me Gjon Shllakun, me Iliadën e tij madhështore (versioni
gegnisht), shqipërim sa gjenial aq edhe jobesnik. Por shembujt janë
pafund.
Shqipërimi
shihet ende sot me admirim, dhe realisht filtri i shqipes duke qenë
vetë i praruem, i shton ar florinit të origjinalit. Por ka nji
problem: asht ar me karaturë tjetër. Çka prun me vedi
inflacionimin e produktit vendas. Në të njejtën mënyrë shkolla
italiane e dublimit, për krahasim, sakrifikon aktorët dhe vokalet
ma të mirë të saj, duke zbukuru veprat filmike të vendeve të
tjera, çka realisht rezulton damtore për vetë filmin italian.
Saherë na janë dukë dublimet italiane ma të bukra se origjinalet
amerikane! E sa herë na asht dukë e gjitha kjo nji harxh i kotë!
Duke intepretu interpretimin, a nuk kemi teatrin e teatrit? A nuk
jemi te meta-teatri?! Interpretimi origjinal asht i shejtnuem prej
vetë dimensionit historik në të cilin lindet... por kur Noli e
shqipëron simbas kushteve kozmo-historike të Shqipnisë së kohës
e cila ishte nji realitet në bamje e sipër, siç ka mbetë ende
sot, përsos se nji shqipe, jep edhe nji interpretim tepër të
pakonkurueshëm, që mbetet si totem, në të gjithë prodhimin
artistik shqiptar. Dhe në fakt po len terren të minuem. Kush merret
mbas Nolit me Cervantes-in o me Shakespeare-in, duhet ose me imitue
Nolin dhe me hy me kambën e djathtë në mbretninë e harresës, ose
me ba diçka krejtsisht idiosinkratike, duke u ba bashkëautor me
Shakespeare-in, çka ka kuptim, vetëm nëse përkthyesi asht
njiherit edhe vumës në skenë i pjesëve të bardit. Në tana
rastet duhet me u marrë me Nolin dhe me Cervantesin e Shakespeare-in
njiherit.
Por
shì ktu hyn në lojë Petro Zheji. Alternativa ndaj nolizmit.
Zbukurimi
i origjinalit, nuk asht përmirësim. Veprat kanë pjesë të
shëmtueme, që duhet të mbeten të shëmtueme, për hir të
ekonomisë së veprës. Mbas çdo zbukurimi, tek përkthyesi që e
realizon, fshihet artisti i dështuem.
Puna
e Petro Zhejit nuk shfaq këso mbivendosjesh artistike ndaj
origjinalit. Shkenca asht arti i tij. Njiherit, si njeri thellësisht
shpirtnor, Zheji nuk shef kontradiktë mes shkencës dhe shpirtit. As
mes arsyes dhe besimit. Puna e tij nuk ia hipotekon shqipes veprat e
ardhuna.
Njohës
i mirëfilltë i sistemit etimologjik e logjik të traditës
indo-evropiane, Petro Zheji ka respektin dhe distancën e duhun nga
gjuha popullore.
Asht
thanë e përsëritet se gjuhëbamësit e mëdhej të Rilindjes
evropiane, prej Dantes te Luteri, zgjodhën gjuhën e popullit si
gjuhë të letrave. Por nuk duhet harrue se përtej alibisë po
shkruejmë gjuhën e popullit, fshihet nji zgjedhje politike
revolucionare: ata shkruejnë gjuhën e borgjezisë. Gjuha e klasës
fitimtare të kohës, kje baza e gjuhës letrare të cilët ata
"krijuen". Noli e mbarë rilindasit zgjodhën mirëfilli
gjuhën e popullit, për shkak se borgjezia shqiptare nuk ekzistonte
si borgjezi (pra si klasë jo si individë) dhe si shqiptare
njikohsisht. Ende sot nuk kemi nji shtresë të mesme. Megjithatë
ata ishin diasporë, pra gjuha e tyne ruen shum shpesh nji distancë
diasporike nga shqipja popullore. Noli mundohet me e kompensue kët
distancë diasporike, por përfundon duke e vulgarizu shum gjuhën.
Por gjuha e zgjedhun prej Petro Zhejit nuk ka frikë me qenë
krejtsisht diasporike dhe krejtsisht poetike. Regjistri i Petro Zhejit ka distancën e duhun nga gjuha e popullit dhe nga ajo e pushtetit. Ky i gjuhës së mesme
(mesit të artë
të
gjuhës)
asht nji dimension shum i randsishëm që i jep mëvetsì veprës
intelektuale të Petro Zhejit. Don Kishoti pjesa II asht edhe
ujëndamës në zejen përkthimore të shqipes së kultivueme.
Në
dukje të parë, prodhimi i pamatë zhejian, shfaq nji paradoks.
Teksa përkthyesi shfaqet elegant dhe i distancuem prej shqipërimit
liberal të veprave që punon, vepra e jetës së tij "Shqipja e
sanskritishtja" duket sikur ia hipotekon shqipes pjesën ma të
kryehershme të etimologjisë indo-evropiane. Ai që nuk shfaqet
shqipërues në përkthim (e kush kishte ma shum tagër se ai, për
me qenë shqipërues!?), na del shqipërues n'etimologji!!
Njiherit,
shumica e pseudonjohësve të shqipes besojnë se shqipja asht gjuhë
e bame me arna, me huazime e kshu me radhë. E gjithë kjo asht nji
keqbesim, në fakt. Asht nji ndër mbeturinat ma toksike të
mendësisë komuniste. Fakti që fjalët e hueja quhet letrare, kurse
fjalët shqipe pranohen vetëm si dialektore dhe kjo ndodh te Fjalori
i gjuhës së sotme shqipe. Titulli duhet të ishte në kët rast:
Fjalor i mjerimit të gjuhës së sotme shqipe. Ata që nuk e njohin
shqipen, nuk ia dinë e nuk ia duen randësinë asaj. Kanë vuejtë
shum me msu nji gjuhë të huej, dhe ia besojnë asaj tanë
dinjitetin e nji mundshëm të nji gjuhe. Shumica prej tyne, mes të
cilëve nji pjesë e mirë kanë rol aktiv në shqipe, si shkrues e
përkthyes, ankohen se shqipja s'e ka kët fjalë, apo s'përkthehet
kjo fjala tjetër. Shqipes së tyne i mungon shumçka, e kujtojnë se
kjo i ndodh mbarë shqipes. Nuk e kanë të kjartë se shqipja nuk asht thjesht
arkaike, por asht arketipore. Leksikun e marrin prej kolegëve të
tyne gazetarë. Nuk e kuptojnë dimensionin kryesor të gjuhës që
asht tingulli. S'iu shkon në mend se nuk ka mundësi që shqipja me
qenë nji enklavë në leksikun e saj, ndërkohë që në sistemin e
saj tingullor asht perandori!!
Kulmi
i kësaj keqnjohje të shqipes shfaqet te nji dedikim, kur
shkrimtarja ia kushton veprën e saj të shkrueme në nji italishte
të cilën e njef ma pak se shqipen, fjalës "përvujtni" e
cila, simbas saj, nuk ekzistoka në shqip, madje nji e tillë
mosekzistencë ndikoka në krejt mbarëvajtjen e nji populli.
Sidokjoftë
vepra "Shqipja e sanskritishtja" nuk u pranue për botim,
si na e tregon edhe Zheji te parathania. Zheji nuk i numron arsyet
pse u ndalue, por s'ka dyshim se kjo ishte nji vepër me përmbajtje
thelbsisht metafizike, e cila pavarësisht se censorët nuk arrijshin
me e rrokë, i jep atmosferën krejt librit. Arsyeja tjetër, ma e
pritshme, asht se libri ishte krejtsisht antidogmatik dhe propozonte
nji përmbysje radikale ndaj mendësisë së mykun të gjuhësisë
militante të kohës, simbas të cilës shqipja ishte gjuhë
minore, pra gjeografia dhe
historia e saj ishin njisoj të
vogla. Ndërkohë
që
libri i Zhejit krijonte me
mjete shkencore idenë se
gjeografia fizike e gjuhës
shqipe, ishte në raport
të zhdrejtë
me gjeografinë
e saj metafizike.
Studimet
e indo-evropianistikës patën për shum kohë e deri në ditët tona
nji mbisundim prej sllavistikës. Mjafton me pa' faqen e Gjuhës
trake tek wikipedia gjermane, për me pa' se bibliografia thelbsore
asht sllave, përkatsisht pranohet si autoritet Duridanovi, i cili
fjalën burr të trakishtes e lidh me emrin Boris, por jo me fjalën
burrë të shqipes, që në fakt asht identike. Njikohsisht akull
e trakishtes lidhet prej tij me aqua të latinishtes, por jo me akull
të shqipes e me radhë. Asht e kotë edhe ndërhymja aty, se
shpjegimet shqip nuk pranohen as ndër kllapa. Kur opinioni shkencor
(i cili lind e vdes në nivelin e opinionit në fakt), nuk pranon
evidenca si kto që radhitëm ma nalt, si mund të pranohet nji vepër
si "Shqipja e sanskritishtja" që e përmbys perspektivën
krejtsisht? Për ma tepër kur autori i saj, asht vetë shqiptar?!
Duhet
të kemi parasysh se evropianët mjaftohen me identikitin tonë, dhe
nuk kanë shum kohë as
vullnet me njoftë
identitetin tonë.
Por që
edhe ne të
mjaftohemi me identikitin, e
të vazhdojmë
mos me e njoftë
identitetit tonë, kjo
asht, për
ne, e pafalshme.
Tek
kjo vepër e rinisë së vet, Petro Zheji, studion në mënyrë të
kristaltë, marrdhaniet e lidhnitë e shqipes me gjuhët kryesore të
antikitetit klasik. Rezultati asht mahnitës. Shqipja asht gjuha
arketipore, ose gjuha motër, pra nji motër e madhe që muer rolin e
nanës (mother).
Mund
të pohojmë se sanskritishtja asht gjuha e parë letrare e
indo-evropianve ose indo-gjermanve, por, e vetmja gjuhë e gjallë që
na lejon me kuptue diçka prej gjuhës së folun që ekzistonte para
kodifikimit të shkruem të sanskritishtes, asht shqipja.
Gjuha
asht në dimensionin e saj parak, arketipor dhe metafizik, fonî.
Kjo fonia, për të cilën flet Saussure, përkthet simbas
helenishtes, herë si tingull, por ma saktësisht si zhurmë. Pra
zhurmë, pra onomatope. Por shqipja asht e vetmja që ka foljen me
folë, e cila jep veprimin e të bamunit foni. Gjuha asht folnî.
Tridhetë e gjashtë folnitë e shqipes, na lejojnë ne shqiptarëve
me kenë poliglotët ma të natyrshëm në botë. Kjo nuk vjen prej
faktit se jemi ma të meçëm se të tjerët, çka nuk ka si me qenë
e vërtetë, por për faktin e thjeshtë se gjuha jonë amtare ka nji
shtrimje fonike prej 360 gradë.
Te
"Shqipja e sanskritishtja" përpos raporteve të shqipes me
gjuhët e kryehershme të indo-evropianve, hidhet edhe theza se
sanskritishtja asht gjuhë e ndërtueme, vepër inxhenierike. Kshtu
shpjegimet onomatopeike kalojnë me të drejtë në plan të dytë.
Pjesa
ma gjeniale e ksaj vepre asht zbulimi i visarit gnostik të shqipes,
dhe thezat e Zhejit – njohës i vërtetë ndo i mistikës ndo i
arritjeve të mendimit racional të shekullit të XX - e vendosin atë
ndër herojtë e mendimit shqiptar.
Penda e gjuheve simbas Luigi Cavalli-Sforza |
Me
kët vepër Zheji hedh përfundimisht bazat për nji fjalor të
mirëfilltë etimologjik të shqipes, duke i ba nji shërbim madhor
programit kulturor të shqiptarisë. Raporti që gegnishtja ka te ky
libër me tosknishten nuk ka qenë kurrë ma i natyrshëm. Kisha e
gjuhës shqipe nuk ka qenë kurrë ma e bashkueme, se te vepra e ktij
intelektuali të kulluem, që përfaqëson njiherit ortodoksinë
shqiptare dhe autoqefalinë e mendimit shqiptar.
"Shqipja
dhe sanskritishtja" asht nji libër që do t'i kishte pëlqye
Borgesit; dhe vërejtja se tana gjuhët me shum fjalë nji rrokshe
lejojnë këso arti kombinatorik, bie poshtë prej faktit se
anglishtja apo kantonishtja nuk mundson të tilla. Asht nji libër
gjithashtu që do i kishte pëlqye prof. Luigit Cavalli-Sforza, i
cili me rrugë të tjera mrriti me e vu shqipen në vend të parë te
penda e gjuhëve, te libri i tij "Geni, popoli e lingue".
Asht
po ashtu nji libër që mundet me e plotsue në shum gjana dhe me e
ndryshue perspektivën e kryeveprës së Benveniste-it "Fjalori
i institucioneve indo-evropiane", vepër tek e cila shqipja
lihet gjatë gjithë kohës jashtë loje, duke u përmendë vetëm
njiherë për fjalën "besa", e cila nuk analizohet as si
fjalë as si institucion, e pra asht logu par excellence i
mbarë institucioneve indo-evropiane të shoqnive parashtetnore.
Raporti
që shqipja ka me gjuhët e tjera të sotme e të kryehershme, asht
prova se jemi evropianë në spikamë dhe se gjuhsisht nuk kemi pse
të vjedhim. Se kemi identitet, jo identikit.
Kjo
asht shum e randsishme me përcaktue gjeografinë shpirtnore të
gjuhës dhe shpirtërimit shqiptar.
Në
kohën tonë kur edhe programin kulturor mundohen ta bajnë hajnat me
pushtet, asht e kjartë se hajnia ka me qenë pikë kyçe e atij
programi. Por pjesët ma të shëndetshme të programit kulturor real
të shqiptarisë bahen në heshtje prej individësh me sistem nervor
prej Petro Zheji, me nji nevrastë të krahasueshme me atë të nji
Solxhenjicini e nji Trebeshine, dhe dikur, kur të jetë ora e
njimendsisë e shqiptarët ta mbledhin programin e tyne të vërtetë
kulturor për me qenë nji kulturë e vërtetë, kta kanë me qenë
gjeneratorët kryesorë të rrymës së kohezionit mbarëshqiptar.
I
thirrun me tërhekë çmimin Asturias, shkrimtari jonë ma i famshëm,
deklaroi në prani të parisë së Spanjës se diktatori jonë ishte
nji don kishot. Në kët mënyrë, vërtetoi se nuk përfaqësonte
frymën e romanit dhe se e kishte keqkuptue thelbsisht shejtninë e
Don Kishotit, duke i dhanë figurës së don kishotit të njejtit
konotacion negativ që i pat dhanë intepretimi komunist, pra jo
kuptimin që i jep fryma e romanit. Duke na tregue se simbioza e tij
me diktaturën, nuk ka sosë kurrë si e tillë.
Diktatori
nuk ishte don kishot, Petro Zheji ishte don kishot (sikurse vetë
Cervantes). Dhe ne shqiptarët jemi evropianë pikërisht pse
nxjerrim don kishot si Petro Zheji. Kur t'i duem don kishotët tanë,
at'her kemi me e kuptue se kush janë herojtë tanë e kush janë
gjanat e shejta që na kanë lanë sakrificat e tyne.
Jeta
e vepra e Petro Zhejit mbesin nji dritare drite në qiellin shpirtnor
të shqiptarisë. Petro Zheji i kthen shqipes metafizikën e saj, dhe
nuk ka shërbim ma të madh që nji shpirt mundet me i ba shpirtit.
Dhe
shqiptarët kanë me e kuptue se vetëm duke gjetë dashninë për
gjuhën, kanë me e gjetë ma në fund gjuhën e dashnisë.
Milano
4-5 korrik 2014