-
Cilin libër kishe me marrë me vedi në udhtimin e fundit?
Komedinë
njerëzore të Balzakut.
- Po
Komedinë Hyjnore?
Të
gjithë jetën time u mundova të njoh njerëzit, dhe dua ta vazhdoj
përpjekjen, meqë jetën s'e vazhdokam dot.
- Po
me Komedinë njerzore a njohim ma mirë komedinë si zhanër apo
njerzimin si fabrikë komedish?
Njerëzimi
është komik. Kurse njeriu në vetminë e tij është thelbsisht
tragjik.
- Po
Balzaku?
Balzaku
duke qenë njeri dhe njerëzim njëkohësisht është tragji-komik.
- Ju
nuk besoni në jetën e përtejme?
Unë
besoj te jeta ime. Te ata që e duan jetën. Jeta e përtejme në
ekzistoftë ka për të qenë me detyrim e përcaktim metafizik, pra
jo e imja.
- Kshtu flet ekzistencialisti.
Po flasim për jetën si ekzistencë, jo për jetën biologjike.
- Pse
ky sens pronësie, te një njeri që s'beson tek prona?
Jeta
ka pronësi. I përket të zotit qysh në lindje, madje edhe para se
të lindi. Nuk kemi tjetër përpos kohës, brenda të cilës jeton
edhe i pastrehu, thotë një Makiavel spanjoll.
- Pse
dështoi Rilindja kombëtare?
Sepse
poetët nuk e bëjnë dot shtetin. Makiaveli thotë më jepni shtetin
dhe t'ju bëj kombin. Grekët e bënë kombin duke u nisur nga
shteti. Ne jemi kombi më i vjetër në Evropë dhe nuk e kemi bërë
akoma shtetin.
-
Jemi komb i ndamë.
Ne i
kemi mësuar të tjerët si të na ndajnë. Kshtu kemi ndarë
mjerimin.
-
Përkthimi?
Shkrimtari
nuk duhet të përkthejë. Do të gjendet vazhdimisht nën çekanin e
stilit të tjetrit. Kjo është fatale për stilin e tij.
-
Kshtu asht nse e konsiderojmë përkthimin punë në kuptimin
marksist. Por stili asht në gjak.
Atëherë
përkthimi ia hollon gjakun shkrimtarit.
- Po
Noli?
Nolin
e shpëtoi muza dhe muzika. Ai përktheu shqip në një kohë që
s'dihej a do të kishte Shqipëri.
- E
pshtoi Faiku!?
Faiku
ishte një dendi, tepër gjenial që t'ia dinte vlerën punës. Ishte
Noli që, me punë, e shpëtoi vizionin e Faikut.
- Po
tash a kemi Shqipni?
Tashti
nuk jemi pa gjë.
-
Kongresi i '72shit vendosi nji shqipe ku nuk pasqyrohet ma shum se
çereku i kombit e letërsisë sonë. Kushdo që s'asht i zoti i ksaj
gjuhe konsiderohet katundar. Lasgushi refuzoi ta firmoste me
shprehjen "unë nuk e firmos këtë kartë palaçosh". Çka
asht nji gjuhë që s'e ka bekimin e poetit?
Kongresi
vendosi drejtshkrimin. Të jeni të sigurt se mos të ishte bërë
asokohe, edhe tani pa drejtshkrim do të ishim. Shqipja nuk ka fund
as ka pse të ketë.
- Po
gegnishtja? A asht nji shqipe tjetër?
Asnjë
nga lëvruesit e sotëm të gegnishtes s'më ka bindur, deri kur
lexova një përmbledhje me poezi të Ledia Dushit. Gegnishtja është
shqipja e poezisë.
- Nji
shkrues me të cilin baj debat prej vitesh, kur ishte mysafir i nji
familje arbëreshe në Romë, u mundue t'iu msonte atyne
drejtshkrimin zyrtar, harronte se atyne s'iu ngjisnin "ç-ëhat"
e "xh-ëhat", dhe shkurt la namë, tue u ba mysafir
arrogant dhe i bezdisshëm, shkurt "zyshë".
Poezia
e arbëreshëve është më e pastër dhe më e pasur se çdo
shkollë. Domethënë është shkollë më vete, ku ne mund të hyjmë
si nxënës e jo si mësues.
-
Njiherë nji mik i përbashkët po ankohej se poetet shqiptare nuk
kanë gjoks. Juve i njihni ato. A mund të na e konfirmoni këtë
konstatim?
Do
t'i pyes njëherë a kanë gjoks, se të them të drejtën gjithë
këto vite nuk më ka shtyrë kurioziteti t'i shoh në këtë aspekt.
-
Juve jeni socialist?
Jam
realist. Në leximet e mia të pafundme nuk kam gjetur inteligjencë
më të kulluar se Engelsi. Në luftën e dytë botërore do t'isha
antifashist, ergo i majtë.
-
Juve jeni antiklerikal. Si Migjeni. Tregojnë se Milloshi i tallte
murgeshat kur i shifte kah kalojshin para Kafes së Madhe.
Antiklerikal
janë vetë klerikët. Unë jam shkrimtar. Kam vizionin tim. Nuk i
duroj atavizmat. Migjeni ishte modern. Kthjellësia e tij mendore
akoma na e tërheq vëmendjen nga problemet reale.
- Po
fjalët e Migjenit a duhen marrë tekstualisht, apo si metafora?
Mjerimi për të cilin flet ai nuk shkulet kurrë ngaqë asht ma
shpirtnor se ç'e imagjinojmë. Debati i vjetër forma apo
përmbajtja? Cila e përcjell tjetrën...? A mund të thomi se janë
e njejta gja?
Nuk
janë e njëjta gjë. Migjenin e marrim tekstualisht se ai tekst ka
lënë. Përmbajtja është limfa.
-
Njiherë jam prishë me nji shok vetëm se ju kam konsiderue pjesë e
shkollës së sotme shkodrane. Juve nuk ishit as katolik dhe as
shkodran, e kjo e çoi në qark të shkurtë lexuesin e ish-shokun
tem.
Mund
të më kenë marrë për antikatolik e antishkodran, por letërsia
ime e pasqyron artistikisht Shkodrën me të gjitha dritë-hijet e
saj. Me realizëm. Këtu është vendosur pjesa më e mirë e jetës
dhe e letërsisë sime. Sakrifica ime... dhe sacrum facere domethënë
të bësh diçka të shenjtë.
-
Shkodra i ka dhanë kaq shum letërsisë kombtare sa më duket
absurde që në gjuhën e quejtun letrare, nuk pranohet as
paskajorja, kjoftë edhe për hir të Shkodrës?
Paskajorja
është një kalë troje, ajo e merr kalanë nga brenda, po hyri ajo
shkatrrohet standarti.
-
Juve keni qenë aktiv në ndërtimin e socializmit.
Kam
punuar. Koha vetëm i ka konfirmuar idetë e mia. Koha korrigjon
vetveten. Idetë mbesin. Puna vazhdon.
- Kam
bindjen se njeriu nuk mund të ndërtohet, po u mundove me e ndërtue
(me inxhenieri sociale), e shkatrron. Duhesh me i krijue kushtohet që
ai me ndërtue veten.
Njeriu
ndërtohet. Nuk ndërtohet me baza ideologjike, por me baza
humaniste. Pra me bazat që ka vendosur vetë njeriu. Paqja ndërtohet
mbas luftës. Humanizmi nuk është anarkizëm. Energjitë e
pakanalizuara nëpërmjet punës, ato po, janë destruktive.
- Po
liria?
Liria
është alibia që ka i ligu për të shtypur të dobtin. Ç'është
një vend që të jep liri, po nuk të jep punë??!
- Po
sikur kafshët të lexojshin cili do të ishte shkrimtari i tyre i
preferuem?
Xhek
London.
- Ma
parë se Ezopi apo La Fonteni?
Edhe
më parë se Anderseni. Londoni nuk shkruan alegori. Kafshët e tij
janë kafshë, nuk janë njerëz të maskuar.
- Nuk
keni qenë kurrë purist në gjuhë? Përkundër trendit të kohës.
Si
mund ta konsideroj turke një fjalë që shqipja e ka përvetsuar
prej 500 vjetësh. Apo sllave një fjalë që e përdorim që nga
mesjeta. Imagjinoni sikur të gjitha gjuhët të eliminonin huazimet,
do të mbeteshin më lakuriq se mbreti i Andersenit. Këta që duan
t'ia ndërrojnë emrin Velipojës e gjoja t'ia shqipërojnë,
kujtojnë se historia arnohet. Se kështu e kanë edhe formimin, me
arna gjithandej.
-
Jeni shahist shum i fortë, pavarsisht se lueni pa mbretneshë, dhe
në nji moment të caktuem kemi pasë bindjen se sikur të pranojshit
me luejtë me damë juve do t'ishit i nivelit kombtar.
Jam
koherent me filozofinë time. Pa damë. Ka që lozin pa tabelë, ka
që lozin mendsh, unë loz pa damë.
- Më
kanë tregue se njiherë, në Shkodër, te nji klub i sheshit "Dy
Prilli" besoj, dikush, nji stjuardesë ju asht afrue mbasi ka
zbritë nga nji makinë lukzose dhe ju ka dorzue nji çantë me togje
dollarësh amerikanë. Me fjalët: kto janë për ju zoti Drini. Juve
nuk i pranuet!? A ju ngacmoi kureshtja prej kujt vinin? Mos ishte
nderim për nji favor të vjetër? Kjo bani xhiron e rretheve letrare
dhe të gjithë thoshin pse s'i mori të m'i jepte mue.
I
thashë se kur të kem nevojë mund t'i marr, por për momentin nuk
kisha nevojë. Nuk e vrava mendjen se nga "më" vinin. Këto
janë gjëra që ndodhin nëpër librat e mi, dhe jam i familjarizuar
me 'to. Jeta krijuese të familjarizon me të gjitha të mirat e të
këqijat, e realisht këto s'kanë pse të ndodhin më. Mund të
rrinë edhe në raftin e mundësive dhe ne s'na prish punë. Sa për
reagimin e rretheve letrare, këto janë engletisje. Ai që do t'i
zgjidhë hallet nuk pret një çantë nga qielli, e edhe po i ra ajo
çantë, nuk ka për t'i zgjidhur falë hapjes së saj. Hall problemi
e hall zgjidhja. U kthye në thashethem kjo ndodhì, në engletisje
provinciale. Edhe unë kam engletisjet e mia. Askush s'di të
engletiset më mirë e më bukur se asketi.
-
Cili asht kryekushti për me pasë letërsi të madhe?
Duhet
një epokë e madhe, një gjuhë të cilën e tashmja e kthen në
madhështore. A mbase është gjuha që ia jep madhështinë së
tashmes. Probleme të mëdha sociale.
- Po
kshtu i bjen që Afrika me pasë shkrimtarët ma të mdhej?
I ka,
por thjesht nuk e ka kuptuar akoma. Nuk u është zgjuar gjuha akoma.
Nuk e dijnë ende sa madhështore është Afrika. Afrika e shenjtë!
- Për
kontributin në fushën e letrave, përpos çmimeve dhe mirënjohjeve
të tjera, shkodranët dishrojnë me ju dhanë lavdin "shkodran
i vjetër".
Jam
shkrimtar shqiptar. Kurrë s'i kam bërë kortë Shkodrës, as
Shkodra s'më ka bërë lajka. Nëse Shkodra ma respekton veprën,
unë me vepër e kam respektuar. Migjeni e ka quajtur Shkodrën
dashnorja e moteve, dhe nëse Shkodra m'i ka hedhur ndonjëherë
sytë, unë e kam dashur atë me vesh, me dëgjim, dhe me kriter, me
kritikë. Dhe me nuhatje sigurisht. Jam një dashnor realist.
Ndonjëherë dhe e kam prekur, ndonjëherë më ka prekur.
-
Ishte knaqsi me pi kto cigare me duhan sheldije të dredhun në këtë
kuvendim imagjinar.
Nganjëherë
edhe helmi është kënaqësi, me dozat e duhura sigurisht.
Skëndër
Drini, shkrimtar shqiptar
Voskopojë
1935 – Shkodër 2014
bisedoi Matrapapupa