venerdì, gennaio 16, 2015

GJEGJE BAKALLIT MBI OPIUMIN E POPULLIT


Artikulli i pedagogut Bakalli mbi Islamin, bani xhiron e mediave provinciale dhe të provincave mediatike. Ka disa mnyra me tërhekë vëmendjen spektakolare kah spektakli, dhe komenti opinional i çastit gazetaresk asht mnyra ma e cekët, dhe padyshim ma e shpejta.
U konsiderue Islami i prapranueshëm në Evropë. Dhe e ardhmja e Evropës, pa Islamin të përfshimë. Bakalli përdori shprehjen "opium për popullin", çka për nji çast na bani me mendue se asht leninist. Por, me sa dimë nuk asht i tillë. Në kët pikë, artikullshkruesi nuk asht koherent.
Ai hedh poshtë fenë dhe mban nalt idenë e shtetit. Po shteti, ai i ndamë nga feja që i pëlqekej, a asht modeli i frymës demokratike dhe iluministe që Bakalli kujton se po mbron? Stalinizmi, nazizmi dhe fashizmi kanë dalë nga shtetet dhe jo nga fetë. Ky asht fakt i pakundërshtueshëm historik. Asht shteti ai që e vendos kolektivin mbi individin, jo feja. Shteti asht gjithmonë ma piramidal se feja.
A e njef Bakalli fenë? A e njef iluminizmin? Dhe a e njef islamin shqiptar?
Cilido sociolog e din kontributin që ka pasë dhe ka ende besimi musliman në mbrojtjen e identitetit kombtar të shqiptarve. Lëvizja iluministe shqiptare, që njihet me emnin Rilindje Kombtare, ka pasë në krye në mes dhe në fund të saj figura muslimane që jo vetëm nuk e kanë përjashtue iluminizmin, por ka qenë prusat e tij për popullin shqiptar.
Nse Islami nuk mund të pranohet në Evropë, at'herë i bjen se bakallistat janë kundër integrimit evropian të shqiptarve.
Vetë iluminizmi nuk asht individualizëm mercenarist por i tillë serviret sot, kur Evropa e ka dështue iluminizmin e vet, tue e shndrrue tolerancën në nji mjet propagandistik, ku ajo me ndjet imperialist dorovit dromca prej monopolit të saj të lirisë. Por a mundet me pasë monopol ndërgjegja? A mundet dikush me ndërgjegje të plotë me hedhë poshtë ndërgjegjen e tjetrit? A ka Bashkimi Evropian frymë iluministe? Pa dyshim ata që kanë luftue për kët ide e kanë pasë, por ata që e qeverisin kët rend shoqnor shum-kombsh, mendojnë ma shum për karrigen e vet se për Voltaire-in. Evropa burokratike ka pasë nji politikë kolonizatore dhe jo iluministe ndaj identieteve të saj periferike, gjeografikisht brenda apo jashtë saj kjofshin ato.
Po cili prej iluministave të mdhej të Perëndimit asht tallë ndojherë me profetin, apo me Budën e Krishtin? Asht shum e thjeshtë, sikur profeti të ishte i pranishëm në kët botë të rrejshme, cili prej nesh nuk do t'donte me ia ndi fjalën e tij? Cili dijetar nuk do ta ndjente si privilegj madhor praninë e tij? A nuk do t'ishte profeti palë në bashkëbisedimin e ndërgjegjeve?
Cilët janë realisht palët në konflikt sot?
Beteja nuk asht mes Islamit e perëndimit. Ata që sulmuen redaksinë e të përjavshmes Charlie ishin mercenarë të paguem, por mercenarë të paguem ishin edhe satiristat. E gjitha u menaxhue nga spektakli në mënyrë spektakolare, në mënyrë që e gjithë vëmendja të ishte edhe njiherë qendërsynyese tek spektakli i pushtetit për spektatorët e vet. E përjavshmja Charlie doli me 1 milion kopje, çka nuk i përgjigjet kërkesës reale që kanë njerzit për te, por kërkesës spektakolare.
Në fakt beteja asht mes narracionit dhe imazhit. Spektakli synon me i "edukue" njerzit nëpërmjet imazhit, ky asht nji edukim i tipit "qeni i Pavllovit" që synon kthimin e nënshtetasit spektator në nji robot të komandueshëm, pa jetë të vetën të përditshme, pos asaj të prefabrikueme nga pushteti për te.
Islami n'esencën e vet, asht për jetën e përditshme, pra rezulton antispektakolar. Nuk asht i bazuem tek imazhi. Nuk pranon idhujtrina, viça të artë, as mekanizmat libido/histerike të kulturës spektakël/spektator. Islami nuk pranon mafiokraci, nuk njef ndëmjetsues mes Krijuesit dhe krijesës. Në këtë kuptim, individualizmi islam asht humanizëm.
Islami asht nji prej narracioneve ma të mëdha të njerzimit, dhe edukimi që ai i propozon njerzve ka nji moral, se çdo histori duhet ta ketë nji moral, dhe morali i çdo historie asht kuptimi i saj. Nse ne i kundërvemë nji narracioni të cilin s'e kemi ndëgjue deri në fund, nji imazh karikatural ku pandehim se karikaturizojmë atë narracion, at'herë kjo tregon se vetëm njohja jonë e historisë në fjalë asht karikaturale, por jo dhe historia në fjalë.
Të tanë narracionet e mdha, në fillim janë periferike dhe establishment-i ka frikë prej tyne, mbasi nuk asht gadi me e ndëgjue fjalën e tyne, e cila në mënyrë instintive iu duket ligj. Narracionet e mdha janë në krye të herës underground, dhe mjafton me kujtue të krishtenët e parë, që i tregojshin parabolat e Krishtit në heshtjen e katakomeve romake. Edhe ata konsideroheshin fanatikë dhe rrezik për rendin romak, rend i cili ishte në shkërmoqje e sipër, jo për shkak të lulzimit të narracionit kristian, por për arsye të mbrendshme të kalbjes së vet, për shkak se e kishte shterrue energjinë e vet histori-bamse. Sigurisht që mbasi del nga dimensioni underground, narracioni i madh, tashma në pozitat e fitimtarit, i persekuton narracionet e tjera. Ky kje edhe rasti i krishtnimit që u ba fé zyrtare, dhe sulmi ndaj narracioneve të tjera kulmoi me mbylljen e akademisë së fundit platonike nga Justiniani ilir në vitin 529. Por a asht ky rasti i Islamit? A asht Islami nji në konditat me i përndjekë narracionet e tjera?
Jo, nuk asht. Të paktën Islami evropian asht underground. Shihet me racizëm. Qarku i shkurtë pavllovjan e bashkëshoqnon ate me ngjyrën e zeshkët ose të zezë të lkurës. Aq sa muslimani i bardhë asht përjashtim dhe lyp kaptim të veçantë me u shenjtue gjuhsisht. Për Islamin vetë kto gjana janë të pakonceptueshme, por jo për idenë që ka spektatori mediokër për 'të.
Të kthehemi tek Shqipnia. Ne jemi jo vetëm nji nga shembujt, por modeli i bashkëjetesës fetare. Për mendimin tem kjo vjen ngaqë tek ne asht akoma i gjallë dimensioni "popullor" i popullit. Ata që shohin me monoklin borgjez popullin tonë e shofin kët si nji sindrom katundarie. Por ky asht ekuilibër njerzor, që s'pyet për viruset spektakolare të stinës. Asht e vshtirë me gjetë popuj popullorë mbrenda Evropës së bashkueme, dhe ata pak që janë të tillë konsiderohen si popuj jevgj. Populli, n'urtinë e vet, i pranon diferencat dhe diversitetet. Populli nuk e shef të ndryshmin si diversant, siç e shef pushteti ideologjik. Madje në prralla i ndryshmi shihet prej popullit si mbartës i virtytit dhe shpesh ka bekim hyjnor. Kurse të ashtuquejtunat mediat e lira, nuk i pranojnë diversitetet siç janë. Ato i armatosin diversitetet. Për arsyen e thjeshtë se duen me krijue vëmendje artificiale. Në antitezë me këtë premisë të prefabrikueme pej vetë tyne mediat propozojnë "parajsën e tyne artificiale". Nji botë ku jetohet në të tashmen e përjetshme, ku grueja nuk plaket kurrë, po mbetet "pjeshkë" tanë jetën, kjo edhe falë ndërhyrjes teknologjike tek vet trupi i saj. Kjo "parajsë artificiale" si ideal mediatik asht opiumi i vërtetë i popullit. Mediat janë inkuzitorët e rij. Tek figura e opinionistit spektakolar, ideologu dhe kleriku janë shkri në nji. Ksodore pushteti ka krijue shërbyesin e vet ideal, njeriun e aparencës, perceptimbamsin, opinionbamsin, i cili asht njiherit edhe tregtari dhe i tregtuemi, shitësi dhe i shituni. Demokracia spektakolare asht nji finestra finta. Nuk asht dritare e vërtetë, nuk ka nji komunikim nga mbrenda-jashtë. Asht nji dritare e pikturueme mbi nji mur të padepërtueshëm. Në kët pikturë disa rrinë në qendër, e kta janë ma të ngërdheshunit, të tjerë rrinë anash, e kta bajnë si disidenta.
Kritika e spektaklit ka lindë dhe asht zhvillue pikërisht n'atë Paris që sot asht epiqendër e këtij spektakli, pra periferi e fjetun e kritikës së tij.
Shqiptarët nuk kanë pse ndahen në tifozlleqe boshe siç mund të rezultojnë nga premisat bakalliane, por u tokon atyne ma parë se gjikujt tjetër me kenë ndërmjetësit e dy mendsive, perëndimores dhe lindores, me kushte që ma parë t'i kenë kuptue mirë të dyja. Me kusht që ta bajnë kët tue u nisë prej dijes së tyne popullore dhe esencës njerzore, e jo prej opinioneve të importueme pa doganë. Ajo çka shum opinionistë të dështuem e shofin si kompleks, asht në fakt nji privilegj i madh historik. Me lindë shqiptar don me thanë me kenë nji mediator i natyrshëm mes vetë Orientit dhe Oksidentit. Mes kulturës së vendueme ciklike dhe kulturës shëtitëse empirike. Me kenë madje ndërmjetës mes vetë Oksidentit dhe Oksidentit.
Kush nuk e kupton këtë, s'e kupton randësinë e momentit historik.
Islami asht n'Evropë qysh në shekullin e VIII dhe nse evropianët s'e kanë pranue halà, kjo tregon sa tolerantë janë ata.

A. C.