Me kthimin e vëmendjes shpirtnore kah gjuha shqipe, prej të cilës, ai
s’e pati hekë ndojherë, Petro Zheji, arrin, pa llafe, me e mbisundue
diskursin komiar, tue shpalosë të vetmin realitet kulturor që kemi, të
vetmen kulturë tonën reale: shqipen.
Në një vend ku i miri përmendet vetëm për keq, ose pritet me vdekë
për me thanë sa i mirë ka qenë, dhe sidomos sa të mirë kemi qenë ne me
‘të, mirësia eprane asht me ndejtë mënjanë, ose në shmang, tue sfidue me
integritetin tand, bashkëpunimin e ngushtë të dy formave ma korruptive
të organizimit të njerzores: turmës dhe shtetit. Ç’asht turma përpos se
nji shtet në stadin e vet ma kaotik, ç’asht shteti përpos se nji turmë e
organizueme me shtypë individin?!?
Jo vetëm mbrenda politikes, por edhe mbrenda letrave duhet me ndejtë
në shmang. Në mënyrë që mos me u zyrtarizue kurr, as në gjallje as në
dekë, tue ruejtë pra gjanë ma të randsishme n’art: vitalitetin.
Vitalitetin si cilësi e mbrendshme e punës tande. Çdo jetë që mundesh me
i dhanë veprës, duhet me e marrë prej gjuhës, prej zemrës së gjuhës.
Nuk ka jetë te shteti, as te turma, as te shkolla. Jetë ka te gjuha.
Kush merret shum me përkthim, e din, se me përkthye, ma shum se me
tradhtue, asht me u tredhë. Por ka vetëm nji mnyrë me vitalizue vedin me
anë të ksaj pune. Vetëm nji pshtim. Përkthimi nuk asht zanat buke (se
as bukën s’e siguron), e aq ma pak asht punë për lavdi (se lavdia ju
shkon të zotve të veprave, pra shkrimtarëve). Përkthimi nuk asht absurd
vetëm në nji rast, rast kur ai, bahet zanati ma kuptimplotë. Asht ky
rasti i Petro Zhejit.
Petro Zheji, nuk përkthente as për bukë as për lavdi; në kohën e bjerrjes totalitare të njerzores, ai po kërkonte Alephin.
Dëshmitë janë aty.
Mandej dimensionohen te Shqipja e sanskritishtja, që kam pasë fatin
me e recensue sa kje halà gjallë maestroja, dhe Libri i Aforizmave, që
falë nji rastisje fatlume, me ra në dorë këtë pranverë.
Zheji asht nji ndër të paktët heroj shqiptar të mendimit, e ma shum se shkrime gazetash, meriton me i kushte ditirambe niçeane.
Te Shqipja e Sanskritishtja, ndihej nji mbledhje e farishtes gnostike
të shqipes, por te Libri i aforizmave, ky visar shpaloset në tanë
rrezatimin dhe rrezeveprimin e tij. Aq sa të ban me ndie sikur gjendesh
para nji kabale të gjuhës shqipe.
Të gjitha gjuhët, kte Zheji e skjaron disa herë, janë udhërrëfyese
për te arketipi, por ne si shqiptarë bajmë mirë me u nisë pikërisht prej
shqipes, sikurse asht nisë vetë autori, i cili asht edhe ndër njerzit
që kanë mrritë ma larg kso shtegu, e pra, ma thellë.
Gjetja e parë, asht vetë lloji i aforizmës që parashtrohet këtu. Jemi
msue e velë, me aforizmën si zhanrin e mendimtarisë së thatë, nji lloj
ping-pongu subjekt-objekt, që kajherë rezulton sport akademik, e kajherë
tagji parazitare që ndërkallet aty ku arti nuk çel vetiu. Petro Zheji
kërkues i Alephit, kupton falë nji intuite që iu asht dhanë vetëm
artistave të vërtetë, se gjuha i ka në vetvete aforizmat, dhe se
aforizmat janë filozofia intime e vetë gjuhës. Pra kemi të bajmë me
meta-aforizma. Jo me fjalën e urtë, aq sa me urtìnë e fjalës.
Ktu duhet ba nji skjarim.
Gjuha shqipe lejon hymjen pandërmjetsim tek dimensioni arketipal i
gjuhës, ngaqë ajo, asht gjuhë e pahipostatizueme. Çka don me thanë
hipostatizim? Për me e skjarue do të marr nji shembull, nga intuitat e
mia, që mbase do ta kishin ba me qeshë maestron.
Në helenisht, Ungjill, don me thanë lajm i mirë. Pra Eu-vangelos.
Kurse në shqip, don me (e) thanë lajmin e mirë. Ngaqë shqipja, pra gjuha
primordiale, si na kujton shpesh Petro Zheji te Libri, emërton
gjithmonë në sensin superlativ. Cili asht lajmi i mirë? Lajmi i mirë
asht: Krishti u ngjall. Pra në shqip Ungjill, don me thanë U-ngjall.
Kjo asht pra gjella (arbanisht: jeta) me të cilën na ushqen edhe libri i Petro Zhejit.
Due me u marrë vetëm me nji kryeaforizëm, atë që thotë se vetëm e mbara asht e mirë.
E mbara, pra e tana.
Mendoj për “ma të mirën botë të mundshme” të Leibnitzit. Kjo botë
asht ma e mira e mundshme, por vetëm e marrun në tansi, pra e marrun
mbarë. Mendoj për Voltaire-in që e ven në lojë tek romani i tij Idliri,
ku e personifikon si filozofin naiv të cilit i ndodhin tana rrëmetet, e
prapë s’hek dorë nga bindja se kjo asht ma e mira e botëve. Mendoj, se
teksa e shkruente, Voltaire mendonte primend për të keqen, për tërmetin e
Lisbonës, për natën e Shën Bartholomeut, të tana kto dhe shum të kqija
historike i kishte ndërmend, por harronte se edhe ai vetë nuk ishte
tjetër, por ma i miri Voltaire i mundshëm…
Shqipja si gjuhë parahelene, asht pra nji gjuhë e pahipostatizueme,
asht gjuha mitike, paradialektike, parafilozofike, kur nuk ka ndodhë
halà skizma S/s, ku koncepti nuk i asht mbivendosë simbolit.
Nji tjetër intuitë që mjeshtri duhet ta ketë pasë parasysh, asht se
helen dhe ilir, e kanë rranjën të përbashkët tek hylli ose ylli.
Libri nuk asht nji doracak përjashtimor (manual ekskluziv) i
shqiptarëve, por ka rreze të gjanë, tue rrokë plotsisht sferën gjuhore,
sferë e cila nuk mund të përthehet në perspektivë, ngase nuk asht
thjesht tridimensionale.
Vetëm tek “truth” kam nji vrejtje postume për maestron. Ai e lidh me
frangishten “trou”, pra vrima kozmogonike, prej kah buron mbrapsht
transhendenca, ose mbarë imanenca. Kjofsha historicist, por mue ma kanda
me e lidhë me fjalën “dru” të shqipes. Pse “truth” asht e vërteta në
fenë druide, fé e cila e ka burimin e vet prej Dodonës, dhe në shqipe ka
lanë fjalën “druej/truej”, sidhe “troç”. Thueje “troç”. Ishte druni që
fliste me pëshpërima në Dodonë, dhe të thanmet e drunit ishin orakuj,
pse druni fliste “troç”, pra truth. Në gjermanisht “treue” asht
besatari. Ndërkohë që “dru” në shqipen e sotme asht ba “pemë”, për shkak
të rrëshkitjes semantike (prej atit te biri) dhe fryti bahet zavendës
për drunin që e dha, i bijuemi mëkamb bijuesin. Si ndodh random që
atributet e Zotit i mveshen të birit. Drus në helenisht don me thanë
“lis”, pra ka marrë kuptimin në spikamë të drunit dodonas, prej ktu
shejtnia e lisit (prej foljes lind të shqipes, e mandej prapë te shqipja
landë), por në sankritisht asht “dru” emërtuesi i përgjithshëm për
pemët, e në shqip ruen kuptim edhe ma të hershëm, pra lidhet me landën
“dru”.
Pra, ndërkohë që Petroja e pati vendosë ma së miri “gurin” në
ekonominë e shqipes dhe ma gjanë krejt gjuhsisë botnore, ngase edhe vetë
“GUR” quhej, dhe gurnonte porsi nji guru i vërtetë i shqipes, na kje
dukë sikur kishte mbetë druni jashtë, ndaj dhe ky parashtrim.
Por un s’e kam lexue ende librin postum të mjeshtrit (Rolin mesianik…), ku edhe kjo mund të jetë plotsue.
Petro nuk i ban asnji lëshim materialistave.
Mkatnofsha për historicizëm, por mendoj se nji prej drejtimeve ku
mund të zhvillohet filozofia e tij, asht ai i institucioneve
parashtetnore, si qendra të mendimit dhe veprimit të kryehershëm
njerzor. Edhe në ktë fushë, shqipja ka nji kontribut real për me dhanë.
Të marrim kryeinstitucionin parashtetnor: besën.
Sikur shqiptaria t’iu përkiste me të vërtetë shqiptarëve, dhe
shqiptarët ta njihnin veten, republika e tyne do të ishte e themelueme
mbi besën.
Gjithsesi, për me iu kthye fillit të diskursit tonë, besa asht
institucioni dorëzanë i tana institucioneve të tjera në shoqninë klasike
parashtetnore. Nuk luftojnë akejt për bukurinë e Helenës, si mtojnë do
spitullaqë estetikë të Abendlandit, por se i kanë pré në besë.
Besa asht simethanë, metainstitucioni. Në shoqninë e shtetëzueme, çka
ishte besë bahet kredit, madje guxoj me thanë, në rastin e
pseudoshtetit shqiptar, republika asht e themelueme mbi bastin.
Asht e kjartë se besë dhe bast, kanë të njejtën rrajë, madje janë e
njejta fjalë, thjesht ka hy shteti në mes. Mes besës dhe bastit, rrin
shqipja betohem, dhe anglishtja: bet. I bet it, n’anglisht: vë bast.
Mjafton ky shembull që pruna, me pá rolin e patjetërsueshëm të
shqipes, n’ekonominë krahasimore të gjuhve. Shqipja, asht gjuha e mitit,
para se ky të bahej histori. Asht gjuha e institucioneve të bazueme mbi
ligjet e pashkrueme, kur fjala kishte vlerë ligji.
Petro përban nji përmbysje radikale të perspektivës tonë mbi veten.
Në nji kohë kur, të tjerë, flasin me ndjet inferiorit për identitetin
europian të shqiptarve, thue se publiku i tyne përbahet prej utbashësh,
Zheji hedh dritë mbi identitetin shqiptar të europianëve. E gjithë kjo
duket dramatike, rapsodike, në fakt asht nji ndër gjanat e pakta
thelbsore të kohës sonë, pavarsisht përshfaqjeve tingullkeqe që ka marrë
anembanë shqiptarisë.
Me zbulue se katundarët shqiptarë flasin sanskritisht, se ndërtuesit e
kullave në bjeshkët e veriut, janë kah përsërisin kullën e babelit, nji
kullë pra që e ka qëllimin në vetvete, autoreferenciale, domethanë me
minue me themel çdo racizëm shqiptaro shqiptar, me zbulue pikërisht tek
mosevolvimi i gjuhës shqipe, sekretin e mbijetesës së saj, si mit dhe si
fat.
Kjo e vërtetë nuk na fosilizon, ajo na dimensionon.
Të gjitha gjuhët e lejojnë kte shtegtim drejt qendrës, përsërisim
bashkë me mjeshtrin, dhe shqiptarët s’kanë pse me e kërkue larg kur ata e
kanë shtegun në derë të shpisë. Qendra asht kudo, dhe nuk kemi pse me u
ndie në faj pse qendër jemi dhe ne.
Në kohën ma të errtë të shqiptarisë, Petro Zheji i sfidoi
materialistët në mënyrën ma fisnike. Ndërsa njerzia jonë kje joshun nga
terri dhe terrori i pushtetit, ky shpirt epran, nuk po punonte për
laperat e ksaj bote, me nji përvujtni dhe me nji en-teus-iazëm siç i
kanë veç dëshiruesit pra dashuruesit e mdhej, ai po kërkonte Alephin.
E gjeti te gjuha shqipe.
giovedì, novembre 05, 2015
Iscriviti a:
Post (Atom)
Etichette
21 ARSYE
(1)
Aforizma
(1)
Aleanca per mbrojtjen e tearit
(1)
Artikull
(22)
Astrit Cani
(2)
BIZANT
(2)
Borges
(1)
CAMAJ
(1)
Cioran
(2)
COPYLEFT
(1)
COSTUME
(1)
DEBAT
(11)
DEBORD
(2)
Demokracia
(1)
Diario albanese
(1)
DODONA
(1)
Don Kishot
(4)
Drini
(1)
Elozh
(11)
Email
(1)
ENCIKLOPEDI
(1)
ENGLETISJE
(1)
EPISTOLA
(1)
EROTIKA
(1)
ESEISTIKE
(14)
Eulog
(1)
EVOLA
(1)
Facebook
(1)
Fante
(1)
FILOZOFIA
(6)
FOTO
(4)
GAID MARGOT
(2)
GEGNISHTJA
(3)
GRIMCA;
(1)
GUESTS
(1)
HUMOR
(4)
HUMOR I ZI
(4)
INTERVENTO
(1)
INTERVISTE
(2)
ITALIANO
(11)
KAFKA
(1)
KINA
(1)
Kinema
(1)
KOSOVA
(2)
KRIJIMTARI
(2)
KRITIKA
(7)
KRYEVEPRA
(5)
Kundera
(3)
KURIOZITET
(1)
LEKSION
(1)
letersi amerikane
(3)
Letersi angleze
(2)
Letersi franceze
(2)
Letersi irlandeze
(2)
Letersi shqipe
(4)
Letersia ruse
(1)
Letteratura albanese
(1)
LIBRAT E MI
(1)
LIBRI
(3)
LOVE BOOK
(1)
MAPO
(4)
McCarthy
(1)
Memento
(1)
Metafizika
(2)
Moikom Zeqo
(1)
parathanie
(2)
PERKTHIM
(16)
Perkthime te lira
(2)
PERLA
(9)
PESSOA
(2)
Petro Zheji
(1)
POESIA
(1)
POESIA ALBANESE
(5)
POESIA ITALIANA
(3)
POEZI
(13)
Polemika
(3)
POLEMIKE
(5)
Politikisht korrektja
(2)
PROKLAME
(1)
PROUDHON
(1)
PROZE
(2)
PRUDHON
(1)
PUBBLICISTICA
(2)
PUBLICISTIKE
(7)
Quarta di copertina
(1)
RACCONTO
(3)
RELIGJION
(1)
Rendi i ri botnor
(1)
REVISTA
(5)
Rusia
(1)
SAGGIO
(1)
SCACCHI
(1)
SHQIP
(34)
SHQIPJA
(2)
STAMPA
(1)
Stephen King
(1)
Syzim
(1)
TEATRI
(2)
Teatri kombtar
(1)
TEST
(1)
TIRANA
(2)
TREGIM
(2)
TREGIMET
(5)
VETEPERKTHIM
(2)