Paralelizmat mes artit dhe pushtetit janë asimetrike, mbivendosjet të
pashmangshme. Arti i vërtetë asht gjithmonë njifarë fitoreje e
individit kundër llojit, ma mirë me thanë vetëvendosja e individit
kundrejt llojit. Pushteti asht mbisundimi i llojit në dam të individit.
Në sytë e çdo pushteti, cilido kjoftë emni i tij, edhe demokraci,
individi asht gjithmonë mjeti dhe jo qëllimi.
At-herë pse u dashka arti?! E në fakt, vetëm arti na duhet… që
individi të mos mbetet peng i llojit… jo vetëm kaq, po që ai ta
tejkalojë edhe vetvedin, falë asaj që asht e vetmja formë legjitime e
anarkisë: vetëvendosja.
Nji buratinar papunë – shkurt, artist i trishtuem – që ka për grue
nji veprimtare të mbrojtjes së kafshëve dhe si pasojë për shpi ka nji
kopsht zoologjik, ka dalë në rrugë të madhe në pritje të përnjohjes që
ka me i lejue ma n’fund me e shprehë talentin faqe botës. Nji mjes,
teksa në sytë e nji të mitune e kthen shfaqjen e vet me kukulla Abelardi
& Eloiza në nji mpleksje të harbueme, tue hangër edhe nji grusht
prej të atit të spektatores së tij të vetme, vendos me e lanë rrugën e
me kërkue nji punë normale. Dhe kshtu i gjegjet nji njoftimi të nji
firme që kërkon nji arkivist me duer të shkathëta. Falë shkathtësisë së
gishtave e fiton vendin e punës me të parën. Deri ktu s’do të kishte
ndoj gja të habitshme, por zyrat e firmës gjinden tek nji kat i
çuditshëm, ose nji gjysmëkat ma mirë me thanë. Kati i 7-të e 1/2. Çka i
detyron të gjithë frekuentuesit e katit, të dalin nga ashensori pak a
shum si nga pusi.
Të gjithë ecin të krrusun, ksaj i shtohet edhe nji lloj aberracioni
në perceptim i njerëzve që punojnë aty. Nji lloj pashpirtsie asht
n’ajër, porse bahet fjalë për nji pashpirtsi qesharake. Shefi asht nji
plak që jargavitet mbas çdo fundi mini a maksi kjoftë. Sekretarja, edhe
ma komike, ban se ndigjon tjetër për tjetër. Pa fillue halà mirë punën,
ish-buratinari, gjen te nji kolege objektin e tij të dëshirës dhe fillon
mejherë me flirtue me ‘të në mnyrë të garrametshme dhe të pashpresë.
Jeta e tij e vokët ndryshon kambekrye, kur tue lypë me marrë nji dosje
që i ka ra mbas etazherit zbulon nji tunel, dhe i shtymë brenda tij nga
kurioziteti me kuturisë aty mbrendë, përjeton nji udhëtim metempsikik
mbrenda unit të John Malkovichit. Kjo zgjat vetëm 15 minuta, mandej
buratinari plandoset si thes buzë rrugës në periferinë industriale të
qytetit. Mendja e Malkoviçit na paskej nji birë, për të cilën s’i paskej
shkue bira e mendjes as atij vetë.
Buratinari e kupton mejherë ‘filmin’. Diçka ndizet mbrenda tij. Për
herë të parë ai, që asht msue me lvizë fijet e jashtme të kukullave
pashpirt, kontrollon fijet e mbrendshme të dikujt me shpirt, madje me
shpirt artisti. Sparit e ndan ktë zbulim me shoqen e tij të re, mandej
me të shoqen. E para vendos me e shfrytzue ktë portal, për me ba pare. E
kthejnë në biznes. Hapin firmën JM sh.p.k. Bileta që caktojnë asht 200
dollarshe, me dashtë me ba nji xhiro çerekorshe mbrenda unit tashma të
çakorduem të Malkoviçit. Malkos po i ndërtojnë pa leje mbrenda vedit.
Mandej i tregon të shoqes. Kjo e sheh në mnyrë ma mishtore-kafshnore
udhtimin mbrenda Johnit. Pohon se pasja e nji portali – nji kalimi – nga
ana e Malkos na qenkej si pasja e nji lloj vagine nga ana e tij. Dhe se
ajo ishte ndje sexy gjatë udhtimit, dhe donte ta përjetonte mejherë
rishtaz si përvojë… mandej të nesërmen i pohon se tashma ka paqartsi për
seksualitetin e vet, madje ma n’fund e ka të qartë se ajo vetë ndihet
trans. Ndërkohë, si tue luejtë si tue qeshë, të dy, burrë e grue i ka
zanë qymyri me kolegen afariste të punës.
Në tanë ktë lamsh figura e Malkoviçit asht ma komikja dhe e
dhimbshmja njiherit. Për ma tepër që ai në ktë film, lot vetvedin. Me
luejtë ktu ka kuptimin e vet etimologjik, atë që në latinisht dha
“ludere” prej kah “il-ludere”. Aktori Malkoviç (homo ludens) ndihet i
çuditshëm, d.m.th. ma i çuditshëm se zakonisht, ndihet i mujtun dhe i
bujtun, mandej edhe ai ndjen nji lloj varsie nga kolegia e punës e
buratinarit, deriqë flirton edhe ai me ‘të. Ktu ngatrrohet keq puna,
ngase Johnin e përdorin si traget dy gratë, me ba dashni njena-me
tjetrën. Ngaqë n’orën kur lanë tokim, teksa kolegia shkon te shpia e
Malkos, dashnorja e saj shkon te portali për me hy mbrenda tij. Ktu të
gjitha gjanat ndërlikohen edhe ma tepër, ndërkohë klientë të shumtë
jashtë orareve të zyrës fluturojnë mbrenda Johnit, deriqë Malkoja, i
thellon dyshimet & kërkimet dhe arrin me i kapë dorasët me 200
dollarsha n’dorë dhe… – ktu komedia bahet e zezë – provon edhe ai me hy
n’portalin e vet. Mund të quhet realizimi i andrrës së çdo narcizisti,
por për Johnin asht makthi ma i frikshëm. Në botën e Malkoviçit që ka hy
mbrenda Malkovichit – pra kemi nji monadë që ka implodue – të gjithë
kanë ftyrën e tij, çdo fjalë që thonë tingllon Malkoviç, çdo tik
shumfishohet n’infinit, në mnyrë të pandreqshme. Ky regresion
matrioshkash nuk ka asgja prej transgresioni, dhe asht e kundërta e
aventurës.
Për fat, mbas pak Malkoja del prej vedit – pra kthehet n’vedi – tue
ra edhe ai si thes në periferinë industriale të qytetit, ku e peshkon
buratinari, të cilit ai i hakrrehet me kërcnim për gjyq.
Posesiviteti i buratinarit arrin kulmin, kur – mbasi ka kuptue
marifetin e së shoqes, e lidh atë dhe e fut nji kafaz me majmunin – tue
hy mbrenda Malkos n’orarin e tokimit të dashnoreve – përfiton
seksualisht nga kolegia që kujton se asht tjetra.
Tashma, buratinari, ka vendosë mos me dalë ma prej Malkoviçit. Asht
aq i sprovuem me “fijet”, sa nuk ka burrë nane me e bindë se mund të
priten. Ai asht kthye falë ktij posedimi, në nji padrino të mbrendshëm
të John Malkoviçit… i cili, nën zgjedhën e unit të ri, vendos mbrenda
natës me e lanë zanatin e aktorit, dhe me iu kushtue kukllave… Kaq
mjafton me përshkrimin e filmit, nji sistem qarqesh të shkurta e
rrethesh vicioze, të orkestrueme me përimtësinë teknike të nji sistemi
alarmi gjithsigurues.
* * *
Kati gjysmak 7 e 1/2 prej ku njerzit pavarsisht shtatsisë së tyne
normale, duhet të dalin si nga puseta, asht kati i Shqipnisë n’godinën
europiane. Sigurisht nuk asht aq nalt sa shtata, asht thjesht gjyskati
jonë përdhes. Artisti i trishtuem asht Edi Rama që kujton se pushteti
mund t’i shërbejë artit, apo arti pushtetit, mjafton me kapë fijet e
mbrendshme. Vetëm Malkoviçi asht Malkoviçi. Me nji ndryshim gjigant,
autoironia. Ky film i luejtun nga Malkoviçi për Malkoviçin, mund të jetë
autogol, por asht autogoli ma i bukur i viteve nandëdhetë. Të mahnitun
nga bukuria e golave, ne harrojmë se edhe autogolat kanë bukurinë e vet.
Sigurisht jo autogolat që ban Rama, që s’kanë asgja poetike mbasi porta
asht bosh. Porta asht bosh dhe mbreti asht lakuriq. Pjeshkat janë aty,
kah brohorasin dhe kur shkyhet topi, vetofrohen si mish për top.
Nji refleksion për artin e narcizizmin thotë se artisti i vërtetë
asht narciz, por ktë e përjeton si tragjedi, jo me vetëkënaqje. Por ka
artifice narcizizmi, ka që shtiren se janë narcizë dhe nuk e kanë
problem që janë narcizë, se as narcizë nuk janë – mund të vazhdojnë
njashtu në përjetsi, – por ça me ba se kanë probleme vetëm me vdekjen,
ma mirë me thanë nuk e kanë pranue kontratën me vdekjen, kontratë në
thelb krejt demokratike që ofron të njejtat kushte për të tanë.
Godina e filmit asht buzzatiane, alegoria politike, satira
psikanalizon. Në themel Kafka, që e mban ngrehinën narrative n’kambë.
Kush e ka shkrue ktë film njef humorin e zi, arrin me qeshë me humorin
çifut. Kush e ka “luejtë” njef vedin. Kush e ka shkrue ktë shkrim, e ka
parasysh se ‘vedi asht nji tjetër’. Kush s’e ka pá ktë film, ka pse ta
shohi; kush e ka pá, le ta shohi prapë.
Vdekja na ban të gjithve John Malkovich.
Mapo
lunedì, gennaio 11, 2016
Iscriviti a:
Post (Atom)
Etichette
21 ARSYE
(1)
Aforizma
(1)
Aleanca per mbrojtjen e tearit
(1)
Artikull
(22)
Astrit Cani
(2)
BIZANT
(2)
Borges
(1)
CAMAJ
(1)
Cioran
(2)
COPYLEFT
(1)
COSTUME
(1)
DEBAT
(11)
DEBORD
(2)
Demokracia
(1)
Diario albanese
(1)
DODONA
(1)
Don Kishot
(4)
Drini
(1)
Elozh
(11)
Email
(1)
ENCIKLOPEDI
(1)
ENGLETISJE
(1)
EPISTOLA
(1)
EROTIKA
(1)
ESEISTIKE
(14)
Eulog
(1)
EVOLA
(1)
Facebook
(1)
Fante
(1)
FILOZOFIA
(6)
FOTO
(4)
GAID MARGOT
(2)
GEGNISHTJA
(3)
GRIMCA;
(1)
GUESTS
(1)
HUMOR
(4)
HUMOR I ZI
(4)
INTERVENTO
(1)
INTERVISTE
(2)
ITALIANO
(11)
KAFKA
(1)
KINA
(1)
Kinema
(1)
KOSOVA
(2)
KRIJIMTARI
(2)
KRITIKA
(7)
KRYEVEPRA
(5)
Kundera
(3)
KURIOZITET
(1)
LEKSION
(1)
letersi amerikane
(3)
Letersi angleze
(2)
Letersi franceze
(2)
Letersi irlandeze
(2)
Letersi shqipe
(4)
Letersia ruse
(1)
Letteratura albanese
(1)
LIBRAT E MI
(1)
LIBRI
(3)
LOVE BOOK
(1)
MAPO
(4)
McCarthy
(1)
Memento
(1)
Metafizika
(2)
Moikom Zeqo
(1)
parathanie
(2)
PERKTHIM
(16)
Perkthime te lira
(2)
PERLA
(9)
PESSOA
(2)
Petro Zheji
(1)
POESIA
(1)
POESIA ALBANESE
(5)
POESIA ITALIANA
(3)
POEZI
(13)
Polemika
(3)
POLEMIKE
(5)
Politikisht korrektja
(2)
PROKLAME
(1)
PROUDHON
(1)
PROZE
(2)
PRUDHON
(1)
PUBBLICISTICA
(2)
PUBLICISTIKE
(7)
Quarta di copertina
(1)
RACCONTO
(3)
RELIGJION
(1)
Rendi i ri botnor
(1)
REVISTA
(5)
Rusia
(1)
SAGGIO
(1)
SCACCHI
(1)
SHQIP
(34)
SHQIPJA
(2)
STAMPA
(1)
Stephen King
(1)
Syzim
(1)
TEATRI
(2)
Teatri kombtar
(1)
TEST
(1)
TIRANA
(2)
TREGIM
(2)
TREGIMET
(5)
VETEPERKTHIM
(2)