Mbas vizitash disaorëshe, në studion private të primarit, rreth nji tavoline rrumbullake, specialistët e ndryshëm u mblodhën dhe na thanë se nuk kishin zbulue asgja në veçanti, nuk kishte metastaza, zemra, mëlçia dhe gjithçka tjetër punonin. Carmelo i ndigjonte me nji ngërdheshje në ftyrë, pohonte me kokë në heshtje, në fund i kapun nga humori i tij i pagabueshëm iu kujtue batuta e Petrolinit ndaj mjekëve dhe i tha: "E kuptova: kancer s'ka, zemra asht top, mëlçia top, veshkat top, veç un jam tuj vdekë!"
Shuhej da-kadalë, simptomat mbivendoseshin, dhe mjeku i dorëzuem i bani të ditun se nuk kishte mbetë ma shum kohë. Donte me ditë: "Sa?" Filloi me pyetë ne dhe vedin a ishte e mujtun me pritë tuj ditë se gjithçka po soste. Nuk gjente paqë. Un n'automatizëm total, e siguroja, e ndihmoja me mbledhë ditët, nji me nji, e ndihmoja tuj marrë përsipër çdo mundim, ishte kurrgjasend, kundrejt dhimbjes që erdhi ma vonë. Furia me të cilën e kishte pritë lajmin, u zhduk mejherë, s'e xuni ma ngoje. Kishte vendosë me ndejtë në paqe i qetë, e kisha pyetë ke donte me pa' prej miqve, me numratorin e tij në gjunj i lexova të gjithë emnat.
Pranoi vizitën e disave, tuj refuzue kategorikisht me tokue këdo që do ta transformonte atë tokim në nji lamtumirë të qurravitun. Kaloi disa dit me Jean-Paulin, Giancarloja kalonte me e tokue përditë. Me secilin prej tyne foli tek për tek, tuj iu falëmeshndet si dikush që asht për rrugë. Piergiorgios i la amanet të kujdesej për mue, të më mbështeste në ditët e ardhshme.
Gjashtë muej pa vu gjumë në sy, tek rrekesha me i sigurue çdo përkujdesje, kjeshë përçudë krejt nga ndijimi i çfarëdo emocioni, a ndjenje, që disi mund të më banin me më lëshue zemra. Ngarendja anembanë qytetit dhe shpisë, me pru qeset e gjakut, fusja mbrenda tij ate çka vdekja ia nxirrte jashtë tue riformue plagën. Me nji shprehì absurde paqje që kisha arritë me i përcjellë edhe atij. Më thirrte tash e parë dhe un, gjithnji turravrap si herën e parë që ishim pá, i gjegjesha: "Erdha!" "Kam me të thirrë Erdha," më tha, "je xhevahir, s'di si do t'ia kisha ba pa ty". Nuk e dija as un si do t'ia kisha ba pa te, e ndoshta ende nuk e dij.
Luisa Viglietti, Kjo nisi kur bitisi (jeta me Carmelo Benen)
Nessun commento:
Posta un commento