sabato, luglio 13, 2024

Prominenca iminente e eminencës

Ne nuk i nderojmë njerzit, ma shum se nderojmë të vërtetën.

Besoj se neve që jena të painfektuem me komunizëm të djeshëm a sorosizëm të sotëm, na tokon me folë diçka ma tepër për shkrimtarin që kaloi n’amëshim pak pa i rrumbullakosë të 90t.

Ne shqiptarve na vjen letërsia dhe asht ndër të paktat arte që e kena ende gjallë e në kambët e veta.

Në mos si kritik dhe doktor i estetikës, në mos si përkthyes e shkrimtar, më tokon me thanë ndoj fjalë ma tepër mirëfilli si lexues. Dhe si lexues jo vetëm i prodhimit tonë të mbrendshëm bruto, por edhe si njohës epokal i tregut ndërkombtar të fjalës së shkrueme.

Kadareja nuk asht poet. Mos na lodhni. Edhe ato lirikat që ka shkrue për dashnoret e tij në Moskë a Tiranë, janë manieriste të përshtatuna prej rusve dhe nuk duket se asht dashurue deri n’at pikë sa me u çmendë poetikisht prej dashnisë si Majakovskij apo Jesenini. Dmth përmbajtja asht banale, forma kopje e vjetrueme. Imazhet e tij nuk janë poetike dhe as urbane. Figurat nuk funksionojnë as si metaforë, as si metonimi. “Ca pika shiu ranë mbi qelq” – qelqi asht material, si betoni. “Nga filmat e të shtunës të lodhura janë ekranet” – ekranet nuk lodhen prej filmave. Aparatet tonë televizivë digjeshin veç prej tensionit të naltë. Poezitë për mësueset e fshatit a për vegjelinë në përgjithsi janë të pasinqerta. Kritika e tij për orientalizmit asht e mbushun me gjysë të vërteta. Mjafton me pa’ shpinë ku ka lindë Kadareja dhe apartamentin që i dha partia. Lindi në shpi zotnijsh dhe partia mbas shum shërbimesh që i bani, i dha nji apartament sovjetik brutalist, me do mobilje shurdhe zdrukthi, tipik për nëpunës që ban karrierë tue ecë me brryla mes turmës së skllevënve.

Shqiptarët e ngopun me gjysë të vërteta e quejnë emancipim ktë kalim. Ne jo.

Ishte padiskutim ndër njerzit që kontribuen ma fort në krijimin e asaj kohe, stalinizmit shqiptar, që asht periudha ma e errët e historisë sonë dhe ma e liga. Si intelektual kishte përgjithsi të dyfishtë: para nesh dhe para vetes. Firmosi gjithçka që i kërkoi pushteti deri në ditët tona. Pati nji rol toksik mbrenda sistemit letrat shqiptar, tue mos lanë talentet e tjera me pasë za. Ende sot Trebeshina nuk lejohet me qarkullue në Tiranë. Veprën e Petraq Kolevicës e kanë zhdukë me kohë dhe mund të gjindet vetëm në format elektronik, e me radhë. Nse nuk je pjesë e tarafit të kadareistave, nuk mundesh me punue as te botuesit e mdhej as në universitete, sado i kualifikuem dhe pozitiv të jesh. Rrjeti i granteve të përkthimit kontrollohet po ashtu prej ushtrisë së ojf-ëve, që kanë patron Sorosin dhe padrino Kadarenë.

Edhe po ta pranojmë justifikimin e tij prej frikës para ’90s, nuk e kuptojmë pozicionit e tij mbas ’90s.

Askush nuk e din cila asht letërsia shqiptare e ditve tona, prej 1990s deri më sot. Me aq sa e njoh vetë, thom pa diskutim se asht letërsi ma e mirë se ajo e realizmit socialist. Dhe pse nuk dihet? Se asnji shkrimtar i ri nuk përfaqësohet nga nivelet e nalta intelektuale. Ktë funksion, funksionin e librit e kanë akaparue oborrtarët e tij të pushtetit, Fevziu, Blushi, Nanoja. Asnji prej ktyne nuk asht shkrimtar, janë maksimumi autor. E pra letërsia e sotme shqipe ka gjithçka, ndryshe nga muzika dhe filmi që kanë marrë fund, letërsia asht në zenit. Por nuk receptohet, pikërisht se sistemi asht i kapun.

Për Kadarenë thuhet si për Ramën: na nderon jashtë, na përfaqëson si askush tjetër. Të dy kanë gafa dhe kusure të randa, si shumica e njerzve të pushtetit.

Kur mori çmimin Asturias, në 2009, Kadareja i tha akademisë mbretnore spanjolle dhe vetë mbretit se Enver Hoxha ishte Don Kishot. Pranoi pa dashje dashninë e tij për diktatorin. Nji dashni freudiane, kuptohet, nji transfert. Mirëpo spanjollët kanë pasë vetë diktator, Frankon. A mund t’ju thuesh se Frankoja ishte Don Kishot? Asht si me thanë djalli asht engjëll. Dhe e dini si e hoqën qafe spanjollët mëkambësin e tij Carrero Blanco. I vunë kaq shum dinamit poshtë makinës sa fluturoi kah ana tjetër e pallatit ku ishte parkue.

Sigurisht lobingjet e majta intelektuale kanë me vazhdue me e mbajtë veprën e tij në jurina çmimesh, dhe bulmeti jonë lokal ka me e mbajtë gjatë kultin e tij të personalitetit.

Pamë kto dit, ata që kanë sindromin e Stokholmit, që u përmallën e u përqyrrën prej ikjes së tij, teksa ai, për ’ta thoshte asokohe se: partia fuste në burg vetëm të patalentuarit. Gja krejtësisht e pavërtetë, ngase ma të mirët dhe ma të talentuemit ishin në burg ose në internim. Çka nuk don me thanë se të kenit i persekutuem politik, të ban letrar me nivel.

Me rrenat e tij Kadareja përkrahu shkatërrimin e trashëgimisë shpirtnore dhe materiale të shqiptarëve. La nji trashigimi të vetën, që duhet kalue në sitë. Nuk kje mburojë kundër së keqes, duhmën e randë dhe logjikën kriminale të pushtetit e lejoi me hynte edhe mbrenda konakut të tij. Kërkoi e fitoi privilegje prej pushtetit. Quejti Don Kishot diktatorin shqiptar, që kje nji karakriminel jo ma pak djallëzor se Millosheviçi.

Kur regjimi i vuni dinamitin kishave dhe xhamijave, ai pohoi me kokë. Kur regjimi e anatemoi letërsinë apartiake, ai prapë pohoi. Kur regjimi shpalli gjuhë letrare dialektin e krenve të luftës tue i hekë automatikisht qytetarinë shumicës së shqiptarve, ai prapë fërkoi duert.

Me veprën e tij ai i bindi shqiptarët se kjo që ndërtoi komunizmi ishte qytetaria e vertetë. Jo ajo e Luigj Gurakuqit dhe Faik beut, jo ajo e Andon Zakos dhe Musine Kokalarit. Por kjo e teritalit dhe kominosheve, e furnelës në banjo dhe zisë së bukës të kthyeme në instrument regjimi. Dhe në ktë azifikim të Shqipnisë ai kritikonte bejtexhijtë e kohës së Osmanit, thue se aty ishte problemi.

Aty ku asht problemi, aty asht zgjidhja.

Poezitë e tij janë fallco. Esetë vuejnë prej kompleksit të inferioritetit. Përmasa e tij e vërtetë don nji investim të vërtetë kritik me u nxjerrë në dritë. Por nuk i intereson kujt. Politika dhe kultura duen me mbajtë ndezë makinerinë e pushtetit. Çdo matriksi intereson veç me riprodhue vetveten, si ndodh me çdo virus.

Thonë se ai asht ndërgjegja jonë.

E pranoj.

Ua kam lanë ndërgjegjen.

Por mbaj, vetëdijen.


Nessun commento:

Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)