lunedì, novembre 17, 2025

 

  XIII. 

AJO QE SHOHIM DHE AJO QE NUK SHOHIM

 

Hije që të verbojnë, i tillë ishte ky vend befasues.

Rekëtima e detit dëgjohej te kjo guvë. Luhatja e jashtme e frynte, mandej e tryste dhe shfrynte shtresën e ujit të brendshëm me rregullsinë e një frymëmarrje. Të bëhej se pikasje një shpirt misterioz në atë diafragmë të madhe jeshile që çohej e ulej në heshtje.

Uji kishte një kthjellësi magjike, dhe Zhiliati vinte re aty, në thellësi të ndryshme, stacione të zhytura, sipërfaqe shkëmbinjsh në pjerrëtim me gjelbërsi gjithnjë e më të thukët. Disa guva të errëta ishin me gjasë të pasondueshëm.

Nga të dyja brigjet e portikut të nëndetshëm, skica harqesh të ulura, plot me errni, shenjonin guva të vogla anësore, pika hyrje të shpellës qendrore, të hyshme mbase në epokën e zbaticave tepër të ulëta.

Këto zgavra kishin tavane në plan të pjerrët, me qoshe pak apo shumë të hapura. lagatera të vogla, të gjera disa këmbë, të zhveshura nga bëmat e detit, fundoseshin dhe humbeshin nën këto kithtësi.

Aty-këtu barishte të gjata më shumë se një pash valëzoheshin nën ujë me një balancim flokësh në erë. Ndërshiheshin pyje algash.

Jashtë e brenda tallazitjes, e gjithë muraja e shpellës, nga lart poshtë, prej kubesë deri tek fshirja e saj në të padukshmen, ishte e shtruar me këto harlisje të mrekullta të oqeanit, të vënë ré aq rrallë nga syri i njeriut, që lundërtarët e vjetër spanjollë i quanin praderias del mar. Një lëmashk i thantë, që kishte të gjitha nuancat e ullirit, i fshihte dhe i amplifikonte kërcitjet e granitit. Prej të gjitha monopateve vareshin shiritat e hollë të leshterikëve me të cilat peshkatarët bëjnë barometra. Fryma errcake e shpellës i trazonte këto rripa shkëlqimtarë.

Nën këto bimësi fshiheshin dhe shfaqeshin njëherit xhevahiret më të rralla të peshtafit të oqeanit, gur fildishi, stridhje, dibafimitra, kaska, purpure, zhgoja, guaska gjembaçe, stridhje turjela. Zhguajt e këmijve të detit, njësoj si kasolle mikroskopike, ngjiteshin ngado për shkëmb dhe grupoheshin në fshatra, në rrugët e të cilëve vardiseshin shitonët, këto bubuzhelë të valës. Meqë fiçorët mund të hynin me shumë vështirësi në këtë shpellë, aty strehoheshin midhjet. Midhjet janë zonja të rënda, që, tërë qëndisma e tërë stoli, e shmangin kontaktin e vrazhdë dhe joqytetar të turmës së guralecëve. Grumbulli xiglues i midhjeve lëshonte, nën valëzim, në disa drejtime, rrezatime të pakumtueshme përmes të cilave ndërshihej një lëmsh katrimesh dhe sedefeksjesh, dhe prarimesh të të gjitha nuancave të ujit.

 

Mbi paretin e guvës, pak sipër linjës së pluskimit të baticës, një bimë e mahnitshme dhe e veçantë ngjitej si një bordurë ndaj perdes së leshterikëve, e vazhdonte dhe e plotësonte. Kjo bimë, fijezore, e dendur, e koklavitur në mënyrë të pazgjidhshme dhe thuajse të zezë, i falte shikimit shtresa të gjera të ngurtësuara dhe të errëta, të stërpikura ngado me lule të vogla ngjyrë lapis-lazuli. Në ujë këto lule dukej sikur ngjyroseshin, dhe të bëhej se shihje thëngjij blu. Jashtë ujit ato ishin lule, nën ujë ishin safirë; kësodore vala, duke u ngjitur e duke e përmbytur bazën e shpellës të veshur me ato bimë, e mbulonte shkëmbin me xhevahire.

Në çdo ngritje të valës që fryhej si një mushkëri, ato lule, të lagura, shkëlqenin, në çdo ulje ato fikeshin; ngjashmëri melankolike me fatin. Ishte marrja frymë, që është jeta; mandej nxjerra e frymës, që është vdekja.

Një nga mrekullitë e shpellës, ishte shkëmbi. Ky shkëmb, herë murajë, herë kubé, herë tra ose shtyllë, ishte vende-vende i shëmtuar e i zhveshur, mandej, bash ngjitur, i punuar me gdhendjet më delikate të natyrshme. Diçka shumë mendore përzihej me budallësinë masive të granitit. Ç'artist është honi! Kjo faqe muri, e prerë katore dhe e mbuluar me gunga kishte qëndrimin, shëmbellente me një basoreliev të vagtë; para kësaj skulpture të rrufeshme, ndërmendje Prometeun që i gatit skicën Mikelangjelos. Dukej se me disa goditje çekani gjeniu pat arritur atë që kishte filluar gjigandi. Në vende të tjera, shkëmbi ishte ojnuar si një mburojë saraçene ose i niveluar si një vaskë fiorentinase. Ajo kishte tabela që dukeshin prej bronzi Korinti, mandej arabeska si një portë xhamie, mandej, si një gur runik, gjurmë thonjsh të errëta dhe të pahonepsëshme. Bimë me torse të muskulosura dhe me rrica, që ndërkryqëzoheshin mbi praprimet e likenit, e mbulonin me filigrana. Kjo guvë ndërlikohej me një alhambër. Ishte takimi i egërsisë dhe i arpunimit në arkitekturën e shquar dhe të shformuar të zararit.

Myshqet e mahnitshme të detit vishnin me kadifé qoshet e granitit. Skarpatat qenë të lulëzuara me liane lavjerrëse, të afta mos me ra, dhe që dukeshin inteligjente, aq mirë stolisnin. Milcat me buqeta të çuditshme tregonin tufat e tyre me kast e me shije. Krejt lezeti i mundshëm për një shpellë ishte aty. Drita befasuese edenike që vinte nga poshtë ujit, njëherit gjysmëhije detare dhe rrezatim parajsor, i përngjyrte të gjitha tiparet në njëfarë brerimi vegimtar. Çdo valë ishte një prizëm. Konturet e gjërave, nën ato valë të ylberizuara, kishin kromatizmin e thjerrëzave optike tepër të mysëta; fantazma diellore pluskonin nën ujë. Të bëhej se shihje tek shpërdridhej tek kjo tejpashmëri agullore copa ylberësh të mbytur. Tjetërkund, në qoshka të tjera, kishte mbi ujë një dritëmim hëne. Të gjitha shkëlqimet dukeshin të amalgamuara aty për të bërë kushediçë të verbër dhe natore. Asgjë s'ishte më turbulluese e më enigmatike se ky salltanet në këtë guvë. Ajo që mbisundonte, ishte magjepsja. Bimësia fantastike dhe shtresëzimi i patrajtë përkonin dhe çlironin harmoni. Kjo martesë gjërash të egra ishte e lumtur. Degëzimet kacavareshin me pamjen se harliseshin. Përkëdhelja e shkëmbit të egër dhe e lules së egër ishte e thellë. Shtylla dërdënge kishin për kapitel dhe për lidhje do kordele të hajthme krejt të depërtuara nga mardhi, hamendshe gishta zanash që gudulisin këmbë thopçash, dhe shkëmbi e mbante bimën dhe bima e shtrëngonte shkëmbin me një nur të përbindshëm.


Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)