Gegnishtja
është diellore, derdhje, spermë, përmbajtje; është një forcë e natyrës. Dhe
është shqipja më e madhe, pasi dikur është folur në pjesën më të madhe të
ilirikut e sot flitet në pjesën më të madhe të shqiptarisë. Toskërishtja është
hënore, ajo e vjedh dritën; ajo është vezë, formë dhe është e shurdhuar1.
Por është shurdhim beethovenian, ajo duhet të jetë shurdhuar dikur nga ndjeshmëria
e tepërt. Toskërishtja për mendimin tim është më metafizike, pikërisht sepse
është një gegnishte e tëhuajtur, që të vetmen derdhje mund ta gjejë tek
transhendenca. Ndryshim tjetër është se gegnishtja është si greqishtja e
vjetër, kurse toskërishtja si greqishtja moderne.
Kopshti
antropologjik i socializmit ishte një serë (e rrethuar me tela me gjemba), e
kopshti i tranzicionit ishte xhungël.
Vitrina
më përfaqësuese e serës është gjuha dhe mendësia standarte, e ndërtuar
kryekëput mbi parimin e serës (dritë dhe ushqim i kontrolluar, rritje e shpejtë
kundër cikleve organike natyrore, produkt konsumi super-merkatosh, afat
skandence i afërt). Përfshirja e gegnishtes në këtë standart ka qenë pikërisht
një për-fshirje.
Por
pasi që standarti bëhet në '72-shin e tutje paradigma, pasqyrën më të shkëlqyer
të kësaj sere e kemi tek kinematografia e asaj periudhe. Kjo kinematografi në
mënyrë më të spikatur sesa zhanret e tjera të realizmit socialist, rikrijon në
mungesë totale atmosfere, kushtet standarte të serës. Kushte këto që mbisundojnë
për '40 vjet (nga fundi i viteve '60 deri në ditën tona – me një çlirim të
shkurtër në në pesëvjetshin e parë të pluralizmit). Kësaj dialektike, i duhen
shtuar edhe dy skaje, për gegnishten – sinergjia, e për standartin – sintetizmi
fallco. Tipike për këtë punë është kinostudioja “Shqipëria e Re”. Ajo
themelohet në vitin 1952, por në vitet ’80, që ishin dhe vitet e mjerimit
maksimal, zë të prodhojë rreth 15 filma në vit, duke u bërë fabrika kryesore e
“Njeriut të ri”.
Njerëzit
e dalë nga sera, janë të vetmit që gjejnë punë në serë. Kjo shpjegon riciklimin
e të gjithë burakratëve të vjetër, në të rinj të të njejtin soj. Të skaduarve të
atëhershëm me të skaduarit e sotshëm. Kundërvënia pastaj e xhunglës së
gegnishtes me serën, përfton kushtet e sotme perceptive, ku teksa patriotizmi
është shkatërruar, lulëzon militantizmi. Teksa njerëzit vuajnë nga energjia e
tepërt, shpërthen analiza ‘e ftohtë’.
Në
të gjithë rastet, besoj se kemi e do kemi të bëjmë me radikalizim të të dyja
modeleve. Forca e pamatë fizike e gegnishtes, dhe rrethimi që ajo i ka bërë
kalave horizontale e bidimensionale të standartit, dëshmon radikalizimin e
xhunglës. Kurse standarti nga ana e tij vuan erozionin e brendshëm prej
parazitëve serialë, por i reziston duke e shumëfishuar artificialisht vetveten.
Nga
ana e saj sera, pasqyrohet gjithandej, e shumëfishon imazhin e vet në të gjitha
gazetat, në dhjetra televizione, e media të tjera, shumësia identike e të
cilave, do dukej në çdo rast shpenzim i tepërt, sikur të mos i shërbente qëllimit
të zmadhimit fiktiv të perceptimit të serës. Gjithsesi tek e fundit, politika
standartizuese rezulton tek krijimi i boshllëkut industrial.
Por
gegnishtja me leksikun e saj të pafundëm, ka forcën tektonike ta trandë
mini-perandorinë teknike të standartit. Çdo fjale të saj i refuzohet hyrja në
standart, ndërsa lejohet vërshimi i fjalëve të huaja, e kjo për arsye se
gegnizma është spermatozoid, dhe mund ta mbarsë barkun e thatë të standartit.
Ose mund të zbulojë faktin se ky bark është shterrë, pra nuk ngjiz.
Gegnishtja
lulëzon me jetën e përditshme, duke qenë tekëndej xhameve të serës, ajo i ndjen
e i pasqyron stinët në përjetim dhe nuk njeh 'efetin serë'.
Megjithatë
në këtë luftë mes xhunglës e serës, mes gegnishtes e standartit, ajo që humbet
është toskërishtja. Rast i rrallë kur humbet i treti që s'është palë në
konflikt. Standarti e lë toskërishten pa metafizikë.
Është
entuziazmi gegë**,
kundër seriozitetit serial të serës. E natyrshmja kundër artificiales. Dhe kjo
artificiale, në kulmin e realizmit socialist, e quante veten përmbajtje
(krijonte kultin e përmbajtjes), ndërkohë që ishte thjesht formë boshe, dhe si
përmbajtje kishte vetëm servilizmin ndaj përmbajtjes. A siç thoshte një kritik
pragez dikur: realizmi socialist është letërsia e shkruar në atë mënyrë që ta
kuptojë edhe partia.
***
Kemi
arsye të besojmë se nga të gjitha pushtimet që kaluan mbi vendin tonë, ku për
mijëravjeçarë ka banuar kjo etni e jona, e cila në fundin e shekullit të XIX u
bë edhe komb, më i mbrapshti qe pushtimi komunist. Të paktën kështu rezultoi.
Ky regjim krijoi në masë skllavin shqiptar, çka nuk e arriti as Roma, as serbi,
as Turqia Osmane. Bazat e nëndheshme të kësaj trajte kaq të ulët të njeriut, na
i dha pa dyshim Bizanti2. Por shqiptarët nga komunizmi ‘dolën’ me
një kompleks inferioriteti që nuk e kishin pasur ndonjëherë. Ky kompleks
inferioriteti iu injektua deri diku edhe pjesëve të tjera të kombit tonë të
copëzuar.
Pavarësisht
kritikës që vetë aparati propagandistik komunist i bënte sistemit gjysmë-feudal
nën Zogun, bujkrobi shqiptar i viteve '30 nuk qe kurrë aq skllav (pra aq
bizantin) sa fshatari pa tokë i Partisë së punës. E përdor këtu bizantinin si
antonomazë të njeriut pa liri të brendshme (pra njeriut të ligë), në kundërshtim
me atë që sot quajmë 'perëndimor' si sinonim të njeriut të çliruar e pozitiv.
Skllavëria,
sipas ekonomistëve modernë, qëndron në të disponuarët e fuqisë-punëtore të
tjetrit3. Çka bënë edhe pronarët e proletariatit shqiptar, ose
oligarkët e kuq. Nëse një copë pronë e lejonte njeriun të prodhonte pjesërisht jetën
e vet, kur u mor edhe kjo, shqiptari i kësaj Shqipërie u gjend në kushtet e
serës, dhe bijtë e tij, u rritën si bimë në serë, jetët e tyre u prefabrikuan
'nga lart'. Por liria është e drejta e njeriut për të prodhuar jetën e vet.
Ata
që në emër të zhdukjes së pronës u bënë pronarët e këtij vendi e të mbarë këtij
populli, qenë edhe pronarët më të këqinj që kemi pasur. Dhe bijtë e tyre, sot
në epokën e shoqërisë së spektaklit të integruar, përpiqen të bëhen pronarët e
perceptimit. Duke e çrrënjosur subjektin nga përpjekja e tij për të vërtetën.
Badiou te Etika e tij, e përkufizon
«subjektin» kështu:
“Quhet
«subjekt» mbartësi i një besnikërie, pra mbartësi i një procesi të vërtete. Pra
subjekti nuk para-ekziston aspak ndaj procesit. Ai është absolutisht
inekzistent në situatën «para» ngjarjes. Duhet thënë se procesi i të vërtetës
indukton një subjekt.”
Pra
duke e zhveshur subjektin nga prirja e tij kah e vërteta, e ke kthyer atë në
objekt. Ky përkufizim moral i subjektit, vlen edhe si përkufizim estetik i tij.
Ata
që shpronësuan për të qenë pronarët e tokës shqiptare, sot kanë riblerë
frekuencën e perceptimit, për tu bërë pronarët e tokës sonë kulturore. Por ata
nuk e punojnë këtë tokë, thjesht importojnë dhe kopjojnë. Shtrohet pyetja, po
ne si identitet shqiptar edhe sa mund të mbijetojmë me këtë kulturë fallco që
kinse prodhohet (por vetëm shitet) prej tyre? Për sa kohë njeriu mund të jetojë
nëse nuk arrin të prodhojë as edhe një pjesë të së vërtetës së vet?
***
Situata
e gegnishtes është ajo e një kolonizimi kulturor, me të gjithë treguesit e një
aparteidi. Shpronësimi kulturor i veriut klasik, ka çuar në atë që e shpjegon
Pipa, me një shembull të përkryer tek vepra The Politics of Language in
Socialist Albania***.
Ai konstaton se gjuha standarte paraqet tipare imperialiste e kolonizuese, pasi
merr nocionet e pashmangshme të gegnishtes, i jep lustrin e vet dhe ia shet po
të njëjtëve, siç bëjnë firmat shumëkombëshe me lëndët e para në Afrikë.
Në
kohën kur perceptimi fabrikohet me pak fjalë**** nga mediat, ndër shqiptarë qarkullojnë
ende absurditete si ky: gjuha standarte quhet letrare, ndërkohë që vetëm një
pjesë e administratës e zotëron atë, pra i bie që këta burokratë janë letrarët
tanë.
Duke
e quajtur standartin gjuhë letrare, ose shkurt gjuhë shqipe, i bie që më
letrarët ndër shkrimtarët shqiptarë, pra Koliqi e Pashku, të bëjnë letërsi
dialektore, kurse gazetarët e standartit të bëjnë letërsi shqipe. Duke e
quajtur standartin të vetmen shqipe, i bie të gjithë shqiptarët e para '72shit,
që është viti i siglimit, të pranohen si shqiptarë vetëm me marrëveshje, duke u
injoruar plotësisht kontributi i tyre, para të cilit ne jemi thjesht parazitarë.
Ky
perceptim i gabuar, bijim i mendësisë së gjymtë të përftuar në gjysmëshekullin
e dytë kulturor të shekullit XX, është radiografia më e saktë e qytetarisë
kallpe që është krijuar ndër ne, e që është fabrika e aberracionit tonë.
1) Konica (duke i lexuar muzikalisht të dyja variantet) ka thënë se
gegnishtja duhet mbajtur për poezinë kurse toskërishtja për prozën. Ky pohim ka
diçka krejt të vërtetë, por vlera e tij aksiomatike është e disktueshme,
sidomos kur lexojmë poezinë e Lasgushit dhe prozën e Anton Pashkut.
2) Shih Oriental apo Oksidental,
Krist Maloki, botimet Plejad, 2006.
3) Cituar nga La concezione materialistica della storia,
Marx-Engels, Editori Riunti, Roma 19717, fq. 52.