Në replikën e tij ndaj shkrimit tim, Kur tradhëtohen Testamentet,
jep një përkufizim për fjalën "snob" me të cilën merret më shumë se
ç'duhet. Balili na fton të vëmë re: "fjala snob është një fjalë mysafire
në gjuhën tonë dhe si e tillë është
paksa e përkorë: ka pak përdorime, dhe nënkupton një njeri me sjellje e
veprime të tepruara. Ka një ngarkesë të theksuar ideologjike, sepse
përdorej veçanërisht gjatë Diktaturës për të shënjuar njerëz jashtë
klisheve e standardeve socialiste". Balilit i ka mbetur ora në kohën e
socializmit. Ky përkufizim është me të vërtetë i kufizuar në logosin
simbas Dullës. Mjafton një kërkim në google shqip, dhe e vren sa
përdoret ajo nga shqipshkruesit e sotëm dhe me çfarë konotacioni. Ky
francezist gjatosh që shpërfaq një erudicion të rrejshëm që ia
përgënjeshtron mungesa e gungës pra e përkuljes dhe e përultësisë para
librit, nuk e din se snob është me prejardhje latine, dhe përdoret në të
gjitha gjuhët e kulturës, prej Alaske deri në Kanada. Snob, është
shkurtim i "sine nobilitate", "pa fisnikëri". Kësodore, po ta përdorim
si folje, snoboj, ka kuptimin: nuk e trajtoj si të rangut fisnik, patric
etj. Pse e përdori?
Problemi është i thjeshtë, në shkrimet e mia, pra në shtëpinë time,
unë mund të përdor fjalët që dua, dhe simbas leximeve që bëj ndërkohë, e
pranoj edhe ndikimin e gjuhëve të tjera. Balili, është më ambicioz se
kaq, ai ngul ose "ngaful" simbas leksikut të tij, fjalët e veta në
librat që përkthen. E kështu, ia bën bash si Nastradini që ngul gozhdën
në shtëpinë e mikut. Kur të përfundojë puna te kadiu, ky, me gjyq, s'ka
me mujtë me ia ndalue të hyrët në shtëpinë e mikut, pasi aty na paska
një pronë (të shenjtë, të paprekshme, të paluajtshme!) Naser aga, që
është pikërisht gozhda(t) e tij.
Mandej Gjini ma ngatërron mbiemrin dhe ma bën Canaj, por para se ta bëjë këtë i fut një nga ato fap-fupet e tij.
Ka
fjalë si snob, iluzion, refleks, koito, linçim, kritikë, etj., që janë
terma ose skaje kulturore, pra gjinden në të gjitha gjuhët e kulturës.
Këto s'kanë përse të shqipërohen. Sikundër fjala shqipe etnì, pra etnit,
është në të gjitha gjuhët e kulturës e njejta.
Kunderën si romansier vazhdoj ta snoboj, mbasi në 100 romanet
e mia të preferuara, nuk hyn asnjë roman i tij. Por kjo është çështje
shijesh, ose de gustibus. Por n'esetë e mia të preferuara, hyjnë pa
dyshim Testamentet.
B. Gj-së ia kënda shumë onomatopetë. Madje tek Kundera i tij,
situata bëhet e "ububushme". Fjalëformimi i tij është krejt çudan, dhe i
diskutueshëm, mbasi unë kur lexoj përkthimet e tij them: obobo! dhe jo
ububu. Si unë e thonë shumica e shqiptarëve kur vënë duart në kokë.
Këso onomatopeshë gjinden me thasë tek të gjitha shqipërimet e tij, mirëpo ka një problem: këtij i stonojnë edhe onomatopetë.
Një
fjalë tjetër me të cilën merret Gjini është koitoja, ose çiftimi. Unë
si njeri me kulturë e lë në trajtë latine me "c" të shqipëzuar, koito.
Mbasi kjo formë mundëson edhe një batutë mes humorit dhe filozofisë:
coito ergo sum. Që është parodi e kartezianes: cogito ergo sum. Ia kam
harruar autorin kësaj batute, por Kundera e ka parasysh. Për përkthyesin
fatlum B. Gj., kjo është thjesht "pallimi", a thua se kemi të bëjmë me
romanin "Femrat" të Charles Bukowsky-t, dhe jo me një traktat estetik.
Përpos kësaj, është edhe çështje rrënje, koito, nuk është larg rrënjës
shqipe "me kajt", siç përdoret ende sot në të folmen e Kosovës. Me Testamentet e Balilit, jo.
Pyes veten a kemi pasë ndonjëherë lexues më të mirë se sot, dhe a e kemi shërbyer atë më keq? Le të mendojmë vetëm për dhjetra mijërat që kanë studiuar jashtë e brenda dhe që njohin më së miri të paktën dy gjuhë. Ndërkohë që në Shqipëri bëhet akoma "mbrojta e gjuhës", një provim me pagesë, ku duhet të kalojnë edhe ata që kanë marrë larin jashtë. Sa të kurorëzuar me lar n'Oksford janë detyruar me mbrojtë anglishten e tyre para kuadrove të kalbur të katedrave të Tiranës? Kur oksfordianët mbrojnë anglishten para sorollopit të kuadrove, kush do t'i mbrojë ata nga injoranca sunduese në të gjitha nivelet e jetës shqiptare? Dhe kur situata është kjo, nga do t'ia fillojmë ndërtimit të qytetarisë së re shqiptare?
Shkolla e re e përkthimit në të vërtetë po ndjek gjurmët e Petro Zhejit e jo të Nolit. Pra stilin e Don Kishotit pjesa II, jo pjesa I. Kushtet janë pjekur për këtë.
Nessun commento:
Posta un commento