Kur
tradhëtohen Testamentet
Milan Kundera gjithmonë m'ishte dukur eseist i maskuar,
prandaj i snoboja romanet e tij. Deri një ditë kur vendosa me lexue një
ese të tij: Testamantet e tradhëtuara. Falë saj, Kundera më bindi dhe
ma ndryshoi perceptimin për krejt veprën e tij. Për qejf fillova ta
përkthej, e për respekt e mora me ngadalë.
Mbas do kohësh kur kisha
mbërritur n'atë pikë sa me mujtë me i dhanë fund procesit, pyeta me
gjeta ndonjë botues, por më thanë se dikush ma kishte kaluar dhe e
kishte përkthyer krejt librin para meje. Kështu, mos me humbë kohë, u
tërhoqa. Por njohja e thellë e këtij libri më lejon të jem ndër kritikët
e tij, sidomos kur kam edhe një përkthim (çka se të pakryer) në sirtar.
Libri është Testamentet e tradhëtuara, botime Pika pa Sipërfaqe, përkthyer nga Balil Gjini. Ai fillon me romanin me namë të Rabelais. Në shqipen e premiuar të Gjinit na vjen kështu: “Qysh në fazat e fillimta libri i hap kartat: kjo që rrëfehet këtu nuk është serioze [...]”
Varianti im që flen në terrin e një sirtari: “Qysh prej fjalive të para libri loz me letra të hapura: ajo çka po tregohet nuk është e njëmendtë [...]” Të paktën fjala “serioze” duhet shqipëruar sipas ngjyresës, pra: “e njëmendtë”. Shembull: ajo që i ndodh Gregor Samsës është shumë serioze (madje është tmerrësisht e rëndë), por nuk është e njëmendtë, është jashtë njëmendësisë. “Serioze” në gjuhët latine ka këtë sfumaturë ose ngjyresë kryesore, pra “e njëmendtë”. Kurse në shqip, një gjë që nuk është “serioze” mund të jetë një tallje. Por tek Metamorfoza që morëm shembull, nuk kemi tallje me lexuesin. Më poshtë, po në faqen e parë, kemi:
«Aty është gjithçka: “e vërteta dhe e pavërteta”, alegoria, satira, gjigandët dhe njerëzit normalë [...]. “Vraisemblable” dhe “invraisemblable” e përkthen si “e vërteta” dhe “e pavërteta”».
Ndërkohë që e gjasshmja dhe e pagjasshmja janë gjegjëset e përsosura në shqip të këtyre fjalëve. Ndërkohë fjalën gege ‘e pagjasshme’, përkthyesi më poshtë e përdor, por ku nuk ka rëndësinë kategorizuese që ka më sipër. Gjini shqipëron aty ku s’duhet dhe nuk shqipëron ku duhet.
Vijon libri: «[...] S. Rushdie, në Vargjet satanike, bën që dy heronjtë e tij, pas shpërthimit të një avioni, të bien duke llomotitur, duke kënduar, duke u sjellë në mënyrë komike dhe të pagjasshme. Ndërsa “përsipër, mbrapa, poshtë, në zbrazëtirë”, fluturojnë karrige me shpinore të fushkëta, gota prej kartoni, maska për oksigjen dhe pasagjerë, njëri Gibraeel Farishta, “noton” në ajër me krahë fluture, me stil bretkosë, mbështillet si lëmsh, shtrin krahët e dhe këmbët në pafundësinë e këtij të quajturi agshol...»
Kurse, përkthimi im: [Teksa «nga sipër, nga prapa, nga poshtë tyre vareshin në atë boshllëk» sedilje të përkulshme, gota letre, maska oksigjeni dhe pasagjerë, njëri prej tyre, Xhebrail Farishta, notonte «në ajër, krol, bretkosë, dhe kruspullosej si një top, dhe prapë hapte këmbë e krahë mbi gruntin gati të pafundëm të pragzbardhjes».]
Balili e bën të pagjasë jo vetëm rënien rushdiane ku personazhet ia shtrojnë me muhabet, por edhe avionin. Vetëm në avionat me të cilët ka fluturuar B. gjatë përkthimit, në vend të (sièges à dossier inclinable) “sediljeve të përkulshme”, kemi “karrige me shpinore të fushkëta”. Pra në vend të një avioni të Indian AirLines, kemi një tonin të Lazarati Airlines, ku piloti-shkrimtar na tymoska barin magjik, dhe në vend të sediljeve të përkulshme shifka “karrige me shpinore të fushkëta”... Notin krol, B. Gj. e jep fjalë për fjalë si “not me krah fluture”... Kurse shprehja ‘në pafundësinë e këtij të quajturi agshol’ për të thënë se e gjitha po ndodh mbi sfondin ose gruntin e zbardhjes së ditës, na dëshmon se përkthyesi tashmë është ‘bërë dru’. Kundera, i cili s’ka gisht në këtë mes, duke cituar përkthimin frëng të Rushdisë, thotë: «dans la quasi-infinité de cette quasi-aube». Emrin e personazhit B. e lë Gibraeel, kur fare mirë mund ta shqipërojë Xhebrail, ose Xhibrail simbas dy trajtave shqipe të variantit musliman t’emrit të krye-engjëllit.
U morëm me tre paragrafët nistorë.
Shohim tani kapitullin kunderian mbi Kafkën sipas Brodit. Pra kapitullin më në spikamë të temës së tradhtimit të testamentit.
Gjini përkthen kështu: “Kësisoj ne nuk habitemi që Brodi, adhurues i romantikës femërore, për të cilin pallimi nuk ishte realitet, por “simbol i ndjenjës”, nuk kishte mundur të përshquante asgjë të vërtetë tek Brunelda, zaten as hijen e një përvoje reale, por vetëm përshkrimin e “tmerreve ndërshkuese, përcaktuar ndaj atyre që nuk ndjekin rrugën e mbrothtë”.
Nga file-i i përkthimit tim të 2007s, kopjoj:
«Nuk duket e çuditshme pra që Brodi, adhurues romantik i grave, për të cilin koito-ja nuk është një realitet por një «simbol i ndjenjës», s’ka parë te Brunelda asgjë të vërtetë, as hijen e një eksperience reale, por vetëm përshkrimin e «ndëshkimeve të tmerrshme rezervuar atyre që s’ndjekin udhën e drejtë».
Dhe origjinali, që është më i thjeshtë se çdo përkthim:“On ne s’étonne pas que Brod, adorateur romantique des femmes, pour qui le coït n’était pas réalité mais «symbole du sentiment», n’ait pu vir rien de vrai dans Brunelda, pas l’ombre d’une expérience réelle, mais seulement la description des «horribles punitions destinées à ceux qui ne suivent pas le bon chemin».”
Vini re se “le coït” B. e jep me fjalë “pallimi” e sa keq tingëllon kjo në këtë libër estetike, ku fill mbrapa flitet për “simbolin e ndjenjës”... Koito nuk domethënë pallim por çiftim, por edhe po t'ishte ashtu, nuk duhej shqipëruar. “Udha e drejtë” për të cilën flet çdo bibël a qitap, në asnjë libër fetar nuk rezulton si “rruga e mbrothtë”.
Sipas
B. prapë (faqja 273), tregimi i përsosur i Kafkës “Ein
hungerkuenstler” qenka Një kampion i agjërimit. Fjalia e
plotë në përkthim është: «Shkagimi nuk i përket
automatikisht gjithçkaje që s’ishte botuar, sepse përmes
veprave “të vlefshme” radhit edhe novelën Një
kampion i agjërimit, e cila, në çastin kur e shkroi
letrën, nuk ekzistonte veçse në dorëshkrim.»
Në
radhë të parë Gjini duhet të ketë parasysh se fjala frënge
‘parmi’, nuk do të thotë përmes(!) pavarësisht ngjashmërisë
grafike dhe fonetike. Ajo do të thotë ndërmjet, ose midis. Në
radhë të dytë “Artisti i urisë” nuk është novelë! Dhe nuk
titullohet Një kampion i agjërimit. Duhet me ia ripërkthye
lexuesit këtë fjali, duke i thënë se Kafka n'amanetin letrar që
i la Brodit, nuk dënoi me djegie çdo gjë që kishte shkruar, pasi
mes veprave të tij mund të ruhej tregimi Artisti i urisë... etj.
Titullin
e pjesës së nëntë të librit: “Là, vous n’êtes pas chez
vous, mon cher” (e shqipëruar: Këtu nuk jeni në
shtëpinë tuaj, i nderuar), Gj. e përkthen: Atje s’jeni në
shtëpinë tuaj i dashur! Pra fjalë për fjalë, dhe kujton se
là do të thotë atje, si në italisht.
Kreu
ku fliten këto gjëra titullohet Rrugët në mjegull, por
lexuesit veçse mjegull tjetër i serviret.
Në
faqen 277 përkthyesi Gj. tregon se nuk e njeh fare Kafkën, kur
përkthen pjesën e fundit të Procesit. Ndërkohë
që shumë mirë mund të kishte kopjuar e ndrequr pak përkthimin e
Gj. Vlashit.
Sipas B. Gj., prej Kunderës thuhet: «Mendoj
për fundin e Procesi: të dy zotërinjtë janë përkulur
përmbi K. që po e therin: “Me sytë që po i erreshin, K. pa
përsëri, shumë pranë fytyrës, faqe më faqe, të dy zotërinjtë
tek kundronin përfundimin:
–
Si një qen! – tha K.; dhe ishte
sikur turpi e detyronte të mbijetonte”.» Dy dorasët janë bërë dy zotërinjtë.
Duke parë K. që po jep shpirt ata thjesht “kundrojnë
përfundimin”. Kurse marazi i K., se mos do t’i mbetej marrja
(turpi) mbrapa, jepet me shprehjen e pakuptimtë “ishte sikur turpi...”.
Ja
dhe i miri Gj. Vlashi, tek përkthimi i tij që prapë është shumë
më i pranueshëm:
– Si
një qen – tha K. dhe dukej sikur trupi do të mbijetonte edhe pas
tij.(Gabimi ortografik kthehet në gabim logjik dhe fjali përçudnohet krejt, duke u dukur si me qenë marrë nga librat me zombie të Stephen Kingut, ku “trupi” i mbijeton edhe vdekjes së të zot’.) [Procesi, fq. 226, Globus R., Tiranë, 1997)
Ndërkohë, anësore: Gj. shprehjen ‘gjë për tu çuditur, ose kërshëritëse’, e jep: gjë kurioze (fq. 248), a thua se gjërat janë antropomorfike dhe kanë kuriozitet si njeriu, apo macja, një kafshë me natyrë kurioze. Luftërat napoleonike, i jep si napoleoniane. Të pafajësueshmit, i jep si të pafajshmit (fq249) Dorasët e Procesit janë gjithkund zotërinjtë.fq 224, fq 277 etj. Madje K.së i shkon mendja të merrte një thikë dhe “ta ngafulte në trup” (fq. 224)
Rëndësia
e Testamenteve është aq qendrore në veprën e Kunderës, sa
ky libër mund të jetë pa frikë edhe testamenti i tij. Çdo shtrembërim i tij meriton një "j'accuse" të madhe botnisht.
Nessun commento:
Posta un commento