mercoledì, luglio 25, 2007

SPECIAL GUEST

 
Esiryth vel Saghoira, bardo irlandese defunto
 
 
L'isola di Shkodra

Fra i canti scomodi dei ciottoli al suolo,

Fra il lume di piazza e il fior di via,

Fra il tenero passo nel quarto di secolo,

 

Scuote il martello il mantello incudeneo

E la mano feroce si musica al vanto

Di una stirpe viandante ornata di strade.

 

Suona il clarinetto fra le cieche spiagge

E l'isola calda chiamata Shkodra

Cinta si mostra di flutti sublimi

 

Poiché gli occhi non l'han vista si giace

Fra gli arceri delle tue cromate parole;

E si tinge, oh Poeta, l'atea fantasia

 

L'occhi l'ascoltano dalle tue labbra

Sculta coi bradi ricordi del cuore

E tutto soggiace fra'l notturno calore.

 

martedì, luglio 17, 2007

POEZI SHQIP

Poezi në shqip

kthye prej origjinalit me të njejtin autor italisht

nga Astrit Cani

 

   
 

Shi anglez

 

Ky shi anglez që po bie

përtueshëm si muzikë pantoflash nëpër shkallë

më kujton dashunitë e ndeme

mbi telin e këputun nga hingëllimat e rinisë së parë.

 

Ato dashni që do kishem dashtë me pasë

Rrfé të mërgueme, rreshje, valë, shqota intime

Për meteorologjinë e zemrës sime.

 

 

Fleur d'Orient

 

Asht nji lule e pagjumë

në skajet e dritës së diellit

ku Zoti shfleton gonxhen e orëve

 

Kina flen…

Mba vesh… Kina po flen…

mbi shkallat e kohës

prarue me hanë)...

 

Asht nji lule që s'ka paqë

në skajet e dritës së krijimit

(a peaceless rose as a sleepless wound

to the skirts of light)

në kohën kur zanat lozin rêve

e ylberet shfaqen mes shiut si unazat

e shtatë premtimeve të ngjyrta…

 

The rain-roses are in bloom

until the day of the doom

my rosebud.

 

Asht nji lule që jeton

në skajet e brishta të vegimit

ku gjithçka tjetër tepron

 

Asht lulja e amëshimit

rroke

e falja shpirtit. 

 

 

Flajët e Françeskës

 

Jemi në natën e ndërmjetme

keqeshkrojë drite,

na lag nji det pa brigje, as kahje

pa ujë,

pa krypë.

Në terrinën e paskaj flakëron

florini i heshtjes

së tana gjanave që bota s'pat kurrë.

 

Banojmë në luginën kozmike të natës,

mbarsë me boshllëkun e të qenit vetëm.

Asht negativi i ferrit tjetër.

 

Përditë na japin me besue se jemi gjallë

amà bashkëkohës të nji tjetër kohe.

 

E prapë drithmon tek ne

i pashkallmueshëm

hapi i zjarmit të parë.   

 

 

 

Njiqind net

 

Njiqind net vetmie të kumbueshme

edhe për marinarin janë të padurueshme

edhe kur mija rreze presin buzë agut me të shelbue

 

njiqind net sall gjumi të dehun

miglior fabbro me qenë s'e vlejnë nji t'puthun

edhe në prodhofsh muzikë për universin

 

njiqind net ujnash të thella

njiqind net si div kënetash

njiqind net kometash skuthe

njiqind net syçkash hajdute

njiqind net si njiqind vjet vetmi

njiqind net arì në letargj

 

njiqind net pa rrjetën e flokëve të tu'

njiqind pa thanë as ndie të du'

 

tash njiqind net jam poeti i mërzisë

tash njiqind net jam bariu i vetmisë

 

 

 

E mira asht

 

E mira

Asht që kur nata bluhet

Gjer në fund dhe bluja

Bahet e kaltër me kangën e kokoshit

T'a kullufisësh mëngjesin si rriskë pjepni.

 

E mira mbi të gjitha

Asht që rrugës tande i padrojë

Të pish muzikë hapash që shkojnë

Të mikeshës që don të të dojë.

 

E mira asht që ti

Ti besosh si ngahera

Marrisë së poezisë

E jo marrinave të tjera.

 

 

Fjalët e Aliçes

 

Kjo nata ime në L.A.

Ciudad de Los Alcoholicos

Seç ka nji hanë që ngjan

Porsi qershia mbi tortën e hijeve

E qirzat janë prej qelqi të zi me flakza eteri përsipër.

 

Jam ktu me mullën time

Leshtore plot lang

Vdekjeje alkoolike që përpëlitet.

 

Polici tue më pa' se jam racë e bardhë

Tha se dehja nuk asht krim

E iku pa e zgjatë.

 

Koha asht zbutë mbi kep e engletisem;

Nji erë hajdute i vjedh rrembat

E pemës që stuhia e paradites ka zharitë,

i tret n'ajrí si shi kalemash,

marr nji e shkruej

me majën e thëngjilltë:

 

partnerja ime më ka lanë

për një Asfodel që i paskej premtue

nji vdekje disi ma t'ambël.  

 

 

15/07/2007

 

 

 

 

 

 

 

lunedì, luglio 09, 2007

Poezi Dashtnie

a cura di A.C.
Fernando Pessoa
   
[S' e di a asht dashunia që ke...]

S'e  di a asht dashnia që ke, a dashnia që hiqesh,
Ajo që më jep. Jepma. Kaq më mjafton.
Tash që nga mosha i ri ma nuk jam,
le të jem së paku gabimisht.
Pak na japin zotat, dhe ajo pak asht e rreme.
Mirëpo, kur na e japin, paçka se të rremjshe, oferta
asht e vërtetë. Pranoj.
Mbyll sytë: kaq mjafton.
Çka du' ma shumë?



[Njësoj si të ish çdo puthje ]

     Njësoj si të ish çdo puthje
     Lamtumire
Imja Cloe, të puthemi dashtunisht.
     Se ndoshta sakaq po na falet
     Mbi sup dora që thërret
Barkën që vjen veç  në qoftë boshe
     Dhe që në një fashë të vetme
     Lidh çka qemë njeni për tjetrin
Me shumën universale të jetës së tjetërkujt.


Sergio Olmi



[Lumtuni që kaq shumë digjke... ]

Lumtuni që kaq shumë digjke, si
Krejt e padurueshme seç mu bake sot.
Largoma nga sytë këtë venën tande
aq shpuese dhe të fortë.
Dridhun, zhbamë ankthi, zemrën
të shkretueme dhe në pështjellim
drejt teje tash po çapitem
siç kam me ecë një ditë drejt vdekjes.



[ Kangë grueje]

Kangë grueje që kujton se kush s' e sheh

Mbas kanatash të mshelme, za i ngjirun,
Braktisjesh lënguese dhe dridhmash të befta
Ndërpa, bamë prej fjalësh
Boshe, që s' i dalloj.
O za i përhumbun, i trazuem dhe i ambël,
dendë me andrra,
që marinarët rrëmbeje në mes të detit,
dikur, kangë sirene.
Za dëshire, që s' din
A don a dron, dhe gja s' thotë
tjetër, në mos të errtën, të dridhshmen
dashuni të vetën. Si kurm i ndezun
që flet kajherë, dhe i ven vesh
habitun vetes kah jeton.











Franco Loi


[Ti më the...]

Ti më the: «Më lodhën komeditë...
Oh ti, si burrat e tjerë, hije me duer!
Më len të qetë! Të bajmë si të tjerët
Që ngryken, çiftohen dhe ikin!»
Unë të pashë, dhe mbrenda frika
më ngriu si kur mendojmë vdekjen:
pashë bar që çohej erës, dhe komedia
qeshë unë, dhe ti mendimi im për veten...
Dhe asobote të fola për ajr e dashuni,
Dhe plot dinjitet kërkova të qam't.
Dhe ishte e vërteta komedia
dhe isha shtirje, e jo të qamit tonë,
por arsyja, sensi i frikës
që nuk ishte dashnie por mëshire,
dhe unë i sinqertë lueja komedinë
prej dëshpërimit të të qenit larg.




Hermann Hesse

 

 

[Të pyeta...]


Të pyeta pse syni jot aq andshëm

prehet mbi timin vallë,
si yll  dritëmues i qiellit
te një errcake valë.

Ti më pe gjatë e gjatë,
siç pajtohet fmija me shikim,
mandej më the butësisht:
t' du' fort se je i trishtë.


René Char


Uri e kuqe

Ke qenë e çmendun.


Sa kohë u ba!


Vdisje   me gishtin para gojës,
Në një lëvizje të sojme,
Për me braktisë lajkat;
Nën diell të ftohtë copzimi të blertë.

Ishe aq e bukur sa askush s' kuptoi se kishe vdekë.
Ma vonë, qe errë, erdhe me ecë me mue.

Lakuriqësi pa mashtrime,
Gjinj t' shkërmoqun nga zemra jote.

Një burrë që të kish mbërthye në krahët e tij
Shtrohej në tavolinë:
I paqtë në botën e pacipë.

Mirë do jesh, se ma nuk je.



Tomas S. Eliot

Kangë dashunie e Alfred J. Prafrok


S' i credesse che mia risposta fosse
A persona che mai tornasse al mondo,
Questa fiamma staria senza più scosse
Ma però che già mai di questo fondo
Non tornò vivo alcun, s'i' odo il vero,
Senza tema d'infamia ti rispondo.*



Eja të shkojmë pra, unë dhe ti,
Kur mbramja asht nde në qiell
Si pacienti i narkotizuem mbi tryezë;
Eja të shkojmë, mes rrugësh gjysmë të shkreta,
Përmes tërheqjeve mërmëritëse të buta
Netësh të shqeta, në hotele të lira një-natshe
E restorante me guaska t' hapërdame si rezhda tallashi
Rrugësh që s' mbarojnë, si një grindje e mundimshme
Me synimin e rrezikshëm me çue te një pyetje
gjithpërfshimëse.
Oh, mos pyet "ç' pyetje"
Veç të shkojmë, veç ta kryejmë vizitën tonë.

Nëpër dhoma damat venë e vijnë
Për Mikelangjelon tue molloisë.

Verdhacukja mjegull tek fërkonte kurrizin pas xhameve të dritores,
Tymi i verdhemë tek fërkonte turinin pas xhameve të dritores
Lëpiu lakmueshëm qoshkat e mbramjes,
Ngurroi pak mbi bazenet e ujit të ndenjun
E hangri shpinës blozën e rame nga oxhaxhet,
Seç rrëshqiti mbi tarracë, me një kcim të befasishëm,
Dhe tuj pa se qenkej mbramje e butë tetori,
U soll shtëllungë rreth shpisë dhe ashtu ra fash.

Dhe njimend kohë do të ketë
Për tymin e verdhemë që shtrihet rrugës,
Tue fërkue kurrizin   mbi qelqet e dritores;
Kohë do ketë, kohë do ketë
Me gatit një fytyrë me pritë fytyrat që ke me pritë;
Kohë do ketë me vra e me krijue,
Dhe kohë për çdo vepër dhe ditë duersh
Që mbi pjatkën tande një pyetje çojnë e shtrojnë;
Kohë për mue e kohë për ty,
E kohë për njiqind pavendosmëni,
E për njiqind shqyrtime e rishqyrtime aq,
Para se të hamë një rreshke me çaj.

Nëpër dhoma damat venë e vijnë
Për Mikelangjelon tue molloisë.

Dhe njimend kohë do të ketë
Me pyetë veten "A guxoj? dhe "A guxoj?".
Kohë me u kthye mbrapa dhe me zbritë shkallën,
Me një shesh shkretan mes flokëve që më feks...
(Do thonë: "Sa po iu rralluekan flokët!".)
Xhaketa ime nadjesore, jaka e shtërngueme mirë kah mjekra,
Kravata e sojme por modeste zbukurue nga një karficë e thjeshtë —
(Do thonë: "Seç asht ba kockë e lëkurë!")
A guxoj
Universin ta shqetësoj?

Te një minutë ka kohë
Për vendime dhe shqyrtime që një minutë ka me rrëzue.

Se të gjitha i kam njohtë ato tashma, njohtë i kam —
Njohtë i kam mbramjet, nadjet, mbasditet,
Jetën me lugë kafje e kam matë;
Njoh zërat vdekatarë me kadencë vdekatare
Nen muzikën që buron nga dhoma ngat.
Pra çka më duhet me besue?


Dhe sytë i kam njohtë, të gjitha njohtë i kam −
Sytë që të fiksojnë në një frazë të formulueme,
Dhe kur jam formulue, tue debatue mbi një karficë,
Dhe kur jam karfosë dhe spërdridhem mbi mur,
Atëherë si u dashka të filloj
Me pështy të gjitha bërthamat e ditëve dhe zakoneve të mija?
E qysh mu dashka me besue?

Dhe krahët i kam njohtë, të gjitha njohtë i kam −
Krahë zbukurue me bylyzykë dhe të bardha dhe të zhveshuna
(Por në dritë të llampave, të mbulueme nga quka gështenjë!)
Mos asht profumi që vjen nga një fustan
Që më trullos në kte mënyrë?
Krahë pështetë përgjatë një tavoline, mbështjellë te një shall.
He pra çka duhet me besue?
E si duhet me fillue?

A të them, teksa errej jam endë mes rrugësh të ngushta
Dhe kam pa tymin që ngjitej mbi llulla
Burrash të vetmuem mangëshpërvjelë, parvazesh?...

Ma mirë të isha një palë kthetra të vrazhda
Që lëvizin në fundësinë e deteve heshtanikë.

Dhe mbasditja, mbramja, flen aq paqësisht!
Limuem nga gishta të gjatë,
Përgjumshëm... lodhshëm... a e sëmurë për mend
Shtri mbi dysheme, këtu ngat teje e meje.
A duhet, mbas çajit, akulloreve dhe ambëlsinave
Të gjej forcën me e shty' momentin te kriza e vet?
Por edhe pse kam njinue dhe qa, jam lutë e kam qa,
Edhe pse kam pa kokën time (bamun tullace) të prume mbi tabaka,
Profet nuk jam − s' ma ndien kushediseçka;
Kam pa momentin e madhështisë sime tue u luhatë,
Kam pa Shërbyesin e përjetshëm tek më mbajte pardesynë zgërdhishëm
Dhe thanë shkurt, frikë kam pasë.

Dhe tek e fundit do ia kishte vlejtë,
Mbas filxhaneve me çaj e marmalatës,
Nëpër porcelane, nëpër ndoj fjalën timen a tanden,
Do ia kish vjejtë,
Me i vu' kapak çashtjes me një buzeqeshje,
Me e ngjeshë universin në një lamsh
Me e rrokullisë kah ndoj pyetje gjithpërfshimëse,
Me thanë: "Jam Lazri, ardhë prej të vdekunve,
Kthye të gjithëve me u rrëfye, Të gjithëve do u tregoj,
Sikur njeni, tue ia ngjeshë faqen kokës së saj
Të kish me thanë: "S' asht hiç çka kisha parasysh.
S' asht ashtu, kurrsesi."

Dhe do ia kishte vlejtë, tekembramja,
Do ia kish vlejtë,
Mbas muzgjeve, oborreve dhe rrugëve të stërkatuna,
Mbas romaneve, filxheneve me çaj, fundeve që frushullojnë mbi dysheme −
Dhe kaq, e shumë më tepër?
Qenka e pamundun me thanë atë që due!
Epo si të projetueke një fener magjik nervat në shkarravina mbi një ekran,
Ashtu do ia kish vlejtë,

Sikur, tue ndreqë një nenkrejsë a një shall tue heqë,
Tuj u kthye kah dritorje, të kish me thanë:
"S' asht ashtu kurrsesi,
Kjo s' asht fare çka kisha parasysh."
.     .    .    .   .   .    .    .    .
Jo s' jam princi Hamlet, as i destinuem me qenë;
Jam një pjesëtar i shpurës, një që ka me u dashtë
Me fry një kortezh, me nisë një skenë a dy,
Me këshillue princin; pa dyshim, një vegël e lehtë,
e bindur, i gëzuem se hyn në punë,
politikac, i kujdesshëm dhe përpiktë;
Plot sentenca solemne, por pak i shkundun;
Gati qesharak, me herë, përnjimend, dhe
Gati Lolo, me herë.

Seç po plakem… seç po plakem…
Pantallonat do më duhet me përvjelë.

A duhet t' i ndaj flokët mbaskreje? A guxoj me e hangër pjeshkën?
Do vesh pantallona fanellate teksa valëve do shetis.
Sirenat i kam ndie kah këndojnë një më një.
S' më besohet se do këndojnë për mue.
Tue krehë krifën e bardhë të fryme valësh
Kur era rreh mbi ujët e bardhë e të zi.

Në alkovat e detit lënguem
Ngat sirenave kunorëzue me alga të kuqe e të murrme
Deriqë na çuen do zane njerëzish dhe u mbytëm.

* Dante, Ferri, kanga 27, v. 61-66.

 


Një dedikim grues


Së cilës i detyrohem për shendin gulçues
Që shqisat e mija gjatë vigjëlimit mban çuet,
Dhe ritmin që rendon pushimin gjatë gjumit,
Frymëmarrjen e përbashkët

Të dashnorëve që duhen, dhe kurmet e të cilëve
Seç mbajnë erën e njeni-tjetrës,
Që mendojnë mendime të njejta
Dhe nuk kanë nevojë për fjalë
Dhe pëshpërisin fjalë të njejta
Që nevojë s' kanë aspak për kuptim.

Zemërakja erë dimnore s' ka me mujtë me i ngri

Dielli kryeneç i tropikut   s' ka me mujtë me i tha trendafilat
Te trendafilishtja që kemi tonën dhe veçëm tonën

Por ky dedikim asht shkrue që të tjerë ta lexojnë:
Janë fjalë private që botnisht po t'i kushtoj.



Francis Picabia


Gojë


I rimtë filldishi i kurmit tand

Dashni me të dyja duert
Fli

E dashtuna dashni

Çdo mbramje mbi krahanuer
Të dashunisë sonë.


Cesare Pavese


Do vijë vdekja e do ketë sytë e tu



Do vijë vdekja e do ketë sytë e tu –
kjo vdekja që na shoqnon
nga mëngjesi në mbramje, e pagjumë,
shurdhe, si një brejtje e vjetër
a një ves absurd. Sytë e tu
do jenë një fjalë boshe,
një britmë e pazà, një heshtje.
Ashtu i sheh çdo mëngjes
kur fillikat në pasqyrë bahesh
palë mbi veten. O shpresë e dashtun,
atë ditë do e dijmë edhe ne
se jeta je dhe hiçi je.

Vdekja për të gjithë e ka një shikim.
Vdekja do vijë e do më ketë sytë e tu.
Do jetë si me heqë një ves,
si me vështrue kah ngjallet
një fytyrë e vdekun në pasqyrë,
si me ndigjue një buzë të mshelun.
Të pagojë do zbresim në humnerë.


 

The night you slept


Edhe nata të përngjet,
nata e largët që qan pa asgja,
në zemër të së thellës zemër,
dhe yjet të kapituna kalojnë.
Një faqe prek një faqe –
është një ngjethje e ftohtë,
grindet e përgjëron, i vetëm,
i tretun te ti, në ethen tande.

Nata vuen dhe agun mbështjell,
e gjora zemër që gufon.
O fytyrë e mbyllun, ankth terranik,
ethe që trishton yjet,
dikush si ti agimin pret
fytyrën tande tue përgjue në heshtje
Je shtri! Poshtë kësaj nate
Si një heroizëm i mbyllun vdekatar.
E gjora zemër që gufon,
një ditë të largët ishe agim.



Vladimir Majakovskij


Liliçka

NË VEND TË NJË LETRE



Një tymnajë duhani ka gllabërue ajrin.
Dhoma
Asht kapitull i ferrit të Krajçnik

Kujtohu—

Bash te kjo dritare
Për herë të parë
Duert e tua ngazëllimthi ledhatonja.
Ja ku je sot e ulun,
Zemrën ke kyçë mbrenda një korrace.
Akoma një ditë dhe mandej
Do më dëbosh
Ndoshta tue u shkrehë ngashërimi mbas krahëve të mija.
Në errcaken paradhomë dora në dorashkë
Ma nuk do mbërrijë më hy e mposhtun nga dridhma
Tutje do vrapoj
E trupin do shkapes në rrugë.
Shtazë e egër
Do çmendem
Poshtë kamxhikut t' dëshpërimit.
Po kshu s' ban,
E dashtuna ime,
E përzgjedhura,
Më mirë të ndahemi tash.
S' ka randësi—
Dashunia ime
Asht një shkamb i randë
Që mbi kokë të rri
Kahdo që mund t' më ikësh.
Lermë që me një klithmë të skajme të shfryj
Idhnimin e ankimeve dhe mllefit.
Kur qoftë një dem asht postatun paq
Edhe ai do shkojë me u hjedhë
Ujnave të ftohta n' kërkim të rimëkabjes.
Por tjetër det për mue s' gjendet
Përpos
Dashunisë tande,
As pushim s' ka në dashni e vaj.
Kur një elefant i drobitun paqe lyp
Madhështor do shtrihet mbi të zjarrtën ranë.
Por tjera diell për mue
S' ka
Pos dashunisë tande,
Edhe pse s' e di ku a me kë je.
Në qoftë kësodore nga dashnia i torturuem
Një poet në parè  e lavd do ta kish kthye
Por tigull tjetër s' ka
Që më jep shend
Pos tingullit të të lumit emrit tand.
E nuk kam me u lëshue n' fizarmonikën e shkallëve
As s' kam me e shkelë kambëzën e armës mbi tamth.
E s' ka teh thike
Që të ketë mbi mue
Fuqi sa tehu i vështrimit tand.
Ti ke me harrue nesër
Se unë të veja kunorë
Se me një dashni përvëluese shpirtin ta digjsha
Dhe një karneval efemer ditësh frenetike
Do shpërhumbë faqet e librav etë mi të vegjël.
Gjethet e thame të fjalëve të mija
A do mund ta bajnë dikë me ndalue,
Me marrë frymë dëshrak?

Së paku ler që një butësi e skajme
Ta mbulojë largimin
E hapave të tu.


Anne Sexton      


Nga kopshti


Eja, i dashuri im,
zambakët t' i çmojmë.
Sa besëpakë ne qenkemi!

E sa flitkemi vallë!

Liroje gojën plot fjalë
dhe eja me mue me kundrue
Zambakët e hapët në këtë 'farë fushe,
tuj u rritë si karavela,
  kadalë sajdisin petalet
pa infermiere as sahatë.
Le ta çmojmë këtë panoramë :
Një shtëpi ku retë e bardha
Dekorojnë hollet e përbaltuna.
Oh, hidhi mënjanë fjalët e mira
Dhe fjalët e këqija po ashtu. Pështyji
Fjalët si gurë!
Emë ngat! Emë ngat!
Eja pemët e mia të ambla t' i hash.


Sylvia Plath


Rivalja


Po të qeshte hana, do të të ngjasonte.
Lë të njejtën mbresë
Të diçkaje të bukur por që asgjëson.
Jeni tok plangprishës të mëdhënj.
Goja e saj n' formë O-je i ofshan botës përmbi;
Ytja s' ka shprehi, dhe çdo gja ngurtëson.

Seç më del një mauzole; ja ku je,
Tue trokitë gishtat mbi tryezën e mermertë, cigaret lyp,
Shpërfillës si një grue, po jo dhe aq nervoz,
E vdes nga dëshira me sha sa të nxe goja.

Edhe hana, të nënshtruemit e vet i korit,
Por gjatë ditës asht qesharake.
Pakënaqësitë e tua, kah ana tjetër,
Mbërrijnë me postë rregullisht si nga dashnia,
Të bardha dhe kot, ekspansive si gazi lotsjellës.

Asnjë ditë s' i pështon lajmeve nga ti.
Që ndoshta bredh në Afrikë, por tuj mendue për mue rri.


Kostandinos Kavafis             



Një natë

 
Ishte vulgare dhe e ndytë dhoma,
e fshehur në tavernën e dyshimtë.
Nga dritorja shquhej rrugina,
e ngushtë dhe gjithë zdralë.
Prej aty poshtë ngjiteshin zërat,
poterë puntorësh që loznin letra:
ishin shend e verë.

Dhe aty, mbi shtatin e mjerë e vilan,
Pata kurmin e dashnisë, pata gojën e epshit,
gojën e trëndafiltë e aq dehëse, saqë ende,
tash që shkruej (mbas kaq kohe!),
në shtëpinë vetmake me vjen trullosja.


Wystan H. Auden


Funeral Blues (Baladë varrosje)

Ndalini të gjithë sahatet, prejeni telefonin,
Rrejeni qenin me një koc të langshëm,
Heshtini pianot dhe me një daulle të paqtë
Nxirrni qivurin, vajtueset të aviten sakaq.

Le të vërtiten aeroplanët gumëzhitës në hava
Tue zhgarravitë në qiell mesazhin Ai Ka Vdekë,
Lidhni fjongo pëllumbave qafëbardhë,
Polici i tarfikut dorashka të zeza le të veshë.

E kisha Veri, Jug, Lindje e Perendim,
Javë pune e të Dielë pushim,
Mbasdreke, Mesnatë, bisedë, kangë;
Kujtojsha se dashnia s' vdes: Sa i marrë.

Yjet janë të padëshiruem tashti: lerini të gjitha jashtë;
ambalazhojeni hanen dhe çmontojeni diellin;
Derdheni oqeanin dhe zhguleni pyllin;
Se asgja teshma s' vlen ma për asgja.


Katherine Mansfield


Tue fjetë sëbashku


Kah flejshim sëbashku… sa fort qe lodhë!…

Ç' e ngrohtë oda jonë…  seç shkëlqejte ajo flakë
Mbi mure e tavan e shtrat të madh të bardhë!
Flisnim pëshpërimthi porsi camërdhokë
Dhe herë unë − e tjera herë ti
Koteshim një grimëherë − me u çue pa da:
"s' kam fare gjumë" sho-shojt tue i thanë.

Mos qe tash njëmijë vite vallë?
Q' u zgjova në tuat krahë − dremisje thellë −
Dhe dëgjova rrapëllimën e ngutshme të deleve.
Butësisht u hoqa nëpër dysheme
Tek   flije ende  perdet hapa me delikatesë
Dhe delet vështrova borës tuj u derdhë.

 Pablo Neruda


Nata në ujdhesë


Gjithë natës fjeta me ty

Pranë detit, në ujdhesë.
Ishe e egër dhe e ambël mes andjes e gjumit,
mes zjarmit e ujit.

Mbase shumë vonë
Andrrat tona u njësuen,
nalt sikurse thkellë,
nalt si degë që lëviz e njejta erë,
teposhtë si rranjë të kuqe që preken.

Mbase andrra jote
U nda prej times
Dhe detit errcak
Më kërkoi,
si dikur,
kur halà nuk ekzistoje,
kur pa të vu re
vozita ngat teje
dhe sytë e tu po lypnin
atë që tash
− bukë, venë, dashuni e zemërim −
po të jap me duert plote,
se ti qenke kupa
që priste dhantitë e jetës sime.

Fjeta me ty
Gjithë natës, teksa
Toka errcake vërtitet
Me të gjallë e me të vdekun,
E tue u zgjue papandehun
Në mes hijes
Krahu im rrethonte brezin tand.
As nata dhe as gjumi
S' mujtën me na nda.

Fjeta me ty
Dhe në zgjim goja jote
Dalë gjumi
Më dha shije dheu,
Uji detar, algash,
Të fundësinës së jetës tande,
Dhe mora puthjen tande
Të njomun nga Agimi,
si të më vikesh
nga deti që na rrethonte.