lunedì, giugno 26, 2006

A.Cani - mendime për misonin dhe për emisionin e gjuhës

Në fundin e nji shkrimi rrfé të ditëve të vona, Irhan Jubica thotë se: […] këtu problemi bahet shum shqiptar për me qenë i zgjidhshëm. Pra, shqiptar asht shenjim për: problematik, tejet problematik.



Nji ndër problemet ma shqiptare i kohëve të fundit, asht sigurisht edhe ai i gjuhës. Edhe mënyra se si u trajtue n'emisionin për gjuhën ishte shqiptare. Aut-auti i herojve të gjuhës klasore, versus dy intelektualëve normal të kohës sonë. Dy t’indoktrinuemit si dy bishtukë të konsumuem, ndriçojshin veç njani-tjetrin e jo ndoj aspekt të çashtjes në shqyrtim. Për Kelmendin e Klosin, mundem me thanë se ishin dy intelektualë normal, e normal asht cilësori ma elozhues për kohë që jetojmë.



Emisioni për gjuhën mu duk i bamë ma shum në emën të nji tolerance mediatike sipërfaqësore, siç asht kureshtija ndaj egzotikes, sesa në emën të nji mtese pozitive. A durohet ma që Gegnishtja të trajtohet si diçka ekzotike, dhe Gegët si shqiptarë të vjetruem? A durohet ma nji ndamje i historisë së gjuhës në prehistori ante 1972, dhe histori post 1972? Gjithë ndërsa këta personazhe historikë i drejtohen prehistorisë, pra Gegnishtes dhe e përdorin si tokë buke.

Nuk kuptohet deri në fund dashamirësia e M. Kelmendit për çeljen e dialogut për gjuhën me obelisket e manikeizmit komunist: ç’dialog mundet me u pasë me t’indoktrinuemit? Anipse ky asht nji gjest symptomatik për mendësinë europiane të këtij shkrimtari, a thue qenka Gegnishtja ajo që duhet me e shtri dorën e pajtimit?!

Çfarë faji pati varianti letrar gegë kulturës shqiptare që u përjashtue nga kultura shqipe më 1972?

Të na përgjigjen të indoktrinuemit, të na e thonë cili asht faji e mandej mund të bisedojmë.

Apo ishte arsye estetike, pse Gegnishtja asht gjuhë hundore dhe krenat e lëvizjes antinacional-çlirimtare na paskan pas mish në hundë, sado që kah ana tjetër adhuronin frangjishten, nji gjuhë hundore par exellence.



Gegnishtja asht dialekt, tha njani nga indoktrinuesit. Po mirë, bre axhë, atëherë fillo me e klasifikue letërsinë pesëqind vjeçare në këtë variant letrar, si letërsi dialektale...
Pse nuk kanë mungue edhe ata, që nën petkat e antifolklorizmës (si nji A.Vehbiu p.sh.), e kanë pas kte mtesë e ia kanë hî kësaj pune me merak. Tue epitetue në mënyrë të çartun, na e bajnë Fishtën arkaik dhe arkaizant, Mjedën parrokial e të dy ma parë shkodranë se gegë, ma parë gegë se shqiptarë. E përfund simbas këtij, Kadaré asht përfaqësuesi par excellence i urbanitetit shqiptar. Kjo asht nji idiotësi e tipit retroaktiv. Së pari mundemi me shtrue pyetjen ku do kishim qenë pa letërsinë e bame nga klerikët, që nuk asht fare letërsi klerikale. Sa për Kadarenë, kush e tha se ai i pështon folklorizmës. Shumica e romaneve të tij çka janë pa folklorin. E nse thue e Fishta asht ma parë shkodran se geg e ma parë geg se shqiptar, atëherë edhe alfabeti me të cilin ti shkruen duhet me u konsiderue ma par shkodran se geg e ma parë geg se shqiptar...

T’indoktrinuemit mirë asht me i lanë në fatin e vet. Paradigma e tyne e ndryshkun po shembet dita ditës e le t’ruhemi mos me hy në nji çadër me ’ta. Shqipja që flitet sot në Tiranë, nuk asht shqipja e së nesërmes, por nji gjuhë favelash braziliane. Asht vallë Tirana qyteti ma europian që kemi? Me sa ndigjohet të bjen mbi krye ideja se ai asht nji ndër qytetet ma të korruptueme në Europë. Pale po mëton me përçue idenë se jemi popull sensual. Po si qenka kaq i menjihertë kalimi nga popull iliro-malësor në popull sensual?



Sigurisht që ka arsye politike, masonike e triviale për me e mbajtë in vigore këtë gjuhë me vulë burokratike, por arsye estetike nuk ka. Me mbajtë në fuqi këtë gjuhë që përfaqëson nji Shqipni që nuk asht ma, asht si puna e mbajtjes së ligjit të luftës me Shqipnín nga ana e grekëve. Lufta ka mbarue, por ç’i ban se ora e tyne asht ndalë në ’46; ora e tonëve asht ndalë në vitin e ’72. Prandej e vetmja mënyrë me e mbyllë nji kapitull asht me fillue nji kapitull të ri.



Pra s’kemi ma çka presim nga të indoktrinuemit, se ata nuk i përkasin kohës tonë; s’kanë si e mbyllin at’ kapitull, do ishte vetvrasja e shkencës së tyne, për ’ta do ishte si me mbyllë tabutin e vet; horizonti e tyne, halà e gardhojnë parrullat komuniste. Ata e banë pjesën e tyne, dhe pasojat do i zgjidhim.



Po nga Ismail Kadaré a pritet gja?

Çka me u pritë? Ai e ka dhanë tashma maksimumin e vet.

Nuk jam antikadareist. Thjesht, sepse mendoj se kadareizmi nuk asht fé, por fenomen celebral i tranzicionit të letrave shqipe. Nga ana tjetër e di se ky shkrimtar që tue na dhanë antropologjikisht vetminë e njeriut nën diktaturë, vetmi që duhet ta ketë ndie diku në nji cep të ndërgjegjes së vet, anipse nën petkat e burokratit, e përfaqësoi në një moment frymën e romanit. Kurse tash 15 vjet që paradigma e lirisë ka ndryshue, përfaqëson sall veten, nji person të rrethuem nga nji kult personaliteti. I cili kult me sa duket ka egzistue krah për krah me kultin e diktatorit, si kult minor. Mandej, ma vonë pamë se edhe rreth Berishës së viteve ’90 u krijue nji kult i tillë, që u shfrytëzue gjanësisht nga kundështarët e tij e deridiku luhet halà me atë stereotip.



Këto forma, sigurisht nuk i kemi marrë uhá nga Ideja Europiane, por i trashëgojmë direkt nga stalinizmi. Një përqendrim i tillë energjish rreth një personi të vetëm, si minimum bart nji frenim të dinamikës shoqnore bashkë me ngritjen artificiale të barrikadave kulturore.



Problemi i afirmimit të paradigmës së re, nuk asht thjesht çashtje e akomodimit të Gegnishtes në kulturën shqipe si integrim kombëtar, por gjithaq ka të bajë me premisën e primatit shqiptar në Ballkan – gadishull ku kombet garojnë kush me u demokratizue ma parë, e nji shoqní e re si e jona pra nji shoqní e së nesërmes, i ka tana energjitë shpirtnore dhe fizike me konkurue denjësisht.

Kjo paradigmë, pra paradigma europiane, lyp dhe i ndih zhvillimit të kulturës urbane. Pra lypet që qytetet shqiptare të çlirohen nga korrupsioni ekonomik e moral. Korrupsioni kulturor shkakton dame në tana nivelet dhe sakaton edhe trashëgiminë humane të nji shoqnie. Ky korrupsion ka rrezikue për gjithë këto vite me u ba mënyrë jetese, dhe asht qenë modë. Tenderomania, kontrabanda ekonomike e kulturore, sensualiteti të gjitha këta të përqendrueme në qendrën sociologjike të shtetit – a s’janë të gjitha shenja të gremisjes morale të mbarë nji shoqnie?



A ka përpjekje me e dallue të mirën nga e keqja në shoqninë gjithëshqiptare. Patjetër. Dhe së shpejti mun me qenë dita kur kjo përpjekje afirmohet dhe kthehet në vizion.

Tash, platforma e re që afirmohet, si nji platfomë estetike pra mënyrë të ndjemi e të menduemi, do ketë edhe implikacione të gjana sociale e politike. Kultet e personalitetit dhe kulti i gjuhës, do ia lanë vendin personaliteteve të kalibrit europian dhe dimesionit europian të gjuhës shqipe. Mbasi deri më sot, gjuha shqipe e ka pasë nji dimension kombëtar (në Rilindje), shtetnor ma vonë, partiak e klasor në kohët e lemerishme të PPSH, dhe tranzicional, sot. Tash asht koha me ia dhanë asaj dimensionin europian që e ka meritue kahmot, tue qenë ndër idiomat ma të lashta të kontinetit. Dhe këtu duhet thanë, që sikurse historia e popullit shqiptar, historia e gjuhës shqipe asht historia e nji gjuhe europiane. E si mundemi me ia dhanë nji përfaqësim europian, nji gjuhe standarte si ajo e sodit, që s’plotëson as nevojat e shoqnisë që duhet me përfaqësue? Thjesht nevojat po thom, se jo ma me folë për aspirata.



A kemi sot personalitete të kalibrit europian? Mendoj se kjo do dallohet kur këta personalitete të konkurojnë në Europë, pa dalë nga shoqnia shqiptare, pra si të barabartë. Kjo i përket të nesërmes. Kadaré, asht larg idesë europiane. Nime që me disa nga veprat e tij përfaqësoi frymën e romanit, pra frymën e epoché-së, e pezullimit të gjykimit, e ambiguitetit dhe të relativizmit, por sot nuk i përmbush ma kriteret. Kishte diçka të dyshimtë te fakti se ai ishte i vetëm në përfaqsimin e frymës së romanit, kjo veçanësi e tij shkonte kundër frymës së romanit. Shkrimtari asht pjellë e kohës, dhe koha e Kadaresë ishte nji kohë e dyshimtë. Sot personazhi Kadaré asht arsyeja kryesore e kultit të personalitetit të vet. Së dyti, siç ka nxjerrë në pah F.Lubonja, thuejse në tanësinë e veprës së tij ai ia kundërven në mënyrë manikeiste lindjen-perëndimit, tue i thanë Islamin lindje e lindjes terr dhe krishtnimit perëndimin e perendimit dritë; por siç e ka sqarue filozofi E.Severino Islami asht thelbësisht perëndim; mtesa politike e veprës së Kadaresë nuk e ndihmon emancimipin e idesë shqiptare, e nuk pajtohet me frymën e romanit. Sepse romani asht bir i Europës.



© by Gazetajava.com

Nessun commento: