mercoledì, maggio 23, 2007

DEBAT III

Astrit CANI

 

Kundër-letër ndaj nji intelektuali pothuejse-xhent ëllmen.

 

    

     Ky debat i ngjallun me virtyt donkishotesk mbas nji viti e gjysë, ishte nji befasi e vërtetë. Por energjia e shqiptarit që jeton në Amerikë s'ka si me pasë të shterrun. Ky nier, bashkëbisedues i imi, që deri dje e konsiderojshem "fair", jo vetëm që e lexon në mënyrë kryekëput tendencioze shkrimin tim, jo vetëm që më quen "apologjetik", "rast i nji humanisti totalitarian", "adhurues i Kadaresë", shkrimtar ky që qenka edhe mentori im, përpos që subjekti i apologjisë sime… por, pasi e ka fillue me nji "shfajsohesh për anmiqtë tanë", mbërrin me thanë, tekstualisht: "ata që mendojnë si ti, ata që refuzojnë me reflektue mbi të kaluemen, janë ata që e çuen Shqipninë drejt luftës civile në vitin 1997".

     Nji gja kaq të randë s'ma kanë thanë ndonjiherë, po prej shqiptarëve që krenohen se janë pasaardhës të piratëve ilirë që ia zbardhën bythën trojeve tona me hajnina të famshme, çka nuk mundesh me pritë. Fishta jonë i dashtun, me sa di nuk i ka kndue piratëve, në dhjatën e tij që mban titullin epifanik "Lahuta e Malcís", por herojve dhe ethosit shqiptar, që ka si zemër të gjallë: besën.

     Pikësëpari: në 1997 unë ishem në vitin e parë gjimnaz. E dëshmoj këtu se askush ndër njerzit e mi nuk ka shkrepë në këtë vit asnji armë, në nji kohë kur s'ishin të paktë ata "piratë" që shtienin për sport. Nuk kemi kontribue për '97, sikurse nuk kanë kontribue mbarë shqiptarët e ndershëm. Së dyti: pse i shfajsuekam unë anmiqtë, mos jam gja mazokist ? Cilët anmiq shfajsokam unë? Dhe n'emën të kujt shitkam indulgjenca? I vetmi që shfajsoj jeni juve, por u shfajsoj pse jeni bylmez. Së treti: sikur juve doctor superlogicus t'i kishit lexue aq libra sa ç'kishem lexue unë deri në atë moshë, nuk do e kishit thanë nji gja të tillë. Ju lutem më tregoni adresën tuej në New York, që t'ju dërgoj nji palë syze të sakta, që t'i lexoni ma kjartaz rreshtat e mia. Së fundi: sikur ata që mendojnë si unë të ishin pak ma shum se nji, kultura shqiptare s'do vonojte me dalë me nji program kulturor, për të cilin ka aq shum nevojë, çka nuk bahet as me akademikët e mumifikuem në sarkofagjet e rrjetave masoniko-merimangore, as me shkrimtarët që digjen dishiri me fitue Nobel për me e përdorë si gjethe fiku, dhe as me publicistët që shkruejnë ma shum nga sa lexojnë si juve.

     Sa për Humanizmin, ai nuk asht as fé, e as profesion. E anët e errta të njerzimit nuk bajnë pjesë te humanizmi, kësodore, askush nuk thotë nazizmi asht humanizëm. Pra humanizmi asht njifarë patriotizmi mbarënjerzor. Shì këtu qendron e bukura e tij. Humanist asht çdo nier, që e din se vlera asht ajo çka mbetet dhe përçohet. Çdo nier, që don me u lanë mbasardhësve në trashëgim nji botë ma të mirë, asht humanist. Kjo nuk realizohet as me dhunë, siç bajshin komunistat, që e dogjën në zift botën tonë shqiptare dhe europianolindore, as me llafe, ose me ajër të fërguem, pra me tym, siç bajnë publiçistat e tipit gomist si zotrote, që kur ua çon biçikletën me e pikë, mbyllin nji brimë e hapin nja tri të reja, në mënyrë që të kthehesh prapë e t'i mbajsh me rrogë. Kurse miti i piraterisë ilire, që ti më valavit sa andej-këndej në shkrimin tand të çartun, ose siç thuhen në gjuhën e medicinës pra në greqishten e lashtë "skizofrenik", mund të hyjë në punë për me ba ndonji film të tipit hollywood-ian, por nuk mund të ndërtohen vlera mbi atë mit. T'lumit ne o i lumi Zot! Fatmirësisht nuk jena ma aq barbarë, mbasi do poetë e lutës, na kanë fisnikue me fjalën e tyne. Problemi asht se kur nji popull nuk arrin për nji kohë të caktueme me prodhue vlera, për me e mbushë boshllekun, fillon tue i pagëzue si të tilla do gjana të pahonepsëshme, si pirateria, e cubnia. Shndërron edhe cenet e veta në vlera, dhe mbasi bahet popull krejtësisht apologjetik, përfundon me e shndërrue edhe vetin në vlerë. Tue e kthye të qenit shqiptar në nji zanat. Quo vadis durdulleshe?!

     Problemi asht bre mixhë se sadoqë ban si psikolog, ose sajkoligjist për me thanë ma amerikanaqe, shqip nuk thohet "totalitarian", por "totalitarist". Dhe kjo asht nji fjalë që mue më mban çuet qysh se e kam ndie për herë të parë (kurrë s'e kishem mendue se mund të më mvishej mue), pse më shqetëson jo për tjetër. Sikurse tana nocionet e tjera që i bashkangjiten të keqes.

     Megjithatë po e pranojmë për nji çast, se je vu në pararojë të problemeve dhe të studimit të gjuhës. Megjithse nuk kam dijeni pr ndonji punim tuejin shkencor në lamije të gjuhës, e di se jeni vetshpallë shkenctar gjuhe. Deri më tash, s'kam pasë kohë me e latue për bukuri mermerin e bardhë të shqipes, gjuhës nanë dhe nanës së gjuhëve, dashunia për të cilën asht pjesë e udhës së Zotit. Unë, që nuk kam as inteligjencën (t'u baftë pushka top !) dhe as largpamësinë tande, andrroj me hapë në Milano nji byrektore. Megjithate, pavarsisht avantazhit tuej të theksuem, mbetet për juve nji problem i vogël: nuk ia keni haberin letërsisë. Non è grave! A tutto si può rimediare… stando zitti! Eposi shqiptar asht për mue ma i bukri në botë, po për me qenë kritik letrar duhet me lexue shum e shum gjana të tjera, ndoshta ma të pabukura, por të domosdoshme, para se me u ulë e me gjykue. A je në gjendje me folë për eposin? E di se je në gjendje me e ndigjue, dhe me e lexue, pse ke lindë shqiptar e ke pasë fatin me u rritë ndër njerz që e ruenin traditën, por a din me shkrue për 'të në skaje estetikë?

     Unë në shkrimin tim të vjetër, bre cugino americano, që ty të pat pëlqye shum (a po më rrejshe?) të drejtoheshem familjarisht (memento!) jo për me t'u ba mentor e as kumbarë, por se më dukeshe mosha ime. S'di pse e kishem kte përshtypje?   Mbase ngaqë dikush më kishte shkrue se ishe student? Po ju vazhdoni me studjue bacë, pse e vërteta asht tjetërkund.

     Metoda juej e të menduemit ka nji emën: qark i shkurtë. Me më thanë mue kadareist, kur Kadareja ka shkrue panegjirikun e Enverit dhe nuk i thotë kush enverist, thjesht pse e lexoj kte shkrimtar, dhe shkruej kritikën e tij… a mund t'a pranoj? Edhe mund t'a pranoj, veç ma parë po të shkruej edhe listën e shkrimtarëve të tjerë që kam lexue që të ftillohesh pak, dhe t'a zhdrivillojsh ma mirë çashtjen: Homer, Virgjil, Li Bo, Platon, Aristotel, Plotin, Averroè, Rumi, Saadi, Kajam, Dant, Boccaccio, Petrarca, Shekspir, Hobbes, Moore, Kartez, Machiavelli, Cervantes, Flaubert, Maupassant, Balzac, Hugo, Zola, Turgenjev, Çehov, Dostojevskij, Tolstoj, Niçe, Wittgenstein, Russell, Kafka, Musil, Salxhanjicin, Goethe, Schiller, Hegel, Kant, Benjamin, Rimbaud, Baudelaire, Safo, Plath, Hughes, Eliot, Roth (Joseph), Austen, Poe, Hawthorne, Vidal, Mari, Camus, Sartre, Apollinaire, Leopardi, Manzoni, Ungharetti, Montale, Sereni, Gatto, Pound, Verlaine, Twain, Joyce, Swift, Lichtenberg, Céline, Arendt, Ricoeur, Macintyre, Husserl, Mansfield, Breton, Kawabata, Morrison, Bellow, Mccarthy (Cormac), Brontë, Sand, Hofmansthal, Brecht, Cortazar, Borges, Pessoa, Hemingway, Blixen, Orwell, Huxley, Zamjatin, Burgess, Blake, Byron, Lorka, Shelley, Keats, Wilde, Yeats, Von Kleist, Tieck, Heine, Racine, Rostand, Golsworthy, Molier, Shaw, Heaney, Auden, Lawrence, Dickens, Sterne, Tabucchi, Gadda, Consolo, Houllebecq, Marquez, Böll, Kundera, Agostino, Tommaso D'Aquino, Eskil, Sofokli, Euripid, Aristofan, Céline, La Rochelle, Valéry, Mauriac, Bertolucci, Abate, Hamsun, Fante, London, Kavafis, Machado, Pasolini, Guillen, Celan, Cioran, Yeats, Browning, Becket, Ionesco, Vargas Llosa, Goldoni, De Filippo, Hoffmann, Nabokov, Sontag, D'Angely, Leskov, Shopenhauer, Saramago, Merleau-Ponty, Melville, Duras, Foucault, Deleuze, Proust, Seneca, Spinoza, Erasmus, Fromm, Adorno, Horkheimer, Heidegger, Montesquieu, Levinas, Buber, Laclos, Konrad, Stevenson, Neruda, Hesse, Freud, Yourcenar, Wells, Stendhal, Dumas, Bloch… e s'po vazhdoj ma gjatë se mos lodheni, se janë të tana shenjat se jeni lexues i lodhun, jo prej leximeve por prej natyre. Tashti, nse doni me vazhdue me m'quejt kadareist, do më queni edhe homerist, virgjilist, liboist, platonist… e me radhë, mos harroni me thanë kafkjan se ky asht shkrimtari im i preferuem. Mos m'shani me Kafkë se ju çaj  kafkën, asht nji batutë e vjetër e imja (e diftoj këtu për publikun e kulturuem). Tashti, më thoni ju mue, si ia ban nji rob që mbasi t'i lexojnë të gjithë këta, të mbesin "kadareist", sidomos kur nuk ka qenë kurrë i tillë. Tue më thanë "kadareist" ti më identifikon me do njerz të indokrituem ose të shkuem për lesh, të cilëve besoj ti si ekspert në mendimin e skaduem të shekullit XX,  u ngjan ma shum. Në fillim po shajshe Kelmendin, tue i thanë atij real-socialist, mandej, mbasi artikulli im i vjetshëm të bani me ndërrue mendje, u ktheve sivjet tue më sha mue. Paskeni le me sha, zoti Leshai…

 

     Excursus. 

     Siç dihet, modeli problematik në shoqninë tonë, ose modeli antihumanist, nuk asht modeli i nieriut autentik të kulturës, por asht modeli i vagabondit qytetas, tip ky që epoka jonë e krupshme, e ka prodhue në sasina industriale. Ma i famshmi ndër këta horra, asht Adolf Hitleri, dhe ky monstër pati në krah deri në çastet e mbame nji grue; çka na provon se edhe i birit i dreqit s'ban dot pa nji grue, ose siç e kndojte John Belushi: everybody needs somebody...

     Por edhe skena shqiptare ka pasë horra me shumicë. Në përgjithësi këta krokodilë gëlojnë aty ku ka kënetë. Pra ku krijohet stanjacion kulturor. Pra ku prindët nuk janë në gjendje me u mësue bijve me ndigjue dhe me ndijue.

      Gjaja e parë që vihet re në kënetën shqiptare (realiteti asht nji kënetë, prandej ju këshilloj që të shkëputeni prej realitetit), asht skizofrenia latente te masat. A e keni vu re, se shqiptari bahet me raste katil e shkuem katilit por po ia diftuet vendin kalon fill e në servil? E pra, kjo asht shenjë e skizofrenisë karakteriale dhe e mungesës së qytetarisë shpirtnore. Dhe sigurisht që difton mungesën e ekuilibrit psiqik, dhe krizën ekonomike psiqike.

     Silloj i vagabondit shkërdhatë, asht edhe vagabondi kulturor, por edhe vagabondi që i grabit njerzit jo me leva-thika-pistoleta por me mend, pra mjeku, avokati, inxhenieri, profesori… pra vagabondi me kravatë. T'a kujtojmë këtu pa vonue, se çdo vagabond, aspiron këte konditë, pra vagabondin me kravatë. Amà, në nji shoqni normale pra të pakriminalizueme, vagabondat nuk janë të kërkuem për shërbimet e tyne, por thjesht të kërkuem nga policia.

     Vagabondi kulturor, asht racist. Asht sektar, dhe klanor. Asht obtuz, dhe i lig. Vagabondi kulturor asht çensor. Vagabondi kulturor kujton se nji mënyrë të folmeje naive pa shkërdhatëri, dhe nji dialekt pa hile, nuk asht urban, dhe nuk asht as i ndigjueshëm. Vagabondi kulturor nuk ka identitet, prandej nuk e pranon që tjetri t'a ketë. Vagabondi kulturor asht kurvar: kujton se me pi ujë të krypun e ndihmon nieriun që s'ka gjetë halà ujin e pastër. Vagabondi kulturor, e urren faktin se ka le shqiptar, dhe e urren moralin e dritës së diellit. Vagabondi kulturor i ban gjanat me hile, ose me të futun, siç i pëlqen me thanë. Vagabondi kulturor, nuk e njeh partneren e tij në dritën e diellit, por në tymin e zi të diskotekave bodrume. Vagabondi kulturor, njef vetëm nji gja, interesin e tij meskin. Asht gati me cënue nderin e gjithkujt, pasi nuk ka nder të vetin. Vagabondi kulturor, ka vetëm nji problem, asht ziliqar, ngaqë Zoti s'i ka dhanë talent. Prandej ai bahet kamikaz. Vagabondi kulturor vjedh djersën e të tjerëve. Ai mundohet me promovue të vetët me njimijë mënyra, por natyra ia ka rrethue shpirtin me barna të këqija, dhe ndjenja të ulta. Vagabondi kulturor, nuk ka miq mes shkrimtarëve dhe artistëve të vërtetë. Ai ka miq mes politikanëve, dhe në veçanti vagabondëve politikë, dhe si bashkëpuntor ka kodoshin kulturor. Vagabondi kulturor, asht nier i shëmtuem moralisht e shpirtnisht; asht i shtrembët në gjithçka që mendon. Nuk asht nji demon; asht nji hienë e Gutenbergut. Kopilat e Gutenbergut e mbajnë pranë si klysh. Këtu qendron suksesi i tij. Sa asht i vogël, kopilat e Gutenbergut e mbajnë si klysh; kur ky rritet e bahet hienë e ata plaken e vdesin, han me makutëri kërmat e tyne që gërbulen në diell.

     Kush ma mirë mundet me ba vagabondazh kulturor se gazetari? Vetëm gazetari i ka mundësitë me i thurë lavde Maria de Filippi-t, mordjes së kulturës italiane, dhe ka ana tjetër me i thanë me  fjugë, kryeministrit të vet, "juve jeni një komunist i ekzaltuar dhe patetik". Vetëm ky gazetar, mundet me i thurë lavde si servil showbusinessman-es M. që i ven të rijtë tue u prostitue nëpër ekrane, e me iu vërsulë të vetmit politan shqiptar që s'ka vu bark në këto vite barkderrash, si katil. Me të drejtë nji eksponent i së majtës italiane, ka vu re se programi i saj Uomini e donne, kujton skemën e mëzatit që lidhet në qendër të katundit dhe katundarët prujnë lopët për mbarrsim. Jam i bindun, se ky gazetar do kishte qenë ma i pari që do i bante panegjirikun diktatorit po t'ishte ai gjallë. Ktij gazetari i duhet kujtue modestia e kulturës së tij, sidhe vobektësia e plotë e ndijimit të tij estetik, dhe patetizmi i guximit të tij kamikaz. Por ma e randa ishte se publiku e ngrohu me duart-trokitje këtë autogol që atij iu duk si gol për kupë. Sigurisht nji publik i përbamë prej të rinjsh që nuk duen angazhim por duen kallam, dhe mbi të gjitha i duket patatike fëtyra ku shndrin utopia, kurse ma e pranueshme u duket ftyra synxime dhe realiste (realiteti asht kënetë) e korrupsionit.

 

     Pse nuk jam vagabond? Thjesht sepse besoj se nuk do ishem nji vagabond i mirë. Nuk ia tham shk ërdhat ërisë . Do baheshem qesharak. Shyqyr që kam të tjera talente, e kte zanat ua la të tjerëve. Nuk asht zanati im. Kam frikë Zotin, jo për gja. Dhe sinqerisht më duket shum e shkurtë jeta, për me hapë ma shum gropa sesa do ishem në gjendje me mbyllë. Atëherë m'parakandet me u marrë me kulturë, dhe tue u marrë me kopshtin e kulturës e di se kajherë gjarpni mund të mshehet ndër lulet ma të bukra…

 

     Këto pra janë vagabondat për të cilët asht gjithmonë koha për me ba '97, dhe ma shum i ndihmon pamundësia juej me dalë prej opinionit dhe me hy te kritika reale, sesa përpjekja ime me e nda bizantinen nga shqiptarizma. A asht apolegjetizëm me thanë se Kadare duhet lexue si shkrimtar, për ato vepra që kanë vlera estetike? Nuk besoj. Besoj se disa nga romanet e tij janë vepra me vlera të pastra estetike. Më pëlqen shum ma pak si poet, dhe aspak si intelektual. Por ai ka shkrue romanin "Kronikë në gur", libër i pastër dhe i ndershëm, për mos me thanë naiv, siç asht e pastër "Bagëtia e bujqësia", "Vajet", dhe "Andrra e jetës".   Ka shkrue edhe "Dosjen H." dhe "Pallatin e Andrrave", vepër oruelliane, kur metafora e Panoptikonit, burgut të gjith-pamjes, për të cilin na tregon i mrekullti Deleuze, substancializohet dhe përfshin edhe botën e mbrendshme të njeriut, pra andrrat. Nji burokraci për andrrat, ja kulmi i totalitarizmit, kur ai mundohet me kontrollue edhe të pavetëdijshmen.   Por a ishte naiv Kadare? Aspak. Ai e pranoi kortën që i bani partia. Por sado makiavelian që asht Makiaveli, në Itali studjohet për talentin e tij, anipse s'jemi shum dakort me jetën që ka ba dhe aspak me mendimin e tij. Njisoj s'jemi dakort me filozofinë marksiste, por ajo duhet studjue. Për sa i përket mendimit kadarejan, ai nuk ka ndonji vlerë filozofike, dhe Kadare mbetet nji intelektual që i shërbeu propagandës dhe e farmakosi shijen politike të shekullit të XX. Dhe shija e shekullit të XX, asht politika dhe utopia. Problemi asht që Kadareja të mos studjohet si disident, sikurse Makiaveli nuk studjohet si humanist, por si "mendimtar i zi i borgjezisë" (shih, Dialektika e Iluminizmit). Dhe e forta asht se Makiaveli asht ma i randësishëm se princi i oborrit në të cilin shërbeu. Nji gja tjetër: nji intelektual perendimor si Sartri, ishte pa pikën e dyshimit ma stalinist jo vetëm se Kundera – siç thotë sociologu Edgar Morin – por edhe se Kadareja por edhe se shum stalinistë me profesion, po pse shqiptarëve nuk u kujtohet kjo kur e lexojnë Sartrin me respekt e dashuni, por kanë ma shum paragjykime të verbëta negativiste (por edhe pozitiviste) ndaj Kadaresë? Mais, c'est parce-que il était français, Sartre, dhe prestigji kulturor francez ia hap udhën në tana gjuhët dhe kulturat e botës. Plus kësaj ishte edhe i talentuem si shkrimtar. Dhe sidomos, sepse Kadarenë e ngatërrojnë me kadareistët, që janë do mbeturina të kohës së xhaxhit, plakja e tejzgjatun e të cilëve asht matësi ma i mirë i vonesës kulturore shqiptare.  

     Por a asht Kadare, i vetmi shkrimtar profesionist shqiptar i kohës sonë? Afërmendsh që jo. Shkrimtarë profesionistë që e meritojnë me u përkthye në gjuhët kryesore të kulturës kemi, si prozatorë Anton Pashkun , Ardian Kyçykun dhe Shpëtim Kelmendin. Si poetë kemi Martin Camajn, Frederik Rreshpjen, Primo Shllakun, Gëzim Hajdarin që shkruen në italisht por dhe Luljeta Leshanakun që asht përkthye në disa gjuhë. Dhe këtu nuk i kam përmendë të gjithë, por vetëm ata të cilët më kanë dhanë me mendue kohët e fundit. Shkrimtarët nuk i mungojnë Shqipnisë. I mungon programi kulturor. I mungojnë profesionistët e kritikës, dhe ata që duhet të shkruejnë tekstet e shkollave. Në këtë sens, propagandimi që i bahet Kadaresë për çdo gja që shkruen, kur ka njizet vjet që nuk e qullos nji shkrim përsmbari, asht sigurisht dukuni reaksionare. Por, Shqipnia, e sidomos politika shqiptare, ka nevojë për pashmëninë ndërkombëtare të këtij shkrimtari, për me e përdorë atë si gjethe fiku. Amà ky unitet i vizionit politiko-kulturor, që shfaqet edhe në problemin e gjuhës shqipe, që në vend që të rishtrohet për shqyrtim, forcohet me anti-kulturore, e ka nji kuptim. Politika e din, se nuk asht momenti me çelë debatin kulturor kombëtar, mbasi në çastin historik kur vendoset fati i Kosovës, ne duhet të tregohemi të bashkuem. Mbas pavarësisë së Kosovës, do shihet se cili do jetë programi kulturor i shqiptarisë. Dhe nse politika do vazhdojë në po këtë drejtim, atëherë le t'ja marrim vajit qysh tash. Mbasi kështu nuk mund të vazhdohet ma gjatë. Shqiptarët njohin ma mirë gjuhët e hueja se gjuhën e tyne, dhe kjo asht nji disfatë kulturore, të cilës i duhet gjetë kura sa ma shpejt. Shqiptarët kanë nevojë për me e lexue pa fé zori "Andrrën e jetës" sikurse, lexojnë edhe "Vallen e Yjeve". Mos harrojmë se kur gegnishtja ishte në vogë, në vitet tridhjetë, vetëm Shkodra kishte tridhjetë revista letrare. Sot edhe nji Ars që ishte e lanë pa fonde. Po çka i duhet arti piratëve të tu, mor mjeshtër?  

 

     Kjo ishte sa me ua ba të kjartë zoti Leshai, se si e shoh unë problemin e kulturës së sotme shqiptare. Kjo asht pjesa bizantine e shoqnisë që si mentorë ka ish-spiunat dhe ish-burokratët. Mue dhe brezin tim, duhet me na lanë rehat, për të vetmin fakt se ne jemi e ardhmja. Ose jo, ju nuk duhet me na lanë rehat, nëse doni që dikush nesër t'ju kujtojë, asht mirë që të na hapni sa ma shum punë.    

 

       

     Sa për kontibutin e Stalinit në socrealizëm, që ju e nënvleftësoni, lexoni Régine Robin, dhe Irina Gutkin, i keni të dyja në anglisht. Sa për artistat e majtë, Nolin, Rreshpjen, Orwell-in, Lorkën e Kafkën, balta e komunizmit vagabond shqiptar a aziatik nuk ka me mbrri ndojherë me i ndy këpucët e tyne, pse ato janë kampionë.   

 

     Sa për të tjerat… meqenëse e gjithë pjesa pozitive e shoqnisë sonë po ban përpjekje për institucione të ndershme, edhe institucioni i kritikës duhet me qenë i tillë.

     Kritika letrare, asht institucion për të cilin nuk ka asnji vlerë biografia. Miti i biografisë së keqe i shfrytëzuem gjanësisht nga policët kulturorë të komunizmit, nuk ka vend te kritika estetike. Nëse nji libër asht i mirë, autori i tij mundet edhe me qenë nji anti-semit si Céline dhe nji filo-nazist si Heidegger, mjaft që vepra e tij të mos jetë anti-semite dhe filo-naziste… Dhe as "Voyage au bout de la nuit", as "Sein und Zeit" nuk janë të tilla. Tue lexue kryeveprat e Céline-it dhe Heidegger-it, unë nuk ndihem as anti-semit e as filo-nazist. Mjegulla e tyne, nuk asht mjegulla ime. Mëkatet e tyne nuk janë mëkatet e mia. Por unë besoj se nji nier me ide fashisto-komuniste të theksueme, nji nier që i ka ba vend dhunës në shpirtin e tij, pra në të ndjemit e tij, nuk asht në gjendje me shkruejtë nji libër të mirë. Me sa di asnji nga tekstet e tyne nuk frymzohet sinqerisht prej Mein Kampf-it. Me sa di Mein Kampf-i nuk asht libër i mirë, sikurse as Enveri dhe as Stalini nuk kanë shkrue libra të mirë.  

 

 

     Ne jemi homo narrator (GOULD, 1994); na vjen ma përshtat se homo sapiens. Dhe homo narrator mundet me qenë edhe nji shkrimtar që e "pranon" kortën që i ban e keqja, pra Kadare, edhe nji nier që nuk e pranon këtë kortë, por e përçmon, pra Trebeshina.

Pra, homo narrator mundet me iu afrue për dobësi narrative homo mendax, kah njeni personifikim; dhe mundet me u ba njish me homo veritas , kah tjetri. Që të dy janë fytyra momentale e homo narrator-it, që udhëton përmes kohës dhe hapsinës drejt mishërimeve të reja, ku do tregojë të mirat dhe të këqijat e të bameve njerzore. Për mue, Kadaré asht prova, se koha jonë asht e pasun me artista, por e vorfën me mjeshta. Artistat mund të merren si shembull, por jo si model.   

 

     Sa për Elsien, kërkoj të falun nëse e kam lavdue ndokund, po e di se nuk asht Lanksch. Nuk asht e keqe anglishtja e tij, siç mton zotrote, por problemi asht se ai nuk ka pikën e talentit poetik. Sa për studimet, ato kanë ra përgjithësisht në tana degët e pemës humanistike. Njifet pema prej kokrrave, apo jo. Dhe nji ndër kokrrat e papjekuna, asht edhe shkrimi yt në drejtimin tim.

Sa për vuejtjet nën komunizëm, edhe unë i përkas pjesës së prekun të popullit tim. Por me të vërtetë nuk kam akuzue kurrë ata që janë me mue si filokomunistë ose si "humanistë totalitarianë". Besoj, i nderuem pothuejse-xhentëllmen, se akuzat duhet t'ia drejtoni atyne që ju njihni dhe që iu kanë ba keq, ose, në qofshi besimtar, mund të regjistroni faktet, dhe mund t'u lini Zotin që asht gjykatës i drejtë, mbasi asht po ai që i shkruen ligjet e qenies, dhe inteligjenca e tij lexon në zemrat e njerzve. Dhe mos kujtoni se ka fitue ndojherë i ligu në historinë e botës.

Sa për anën estetike, mundem me iu kujtue shprehjen e mjeshtrit Jezus, Joshua ose Isa: «Çile zemrën tande, bre Judë. Jo mendjen.»  

 

Milano, maj 2007

      

       

    

Nessun commento: