Distanca fizike në shoqëritë aristokrate mund të paraqitet me një skenë. Një tavolinë e stërgjatë në një sallë të madhe. Në njërin cep, Lartmadhëria e tij, mbreti, në tjetrin, Fort'hijeshia e saj, mbretëresha.
Mes tyre njëzet metra brilancë. Shërbyesit, aviten me rend, për të sjellë pjatancën e radhës. Por iu duhet pak kohë për t'u afruar, pasi zakonisht rrinë pranë murit, dhe teksa salla është shumë e madhe, tavolina është në qendër të saj. Si me thënë, distanca ndihmon tretjen. Por po ashtu, ndihmon edhe ruajtjen e ndonjë sekreti mbretëror.
Edhe pse larg, mbreti, është kopsitur deri në mjekër, mbase me qëllimin për të fshehur kafshimin e ndonjë konkubine ende të paliçensuar nga e shoqja. Mos u afruam shumë?
Tani, këtij imazhi, mjafton t'i kundërvëmë imazhin e një pikture rinore të Van Goghut: Ngrënësit e patateve.
Në një odë të ngushtë, një dritë e ftohtë e një llambe me vajguri që varet nga tavani i ulët, ndriçon disa fytyra që duken si vetë patatet që njerëzit po hanë. Pra të mjerët, nuk kanë distancë jo vetëm nga njëri-tjetri, por as nga ushqimi i tyre.
Jemi në kulmin e monarkizmit. Në Opera, aristokratët kanë lozhat më të larta dhe më të veçuarat. Megjithatë ka plasur voyeurisme.
Por sa më shumë rritet pasuria në duart e monarkëve, aq më shumë distanca e pushtetit nga njerëzorja bëhet irreale. Kështu, kur i thonë Maria Antuanetës: populli s'ka bukë, ajo përgjigjet: po le të hanë brioches. Në tavolinat mbretërore, buka është një ornament. Por të mjerët dënohen po të kapen duke vjedhur bukë.
Diçka nuk shkon qysh në themel dhe ja mbërrin revolucioni. Frika është se mos terrori i tij ka për t'i çuar gjërat edhe më mbrapa. Revolucioni vjen për t'i kthyer njerëzoren njerëzores. Pastaj thonë se e kanë sponsorizuar Rothschildët. Por kjo është anekdotë. Qe sponsorizim i njerëzores.
Njeriu i kulturuar është ai që merr distancë, në radhë të parë, nga rrethi i vet. Në rrëfenjat e urta arabe, kalifi vishet teptil për t'u përzier me popullin dhe për të parë e dëgjuar si jetojnë të thjeshtët.
Në kohën tonë, kur planeti banohet nga 6,8 miliardë njerëz, dhe përditë dalin në skenë shtete të reja që po industrializohen, eliminimi i distancave është arritja dhe njëherësh problemi më i madh.
Rritja e jetëgjatësisë përkon me prishjen e ekuilibrave ekologjikë. Në SHBA fqinji hedh në gjyq fqinjin për gardhin (pra i drejtohet avokatit me të pame); një prej dënimeve është edhe detyrimi për të mbajtur distancën prej personit fitues të gjyqit.
Alaska, vend me klimë të ashpër dhe me dit-net boreale, mbushet me qendra të mbipopulluara për shkak të naftës që ka. Në hiper-fuqinë tjetër, Kinë, ligji gjobit prindërit që lindin fëmijën e dytë.
Bota spektakolare në të sajën, eliminon çdo distancë - mjetet e komunikimit e bëjnë vdekjen një spektakël të përditshëm. Por jeta e vërtetë ka sot vështirësi të mëdha në komunikimin e vetvetes. Për shkak të afërsisë fizike, njerëzit në mungesë të distancës, krijojnë promiskuitet, marrëdhënie pa baza. Marrëdhëniet e vërteta njerëzore janë vështirësuar më shumë se kurrë pikërisht për shkak të mungesës së distancës.
Distanca e mirëfilltë, ajo që lejon rritjen, është gjeniune dhe e natyrshme. Malësori që e hedh shikimin larg porsa del në oborr në pikë të mëngjesit, nuk do ketë problemet me shikimin që ka teleshikuesi urban, që posa hap sytë, ndez TV-në një metër "larg" ndërsa e ka zënë gjumi me lap-topin te koka dhe me kufjet në vesh. Kush sheh natyrën ka gjithmonë shikim të virgjër e nuk ka nevojë për okulist.
Alpini "kullot sytë" në dimensionin vertikal, bjerraditësi qytetas mbjell lakra në facebook dhe shumicën e ditës i mungon njëri dimension. Distanca edukon.
Prandaj duke likuiduar fshatin kemi likuiduar distancën, pra edhe vetë qytetin. Në fshat, ardhja e vizitorëve nga qyteti, ishte drejtpërdrejti festë. Mikpritja kishte mbërritur kulme religjioze pasi njeriu ishte gjë e rrallë.
Jeta në distancë krijoi institucionin e mikpritjes. Fermeri që e braktisi tokën i ngjan ariut që nga peshkimi i troftave me xigla ndër zaje, kalon në ari dasmash që pret çfarë po i hedhin në dajre.
Ruajta e distancës është edhe ruajtja e ekuilibrit.
Edhe për krijimin e ekuilibrave të reja politike, duhet distanca politike. Ataturku, duke krijuar Turqinë e re, e hoqi kryeqytetin prej Stambolli dhe e çoi në Ankara.
Distanca lejon leximin ndryshe. Falë distancimit, hieroglifet lexohen si shenja të një gjuhe, dhe jo thjesht shihen si zogj, silueta njerëzish apo shenja gjeometrike.
Në shoqëritë e qytetëruara distanca dhe krijuesit e saj respektohen. Shkëputja e disa elementeve aktive të një shoqërie, shërben për të çmagnetizuar pjesët e ndryshkura. Në shoqëritë jo të shëndosha, ata që distancohen kanë vlerë edhe më të madhe.
Të mendojmë për Trebeshinën, fjala vjen. Distancimi i tij, i djeshëm dhe i sotëm, na mëson se sa shumë vlerë ka letërsia dhe sesi kjo vlerë nuk mund të përzihet me vlerat e tjera më të kuotuara në bursën spektakolare.
Risia, arritja, kryevepra në art, është ajo vepër që tregon distancë dhe na distancon nga veprat e përparshme dhe bashkëkohëset e saj të njëhershme. Arti është një veprimtari që ka shumë efekte distancuese.
Kur Lenini pat rrëfyer se po të vazhdonte të dëgjonte Simfoninë e Nëntë të Beethovenit, nuk do e kryente dot revolucionin, pati treguar diçka nga thelbi i të ndjerit estetik. Arti të distancon nga politika. Arti më sublim, krijon distancën më sublime nga çdo lloj trupi social, nga çdo lloj të ndjeri bashkë me turmën, edhe në qofsh populisti më i regjur.
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u dënuan si disidentë, jo pasi kritikonin mbajtësit e pushtetit me poezinë e tyre, por pasi me estetizmin e sinqertë të kësaj poezie, ata shfaqnin një distancë të patolerueshme në sytë e pushtetit. Distancën prej botës ideologjike të krijuar me forcë, dhe afërsinë me natyrën, me frymën e saj, me lulet, pemët e stinët. Distancë të cilën e gjejmë të kurorëzuar tek poezia e Frederik Rreshpjes.
Dhe kështu, kemi mbërritur tek distanca më e rëndësishme: distanca estetike. Ajo falë të cilës ndihemi ndryshe, më mirë ose më keq, por ndryshe. Përgjithësisht kjo është distanca që sot mungon më shumë, si thotë Lacan, me ardhjen e mediave pamore hapësira ka imploduar (shpërthyer së brendshmi).
Shekulli XX u mundua ta tejkalonte njeriun, por shkaktoi aq plagë sa për t'i kuruar, përfunduam në anestezinë më të thellë.
Estetika që do të vijë pas kësaj anestezie, do ketë të bëjë me zbulimin e distancave të reja, në radhë të parë distancat e reja kozmike.
Fakti se ende presim disqet fluturuese të na vijnë apo gënjejmë se na kanë ardhur, do të thotë se nuk jemi ende gati për distancim. Kur të kthehen distancat e reja do kemi shansin ta përjetojmë ndryshe kohën që kalon, pra si një udhëtim, e botën si diçka e mbushur me jetë (qoftë kjo një botë pa atmosferë si hëna) e jo thjesht me imazhe.
Atëherë njerëzimi, i bërë një komb i vetëm, do të ketë një epos të madh.