Shum
libra që janë mundue me hedhë dritë në lidhje me Kadarenë, janë
zhdukë prej qarkullimit, kurse autorët
që i kanë dalë kundër qysh në fillim Kadaresë dhe kultit të
tij, thjesht nuk botohen as nuk lejohen falë nji censure të heshtun
ku ndihet ende duhma e sigurimit të shtetit.
Përmendim
librin e Pipës "Subvencion drejt konformizmit", librin e
Petraq Kolevicës "Autobiografia e I. Kadaresë në vargje"
sidhe librin e K. Myftarajt
mbi të njejtën temë. Në kohë të
ndryshme kemi pasë rastin t'i
lexojmë të tre, kjo për shkak të
kontaktit direkt me librin, kontakt që lexuesi i zakonshëm s'ka si
me e pasë. Asnji prej ktyne librave nuk
kishte qëllim për me anatemue a shkreditue
nji figurë kaq të kompromentueme – qëllimi i tyne ishte thjesht
me plotësue njohjen e nji shkrimtari të nji brezi tashma të
vjetër, se për ndryshe, nuk arrin me njoftë as kush janë
shkrimtarët e rij.
Në
2007n, ndërkohë që shkrueja thezën time
magjistrale, që ishte mbi indentitetin
narrativ, më thirrën për me përkthye
Kadarenë. Nuk më thirri ndoj botues a ndoj letrar i kalibrit, por
konsulli jonë në Milano, të cilit, me të drejtë ia kam harrue
emrin. Ideja e tij ishte se Kadareja duhej
përkthye prej shqipes direkt, ngase përkthyesi i tij i ri në
frangisht ishte i dobët. Në fakt, konsulli,
kishte hallin e vet, hallin e karrirës së vet, si ma pohoi edhe
vetë. Ksaj mund t'i shtoja edhe faktin se
edhe librat e fundit të Kadaresë ishin të dobët.
Un
kisha lexue disa libra kritikësh francezë për Kadarenë dhe asnji
prej tyne nuk kishte nivel të pranueshëm kritik, ishin ma shum
agjiografi për Prometeun socialist, apo përqyrrje patriotike me
ekzotizëm stalinist. Si ka mundësi që nji vepër që mëton me
kenë kaq vitale të mos ketë ngjallë kuriozitetin a pasionin e
kritikës letrare profesioniste?
Por ky nuk ishte meraku em, asokohe, fundi i fundit Kadareja e kishte
hangër livadhin e vet.
Habitesha
si ka mundësi që nuk arrin me dalë kurrgja prej burgut të shqipes
drejt gjuhëve të tjera? Për Trebeshinën e dija se kishte arsye
politike pse kje dënue me vdekje për së gjalli edhe si shkrimtar.
Letërsia e tij e thatë prej shkrettine tartarësh, ishte nji ndër
gjanat ma të idhëta e t'idhnueme që ka letërsia
botnore, po pse nuk kishte as nuk ka vepra të tijat në qarkullim.
Teatri i tij ishte inekzistent, letër e vdekun, pse?! Nji përkthyes
shqiptar me nismën e vet kishte përkthye n'italisht jetëshkrimin e
tij "Dafina të thata". Kisha arritë me e sigurue falë
nji blemjeje online. "Allori secchi" shtypë prej nji
botuesi krejt të vogël me shum pak kopje besoj, ishte libër
ndriçues. Aty Trebeshina tregonte jetën e vet, me stilin e tij të
sertë e të esullt deri në fanatizëm. Me nji ndershmëni
intelektuale që asht thuejse e pamujtun me e gjetë ndër shqiptarë,
ku guximi intelektual asht gjaja ma e rrallë n'absolut.
Trebeshina
tregonte sesi sigurimsat e infiltruem në qarqet kulturore i
propozuen ta banin shkrimtar shtetnor dhe ai refuzoi. Në fakt qysh
kur ishte student në Moskë ky sorollop fuksash
kishin nxjerrë fjalë se Kasemi ishte i çmendun, kurse mbasi panë
qendrimin e tij strikt në lidhje me ofertën bujare të udhëheqjes,
e shpallën botnisht të çmendun. Dhe i çmendun ishte, nji njeri që
preferon me ndejtë si skllav në burg, në vend që me dalë si star
në publik, asht i çmendun. Por çmendunia e tij ishte xhenuine.
Ishte nji mburojë tragjike për shëndetin e
shpirtit. Si thotë Shën Pali: o je i çmendun sy botës dhe i
shëndëtshëm për Zotin, o i shëndetshëm
sy botës dhe i çmendun për Zotin.
Kurse
çmendunia e tyne ishte perverse.
Ma
ambicioz dhe ma
materialist, Kadareja jo vetëm që pranoi, por e lakmoi
nji pozicion të tillë si shkrimtar regjimi. Ky rol ishte i
barazvlefshëm asokohe me rolin e ministrit të propagandës, ngase
propaganda asokohe bahet fjalë shtypit. Ai duhej të zbukuronte me
pëlhurë letrare linjën zyrtare të pushtetit mbi çeshtjen e
ideologjisë komuniste dhe identitetit shqiptar. Duhet të veshte me
bimë zbukuruese telat me gjemba që rrethonin burgun tonë 28 mijë
km katror. Detyrë që e kreu me sukses.
Mendja
e tij u hap drejt interesash të
reja, kur vetë shpija botuese e regjimit që
merrej me propagandën e jashtme, pra "8 nëntori", vendosi
ta përkthente në frangisht. Kjo detyrë iu besue Jusuf Vrionit, nji
filolog i burgosun prej familjes së madhe të Vrionëve, i cili
kishte jetue 18 vjet në Francë dhe si francezist ia kalonte edhe
Konicës.
Vrioni
do të përkthente edhe veprat e diktatorit në frangisht. Kshtu
Cufja prej rrënimit
total fitoi nji vend pune si përkthyes te shpija botuese, e cila
edhe pse krejt e
vobektë ishte prap
ma mirë se burgu, dhe ku shihej me xhelozi dhe urrejtje prej
kolegëve spiunë. Kta ishin gati me ia ba gropën, por i kishte
parapritë vetë diktatori, i cili i kishte dhurue nji autograf
Vrionit, si përkthyesi i tij ma i mirë, gjatë nji vizite te "8
nëntori". Vrioni punonte si përkthyes i nji shtrese të
përmbysun, në nji realitet që ishte për vete krejt i përmbysun.
Besoj se ai këndaqej kur përkthente Kadarenë, të cilit ia
sistemonte edhe stilin simbas stilistikës klasike të realizmit
francez. Pra ai këndaqej e dëfrehej ndërsa përkthente Kadarenë,
se letërsia e Kadaresë të duket e amël para veprave të Enverit,
të cilat, duhet t'i përkthente po ai, e në
pamundësi
me lidhë kryet me
peshqir, për shkak
të fuksave që
e rrethonin.
Falë
këtij përkthimi në frangisht, Kadareja pati nji lloj lirimi
mendor, kur ambicia e tij u përudh
drejt nji dimensioni të ri ma
pak kaps. Ky dimension i ri ishte dimensioni
europian i letërsisë. Mirëpo niveli i tij kritik dhe kulturor
ishte mediokër, çka
ndikonte për keq te niveli i tij eseistik. Niveli i
tij si poet kje
thuejse inekzistent. At-herë mbetej
niveli i tij si prozator. Ktu ai shfaqet si shkrimtar atmosferash.
Nuk asht në gjendje me krijue personazhe, as me i vjedhë
personazhet, si asht rasti i Nabokovit, p.sh. që vodhi personazhet e
Lolitës prej nji ekspresionisti gjerman dhe tue iu veshë atmosfera
amerikane, realizoi nji prej romaneve të pavdekshëm të shekullit
të XX, që asht pikërisht Lolita.
Atmosferat
e Kadaresë janë
tipike bizantine. Intriga asht gjithkund e askund. Proza ma e mirë
dhe ma origjinale e tij asht proza ma mbytëse ajo ma e zymta, ajo e
Përbindëshit. Shum prej veprave të tij janë botue me diçiturën
"roman" por nuk janë të tillë, as në kuptimin
arkitekturor as në kuptimin simfonik. Gjaja
ma e afërt me romanin që ka shkrue asht "Dimri i vetmisë së
madhe", i cili vetëshkatërrohet ngase personazhi kryesor aty
asht vetë diktatori.
Nji
shkrimtar që ka afrimitet me Kadarenë për kah origjina,
origjinaliteti dhe inteligjenca, asht Milan Kundera. Kah karakteri
nuk kanë lidhje kurrkund. Kundera që ishte komunist në rini, mbas
shpifjeve dhe intrigave provinciale që e rrethuen me qëllimin ta
rrënonin, kuptoi se seleksionimi mes komunistave funksionon drejt të
poshtmes dhe u arratis prej vendit të vet. Për do kohë ai vuejti
bashkë me gruen e tij në nji papafingo parisiene, derisa arriti me
jetue falë punës së vet, pra veprës.
Qysh
prej arratisjes, Kundera, i cili shkruen
direkt në frangisht, nuk e lejon botimin e
veprës së tij në çekisht. Imagjinoni
sikur Kadareja mos ta lejonte botimin e veprës së tij në shqip,
kishte me mbetë pa bukë. Fati kritik i
Kunderës asht shum ma i mirë. Sigurisht, prestigji i Pragës, nuk
krahasohet me prestigjin e Tiranës.
Edhe
Kundera nuk asht shkrimtar personazhesh. Por ka situata. Letërsia e
tij dëshmon boshatisjen e njerëzores, teksa Kadareja duket sikur
tjerr njerëzoren mbi boshllëkun. Marramendja
urbane e Kunderës, asht gicilim para pështjellimit abisal të
Kadaresë. Frika burokratike që shtyp personazhet e Kadaresë, e
vendos at shpesh në krahasim me Kafkën.
Por
vitaliteti i Kafkës, dhe inteligjenca e tij e pakufishme, ledhaton
metafiziken. Teksa Kadareja, nuk hyn realisht në mjediset që
përshkruen. Sillet rreth llambës, si flutura që kndej ka frikë të
digjet, kndej ka frikë të ftohtët e largimit. Asnjanësia
e tij e len gjithmonë nën palët, sado që ai ktë mundohet me e
shënue si qendrim mbi palët.
Fati
kritik i Kafkës asht i ngjashëm vetëm me fatin kritik të
gjigandëve të letërsisë universale, ai asht qendra e letërsisë
europiane të Nandëqindës. Kafka asht pra nji tjetër frekuentim i
përbashkët i Kadaresë dhe Kunderës, siç asht Franca. Por ata,
sikurse nuk janë tokue as në Francë, nuk tokohen as te Kafka.
Botuesi
i Kadaresë ishte partia; Kundera iku në Francë pa pasë botues dhe
arriti të botonte te nji shtëpi botuese borgjeze; kurse Kafka la
amanet të mos botohej vepra e tij.
Ndër
të tre, Kundera asht ma kinematografiku. Kafka asht kaq
shumdimensional sa asht e kotë me e dritëshkrue. Kadareja ka
atmosfera kinematografike, por nuk ka skena. Librat
e tij janë nji mizanskenë e vazhdueshme. Janë tabllo letrare
çuditërisht pagojce. Kundera rimerr romanin skenaristik të
shekullit të XVIII. Ai ende diçka prej
iluministi, i cili englediset edhe përballë nihilizmit të kohëve
të reja. Kurse Kafka, ka forcën thellësinë dhe supremacinë
kritike të gjysmës së parë të Nandëqindës, koha e cila shterr
potencialin kuptimor letrar dhe themeltar të krejt shekullit.
Kafka
asht shkrimtari bohem, gjeniu pa treg, i cili kupton në pak vite at
çka njerzimit i duhen shekuj me kuptue. Kundera asht shkrimtari që
e realizon bohemën e tij në moshë të rritun, pra bohemi i pjekun,
që din ku don me dalë, që gërsheton taktikën dhe strategjinë si
mjeshtrat e shahut. Kadareja asht shkrimtari pa bohemë. I
kapun. Letërsisë së tij të parfumueme, thellë-thellë i vjen era
shtet.
Përkthimin
e Kadaresë në italisht, un do ta kisha realizue me qejf,
pamvarësisht se çfarë mendimi kam un për të
dhe veprën e tij. Edhe ma me qejf e kisha
pajisë me parathanie dhe shënime. Jo se nuk kam përkthime ma të
mira me ba, por se gjithsesi asht gjynah me e lanë me u masakrue
prej kanibalëve që vlojnë nëpër redaksi. Imagjinoni nji
shkrimtar që ka nevojë për përmirësim, siç asht Kadareja, sesi
del i përkthyem keq prej përkthyesish që s'kanë lidhje me
letërsinë. Dhe për arsye të drejtash,
botuesit zgjedhin veprat e tij të 30 vjetëve të fundit, që
sinqerisht nuk e vlejnë letrën ku shtypen.
Mirëpo,
Kadareja që në rini ishte i kapun prej regjimit, në pleqni kapi
tregun. Libri shkollor, libri artistik, deri edhe çmimet letrare,
duhet të kenë pëlqimin e tij që të ndahen. Ka ende nji frymë
klanore të tipit mafioze-komuniste, në mjediset tona letrare. E kam
përjetue prej afër ktë klimë.
Si
pëfundimin konsullit i patën shkue djersë të ftofta kur i
përmenda Trebeshinën. Mandej, mbasi foli me Ismailin, s'më thirri
ma. Por un nuk po tallesha. Pamvarësisht
të gjitha të zezave, në epokën e pornografisë universale,
letërsia e zymtë e Kadaresë, ka të paktën dinjitetin e tekstit
që rrin
në kambët
e veta.
Përvit
botohen përkthime prej shqipes drejt gjuhëve të tjera, të vepra
tona ma të mira. Dhe e dini cilat prej tyne arrijnë të përkthehen
në shum gjuhë? Ato vepra që i pëlqejnë të majtës. E pra, e
çuditshme asht kjo punë. Ja pra që distribucioni asht politik. Sot
ma shum se kurr, përhapen veprat që i
pëlqejnë propagandës së majtë.
Ne
vjet botuem poezitë e Rreshpjes në italisht. Asnji reagim nuk erdhi
prej kurrkah. Vallë pse Rreshpja nuk asht poet i nivelit europian?
Si
mund të krijohet hierarkia e letrave shqipe, nse nuk lejohet
konkurenca e vlerave? Dhe pse nuk mund të
serviret cilësia pa pasë nevojë për servilizma politike?!
Ende
në qarqet e Tiranës, ka prej atyne që duen me na konvertue drejt
kultit të Kadaresë, nji lloj idhujtarie pa krye as bisht, kult
gjithnji e ma autik, n'at
masë që i gjegjet mungesës
së kulturës së përgjithshme.
E
pra nji shkrimtar, sado i madh, madje sa ma i madh të jetë, aq ma
shum asht pjesë e kulturës së përgjithshme. Dhe jo eksluzivitet i
elitave të imponueme me mnyrë kriminale e mafioze, që po në mnyrë
mafioze dhe kriminale imponojnë kulte personaliteti, aty ku kulti
dhe personaliteti përjashtojnë njeni-tjetrin.
Sot
e ksaj dite Kadareja ka nji vend të pëlqyeshëm
në sistemin letrar francez, edhe për
merita të politikave
kulturore të së
majtës
franceze, edhe për faktin se niveli i
letërsisë së sotme frange asht shum nën mesataren. Kurse në
letërsinë shqipe, për arsye prap politike, ka vend toksik. Pa
u detoksifikue roli dhe pozicioni i tij, nuk dalin në dritë
shkrimtarët e rij. Nuk ndodh kalimi breznor i mjeshtërisë, zejes
apo energjisë. Nuk ndodh pra kriterizimi.