venerdì, dicembre 12, 2008


Bota është shkatërruar.

Një burrë dhe djali i tij ecin me mund e me frikë, nëpër zezimin e Fundit. Synojnë drejt jugut, drejt bregdetit. Në botën që e ka humbur dritën e vet, në ngricën që forcohet dita ditës, ata bartin zjarrin.

Kanë vetëm një pistoletë dhe vetëm një plumb për tu mbrojtur nga predonët e rrugës që nuk ndalojnë para asgjëje, as para kanibalizmit, as para dhunës së epërme.

Fjali pas fjalie pritet me tmerr se çfarë do ndodhi, por nuk ka ç’ndodh më, e gjitha ka ndodhur: bota është shkatërruar.

Në botën pas botës, i është kthyer dinjiteti të gjitha gjërave të mira me të cilat përmbushim nevojat tona, por që në botën tonë s’i perceptojmë drejt, pasi jemi mbuluar me ’to.

Një shishe ujë, ngrohtësia e një zjarri, një drekë e thjeshtë, gjumi, një rrëfenjë.

Të gjitha këto gjëra në botën e likuiduar vijnë në statusin e tyre “të vërtetë”, atë të mrekullisë.

Cormac McCarthy “shkatërron” botën për të krijuar një marrdhënie njerëzore.

Lidhja e këtij burri me djalin e tij të vogël është gjëja më e pastër që ndeshet në letërsinë e sotme.

Romani “Rruga” është një kristal i kulluar i letërsisë botërore.

Mos ia jepni Nobelin Cormac McCarthyt.

Astrit Cani