giovedì, novembre 20, 2008

TREGIMET E HUMORIT TE BARDHE















Mir DIBRA

PËR TË GJITHË ATA QË NUK U ULËN TA SHKRUAJNË POR QËNDRUAN TA TREGOJNË.

(18 TREGIMET E HUMORIT TË BARDHË, BOTUES Gaïd Margot, 90 FQ. 200 LEK)

PREMISË KRITIKE

Antologjia, për vetë traditën e saj, është ndoshta gjëja që gëzon më pak favore në botën e librit. Libri është ndoshta gjëja që gëzon më pak favore në botën shqiptare. Prej kësaj koncepti i antologjisë mujore tematike, tingëllon si sfidë e vërtetë.
Borges (kemi dëgjuar të shahen edhe antologjit e tij), e sheh t'udhës me thanë se antologjisti më i mirë është në fakt koha. Atëherë përse duhet një antologji? Në fakt, një antologji, çdo antologji, ka luksin e arbitraritetit, si në kohë, ashtu edhe në hapsirë. Në kohë, sepse, i jep kohë kohës, dhe në hapësirë, sepse, e kohëzon hapësirën. Ky kohezion, që ne e quajmë antologji, është në thelb, një koleksion ëndrrash. Pra, duke qenë ëndërr, është kohë e pame.
Në Shqipëri, sikundër në një pjesë të mirë të Lindjes Evropiane, antologjitë janë orientuar kah letërsia e “vërtetë”. Për rrjedhojë edhe këtu tek ne ka patur antologji të mendimit, të poezisë, të prozës e me radhë. Për tu shprehur me fjalët e revistës ArsAlbania, disa prej këtyre antologjive kanë qenë “varreza masive”. Në këtë klimë, unë dhe miqtë e mi të klubit kultuoror “Snack Bar Mediterran”, hyjmë në vallen e Kadmit me një revistë-libër, që quhet Tregimet.
Në radhë të parë, kjo revistë antologjike, synon ta çlirojë konceptin e antologjisë nga puna kinse shkencore, nga puna që synon shpërblesa burokratike, nga filologjia e merimangave, dhe hedh idenë në thelb humaniste, se antologjistja e ditëve tona është rruga.
Kësaj i lidhet edhe emri ynë që ka një Bar në mes. Ideja është ta dëlirim fjalën bar nga parazitizmi. Kafeneja, duke qenë vendi ku shërbehet kafeja; kafeja duke qenë pije e miratuar nga i Madhnueshmi, pra mistike, nuk kanë në vetvete asgjë prej rrugës, në kuptimin e shthurjes, por kanë prej udhës, pra prej etikës.
Shqipëtarët janë në rrugë, në rrugë për diku apo në rrugë të madhe? Shqiptarët merren shum me analiza. Nuk ia thonë për sinteza. Anipse shqiptari nuk është as analitik as sintetik, duke qenë në thelb një njeri i aksionit. Është koha për sinteza. Antologjia mundet me qenë sintezë.
Shqiptarët janë shumë energjikë. Shqiptarët po harrojnë të tregojnë. Humbja e narracionit, do na çojë edhe ne, siç ka shpënë një pjesë të mirë të popujve të botës, drejt humbjes s'identitetit, pra të memories, pra drejt shoqërisë së konsumit që sugjeron në thelb një gjë, atë që filozofi Tahirson e quan “të shkohet drejt vdekjes me karrierë, duke an-esetitizuar jetën, që s'është tjetër përveçse përveçse përvojtje estetike”.Antologjia mundet me qenë rikthim i narracionit.
“Lufta e njeriut kundër pushtetit, është lufta e kujtesës ndaj harrimit”, ka thënë Milan Kundera. Të gjithë e kanë harruar Milan Kunderën. Të gjithë pyesin “Pse akoma gjallë është Milani”. Dhe s’do ishte çudi, ta ngatërronin me Mìlanin. Po ç’kuptim ka të bësh libra, për më tepër libra mbi librat, në kohën e spektaklit, ose të kujtesës katodike. Asnjë kuptim. I vetmi kuptim, është që t’i bësh. Pastaj t’ua gjesh kuptimin. Sa kuptim ka me qenë njeri sot? Kur je i rrethuar nga njerëz-imazh.
Për ta shprehur me një imazh të narracionit: kjo situatë e qyetërimit, të kujton atë njeriun që shiti hijen e vet, dhe mandej zbuloi se ishte hija e njeriut që e shiti. Por këtij pesimizmi nuk i duhet shkuar deri në fund.

PËRSE ME TREGUE

Revista e Tregimeve, që në numrin 0, iu foli shqiptarëve për detin, për detin – armikun tonë më të mirë – nuk e kaloi detin. Në fakt, ishin vetëm katër tregime të gjata, sepse deti përndryshe humorit, nuk thuhet me dy fjalë. Por, prapë, anipse shumë nga minimarketet e librit, nuk denjuan as ta ekspozonin, ndodhi një fenomen. Gazetashitësit, anipse nuk shitën asnjë kopje, e lexuan për vete. Për më tepër një gazetashitës, na bëri një ndërhyrje kritike të shkëlqyer në lidhje me tregimin e Marit, 8 shkrimtarë. Bëri një mbrojtje të admirueshme të Zhyl Vernit. Dhe ne të G.M. e kuptonim, se mbronte në fakt rininë e tij. S'ka gjë më legjitime se kjo.
Me këtë dhe me të tjera na u konfirmua ajo që kurrë s’e kishim dyshuar. Shqipëria ka lexues të shkëlqyer. Por në përgjithësi, Lindja Evropiane, megjithë problemet e përgjithshme të receptimit ka lexues të panumërt dhe shumë receptivë. Flas për lexues që kanë disa nivele leximi, dhe që arrijnë në radhë të parë të kënaqen duke i nda do vlera që i përkasin mirëfilli inteligjencës. Prandej, gara e shkrimtarëve tonë për tu botuar në Oksident, na duket pak mitomani. Lexuesit më të mirë i ka padyshim Lindja. Lexuesit që e mbushin me dashni tekstin. S’ka rëndësi, a ka patos a patetikë kjo gjë. S’ka pikë rëndësie. Jemi krenarë dhe me fat pse jemi Evropianë të Lindjes. Mbrenda kësaj Evrope mandej, ne jemi me fat pse jemi shqiptarë.

Tani, kemi 18 tregimet e humorit të bardhë. Në fakt ky libër është konceptuar e punuar nga autori para dy vjetësh, dhe ka patur titullin “Antologji e humorit të zi”. Meqë autori është edhe përkthyesi i antologjisë së Bretonit. Por, duke parë se te përzgjedhja e Bretonit, disa tregime, për arsye të ndryshimit ndo të kontekstit historik, ndo të perceptimit në lidhje me kategorinë e provokimit intelektual, vendosi të bënte diç më aktuale, dhe sidomos: i duheshin hapur dyert humorit të zi të shkrimtarëve të Lindjes. Atëherë ja ku pas klasikëve botëror: Des Reaux, Tolstoj, Balzac, Tëain, ëilde e Ducasse, hyjnë me radhë: Aleksandër Sollzhenjicin, Bertolt Brecht, dhe sidomos shkrimtarët shqiptarë Drini, Dibra, Simoni, Temali, Qazimi, Cani e Muça (që shkruajnë italisht), Zejno, Kyçyku e Kelmendi. Shumica e këtyre autorëve do meritonin një shkrim më vete.
Çfarë është interesante te kjo përzgjedhje e humorit të zi, që quhet 18 tegimet e humorit të bardhë? Në radhë të parë titulli gënjen, por gënjen me shaka, humori i bardhë nëse egziston nuk është i njejtë me humorin e zi. Mandej kjo sugjeron idenë tjetër, se humori (edhe ai i zi) është në të vërtetë i bardhë, pra pozitiv: castigat ridendo mores.
Mandej, shohim diçka tjetër, përse 18 tregimet, kur në fakt këtu nuk ka vetëm tregime, ka parabola (ëilde, Dibra, Temali...), skica (Cani...), pjesa e disidentit të madh rus është fragment nga kap. “Historia e gjirizeve tona” e Arkipelagut Gulag, Elozhi i morrit është shkëputur nga kryevepra e çuditshme e kontit të Lotreamonit që është një prozodi e gjatë... etj. Me i dhanë emrin tregime këtyre 4-5 pjesëve që s’janë tregime, nuk do me thanë me dalë nga ideja e tregimit, ose me e orientue gabim lexuesin. Por, domethënë, me u lidhë me idenë e përgjithshme të revistës që quhet Tregimet..., dhe e ka luksin me shti në lojë jo vetëm parabolat por edhe aforizmat, gjithmonë në rastin kur këto, synojnë të stimulojnë veprimtarinë më njerëzore, ndër veprimtaritë njerëzore: të rrëfyerit. Pra, kjo revistë don të lidhet me këtë veprimtari, dhe numri shumës i titullit të saj, është një iluzion dialektik.
Atëherë nëse pranojmë, se këto janë 18 tregime, sepse këtu mund të lexohen 18 histori të shkurta që mund të tregohen në tavolinë, mundësisht në njërën nga tavolinat e Snack Bar, atëherë, do themi se kjo revistë i afrohet narracionit oral, dhe do kuptojmë diçka më shum edhe nga dedikimi: Për të gjithë ata që nuk u ulën ta shkruajnë, por qëndruan ta tregojnë. Nuk është ulje të shkruash, e prapë, humori në përgjithësi është zhanër gojor, i folur... Prandej, këtu gjenden ndo spunto të humorit të vërtetë, ndo ana stilistike, letrare, e kësaj pune. Tregimet e Reaux, Tolstoj, Balzac, por edhe të mjeshtrit Drini, apo të ndonjë shqiptari tjetër të këtij konaku, mund të vlejnë për këdo që merret me art, ndo me filmin e shkurtë a të gjatë, ndo me muzikën jazz, ndo me ndonjë formë tjetër donkishotizmi.
Dhe donkishotizëm qenka kjo punë, si na e kujton vetë citimi që është zgjedhur nga Borges:
“Huang-Ce na tregon për një njeri ngulmues që pas tre vjetësh ushtrimi vetëmohues u bë zot i artit të vrasjes së dragonjve: dhe që, për gjithë jetën e tij më pas, nuk gjeti as edhe një rast për ta ushtruar.”
Na pëlqen ideja e antologjizimit tematik, kur shohim përspari, krejt në harmoni, shkrimtarët e botës së madhe, me shkrimtarët e botës shqiptare. Na pëlqen larushia e përkthimeve. Sollzhenjicin me rrëfimin e tij për delirin stalinist në një mbledhje në Tbilis ku askush s’guxuan të pushojë së duartrokituri, përkthehet në gegnisht (me pak lëshime ndaj standardit). Përkthehet në një gjuhë që është gjuha e Fishtës, por edhe gjuha e barsoletave, që dikur, ishin forma narrative krejt funksionale për me kujtue se ka diçka jashtë totalitarizmit, se ideologjitë janë më banale se fjalët banale, që tregojnë diçka autentike. Se ata që shanin sistemin me fjalë rruge, ata që tregonin barsoleta të ndyra, ishin më të bardhë se ata që me fjalë të pastra vendimesh kriminale shkatërronin familje pa numër në vendin tonë. Ata që rrinin rrugash, në fakt vuanin se donin të krijonin familje. Dhe se donin me qenë pjesë e familjes njerëzore.
Ata që nuk u ulën ta shkruajnë, por qëndruan ta tregojnë... ata që ruajtën humorin, ata qenë disidentët e vërtetë.

2 commenti:

tirancalling ha detto...

shume blog interesant, vertet.

tiranacalling ha detto...

po te shtoj link te blogu im.
d