martedì, settembre 29, 2009

Per foton tande ku ti po puth femijet

Diçka ma e gjallë dhe ma fort andje
Se harmonia e thjeshtë
E rrin ma nalt edhe se hiri i prekjes sate
Bahet e lehtë si ftyra e Maries
E thellë mandej
Bahet e fortë flori.

S’asht ambëlsi’ e gjumit
as hidhënim’ i gjalljes
e ia kalon luksit të çdo rinie
atij – iluzionit – ku ne jermojmë
në çdo hap

mbase je ti krejt!
Se mbase koha mundet me u shkrue me dritë
Në ftyrat e fëmijëve
Dhe mundet me u përmallue për nji stinë
As me qenë lumi i Ofelisë

O e zbeta Ofeli e bukura si borë


kërkomë jo mes tullave
të qytetit tand të sheshtë
por ndër baltat e deltave të mia skutariote

prej antemundiash natën ndjej të qamen
e atyne fëmijëve që nuk munden dot me qeshë
pasi në terrinë
s’i sheh dot nana e tyne, nuk kanë lindë

në botën para botës ka pasë diçka nga jeta
dhe atë gja unë vdes po ta harroj


të kërkova në dimën mes luleve të borës
ti kishe frymën e harabelit në dritore
dhe e kishe fshehë fytyrën tande mbas premtimit
të një gjurme që asgja s’ka me e fshi









(kjo poezi asht shkrue per se pari ne italisht dhe ky variant i veteperkthyem asht botue te revista Aleph 17)

mercoledì, settembre 16, 2009

TREGIM EROTIKOMIK

E pushta

Herën e parë (për atë ditë) e mbërtheva në bibliotekë. Ishte ora 11.11. Librat të bajnë të marrë, apo jo. Dhe unë qeshë marrosë pas saj për shkak të librave.
Ajo punonte tek libraria ma e bukur në qytet, duke i ndihë të atit. Vinte era sakarinë, një erë që unë e asocioja me plakjen, sadoqë ajo ishte shum e re, dhe era e saj ishte shum e freskët. Për arsye sigurie nuk po e tregoj moshën.
Kishte një push të hollë pothuejse në tanë kurmin. Edhe vetullat i kishte, nëse pranoje se kishte vetulla, prej pushi fin. Një push i sinqertë pjeshke të ardhët. Vinte dhe vetë e ardhët, si hana e plotë. Po gjyslykët e saj! Ah, kristal Babilonie i ujdisun me lot e me mjaltë...
Por gjaja të cilës i kushtonte ma shum kujdes në seks ishte dashnia, dhe gjaja të cilës i kushtonte ma shum vëmendje në dashni ishte seksi. Simbas pikëpamjes së saj të përforcueme me shumëfishimin që njëfarë lenteje për teleskopë i ban gjyslykëve e në përgjithësi shikimit zhbirilues, dashnia ishte njëfarë ritmi, njëfarë harmonie në seks e sipër, kurse seksi ishte njëfarë dashnie, njëfarë dashnie në zjarr e sipër, në bel e poshtë: një dorë mes shalëve apo një një kokërdhok syni që të sheh si me qenë tue të hangër. Dhe kështu më shihte ajo, kur po duheshim (jo thjesht po bajshim gjimnastikë, megjithëse marrëdhania jonë e krahasueme me kërmillësinë e lexuesve te salla, mund të dukej diçka shum sportive dhe aerodinamike) në bibliotekë: i kishte heqë gjyslykët dhe po më hante në sy, teksa unë sigurohesha që ta hante të plotë, nga mbrapa.
Kisha tre muaj që i kërkojsha një natë të plotë dashnie (mundësisht me hanë të plotë), por e bajshim vetëm me raste, nëpër zyra, banjo treni, qendra kulturore etj. Dhe përfundimisht u detyrova ta mbërtheja në bibliotekë. Sigurisht që duke pá kontekstin, duhej t’i shfaqja njëfarë erudicioni edhe në këtë aspekt, ndonji kamasutra të zhdërvjellët si indoevropianë të shkolluem që ishim.
Dikur ajo mu var në qafë, dhe fryma e saj përvëluese avullonte në flokë. Donte me më kafshue, por isha kafshatë e madhe. Donte me më përfshi të gjithin, por vetë po lahej në djersë. Dukej shum nevojtare për dashni, ma shum se kurrë; ishte e çuditshme. Mandej ra fash. Më përqafoi me tanë forcën që i ngelej, dhe unë e mbajta hopa një copë herë të mirë. Ajo zbriti në tokë, u sajua si mundi me teshat dhe flokët, më puthi pallën dhe më mbylli zinxhirin.
Pastaj e mora me lezet dhe shkuam me pi diçka të ftohtë.
Kjo qe pjesa e parë.

Gjatë ndenjës në kafe, më foli për të mirat fizioterapike të seksit si i vetmi lezet i jetës në qytet. Kjo më mallëngjeu. E pashë se për atë ditë s’e kishte ma në mend të studionte, nga mënyra si më shihte. Nuk ishte ngi. Pashë orën. 12 e 12. Atëherë nxora tufën me çelësa dhe zbulova se për fat, e kisha edhe çelësin e shtëpisë së atij shokut që ishte largue për nja dy javë për shkaqe pune dhe punë të tjera. Ishte një apartament-studio. Ai ishte piktor. Çelësin ma kishte dhanë uha se e dinte se herë mbas here më vinte ndonjë nudo që duhej zbërthye.
Shkuam në studio, por as shikimi i fikun i portieres, as mosnjohja e shtëpisë së re, nuk na penguan që t’ia fillojshim prej fillimit. Qysh në korridor. Ajo bani një spakatë siç mund ta bajnë vetëm një balerinë klasike që ia thotë kangës nga mëngjesi deri në darkë, dhe ky profesionalizëm që tregoi, më dha vetësiguri. Kjo qe teknikisht e përsosun. Në një moment ma kafshoi gishtin e mesit, dhe zuni me qeshë. Ia tërhoqa flokët, dhe qafa iu zgjat e iu ba si qafa e mjellmës, e gjatë dhe e pushtë për merak. “Pusht...” më tha kur i ndërrova birë. Bir o bir...!
Ora ishte 13 e 13. Kur ajo mu këput ndër krahë dhe unë u shtriva bashkë me tê mbi divan. Mbas do orësh pushim i doli gjumi. Asaj dhe jo vetëm. Domethanë kur u zgjua, vuni re se kishte kryengritje kah vendet e ulëta, prapë. Malok, më tha. Ma kadalë, farfallë, ia prita, se midis nesh, ti je ma se horny, je porny. Ke të drejtë, tha, dhe zhyti kokën nën mbulesa. Pastaj, filloi me do t’forta. E rroka me tanë forcën, dhe e putha padiskutim me dashni të sinqertë. U krijue një nxehtësi e jashtëzakonshme nën mbulesa dhe në një moment ajo qau. Katarsis, mendova.

E shoqërova të merrte trenin, dhe ia mbusha krahët me dhurata. Ma e veçanta iu duk çanta. Por edhe parfumi s’kish të sharë, jo për gja po e zgjodhi vetë. Për vete bleva një paketë cigare dhe një kopje nga Hustler.
U ktheva më në fund në shtëpinë time. Sa hyna pashë orën mbi mur. 20 e 20. Ditë ma simetrike, s’e ban nata. Shkova prapë te studioja, se kisha harrue diçka timen. Vrejta se ndër mbulesa kishte mbetë pak nga pushi i saj. E mblodha dhe e futa në xhep. E nuhasja rrugës. S’më flihej. Atë natë pothuejse iu dorëzova tundimit me shkue me ndoj kurvë. Mu deshën plot shtatë cigare me i ba ballë. Nuhasja padà pushin e saj.
Mendova njëherë të masturbohesha, pastaj hoqa dorë.


L.A. California, 2006