Visualizzazione post con etichetta letersi amerikane. Mostra tutti i post
Visualizzazione post con etichetta letersi amerikane. Mostra tutti i post

mercoledì, marzo 14, 2018

Kingu Perandor

Përpjekja për sukses tregtar i botuesve shqiptarë, ka shfaqë jo vetëm mungesën e njohjes së historisë letrare, por edhe mungesën e njohjes së tregut. Konceptohet tregu si diçka që i nënshtrohet tanësisht statistikës ndërkombtare dhe i mbivendoset kërkesës vendase. Si nji vend i hapun ku mundesh me vjedhë prapë e rishtas. Blemja e të drejtave të botimit shërben ma shum me u ruejtë prej tuejve, sesa me qenë korrekt me autorët dhe botuesit e jashtëm. E drejta e shumfishimit blehet për 500 kopje, dhe aq i deklarohen për jetë e mot autorit, pavarsisht shumfishimit ndër vite. Fitoftë a jo autori Nobelin ndërkohë. Vdektë ai, a rrnoftë halà. 

Nuk asht vendi me akuzue hajnat e mbrendshëm se vjedhin jashtë, por se nuk dinë taman ke me vjedhë. As n’hajni s’kanë hierarki. Dhe nji autor që mund ta kishin vjedhë pafundsisht asht mbreti i letërsisë amerikane, Stephen King. King i lindun, mbas gjithë betejave që ka fitue, asht ba perandor. Kte kunorëzim nuk ia ka dhurue kritika, as kinemaja, ku prania e tij ka qenë e dorës së parë qysh kur Brian de Palma, në 1979n, filmoi romanin e tij të debutimit, Carrie. Ia ka dhurue thjesht publiku, sovrani i vërtetë. Prej at’herë, Kingu ka shkrue dhe botue me dhjetra romane, me qindra tregime, disa skenare filmash dhe radiodramash; ka bashkëpunue në disa vumje në skenë të subjekteve të tij dhe ka guxue me kenë edhe vetë regjisor në disa raste. E gjitha kjo, pa prâjtë së qeni amerikan i qetë.

Kah njena anë, ku ma gjen që Kingun s’e kanë vjedhë, asht, si me thanë – nji pallat ma pak, ose nji kompleks betonik ma pak në qiejt e betonuem të Tiranës. Megjithatë ka pasë bubrrime të veprës së tij. Janë përkthye dy-tri gjana në gjuhën tonë dhe ato për faqe të zezë, tue dalë shqip me tituj që tingëllojnë të dobët sa s’kanë ku shkojnë: Celulari dhe Rrezatimi. Pak dhe keq, ose pak dhe kak. Harresa ndaj tij, i brendashkruhet harresës ose injorimit të letërsisë amerikane. Nuk ka asnji lloj dijenie për përmasat dhe pasuninë që përfaqëson sot letërsia amerikane, që asht jo vetëm ma e kenuna, por edhe ma e thella e kohës tonë. Botuesve të Tiranës që halà punojnë me redaktorë të marrun natën për hanë prej gzts Zëri i popullit dhe zgjohen prapë me kërkëllimin e ndryshkun të zhavarinave të vjetra sovjetike, nuk ke çka iu thue, të kalcifikuem siç janë në idenë ’800ase se letërsi kanë sall franko-sllavët. Po të Kosovës ku janë? Buzuku që asht botuesi ma i mirë ndoshta jo vetëm i Kosovës, boton ekskluzivisht autorë të sotëm francezë, prej të cilëve ndoshta asnjeni nuk mund të quhet shkrimtar, teksa mundemi me pohue pa frikë se letërsia e madhe franceze grahmën e fundit e jep me Raymond Radiguet-në, meteorin e saj të fundit, kah mesi i viteve ’20.
Me të vërtetë që letërsia nuk ndryshon mbrenda vitit, sikurse edhe gjuha don shum kohë me u mbrujtë, por qysh kur Baudelaire u ul me përkthye Poen, ka kalue rrum nji shekull e gjysë, e me Jack Londonin asht bitisë shekulli qysh se amerikant kanë letërsi të madhe dhe popullore njikohsisht, pra kanë at që mund të quhet epope letrare. Edhe ma shum se kaq: kanë ende sifatin e të treguemit, atë çka n’Evropën mbas Auschwitzit, u konsiderue si paradigmë e humbun.
Nji mbllaçitje e pafundme eseistike, ku e vetmja risi asht ripërtypja, karakterizon letërsinë e kontinentit prej dekadash. Letërsia si e tillë asht e mbipopullueme, por nuk asht ma popullore. Detyrohemi me lexue dhe rilexue ndoj roman gjerman a austriak, nga ata që dilnin tek-tuk në dekadat e mbrame të luftës së ftohtë. Dhe janë romane që mishërojnë pikërisht fundin. Tjetër gja asht letërsia sa kalon La Manshin. Provincializmi e ka pshtue letërsinë angleze. Romani ka mbetë roman, poezia poezi. Ka edhe ese, por nuk asht zhanër vampir siç asht ba në letërsinë kontinentale. Provincializmi e ka pshtue edhe letërsinë e Kingut. Se veç provinca e pshton zejtarinë. 
Me pru’ letërsinë e Kingut në shqip, duhet pa diskutim nji njohje e katërciptë e zejes së letërsisë, e mekanizmave ma të thellë psikologjikë, duhet sinqeriteti i tregimtarisë, por krye të herës duhet përvetsimi i krejt të folmes urbane dhe suburbane të të gjitha trevave të shqiptarisë së sotme dhe nji vesh i shkëlqyeshëm muzikor. Por Kingu s’asht veç popullor. Romani i tij i pavdekshëm Shining, nuk i len gja mangut librave të nismimin ezoterik. Para tij romanet e Coelhos duken si anekdota. Tregimet e Kingut janë të përsosun si ata të Poes a Lovecraftit, të Mathesonit dhe të James Ballardit. Kryevepra e tij Needful things, për sa i tokon përsosjes stilistike, mund të krahasohet vetëm me Lolitën e Nabokovit, shkrimtar amerikan që ne shqiptarët halà vazhdojmë me e vendosë mes rusve. Atdheu i shkrimtarit asht gjuha. Dhe atdheu i Kingut asht nji gjuhë e pasun, tmerrsisht sugjestive, me spërdredhje zhargonore që s’kanë të sosun, ku as humori as thellësia psikologjike nuk mungojnë ndojherë. Nji kopsht antropologjik që i përngjet nji xhungle shajnitëse, ma parë sesa serës ku e kyçin europianët narracionin e tyne steril. Falë ksaj pasunie të stërhollueme në drejtime të panumërta, që ka vitalitetin e vetë jetës, Kingu ka arritë me shpalue mbrenda zhanrit horror, të gjitha dimensionet e letërsisë.
Redaksitë tona halà s’e pranojnë ekzistencën e zhanrit horror. Ti përkthen “film horror” ata ta kthejnë “film me tmerre”. Kshtu e vorfnojnë stilistikën e shqipes, n’emër të pasunimit. Kshtu shemb edhe policia ndërtimore, n’emër të ndërtimit. Shembin kioska, ngulin pallate. Kshtu bajnë edhe në gjuhë.
Periudha e kioskave ishte periudhë e sinqertë lirike, jo ma kot asokohe, çdo familje shqiptare e kishte ka’j poet, i cili kishte botue të paktën nji vllim me poezi. Kjo periudhë ishte e bukur, por pa strukturë. U pasue me të kundërtën e vet. Me nji periudhë që kishte strukturë, por s’kishte inteligjencë, pra as bukuri as duhunì. Strukturë kriminale a korruptive, a zbuteni si të doni.
Pasqyrimi i letërsive të lulëzueme, në kohën e duhun, pra sa asht e freskët gjuha, ka randësi jetike, për këndelljen dhe rivitalizimin e vetë letërsive vendase. Pra edhe e mendësive vendase. Duhet nji kompleks shum i dystë inferioriteti, për me besue, se ndikimi i të huejës asht shkomtarizues dhe damtor. Krejt e kundërta: e keqja vjen prej mosmarrdhanies, prej autarkisë, vetëmjaftueshmënisë së përllogaritun. Të gjitha diktaturat janë të mbylluna, ngase janë thelbësisht autike. Me konsiderue gjithçka të huej si antivlerë, pse asht e huej, kjo don me thanë me qenë i huej ndaj vlerës. A asht Kingu vlerë? A thjesht firmë!?
Kritika amerikane asht e para që e përçmon. Kompleksi i tyne prej ish-kolonie, i ban halà me vlerësue imitimet, dhe me nënçmue të mirat origjinale që kanë. Nji eseist i lodhshëm si Ph. Roth, iu duket shkrimtar, kurse Kingu autor. Guxoj me thanë se asht krejt e kundërta. Kingu nuk asht përkulë ndojherë para talljeve që i kanë ba jo vetëm kritikët, por edhe regjisorët, tue fillue me De Palmën, që i filmoi romanin e parë. E shihni ç’asht i detyruem me ba nji regjisor i ri. Më japin kshtu paçavuresh dhe un duhet me qitë diçka të pranueshme – ia pat n’at rast De Palma. Thirrte në kauzë kritikën, me thanë se ai vetë me synin e tij kritik, e dinte që filmi që i kishin porositë producentët vinte prej letërsisë komerçiale. Harronte, se filmi do të funksiononte pikërisht pse kishte nji subjekt të shkruem mirë, që vinte prej librit. Dhe gjatë 30 vjetve mbas atij rasti, Tefa ka shkrue romanet ma dërdëngë të letërsisë perëndimore. Në vitet tona, kryekritiku Harold Bloom, kur shoqata e shkrimtarëve amerikan i dha çmimin e karrierës Kingut, gjeti rastin me shpalosë virtuozizmin e tij intelektual për me ulë meritat e perandorit King. Ka zane se Bloomi u pat ulë njiherë me shkrue do tregime edhe ai, por as nipçja i vet nuk ia lexoi.
Asht e kjartë pra marrdhania e njianshme që kanë intelektualët me Kingun, dhe halà sot, me thanë më pëlqen Kingu, asht nji mnyrë me thanë nuk jam tip intelektual. Kuptohet që mes Ed Woodit dhe Kubrickut, Kingu darkon me Ed Woodin. E pra, askush ma mirë se ai, nuk e kupton qorrsokakun kur përfundon përpjekja intelektuale, kur ajo nuk shoqnohet me thjeshtësinë e zemrës së paqtueme, që karakterizon narratorin e panjohun, popullorin.
I ka fitue të tana betejat me mjerimin, me kapitalizmin amerikan, me të përbindshmin Hollywood, me rritjen e mëkambjen e familjes, me furgonin që nji mbasdite e shtypi në trotuar, por mbi të gjitha ka fitue betejën me hiçin, me zeron e fantazisë, me zbazëtinë e mendjes dhe zemrës. Ka pasunue botën tonë për shekujt që po vijnë.

Dhe prapë narrator i panjohun ka mbetë Kingu, pavarësisht 1 miliard kopjeve të shituna, pavarësisht se asht kampion bote n’letërsi, njeriu tek i cili shkrimtarët shohim triumfin e shpresave të tyne të parealizueme, ai prapë, me i shkue për vizitë, ka me pasë nji histori me ta diftue, nji prej atyne historinave që primend të njisin fill dhe të bajnë me iu kthye letërsisë, porsi i kthehesh dashnisë, me frikë të shejtë.
Dashnia, urrejtja, guximi, janë mbretni. Frika asht perandori. Kingu, perandori i saj.

venerdì, dicembre 12, 2008


Bota është shkatërruar.

Një burrë dhe djali i tij ecin me mund e me frikë, nëpër zezimin e Fundit. Synojnë drejt jugut, drejt bregdetit. Në botën që e ka humbur dritën e vet, në ngricën që forcohet dita ditës, ata bartin zjarrin.

Kanë vetëm një pistoletë dhe vetëm një plumb për tu mbrojtur nga predonët e rrugës që nuk ndalojnë para asgjëje, as para kanibalizmit, as para dhunës së epërme.

Fjali pas fjalie pritet me tmerr se çfarë do ndodhi, por nuk ka ç’ndodh më, e gjitha ka ndodhur: bota është shkatërruar.

Në botën pas botës, i është kthyer dinjiteti të gjitha gjërave të mira me të cilat përmbushim nevojat tona, por që në botën tonë s’i perceptojmë drejt, pasi jemi mbuluar me ’to.

Një shishe ujë, ngrohtësia e një zjarri, një drekë e thjeshtë, gjumi, një rrëfenjë.

Të gjitha këto gjëra në botën e likuiduar vijnë në statusin e tyre “të vërtetë”, atë të mrekullisë.

Cormac McCarthy “shkatërron” botën për të krijuar një marrdhënie njerëzore.

Lidhja e këtij burri me djalin e tij të vogël është gjëja më e pastër që ndeshet në letërsinë e sotme.

Romani “Rruga” është një kristal i kulluar i letërsisë botërore.

Mos ia jepni Nobelin Cormac McCarthyt.

Astrit Cani

lunedì, maggio 05, 2008

Romani "Pyesni pluhurin", u promovua n'ambjentet e Zenit ne Tirane

NGA PLUHURI TEK ROMANI DHE SЁRISHT TEK PLUHURI

Për jetën e Fantes (Denver, Colorado1909 – L.A., California 1983) duhet thënë, se ajo ngjan e shkruar nga vetë shkrimtari. Një përkufizim të mirë mbi karakterin e shkrimtarit e jep kushërira e tij L. Capolungo duke thënë se ai ishte njëfarë bitniku para se brezi “beat” të shfaqej në këtë botë. Në fakt, Fante hyn në aradhën e artistëve të uritur, si Charlie Chaplin, si Knut Hamsun, si Jack London. Me ndryshimin se Fante, nuk u impenjua kurrë në idetë e majta, dhe librat e tij sado që përqendrohen te shtresat e varfra nuk mund të përdoren kollaj për të përligjur ndonjë pikëpamje politike.

Fante u bë i njohur që i ri me tregimet e para që i botonte te revista “The American Mercury”, drejtuar nga i famshmi Mencken, me të cilin pati një miqësi të gjatë. Falë talentit të shfaqur përmes këtyre provave ai punoi që si skenarist në Hollywood, duke filluar qysh nga viti 1932 kur ishte 23 vjeç. Gjithsesi për asnjë moment ai nuk u josh nga industria e filmit, përkundrazi nuk reshti kurrë përpjekjet për të bërë letërsi të vërtetë, që u kurorëzuan veç mbas disa vitesh (1938) kur iu pranua për botim romani i tij i dytë, (i pari ‘The road to Los Angeles’, qe refuzuar për shkak të ironisë së pazakontë që mund t’a fyente lexuesin) ‘Wait until Spring, Bandini’.

Fante kishte lindur në Amerikë, bir emigrantësh italianë. I ati, Nick Fante, rridhte nga malësitë e Abruzzo-s dhe punonte murator. Porse ishte disi i paqendrueshëm në karakter dhe kishte një dell endacaku që e detyronte të jepej mbas pijes dhe lojës, e mandej t’i shfrynte të gjitha mbi famijen e sidomos mbi të shoqen, Mary Fante. Madje për një periudhë ai e braktisi familjen për të jetuar me një grua tjetër.

Studimet e para John-i i kreu nën udhëheqjen e urdhrit jezuit, porse vite më vonë, sidomos gjatë viteve të pjekurisë ai do të njihte si bibël të vetën “Antikrishtin” e Niçes. Ai frekuentoi edhe universitetin, por nuk shkëlqeu kurrë si student. Gjithsesi, këtu u dallua shpejt si një talent letrar i fuqishëm. Në këtë periudhë jetonte duke bërë gjithfarë punësh, por duke kultivuar pajada shpresën për t’u bërë shkrimtar. Kjo ëndërr ishte e vetmja fushë ku ai i përqendronte energjit e tij më të mira, dhe në vitet e rinisë ai lexoi mbarë kryeveprat e letërsisë dhe filozofisë antike, moderne dhe bashkëkohore. Gjithsesi, në stilin e romaneve të tij, ndikoi më së shumti shkrimtari socialist norvegjez Knut Hamsun, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shek.XX. ‘Wait until spring, Bandini’ romani që i solli botës një tjetër narrator të paharrueshëm, John Fante-n, u frymëzua lirisht nga ‘Uria’ e Knut Hamsun. Kurse, vepra që ne u propozojmë, ‘Pyesni pluhurin’, botuar së pari në 1939 përmban disa aluzione hamsuniane, ku përfshihet edhe titulli që është shkëputur nga një pasazh i romanit ‘Pan’. Një tjetër provë e dashurisë së tij për Hamsun, është dhe fakti se e quajti të bijën Victoria, për hir të romanit më të famshëm të norvegjezit. Fante u martua feshurazi me Joyce Smart e cila e deshi dhe i ndenji pranë tërë jetën. Dhe jeta e John-it qe mjaft e vështirë. Në gjysmë të viteve ’50 ai u sëmur nga diabeti që mbas njëzet vjetëve do i merrte me radhë dy këmbët mandej shikimin dhe në fund në 1983, edhe shpirtin.

Në të vërtetë, Fante, nuk pati fatin të bëhej që në gjallje aq i njohur si disa bashkëkohës dhe çmues të tij, si p.sh. Steinbeck, që mandej u laureua me Nobel; dhe për disa dekada rrjesht librat e tij u lanë të merrnin pluhur nëpër biblioteka dhe nuk u ribotuan. Në rizbulimin dhe rivlerësimin e Fante-s, rol kryesor pati bashkëqytetari Charles Bukowsky, në fundin e viteve ’70. Bukowsky si shumë kritikë të tjerë do e konsideronte ‘Pyesni pluhurin’ si kryeveprën e Fante-s. Egziston një anekdotë e vogël në lidhje me rizbulimin e Fante-s nga shkrimtari i ri i mallkuar. Në një letër që Bukowsky i dërgonte botuesit të vet në fund të viteve ’70, i shkruante se mes mjeshtrave të tij ai njehte Céline-in, Hamsun-in dhe John Fante-n. Botuesi i përgjigjej duke i thënë se ishte dakord me dy të parët dhe se biles Charles-i na paskej talent edhe për shpikjen e emrave: ky John Fante dukej si shkrimtar prej vërteti. Mbas kësaj përgjigjie, Bukowsky zemërohet dhe i vë kusht, që nëse botuesi do t’a ruajë kontratën me të, duhet të ribotojë edhe John Fante-n nga fillimi. Nuk e meritonte Fante, që të tjerët të kujtonin se emri i tij ishte një shakà e Bukowsky-t.

Fante, që siç thamë e fitoi respektin e mjedisive artistike qysh me tregimet e para, dhe punoi tërë jetën në Hollywood, duke realizuar mrreth njëqind skenare dhe dhjetra variante. Mes tjerëve edhe me emra si Orson Welles dhe F. F. Coppola, por këto bashkëpunime nuk dhanë rezultat. Filmi më i famshëm që u bazua në një skenar të tij është komedia ‘Full of Life’, frymëzuar nga romani i tij me të njejtin titull. Porse shumcia e punëve të tij në këtë lëmë ishin për filma të serisë (b). Për faj të këtij angazhimi si shkrimtar me qira në Hollywood, Fante shpesh ndihej i frustruar, dhe ishte i bindur se kjo e pengonte të merrej me letërsi të vërtetë. Dhe sak vepra letrare e Fante-s ngjan relativisht e pakët anipse ai zuri të shkruante qysh i ri, dhe pati një jetë aktive mjaft të gjatë. Ja se ç’shënonte ai me hidhërim te përkushtimi i një kopjeje të ‘Dago Red’, për një shoqe:

“Për Esther, nga kurva e Hollywood-it, artisti i shitur, i përdali letrar, poeti i abortuar – skenaristi i dhier – puthadori i Paramount, që paguhet për të vjelltin e parfumosur të Dorothy Lamour. – Me shpresën se një ditë do mund të shkruaj dedikime më pak të hidhura në ledhorin e një pune me të vërtetë të shkëlqyer. Me dashuri… John Fante.”

*

Te ‘Pyesni pluhurin’, shfaqet personazhi që do e shoqërojë Fante-n në udhëtimin e tij drejt përjetësisë: Arturo Bandini. Doppelganger i qartë i Fante-s, Bandini është protagonist i katër romaneve. Ai sikurse mbarë personazhet fantianë duket se zotëron një lumturi të pathyeshme, që vjen me siguri nga dashuria e familjes që ka gëzuar në fëmini. Kjo dashuri e ruan, sikurse na mbron në dimër dielli që kemi marrë gjatë verës.

Në këtë libër të sagës së Bandini-t njihemi me një të ri italian me ëndrrën e çmendur për t’u bërë shkrimtar, ose siç e quan vetë në libër: kriza e kokëshkretësisë më e gjatë dhe e dhunshme e jetës së tij. Fatkeq në dashuri, dorëshpuar dhe i uritur, rebel dhe zemërbardhë, merakli i së bukurës dhe përçmues i së rëndomtës, narçiz dhe altruist, anti-klerikal dhe ungjillor… Arturo Bandini është një personazh që për nga freskia dhe gjallëria nuk e ka shokun në romanin modern, dhe shumë personazhe të tjerë më të famshëm se ai i bën të duken të lodhur. Por nuk është heroi tipik amerikan që në fund shkapërcen pengesat dhe korr duartrokitje. Asnjëri nga personazhet e ‘Pyesni pluhurin’ nuk del i fituar nga beteja me jetën. E vetmja që fiton është letërsia, mbasi në fund, Arturo ia del të realizojë ëndrrën për t’u bërë shkrimtar. I vetmi që i mbijeton barrës së rëndë të jetës, është arti. Fati ka ekonominë e vet dhe saherë jep me një dorë, merr me tjetrën. Por horizonti i veprës së Fante-s nuk është filozofik e as religjioz, aq sa është mirëfilli letrar dhe estetik.

Bandini është një personazh ku sublimohet i riu që guxon të ëndërrojë, i riu që shpreson se jeta do i japë diçka, dhe kur kjo të ndodhë ai do jetë aty për t’a marrë. Bandini është një monument letrar për të gjithë idealistët e panjohur të botës.

Përgjithësisht veprat e Fante-s janë autobiografike, dhe romansieri fymëzohet lirisht nga ngjarjet e jetës së vet plot tallaze. Por ajo çka përçohet nuk është e dhëna kronologjike a faktike, më shumë se fryma emotive e përvojës së tij jetësore; dhe ajo çka mbetet është një shije mallëngjimi, elegance dhe shprese të zbukuruar nga një frymë ironie në funksion të dashurisë për njerëzimin.

Fante ka vdekur 1983 për shkak të diabetit sidhe për shkak se kishte lindur i vdekshëm. Rroftë John Fante! Dhe fryti më i mirë i shpirtit të tij: Bandini, Arturo Bandini.

përkthyesi: A. C.

Burimi kryesor për të dhënat biografike: Full of Life, A Bioghraphy of John Fante, Stephen Cooper 1999.

Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)