giovedì, giugno 14, 2007

POEZI KINEZE E RE

NGA POEZIA E RE KINEZE – përgatiti Astrit CANI

 

[…] Simbas meje kjo poezi e re nuk mund të quhet akoma "poezi kineze bashkohëse", por vetëm "poezi bashkohëse në gjuhë kineze": në udhën e aventurës gjuhësore, konteksti shpirtëror i poetëve kinezë bashkohës është pothuaj kryekëput ai i Oksidentit o ai i Kinës klasike. Në duhet quajtur se s' bën "poezi kineze bashkohëse" ajo që ka dalë nga penda e këtyre poetëve, atëherë mbase mund të thuhet se veçantia e poezisë bashkohëse kineze është se ajo o injoron Kinën bashkohëse. E gjithsesi kjo mospërfillje zbulon, shumë më mirëfilli e thellësisht nga sa kanë arritur shqetësimet e ndryshme të shprehura në lidhje me të, raportet mes poezisë e anemisë shpirtërore të Kinës bashkohore.

     Ajo për çka palët janë më së shumti të interesuar është si me e përkrye kinezçen moderne, e si me shkrue një gjuhë poetike më të re e vitale. "Nëse duam që të shfaqet vargu i ri, duhet t' i besojmë lindjes së një mendimi të ri" (William Carlos Williams). Me të njetën mënyrë, nëse duam rritjen e një gjuhe të re, duhet edhe t' i lëmë shteg një ushqimi më të madh. Kina bashkohore nuk i ka pajisur akoma poetët me një mendim të ri të madh e me një shpirt të ri; prandej poetët kanë sall sy të rinj me të cilët të shikojnë vëmendshëm kalsikët e vjetër të harruar e "të çleskruar", dhe të rrokin të "riun" Oksident të përfshirë për së pari në lamijen pamore falë "hapjes".

 

Chen Dongdong

 

 

Mang KE

(Pseudonim i Jiang Shiwei. lindur më 1950 në Sheng yang, u rrit në Pekin. Mbas të mesmes, si të gjithë të rinjtë e brezit të vet, punoi si fshatar por edhe si mësues flloreje. Aty nis të shkruajë ç' prej viteve shtatëdhjetë. Themelon me Bei Dao revistën "Jintian", vatër kryesore e poezisë së re kineze deri në vitet tona. Në fund të viteve tëtëdhjetë themelon "Xiandai hanshi" [Poezi kineze moderne] që sot është ndër revistat kryesore të poezisë së pavarur.

     Veprat kryesore janë përmbledhja e poezive "Dje dhe sot" sidhe romani "Ditët e Stuhisë".)    

 

 

Llambë

 

Llamba papritë veton

Shoh veç kthetrat e rrezeve të saj

Tu shkelin fëtyra pijanikësh ngrim ë

Llamba rreh flatra të mëdha

Kështu shoh i trallisun

Që ndër ato flatra të mëdha

Prej atyne syve të vdekun

Po gurgullon venë…

 

Llamba papritë veton

Kjo dritë bart rrëmujë të madhe

Po ndigjohet potera e të dehunve

Prej kah vjen vallë?

Pse s' e përzamë?

Pse e lamë që me na kapë?

Ma mirë me vdekë n' errësinë…

 

Llamba papritë veton

Ndiej veç se ndën llambë

dikush më pvetë kadalë:

thue llamba duhet ndezë

a fikë ajo do lanë?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vneshtë

 

Nji vneshtë e vogël

Asht shpia ime ambël

 

Kur era e vjeshtës befas hyn tue shkapet  

                                                                dyert

Kopshti im mbushet me pjergulla lotuese.

 

Prej avullisë që herët fort hijezon tremen

Pëllumba çohen fluturim të trembun.

 

Fëmijë të drojtun përvjedhin shpejt

Fëtyrëzat pisë mbrapa shtëpisë.

 

Qeni që prore këtu zdërhallet

Këtë herë nuk di kah me ia mbajtë.

 

Tue u fërtisë oborrit pulat e kuqe

S' mejnë orë e minutë tue kakarisë.

 

Shoh rrushtë përtokë,

Mes gjethurinave rrjedh gjak.

 

Kjo asht shi dita kur lyp qetësinë që s' gjej

Dita asht kur shpia jet pa djell.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bei  LAO

 

(Emri i vërtetë Zhao Zhenkai. Bei Lao është pseudonimi i gjetur nga Mang Ke (ky vetë pseudonim i gjetur nga Bei Dao) që do të thotë "Ishulli i Veriut", si referencë p ër izolimin vetjak ku zhvillohet aktiviteti i tij poetik. Edhe ai ka qenë punëtor krahu. Në poezinë e tij sikundër është rregulli për shumicën e poetëve të sotëm kinezë ndihen citimet nga modernizmi europian. "Flej, lugajë" të kujton "Le dormeur du Val" të Rimbaud. Përmendim : « Bei Dao» 1987; përkth. Ang. „Bei Dao", 1988. Sidhe Old Snow tok me Forms of Distance.) 

 

Flej, lugajë

 

Flej, lugajë

me brymën kaltroshe shpejt mbuloje qiellt

dhe sytë e zbetë t' zambakëve t' egër

flej, lugajë

shpejt me hapa shiu ndiqe erën

e vigmën e shqetë të kukudhit bashkë

 

Flej, lugajë

Ne po mshehemi këtu

Si në nji andërr mijëvjeçare

Koha nuk shket ma mbi fletë bari

Lavjerrësi i diellit mekë mbas reve

Nuk ndrron ma muzgje me agime

 

Pyje rrotulluese

Vërtisin bohçe të panumërta kocore

Tue mbrojtë dy rreshta plot me gjurmë

Fëminia jonë me stinët tok

Ka ecë nëpër atë shteg të lakuem

Ku pjalmi përmbyt shkurret megjithë fier

 

Ah, sa qetësi

Gurët e vërvitun s' bajnë jehonë

Mbase ti po lyp diçka

-          nga zemra në zemër

nji ylber i heshtun naltohet

-          nga syni në sy

 

Flej, lugajë

Flej, erë

Lugajë, në brymën e kaltër flej

Erë, flej e zgjohu në duert tona.

 

 

 

 

 

 

Gu CHENG

 

(Lindi në Pekin më 1957, I biri i Gu Gong, shkrimtar dhe poet mjaft i njohur në Kinë. Si pasojë e transferimit të të jatit që ishte funksionar i lartë, Gu Cheng u rrit në fshat. Ka botuar së pari në "Jintian". Në krye të disa sulmeve nga funksionarë kulturo-policorë, dyndet në Zelandën e Re ku do e humbasë shumë shpejt katedrën që i jepet. Një fondacion gjerman artistësh e fton në Berlin ku kalon një vit, për t' u kthyer në 1993 në Zelandën e Re, ku në tetor ndodh tragjedia: vret, me gjasë prej xhelozisë, të shoqen dhe vetëvritet.

Ka shkruar poezi të shkëlqyera qysh njëmbëdhjetë vjeç. Përmbledhja kryesore është "Gu Cheng",

1986. )

 

Nji brezni

 

Nata e zezë më dha sy të zes

Por i përdori me kërkue dritë

 

 

 

 

Shu  TING

(U lind më 1952 në Fujian, Kina e Jugut, ku jeton dhe aktualisht. Si të gjithë të rinjtë e të rejat u dërgua të punonte në fshat. Mandej u punësua në tekstile. Qe redaktore e revistës "Jintian" ku ka botuar poezitë më të famshme. Përmbledhjet e saj janë Shu Ting 1982, 1986a.)

 

Muri

 

Mënyrë me i pështue murit nuk kam

Kam veç d ëshirën me i rezistue.

 

Po çka jam unë?

E ai çka asht? Mbase asht ai

Lëkura ime që plaket da-kadalë

E paepun ndaj shiut edhe erës

Sikurse ndaj erëmirës s' luleve,

A mbase edhe vetë atij,

Jam veç nji cullufe e marrë

Që dekoron plasat e tij plot lloç,

Rasa unë jam, nevoja ai.

 

Natën, muri përngjallet,

shtrin tentakulat e skullta,

më shtrëngon, më mbyt,

më përshtat me çdo formë.

E trembun vrapoj në rrugë,

e zbuloj se po ai makth

i varet në thembër çdo njeriu.

Shikime të tmerrshme,

Mure akulli.

Ah, e kuptova

Ajo së cilës i duhet rezistue asht:

nji kompromis me murin,

e pasigurisë përballë kësaj bote.  

 

 

 

 

Shu  KAI

([Chen Shukai] lindur më 1965 në një fshat të Zhejiang nga një familje e thjeshtë fshatare, tregoi herët aftësi të rralla në studime e u regjistrua në një universitet prestigjioz të Pekinit, ku dhe laureohet për gjuhë e letërsi frënge. Ka punuar disa vjet rrejsht si konsulent komerçial në ambasadën Kineze të Dakarit.

Është një nga përkthyesit më të çmuar të poezisë  frënge moderne. Kurse nga krijimtaria e tij s' ka botuar thuajse asgjë.)

 

 

15 shator 1990

 

Kam kopësht në qiell,

Pse deshta të banoj mbi tokë?

Në shtator nji pemë me mollë, të bame ná, saora të vrame…

 

Stina rrëzohet. Shtator!

Shtator mundet me thanë çkado –

Por ajo që duhet të kalojë asht halà rrugës.

 

Ajo që duhet të ndodhë, para meje

Ka ndodhë e gjitha tashma.

Jeta, m' urdhnon t' a uli kokën me trishtim.

Shiko, tekeembramja jemi njerëz balte!

 

Po s' shkëlqyen yjtë, a mundet qielli me gjetë paqë?

S' më mbetet veçse tragjikisht

T' i çoj qiellit uratë.

 

Qielli, ah qiell, qiell. Pse ti

Më len me fluturue.

Me gjithë zemër do e la këtë trup mishi!

 

Po s' shndriti sopirti, si mundet trupi me pasë paqë?

 

 

 

 

 

 

 

 

Zhu  ZHU

(Datëlindja, Shangai 1969. I laureuar në Drejtësi. Bashkëpunon me "Jintian" e "Qingxiang". Nuk ka botuar libra, si shumë poetë të tjerë të pavarur.)

 

 

Tue grahë drejt nji planeti tjetër

 

Ky qytet ka dy shekuj që s' ndryshon

Ban para me mund prej larg, me i depërtue natës.

Binarët duer që rrahin në tokë

Bajnë manovër në vend si shoferi dalë kllapie.

 

Nji burrë fluturoi jashtë trupit të tij

Treni hyni në stacion. Shoh se treni asht nji seri dritoresh,

të lidhuna me hekur ma rezistent se litari

era i mbyt njerëzit n' àvullin e diellit.

 

 

 

 

 

 

 

Chen  DONGDONG

(Lindur në Shangai në 1962, laureuar për letërsi. Poezitë e tij, botuar duke filluar nga vitet tetëdhjetë, kanë dalur në revistat që përmendëm më sipër, sidhe në ato të themeluara nga ai vetë, si "Nanfang zazhi". Janë përfshirë në shumë antologji.)

 

 

Gjuhë

 

Shpatullat e shkambit hapen, flatrat shtin shqipja e detit

Dielli tue gumëzhitë porsi zhuzhinjë

Padashtë hyn në sallën e bardhë,

akoma ma larg nji lundër e kuqe ia behë me kadalë

si nji tjetër muzg veror.

 

Në sy e mes gishatve të mij

Shndrin krypa

E ai kujtim në thellësi të mendjes,

Tash ujdisë në të gjelbër,

  përshkon fund e majë portikun tue këndue e kërcye memec.

 

Kur retë ma në fund thehen

E tuba peshqish shpërtreten kah pagoda përmbi det

Llamba mundet me i ndezë të gjitha majthet e degëve

Me përndritë tanden e timen gjuhë.

 

 

 botue në MILOSAO

 

 

 

lunedì, giugno 04, 2007

HABIA KULTURORE


Astrit CANI

 

 

Habia kulturore

 

 

Tirana-Milano solo andata

 

Herën e fundit që ishem në Tiranë (fama e ngjyrave të Tiranës i ka ndezë shum trune mes italianëve truthatë), më thanë se rruga Myslim Shyri, ishte orientue seriozisht kah nji binjakëzim me rrugën Montenapoleone të Milanos. Bukur, apo jo! Unë në Milano jetoj, mirëpo nuk di pse nuk më gëzoi ky lajm. Më gëzon kur bahet nji rrugë e re, dhe mirëmbahet për kah ana estetike. Amà rruga Montenapoleone e Milanos, nuk asht kulmi i kulturës italiane, dhe nuk dashurohet prej milanezëve. Të cilët tashma as ata vetë nuk mund të blejnë nji palë këpucë aty, dhe i hapin shtegun klientave nga Japonia dhe ndoj vend tjetër. Asht simbol, kjo rrugë. Simbol i së vetmes industrí që i ka mbetë Italís, pasi i kanë dështue tana tjerat, industria e modës. Nuk ka fare randësi mendimi im, mirëpo, të zotin e rrugës, pra padronin moral të saj, nuk e ka pyet kurrkush. Unë s'di ç'mendim do kishte pasë Myslimi, të cilin asht pak vonë me e pyet,  sikur emni i tij të lidhej me emnin e Armanit apo Valentinos, që sigurisht nuk mund të quhen burra me namuz, simbas botëkuptimit të Myslimit. Myslimi, sigurisht nuk asht kondra vetrinave sexy, nuk asht kondra të veshunit firmato, por mbase nuk ka luftue për 'to, dhe nuk do dojte që emni i tij t'u bante strehë atyne vlerave . Jazek, do kishte thanë Myslimi, jazek!

 

 

Njeriu

 

Në nji periudhë m'u kujtojte shpesh se insani, ose njeriu simbas arabishtes, asht pak edhe insane, i lojtun nga fiqiri, simbas anglishtes.

 

 

Ku me lexue

 

Njani nga lexuesit që ishin te promovimi i librit tim në nji showroom të Milanos, më pyeti, mbasi e kishte ble librin, se përse duhej edhe t'a lexojte ate. Sigurisht, pyetja asht krejt me vend. E randë asht me i ble librat, por me i lexues asht edhe ma e randë. Shiko, i thashë: unë nuk di përse, por di se ku duhet t'a lexojsh. Dhe jam i sigurtë se aty do e lexojsh. Në hale. Po. S'ka dyshim. I vetmi vend ku përqendrohemi në jetën tonë të rrëmujshme alla oksidentalçe, asht haleja. Asht e vërtetë se ne hamë shpejt dhe dhjesim kadalë, në të vërtetë duhet të jetë e kundërta, por nejsa ma. Prandej them, je që je, po dhihesh që po dhihesh me çerekorsha me radhë: e fatti una cultura, no!

 

 

Altruisti hajgarexhi

 

Më ke gjakun borxh, i tha dhuruesi i gjakut, pacientit të cilit sapo gjaku i dhuruem prej tij i kishte pështue jetën.

 

Loja (Joël Gayraud)

 

Sa ma shum me u ngjitë në shkallën shoqnore, aq ma shum argëtimet e humbasin domethanien. Punëtorët e vjetër të fabrikës në parapensionim që lozin murlan në kafen e qoshes i përkushtohen nji argëtimi ma të qenësishëm se pasunarët e rij që lozin golf, lojën ma absurde dhe të mërzitshme që asht konceptue ndojherë. Në mënyrë kuptimplote, ka ndodhë që tekëndej shekullit të XVIII të vijë tue u zhvillue kjo lojë koloniale aristokratësh të mekun që, tue heqë dorë prej tana vlerave agonistike mbi të cilat bazohej fisnikia e tyne, nuk guxojnë ma me u matë kund përpos se mbi nji sipërfaqe të dallgëzueme në nji turné të kotë kundër vetes së tyne, të qëruem prej cilitdo rreziku. Nji sport katran coftinash etike dhe politike që ka mujtë sall me tërhjekë vetëm favoret e klasave mbizotnuese aristokratike që sot ndajnë kontrollin e ekonomisë planetare. Manjatë sauditë, brockers të bregut Perëndimor, burokratë aziatikë të shajnitun prej ekonomisë së tregut, mafiozë rusë në krye të rrengjeve industriale dhe të industrisë së rrengut, të gjithë i bashkon entuziazmi për luksin kallp të greens. Këtu, mbjellja andej-kndej e lojtarëve të ndihun prej caddie-t të vet, i jep gjithsecilit prej tyne iluzionin se asht nji njeri. Borgjezi i vogël i gëzohej pasjanseve në qetësinë e sallonit të vet; green-i dhe shtatëmbëdhetë birat e tij janë barazvlera e ajrit të lirë të atij salloni dhe sidomos e qetësisë së tij mirakandës: nji kronotopí e pacekshme prej ngjarjes. Sepse drejtori i nji ndërmarrjeje ose i nji Shteti – amà, asht e njejta gja – nuk druen e as urren asgja si ngjarjen; dhe kur luen, don lojën e pastër, ku nderohet serioziteti. Proletari argëtohet nga zhurmat e kafenesë, nga të porsaardhunit, nga pyetjet. Nga nji pjesë e atmosferës së hapun ndaj jetës, ndaj tokimit, ndaj ngjarjes, nga tjetra nji botë në kllapa dhe e kthyeme shterpë. Ndamja jetë e lojë nuk njihej nga proletari. Por kjo epokë asht në pikën e zhdukjes. Sot vetmia borgjeze dhe shpirti i saj i pakorrigjueshëm i randësisë dhe seriozitetit e ka kapë konsumatorin deri te fëmijët e tij të ngjtun mbas lodrave elektronike.

 

 

Plutarku

 

«I dashtun Pizon, ti e din mirë sa pak m'a kande me shkrue, por meqënëse më re në qafë, kam me u përpjekë me t'a shpalosë shkurt e qartë mendimin tim përmbi fatin». Kështu çelet libri përmbi fatin i personalitetit ma të madh të Greqëisë perandorake.

Plutarku u lind në vjetin 45 m.K. Ai shkroi 250 libra. Me sa duket të shumtë qenë ata që i ranë në qafë me i shkrue, mbasi atij vetë nuk i pëlqente ky zanat. Dha shpirt diku rreth vjetit 127.  

 

 

 

Maksima

 

Koha jon asht e pasun me artista, por e vorfën me mjeshtra.

 

 

Sifatet e Borgesit

 

Shpesh mjeshtrit argjentinas, i pëlqente me me ua besue idetë e tij, zadhanësve të tjerë: filozofë e mendimtarë imagjinarë. Kjo vinte, ngaqë ai e konsiderojte si kritikën njashtu edhe filozofinë si zhanre të letërsisë. Thotë në fund të esesë Bianthanatosi, Inkuizicioneve të tjera: «Tue e lexue rishtaz  kte mendim, mendoj për tragjikun Philipp Batz, i cili në historinë e filozofisë quhet Philipp Mainländer. Ai ishte si unë, nji dashamirës i Schopenhauer-it. Nën ndikimin e tij (e ndoshta nën atë të agnostikëve), ai përfëtyroi se jemi fragmente të nji Zoti, që në fillim të kohëve u vetëshkatërrue, lakmiqar për mosqenie. Historia e përbotshme na qënkesh agonia e errët e këtyne fragmenteve. Mainländer u lind në vitin 1841; në vitin 1876 ai botoi librin e tij Filozofia e Çlirimit. Po atë vit, vrau veten.» Me ironi sokratike, Borges-i, ia beson këtë ide pafundësisht tragjike, nji personazhi të tij, që me nji gjest metanarrativ, e plotëson thelbin e filozofisë së vet, me nji gjest që i jep fund vetë jetës. Virtyti i filozofit Mainländer, asht talenti i Borges-it. Dhe talenti i Borges-it, asht virtyti i personazhit të tij. Kjo asht edhe nji leksion etik për shkrimtarin: ma shum vlerë estetike ka me e vra veten nji personazh i joti, sesa ti vetë si shkrimtar.

 

 

Aforizma

 

E vërteta nuk asht ashtu si e sheh shumica, nuk asht kurrë mediokre; por realiteti asht ashtu si e sheh shumica, pra asht i mediokërve.

 

 

Shkrimtari përballë përvuejtunisë

 

«Dedico questo libro alla parola umiltà, che manca al lessico albanese. Una tale mancanza può dar luogo a fenomeni assai curiosi nell'andamento di un popolo». Ky asht përkushtimi unikal që i paraprin nji librit me skica origjinale Vendi ku nuk vdiset kurrë, i shkrimtares së re Ornala Vorpsi.

Nuk asht nevoja me qenë ekspert i historisë së gjuhës shqipe, me e ditë se njikjo fjalë umiltà, s'ka si mos me egzistue në nji gjuhë që qysh se ka fillue me u shkrue e për pesë shekuj zgjedhë osmane asht mbajtë gjallë nga njerzit e Krishtit. Dhe për ma tepër, fjala përvuejtuní që (siç ven oroe diku K. Zejno) të kujton fjalën përvojë, asht shum ma e ambël se umiltà që i bashkalidhet foljes umiliare – me poshtnue.

Ia kushtoj këtë shënim fjalës përvuejtuní, që i mungon leksikut të shkrimtares Ornela Vorpsi. Nji mungesë e tillë mund të bahet shkas dukunísh shum të çuditshme në mbarëvajtjen e nji shkrimtarje.

 

 

Abuzimi ndër shqiptarë

 

Fjala abuzim i pëlqen shqiptarëve, i duket fjalë buzëhollë, prandej abuzojnë. Përveç abuzimit, shqiptarët edhe buzërojnë. Jemi nji popull me nevoja të ngutshme erotike, dhe edhe shpifja, pra buzërimi, asht trajtë e kallëzimit dashunor, të asaj që nuk zotnohet.

 

 

Shkrimtarët shqiptarë

 

Cilët janë shkrimtarët shqiptarë? Të gjithë e dijmë. Cili asht profesioni i tyne? Me shkrue, sigurisht. Po zanati i tyne, cili asht? Me ba si shqiptarë, nuk ka dyshim. A doni me e ditë se cili asht barometri i krijimtarisë së tyne, asht pikërisht kjo luhatje profesion-zanat. Kur shkruejnë mirë nuk bajnë shum si shqiptarë; kur bajnë shum si shqiptar, nuk janë tue shkrue gja.      

 

 

Kakatil, kakatil, kakatil… kaservil

 

Shqiptari anadollak, ose arnauti dallkuak, pra zgjebja e ligatinës moçaloro-bizantine, që ka rezistue falë vorfnisë shpirtnore jo të provincave por të provincave të provincave tona, asht servil. Me të kapë fjetë mund të bahet edhe katil. Diftojani vendin e kthehet prapë në servil. Kjo asht "Kalinka" e jonë: Kakatil, kakatil, kakatil… kaservil.

 

 

Artistat e partisë dhe artistat e tenderomanisë

 

Partia i kishte qejf statujat e fryme, të gjigandizueme, me dërdëng propagande. Por amà, sado të mbarsuna me nacional-partishmëni që ishin ato, hija që bajnë në qytetet tona e ka nji kuptim. Artistat që i kanë ba e kishin nji nder. Biles, asht ma kuptimplote prania e tyne, se ajo e statujave të artistave që fitojnë konkurse-tendera dhe bajnë vepra postmoderne për poetët klasiko-epikë. Shkodranët e shohin me qejf skulpturën e Isa Boletinit, por jo amballazhin konceptual në mermer që ia asht kushtue Fishtës epik në qendër të qytetit. Ende ka lezet me pa' nji statujë të kanoneve socrealiste se ato të postmodernizmit autodidakt. Dhe kjo asht turpi i skulptorëve publikë shqiptarë.

 

 

Nji anonim francez

 

Nji anonim francez ka propozue nji epitaf jo fort të zakonshëm për nji personalitet pak të jashtëzakonshëm. Për zotin Robespierre. «Passant, qui que tu sois, ne pleure pas mon sort: Si je vivais, tu serais mort!»

O kalimtar, cilido qofsh mos qaj për fatin tim :

Po të ishem unë gjallë, ti do ishe në vendin tim.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  

 

Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)