lunedì, agosto 26, 2013

Kur tradhëtohet Testamentet (version i shkurtë: gazeta Mapo)

Kur tradhëtohen Testamentet


Milan Kundera gjithmonë m'ishte dukur eseist i maskuar, prandaj i snoboja romanet e tij. Deri një ditë kur vendosa me lexue një ese të tij: Testamantet e tradhëtuara. Falë saj, Kundera më bindi dhe ma ndryshoi perceptimin për krejt veprën e tij. Për qejf fillova ta përkthej, e për respekt e mora me ngadalë.
Mbas do kohësh kur kisha mbërritur n'atë pikë sa me mujtë me i dhanë fund procesit, pyeta me gjeta ndonjë botues, por më thanë se dikush ma kishte kaluar dhe e kishte përkthyer krejt librin para meje. Kështu, mos me humbë kohë, u tërhoqa. Por njohja e thellë e këtij libri më lejon të jem ndër kritikët e tij, sidomos kur kam edhe një përkthim (çka se të pakryer) në sirtar.
Libri është Testamentet e tradhëtuara, botime Pika pa Sipërfaqe, përkthyer nga Balil Gjini. Ai  fillon me romanin me namë të Rabelais. Në shqipen e premiuar të Gjinit na vjen kështu:Qysh në fazat e fillimta libri i hap kartat: kjo që rrëfehet këtu nuk është serioze [...]”
Varianti im që flen në terrin e një sirtari: “Qysh prej fjalive të para libri loz me letra të hapura: ajo çka po tregohet nuk është e njëmendtë [...]”
Të paktën fjala “serioze” duhet shqipëruar sipas ngjyresës, pra: “e njëmendtë”. Shembull: ajo që i ndodh Gregor Samsës është shumë serioze (madje është tmerrësisht e rëndë), por nuk është e njëmendtë, është jashtë njëmendësisë. “Serioze” në gjuhët latine ka këtë sfumaturë ose ngjyresë kryesore, pra “e njëmendtë”. Kurse në shqip, një gjë që nuk është “serioze” mund të jetë një tallje. Por tek Metamorfoza që morëm shembull, nuk kemi tallje me lexuesin. poshtë, po në faqen e parë, kemi:
«Aty është gjithçka: “e vërteta dhe e pavërteta”, alegoria, satira, gjigandët dhe njerëzit normalë [...].
Vraisemblable” dhe “invraisemblable” e përkthen si “e vërteta” dhe “e pavërteta”».
Ndërkohë që e gjasshmja dhe e pagjasshmja janë gjegjëset e përsosura në shqip të këtyre fjalëve. Ndërkohë fjalën gege ‘e pagjasshme’, përkthyesi më poshtë e përdor, por ku nuk ka rëndësinë kategorizuese që ka më sipër.
Gjini shqipëron aty ku s’duhet dhe nuk shqipëron ku duhet.
Vijon libri:
«[...] S. Rushdie, në Vargjet satanike, bën që dy heronjtë e tij, pas shpërthimit të një avioni, të bien duke llomotitur, duke kënduar, duke u sjellë në mënyrë komike dhe të pagjasshme. Ndërsa “përsipër, mbrapa, poshtë, në zbrazëtirë”, fluturojnë karrige me shpinore të fushkëta, gota prej kartoni, maska për oksigjen dhe pasagjerë, njëri Gibraeel Farishta, “noton” në ajër me krahë fluture, me stil bretkosë, mbështillet si lëmsh, shtrin krahët e dhe këmbët në pafundësinë e këtij të quajturi agshol...»
Kurse, përkthimi im: [Teksa «nga sipër, nga prapa, nga poshtë tyre vareshin në atë boshllëk» sedilje të përkulshme, gota letre, maska oksigjeni dhe pasagjerë, njëri prej tyre, Xhebrail Farishta, notonte «në ajër, krol, bretkosë, dhe kruspullosej si një top, dhe prapë hapte këmbë e krahë mbi gruntin gati të pafundëm të pragzbardhjes».]

Balili e bën të pagjasë jo vetëm rënien rushdiane ku personazhet ia shtrojnë me muhabet, por edhe avionin. Vetëm në avionat me të cilët ka fluturuar B. gjatë përkthimit, në vend të (sièges à dossier inclinable) “sediljeve të përkulshme”, kemi “karrige me shpinore të fushkëta”. Pra në vend të një avioni të Indian AirLines, kemi një tonin të Lazarati Airlines, ku piloti-shkrimtar na tymoska barin magjik, dhe në vend të sediljeve të përkulshme shifka “karrige me shpinore të fushkëta”... Notin krol, B. Gj. e jep fjalë për fjalë si “not me krah fluture”... Kurse shprehja ‘në pafundësinë e këtij të quajturi agshol’ për të thënë se e gjitha po ndodh mbi sfondin ose gruntin e zbardhjes së ditës, na dëshmon se përkthyesi tashmë është ‘bërë dru’. Kundera, i cili s’ka gisht në këtë mes, duke cituar përkthimin frëng të Rushdisë, thotë: «dans la quasi-infinité de cette quasi-aube». Emrin e personazhit B. e lë Gibraeel, kur fare mirë mund ta shqipërojë Xhebrail, ose Xhibrail simbas dy trajtave shqipe të variantit musliman t’emrit të krye-engjëllit.

U morëm me tre paragrafët nistorë.

Shohim tani kapitullin kunderian mbi Kafkën sipas Brodit. Pra kapitullin më në spikamë të temës së tradhtimit të testamentit.

Gjini përkthen kështu: “Kësisoj ne nuk habitemi që Brodi, adhurues i romantikës femërore, për të cilin pallimi nuk ishte realitet, por “simbol i ndjenjës”, nuk kishte mundur të përshquante asgjë të vërtetë tek Brunelda, zaten as hijen e një përvoje reale, por vetëm përshkrimin e “tmerreve ndërshkuese, përcaktuar ndaj atyre që nuk ndjekin rrugën e mbrothtë”.

Nga file-i i përkthimit tim të 2007s, kopjoj:

«Nuk duket e çuditshme pra që Brodi, adhurues romantik i grave, për të cilin koito-ja nuk është një realitet por një «simbol i ndjenjës», s’ka parë te Brunelda asgjë të vërtetë, as hijen e një eksperience reale, por vetëm përshkrimin e «ndëshkimeve të tmerrshme rezervuar atyre që s’ndjekin udhën e drejtë».

Dhe origjinali, që është më i thjeshtë se çdo përkthim:
On ne s’étonne pas que Brod, adorateur romantique des femmes, pour qui le coït n’était pas réalité mais «symbole du sentiment», n’ait pu vir rien de vrai dans Brunelda, pas l’ombre d’une expérience réelle, mais seulement la description des «horribles punitions destinées à ceux qui ne suivent pas le bon chemin».”
Vini re se “le coït” B. e jep me fjalë “pallimi” e sa keq tingëllon kjo në këtë libër estetike, ku fill mbrapa flitet për “simbolin e ndjenjës”... Koito nuk domethënë pallim por çiftim, por edhe po t'ishte ashtu, nuk duhej shqipëruar. “Udha e drejtë” për të cilën flet çdo bibël a qitap, në asnjë libër fetar nuk rezulton si “rruga e mbrothtë”. 

Sipas B. prapë (faqja 273), tregimi i përsosur i Kafkës “Ein hungerkuenstler” qenka Një kampion i agjërimit. Fjalia e plotë në përkthim është: «Shkagimi nuk i përket automatikisht gjithçkaje që s’ishte botuar, sepse përmes veprave “të vlefshme” radhit edhe novelën Një kampion i agjërimit, e cila, në çastin kur e shkroi letrën, nuk ekzistonte veçse në dorëshkrim.»
Në radhë të parë Gjini duhet të ketë parasysh se fjala frënge ‘parmi’, nuk do të thotë përmes(!) pavarësisht ngjashmërisë grafike dhe fonetike. Ajo do të thotë ndërmjet, ose midis. Në radhë të dytë “Artisti i urisë” nuk është novelë! Dhe nuk titullohet Një kampion i agjërimit. Duhet me ia ripërkthye lexuesit këtë fjali, duke i thënë se Kafka n'amanetin letrar që i la Brodit, nuk dënoi me djegie çdo gjë që kishte shkruar, pasi mes veprave të tij mund të ruhej tregimi Artisti i urisë... etj.
Titullin e pjesës së nëntë të librit: “Là, vous n’êtes pas chez vous, mon cher” (e shqipëruar: Këtu nuk jeni në shtëpinë tuaj, i nderuar), Gj. e përkthen: Atje s’jeni në shtëpinë tuaj i dashur! Pra fjalë për fjalë, dhe kujton se do të thotë atje, si në italisht.
Kreu ku fliten këto gjëra titullohet Rrugët në mjegull, por lexuesit veçse mjegull tjetër i serviret. 
Në faqen 277 përkthyesi Gj. tregon se nuk e njeh fare Kafkën, kur përkthen pjesën e fundit të Procesit. Ndërkohë që shumë mirë mund të kishte kopjuar e ndrequr pak përkthimin e Gj. Vlashit.
Sipas B. Gj., prej Kunderës thuhet: «Mendoj për fundin e Procesi: të dy zotërinjtë janë përkulur përmbi K. që po e therin: “Me sytë që po i erreshin, K. pa përsëri, shumë pranë fytyrës, faqe më faqe, të dy zotërinjtë tek kundronin përfundimin:
Si një qen! – tha K.; dhe ishte sikur turpi e detyronte të mbijetonte”.» Dy dorasët janë bërë dy zotërinjtë. Duke parë K. që po jep shpirt ata thjesht “kundrojnë përfundimin”. Kurse marazi i K., se mos do t’i mbetej marrja (turpi) mbrapa, jepet me shprehjen e pakuptimtë “ishte sikur turpi...”. 
Ja dhe i miri Gj. Vlashi, tek përkthimi i tij që prapë është shumë më i pranueshëm:
Si një qen – tha K. dhe dukej sikur trupi do të mbijetonte edhe pas tij.
(Gabimi ortografik kthehet në gabim logjik dhe fjali përçudnohet krejt, duke u dukur si me qenë marrë nga librat me zombie të Stephen Kingut, ku “trupi” i mbijeton edhe vdekjes së të zot’.) [Procesi, fq. 226, Globus R., Tiranë, 1997)

Ndërkohë, anësore: Gj. shprehjen ‘gjë për tu çuditur, ose kërshëritëse’, e jep: gjë kurioze (fq. 248), a thua se gjërat janë antropomorfike dhe kanë kuriozitet si njeriu, apo macja, një kafshë me natyrë kurioze. Luftërat napoleonike, i jep si napoleoniane. Të pafajësueshmit, i jep si të pafajshmit (fq249) Dorasët e Procesit janë gjithkund zotërinjtë.fq 224, fq 277 etj. Madje K.së i shkon mendja të merrte një thikë dhe “ta ngafulte në trup” (fq. 224)

Rëndësia e Testamenteve është aq qendrore në veprën e Kunderës, sa ky libër mund të jetë pa frikë edhe testamenti i tij. Çdo shtrembërim i tij meriton  një "j'accuse" të madhe botnisht.

martedì, agosto 06, 2013

Kur tradhëtohen Testamentet



Zanati i përkthimit është judesk par excellence, dhe shprehja traduttore-traditore veç lojë fjalësh që s'është. Ka përkthime (të tipit rifreskime) që duke kujtuar se po shpalosin shumë gjetje, e vyshkin natyrën e veprës dhe ia afrojnë artificialisht afatin e skadimit. Janë përkthime që vetëskartohen.
Kur botohet një vepër (Testamentet e tradhtuara, M. Kundera, B. Gjini, bot. Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2011) që e ke pasë nëpër duar edhe vetë, me të cilën ke nda' orë të lume pa gjumë, e “do ditë andrrimesh me sy hapë” e veç tjerash e ke çuar në ‘cenacolo’ të miqve si libër logu, e për më tepër i kushtohet prijësit të letrave moderne doktor Kafkas, kurioziteti për krahasim mes variantit tënd të pambaruar që fle në terrin e sirtarit dhe variantin fatlum që gëzon dritën e botimit është i papërmbajtshëm dhe legjitim.

Paraprakisht dijmë se përzgjedhjet e B. Gjinit përkthyes janë ndërmes më cinikëve dhe më aristokratëve të letrave perëndimore: mjeshtri i mendimit Cioran, rabëlezjani Hrabal, snobi Baudrillard... Por pavarësisht se këta janë autorë celebralë, ai i pajis në shqip me leksema bio, ku shpesh vjen era kooperativë socialiste, ose realizëm socialist me lumturi të detyrueshme. Nuk është vendi ta numërojmë këtu leksikun blegtoral që ai iu mvesh autorëve. Por ju siguroj se ky freskim i plak menjëherë përkthimet e tij, ose i uthullon, pasi nuk i jep efektin e thantimit që koha i jep venës së mirë p.sh., por vetëm atë të thartimit. Marrim një rast kërcitës. Gjini përpiqet në veprën e Baudrillard-it (Amerika, bot. Zenit) ta ngjisë “lapërdhinë” në kategori estetike. Në të vetën Baudrillard-i po flet për ob-scene, jo për larpëdhi.
Por le t'i kthehemi Testamenteve.
Ngaqë nuk mund ta kapim për çdo fjali, as nuk do mund ta pasqyronim në format mediatik këtë kapje, do ta fotografojmë (me lejen dhe durimin e lexuesit) këtë përkthim në fillim në mes dhe në fund. Na ndihmon fakti se ne e kishim përkthyer edhe vetë dikur këtë libër, pavarësisht se e lamë të pakorrigjuar, meqë na siguruan se Balili e kishte kryer këtë qysh në 93shin, bash vitin kur e nxori Gallimard.
Libri fillon me romanin me namë të Rabelais. Në shqipen e Gjinit na vjen kështu:
Qysh në fazat e fillimta libri i hap kartat: kjo që rrëfehet këtu nuk është serioze [...]”
Varianti im është më shqip: “Qysh prej fjalive të para libri loz me letra të hapura: ajo çka po tregohet nuk është e njëmendtë [...]”
Në radhë të parë, mbiemri “i, e fillimtë” s’na duhet. Në shqip me temën “fillim” kemi mbiemrat “fillestar” dhe “fillimor” që mjaftojnë. Në radhë të dytë neologjizmi formohet duke përdorë një mbaresë që ka konotacion tjetër. Tek “i, e qëllimtë”, mbaresa –të, është gjegjëse dhe mëkëmbëse e mbaresës –shëm, pra “i,e qëllimtë, i,e qëllimshëm”, pra sipas logjikës fjalëformuese të Gjinit, mbas “i, e fillimtë” do kishim “i, e fillimshëm”. Çka është kakofonike (tingullkeqe) dhe e shëmtuar (kakologjike). “Fjalitë e para”, do ishte shkurt e shqip. Mandej në vend të “kartat” duhet “letrat”, ne nuk lozim me karta, por me letra.
Kurse fjala “serioze” duhet shqipëruar sipas nuancës ose ngjyresës, pra ashtu siç e kam pasë dhënë unë në përkthimin e pabotuar: “e njëmendtë”.
Shembull: ajo që i ndodh Gregor Samsës është shumë serioze (madje është tmerrësisht e rëndë), por nuk është e njëmendtë, është jashtë njëmendësisë. “Serioze” në gjuhët latine ka këtë sfumaturë ose ngjyresë kryesore, pra “e njëmendtë”. Kurse në shqip, një gjë që nuk është “serioze” mund të jetë një tallje. Por tek Metamorfoza që morëm shembull, nuk kemi tallje me lexuesin. Serioz është mbiemër karakterizues: një njeri serioz, një profesionit serioz, etj. Nëse thua, kjo që po ndodh këtu nuk është serioze, do të thotë, në shqip: 1. se ajo nuk është e denjë, 2. se ajo nuk duhet marrë seriozisht.
Më poshtë, po në faqen e parë, kemi:
«Aty është gjithçka: “e vërteta dhe e pavërteta”, alegoria, satira, gjigandët dhe njerëzit normalë [...].
Vraisemblable” dhe “invraisemblable” e përkthen si “e vërteta” dhe “e pavërteta”».
Ndërkohë që e ngjara dhe e patëngjara, ose e gjasshmja dhe e pagjasshmja janë gjegjëset e përsosura në shqip të këtyre fjalëve. Ndërkohë fjalën gege ‘e pagjasshme’, përkthyesi më poshtë e përdor, por ku nuk ka rëndësinë kategorizuese që ka më sipër.
Gjini shqipëron aty ku s’duhet dhe nuk shqipëron ku duhet.
Vijon libri:
«[...] S. Rushdie, në Vargjet satanike, bën që dy heronjtë e tij, pas shpërthimit të një avioni, të bien duke llomotitur, duke kënduar, duke u sjellë në mënyrë komike dhe të pagjasshme. Ndërsa “përsipër, mbrapa, poshtë, në zbrazëtirë”, fluturojnë karrige me shpinore të fushkëta, gota prej kartoni, maska për oksigjen dhe pasagjerë, njëri Gibraeel Farishta, “noton” në ajër me krahë fluture, me stil bretkosë, mbështillet si lëmsh, shtrin krahët e dhe këmbët në pafundësinë e këtij të quajturi agshol...»
Kurse, përkthimi im: [Teksa «nga sipër, nga prapa, nga poshtë tyre vareshin në atë boshllëk» sedilje të përkulshme, gota letre, maska oksigjeni dhe pasagjerë, njëri prej tyre, Xhebrail Farishta, notonte «në ajër, krol, bretkosë, dhe kruspullosej si një top, dhe prapë hapte këmbë e krahë mbi gruntin gati të pafundëm të pragzbardhjes».]
Balili e bën të pagjasë jo vetëm rënien rushdiane ku personazhet ia shtrojnë me muhabet, por edhe avionin. Vetëm në avionat me të cilët ka fluturuar B. gjatë përkthimit, në vend të (sièges à dossier inclinable) “sediljeve të përkulshme”, kemi “karrige me shpinore të fushkëta”. Pra në vend të një avioni të Indian AirLines, kemi një tonin të Lazarati Airlines, ku piloti-shkrimtar na tymoska barin magjik, dhe në vend të sediljeve të përkulshme shifka “karrige me shpinore të fushkëta”... Notin krol, B. Gj. e jep fjalë për fjalë si “not me krah fluture”... Kurse shprehja ‘në pafundësinë e këtij të quajturi agshol’ për të thënë se e gjitha po ndodh mbi sfondin ose gruntin e zbardhjes së ditës, na dëshmon se përkthyesi tashmë është ‘bërë dru’. Kundera, i cili s’ka gisht në këtë mes, duke cituar përkthimin frëng të Rushdisë, thotë: «dans la quasi-infinité de cette quasi-aube». Emrin e personazhit B. e lë Gibraeel, kur fare mirë mund ta shqiptojë Xhebrail, ose Xhibrail simbas dy trajtave shqipe të variantit musliman t’emrit të krye-engjëllit Gabriel.

U morëm me tre paragrafët nistorë. Dhe pamë sa me këmbë të mbarë ia ka nisur përkthyesi i specializuar.
Nuk jam hipermodernist, përkundrazi. Modernët e vërtetë, siç janë vazhduesit e Rimbaud-së, çka thuhet edhe në Testamentet, janë antimodernistë. E ndjej që njëfarë nastradinizmi në përkthim, mund të hahet ende si tek ‘Don Kishoti, pjesa I’ i Nolit, ashtu dhe tek Dostojevski i Doksanit, të cilit Dostojevsk s’ka pse t’i vijë era Firence, se në fund të fundit po flet për moçalin e reales, dhe i shkon një gjuhë xoxjane prej ‘lumi të vdekur’.
Por as Kundera eseist, as Ciorani filozof, nuk mund të përkthehen nastradinçe, apo me regjistrin e ‘lumit të vdekur’. Nuk ua mban estetika. Aq më tepër, kur kujton se arnat që iu vë, mbi kostumet e reja origjinale, janë sofistikim. Përkthyesit si Gjini, janë në mirëbesim, dhe kujtojnë se këto arna mund të vendosën edhe mbi xhaketën e re prej cohe të mirë, për t’iu mbrojtur bërrylat se mos iu ‘hahen’, por e forta është se nuk mendojnë as t’i qepin aty ku (edhe!?) mund ta kenë vendin, pra tek bërrylat dhe kshtu iu qepin mëngët duke i bërë mëngë manece.
Ata përkthyes që nuk e kanë takatin për të shqipëruar strukturën, rrinë e shtojnë fjalë, në vend që t’i heqin. Në punë e tij përkthimore, Gjini përdor rëndom fjalë si ‘kësmet’ në vend të ‘short’ a ‘fat’, tek shkrimtarët bashkëkohës. Ndërkohë që fare mirë, mund ta përdorte kësmetin tek një Hygo (që me raste e përdorte edhe vetë këtë turqizëm) a ndoj klasik tjetër, për t’i vendosur edhe në kohë edhe në hapësirë. Përse nuk përkthejnë shkrimtarë të Tetëqindës, kur ua kande aq shumë këtë leksik? Mbase, ngase duan të bëjnë si modernë?...
Po si mund ta pranojmë që aty ku një akademik i mërzitshëm si Baudrillard flet për një kategori filozofike, neve ia përkthjemë atë si ‘lapërdhi’? A nuk është ky një përkthim lapërdhar?
E gjithë kjo mënyrë përkthimi ku për-zihet shkolla e vjetër ‘e shqipërimit’ ose qethjes me stilin e pranuar nga ‘agjitpropi’, rezulton në një arnim grotesk e cigan, por pa muzikalitetin e ciganizmit të vërtetë.
Përpos kësaj, nevojat e një shkolle të re përkthimi, janë sot një urgjencë kombëtare. Edhe në rastet më të mira jemi akoma brenda nolizmit, ose nevojës për t’i kthyer veprat e ‘Evropit’ në dimensionet e fshatit-komb, ku e vetmja licencë është ajo e sforcimit, ose e shartimit të logotipit vendas, por me frikë strukturore jo veç nga ajo që vjen jo veç nga jashtë, por edhe nga brenda! Frikë nga mendimi: mizozofi!
Shohim tani kapitullin kunderian mbi Kafkën sipas Brodit. Pra kapitullin më në spikamë të temës së tradhtimit të testamentit.

Gjini përkthen kështu: “Kësisoj ne nuk habitemi që Brodi, adhurues i romantikës femërore, për të cilin pallimi nuk ishte realitet, por “simbol i ndjenjës”, nuk kishte mundur të përshquante asgjë të vërtetë tek Brunelda, zaten as hijen e një përvoje reale, por vetëm përshkrimin e “tmerreve ndërshkuese, përcaktuar ndaj atyre që nuk ndjekin rrugën e mbrothtë”.
Nga file-i i përkthimit tim të 2007s, kopjoj:
«Nuk duket e çuditshme pra që Brodi, adhurues romantik i grave, për të cilin koito-ja nuk është një realitet por një «simbol i ndjenjës», s’ka parë te Brunelda asgjë të vërtetë, as hijen e një eksperience reale, por vetëm përshkrimin e «ndëshkimeve të tmerrshme rezervuar atyre që s’ndjekin udhën e drejtë».
Dhe origjinali, që është më i thjeshtë se çdo përkthim:
On ne s’étonne pas que Brod, adorateur romantique des femmes, pour qui le coït n’était pas réalité mais «symbole du sentiment», n’ait pu vir rien de vrai dans Brunelda, pas l’ombre d’une expérience réelle, mais seulement la description des «horribles punitions destinées à ceux qui ne suivent pas le bon chemin».”
Vini re se “le coït” B. e jep me fjalë “pallimi” e sa keq tingëllon kjo në këtë libër estetike, ku fill mbrapa flitet për “simbolin e ndjenjës”... Koito nuk domethënë pallim, por edhe po t'ishte ashtu, nuk duhej shqipëruar. “Udha e drejtë” për të cilën flet çdo bibël a qitap, në asnjë libër fetar nuk rezulton e përkthyer balilianisht si “rruga e mbrothtë”. Kundera e përmend në kuadrin e kritikës së tij antireligjioze.
Sipas B. prapë (faqja 273), tregimi i përsosur i Kafkës “Ein hungerkuenstler” qenka Një kampion i agjërimit. Fjalia e plotë në përkthim është: «Shkagimi nuk i përket automatikisht gjithçkaje që s’ishte botuar, sepse përmes veprave “të vlefshme” radhit edhe novelën Një kampion i agjërimit, e cila, në çastin kur e shkroi letrën, nuk ekzistonte veçse në dorëshkrim.»
Në radhë të parë B. Gj. (që mbase bën gjoja), në përkthimet e ardhshme, duhet të ketë parasysh se fjala frënge ‘parmi’, nuk do të thotë përmes(!) pavarësisht ngjashmërisë grafike dhe fonetike. Ajo do të thotë ndërmjet, ose midis. Në radhë të dytë “Artisti i urisë” nuk është novelë! Dhe nuk titullohet Një kampion i agjërimit. Duhet me ia ripërkthye lexuesit këtë fjali, duke i thënë se Kafka n'amanetin letrar që i la Brodit, nuk dënoi me djegie çdo gjë që kishte shkruar, pasi mes veprave të tij mund të ruhej tregimi Artisti i urisë... etj.
Titullin e pjesës së nëntë të librit: “Là, vous n’êtes pas chez vous, mon cher” (pra, po ta shqipëronim: Këtu nuk jeni në shtëpinë tuaj, i nderuar), Gj. e përkthen: Atje s’jeni në shtëpinë tuaj i dashur! D.m.th. fjalë për fjalë, dhe kujton se do të thotë atje, si në italisht. Në këtë moment, Gj. vërteton padashje, se tek letërsia ai nuk është në shtëpinë e vet dhe hyn, tek ajo pjesë shumë e rëndësishme e komunitetit paraletrar që unë quaj: komshitë e letërsisë.
E thënë mes nesh, ndër komshitë e letërsisë ky përkthyes është shumë më në rregull se disa që bëjnë si të fortët e letërsisë apo gjynahët e letërsisë, që ankohen e “ankimohen” për gjendjen e letërsisë shqipe, ngase marrin vetëm nga shtatë rroga. E duke qenë se ka gurnue edhe si guru i çmimeve letrare kombëtare, meriton çmimin që ndajmë ne letrarët me vokacion: komshi i letërsisë i katit të parë!
Kreu ku fliten këto gjëra titullohet Rrugët në mjegull, por lexuesi nuk i sheh këto rrugë, që falë këtij përkthimi bëhen rrugë pa krye, dhe mjegullës i vjen era stallë.
Në faqen 277 përkthyesi Gj. tregon se nuk e njeh fare Kafkën, kur përkthen pjesën e fundit të Procesit. Ndërkohë që shumë mirë mund të kishte kopjuar e ndrequr pak përkthimin e Gj. Vlashit.
Sipas Balilit, prej Kunderës thuhet: «Mendoj për fundin e Procesi: të dy zotërinjtë janë përkulur përmbi K. që po e therin: “Me sytë që po i erreshin, K. pa përsëri, shumë pranë fytyrës, faqe më faqe, të dy zotërinjtë tek kundronin përfundimin:
Si një qen! – tha K.; dhe ishte sikur turpi e detyronte të mbijetonte”.»
Më shumë se kaq nuk mund ta mbrapshtosh fundin e romanit më emblematik të shekullit të XX. Dy dorasët janë bërë dy zotërinjtë. Duke parë K. që po jep shpirt ata thjesht “kundrojnë përfundimin”. Kurse marazi i K., se mos do t’i mbetej marrja (turpi) mbrapa, jepet me shprehjen e pakuptimtë “ishte sikur turpi e detyronte të mbijetonte”. Por në Weltanschauung shqiptar, shqetësimin mos me na jetun mârre mbrapa e njohim mirë, dhe e nxëmë në shtëpi e shkollë.
Ja dhe i miri Gj. Vlashi, tek përkthimi i tij që prapë është shumë më i pranueshëm:
    Si një qen – tha K. dhe dukej sikur trupi do të mbijetonte edhe pas tij.
    (Gabimi ortografik kthehet në gabim logjik dhe fjali përçudnohet krejt, duke u dukur si me qenë marrë nga librat me zombie të Stephen Kingut, ku “trupi” i mbijeton edhe vdekjes së të zot’.) [Procesi, fq. 226, Globus R., Tiranë, 1997)
Ndërkohë, anësore: Gj. shprehjen ‘gjë për tu çuditur, ose kërshëritëse’, e jep: gjë kurioze (fq. 248), a thua se gjërat janë antropomorfike dhe kanë kuriozitet si njeriu, apo macja, një kafshë me natyrë kurioze. Luftërat napoleonike, i jep si napoleoniane. Të pafajësueshmit, i jep si të pafajshmit (fq249) Dorasët e Procesit janë gjithkund zotërinjtë.fq 224, fq 277 etj. Madje K.së i shkon mendja të merrte një thikë dhe “ta ngafulte në trup” (fq. 224)
Kështu “i ngaful” përkthyesi fjalët e veta nëpër librin e tjetrit. Dhe – do të thonim sipas stilit të tij – e xhevahiros atë përdasshëm .
Kur iu flisja se po përktheja këtë libër në Tiranë më thoshin se B. e ka përkthyer qysh në ‘93shin... sikur të kishte qenë i pranishëm në seminarin e Kunderës dhe ta kishte incizuar live. Pra ka pasë 20 vjet kohë me e korrigjue!! Dhe rezultati shihet.
Për ta mbyllur analizën, do thonim edhe dy fjalë për veprën.

Rëndësia e Testamenteve është aq qendrore në veprën e Kunderës, sa ky libër mund të jetë pa frikë edhe testamenti i tij. Mund të themi me siguri se përbën një suvenir për të gjithë dashnorët e romanit. Nëse ky libër do të meritonte një titull tjetër, më utopik, ky do t’ishte “Qyteti i romanit” ose “Për një qytet të romanit”, në ‘falsariga’ të veprave utopike “Qyteti i Zotit” apo “Qyteti i diellit”. Ciorani e ka quajtur qytetërimin modern evropian “shoqëria e romanit”, dhe një libër si ky, ku shpaloset thjesht, e pa jargavitje “shpirti i romanit” meritonte një përkthim evropian. Mbas romanit, mjeshtri tjetër evropiane është edhe përkthimi. Kur copyright-i i këtij botimi të skadojë, pas pak vitesh, urojmë të hedhim në qarkullim përkthimin tjetër. A, fundja, ta pranojnë konsulencën tonë falas për rieditimin e tij. A fundja e fundit, kushdo që e citon këtë përkthim në ndonjë punim doktorature, ta marrë me dorashka.

domenica, marzo 31, 2013

AJO ÇKA BESOJ

James G. Ballard

(shkrimtar anglez, Shanghai 15.11.1930 – London 19.04.2009)





AJO ÇKA BESOJ

(London, 1984)


Besoj në fuqinë e imagjinatës me e rikrijue botën, me lirue të vërtetën brenda nesh, me e zmbrapsë natën, me e tejkalue vdekjen, me magjepsë autostradat, me na stolisë neve me zogj, me fitue rrëfimet e të lafitunve.

Besoj në fiksimet e mia, në bukurinë e nji aksidenti automobilash, në paqen e nji pylli të fundosun, në ngazëllimin e plazhit të shkretuem për pushime, n'elegancën e vorrezave të makinave, në misterin e parkingjeve shumkatshe, në poezinë e hoteleve të braktisuna.
Besoj në skelat e harrueme të Wake Island, që shenjojnë përpjetë kah Paqësorët e imagjinatës sonë.

Besoj në bukurinë e mistershme të Margaret Thatcher, në harkun e flegrave të saj dhe në shndritjen e buzës së saj të poshtme; në melankolinë e rezervistave t'Argjentinës së plagosun; në buzëqeshjet e trembuna të personelit të pikës së karburantit; në andrrën teme për Margaret Thatcher të përkëdhelun nga ai ushtar i ri argjentinas në një motel të harruem vëzhgue prej një punëtori pike karburanti veremli. 
 
Besoj në bukurinë e tana grave, në tradhtinë e imagjinatave të tyne, aq pranë zemrës sime; në mpleksjen e trupave të tyne të zgjandërrt me hekrat e magjepsuna prej kromi të banakëve të supermarketeve; në tolerancën e tyne të ngrohtë të perversiteteve të mia. 
 
Besoj në vdekjen e të nesërmes, në shterrjen e kohës, në kërkimin tonë për një kohë të re brenda buzëqeshjeve të kameriereve t'autostradave dhe në sytë e lodhun të kontrolluesve të trafikut ajror n'aeroportet jashtë-stine.

Besoj në organet gjenitale të burrave e grave të mëdha, në qëndrimet trupore të Ronald Reagan, Margaret Thatcher dhe Princeshës D, n'erëkandet e amla që lëshojnë buzët e tyne teksa shohin kamerat e tanë botës.

Besoj në çmenduninë, në vërtetësinë e të pashpjegueshmes, në gjykimin e shëndoshë të gurëve, në përhanien e luleve, në sëmundjen e mbartun për racën njerëzore nga astronautët e Apollo's. 
 
Besoj n'asgja.

Besoj në Max Ernst, Delvaux, Dali, Tiziano, Goya, Leonardo, Vermeer, de Chirico, Magritte, Redon, Dürer, Tanguy, Facteur Cheval, Kullat e Watts, Böcklin, Francis Bacon, dhe në tanë artistët e padukshëm brenda institucioneve psikiatrike të planetit.

Besoj në pamundësinë e ekzistencës, në humorin e maleve, në absurditetin e elektromagnetizmit, në farsën e gjeometrisë, në mizorinë e aritmetikës, në qëllimet vrastare të logjikës. 
 
Besoj në gratë adoleshente, në korruptimin prej vetëvendosjes së kambëve të tyne, në dlirësinë e trupave të tyne të ngatërruem, në gjurmat e pudentave të tyne të lana në banjot e moteleve të dala boje.

Besoj në fluturimin, në bukurinë e flatrës, dhe në bukurinë e gjithçkaje që ka fluturue ndojherë, në gurin e hedhun prej një fëmije të vogël që mban me veti urtinë e burrave të shtetit dhe të mëndeshave. 
 
Besoj në xhentilesën e bisturisë së nji kirurgu, në gjeometrinë pacak të ekranit të kinemasë, në universin e fshehun brenda supermarketeve, në vetminë e diellit, në llomotitjet e planeteve, në përsëritjen tonë, në mosekzistencën e universit dhe mërzinë e atomit. 
 
Besoj në dritën që falin video-regjistruesit në dritoret e qendrave tregtare, në intuitën mesianike të grilave të radiatorëve në showroom-et e makinave, në elegancën e njollave të vajit në dhomën e motorit të 747s të parkuem në pistat prej katrani t'aeroportit. 
 
Besoj në mosekzistencën e të shkuemes, në vdekjen e t'ardhmes, dhe në mundësitë e pafundme të së tashmes.

Besoj në çrregullimin e shqisave: në Rimbaud, William Burroughs, Huysmans, Genet, Celine, Swift, Defoe, Carroll, Coleridge, Kafka. 
 
Besoj në projektuesit e Piramidave, të Empire State Building, bunkerit të Führer-it në Berlin, skelat e hedhjes në Wake Island.

Besoj në erën e kurmit të Princeshës D.

Besoj në pesë minutat e ardhshme.

Besoj në historinë e shputave të kambëve të mia.

Besoj në migrenat, në mërzinë e mbasditeve, në frikën prej kalendarëve, në tradhtinë e sahatëve. 
 
Besoj në ankth, psikozë e dëshpërim.

Besoj në perversitetet, në dashurimin me pemët, princeshat, kryeministrat, karakatinat e pikave të karburantit (edhe ma të bukura se Taxh Mahal), rêtë e zogjtë. 
 
Besoj në vdekjen e emocioneve dhe në triumfin e imagjinatës. 
 
Besoj në Tokjo, Benidorm, La Grande Motte, Wake Island, Eniwetok, Dealey Plaza.

Besoj n'alkolizmin, në sëmundjet seksuale, n'ethet dhe kapitjen. 
 
Besoj në dhimbjen.

Besoj në dëshpërimin.

Besoj në fëmijët. 
 
Besoj në hartat, diagramet, kodet, lojnat e shahut, në puzzle, në tabelat e orareve të linjave ajrore, në shenjat udhëzuese të aeroporteve. 
 
I besoj tana justifikimet.

I besoj tana arsyet.

I besoj tana haluçinacionet.

I besoj tana zemërimet. 
 
I besoj tana mitologjitë, kujtimet, rrenat, fantazitë, arratisjet.

Unë besoj misterin e melankolinë e nji dore, mirësinë e pemëve, urtinë e dritës.


përktheu Astrit Cani



WHAT I BELIEVE


"I believe in the power of the imagination to remake the world, to release the truth within us, to hold back the night, to transcend death, to charm motorways, to ingratiate ourselves with birds, to enlist the confidences of madmen.

I believe in my own obsessions, in the beauty of the car crash, in the peace of the submerged forest, in the excitements of the deserted holiday beach, in the elegance of automobile graveyards, in the mystery of multi-storey car parks, in the poetry of abandoned hotels.

I believe in the forgotten runways of Wake Island, pointing towards the Pacifics of our imaginations.

I believe in the mysterious beauty of Margaret Thatcher, in the arch of her nostrils and the sheen on her lower lip; in the melancholy of wounded Argentine conscripts; in the haunted smiles of filling station personnel; in my dream of Margaret Thatcher caressed by that young Argentine soldier in a forgotten motel watched by a tubercular filling station attendant.

I believe in the beauty of all women, in the treachery of their imaginations, so close to my heart; in the junction of their disenchanted bodies with the enchanted chromium rails of supermarket counters; in their warm tolerance of my perversions.

I believe in the death of tomorrow, in the exhaustion of time, in our search for a new time within the smiles of auto-route waitresses and the tired eyes of air-traffic controllers at out-of-season airports.

I believe in the genital organs of great men and women, in the body postures of Ronald Reagan, Margaret Thatcher and Princess Di, in the sweet odors emanating from their lips as they regard the cameras of the entire world.

I believe in madness, in the truth of the inexplicable, in the common sense of stones, in the lunacy of flowers, in the disease stored up for the human race by the Apollo astronauts.

I believe in nothing.

I believe in Max Ernst, Delvaux, Dali, Titian, Goya, Leonardo, Vermeer, Chirico, Magritte, Redon, Duerer, Tanguy, the Facteur Cheval, the Watts Towers, Boecklin, Francis Bacon, and all the invisible artists within the psychiatric institutions of the planet.

I believe in the impossibility of existence, in the humour of mountains, in the absurdity of electromagnetism, in the farce of geometry, in the cruelty of arithmetic, in the murderous intent of logic.

I believe in adolescent women, in their corruption by their own leg stances, in the purity of their disheveled bodies, in the traces of their pudenda left in the bathrooms of shabby motels.

I believe in flight, in the beauty of the wing, and in the beauty of everything that has ever flown, in the stone thrown by a small child that carries with it the wisdom of statesmen and midwives.

I believe in the gentleness of the surgeon’s knife, in the limitless geometry of the cinema screen, in the hidden universe within supermarkets, in the loneliness of the sun, in the garrulousness of planets, in the repetitiveness or ourselves, in the inexistence of the universe and the boredom of the atom.

I believe in the light cast by video-recorders in department store windows, in the messianic insights of the radiator grilles of showroom automobiles, in the elegance of the oil stains on the engine nacelles of 747s parked on airport tarmacs.

I believe in the non-existence of the past, in the death of the future, and the infinite possibilities of the present.

I believe in the derangement of the senses: in Rimbaud, William Burroughs, Huysmans, Genet, Celine, Swift, Defoe, Carroll, Coleridge, Kafka.

I believe in the designers of the Pyramids, the Empire State Building, the Berlin Fuehrerbunker, the Wake Island runways.

I believe in the body odors of Princess Di.

I believe in the next five minutes.

I believe in the history of my feet.

I believe in migraines, the boredom of afternoons, the fear of calendars, the treachery of clocks.

I believe in anxiety, psychosis and despair.

I believe in the perversions, in the infatuations with trees, princesses, prime ministers, derelict filling stations (more beautiful than the Taj Mahal), clouds and birds.

I believe in the death of the emotions and the triumph of the imagination.

I believe in Tokyo, Benidorm, La Grande Motte, Wake Island, Eniwetok, Dealey Plaza.

I believe in alcoholism, venereal disease, fever and exhaustion.

I believe in pain.

I believe in despair.

I believe in all children.

I believe in maps, diagrams, codes, chess-games, puzzles, airline timetables, airport indicator signs.

I believe all excuses.

I believe all reasons.

I believe all hallucinations.

I believe all anger.

I believe all mythologies, memories, lies, fantasies, evasions.

I believe in the mystery and melancholy of a hand, in the kindness of trees, in the wisdom of light."
 

                                                                                                                                  

venerdì, febbraio 15, 2013

Stefano RAIMONDI (poet italian)


Motmote leximi
(Una lettura d’anni)

I.
Do dojshem që të harlisej kopshti
të mësynte anekand
e rrugët të ishin mrize
dhe rravgimi nji lojë
fjalësh e deka
fundi i nji libri.
.
dhe gjithçka të mbetej aty
mes nji stoli tek nji hije
e nji galerie gjethesh
që shkimet pa fije zhurme.


Por thonë se në verë
Vdiset edhe këndej.


II.
Im atë, lexonte padà.


Nata kishte për mue
peshën e nji flete që kthehet.


Prej dhomës së tij drita
ishte nji dorë për mue
pa krahë.


III.
Minut mbas minuti orë e ças'
po njato datëlindje
sekush me moshën e vet
mes dritës dhe fundit
të nji grimhere kursye kohës.


Motmotesh, së toku, përmbushëm
Po atë shoqni.


Po sa shum emna te ky emën.


IV.
Ka afri – më thojshe –
sa ka vend
qendrojnë si qetësia
petashuqe e Navigli-ove
se nuk dijnë gja për digën
nji grimëz ma andej
qysh të shkîm.


Ajgtojnë resmat e etnëve
në nji besniki
në nji pushtim majhosh


dhe vjen nji moshë prej hijesh
e na tëharr.


V.
Natën e ndjej kah mban
hesapin e kcimeve
marrakotjeve të ditëve pezull
porsi fari që lajmon ikanakët:


lëshon sinjale jete
për me u dhanë zemër.


VI.
Tekembramja a ngjajmë përnjimend?


Frymon kopshti pranë nesh
kah rritet, tue na lanë vend
e prehje. Na mban.


Fryma jote asht dukuni e habitshme
shkërmoq frymëmarrjet
dhe anekand kopshtit ndehet
lufta jote.


Mbahen lidhun qent
secili sipas emnit të vet.
Dhe nji lehje ma e fortë
Të qet strofulle, të njeh
dhe bishtin ma dredh pranë
si me m’pasë xhan.


VII.
Jemi dy skaje ledhatimi
kurrë aq pranë sa duhet
kurrë s’hoqëm dorë nga dita.
dhe vemi te po njai dikund
së toku, guvat e datave
n’hapsinat miope pranverës
shkalamendshëm


porsi saksia lulesh
që parmakët i bartin
me sajdisë rrugët.


VIII.
Im atë, sa emën shkamb.
Mbledh dêj kujtese
për hir të frymëmarrjes.


Ripërtyp ditnet,


- e diela asht
ças pas çasi
qeti e sprasme -


dhe në bahçe më lexon pranë
me gjest tiran.


Maj 1996

(version i A. Canit, 2007)


martedì, dicembre 04, 2012

Elozh leximit shqip


Që Panairit t’i vijë era qytet, duhet që libri të jetë libër (nga faqosja, tek grafika, tek cilësia e tekstit emr.), panairi të jetë panair (shkrimtarët të buzëqeshin, çmimet të përgjysmohen, të ligjërojnë aktorët me zërin më të mirë) dhe lexuesi të jetë lexues (kureshtar pikësëpari, i natyrshëm dhe me aftësi përqëndrimi edhe në mjediset më të zhurmshme). E kotë me u ankue se nuk përqëndrohesh dot, lexuesi i vërtetë lexon në zhurmën e televizorit, të tramit e të metrosë.
Për mendimin tim dy të parat janë në horizontin e pritjeve të largëta. Por lexuesin e kemi.
Pavarësisht se shumë shkrues, që e kanë mbyllë me leximet në fillim të viteve ’90, do të ngulmojnë se ahere lexohej më shumë. Optika e tyre është jashtë fokusit historik, pasi asokohe kishte shumë më pak tituj dhe ata pak lexoheshin më shumë. Edhe atëherë kishte libra të detyrueshëm, si librat e diktatorit, por këta ishin për syrin e keq e nuk merrnin nga drita e syve të lexuesit. Ata që e lavdërojnë atë kohë, lavdërojnë në fakt rininë e vet dhe këtë mund ta bëjë kushdo: me lëvdue kohën kur ndiheshe i freskët dhe i perceptoje gjërat pa mbiven-dosje.
Situata e librit si shumica e situatave jetësore, asokohe ka qenë e përqëndruar. Tani është hallakatur (dikush thotë shpartalluar). Shumë shkrimtarë të realizmit socialist i kalonin pa frikë tirazhet 20 000 kopje, që sot nuk i mbërrin i gjithë produkti vendas i marrë së bashku. Na duket se më fatlumët kanë qenë shkrimtarët për fëmijë, që për nga niveli i receptimit bashkarendnin me klasikët e lejuar, e madje nuk kishin detyrime të rënda vetëçensurimi, çka, një pjesë të tyre i bën të lexueshëm edhe sot. Ajo çka e kushtëzon praninë e tyre në historinë e letrave shqipe, është fakti se kopjonin pa kursim nga shkrimtarët e huaj të papërkthyer deri atëherë. Pra i shpëtonin edhe vetëçensurës më legjitime të shkrimtarit, asaj mos me kopjue.   
Thamë se i gjithë produkti vendas nuk i mbërrin tirazhet e një shkrimtari të vetëm të kohës, por a do të thotë kjo se lexuesi ka vdekur?! Aspak. Leximi tani është diversifikuar. Në një mënyrë jo-drejtvizore, qendër-ikëse dhe problematike, lexuesi shqiptar është emancipuar. Madje sot, për nga sasia e koha që merr, leximi është aktiviteti kryesor i rinisë. Nuk quaj e nuk kam pse të quaj lexim vetëm atë refleksivin, leximin e librave të mirëfilltë me dimension historik. Lexim është edhe ai i rrjetit informativ global, kur vetë prania e librave është më e madhja e imagjinueshme. Nuk ka bibliotekë Aleksandrie që të krahasohet me internetin, pavarësisht se katalogimi lë për të dëshiruar, e se në pamje të parë, net-i duket një lëmsh virtual.
Neti i ka bërë lexues e shkrues në disa gjuhë edhe do invididë që më shumë se me librin dukeshin se kishin lidhje me qelinë. Interneti ka alfabetizuar do fytyra që mund të jenë të skeduara edhe nga Interpoli.
A e dëmton kjo librin?! Not at all.
As leximi i librit limonatë nuk e dëmton leximin. Krijon ç’është e vërteta probleme hapësire nëpër libaritë e ndryshme, ku librave të hollë ju merret fryma nga Svevat e Danielat, a mbreti tyre libërpaku Den. Po pavarësisht se në libraritë librave të hollë ju merret fryma, ato kanë frymëmarrje shumë të gjerë në shkolla. Botuesit vetëm ankohen, se atë zanat kanë, po nuk di të ketë dështuar ndonjë botues tek ne, me përjashtim të ndokujt që e kanë dështuar me konjuktura politike.  
Klasikët vazhdojnë t’u japin bukë. Të kesh Kafkën do të thotë një vilë në bregdet, të kesh shkrimtarët prodhimtarë si Dostojevskij do të thotë të kesh qetësi ekonomike. Nuk di të ketë mbetur ndonjë kopje nga librat e klasikëve që kam bërë unë, stokun ma kanë krijuar ata që kinse ishin më të shitshëm.
Nuk kemi stok Dantje, Lajbnici, Pesoe, Xhojsi, kemi stok limonate. Kur të vijë vera, me pak akull mund ta shesim prapë.  
Merita është krejtsisht e lexuesit. Lexuesi është më pararojë se të vetëquajturat pararoja, dhe është i vetmi faktor me mendje të hapur, në tregun tonë akoma të mbyllur. Horizonti tij është evropian, para se terreni të jetë evropian.
Në të gjithë qerthullin e kulturës, vetëm lexuesi e bën pjesën e vet në mënyrë të përsosur, me fisnikëri.
Tani duhet të shprehim rezervat për klasën tonë intelektuale. Që ankohet për lexuesin, pa i dhuruar atij libra të mirë. Pra ankohen a priori. Dikur këso faunë njerëzore, meritonte pasthirrmën: sa i këndueshëm. Janë të këndueshëm këta që akohen për këndonjësin.
Ka një lloj skizofrenie në përjetimin privat dhe atë publik të shqiptarisë së sotme. Në privat shumica e figurave tona publike janë njerëz të respektueshëm e të këndshëm, por kushedi pse ju është mbushur mendja se publikja është banjo.
Sa hijelehtë është Tupja po ta frekuentosh personalisht, kurse në publik bën si dandy i thekur erotoman, kinse para këtij do skuqej edhe Markezi de Sad. Sa dashurues i përunjur i librit është Bakalli, por bën një emision të tërë për “Shoqërinë e Spektaklit” dhe nuk e përmend librin, as autorin se hajt më përkthyesin e tij. Sa i ‘bardhë’ është Tufa në caqet e jetës familjare dhe sa desktruktiv është konstruktiviteti i tij klanor?!
Po botuesja e Selmonit, përse i bën aq shumë rekalmë libri në shkrimin e saj në vdekje të intelektualit të mirëfilltë që e la atë përkthim përgjysmë?
Ç’kanë që nuk heshin kurrë këta rob?!
Përse në private janë njerëz, kurse në publike bëhen figura karikatuale?!
Publikja tek ne është akoma skandaloze, ngaqe akoma s’e kemi kuptuar se është e jona, se publikja jemi ne, nuk janë të tjerët, të huajt. Akoma “të vret opinioni”, akoma hyu jonë janë “të tjerët”. Akoma se kemi kuptuar se Shqipëria nuk bëhet jashtë shtetit, por bëhet në Shqipëri!! Ja pra optika jonë provinciale… Ja pra kulti ynë i verbër i “tjetërsisë”!!
Me se luftohet kjo optikë, në mos se me iluminizëm?! Njëqind vjet mbasi iluminizmi shqiptar u kurorëzua me pavarësi (çka se të pjesshme), nuk kemi më iluministë. Njëqind vjet ‘later’ kush të lë me qenë individ?! Thua se fakti që ke lindë shqiptar ta paska heqë këtë të drejtë qysh në djep. E si mund të krijohet një qytetari e re pa individualizmin?  Pa shtresën e mesme, farishtën e individit?!
Pse vazhdojnë të kërkojmë kthime eshtrash, kthimin e kockave, këtë fetishizëm makabër dhe nuk kërkojmë kthimin e frymës?! Lërini eshtrat të prehen të qeta atje ku janë, se nëntoka nuk është e ndarë me shtete! Kërkoni të ktheni frymën se ajo u duhet të gjallëve.
Unë personalisht do të kërkoja ditë e natë kthimin e frymës iluministe… Por edhe ata që kthehen nga jashtë na sjellin idiosinkrazina, marrina, vijnë me kultin e “të tjerëve” të përforcuar, të sofistikuar, perfeksionuar…  Dhe bëhen pjesë luftarake e luftës.      
Për mendimin tim lufta sot tek ne nuk është mes qytetit e fshatit, pasi qytet realisht nuk ka. Është një luftë mes fshatit e fshatit, se gjithmonë luftat bëhen mbrenda familjes, se aty është terreni legjitim e i garantuar i pushtetit. Është një luftë vëllazërore pra pa pikë mëshire, mes fshatit që korruptohet dhe fshatit të robëtohet. Dhe qyteti (ai mish-mash i institucionalizuar që quhet qytet) jep verdiktin, në formë dekorate a karriere. Fshati që korruptohet është ai fshat që është fizikisht afër me qytetin dhe ia kopjon shumë shpejt veset, e vetmja gjë që rroket aty për aty. Fshati që robëtohet është fshati që punon, pak i izoluar, pak autarkik, pak vetëgjyqësor, por ky fshat ka thuajse të gjithë mjaltin e shqiptarisë, individualizmin tonë. E tija është Shqipëria e traditës, ajo e dyerve të mira.
Nuk e kam personale kur them se është Koço Devole nga njëra anë dhe Agron Llakaj nga tjera. Është fshati individualist dhe autoironik, fshati inteligjent i memories narrative, dhe fshati papagall nga ana tjetër, fshati imitues, që nganjëherë bën sikur edhe mendon, duke shprehur edhe konsiderata politike.
Qyteti jonë ja jep të gjitha votat fshatit mim, fshatit lul, dhe tregon nivelin e vet me këtë vlerësim.     
Koço devolliut i japim duart. Të zgjuarit i japim rrugat. Atij që bëri “Gjuetinë e fundit” komedinë e kthjellësisë dhe tragjedinë e aberracionit, i jepet “ekspulsioni”, në një kohë që figura si ai janë elegante edhe fizikisht edhe mendërisht për t’i pasur në sofrat televizive.  
I gjithë strumbullari është tek tjetërsia, koncept i alienuar me kohë. I tutemi, a thua se tjetërsia dhe njerëzorja janë temra antitetike.  Ndërkaq mendohet se ekziston vetëm një tip fshati shqiptar e s’ka as mund të ketë tjetër.
Kur hyn në audiotekë e kërkon Vaçen a Nexhmije Pagarushën, të thonë: “me na falë ta marrsha, por kena vetëm muzikë katundarësh”. Po pse Vaçja e Pagarusha a nuk përfaqësojnë fshatin, mjaltin e fshatarësisë autentike shqiptare? Dhe përse duhet të blejmë këto katundarët që kopjojnë majmunçe, kur kemi këto të tjerat që burojnë si kroje e që të zbukurojnë shtëpinë?
Në luftën mes fshatit burimor e fshatit majmun, qyteti i mirëfilltë do të krijohet vetëm kur mbasi të fitojë fshati fisnik. Atëherë do të pranohet edhe tjetërsia si përmasë publike e të qenit.
Ditën kur shqiptarët ta kuptojnë (me Artur Rembonë) se edhe uni është një tjetër, atëherë do të hyjmë në modernizëm. Por lexuesi ynë, që pikërisht kontaktin me tjetërsinë kërkon e kultivon, ia ka mbërritë tashmë kësaj.    

mercoledì, novembre 28, 2012

PORTRETI I PLAKUT TE VLORES

Artisti Eltjon Valle më fton me më tregue pikturën e tij të fundit. Vizitojmë apartamentin tij, në skaj të lagjes ‘Isola’ të Milanos, ku muret janë të mbuluar nga kuadrot e tij me format të madh, në tonalitete të errëta, shpesh monokromatike. Këtu lart mbërrijnë veprat të cilat autori i ndjen më afër, ato që meritojnë të rrinë veç, larg angarisë së ateljesë. Herën e fundit që kam parë një seri prej tij, ishte një inventar i shkrimtarëve të mallkuar të shekullit XX, ku secili mund të njihte shkrimtarin e vet. E vetmja gjë që ka mbetur e pranishme edhe sot, nga ajo ‘recherche’ e dikurshme, është përdorimi i naftës në telajot e tij, me bazë bojrash vaji. Hedhja e bazës ose ‘grunti’ bëhet gjithmonë me bojra klasike. Më vonë vjen retushimi me olio di pietra ose petrolio. Elementi naftë për Vallen, është një mënyrë me sondue fëmininë e vet, në jugun industrial. Dhe fëminia është obsesioni i çdo artisti. Duke ia shtuar naftën, piktura e tij refuzon me qenë e bukur tout court. Ajo të imponohet me mënyra të tjera. Sikundër në mënyrë magjike një fëmini mund të jetë fatlume, pa qenë e bukur. Piktura e tij të imponohet në radhë të parë me dimensionin e saj urban, ku asgjë nuk i lihet rastit. Valle e vazhdon kërkimin e tij në të gjitha përthyerjet e postmodernizmit, duke kërkuar udhën e tij në peisazhin apokaliptik. Megjithatë herë pas here, ai ndjen nevojën t’i kthehet akademisë.
Këtë radhë ka marrë përsipër një subjekt pa të dytë, personalitetin më në zë dhe më të padiskutueshëm, flamurtarin e Rilindjes sonë, Ismail Qemalin. Larg zhurmës institucionale, larg fetishizimit mediatik, ka qenë vetë familja Vlora që e ka porositur këtë portret, e pakënaqur nga përshfaqjet e deritanishme të kësaj figure sa të nderuar aq edhe të shfrytëzuar. Nismëtari i projektit shprehet i kënaqur me rezultatin, dhe uron ta shohë në qarkullim sa më shumë, deri sa kjo e përshfaqje të tjera si kjo t’ia zënë vendin atyre të realizmit socialist. Për filatelistët urojmë ta kemi edhe në ndonjë seri pullash. Ka ende shumë punë me arritë tek ndryshimi i perceptimit edhe për këtë ikonë kombëtare.
Shumica e shqiptarëve e njohin atë nëpërmjet filmit, i cili, pavarësisht aktorit të pazëvendësueshëm që e luan, e rëndon gjithçka me një retorikë prapavepruese, që e prish vërtetësinë realiste të kohës dhe vendit, ‘hic et nunc’-un aristotelian. Më shumë se gjithçka, na intereson me hetue pikëpjekjen e përmasës njerëzore me përmasën historike të asaj bëme. Nga libri i edituar e botuar prej Darling I. Vlora, përmendim një citat që na jep nga afër kalimin e vështirë drejt destinacionit që bëhet destin. Nga kujtimet e delegatit Dh. Zografi:

«…Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç’kemi parë dhe ç’kemi bërë në këtë udhë bëhet një roman më vete. Fushët e Muzeqesë, të mbytura me ujë, dukeshin si nonjë det pa anë dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë më këmbë në ujë gjer mbi gju, asisoj dhe udhë të gjata me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali. Për tu vënë re ish guximi, kurajua, fytyra e ëmël dhe e pandryshueshme e plakut Ismail Qemali, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar nër ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta veshësh, s’ta bën atë udhëtim. Po patriotizmi dhe gazi i punës së shenjtë që kish nisur, e mbushte me kurajo që të marrë atë udhë të gjatë. Duke parë guximin e plakut të shtrenjtë, na forcohej edhe neve zemra që të kapërcejmë gjithë ato rreziqe, të cilat kur i kujtojmë sot na zë tmerri. Ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që di dhe pa veprat e tij…»

…Poezia e fortë e realitetit. Shprehja “gazi i punës së shenjtë” flet për atë nivel realiteti ku aksioni bëhet poezi. Një poezi që duhet vazhduar. Ismail beu ka qenë kapiteni i parë i kësaj anijeje që quhet Albania. Të na falni që po i përmendim emrin ndërkombëtar, por i shkon anijeve një i tillë. Ai qe i pari që vërtetoi se kjo anije e vogël lundron, dhe i siguroi asaj njohjen dhe përnjohjen ndërkombtare. Ka pasur kohë kur një pjesë e vetë shqiptarëve e kanë sekuestruar këtë anije, dhe mu si Robinson Crusoe pas anijembytjes e kanë plaçkitur atë, anijen e vet. Dritëshkurtëve kjo i është dukur racionale, thuase mund të çohet në shpi atdheu copa-copa. Por është e kundërta, duhet të vendoset shtëpia në një atdhe, atëherë begatohet shtëpia e atdheu bashkë. Robinsoni e plaçkit anijen e vet, pasi ajo nuk lundron më, e nuk mund ta shpëtojë dot, i duhet thjesht për mbijetesë. Por anija jonë Albania do lundojë sot e mot e do ketë prapë kapitenë si Ismail beu. Piratët qysh sot kanë filluar të kthehen në papagaj.
Me cinizëm prej kritiku, them se arsyeja përse Valle e ka qarë portretin e Ismail Qemalit, vjen prej distancës nga historia dhe kompleskiteti i saj. Dora e tij lëviz me ritmnin e emocionit, pa ngërçin e ideologjisë. Sikundër ka aktorë që e qajnë tekstin pikërisht sepse nuk e kuptojnë atë, dhe vetëm kështu ata bëhen vetë teksti. Por Valle e ka ndjerë subjektin e vet, s’e ka duruar dot gjatë, e ka rrokur me penelata të shkathëta, ku gjithsesi ndihet një emocion që ka lidhje me sekretet e gjakut të të parëve. Dhe kështu kemi një portret të formatit mesatar (100 me 70), të punuar mbi një fotografi të përsosur të vitit 1910, prej arkivit të familjes. Kuptohet, që shtrimi i imazhit në pikturë, i jep atij shumë më tepër jetë, ngasa do t’i jepte një zmadhim i thjeshtë i resmes origjinale.
Mbi mur, prapa një gramafoni kinse butaforik, fytyra e plakut të urtë duket sikur buzëqesh dhe na jep bekimin, a thua se mirësia e tij na qenkej edhe mirësia jonë, sikur po na dhuron pak nga ai dinjitet duke e ngjallur atë brenda nesh, ku ka qenë i topitur për shumë kohë.
I thirrur gati para përgjegjësisë, për të realizuar portretin Valles i duhet të shfrytëzojë gjithçka që i ka marrë shkollës shqiptare dhe akademisë italiane që ka frekuentuar në vitet e vështira të formimit të tij. Për gruntin dhe flamurin, ai kërkon të kuqen, por nuk mjaftohet patriotikisht me atë të Onufrit, kërkon Tintoreton, mjeshtrin e kahershëm. Mosnjohja e historisë nga ana e piktorit, i jep kësaj pikture një pafajsi të rrallë dhe e çliron nga çdo akademizën e njëherësh nga çdo ideologji. Valle pikturon njeriun prej mishi dhe ashti dhe gjestin e tij.
Nuk është këtu vendi të flasim për modernitetin dhe tagrin shumëpërmasor të figurës së Ismail Qemalit. Si individ, pavarësi-bërësi jonë ka edhe një tregues tjetër shumë të rëndësishëm, se është ndër shqiptarët me zhvillimin më të mirë psiko-fizik të kohës. Na duket i dorës së parë fakti se ai ishte një figurë që po të mos kishte bërë Shqipërinë do të kishte punuar për Turqinë moderne, e mbase kontributi i tij direkt do t’i ishte shpërblyer familjes së tij aty. Por sikur ai të kishte zgjedhur të bënte për Turqinë, familja e tij sot do të ishte mbase më e kamur, më e madhe dhe më e respektuar, por nuk do të ishte më shqiptare.‘Amor fati’ e deshi për ’të dhe për ne që pas lavdisë të vinte kupa e hidhur. Një poet amerikan ka thënë: find what you love and let it kill you.
Na frymëzon maturia, drejtpeshimi dhe personaliteti i shëndetshëm i Ismail beut (për anglishtdashësit: lord Qemali). Ai nuk anon kurrkah. Kudo ku shkon është shqiptar, nuk është as lindor as perëndimor. Njerëz si ai europianizuan edhe Turqinë. Po të ishim si ai nuk do t’imitonim, nuk do ta bënim me anue anijen tonë, duke vrapuar herë kah perëndimi herë kah lindja. Kështu do t’ishim as lindorë as perëndimorë, pra edhe lindorë edhe perëndimorë. E në këto kohëra të globalizimit ne do t’ishim mediatorë të shkëlqyer të këtyre dy Botëve, që janë e njejta botë. Pra në vend që të ishin perëndimi dhe lindja dy gurët e mokrës që na grijnë qëmoti, do të ishin dy burimet tona që na furnizojnë padà me energji sociale. Do të ishte e vetmja mënyrë për mos e e fetishizue veten, siç kemi fetishizuar të gjitha ikonat tona.
Portreti e ka vazhduar rrugëtimin e tij. Janë bërë shumëfishime të shtypura dhe është shpërndarë edhe elektronikisht. Diaspora e shqiptarëve të Kosovës e ka pritur Darlingun dhe nderuar atë me qytetari nderi. Kuptohet që për stërnipin e Ismailit, ky është një vlerësim frymëzues. Ne shqiptarët e simbas-Londrës nuk e harrojmë amà, se ishte stërgjyshi i tij që na e dha qytetarinë bashkë me nderin. Nuk do të lejojmë e as nuk do të ndodhë që piratët të na i marrin të dyja.
Sot ky portret është pjesë e koleksionit privat të zotit Renato Skënderi. Me prani të kahershme në atdheun e pikturës, ai i ndih me sa mundet artit të ri shqiptar…Të gjitha formulimet janë të tepërta dhe e lëmë portretin të flasë.
Na intereson ta ndjekim udhëtimin e portretit. Jemi shumë kureshtarë të shohim si do festohet në familjen Vlora 100 vjetori. Si një Vit-i-Ri Shekull-i-Ri?…
Pavarësia është një realitet që duhet vazhduar pa ia prishur poezinë.

lunedì, ottobre 22, 2012

Poezi

Deshta në maj nji fustanbardhë
nji flokëmjalte me hoje te rrugina
çdo fjalë të saj si gur të shenjtë e msheha
në plasa muresh të vjetra ndër piklina.

Kur ajo delte kishte puhizë gjithherë
nisë andrrës për diku, e unë i vonë
përkundesha tue vrapue i marrë nga era
me hy në dritën e atyne syve përgjithmonë.

Kishte biçikleta në qiell që çanin rêtë
me 'to ngarendnim mbi pistën e ylberit
mandej në rrugët e zeza prej piklinës
shërbenim me duer të shkathëta shërbetin.

Piklinë për jetë,
sa perla n'atmosferë!
Po sa shum shi!
Sa pak çaste kësish.

Qyteti me mend ish dora ime,
e fustanbardha nuse gogozharja
që ecte mbi vijën e jetës
dhe ikte fluturim.

Tevona mbramja na mbështillte
me klimën që i lypshim na fëmijë
dhe në gjumin e mbuluem me ferrishta
heshtja digjte hartën e dashnisë.

mercoledì, ottobre 03, 2012

ELOZH I GEGNISHTES

E kujt është gjuha? Sipas vehbizmit, ajo është e shtetit. Shteti është pronari i gjuhës (sikurse i historisë dhe i tokës).
Sipas masës gri të intelektualoidëve (ku valëvitet edhe vehbizmi), ajo është e gjuhëtarëve. Domethënë është e burokratëve të posaçëm të shtetit. Këta janë qeraxhinjtë e gjuhës. Vetëm këta paskan tagrin me e banue atë.
Përtej ironisë, pohimi gjuha është e popullit të saj, është pafundësisht më i vërtetë se dy të parët, por nuk është absolutisht i vërtetë.
Ngase gjuha është e atyre që e duan. Qofshin të një gjaku a jo, (të një shtetësie njëherë s’ka pikë rëndësie), hëngshin a jo bukë me ose prej saj.
Na vlen parabola e mbretit-profet Salomon. Dy gratë që ziheshin për një foshnje. Askush s’i jepte dot drejtim dhe përfunduan para gjykatësit me mandat hyjnor, hazretit Sulejman. Me intuitë profetike, mbreti mori shpatën dhe shpalli se vendimi i tij ishte ta ndante më dysh; gjysmën njërës, gjysmën tjetrës. Njëra prej grave ishte dakord me zgjidhjen “demokratike”, por tjetra tha mos, se ajo e falte gjysmën e vet vetëm që foshnja të rronte.
Kjo grua që e fal gjysmën e vet, vetëm që foshnja me rrnue, është gegnishtja. Áma e vërtetë.

Mbi faktin se magjet e shqipes janë të sajat, nuk ka dyshim. Mbi faktin se ajo është ura drejtlidhëse me origjinën indo-evropiane, s’ka mëdyshje. [Kujtoni, për qejf, fjalën urë (urë zjarri), urtinë dhe fjalën UR të gjermanishtes. Nga kjo e fundit Husserl-i ngjizi konceptin e mrekullueshëm të Ur-kind-it. Fëmija zanafillor, ai që ka veshin muzikor me kapë muzikën e universit.]
Simbolikisht ajo është dielli, e toskërishtja është hëna.
Gjendja e sodit, mund të jepet edhe me këtë imazh: gegnishtja është motra e madhe, që prej fatalitetit historik (histerik) mbeti lëneshë dhe tash punon për prikën e pajën e motrës së vogël që u martua me burrin-shtet. (Martesë që bëhet në kohë lufte por muajin e mjaltit e ka sot, ku çdo standardfolës e shet veten për profesor në Prishtinë.) Megjithëse kjo motër (kujtoni mutter dhe mother) e madhe mjaftohet vetëm me ‘pasunue’ prikën e të voglës, prapë e vogla bën naze. Nuk kam nevojë, thotë, se kam burrin unë!
Nuk ka nevojë thotë vehbizmi! Pasurimi virtual, thotë! E dimë ku ka çuar autarkia moniste, te fakti që sot importojmë gjithçka!
Gegnishtja s’kërkon ndonjë gjë të madhe. T’i themi pamuk, thotë, e jo pambuk. Tërë bota thotë Orhan Pamuk, apo jo? Pse duhet që ne të kërkojmë në librari librat e Pambukut? A nuk është pa(m)bukësi gjuhësore nga ana jonë?
Për ‘i ndytë’ dhe ‘i ndymun’, standardi ka vetëm ‘i ndyrë’, por italishtja ka ‘sporco’ dhe ‘sporcato’.
Vehbizmi ka këtë argument bazë: trajtat gegë si ranë, venë, Vlonë, të tanë, mëni, kroni, hangër mistifikohen kot, thotë, sepse standardi e ka zgjedhur rotacizmin dhe në fund të fundit janë të njëjtat fjalë, po me një ‘r’ të vogël, dhe me shumë ‘ë’, pra me zanoren e pazëshme, me zanoren që s’bëzan.
Në radhë të parë këto trajta nuk janë fare gegë, ato janë shqipe, e janë indo-evropiane: thjesht gegnishtja i ka ruajtur.  Ranë është ‘arena’, Vlonë është Aulona (mbijeton tek mbiemri ‘vlonjat’ – e jo vloriat) [lat.], të tanë është ‘to tanos…’ mëni asht menos [...], kroni është Kronos [gr.], anglo-gjermani thotë hunger, hanger e me radhë. Màrrìa është moria (gr.), por shembujt ka pa fund. Rotacizmi ka hy’ me pushtim prej bullgarishtes, dhe e prish larminë e temave të shqipes, duke krasitë shumë tema me ‘n’ a ‘m’.
Vehbizmi i thotë vetes: bac u kry! Po mirë bac, por a s’do të na i shkoqisësh edhe disa gjëra.
Në radhë të parë, nëse gegnishtja është dialekt, kurse dialekti i b(ër)llokut është gjuha, pse nuk e quajmë letërsinë në gegnisht letërsi dialektore. Kështu, në vend të Ernest Koliqit, shkrimtar shqiptar do të kishim Ben Blushin & Co. Do të ishte më e drejtë kështu. Duhet ta çojmë logjikën deri në fund, a jo? Që Koliqi të pijë nga gjashtë paketa duhan përditë edhe në atë botë. Kurse çunat të pinë birra ke lagjja dhe të lozin 5katsh.

Është e vërtetë se Shqipni dhe Shqipëri janë e njëjta gjë. E marrim të mirëqenë. Por i pamë dhe i parë, nuk janë njësoj. Në biletat bankare kombiare shkruhej “i paguhet prusit me të pame”, përkthim i përpiktë nga italishtja: “pagare al portatore a vista”. Kjo formë sot, qarkullon e shtrembëruar si “i paguhet prurësit më të parë”, pra “pagare al primo portatore”. Është ndryshuar krejt kuptimi, edhe fjala ‘me’ për hatër të gabimit me rrokjen e fjalës ‘të parë’. Në emër të mos-kuptimit të gegnishtes, mundësitë e këtyre lapsuseve vetëm janë shumëfishuar.
Shumica e atyre që thonë nuk e kuptoj, janë veriorë vetë. Kjo shpjegohet sinkronikisht me kompleksin e inferioritetit, por, nga ana tjetër, çka është më e rëndë, nevoja me pasë një gjuhë publike që nuk është ajo që flitet në shtëpi, ka ekzistuar diakronikisht ndër ne të paktën për 2000 vjet. Dygjuhësia për ne është kthyer në nevojë psikologjike, kemi qenë për dy mijëvjeçarë të pushtuar. Në sheshet e qyteteve tona është folur tjetër për tjetër. Madje, kulmi i kësaj prirje’ është fakti se ne edhe të vërtetën duhet të na e thonë gjithmonë të tjerët. Kjo e vërtetë është sistematikisht rrenë, por fakti që na e thonë të tjerët, ne na mjafton madje edhe na kënaq, sepse ata nuk janë ne.
Edhe tashti kemi një pushtim, ky është më i rrezikshëm, sepse është pushtimi spektakolar, pra bombardim me boshllëk; dhe është një pushtim brenda familjes. Kompleksi i inferioritetit është më i fortë tek shqiptarët e Kosovës, pasi ata kanë edhe mallin shekullor për atdhé. Kështu Tirana e kuqrreme atyre ju duket qytet i butë italian. Vdesin për gjuhën amtare, por bilbili i saj i duket Adi Krasta. Po t’i përmendësh Anton Pashkun, emrin e tij me gjasë mund ta lidhin me punë të fisme si rezistenca apo pajtimi i gjaqeve. Por vetëm me cicërimin shqip nuk e lidhin.
Fëmijët e Tiranës që flasin gjuhë standarde, kanë obezitet gjuhësor. Përsërisin fjalë boshe, pa spontanitet, pa shije, pa shpikje. Domethënë po të dëgjosh, të trashin. Flasin si prezantues të errët televiziv. Është e gjitha kashtë. Standardi (i çdo gjuhe qoftë ai) është daltonik, ai nuk t’i jep ngjyrat! Fëmija don qumështin e nënës.
Kur u hap një institut për tu marrë me këtë punë, pati në Tiranë shpërthime të tipit: pra ëndrra serbe që të ketë dy kombe shqiptare po bëhet realitet. Demagogji e pastër sigurimse. Thua se këta spiunët e Tiranës e çliruan Kosovën. Në vitin 2012 kur kjo koine ka mijëra vjet që flitet dhe përjetohet, e ka të paktën pesë shekuj që shkruhet, si koine e vjetër shqipe e indo-evropiane, po ta kultivosh atë në nivel publik, të akuzojnë se merr direktiva nga serbët. Pra qenka tradhti kombëtare?! Pra po u kultivua gegnishtja letrare po realizojmë një ëndërr serbe. Nuk e dimë, nëse ky institut u tut a s’u tut. Nuk e dimë a u kthye në biznes a në stres. Nuk e dimë a bëri kozmos a kozmetikë. Nuk e dimë a tha gjëra të reja, apo ia leu flokët kokave të vjetra. Por vetëm tradhti s’kishte aty. Tradhtia ishte ajo e ‘72shit.
Kulmin e kësaj prirje inkuizitore e kam përjetuar vetë tek një librari që quhej “Andrra e Jetës”. Aty na kaloi një zyshë dhe na deklaroi se ishte gabim, se shkruhej me ‘ë’. Ua, na tha zysha, pse ashtu e keni shkruar: po është ëndrra, jo andrra. Duke na kujtuar analfabetizmin tonë drejtshkrimor, zysha, harroi analfabetizmin e vet kulturor: harroi se ky është titulli i poemës së Ndre Mjedës, që është më e bukura në gjuhë shqipe, deri në ditë të sodit. E krahasueshme për nga muzikaliteti me poemat e letërsive më të mira.
Shpesh më bëhet se këto qëndrime mbartin një injorancë të qëllimshme. Kjo prirje quhet obskurantizëm. Specifikisht kemi obskurantizëm gjuhësor.
Prirja raciste brenda familjes shqiptare ose shqiptarisë, është e theksuar pikërisht kur vjen fjala te gjuha, ethos da-llojës në spikamë (etos dallues par excellence). Parapëlqehen në masë huazimet nga jashtë, dhe tjetërsimet e huazimeve të vjetra nga veriu. Shtatzania bëhet shtatzënia. Krenat bëhen kokat si tek: kokat e këtij vendi. Imagjinoni ç’do ndodhte sikur rrënja ‘krye’ të zëvendësohej me ‘kokë’ edhe tek emri Krenar…
Studentet tonë shkrimshpejta, kur marrin shënim leksionet për ta shkurtuar fjalë “është” shkruajnë formën italiane ‘è’ dhe kurrë s’iu ka shkuar ndërmend me shkrue formën veriore ‘â’. Apo s’â kështu?
Kjo â hundore ju duket e trashë, pavarësisht se frëngjishtja hundore ju duket gjuha më ‘sexy’. Nga ana tjetër kanë fobi nga nëndialekti dibran, që flet me –aj, por kjo –aj ju shijon shumë në anglisht, siç e flet tërë bota.
Mbaresa –ni, s’i ka punët më mirë. Shqipja ka marrë prej turqishtes mbaresën trashaluqe –llëk, dhe prej rusishtes sovjetët shqiptarë kanë futur mbaresën e lëpirë –naja. Kjo mbaresa e fundit ka “bërë shkollë” duke u nisur nga Kadareja. Por edhe përkthyesit e ri si B. Andoni, e dashurojnë. E përdorin kudo. Ia mbrapashtojnë çdo fjale. Kujtojnë se mjafton ta kesh dhe formon fjalë sa të duash. Një ditë do të kemi jo vetëm fush-najë, ar-najë, çel-najë… por edhe najë-najë! Atyre mbaresa –ni ju duket gotike! Gegnishtja ju duket gotike, por jo gjuhët sllave!?
E pra, vetëm mbaresën –ni nuk e duan! Kjo në fakt është mbaresa që të mbaron punë.
Pse çel-najë e jo çel-ní? Pse fush-najë, e jo fush-tinë etj.
Mbaresa –ni, është sot pjesë e gjuhëzimit botëror, tek fjala etni. Kjo fjalë, që më kot e quajnë greke, vjen nga shqipja etnit, pra do të thotë: prejardhja jote në linjë mashkullore. Kush janë etnit e tu, kush është etnia jote?
E përsëris: këto forma që ju i quani të gegnishtes, simethënë dialektore, të izoluara, të papushtetshme, të panakafa, janë indoevropiane dhe janë pjesë e koinesë së madhe.
Nuk është këtu logu as hera të ndalemi tek vlerat botëkuptimore të të ashtuquajturës gegnishte, që është thjesht shqipja e vjetër, ajo e shtresëzuara, ajo, mbretëria e ngjyresave ose e sfumaturave, aq e pasur dhe aq modeste njëkohësisht, ajo që edhe pse ishte më e madhja i la radhën të voglës dhe u emancipua vetë nga pushteti, d.m.th. u çlirua prej petkave të tij që janë lëkurë shagreni, dhe mbajti vetëm çelësin e solit që është çelësi shpirtëror i një gjuhe.

Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)