lunedì, luglio 09, 2007

BORHEZI INKUIZITOR

 
 
 
 
Borges Essays 
nga A.C.
 

Sfera e Pascal-it

 

 

     Ndoshta historia e përbotshme është historia e disa metaforave. Me përvijue një kapitull të kësaj historie ka me qenë qëllimi i këtij shënimi.

     Gjashtë shekuj para erës kristiane, rapsodi Ksenofan nga Kolofonia, i lodhur nga  vargjet e Homerit që recitonte qytet më qytet, dënoi poetët që i patën mveshur përngjasime antropomorfike perëndive dhe u propozoi grekëve një Zot të vetëm, i cili qenka një sferë e përjetshme. Në Timeun e Platonit shkruhet se sfera është trupi më i përkryer e më njëtrajtësor, pse të gjitha pikat e sipërfaqes janë të barazlarguara prej qendrës; Olaf Gigon-i (Unsprung der grieschen Philosophie, 183) pohon se Ksenofani foli në mënyrë analogjike; Zoti qenka sferoid, sepse një trajtë e tillë është më e mira, ose më e përshtatshmja, për me përfaqësue hyjninë. Parmeneidi, dyzet vjet më vonë e përsëriti atë imazh (qënia i ngjan një sfere të rrumbullokasur përsosmërisht, forca e së cilës është kostante prej qendrës kah cilido drejtim"); Kaloxhero dhe Modolfi argumentojnë se ai rroku me intuitë një sferë të pafundme, a në zmadhim të pafundëm dhe se fjalët e shënuara kanë një kuptim dinamik (Alberelli, Gli Eleati, 148). Parmeneidi dha mësim në Itali; pak vjet mbas vdekjes së tij siçiliani Empedokli prej Agrixhentos thuri një kozmogoni të hollësishme; te kjo gjendet një pjesë ku thërrmijat e tokës, ujit, ajrit e zjarrit formojnë një sferë pafund "Sphairos-in e rrumbullakët" që galdon në vetminë e vet qarkore.

     Historia e përbotshme vazhdoi rrjedhën e saj, perënditë tëpër njerzore që Ksenofani pati sulmuar u turpëruan duke rënë në nivelin e sajimeve poetike apo të demonëve, por u përfol se njëri syresh Hermes Trismegjisti 1, kishte diktuar një numër të pacaktuar librash (42, simbas Klementit nga Aleksandria; 20 000, simbas Jiambilikut; 36. 525 simbas priftënve të Thot-it 2, që është vetë Hermesi) në faqet e të cilëve qenë shkruar të gjitha gjërat. Fragmente prej kësaj biblioteke mikluese, të përpiluar ja të farkëtuar duke filluar prej shekullit të III -të, formojnë atë që quhet Corpus Hermeticum; në njërin prej tyre, ja në Ascelpio edhe ky i atribuar Trismegjistit, teologu francez Alain De Lille – Alanus   de Insulis – zbuloi në fundin e shekullit të XII këtë formulë, që kohët e mëvonshme s'do linin në harresë: "Zoti është një sferë që mund të kapet veç prej intelektit (intelligible), qendra e së cilës është gjithkund dhe perimetri askurrkund." Presokratikët kishin folur për një sferë pa fund; Alberelli (sikurse para tij Aristoteli) mendon se të folurit në këtë mënyrë përbën një contradictio in adjecto, sepse në këtë fjali kryefjala e kallëzuesi asgjësohen njëra me tjetrin; kjo mundet edhe me qenë e vërtetë, gjithsesi formula e librave hermetikë na lejon, gati, me e rrokë me intuitë atë sferë. Në shekullin e XIII-të, ky imazh u rishfaq te simboliku Roman de la Rose, i cili ia mvesh Platonit, sidhe te enciklopedia  Speculum Triplex; në XVI -tin, kapitulli i fundit i librit të fundit të Pantagruel-it zuri me ngoje atë  "sferën intelektuale, qendra e së cilës është gjithandej e perimetri kurrkund, që quajnë Zot." Për mendjen mesjetare, kuptimi qe i qartë: Zoti ndodhet te secila prej krijesave të tij, por asnjëra nuk E kufizon. " Qielli, qielli i qiellit s' të mban dot."

pati thanë Salomoni (Mbretrit, 8, 27); metafora gjeometrike dukej si shënim shpjegues i atyre fjalëve.

     Poema e Dante ka trashëguar astronominë ptolomejane, që për njëmijë e katërqind vjet pati qeverisur imagjinatën njerëzore. Toka zë qendrën e botës. Është një sferë e palëvizshme; rrotull i sillen nëntë sfera bashkëqendrore. Shtatë të parat janë qiejt planetarë (të Hënës, Mërkurit, Afërditës, Diellit, Marsit, Jupiterit, Saturnit) ; e teta, qielli i yjeve të ngulura (fikse),   e nënta, qielli i quajtur I Pari Lëvizës. Kjo është e rrethuar prej T'Eprit (Empireo-s), që është prej drite. Krejt ky aparat i përpunuar sferash boshe, të tejpashme e rrotulluese (njëri prej sistemeve lypte 45), kishte mbërritë me u ba nevojë mendore; De Hypothesibus motum coelestium commentarioles është titulli që Koperniku, mohues i Aristotelit, i vuri dorëshkrimit që ndërroi shikim tonë për kozmosin. Për një njeri, Xhordano Brunon, thyerja e makinazheve yllësore qe një çlirim. Ai shpalli, te Cena delle ceneri, se bota është pasoja e pafundme e një shkaku të pafundëm dhe se hyjnia është e afërt, "duke qenë se është mbrenda nesh akoma më shumë sesa na vetë jemi mbrenda nesh. "Kërkoi fjalët për me ia tregue njerëzve hapsirën kopernikjane dhe te një faqe e famshme shtypi: "Mundemi me pohue me siguri se universi është i tëri qendër, apo se qendra e universit gjendet gjithandej dhe perimetri askurrkund" (De la causa, principio ed uno, V).

     Kjo u shkrua me galdim, më 1584, endè në dritën e Rilindjes; shtatëdhjetë vjet më vonë, asgjë s'kish mbetë si  pasqyrim i atij afshi dhe njerëzit u ndjenë të humbur në kohë dhe hapsirë. Në kohë, sepse në qoftë se e ardhmja dhe e kaluara janë të pafundme, saktësisht nuk do të ketë një kur në hapsirë. Në hapsirë, sepse nëse çdo qenie është e barazlarguar nga pafundësia nuk do ketë as edhe një ku. Asnjëri nuk është në asnjë ditë, në asnjë vend; askush s'e njeh fytyrën e vet. Gjatë Rilindjes njerëzimi besoi se pat arritur moshën virile dhe e shpalli këtë prej gojës së Bruno-s, Campanella-s Bacon-it. Në shekullin e XVII, kjo u shtyp nga një ndjesi plakje; për t'u justifikuar çkalli besimin e një degjenerimi të ngadalshëm e fatal të gjitha   krijesave, për shkak të mëkatit të Adamit.

(Në kapitullin e parë të Zanafillës thuhet se "të gjitha ditët e Mathuzalemit qenë nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë vjet"; te i gjashti se "kishte gjigantë mbi tokë atyre ditëve.") Elegjia Anatomy of the World, e John Donne, u ankua ndaj jetës shumë të shkurtë dhe shtatsisë së stërvocërr të njerëzve të tashëm, të cilët na qenkërkan të ngjashëm me zanat e pigmejtë; Milton simbas biografisë së Johnson-it, droi se lloji epik qe pamundësuar tashmë në tokë; Glanvill qe i mendimit se Adami, "Medalja e krijuar prej Zotit", gëzonte një shikim teleskopik dhe mikroskopik; Robert South, me shprehi të bujshme, shkroi: "Një Aristotel nuk qe tjetër në mos mohimi i Adamit dhe Athina, çka mbetej prej Parajsës tokësore." Në atë shekull të pashpirt, hapësira absolute që pati qenë një çlirim për Brunon, qe një labirint dhe një humnerë për Pascal-in. Ky neveriste universin e do kishte pasë dashur me e adhurue Zotin, por Zoti, për 'të, ishte më pak real se i neverituri univers. Përvojti faktin se kupa qiellore nuk fliste, krahasoi jetën tonë me atë të anijembyturve në një ujdhesë të shkretë. Ndjeu peshën e paprâ të botës fizike, ndjeu marramendje, frikë e vetmi të paskaj e i shkriu në fjalë të tjera: "Natyra është një sferë e pafundme, qendra e të cilës është gjithkund e perimetri askurrkund." Kështu e boton Brunschvigg tekstin, por botimi kritik i Tourneau-së (1941) që riprodhon fshirjet dhe hezitimet e dorëshkrimit, na zbulon se Pascal-i fillimisht shkroi effroyable: "Një sferë e frikshme, qendra e të cilës është gjithkund e perimetri askurrkund. "

     Ndoshta historia e përbotshme është historia e intonimit të ndryshëm të disa metaforave.

 

 

 

 



1 Hermes trismegjisti : tri herë i madhnishëm;   (nga greqishtja e vjetër: tris: tre; meghìstos: i madhërishëm)

2  Thot-i, varianti egjiptas i Hermesit.  [sh.    p.]

martedì, giugno 26, 2007

Poezi nga P. Celan



Paul Celan

Qumësht
i zi i agut  

përktheu nga origjinali: Astrit Cani
 
   
Paul Ancel, i njohur me emrin e artit Paul Celan (1920-1970), hebre i Bukovinë s (Rumani), poet gjerman.
I mbijetoi Auschwitz-it, por shumë vjet më pas vrau veten duke u hedhur n ë Senë nga ura Mirabeau.
Fjala e tij e shkruar me gjak, përbën ndër poezitë më tronditëse të të gjitha kohëve dhe vendeve.  
 
 
Flokë të zeza dëbore
 
Ç'ka rënë bora, e padritë. Një hënë
u mbush a dy, qysh kur vjeshta me zhgun oshënari
një kumt m'a solli dhe mua, një gjethe nga shkrepat ukrainas:
 
«Mendo qysh po dimëron edhe këtu, për të njëmijtën herë
në tokë, ku rrjedh përroi më i gjerë:
gjaku qiellor i Jakut, bekuar nga sopatat…
O akull i kuq i përtejbotshëm vân Ataman i tyre me gjithë
shpurën e diellit pa dritore… Bir, ah ja një shall,
për t'u mbështjellë, kur të zdris helmeta,
kur krepa, bojërozja, të kriset, kur pluhur bore të bëhen eshtrat
e t'et, përnën piskamën pendimqare të potkojve
këngën e kedrit…
Një shall, një shall i vogël dhe i hollë, që t'a ruaj
tash, që ti t'mësosh me qá, bri meje
ankthin e botëmadhes, që më s'do gjelbërojë, o bir, për birin tënd!»
 
Volli gjak, nëno, vjeshta tutje-tëhu, më dogji bora:
i lypa zemrës, të qante, gjeta frymën, ah të verës.
Ishte si ti, qyqe bre.
M'erdh për me qá,
një shall të vogël enda.  

***
MË KOT pikturon zemra n'dritore:
zotmadhi i heshtjes
po merr nizamë në kurtin e hekurt. 
Flamur-gjaku i tij valon mbi pemë një gjethe q 'i kaltriset kur vjen vjeshta;
kërcejt e helmit i shpërndan ushtarëve, dhe lulet e kohës;
me zogj ndër leshra shkon shpatat me ngulë.
 
Më kot pikturon zemra n'dritore: një zot marshon përmes reparteve,
mbështjellur në mantelin që të ra nga supet mbi shkallë, natën vonë,
dikur, kur digjej flakë kështjella, teksa ti fole si burrat: e dashur...
S'din gjë për mantelin dhe s 'e ka lutur yllin dhe gjethin ndjek që këputet fluturimthi.
«O kërcell», i bëhet se dëgjon, «o lule kohe.»
 
 
MARIANNE
 
Nuk kanë jargavane flokët tua, fytyra jote kristal pasqyre.
Nga syri në sy përparon rêja, si Sidoma drejt Babelit:
si rrembin e zgjeth kullën dhe turfullon shkurreve të squfurta.
 
Mandej një rrfé të dridhet përreth goje ajo proska me çka mbetet prej violinës.
Me dhëmbë bote e lëviz harkthin dikush: o sa ëmbël tingëlloi kulmaku!
 
E dashur, ah ti je kulmaku dhe ne të gjithë jemi shiu;
vênë që s'ka t'krahasuar kurmi yt, dhe ne gjerbim të dhjetët;
një lundër mes grurit zemra jote, ne e vozisim kah nata;
një xhixhkë kaltrie, kërcen pupël tej nesh, dhe ne flemë...
 
Para tendës rrjeshtohen të njëqindët, dhe ne duke e gdhirë në pije të varrosim.
E tash mbi kalldrëm të botës titron taler i ftohtë i ëndrrës. 
***
Me duart plot orë, kështu më erdhe thashë:
Flokët s'i paske zijoshë.
I ngrite lehtë mbi peshoren e dhimbjes, dhe ishin më të rëndë se unë…
 
Vijnë mbi anije tek ti dhe i ngarkojnë, i qesin në shitje te tregishtet e qejfit
Ti më buzëqesh së thelli, unë qaj kah ti mbi pjatën që mbetet e papeshë.
Qaj: flokët tua s'janë zijoshë, të falin ujëdeti dhe ti u jep kaçurrela…
Pëshpërin: e mbushin botën time, dhe unë mbetem për ty një lëmsh në fyt të zemrës!
Thua: vëru pranë rrembat e viteve erdh ora të vish të më puthësh!
 
Rrembat e viteve janë të zeza, flokët tu jo.

   
E FSHEHTA NË FIER
 
Në qemerin e shpatave pasqyrohet zemra e hijeve gjelbëroshe.
Cullak janë tehet: kush nuk do mënonte në vdekje para pasqyrave?
Dhe këtu qeraset me miradina jeta helmplote:
Çelet terrina gurgulluese, para se t'a pijnë, si të mos ishte ujë,
si të ishte një perlëz, që pyet veten mbi një dashuri më t'errët,
mbi një përkrejsë më të zezë për stehën, mbi floknajën e gurtë…
 
Por këtu shkimesh veç prej zdritjes së hekurit,
a nëse xiglon këtu akoma diçka, qoftë një shpatë.
Zbrazim broken nga tavolina pse po na presin pasqyrat:
u theftë njëra dysh, bash ku jemi të gjelbër porsi rrembat.
 
***
 
Kërkëllimë kundrash të hekurta mbi qershi.
Prej helmetave të shkumëzon vera. Qyqja zezonë
me elmaz vizaton shëmbëllesën e saj në dyert e qiellit.
 
Kokëjashtë buthëton nga rrembat kalorësi.
Mbi shqyt bart mugullore një buzëqeshje,
gozhduar mbi qefinin prej çeliku të armikut.
I kanë premtuar kopshtin e ëndrrave,
dhe mban gati shigjetat, që trëndafilja t'kacaviret…
 
Këmbëzbathur vjen ajrisë ai që të ngjet më shumë:
thundërhekurtat ngjesh me duart e hajthme,
dhe kalon duke fjetur betejën edhe verën. Qershia derdh gjak për të.

 
SY I ZESHKËT NË SHTATOR
 
Skufje-ngurta kohë. Dhe më të harlisur
gëlojnë krelat e dhimbjes mbi fytyrën e tokës,
molla e dehur, nxirë nga fryma
e një vendimi mëkatar: e bukur dhe e dhënë mbas lojës
që shtyhen në refleksin
e sertë të ardhmërisë së tyre.
 
Për së dyti bulon gështenja:
një shenjë e shpresës që digjet mjerueshëm
për kthimin e gatitur të Orionit:
dritëyllti safir i miqve
të verbër të qiellit e thërret.
 
I pafshehur në dyert e ëndrrave
lufton një sy i vetmuar.
Ajo që ndodh përditë
i mjafton me ditë:
në dritoren e lindjes
i shfaqet natën e hajthme
figurë pelegrine e ndjenjës.
 
Në lëngun e syrit ti ia ngul shpatën.

SHANSONË E NJË GRUAJE NË TERRINË
 
Kur vjen fjalëpaka dhe u pret kokat tulipanëve:
Kush fiton?
                 Kush humbet?
                                        Kush vete te dritorja?
Kush ia përmend emrin i pari?
 
Dikush mbart flokët e mia.
I mbart si mbarten të vdekurit mbi kokë.
I mbart siç qielli i mbartte flokët e mia atë vit që dashurova
I mbart kështu për mburrje.
 
Ai fiton.
           Ai nuk humbet.
                                   Ai nuk vete në dritare.
Ai nuk e përmend emrin e  saj.
 
Është njëri që ka sytë e mi.
I ka qysh se janë mbyllur portat.
I mban në gisht porsi unaza.
I mban si cifla Qejfi dhe Safiri:
ishte im vëlla në vjeshtë,
tash numron ditë-netët që me natë.
 
Ai fiton.
           Ai nuk humbet.
                                   Ai nuk vete në dritare.
Ai ia përmend emrin i fundit.
 
ëshë njëri që ka atë që thashë.
E mbart nën krah si bohçe.
E mbart si ora orën e vet më të zezë.
E mbart nga pragu në prag pa e hedhur.
 
Ai nuk fiton.
                  Ai humbet.
                                   Ai vete në dritare.
Ai e thotë emrin i pari.
 
I pritet koka tok me tulipanët.
 

ELOZH I LARGËSISË
 
Në gurrën e syve të tu
rrojnë rrjetat e peshkatarëve të t'përrallshmit det.
Në gurrën e syve të tu
deti e mban premtimin.
 
Këtu hedh,
një zemër, që jetoi mes njerëzve,
veshjet e mia dhe shkëlqimin e një përbetimi:
 
Më i zi në të zezë, jam më cullak.
Renegat veç nuk jam i dalë bese.
Unë jam ti, kur unë jam unë.
 
Në gurrën e syve të tu
Vozis dhe abordazhe endërroj.
 
Një rrjetë ngec me një rrjetë:
ikim përqafuar.
 
Në gurrën e syve të tu
I varuni ia këput konopit frymën.
 
 
 
KURORË
 
Nga dora ime e han vjeshta gjethin e saj: jemi miq.
Qërojmë kohën nga arrat dhe i mësojmë asaj me ecë:
koha kthehet nën lëvozhgë.
 
Në pasqyrë është e diel,
në ëndërr flihet,
goja flet drejt.
 
Syri im zbret deri te seksi i të dashurës:
shikohemi,
i themi sho-shojt gjëra të errëta,
duhemi njëri me tjetrin si lulëkuqja me kujtimin,
flemë si vênë në guaska,
si deti në vrushkullin e gjakut të hënës.
 
Rrimë përqafuar në dritore, na shohin nga rruga:
erdh koha e bota le t'a dijë!
Erdh koha që guri të mësojë me çelë,
që prej shqetësisë të rrahi zemra.
Erdh koha të jetë koha.
 
Erdh koha.
 


ARRATISJE NGA VDEKJA
 
Qumësht i zi i agut ne të pijmë në mbrëmje
të pijmë në mesditë dhe mëngjes të pijmë natën
të pijmë e të pijmë
çelim një varr në ajër atje s'rrihet ngusht
Te shtëpia rron një burrë që loz me gjarpinjtë që shkruan
që shkruan në muzg në Gjermani flokët e tua prej ari Margarete
e shkruan dhe del para shtëpisë dhe xiglojnë yjet dhe u fishkëllejnë zagarëve
u fishkëllen çfutënve të tij urdhëron çeljen e varrit në dhé
na urdhëron të lozim muzikë danci
 
Qumësht i zi i agut ne të pijmë natën
të pijmë në mëngjes dhe në mesditë të pijmë në mbrëmje
të pijmë e të pijmë
Te shtëpia rron një burrë që loz me gjarpinjtë që shkruan
që shkruan në muzg në Gjermani flokët e tua prej ari Margarete
Flokët e tua prej hiri Sulamith çelim varrin n' ajër
 
Ai bërtet gërmoni më thellë ju kurse ju këndoni dhe bëni aheng
kap hekurin te rrypi e vringëllon sytë i ka të kaltër
rrasini më thellë lopatat ju kurse ju vazhdoni muzikën e dancit
 
Qumësht i zi i agut
të pijmë e të pijmë
te shtëpia rron një burrë flokët e tua prej ari Margarete
flokët e tua prej hiri Sulamith ai loz me gjarpinjtë
 
Bërtet bjerini më ëmbël vdekjes vdekja është mjeshtër gjerman
ai bërtet bjerini më thekshëm violinave dhe do ngjiteni si tymi n' ajër
dhe do keni një varr mes réve atje s'rrini ngusht
 
Qumësht i zi i agut ne të pijmë natën
të pijmë në mesditë vdekja është mjeshtër gjerman
të pijmë në mbrëmje dhe mëngjes të pijmë e të pijmë
vdekja është mjeshtër gjerman syrin e ka të kaltër
t'a këput me gjyle plumbi t'a këput saktë
te shtëpia rron një burrë flokët e tua prej ari Margarete
na i vërsul zagarët e tij na fal një varr në ajër
loz me gjarpinjtë dhë ëndërron që vdekja është mjeshtër gjerman
 
flokët e tua prej ari Margarete
flokët e tua prej hiri Sulamith
 



Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)