“Nuk la logos, por ka veç hieroglife”
Me shkrue parathënien e këtij ditari, që sigurisht është më natësori dhe më i magjishmi që më ka rënë ndonjëherë në duar, është provë e çuditshme, mbasi çdo fragment i tij përbën veçmas një parathënie: parathënien e një romani që nuk fillon kurrë. Kjo tregon mungesën e një plani të veprës nga ana e shkrimtarit, por njëkohësisht provon edhe se kjo mungesë është e qëllimshme.
Bernardo Soares është një njeri që rri në dritare. Kështu fillon edhe parathënia e Tabucchit. Njeriu që rri në dritare sodit poezinë e botës. Kjo të kujton se një imazh i përhershëm në vjershat që shkruajnë fëmijët është pikërisht ky qendrim në dritare, duke pá horizontin e lagur nga dielli a shiu. Kur rriten shumica i ikin poezisë, disa i mbesin besnikë por mundohen me i ikë këtij përftyrimi, mbasi ngjan si tepër i ëmbëlsuar dhe fëminor. Porse kah ana filozofike, ky është imazh krejt domethanës. Me qendrue në dritare për me mendue është një manierizëm flagrant.
Njeriu që rri në dritare është një qenie mirëfilli estetike. S’është e rastit që Pessoa, si lajtmotiv, në këtë potpuri mbresash fenomenologjike, ka zgjedhur fenomenin par excellence, motin, kohën meteorologjike. Në fakt një njeri nuk rren kurrë kur flet për kohën, por as nuk thotë të vërtetën. Me folë për motin, është një veprim që hyn tek ato që Kanti i kategorizonte si moralisht asnjanëse: me ecë, me fjetë, etj. Me folë për motin është një veprim mirëfilli estetik, mbasi ti mundesh thjesht me thanë si e sheh dhe si e ndjen dhe kurrë si e gjykon moralisht. Në fakt Soares, njeri i dominuar nga pasioni estetik, nuk thotë kurrë: koha ishte e keqe apo koha është e mirë. Të vjetrit thonë se ka njerëz të cilëve s’u bën përshtypje nëse koha është me diell a me shi. Kjo alegori shpreh thelbin e të ndjemit estetik.
Bernardo Soares është një nëpunës i thjeshtë. Si Pessoa, si Kafka.
Mua Soares më kujtoi njeriun në dritare të Kafkas. Enigmën e jetës në qytetërim. Pse një dritë e ndezur natës në një metropol, përbën gjithmonë një enigmë, ndryshe po t’ishte kjo dritë e ndezur në fshat do kishte si rregull, mister më të vagët. Te Amerika e pragezit, studenti që natën lexon në ballkon, gjegjet se hepërhe nuk e shqetëson gjumi, e se ka me fjetë mbasi t’i kryejë studimet. Bernardo Soares, përkundrazi, thotë se flen gjithmonë e se nuk ka me kuptue kurrë, asgjë. Lënda e perceptimit është e njejta. Veçse mënyra e perceptimit është e përkundërt. Kahja e Soaresit është introspektive, e drejtuar kah meandret e pusit të shpirtit të tij që ia ngul sytë qiellit… pse ai mendon par translation. Dhe sheh poshtë dritares, jetën që rrjedh, e kupton, se ajo që rrjedh aty poshtë, është, në fakt, jeta e tij.
Në pagjumësinë e natës Soares numëron yjet e padukshëm pa i numëruar cigaret që tymos. Dhe është i lumtur nga ajo palumturi, është i lumtur se mundet me shkrue se është i palumtur. Dhe është i lumtur prej të qenit vetëm dhe prej të mosqenit mbështetje sociale për askend, duke qenë njëkohësisht pikëmbështetje për universin e tërë. E me ato fjalë që hedh herë mbas here në letër pa rregull, pa u munduar me i shpëtue, pa projekt, pa menduar për librin, si vetë jeta e tij pa ngjarje, si t’i shkruante mbi lëkurën e fatit, ai krijon në mënyrë të pavetdijshme mandalën e tij, thur afreskun gjigand ku sheh të pikturuar vetë fatin e vet. Dhe zemra e mandalës së tij është Rua Dos Douradores. Prandej ai pendohet sa herë që ëndërron me ikë prej aty me provue shijen e përgjaktë të jetës n’ujdhesat e mëdha në Jug të së gjithës, e sikur t’i jepnin botën mbarë, ai do e ndërronte me një biletë për Rua dos Douradores. Ai e din se me udhëtue është gabim estetik. E di se t’udhëtuarit fizikisht i falet veç kovaleshentit: Franci p.sh. nuk do kish udhëtuar po të mos vuante prej asaj sëmundjeje që më në fund e rrëzoi. Mos me udhëtue, kjo është mënyra më e mirë me e dashtë udhëtimin, me e njohtë vendin ku nuk shkon. Thotë Pessoa: “Disa kënaqen me shkue në vende të huaja si pelegrinë anonimë, unë kudo që kam shkuar kam qenë mbreti e populli i atij vendi…” Pse me e çue fizikun në një vend duke e lënë shpirtin në një tjetër? A mundemi ne me ikë prej vendit ku është ngjizur shpirti jonë, duke e marrë edhe atë me vete? Udhëto, porse par translation! Atij që s’din me ndie kjo i duket masturbim. Por masturbim është me shkue si turist në Paris e jo me andrrue Parisin; është me pretendue se e njeh botën e jo me e andrrue atë. Pse nuk ka asgjë që i ngjan më shumë dashnisë, se andrrat. Andrrat e Bernardo Soaresit, njeri i dehur pse jeton, i trallisur pse ndjen, i fjetur pse ëndërron...
Përse me shkue në Lisbonë, kur Lisbona vjen tek unë, e në trajtën e saj më fantastike përmëtepër: npërmes fjalës së Pessoas? A s’jam njëlloj në qendër të letërsisë si në Shkodër, si në Lisbonë si në Dublin: qielli a s’shkruhet gjithkund njëlloj! ...Këto s’kanë ndonjë kuptim për atë që s’e di çka është të ndejmit estetik!
E kur i qasem Parisit n’andërr, shkoj drejt e te kafeneja e surrealistave dhe Sartrit, ku ndryshe prej realitetit s’më pret përpara një lukuni turistash të papamë me aparate dixhitalë në duar. E në realitet, ua kemi falur... gjeografinë e tyre të gjirizeve! Rua dos Douradores është rruga e të gjithë lexuesve të ditarit. E vetmja mënyrë me i zotnue gjërat është me i andrrue me gjithë shpirt, pra me i pasë estetikisht. Ky është i vetmi identitet, ai që buron nga identifikimi estetik. Pse kjo është e vetmja mënyrë me mbetë i lirë pra vetvetja, kurse gjërave me ua lanë lirinë e tyre, pra edhe ato me mbetë gjëra. Kur e ke diçka, jo vetëm ajo s’është më e lirë, por as ti s’je më i lirë prej saj.
Unë nuk e di a është dinamika idustrialo-teknologjike faktor kundërpërcaktues, por di se nganjëherë pesë minuta qetësi të bëhen heshtje kozmike. E kështu Pessoa e jetonte pafundësinë. Çdo mendim i tij, madje çdo pamje kishte si sfond pafundësinë. Prandej i dukej asgjë, por shì prej kësaj, e tregonte me aq mall. Asgjë, kjo është fjala që e jep pahjen e saktë identitare të këtij libri, çelësi inegzistent i tij. Ky është elementi që aq përsëritet sa me u ba identitet.
“Gjithçka vjen nga mosqenia”, thotë Greku. Jemi vetëm dromca pluhuri që era ngre dhe lëshon përtokë sakaq… thotë Pessoa. Prandej, mendoj, nuk ka kuptim që të jemi edhe budallenj.
Jeta është sak tepër e shkurtë për me ia gjetë kuptimin vetë pa ndihmën e letërsisë... Pessoa, na ofron aq e aq pikëvështrime letrare dhe të gjitha të marra prej ane, ngaqë anipse rrin mbi dritaren e tij ai jetën e sheh kurdo prej ane, duke refuzuar si çdo fenomenolog i mirë me paraqitë një pikëvështrim epran që t’i përmbledhë të gjitha e të realizojë kalimin lajbincian prej monadave te monadologjia. Kësodore ai lejon me kuptue se pikëvështrimi më i mirë është relativizmi i të gjitha pikëvështrimeve, dhe se mënyra më e mirë e të menduarit është të ndjemit, dhe ajo e të ndjemit, të menduarit. Dashnia për të vërtetën e ka kërkimin e saj kusht mundësie, prandej nuk pranon asnjë të vërtetë të vulosur. E nuk ka monadologji, por sall monada. Ose me e thanë mrekullisht me Gilles Deleuze: Nuk ka Logos, por ka veç hieroglife!
“Nuk di as se nuk di…” i pëlqen me përsëritë Pessoas. Dhe ai shpesh e nënvizon këtë relativizëm të skajshëm. Në fakt, një ndër faktorët më absolutë të botës, për Pessoan, është dimensioni i andrrës, ai më relativi dhe më subjektivi.
Vëlla ideal Pessoa ka perveç portugezit Cesario Verde, Omar Kajamin. E si Kajami, ai thotë se gjithçka është e kotë në jetë, por veç me jetue jo. Pi! Pi! Kjo është krejt filozofia praktike e Kajamit. Ajo e Pessoas i është simotër, veçse pak më abstrakte: ëndërro! ëndërro! E këto imperativa, ruhen me e paraqitë veten si imperativa, pse çdo imperativ edhe kur jepet si hipotetik ka mëtue kategoriken, dhe andërr kategorike s’ka. Por gjithsesi ka diçka të shenjtë e sublime te ky skrupull. Dhe ndoshta këtu qendron pozitiviteti që përftojmë prej këtij libri, dhe është ndoshta ky skrupull koefiçenti i korrigjimit që na shpëton nga nihilizmi. Skrupulli i andrrës, koefiçentit që e bën jetën të durueshme. Guximi me andrrue, pse sak s’ka vlerë me u humbë në stuhinë e jetës jashtësore… Guximi me andrrue! Thotë Pessoa: “Nuk pendohem për andrrat që nuk munda me realizue, por pendohem për ato andrra që s’guxova me i andrrue!”
Stili i Pessoas është zvogëlimi i kontaktit me botën e jashtme, për me e zmadhue analizën e atij kontakti.
Ky stil mund të quhet filozofia e fragmentit ose fenomenologjia e çastit. Por amà këto faqe i përkasin më shumë poezisë intime të shpirtit të Pessoas dhe magjisë së letërsisë poetike.
N’andrrën që është kjo jetë, nuk ka gjë më të madhe se me arritë me thanë diçka.
Astrit Cani
Milano 2006
Nessun commento:
Posta un commento