venerdì, luglio 26, 2019

TEATRI NA PASTROI NGA SPASTRUESIT


Nji marrëveshje u arrit. Nji besabesë mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozitës. Kjo arritje asht rritje. Duket si real deal. Dëshmitarë të saj nuk kjenë vetëm mullarët butaforikë të skenës së teatrit kombtar të lanun në mëshirë të fatit, por edhe të gjithë shqiptarët që e ndjekën ktë pjesë të kalvarit të nji grushti qytetarësh që patën konsekuencën sakrifikale, që kalvari i tyne të ishte fundi i kalvarit të gjasë publike, pra fundi i dhunimit dhe prostituimit të “res publica”s.
Ky kompromis me PD-në nuk ishte para kohe. Nuk ishte nji shfaqje jashtë sezonit. Erdhi në momentin e duhun. Për herë të parë Basha vetë nuk na u duk butaforik. Dikujt mund t’i jetë dukë se ai thjesht iu zgjati kurorën me gjemba atyne që i kishin hy kalvarit. Deri dje flitte për gropë, prandej njerzit ende kanë dyshime. Nji gja ma tepër që sak mund të bante Basha, ishte me përvjelë mangët dhe me ia hi pastrimit, tue tregue se përkundër atyne që e shohin teatrin me synin e spastrimit, ai ishte për pastrimin. Por jemi n’mirëbesim. Na ban me e marrë në mirëbesim besimi i Aleancës, por edhe sjellja horrorifike e palës tjetër, ku kryetari i Tiranës, kujtoi se mund të harbitet qytetaria e kryeqendrës tue e qerasë me ndoj koncert porno, për me i kujtue banorëve se asht verë dhe ata duhet të bajnë pak jetë nate meqë pushteti punon edhe natën për ‘ta. Kshtu mbasi çuen nëpunësat e ngratë me (r)ruejtë teatrin, pushtetarët sosën të qethun përvedi.
Në kjoftë se herën e parë stalinizmi shqiptar kje tragjedi, simbas dialektikës hegeliane, i ra që herën e dytë t’ishte farsë. 
Ne pamë para nji viti e kusur se renderat e teatrit të ri të bamun prej nji studioje beneluksoze, i ngjajshin ma shum nji kinemaje porno, sesa nji teatri kombtar. Dhe vumë re se çakejt tonë i kjenë lshue teatrit kombtar me e fshi prej faqes së dheut, si të ishte kinema porno. Të gjitha kullat që kta mundohen me ndërtue, janë monumente që mshehin por gishtojnë, mblojnë mirëpo kallzojnë, impotencën e tyne fallocentrike. Në krye dhe në krye të vet, qeveriu çoi nji komisì me i hjekë statusin “monument kulture”, të vetmit monument kulture që asnji pushtues të paktën prej ktij planet s’kishte mujtë me ia hjekë ktë status: teatrit.
Mjaftoi nji skotë çiçikovësh me e realizue në letër ktë çertifikim. Por asht e kotë me shqetësue rusin Gogol tue marrë uha personazh prej Frymëve të vdekuna. Marrim ma mirë nji tonin, Trebeshinën: te Tregtari i skeleteve, ka nji personazh ultra-gogolian, që merret me ksi punësh, shoqi Asmut Rrakatakja. Pra me asmutat e duhun, mundesh me “certum facere” ça të duesh ti si pushtet i radhës, që të mundesh me hy pa radhë në tana punët botore. Nji ballkanas i natyralizuem gjermanik Gregor Von Rezzori, tek mozaiku i tij për Ballkanin, difton si erdhi në pushtet dinastia e Karakriminajlloviçëve, alegori kjo që vlen për të gjithë vendet e gadishullit, ku hymë ndër të parët edhe ne.
Rama erdhi me luftue degradimin dhe e çoi në dekadencë. Asht ai vetë primsi i dekadentave. Me kravatat 500 dollarshe dhe xhaketat 3000 dollarshe, nuk humb rast me u shitë si bohem. Meqë ka deklarue vetëm 3000 euro kursime gjithsej, i bjen që kollaren e ka dhuratë. E pra bohema e vërtetë, dhe energjia pozitive që buron prej saj, ishte bohema e ktij grushti njerzish që mbrojtën teatrin kombtar. Ajo energji pozitive që bohemët e vërtetë derdhën në konakun e artit tonë skenik, në formë djerse dhe lotësh dhe ngëthjesh, s’ka me u fashitë ndër vite. Rama e la teatrin me degradue, që mandej me e luftue degradimin me dekadencë, me operacionet prej kirurgu estetik si kur botoksizon qendrat e lokaliteteve tue i pajisë me betonale që të duken të rilinduna jo prej hinit të vet po prej hiçit. Mirëpo ksaj radhe i kishte ba hesapet pa hanxhiun.
Poeti i dekadencës romake, Ausoni, vërteton kjartë se dekadenca nuk asht në gjendje me i ndi vlerat e të kaluemes as rrënimin e të sotshmes. Asht shurdhe karshi vetë historisë. Pavarsisht se ishte romanissimo, ai nuk ia mrrinte me e ndie dekadencën e qytetit të amëshuem, ngase nuk ishte ma pjesë e së tanës, ishte ba’ pjesë e pjesës. Tradita ishte pre’. Në vargjet e tij ai i bante fresk kastës së vet, porqë edhe kur i kndon të vetmes lule jashtë tarafit, skllaves gjermanike me emnin perimor Bisula, e ka për me diftue sa mashkull kenkej, jo për tjetër. Ma mirë se kushdo poeti dëshmon energjinë e kohës. Me nji energji si kjo që dëshmonte Ausoni, shum pak nuhatje i duhej Alarikut mbretit të Visigotëve me trokitë me ushtri në dyert e Romës. Misitë që Roma i çoi u munduen me e mërzitë me retorikë mandej kur e panë që s’e hante retorikën, i skjaruen se ata kishin shum ma tepër ushtarë se Alariku, prandej do ta kishte të sigurt humbjen. Sa ma i dendun bari, aq ma lehtë kositet, ia ktheu ky, pa e hollue shum muhabetin. Ça don at-herë? e pyetën misitë me habi. Tanë ça ka Roma të vlertë. E ne ça na mbetet? Shpirti gjallë. 
Kalimin prej dekadencës në mesjetë e bani nji shpirt i madh i perëndimit, i mbrami i antikëve dhe i pari i mesjetarëve, Agustini. Ndoshta sikur dekadenca të mos kishte qenë aq e gjatë, aq mesjeta s’kishte me zgjatë aq shum. Nji narrativë e re, që ishte pjekë me kohë underground në katakomet e Romës, tashma pak zanë vend mbi dhé dhe po unjisonte perëndimin, ajo që Agustini e shenjoi n’at nivel sa me u quejt shejt i saji.
Mirëpo në Shqipni, dekadenca nuk asht e pakthyeshme, asht smundje që ka kapë plotsisht pushtetin, por jo edhe njerzit. Karta e fundit që i ka mbetë ktij pushteti dekadent, asht premtimi se kanë me na integrue te dekadenca e madhe e perëndimit. S’kemi pse ngutemi n’ktë vrap. Ende e kemi nji shans me qenë vetvetja.  
Në gjithë kto muej ka ndodhë nji ndryshim paradigmatik. Asht kthjellue diskursi publik i palës civile në radhë të parë dhe i elitës së ardhshme në radhë të dytë. Lëvizja studentore pati efektin e nji ekzorcizmi. Por e gjitha filloi te teatri. Dhe për herë të parë pushteti e ndigjoi veten se po flitte marrina. Kjo nuk ndodhte qysh në ‘90n. Rama i ka përjetue të dyja kto momente kthjellimi, por të parin si kthjellim rinie, të dytin si aberracion. Teatri e provon ktë.
Ai e muer përsipër ktë sipërmarrje, me ktë logjikë: ça iu duhet teatri kombtar, kur un ju jap teatrin e ri? Mos të harrojmë se programi punist ishte: ça iu duhet njeriu kombtar, kur ne do prodhojmë njeriun e ri. Primend, me kohë kemi pyetë idhnisht: ça ju duhet teatri kombtar, kur keni kombin teatral? Por nuk jemi komb teatral. Jemi etnia ma e vjetër në Europë dhe nuk jemi n’Europë. A thue ngase Europa ka dashtë me na nda tue na falë dreqit ndër etni të reja? Thjesht pyetje. E dini si asht nji punë: nuk jemi komb teatral. Jemi komb jetim, mirëpo tash na erdhi pjekunia dhe nuk mund të rrimë ma mbrenda kushteve të jetimores. Dy janë rrugët: ose ikim, dhe bahet bota jetimorja jonë. Ose e bajmë jetimoren vend të jetueshëm si bota.
Nji pikë që nuk u konceptue për teatrin dhe në kto kushte emergjence nuk i pati ardhë ende radha, ishte libri në teatër. Nji kand i hapsinës teatrore i duhet kushtue librit. Tjetra, ajo që s’duhet, asht nji drejtor kanakar. Duhet vu’ në status që teatri drejtohet prej nji bordi profesionistash të papolitizuem. Ma e para, duhet nji bibliotekë e teatrit kombtar. Që aktorat, regjisorat, studentat të mos punojnë ma me fotokopje. Ne të gjithë do të japim koleksionet tona me libra teatri dhe ka me dalë nji fond krejt i vyem. Me libra në të gjitha gjuhët e gjalla dhe të vdekuna. Me veprat e plota të Sofoklijve, Shekspirëve, Molierëve, Hygove, Uajlldëve dhe Zharive, Brehtëve, Dyrrenmatëve dhe Kamyve, Bernhardëve dhe Beketëve me shokë. Me dorëshkrimet e panumërta të dramaturgëve tonë. Dhe aty mes tyne, resmet e aktorve e mjeshtrave, zani i të cilve dikur ndër njato mure të vjetra kumboi logos, pathos, eros.

mercoledì, marzo 14, 2018

Kingu Perandor

Përpjekja për sukses tregtar i botuesve shqiptarë, ka shfaqë jo vetëm mungesën e njohjes së historisë letrare, por edhe mungesën e njohjes së tregut. Konceptohet tregu si diçka që i nënshtrohet tanësisht statistikës ndërkombtare dhe i mbivendoset kërkesës vendase. Si nji vend i hapun ku mundesh me vjedhë prapë e rishtas. Blemja e të drejtave të botimit shërben ma shum me u ruejtë prej tuejve, sesa me qenë korrekt me autorët dhe botuesit e jashtëm. E drejta e shumfishimit blehet për 500 kopje, dhe aq i deklarohen për jetë e mot autorit, pavarsisht shumfishimit ndër vite. Fitoftë a jo autori Nobelin ndërkohë. Vdektë ai, a rrnoftë halà. 

Nuk asht vendi me akuzue hajnat e mbrendshëm se vjedhin jashtë, por se nuk dinë taman ke me vjedhë. As n’hajni s’kanë hierarki. Dhe nji autor që mund ta kishin vjedhë pafundsisht asht mbreti i letërsisë amerikane, Stephen King. King i lindun, mbas gjithë betejave që ka fitue, asht ba perandor. Kte kunorëzim nuk ia ka dhurue kritika, as kinemaja, ku prania e tij ka qenë e dorës së parë qysh kur Brian de Palma, në 1979n, filmoi romanin e tij të debutimit, Carrie. Ia ka dhurue thjesht publiku, sovrani i vërtetë. Prej at’herë, Kingu ka shkrue dhe botue me dhjetra romane, me qindra tregime, disa skenare filmash dhe radiodramash; ka bashkëpunue në disa vumje në skenë të subjekteve të tij dhe ka guxue me kenë edhe vetë regjisor në disa raste. E gjitha kjo, pa prâjtë së qeni amerikan i qetë.

Kah njena anë, ku ma gjen që Kingun s’e kanë vjedhë, asht, si me thanë – nji pallat ma pak, ose nji kompleks betonik ma pak në qiejt e betonuem të Tiranës. Megjithatë ka pasë bubrrime të veprës së tij. Janë përkthye dy-tri gjana në gjuhën tonë dhe ato për faqe të zezë, tue dalë shqip me tituj që tingëllojnë të dobët sa s’kanë ku shkojnë: Celulari dhe Rrezatimi. Pak dhe keq, ose pak dhe kak. Harresa ndaj tij, i brendashkruhet harresës ose injorimit të letërsisë amerikane. Nuk ka asnji lloj dijenie për përmasat dhe pasuninë që përfaqëson sot letërsia amerikane, që asht jo vetëm ma e kenuna, por edhe ma e thella e kohës tonë. Botuesve të Tiranës që halà punojnë me redaktorë të marrun natën për hanë prej gzts Zëri i popullit dhe zgjohen prapë me kërkëllimin e ndryshkun të zhavarinave të vjetra sovjetike, nuk ke çka iu thue, të kalcifikuem siç janë në idenë ’800ase se letërsi kanë sall franko-sllavët. Po të Kosovës ku janë? Buzuku që asht botuesi ma i mirë ndoshta jo vetëm i Kosovës, boton ekskluzivisht autorë të sotëm francezë, prej të cilëve ndoshta asnjeni nuk mund të quhet shkrimtar, teksa mundemi me pohue pa frikë se letërsia e madhe franceze grahmën e fundit e jep me Raymond Radiguet-në, meteorin e saj të fundit, kah mesi i viteve ’20.
Me të vërtetë që letërsia nuk ndryshon mbrenda vitit, sikurse edhe gjuha don shum kohë me u mbrujtë, por qysh kur Baudelaire u ul me përkthye Poen, ka kalue rrum nji shekull e gjysë, e me Jack Londonin asht bitisë shekulli qysh se amerikant kanë letërsi të madhe dhe popullore njikohsisht, pra kanë at që mund të quhet epope letrare. Edhe ma shum se kaq: kanë ende sifatin e të treguemit, atë çka n’Evropën mbas Auschwitzit, u konsiderue si paradigmë e humbun.
Nji mbllaçitje e pafundme eseistike, ku e vetmja risi asht ripërtypja, karakterizon letërsinë e kontinentit prej dekadash. Letërsia si e tillë asht e mbipopullueme, por nuk asht ma popullore. Detyrohemi me lexue dhe rilexue ndoj roman gjerman a austriak, nga ata që dilnin tek-tuk në dekadat e mbrame të luftës së ftohtë. Dhe janë romane që mishërojnë pikërisht fundin. Tjetër gja asht letërsia sa kalon La Manshin. Provincializmi e ka pshtue letërsinë angleze. Romani ka mbetë roman, poezia poezi. Ka edhe ese, por nuk asht zhanër vampir siç asht ba në letërsinë kontinentale. Provincializmi e ka pshtue edhe letërsinë e Kingut. Se veç provinca e pshton zejtarinë. 
Me pru’ letërsinë e Kingut në shqip, duhet pa diskutim nji njohje e katërciptë e zejes së letërsisë, e mekanizmave ma të thellë psikologjikë, duhet sinqeriteti i tregimtarisë, por krye të herës duhet përvetsimi i krejt të folmes urbane dhe suburbane të të gjitha trevave të shqiptarisë së sotme dhe nji vesh i shkëlqyeshëm muzikor. Por Kingu s’asht veç popullor. Romani i tij i pavdekshëm Shining, nuk i len gja mangut librave të nismimin ezoterik. Para tij romanet e Coelhos duken si anekdota. Tregimet e Kingut janë të përsosun si ata të Poes a Lovecraftit, të Mathesonit dhe të James Ballardit. Kryevepra e tij Needful things, për sa i tokon përsosjes stilistike, mund të krahasohet vetëm me Lolitën e Nabokovit, shkrimtar amerikan që ne shqiptarët halà vazhdojmë me e vendosë mes rusve. Atdheu i shkrimtarit asht gjuha. Dhe atdheu i Kingut asht nji gjuhë e pasun, tmerrsisht sugjestive, me spërdredhje zhargonore që s’kanë të sosun, ku as humori as thellësia psikologjike nuk mungojnë ndojherë. Nji kopsht antropologjik që i përngjet nji xhungle shajnitëse, ma parë sesa serës ku e kyçin europianët narracionin e tyne steril. Falë ksaj pasunie të stërhollueme në drejtime të panumërta, që ka vitalitetin e vetë jetës, Kingu ka arritë me shpalue mbrenda zhanrit horror, të gjitha dimensionet e letërsisë.
Redaksitë tona halà s’e pranojnë ekzistencën e zhanrit horror. Ti përkthen “film horror” ata ta kthejnë “film me tmerre”. Kshtu e vorfnojnë stilistikën e shqipes, n’emër të pasunimit. Kshtu shemb edhe policia ndërtimore, n’emër të ndërtimit. Shembin kioska, ngulin pallate. Kshtu bajnë edhe në gjuhë.
Periudha e kioskave ishte periudhë e sinqertë lirike, jo ma kot asokohe, çdo familje shqiptare e kishte ka’j poet, i cili kishte botue të paktën nji vllim me poezi. Kjo periudhë ishte e bukur, por pa strukturë. U pasue me të kundërtën e vet. Me nji periudhë që kishte strukturë, por s’kishte inteligjencë, pra as bukuri as duhunì. Strukturë kriminale a korruptive, a zbuteni si të doni.
Pasqyrimi i letërsive të lulëzueme, në kohën e duhun, pra sa asht e freskët gjuha, ka randësi jetike, për këndelljen dhe rivitalizimin e vetë letërsive vendase. Pra edhe e mendësive vendase. Duhet nji kompleks shum i dystë inferioriteti, për me besue, se ndikimi i të huejës asht shkomtarizues dhe damtor. Krejt e kundërta: e keqja vjen prej mosmarrdhanies, prej autarkisë, vetëmjaftueshmënisë së përllogaritun. Të gjitha diktaturat janë të mbylluna, ngase janë thelbësisht autike. Me konsiderue gjithçka të huej si antivlerë, pse asht e huej, kjo don me thanë me qenë i huej ndaj vlerës. A asht Kingu vlerë? A thjesht firmë!?
Kritika amerikane asht e para që e përçmon. Kompleksi i tyne prej ish-kolonie, i ban halà me vlerësue imitimet, dhe me nënçmue të mirat origjinale që kanë. Nji eseist i lodhshëm si Ph. Roth, iu duket shkrimtar, kurse Kingu autor. Guxoj me thanë se asht krejt e kundërta. Kingu nuk asht përkulë ndojherë para talljeve që i kanë ba jo vetëm kritikët, por edhe regjisorët, tue fillue me De Palmën, që i filmoi romanin e parë. E shihni ç’asht i detyruem me ba nji regjisor i ri. Më japin kshtu paçavuresh dhe un duhet me qitë diçka të pranueshme – ia pat n’at rast De Palma. Thirrte në kauzë kritikën, me thanë se ai vetë me synin e tij kritik, e dinte që filmi që i kishin porositë producentët vinte prej letërsisë komerçiale. Harronte, se filmi do të funksiononte pikërisht pse kishte nji subjekt të shkruem mirë, që vinte prej librit. Dhe gjatë 30 vjetve mbas atij rasti, Tefa ka shkrue romanet ma dërdëngë të letërsisë perëndimore. Në vitet tona, kryekritiku Harold Bloom, kur shoqata e shkrimtarëve amerikan i dha çmimin e karrierës Kingut, gjeti rastin me shpalosë virtuozizmin e tij intelektual për me ulë meritat e perandorit King. Ka zane se Bloomi u pat ulë njiherë me shkrue do tregime edhe ai, por as nipçja i vet nuk ia lexoi.
Asht e kjartë pra marrdhania e njianshme që kanë intelektualët me Kingun, dhe halà sot, me thanë më pëlqen Kingu, asht nji mnyrë me thanë nuk jam tip intelektual. Kuptohet që mes Ed Woodit dhe Kubrickut, Kingu darkon me Ed Woodin. E pra, askush ma mirë se ai, nuk e kupton qorrsokakun kur përfundon përpjekja intelektuale, kur ajo nuk shoqnohet me thjeshtësinë e zemrës së paqtueme, që karakterizon narratorin e panjohun, popullorin.
I ka fitue të tana betejat me mjerimin, me kapitalizmin amerikan, me të përbindshmin Hollywood, me rritjen e mëkambjen e familjes, me furgonin që nji mbasdite e shtypi në trotuar, por mbi të gjitha ka fitue betejën me hiçin, me zeron e fantazisë, me zbazëtinë e mendjes dhe zemrës. Ka pasunue botën tonë për shekujt që po vijnë.

Dhe prapë narrator i panjohun ka mbetë Kingu, pavarësisht 1 miliard kopjeve të shituna, pavarësisht se asht kampion bote n’letërsi, njeriu tek i cili shkrimtarët shohim triumfin e shpresave të tyne të parealizueme, ai prapë, me i shkue për vizitë, ka me pasë nji histori me ta diftue, nji prej atyne historinave që primend të njisin fill dhe të bajnë me iu kthye letërsisë, porsi i kthehesh dashnisë, me frikë të shejtë.
Dashnia, urrejtja, guximi, janë mbretni. Frika asht perandori. Kingu, perandori i saj.

mercoledì, luglio 12, 2017

Fitorja e Ramës dhe gozhda të tjera

Fitore e Pirros ka mbetë si shprehje prej vetë luftnave që bani Burri në çizme dhe shënjon nji fitore me hak njerzor aq të naltë sa i bjen me vye pothuejse baras me nji humbje. Por nse kjo fitore nuk asht fitore e vërtetë, të paktën lufta ishte e vërtetë dhe me logjikën e Napoleonit “disfatat e sodit na vyejnë për fitoret e motit”. Po fitorja e Ramës çar tip fitorje asht? Fitore e pagueme ka me thanë dikush. Në nji vend ku njerzit blejnë shkollën, blejnë vendin e punës, e pra, blejnë vendin e tyne në shoqni, asht normale që fituesi me ble votën. Korrupsioni asht filozofi jetese. I vetëdijshëm për ktë, Rama e deklaroi fitoren pa fillue numrimi. Fakti që mbas numrimit mandej po fillon me mendue për programin, don me thanë, a fortiriori, se mendon me garantue edhe fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, jo falë realizimit të ndoj premtimi, por prej faktit, se thelbi i programit të tij asht pushteti. Ksodore, Rama, përuron modelin e ri të liderit, që mban premtimin që i ka ba vetes.
Te “Arti i luftës” Sun Cu thotë se lufta në fillim fitohet, mandej luftohet, tue e përmbysë çdo ide apo pseudo-ide demokratike që dikush mundet me pasë mbi luftën, kjoftë ajo spartane apo spontane. Vetëm se Sun Cu nuk thotë kund që fitorja deklarohet mandej korret. Pra, kemi dy lloje fitoresh skajnisht të kundërta: fitoren e Pirros, dhe fitoren simbas Sun Cusë. Pra fitoren e nji prijësi (Pirro, Skenderbeu a të tjerë), dhe fitore e nji Perandori (si Shih Huang Ti, apo Bushët babë e bir). Ku mundemi me e vnue nji fitore të tipit Rama-dy? Sigurisht, ma afër fitores formale, alla Sun Cu, çka e ban tashma Ramën pretendent për perandor.
E vërteta asht, se nuk qeverisemi prej personash, por prej vetë mnyrës sonë të jetesës. Ata që fajsojnë, p.sh., Berluskonin për katrahurën italiane të 30 vjetve të fundit, harrojnë se berluskonizmi si stil jetet nuk u shpik prej tij, por ndoshta plasi sheshit falë tij si stil a mendësi mbisunduese. Stili shqiptar i jetës, asht gjithmonë i ndamë: këtu dhe jashtë. Kjo ndamje ka mbetë funksionale qysh me ramjen e diktaturës. E cila, ç’asht e vërteta, ra për arsye mbikombëtare, ma shum se për shkak të ndonji nisme të mbrendshme të shqiptarëve. Kjo nuk don me thanë që duhet zbehë merita e atyne të rijve e të rejave që e patën në gjak idealin e lirisë. Vetëm se kjo lëvizje u neutralizue pa marrë dimensionin e vet politik, nga vetë nomenklatura e vjetër e transformueme. Në ktë mnyrë, klasa e vjetër e aparatçikve garantoi paprekshmëninë e vet dhe kulti i vjetër i personalitetit të diktatorit, u zëvendsue me kultin e personalitetit të kreut të PD-së, teksa tokëzimin mes dy kulteve e bante kulti i personalitetit të shkrimtarit I. Kadare, i cili, me të ardhë demokracia, u kthye në dimensionin e tij të vërtetë, atë të ndërgjegjes së rrejshme. Por le t’i kthehemi stilit të jetesës.
Publikja dhe privatja nuk kanë pasë ndojherë peshë, rol apo funksion social të përcaktuem kjartë te ne, mija vjet pa shtet tonin. Me shpronsimin total (metafizik, ekonomik, zakonor, deri edhe gjuhësor) të shqiptarëve, komunizmi ynë, arriti me i likuidue të dyja kto kategori të paftillueme, me anë të përvendosjes së kategorisë së kolektives. Ktë kategori, kanë ditë me e shfrytëzue shum mirë, të gjitha polet fiktive të politikës tonë. Ndryshimi psikologjik mes publikes dhe kolektives asht ky: publikja i bindet vetëdijes, kolektivja pavetëdijes. Funksioni i luftës së klasave, nuk ishte me zhdukë klasat, por me zhdukë publiken, tue i mbivendosë nji kolektive parafabrikat. Kjo ndodhi kryekëput në gjuhë.
Për me joshë nënvetëdijen kolektive, asgja s’ban ma shum punë se nji kult personaliteti. Kemi aktualisht kultin e vazhduem të personalitetit të Kadaresë, të cilit për së gjalli i kushtojnë institute dhe çmime, çka nuk ndodh me asnji shkrimtar në perëndim apo lindje, ngase asnjeni nuk asht aq koniunktural sa ai. Ky asht kulti-kolant, kulti-tutkall që shërben me ngjitë kultin-piedestal, atë të udhëheqësit, i cili në këtë rast asht Rama. Por teksa Berisha a Kadareja shfrytëzojshin boshllëkun publik me e mbajtë në spikamë kultin e tyne, pa qenë të gatshëm me nxjerrë gja prej xhepit, Rama asht i vetmi që shpenzon pare, për me mbajtë kultin e tij, dhe kryesisht kto shpenzime i ban me mediat e hueja, me muzeumet e artit kontemporan (oksimoron i pastër: edhe art, edhe kontemporan nuk ka se si); me konferencierët, me zarf-pagesat që ju jep figurave të riciklueme si laburisti T. Kjo e ban njiherit ma mondan dhe ma pak koprac se paraardhësit. Të paktën asht xhymert me paret e popullit. Në njifarë mnyre, kto investime, e bindin nënvetëdijen kolektive, dhe për me marrë votën mandej, mjafton nji investim i vogël në tregun e mbrendshëm të sovranitetit. Falë ktyne investimeve që ban “jashtë”, Rama fiton edhe virilitet diplomatik, dhe ngaqë ka kuptue se edhe politikanët perendimuer janë të bleshëm, jo vetëm trash zanin me kojshitë, porse kërcënon deri edhe shtetin amerikan, se në rast të zgjedhjes së Trumpit, ai dhe shteti që ai drejton, kanë me i ndërpré marrëdhaniet me Amerikën. Edhe qytetnim alien me qenë, në kjoftë se don me pasë punë me ktë planet, marrëdhaniet me Amerikën duhen të parat, besoj. Don apo s’don ti. Delir i çastit, apo reminishencë e xhaxhit?! Harron kah ana tjetër, se në sofrat ndërkombtare, ku derrat janë me të vërtetë të egër, ai ka me qenë gjithmonë nji derr i butë, nji gic, dhe se tek ai, a kushdo kjoftë në vend të tij, pushtetet e vërteta kanë me pa’ gjithmonë indigjenin. Rrezikon si te Eyes Wide Shut, mos me ditë fjalëkalimin për të dalë, dhe i rroftë gjysma e 100-dollarshit mandej dhe taksisti që e pret jashtë. Harron se te orgjia masonerike, atij maksimumi mund t’i jepet ndoj rol onanist. Harron se në thelb, veç shqiptarët ka.
Me justifikue trafikun e milardave, kryeministri Rama, thotë në mnyrë të përsëritun se: po bëj shtet. D.m.th. ai po e pastron administratën nga nepotizmi, nga korrupsioni e me radhë. Nuk la shurrufull pa futë në administratë. Dhe falë ksaj, po konsolidoka strukturën e shtetit, çdo do t’i pruka dobi brezave në vazhdim. Por po ta shohim me kujdes, nocioni i shtetit që ka Edvini nuk asht hiç i largët nga nocioni i shtetit që kishin në komunizëm. Pra, nji shtet, ku sovrani asht i përjashtuem. Pra, nse shteti që ndërtuen bolshevikët ishte haptazi antidemokratik, ky që po ndërton neo-bolshevizma asht maspakut a-demokratik. Krenimi i tij kryesor asht policia e shtetit, të cilën e mori institucion të nëpërkambun dhe e bani institucionin ma të sertë. Se si mund të kryhet kjo, pa shkollimin profesional të efektivave të saj, veç ai e din. Mbas t’bames së policisë së shtetit, a thue po ia kande me ba shtetin policor? Ka dhanë shenja të kjarta edhe për ktë. Po për kë po e ndërtoka shtetin, kur shumica e shqiptarëve duen me ikë prej Shqipniet? Dhe kjo ndërkohë që ai, pa pikë turpi, kumton kthimin e emigrantave si pjesë programatike e politikës socialiste. Kah ana tjetër si socialist, nuk mund të mos krenohet me mungesën e sindikatave.
Pa mbajtje ane, mund të thomi se në mandatin e fundit të PD-së, të paktën azilkërkimi nuk ishte në nivelet e plagës sociale. Por pavarsisht të mirave që ndodhën nën regjinë e PD-së në mandatin e fundit, pikërisht n’ato vite, PS dhe LSI vunë atë pasuni që sot i lejon jo vetëm me ble votat në vazhdim, por ju jep edhe arrogancën me marrë edhe simbolet. D.m.th. kriza e vërtetë asht se PD-ja nuk funksionon ma as në nivel simbolik, nivel i cili, në fakt asht ma i randsishmi, mbrenda dhe jashtë politikës.
Mbasi asht punue mirë me kolektiven, tue shantazhue fisin a klanin që ky ta shesë sovranitetin a thue se i tokon atij dhe jo popullit-sovran, çashtja e vazhdimsisë së pushtetit va da sé. Fundi i fundit, ato dy aspra që janë harxhue me ble fitoren, mund të rekuperohen dhe shumfishohen, falë përfitimeve të kohëzgjatjes së mandatit të ri. Në ktë logjikë, i bjen që PD-ja, e cila nuk paska hedhë kokërr leku me ble vota, jo vetëm s’i ka fitue me meritë ato vota që ka marrë, por i ka dhe qyl. Me nji performancë aq mediokre, edhe tepër i ka. Pra, jo vetëm që nuk kemi humbje të PD-së, por kemi fitore edhe të PD-së. Ndërkohë, falë manovrave nënparlamentare LSI-ja arriti me e ruejtë pozicionin e saj kërthizor në politikën e Tiranës dhe varet tashti prej manovrave parlamentare e mbiparlamentare, ku ka me zatetë për me mjelë lopën e tranzicionit shqiptar. Pra edhe LSI-ja ka fitue. Mirëpo te fitorja – victoria, asht e nënkuptueme që me pasë edhe të humbun – victis, që jep edhe ma së drejti në shqip, viktimën. At-herë meqë klasa politike fitoi e gjitha, kush humbi? Humbën partitë e vogla, por ata kanë luksin që nuk ekzistojnë, prandej s’patën si me humbë. At-hera i bjen që i vetmi që humbi në kto zgjedhje ishte populli. I falet, për shkak se ai nuk asht sovran.

giovedì, aprile 27, 2017

N'oborr kuajt e hasmit hanë petale t'verdha

N'oborr kuajt e hasmit hanë petale t'verdha,
te shpija e Live fshatarët kryengritës po bastisin kopshtijet
e vena e vjellun hapërlyhet mbi dru t'shantalit.
Në bahçe zogjt nuk po kndojnë ma, duert gjakse kanë troshtitë 
në diell kafazin e praruem: jo kangë, por britma
gjithkah dhe thundrat shkelmojnë. 
Nji dreq, me jatagan të skuqun te dhoma përgjysë n'hije,
i vërsulet gjijve të ramun të zonjës Li.
Te korridori pa dalje, hyzmeqarët ma n'moshë e ma të besës
i fërkojnë zotit Li kryet e shkapetun, e ky mendjemadh, s'guxon ma, 
me duert n'ije, t'i sodisë madhështuer portretet e të parve te kandi.
Saora të birtë e yshtin, me fytyrat e lyeme n'pluhun:
"Si kenka kjo punë qi ma i vogli i Live, budalla Po,
faqja e zezë e familjes, tash kur shpinë e kanë msye
drangoj zjermi e shkrumi e hini, ky te alkova servile
po bajka qejf tue ngrehë kërcellin e vocërr prej giade
me ia njeshë nji bythe të pangime shërbtorje teveqele.
A s'asht krim ky, krim kundër ligjeve hyjnore?"
Dhe shohin korthi me bisht të synit djaloshin, i cili veç, i vetëm dhe i qetë,
prej dritores n'trapazan sheh malet e bardha,
ato prorë të njajta e mospërfillse, përtej oborrit të shkatërruem
të Live, përtej fushave të Live. Dhe Li Poja e ndin vedin
jo ma i biri i gjumashit Çeng por i Drangoit Hanor.

Te nji qytet i harlisun résh, matanë maleve me borë,
nji kalë zanash me flatra krille e ka përcjellë.

LI PO

mercoledì, settembre 28, 2016

SPROVA MA SHQIPTARE E HERKULIT

Sot si sot para çerek shekulli, rendi i ditës janë plehnat. Në ndrrimin e sistemeve, plehnat ishin metafora e ndrrimit të formës së sundimit të çnjerzores mbi njerzoren. E pati kapë Nexho Shabani, humorist popullor, që e përshkroi ndryshimin me formulën: ça na janë zbukuru’ plehnat. Tranzicioni e vazhdoi punën e zbukurimit të plehnave, dhe tash ka mrritë hipostazën e vet, i importon.
Personalisht nuk jam kundër importit të plehnave, plehnat janë biznesi i shekullit. Problemi asht se klika që asht në krye të punëve botore shqiptare, e ban ktë veç për interesin e vet. Për ma tepër që çdo biznes kta e konceptojnë si biznesin e drogës, pra nji aktivitet i nënligjshëm që synon me mbushë thasët e zij. Njerzit që kanë me punue n’ktë lamë, kanë me u pague me nji copë bukë, si në kohët ma të errta të komunizmit të baballarëve të pronarve të tyne. Meqë ministri i Gërdecit mbas masakrës u kalue te Ekologjia, në rast masakre, ktë herë, ministri i Mjedisit ka me kalue te Mbrojtja. Kjo asht mnyra shqiptare me ra prej fikut n’dardhë. Interesant por jo për tu çuditë ka me qenë fakti, se ky ligj kapitalist ka me u aplikue gjithnji me logjikë komuniste, pra: puntori i ksaj industrie, ka me fitue ma pak se mbledhsi privat i kanoqeve. Por nuk asht kjo tema kryesore e ktij shkrimi, veç nji shteg që qet ku due me dalë.
M’intereson me folë për procesin e kundërt, që për mendimin tem asht shum ma i rrezikshëm, ngase shkakton dame të pariparueshme antropologjike. Procesi i importimit të bukurive dhe të kthimit të tyne në plehna. Ato letraret m’interesojnë veçan. Teksa ky proces duket sikur ka kursye shum prej klasikëve, nuk ka dyshim se përdhosja dhe sakatimi kanë karakterizue importin e shumicës së kryeveprave letrare të modernitetit. Autorë të masakruem janë Céline, Camus, Kafka, Pessoa, Miller (H.), Sartre, Kundera, Vonnegut, Eliot, Levi (P.), Borges, Deleuze, Kavabata, Mishima deri te ma të vonët, Houllebecq, Murakami, Oz, Bolanjo. Kundera, Houllebecq, Murakami, Oz, nuk asht se më dhimben fort. Të mos ishin përkthye hiç, nuk kishte me u pasë vu oroe ndryshimi. Céline, çka. Camus të dhimbet për shkak të personalitetit ma shum se për shkak të letërsisë që ka shkrue; e njajta gja vlen për Sartre-n. Nji letërsi eseistike, mbetet në tentativë.
Padyshim që fatin ma të keq e kanë pasë poetët: plotësisht të masakruem francezët, gjermanët, italianët, amerikanët. Ma shum se të tjerët italianët, mbasi për do kohë shumica e shqiptarve kujtoi se dinte italisht. Tash bajnë sikur dinë anglisht.
Jo ma pak të masakruem janë ata që janë përkthye n’atë shqipe që për shkak të aparteidit quhet gegnisht, me idenë që falë muzikalitetit të gegnishtes mund të arnohet moskuptimi literal i tekstit.
Kulmi asht se kto përdhosje i faturohen pamundësive të shqipes. Por kundërshembujt janë dhe vikasin po mbrenda shqipes. Për turp, ligji shqiptar i pashkruem i mikpritjes, shkelet kur bahet fjalë për miq nga bota humaniste. Por ndoshta asht normale që kultura e pashkrueme me vlerat e saj, me dështue kur vjen puna te kultura e shkrimit.
Pra pseudointeligencja jonë asht e specializueme jo vetëm në zbukurimin e plehnave, por edhe në importimin e bukurinave për me i transformue në plehna. E gjithë kjo ka bekimin e fondacionit për një shoqëri të zbërthyer.
Nga përvoja e ime në ktë fushë, di ate se bane e prune diçka të bukur, të thrrasin direkt për me të futë në punë në zbukurimin e plehnave. Por siç e thashë, ani! Plehnat janë biznesi i shekullit. Nuk duhet me i thanë jo ktij sektori kaq vital, për ktë fazë të postkapitalizmit të avancuem! Të avancuem deri në skajet e kapitullimit. Dhe kshtu më thirrën edhe mue me përkthye nji Daniele Steel; vuejta 6 muej me nji libër që mund të përkthehet për 2-3 ditë. Titulli “Tradhtia” – ironi e trefishtë, mes autorit-botuesit-përkthyesit. Në fund rezultati ishte sakat dhe i papranueshëm. Botuesi e mbajti do kohë, e kaloi nëpër disa redaktorë, në fund vendosi: nuk mund të botohet. Në këtë gjendje që është nuk mund të botohet. Fajin de jure ia la autores: e ka shkruar vetë! De facto e hangra unë: përkthimi nuk botohet, pra nuk paguhet. Hera e parë dhe e fundit që baj kso kompromisesh për lek. Ironia, e trefishtë – Autorja tradhton vedin: në kulmin e famës ajo provon me e shkrue vetë librin (nuk ia beson si gjithmonë 36 editorve të saj); në kulmin e fuqisë industriale botuesi i saj amerikan, pranon me e botue n’at gjendje (i pandjekun nga botuesit e tjerë të gjuhëve të mdhaja ktë herë); nel mezzo del cammin të jetës profesionale, përkthyesi tradhton vedin tue përkthye ktë paçavure.
Bashkëudhtarë! Në kjoftë se ju ftojnë për merita të veçanta me bashkëpunue te industria e zbukurimit të plehnave, mos harroni, mund të mos paguheni!! Dhe era e plehnave s’ka me ju shqitë nga flegrat për shum kohë. Nse e bani kte për me luftue energjitë e tepërta, pra me humbë njifije energji, mos harroni se energjia nuk shpenzohet në gjana ku nuk ka lëvizje.
Industria e plehave nuk asht pra as e re, as e panjoftun për ne. E gjitha kjo ka përmasa epike, mitike kisha me thanë.
Prandej, edhe në ktë rast na vjen në ndihmë nji paralelizëm mitologjik. Nga 12 mundimet e Herkulit, që ne bashkëfshatarët e tij etnikë kajherë e quejmë me përkëdheli Hekruli, ma shqiptari më duket miti i stallave.
Herkuli pastron stallat. Diku në nji vis pellazg të quejtun Elidha, rrnojte nji mbret që kishte 1000 qé, Augjeu, dhe ky Augjeu kishte 30 vjet pa vu dorë me i pastru’ stallat. Kshtu plehu kishte arritë nivele pellazgjike. Pellazgu s’e vriste shum mendjen. Herët e vonë zotat kishin me i nisë nji tjetër pellazg që mund t’i kryente at punë. Nji sfidë iu lshue Herkulit, kundrejt nji shpërblimi. Herkuli pranoi. Ma shum për sedër, se për shpërblim. Herkuli përdori nji stratagjem prej Uliksi. Tregoi se pavarsisht forcës, nuk ishte ma i trashi ndër pellazgët, dhe fundi i fundit ishte gjysë-hyjni. I ndrroi rrjedhën dy lumejve, që vërshuen furishëm në atë lugajë dhe e shkulën krejt plehun tue e dyndë e shpërnda tjetërkund. Tue plehnue edhe tokat ma andej.
Duhet pra nji Herkul për me pastrue plehun 30-vjeçar të stallave të gjuhës shqipe.  Dy lumenjtë janë gegnishtja dhe toskërishtja.

lunedì, settembre 19, 2016

How the Doors can save your life


Isha tu u kthy prej Tiranet mbas mesnatet. Kjeshë nisë në zheg për aty, me shmangë trafikun dhe trafikantat. Kur mrrita isha i lodhun, dhe ma i lodhun tash në kthim. Ora 1 mbas mesnate. Sytë, që s'shohin mirë as ditën me diell, natën kapitullojnë. Mendja fut në përdorim backupin. Përllogaritë matrica; dekripton algoritmin e vendndodhjes pa adresë. Grahja pothuejse përmendsh. Për ma tepër, anipse pse gusht, at natë kishte ra mjegull. Kasetofonin e kisha zhgulë qysh kur radio ishte ba televizive. Imazhet verbale të saj, po aq të neveritshme dhe kakofonike sa televizivet. Me të kalue Kamzën ku tek tuk shtyllat edhe bajnë dritë hyna në mjegullën e ultsinës së mbjellun me shpia. Për ma tepër kisha nja nji vit pa u ngi me gjumë. E kshtu, po mendojsha përgjumshëm dermanin. Nji kafe te nji pikë karburanti, s'kishte me qenë keq. Shokët ishin tu m'pritë te nji oborr i mshehun n'Gjuhadol, me nji raki marakut. Duhet të ishin dejë tashma. Mu m'kishte dejë etja për gjumë. Ia dal, ia dal... kam përvojën e duhun, autonominë e duhun. Yeah keep your eyes on the road and your hands upon the wheel... Yeah we're goin' to the Roadhouse and gonna have a real... good time... Në Fushë-Krujë isha tu i kërku me za t'naltë zonjës prej hini me dorzue votat... Ashen Lady give up your vows... Save our city! right now!
Mandej u donte edhe nji dorë muhabet fluturak me femnën prej qytetit t'engjujve... si e diele mbrama që ishte... L.A. woman sunday afternoon... drived to your suburbs, into your blues... Kjo më zgjoi thuejse krejt... çar magjiet ka nata, me tu dukë Kurbini si Los Angeles... mjafton muzika e duhun... dhe mbulimi i dyfishtë me mjegull e me natë... kur pashë që e kisha kapë Lezhën, u ndiva ma i ftilluem dhe kalova te baladat ma t'buta She lives on love street... she has a house and garden... I'd like to see what happens... N'Beltojë kisha kapë baladën Crystal Ship, nji nga ma t'preferuemet e mia. Te harku i Bërdicës fillova me Soft parade i bindun se pa e mbarue kangën, që asht e gjatë dhe me dashtë me i ra shkurt mund të tjerret edhe ma gjatë, se pa mbarue balada kisha me kenë te oborri me shpresë se do t'kishte mbetë nji pikë prej asaj rakisë së marakut të cilës mjafton me i marrë erë për me tu pastru balli prej stogjeve të smogjeve. Dhe e gjeta azilin e butë dhe kishte teprue nji gotë e gjysë, gati dy gota prej rakisë... Can you find me soft asylum I can't make it anymore... the man is at the door...
Për veshë të tjerë për momente tjera ka grupe të tjera, nuk janë edhe aq shum sa mund të duken... por në nji moment t'caktuem, të gjithë më venë në gjumë. Me përjashtim të grupit The Doors... prej kangës së parë tek e fundit.
Vetëm ideja e infinitit e mban shpirtin gjallë.
Formulën e pagzimit e ka lanë William Blake:
If the doors of perception were cleansed every thing would appear to man as it is, Infinite

venerdì, luglio 01, 2016

Çka përfaqson tantrizmi për qytetnimin modern perëndimor*

Julius Evola

 

Çka përfaqson tantrizmi për qytetnimin modern perëndimor*

("What Tantrism means to Modern Western Civilization": "East and West", I, 1, f. 28-32, botue në Prill 1950.)

[marrun prej librit Oriente e Occidente, La Queste, 1984]


Nji nga karakteristikat e doktrinës hindu, siç mund të përshfaqet në mnyrë të përgjithshme te Tantrizmi, qendron në pohimin prej saj se ofron nji formulim të përgjithshëm të doktrinës tradicionale që asht e vetmja e përshtatshme për epokën e fundit të ciklit të tashëm, pra Kali-yuga-n. Pavarsisht randsisë së tij, Tantrizmi pak njihej në Perëndim deri para do kohësh. Pohohet se msimet, ritet dhe disiplinat që mund t'i vinin përshtat kohës së kryehershme (Satya-yuga [barazvlen me "kohën e arit" hesiodiane]) kanë prâjtë se qeni për njerzimin e gjallë në epokat e mandejshme dhe janë edhe ma pak [n'kohën e mbrame], në "kohën e errtë" [(Kali-yuga)]. Prandej nji njerzim i tillë, jo tek Vedat a në tekstet e tjera ngushtazi tradicional, por tek Tantrat dhe tek Âgamat – pohohet – mundet me gjetë njohunitë [botëkuptimin, ritet] dhe praktikat efikase të ekzistencës së kushtëzueme që i mundësojnë me arritë qëllimin epran të nierit: lirimin prej çdo formet. Kshtu, shpesh, Tantrat paraqiten si nji "Vedë e pestë", si nji zbulesë e matejshme gjegjëse me fazën e tashme të shfaqjes. Ata deklarojnë për ma tepër se ritualet e maparshme janë ba të paefektshëm sakur nji "gjarpën i hekun helmi", për arsye se cilsimi mbizotnues (adhikâra) i nierit ka psue nji ndryshim të tansishëm1.

* * *

Historikisht, Tantrizmi lidhet me nji revolucion karakteristik që filloi n'Indi kah gjysma e mijëvjetshit të parë p.K. Tue fillue prej asaj kohe, disa figura hyjnore femnore – Shakti – fituen nji randsi gjithnji e ma të madhe, tue shoqnue hyjnitë hindu që në periudhën ariane dukeshin të izolueme, dhe, në shum raste, fituen edhe nji vend të dorës së parë kundrejt tyne. Shaktismi asht nji nga aspektet kryesore të Tantrizmit.
Mirpo, prej nji pikëpamje metafizike, "çifti hyjnor" asht simbol i dy aspekteve kryesore të çdo parimi kozmik: hyjnia mashkullore përfaqson aspektin e pandryshueshëm dhe përtejsor dhe ajo femnore përfaqëson fuqinë, forcën, energjinë e shpërfaqjes dhe, në njifarë kuptimi, dhe aspektin e saj aktiv dhe himanent. Prandej, shfaqja e Shaktizmit në botën e hershme indo-ariane, pos formave të veta popullore dhe përkushtimore, asht tregues "barometrik" i ndryshimit tek besimet. Na thotë sesi, krahasuem me ndërgjegjen e maparshme të nierit që thelbsisht prihej kah bota e qenies, aspekti "shpërfaqje" dhe "veprim" i hyjnisë u ndie ma drejtpërdrejtë dhe mori randsi të veçantë3.
Mirpo, asht jashtë dyshimi se te kjo ne kemi njiherit edhe karakterin bazik të qytetnimit modern perëndimor, tek i cili himanentizëm asht fjala çils. Për ma tepër, domethania kryesore e fjalës Shakti asht: aftësi me veprue, autoritet dhe fuqi. Tantrizmi spekullativ e koncepton botën, jetën dhe nierin ekzistues thelbsisht si njifarë fuqie. Ai flet për nji Brahman aktiv, Mâyâ (è ricondotta) te Mâyâ-Shakti, që nuk don me thanë ma iluzion kozmik, por në të kundërt "shpërfaqje e esencës që përbahet prej vullnetit Icchâmâyî. Nga ana tjetër, Kâlî (nji barazvlerës i Shakti), qi simbas Tantave tek Kali-yuga "asht plotsisht e zgjueme", i shpërfaq aspektet e veta demoniake, të shprangosuna dhe të egra. A s'ka mundsi që kundërgjegjësja e tyne në botën moderne të jetë gjithçka që mund ta kallzojë shpërthimin e forcave irracionale elementare, nji "telurizëm" dhe nji demon i rrymave kolektiviste që, tekembramja, zbulohen si vetë fryma e botës së teknikës, teksa kundërgjegjësja e tyne realizohet nga feja e adhmënisë, nga teoritë "vitaliste, dhe nga zbulimi i fytyrës instinktive-të pavetëdijshme, natore të shpirtit?"

* * *

Nuk mund të mohohet, se nën këtë aspekt, ka tema të konceptimit tantrik që mton me veprue si pasqyrë ndaj qytetnimit modern në format e veta ma të guximshme dhe problematike. Kah ana tjetër, cila pikëpamje mundet me qenë ma tërheqëse për vokacionin e Perëndimit se ajo për shkak të së cilës, simbas De La Vallée Poussin, [te budizmi tantrik, te Vajrayâna,] Absoluti vetë prân se qeni nji përvojë ekstatike për tu ba diçka që ai i cili ka mrritë ndriçimin mundet me rrokë dhe me e zotnue?4.
Te dishepulli, te Siddha dhe te Vîra, Kaula tantrik ekzalton individin që asht epran ndaj çdo çifti të kundërtash, që asht i lirë si nga e keqja si nga e mira dhe ligji i të cilit asht vullneti i tij, (shvecchacarî) tue shkue ksodore shum ma përtej se mbinjieriu i Nietzsches. Tue ndjekë ktë rrugë, asketizmi i tipit damtor zëvendsohet prej teknikave të Hatha-yogas që prihen me i komandue forcat ma të mbrendshme të trupit, sbashkut me nji urtì që shpall me Kulârnava-tantran: "trupi asht tempulli i Zotit, dhe ndërgjegja e gjallë (Jiva) asht Shiva i amshuem (Sadâshiva). Rituali tantrik i msheftë (pancatattva) shpall mosekzistencën e antithezës mes asketizmit dhe shijimit të jetës, mes yogas dhe bhogas. Ai premton zotnimin e njenit dhe tjetrit, tue nënvizue se bota e lirimit asht në ktë botë dhe jo në tjetrën (yoga bhojâte, mokshyate samsârah). Zbatimi i rregullave morale si rite të dukshme, në rrethe të tilla, asht e deklarueme se i përket pashusë, nierit të lidhun, të trashë, që i përngjet shtazës, kurse Tantrizmi premton njohjen ezoterike që liron dhe i thyen tana zinxhirët5.
Mbi kto baza, mund të lindë tundimi me folë për nji Tantrizëm "modern" e mbase "perëndimor". E prapëseprapë tue ba kshtu, nji keqkuptim kishte me dalë me siguri. Përkimet nuk janë t'atilla sa me prekë nji ndryshim themelor te planet dhe primjet. Vetëm tue e pranue ktë ka me qenë e mujtun me pranue se Tantrizmi mundet me ia shenjue rrugën nji elite perëndimore që nuk don me u ba viktimë e atyne përvojavet, teksa i gjithë qytetnimi asht aty aty me u përmbytë sosh.
Në radhë të parë duhet nënvizue se tek Tantrizmi vlerësimi i forcave, të vërtetave dhe cilsimeve që mbisundojnë te Kali-yuga nuk lejon nji nivel të poshtëm, as nuk lejon që e dhana ekzistenciale të mrrijë me u konsiderue si nji instancë e mbrame, dhe aq ma pak (si në rastin e shum prej filozofinave tona himanentiste) si diçka që u dashka me qenë, e u dashka edhe glorifikue. Vlerat që i përkasin realizimit shpirtnor epran, si i pat konceptue tradita e hershme metafizike hindu, mbahen. Problemi aktual i kohës sonë asht me gjetë metodën për me i ba efektive. Kjo metodë, e krahasueme me të drejtë me "kalërimin mbi shpinën e nji tigri", mundet me u përmbledhë te ky parim: "Për me fitue lirinë duhet me futë në punë po ato forca që kanë çue te ramja."

* * *

Për me gjetë rrugën e duhun në ktë kontekst, duhet me mbajtë mend se, në teorinë tantrike të shpërfaqjes, mbisundimi aktual i elementit shanktik në nji fazë të caktueme (faza zbritëse pravrittî-mârga) nuk don me thanë asgja kur krahasohet me parimin e nënrendimit metafizik të Shaktisë ndaj parimit të saj të përkundërt Shiva, Purusha a në cilëndo mnyrë tjetër të quhet "mashkulli i Shkatisë". Në ktë perspektivë gjinden të pranishme pika të caktueme referimi që kanë humbë krejtsisht në vështrimin modern të aktivizmit perëndimor, për të cilin, në njifarë kuptimi, janë e përkundërta. Në fakt gjithçka që asht aksion, dinamizëm dhe divenir, simbas pikëpamjes hindù dhe tantrike, mvesh gjithmonë nji karakter femnor dhe negativ. Në të kundërt, gjithçka që asht permanente, e palvizshme dhe qendrore ka nji karakter mashkullor dhe pozitiv, zotnon dhantinë e dritës dhe qenies, ose, në fjalë të tjera, asht "Zoti i Skeptrit" (vajra-dhâra).
Kjo pikë përcakton nji ndryshim të saktë mes horizonteve moderne dhe atyne që iu tokojnë formave ma të nalta të Tantrizmit. Nse në nji botë moderne asht e mujtun me konstatue nji tejngopje të elementit shaktik, sidomos n'aspektet e tij ma të ulta, materialiste dhe irracionale, kundërgjegjësja shivatike mungon. Kjo e fundit mund të përçanësohet si viriliteti i njimendtë shpirtnor, i lidhun ngusht me vlera, primje dhe shkenca të cilave edhe vetë ideja iu asht humbë në perëndim. Dhe e gjithë kjo, në të kundërt, merret në konsideratën e duhun nga Tantrizmi, dhe jo në skaje spekullimi mirëfilli abstrakt, por si nji realizim. Pra asht e kjartë me pá ç'domethanie mundet me pasë kjo primje për ata që, edhe pse merren si individë në vetvedi, duen me iu vue nji cak forcave që përndryshe nuk do të kishin rezultat tjetër pos zhbamjes.

* * *

Shakti asht baza e jetës tantrike, por metoda qendron në kuptimin e saj me nji intensitet që, në njifarë kuptimi, e ban të vetkonsumueshme dhe e kthen në mjet transformimi dhe shpërfigurimi për nji ndryshim objektiv niveli. Nuk duhet me harrue se karakteristikat kryesore të hyjnive tantrike duhen konsiderue si simbole forcash destruktive, "lakuriqe", të lira prej lidhjesh, eprane kundrejt çdo ligji – Kalî, Durgâ, ose në disa aspekte të sajat, vetë Shiva-Rudra – kanë nji natyrë të tillë sa me qenë njiherësh hyjnitë e transhendencës së kullueme dhe të lirimit të mbrendshëm.
Në lidhje me ktë, nji aspekt "sakrifikal" dhe nji moment "transformues" gjenden në të gjitha metodat tantrike, deri edhe tek ato që ciken me magjinë në kuptimin e ngushtë ose në dëfrimet orgjiastike, shì si nji kornizë e shejtnueme dhe nismimore, ajo asht e pandashme nga çdo metafizikë dhe nga konceptimi tantrik i botës si "fuqi". Kjo përfaqson rishtas nji linjë ndamje dhe asht e lehtë me i kuptue plotsisht kushtet në të cilat ideali perëndimor i afirmimit të Unit dhe i lirisë së tij mundem me i shmangë revolucionet destruktive për të cilat kemi saora do parandjenja të mbrapshta.

* * *

Tue i lanë mënjanë aspektet ma të jashtme dhe materialiste të qytetnimit modern të aksionit, asht e nevojshme tash me konsiderue at që në njifarë kuptimi mundet me u marrë si nji arterie qendrore. Asht primja me glorifikue nierin që filloi gjatë Rilindjes dhe që, përmes idealizmit kritik, racionalizmit etik dhe moraleve "autonome" të imperativit kategorik, ka çue n'ushtrimin e fuqisë së vullnetit të kulluet dhe tek ideali i mbinjieriut. Baza e të tana ktyne primjeve asht ajo me mbetë, në tanësi, mbi nji plan natyralist, individualist dhe intelektual. Ksodore soset në qorrsokak. Po kje se konsiderohet seriozisht, asht e barazvlershme me nji tejngopje të forcës që, falë caqeve të natyrës njerzore, mundet me përfundue vetëm në nji qark të shkurtë, në kolapsin e mbinjeriut në nji demon dhe në varietete të tipit "jam naltësue falë ushtrimeve", kaherë e dënueme prej urtisë së hershme si nji shmangie e rrezikshme prej realizimit të vërtetë shpirtnor.
Atje, kur ndalemi para ktyne pasojave të mbrame, duket kjartë se në Perëndim e vetmja zgjidhje e njohun asht ajo me hekë dorë dhe me i lejue fésë, në aspektet e saj mistike-humanitare dhe në tërheksinë e saj, me u kthye në botë.
Jo ma pak se çdo mësim tjetër me karakter nismues, edhe në Perëndim, Yoga në përgjithsi, por sidomos Yoga që ka nji primje tantrike dhe vajrayânike, na thotë se kjo alternativë mund të kapërcehet dhe se nji rrugëdalje ekziston përnjimend, ani pse – simbas shprehjes Kâthaka-Upanishad – asht si me ecë mbi tehun e briskut. Ajo që Perëndimi duhet të mësojë në ktë fushë, asht se bahet fjalë për nji ndryshim thelbsor dhe ontologjik natyre. Me folë për "mbinjeri" mundet me çue në keqkuptim. Mbinjeriu perëndimor shpreh kufijtë ekstrem ose potencialitetet e llojit njerzor, kurse te Yoga ky asht tranziti nga ky lloj tek nji tjetër, dhe, si qëllim, asht shkëputja nga çdo gjendje e cilsueme, kjoftë ajo njerzore, a hyjnore, të cilin duhet me u sforcue me e mrritë përmes nji teknike pozitive, e konfirmueme nga nji traditë mijëvjeçare dhe që s'ka asgja të përbashkët me nji gjendje demoniake të intelektit dhe me prevarikimet e veçanta të fesë së njieriut materialist.
Prandej afërmendsh se duhet pá ku mbaron rruga dhe ku fillon nji tjetër. Në lidhje pikërisht me Tantrat, ka primje të përbashkëta me vokacionin perëndimor me realizue nji vullnet të pamvarun dhe sovran. Por, në radhë të parë, ky vokacion nuk shfaqet ma si "luciferin" apo "titanik", por mund të quhet "olimpik", nse mbahet mirë parasysh i njejti simbol tantrik ku Shkakti rrok ta paepunin "mashkull hyjnor", të bamë me dritë dhe që mban skeptrin, dhe ajo asht rrezatimi i fuqisë së tij. Së dyti, në ndjekjen e ksaj rruge asht e nevojshme me i ba gjanat seriozisht. Nji kualifikim i jashtëzakonshëm kërkohet. Vëmendja dhe përqendrimi i thukët kërkohen gjithashtu dhe kto nuk kanë asgja të përbashkët me ushtrimet e filozofisë himanentiste dhe vullnetariste dhe, në përgjithsi, me qendrimi të thjeshta mendore. Së treti, iluzionet dhe krenîa e vedit individual, i atij që në termat hindù mund të quhet vedi samsârik, ose vedi i elementeve (bhûtâtmâ) që asht praktikisht i vetmi i njohun nga shumica dërrmuese e Perëndimorve modern, duhen braktisë. Në fakt shkatrrimi i kësaj vedje asht kushti i lirisë së vërtetë dhe i fuqisë së vërtetë, rrjedhimisht ky asht qëllimi i nji numri të madh teknikash Yoga sikurse edhe i atyne tantrike, çka se kto kanë karakter dionisiak dhe orgjiastik6.

* * *

E gjitha kjo, që ka të bajë me Kali-yugan, duhet mbajtë parasysh prej çdo Perëndimori që, ani pse mbetet në të njejtën primje ku forcat mbisunduese të qytetnimit të tij janë zhvillue, dëshiron halà, me mjete virile, me e shtri rrugën drejt sferave ma të nalta që ai ka braktisë me pretekstin e pushtimit të botës. Faktorë të tjerë duhen marrë në konsideratë në mënyrë që të mos lindin iluzione dhe që të kuptohet mirë kontributi i dhanë nga shpirtërimi hindù i llojit Yoga. Sikurse kemi përmendë ma parë, Tantrizmi ndjek sidomos – rrugën e Hatha-Yogas7 dhe kjo duket se përkon rishtas me primjet moderne perëndimore meqense përçmimi i trupit zëvendësohet me idealin e nji zotnimi të plotë mbi të. Por ky zotnim asht i mbrendshëm; përkundër mungesës së kuptimit që i detyrohet disa botimeve të përhapuna në Perëndim, ajo nuk ka asnjë karakter fizik a fiziologjik.
Por udhët që çojnë te trupi e që zanë fill së brendshmi, nga "e imta", dhe përgjatë linjave të së cilës mund të zhvillohen përvojat e mbinatyrshme – sikurse shpjegohet në mësimin që po trajtojmë – paraqesin vështirësi të mëdha për shumicën e perëndimorëve për shkak të proceseve shekullore që kanë nji karakter gati konstitucional. Pjesa e mbrendshme e trupit asht e mbyllun për nierin modern, sikurse për të asht i mbyllun realiteti i jashtëm që lidhet me aspektet që nuk janë thjesht fizike, ndjesore apo hapsinore. Yoga i tregon nierit perëndimor udhën për tu ndjekë me qëllim që shpirti të mundet me e mbisundue trupin dhe – simbas vetë teorisë antike perëndimore të lidhjes mes makrokozmosit dhe mikrokozmosit – me zbulue te trupi i zotnuem ksodore dhe i bamë i vetdijshëm, burimin e fuqive të jashtëzakonshme. Mbetet, gjithsesi, me u pá në ç'masë secili mundet me e ndjekë ktë rrugë dhe me fitue nji njohje reale të ktyne proceseve.
Pika e fundit me u marrë në konsideratë në mënyrë të veçantë, ngaqë përgjithsisht keqinterpretohet në botimet perëndimore, asht ajo se do t'ishte e vështirë me lanë mbas dore, në realizime të këtij lloji, transmetimin e «ndikimeve» të caktueme, të nji karakteri spiritual dhe mbiindividual, të kryeme nga organizata nismimore të rregullta. Pikërisht si rastet e qarkut të shkurtë, të përmenduna ma sipër, mund të shkaktohen nga himanenca dhe nga vullneti, duhet nënvizue vështirësia e individit me kapërcye vetvedin, përpos rastesh të veçanta të marra në konsideratë, përkundrejt fantazive të nji vetafirmimi zhgënjyes. Duhet të ndërmendim sesi studiuesi ma i madh në Evropë i tantrizmit, Sir John Woodroffe, na tha se ai nuk mund t'i pranonte kushtet e përgjithshme që i kërkoheshin për me hy në lidhje me organizata tantrike nismimore për ndonji gja ma shum sesa plani i thjeshtë doktrinor.

* * *

Në përfundim, ajo që kemi vu ma parë në dukje ktu gjen konfirmim. Kah njena anë pra ka nji gjegjësi mes disa ideve tantrike themelore dhe disa primjeve mbisunduese të shpirtit modern, për shkak të të cilave mund të vihet re seriozisht njifarë baze në pretendimin e Tantrave me paraqitë nji ide të përshtatshme me epokën e mbrame, pra me kohët e tashme. Kah ana tjetër ekziston nji vijë shenjimi e mirëpërcaktueme mes dy domejneve, për të cilat nuk i kursyem mundimet që t'i parashtrojshim. Aftësia me i tejkalue kto vija në disa mendje perëndimore tepër të kualifikueme, i gjegjet në masën në të cilën ato mund t'i qendrojnë besnike udhës kryesore të ndjekun nga qytetnimi përkatës pa u drejtue, për ktë shkak, drejt ndoj krize pa zgjidhje. Kto mund ta kthejë, të paktën për hesap vetjak, nji helm të fuqishëm në nji medikament të shëndetshëm; forcën që ka prodhue ramjen, në nji forcë që ngjall nji ringjallje dhe ban pjesëmarrës bashkë me të tjerët tek diçka eprane dhe shkëndritëse, përtej atyne fuqive pa qendër dhe pa perspektiva që i tokojnë epokës së errtë.


1 Në lidhje me ktë, shih për shembull: «Mahânirvâna-tantra, I,19; II, 7, 14; Târâpradipa», I; Shiva-Chandra, «Tantratattva», përkth. Angl. I A. Avalon, Londër 1914, I, 382 etj. [Tek «Mahânirvâna-tantra» thuhet (propriamente) se mësimi i përshattshëm për epokën e parë (Satya-Yuga) ishte ai i Shruti, ose i Vedave, për të dytën (Treta) ai i Smriti, për të tretën (Dvâpara) ai i Purânave, për të mbramen (Kali-yuga) ai i Tantrave dhe i Âgamave. [Veni oroe se e dyta qyhet e treta dhe e treta quhet dvapara, pra me numrin dy (dva), për shkak se në epokën e dytë harmonia e shpërfaqjeve t'ekzistencës zvogëlohet me nji të tretën, kur n'epokën e tretë virtyti dhe drashtja prej Zotit përgjysmohen. Njiherit epoka e dytë dhe e tretë janë të përkëmbyeshme, meqenëse 4 epoka janë ciklike. shën i përkth.]
2 Për krahasimet mes formulimeve të ndryshme të doktrinës së katër epokave dhe përdorimin e saj në nji metafizikë të përgjithshme të historisë, shih J. Evola: «erhebungëieder die moderne ëelt» Stuttgart, 1935. Pjesa e dytë (= «Revolta kundër botës moderne»].
3 Fakti se nën disa kandpamje, Shaktizmi duhet konsiderue si rigjallnimi i nji nënshtrese arkaike prearjane, nuk e paragjykon aspak interpretimin e naltpërmendun.
4 L. De La Vallée Poussin: Bouddhisme. Études et matériaux, Paris 1989, f. 148.
5 Referimet dhe teksi si ma sipër, shih J. Evola: «Lo Yoga della potenza (Saggio sul Tantra)», Milano 1949, passim.
6 [Në nji tekst orfik-pitagorik të vonë pos katër epokave të shenjueme prej Hesiodit të cilat iu gjegjen yugave hindù, quhet edhe nji epokë e mbrame, e vume nën shenjën e Dionisit. Mirëpo, Dionisi edhe prej të lashtëve konsiderohej si nji hyj i ngjashëm me Shivën, në nji prej aspekteve kryesore të vume në spikamë prej Tantrizmit të Dorës së Majtë.]
7 [Hatha-yoga (në kuptimin tekstual don me thanë yoga-e dhunshme dhe aspak «yoga-fizike») e nënkuptueme si «yoga e fuqisë gjarpnushe», si Kundalinî-yuga e bazueme mbi rizgjimin dhe përdorimin, për «lirimin» e saj, të Shaktisë së parëlindun (latente) në organizmin njerzor, të cilës i bashkëshoqnohet zhvillimi i nji shkencë të tanë që për si objekt «trupësinë ekolute», anatomia dhe fiziologjia hiperfizike e organizmin njerzor në kuadrin e korrespondencave mes nierit dhe botës, mes mikrokozmosit dhe makrokozmosit.]

lunedì, maggio 23, 2016

Restaurimi dhe festa e atij që të do

Ka thanë Herzeni, se “historia nuk kthehet mbrapsht… të tana rivendosjet, të tana restaurimet kanë qenë gjithmonë maskarada”. Dhe i tillë rezulton edhe ky restaurim i bolshevizmit, që gjithsesi shfaq tipare të shfytyrueme, aq sa me u quejtë neobolshevizëm.
Neobolshevizmi realizon nji simbiozë mes bijve të persekutorve dhe bijve të të persekutuemve. Papën, e presin tue varë (kët radhë fotografitë) e të varunve me urdhën të baballarëve të tyne. Njiherit, auktoriteti papal nuk bzan, sikundër nuk rezulton të ketë bza kur ndodhte varja. Asht nji pushtet që rilegjitimon nji tjetër.
Neobolshevizmi ia ka marrë dorën pornografisë. Jo se bolshevizmi shqiptar nuk ishte i tillë, por ndryshonte për shkak të përqendrimit bardhezi të çdo regjie në duert e partisë-shtet. Tash kemi bolshevizëm me ngjyra, neobolshevizëm.
Njiherit teksa bolshevizmi lidhte aleanca për arsye ideologjike, neobolshevizmi e ka tejkalue dimensionin ideologjik, tue qenë gjithëpranues ose gjithçkanganës, mjaft që të ketë logjikën vicioze të kapitalit që qarkullon brenda rrethit vicioz.
Në fillim të viteve ‘90, pavarsisht se në krye të Shqipnisë ishin akoma bolshevikët, pati nji hapje të çuditshme drejt lirisë. Shqipnia nuk ishte ndërtue akoma, dhe ajo ishte koha kur mund të hidheshin themelet. Brezi që mund ta kishte ndryshue paradigmën tue e mbajtë vendin në kushtet e rritjes civile, nuk e filloi at punë, për shkak se filloi punë jashtë vendit. Dhe atëherë bolshevizmi përpunoi dhe futi në veprim programin e restaurimit.
Ky plan parashikonte veç tjerash, që shoqnia shqiptare, të mos ishte thjesht e hapun, por e zbërthyeme. Ka nji mnyrë me e demoralizue, çintegrue dhe shpopullue nji popull, kjo asht mnyra pornokratike, kur pornokracia bahet stil jete. Qëllimi asht i kjartë: Shqipnia nuk duhet të ketë ma popull të vetin. Pornokraci don me thanë pushtet i prostitutave. Qofshin meshkuj a femna. Kah ana tjetër, demokraci don me thanë pushtet i popullit. Pra, mënyra ma e mirë për me e kalue sistemin nga demokraci në pornokraci, asht ajo me eliminue popullin. Me e eliminue si subjekt historik, metafizik, botëprodhues, jetësor, pavarësisht se kah ana biologjike vazhdon ta miklojsh, teksa e pranon edhe si klient. Dhe kshtu shqiptarët në çdo sferë të jetës së tyne shqiptare, ndihen klientë në vend të vet; madje klientë në nji treg të pambuluem dhe pa rregulla loje.
Dhe kshtu mjafton mos me i dhanë të drejta sociale: punë, dinjitet, arsim, shëndetsi. Dhe tue lshu dorën kah të drejtat civile me ba koncesione antipopullore: martesën brenda të njëjtit seks, që i hap rrugën edhe shtatzanisë me qira (me pasojë blemjen e fëmijës) e me radhë. Të gjitha kto kanë bekimin e fondacionit për nji shoqni të zbërthyer, pavarësisht se vetë drejtori, sa i takon familjes së tij, nuk asht aq i hapun, madje asht kaq tradicionalist atavik, sa martohet me nji vajzë gjysmë shekulli ma të re.
Lind pyetja: A do ta hanë shqiptarët tekun e radhës? Demoralizimi i gjatë, e ka shndërrue korrupsionin në stil jete. Ka rrezik që shumica e shqiptarëve të Shqipnisë janë tolerantë ndaj korrupsionit, si e vetmja alternativë me shkepë ndoj gja prej publikes.
Njiherit edhe kategoritë e privates dhe publikes në Shqipni janë të ndotuna. Ajo që e prish dialektikën mes tyne, asht kategoria e kolektives. Shteti asht kolektiv. Vota nuk asht as private, as publike: asht kolektive. Te klubi i lagjes lypet vota, dhe qytetarët e falin shoqnisht, tue qenë krejtsisht shpresëhupun se mund të kenë za në shkretëtinën e demokracisë shqiptare. Neobolshevizmi vazhdon me i rrejtë me thasë mielli, si në kohën e Ylli Bufit, që asokohe pat deklarue se kishte edhe 7 ditë bukë dhe populli me humorin e tij bujar e quejti Illi Bifi. Por atëherë kishte popull.
97-a e vrau popullin shqiptar. S’e kishte ba asnji dominimin i huej, as komunizmi s’kishte mujtë deri në fund. Kishte krijue bazat sigurisht. Tue pré lidhjen me tokën (shpronësimi), dhe lidhjen me qiellin (ndalimi i fesë si botëkuptim, jo vetëm i institucioneve fetare), kishte pré lidhjet metafizike të popullit me esencën e vet. Neobolshevizmi, synon edhe shkatërrimin e familjes. Propagandon nji stil jete të bazuem tansisht mbi paren. Vetëm se nuk ka kuptim që ky stil jete t’u lehet trashëgim mbasardhësve, kur shumica absolute e njerëzve nuk kanë me mujtë me iu lanë edhe paret që duhen për me e jetësue at’ stil jete. Tanë misioni konstruktiv i mediave pushtetare asht shkatrrimi i gjuhës, traditës dhe vetë indit popullor shqiptar. Mjafton pra që nji gja të shfaqet dhe ajo pranohet, nuk përban ma skandal. Çdo gja duhet të jetë kronikë e zezë, në mënyrë që njerëzit të mos arrijnë me gjetë frekuenca të tjera në jetë, përpos atyne të zisë spektakolare. Reality show-t janë autopsitë live që i bahen kufomës së popullit. Nji reality show i kangës, asht prova se shqiptarët s’dijnë ma me kndue, nji reality i valles asht prova se shqiptarët s’dijnë ma me kcye, nji reality show i llafeve asht prova se shqiptarët s’dijnë ma me ba as muhabet.
Kah ana tjetër, çdo snob, pretendon se menderja e tij meriton fronin e bashvendit.
Sigurisht edhe ktë primje majmuneske e kemi.
Në ditën botnore të nanës, google vendos nji doodle me kpucë unisex, në vend të papuçeve klasike. Nji shkollë në Torino, anulon “Ditën e nanës”, me pretekstin se u fyeka ndjeshmëria e minoriteteve të devijueme (a thue se nuk janë bij nanash edhe ata?!), dhe tash e mbrapa ka me u quejtë “la festa di chi ti vuole bene”. Nuk mbetet mbrapa edhe LGBT shqiptare. Realizon nji klip, ku dy pjeshka lezbike përkujdesen për nji fmi, dhe diçitura në fund: familja është dashuri dhe përkujdesje. Reklamat bahen për me shitë produkte. D.m.th. kjo lloj familjeje që i shitet publikut, asht produkt. Asht pra produkt dashurie, por në shitje. Dashunia e vërtetë nuk ka nevojë për reklamë. Nji dashni që shitet, quhet prostitucion.
Lufta e tretë botnore asht kjo. Nji luftë për frekuencën e perceptimit. Nji luftë për me arritë me e dominue krejtsisht perceptimin. Globalizimi ka tiparet e nji fashizmi light. Me filtër. Filtri asht si gjithmonë mediatik, i patinuem. Falsifikon gjithçka. Globalizohet vetëm e keqja, të mirat lokalizohen. Restaurimet që bahen te ne janë pjesë e restaurimit të madh të bolshevizmit. Shikjoni restaurimin e kullës së sahatit dhe a nuk ju duket gadi për spot promocional?
Njerëzit nuk duhet të harrojnë se mund të jetohet ndryshe. Duhet të fillojnë ta kapin në dorë seriozisht stilin e tyne të jetës. Ky asht arti kryesor i ditve të sodit. Ka vend për kryevepra. Nuk duhet me ndejtë me duer në xhepa, tue pranue si të mirëqenë nji stil jete të induktuem prej pushtetit hegjemonist globalizues. Fundi i historisë duhet me qenë fillimi i historive të reja të të gjithë popujve.
Të tana restaurimet kanë qenë gjithmonë maskarada. Por maskaradat nuk mund të zgjasin përjetsisht.

giovedì, maggio 05, 2016

Kalifi i fundit

V
Bagdadi

Po e lamë mbretninë e Mosulit dhe po flasim për qytetin e mahnitshëm të Baudakut (Bagdad). Aty ligjërojte dikur kalifi i tanë saraçve, sikurse në Romë asht selia e Papës së të krshtenvet mbarë. E përshkon tejpërmes nji lum i madh (Tigri), që po me e lundrue mundesh me mrritë deri tu deti i Hindivet; dhe tregtarët e kaptojnë me mallnat e tyne: zdrypin përgjatë ujnave deri tu qyteti me emnin Kizi dhe s'andejmi hyjnë në det.
Në gjysë të rrugës ndeshet nji qytet tjetër plot nur, i quejtun Basora; rrethinat e saj janë mbushë me pyje ku pjeken hurmat ma të shijshme në botë.
Në Baudak punohen cohna mndafshi dhe të prarueme, të stolisuna me shtazë e shpezë: asht pa mëdyshtje krahina ma fisnikja dhe ma e madhja ndër shoqet: mjaft me ndërmendë se kalifit iu gjet thesari ma i madh që ka pasë ndojherë njieri i gjallë. Qè shkurtimisht historia: në vjetin e Krishtit 1255 Kani i Madh i Tartarve Alani, vlla i perandorit të sodit, mblodhi nji ushtri të fortë, marshoi në qytet e msyni me njat turr. Kje nji bamë primend e paharrueshme, ngase Baudakun e mbrojshin njiqind mijë kalorës, pa njehë kambsorinë.
Kur Alani zateti si ngadhënjyes në qytetin e nënshtruem, i gjeti si thamë kalifit nji kullë deng me ar, argjaend dhe xhevahire: tue e këqyrë tanë atë bollëk pamasë, mbet bukur i harbitun, dhe at-heran çoi e thirri para vedit kalifin e robnuem dhe e pveti:
- Kalif, pse e kishe mbledhë tanë at thesar?... Çka deshte me ba me të?... A nuk e dijshe se un isha anmiku jot dhe po gatitesha me të ra me ushtri e me t'i zaptue zotnimet?... E n'kjoftë se e dijshe, pse nuk shpenzove spakut nji pjesë të tanë ksaj pasunie të kotë për me rekrutue ma shum kalorsa e kambsor në mprojë të qytetit?
Kalifi nuk u gjegj, dhe pseja asht e thjeshtë: nuk dinte çka me thanë. Alani rrudhi vetllat, u mendue nji grimë, mandej ia pat:
- Kalif, meqë e kuptoj se ti thesarin tand e don ma fort se çdo gja tjetër në dynja, due me ta lanë që ti të ngihesh me të.
Mandej çoi e ngujovi në kullë, pa bukë as ujë; dhe në krye të katër ditve fatziu vdiq midis tanë arit të tina të kotë.
Dhe ky kje i mbrami ndër kalifët e Baudakut.


Marco Polo, Il Milione

lunedì, marzo 28, 2016

21 arsye pse meshkujt perendimorë janë ma xhentil se shqiptarët (dhe pse shqiptaret duhet të lidhen me ta)






  1. Asht provë e xhentilesës së pashterrshme të perendimorëve, fakti se gjithmonë shqiptarët paguejnë.
  2. Perendimorët tue pasë shum ma shumë pare, janë rrjedhimisht shum ma xhentila, për ma tepër që kto pare nuk i kanë ndy duert me i fitue vetë dhe nuk i ndyjnë duert as me i harxhu për ju.
  3. Sepse po tu fik makina, mashkulli perendimor të thrret direkt zjarrfiksen, kurse shqiptari përvjel mangët dhe ta shtyn, si katundar i pandreqshëm që asht.
  4. Sepse me shqiptarin ju mund të humbisni virgjëninë, kurse me perendimorin humbni direkt ndjeshmërinë dhe s'keni ça me humbë ma.
  5. Sepse shqiptari të rrah dhe s'të len me qa, kurse perendimori t'kalon në depresion.
  6. Sepse perendimori asht shum xhentil me kafshët, veç ekosistemin kafshon.
  7. Ju duhet të lidheni me perendimorin se shqiptari e ka kafshën jashtë, kurse perendimori e ka mbrenda, dhe ju s'guxoni me vlersue mbrendinë e tjetrit, kjo asht kaq indiskrete.
  8. Sepse shqiptari fut hundët në punët tueja personale, kurse perendimori fut hundët vetëm në punët e vendit tand.
  9. Ngaqë kur shqiptari t'i fut duert nuk asht tue t'lypë kuletën, kurse perendimorit ia fut duert ti dhe ia gjen mejherë kuletën, por hadje gjeji pin-in mandej.
  10. Sepse me shqiptarin ju nuk mund të ndrroni garderobë kaq shpesh, kurse me perendimorin ju mund të veshni pantallonat sa herë të doni.
  11. Sepse perendimori e ka kthye xhentilesën në institucion. Mos ia merrni për formalitet. Formalitetet të mbajnë në formë.
  12. Sepse perendimori e ka shpikë gjuhën e aparencës dhe në ktë gjuhë juve ju dalin llogaritë, të paktën për sa kohë ju tërhjek aparenca.
  13. Sepse me perendimorin ju bani eksperienca interesante, kurse me shqiptarin përjetime të dhimbshme.
  14. Sepse me perendimorin ndaheni mirë, kurse me shqiptarin do t'ishte ma mirë mos të ishit njoftë.
  15. Sepse perendimori ka takt, kurse shqiptari të prek.
  16. Sepse ma mirë nji perendimor sado-mazo, se nji shqiptar sade.
  17. Sepse perendimori asht ulok, kurse shqiptari asht malok.
  18. Sepse shqiptari asht xheloz provincial, kurse perendimori kozmopolit formal.
  19. Sepse perendimorët edhe kur s'dijnë ma me ba art, bajnë art kontemporan, kurse shqiptarët njohin vetëm artin e luftës.
  20. Sepse pjeshkëria juej ka shum pak treg në Shqipni, dhe shum shum treg në perendim, ku vetrinat ju presin dhe nuk mungojnë bananet.
  21. Sepse shqiptari të kujton cipën, kurse perendimori t'emancipon.

Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)