mercoledì, luglio 12, 2017

Fitorja e Ramës dhe gozhda të tjera

Fitore e Pirros ka mbetë si shprehje prej vetë luftnave që bani Burri në çizme dhe shënjon nji fitore me hak njerzor aq të naltë sa i bjen me vye pothuejse baras me nji humbje. Por nse kjo fitore nuk asht fitore e vërtetë, të paktën lufta ishte e vërtetë dhe me logjikën e Napoleonit “disfatat e sodit na vyejnë për fitoret e motit”. Po fitorja e Ramës çar tip fitorje asht? Fitore e pagueme ka me thanë dikush. Në nji vend ku njerzit blejnë shkollën, blejnë vendin e punës, e pra, blejnë vendin e tyne në shoqni, asht normale që fituesi me ble votën. Korrupsioni asht filozofi jetese. I vetëdijshëm për ktë, Rama e deklaroi fitoren pa fillue numrimi. Fakti që mbas numrimit mandej po fillon me mendue për programin, don me thanë, a fortiriori, se mendon me garantue edhe fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, jo falë realizimit të ndoj premtimi, por prej faktit, se thelbi i programit të tij asht pushteti. Ksodore, Rama, përuron modelin e ri të liderit, që mban premtimin që i ka ba vetes.
Te “Arti i luftës” Sun Cu thotë se lufta në fillim fitohet, mandej luftohet, tue e përmbysë çdo ide apo pseudo-ide demokratike që dikush mundet me pasë mbi luftën, kjoftë ajo spartane apo spontane. Vetëm se Sun Cu nuk thotë kund që fitorja deklarohet mandej korret. Pra, kemi dy lloje fitoresh skajnisht të kundërta: fitoren e Pirros, dhe fitoren simbas Sun Cusë. Pra fitoren e nji prijësi (Pirro, Skenderbeu a të tjerë), dhe fitore e nji Perandori (si Shih Huang Ti, apo Bushët babë e bir). Ku mundemi me e vnue nji fitore të tipit Rama-dy? Sigurisht, ma afër fitores formale, alla Sun Cu, çka e ban tashma Ramën pretendent për perandor.
E vërteta asht, se nuk qeverisemi prej personash, por prej vetë mnyrës sonë të jetesës. Ata që fajsojnë, p.sh., Berluskonin për katrahurën italiane të 30 vjetve të fundit, harrojnë se berluskonizmi si stil jetet nuk u shpik prej tij, por ndoshta plasi sheshit falë tij si stil a mendësi mbisunduese. Stili shqiptar i jetës, asht gjithmonë i ndamë: këtu dhe jashtë. Kjo ndamje ka mbetë funksionale qysh me ramjen e diktaturës. E cila, ç’asht e vërteta, ra për arsye mbikombëtare, ma shum se për shkak të ndonji nisme të mbrendshme të shqiptarëve. Kjo nuk don me thanë që duhet zbehë merita e atyne të rijve e të rejave që e patën në gjak idealin e lirisë. Vetëm se kjo lëvizje u neutralizue pa marrë dimensionin e vet politik, nga vetë nomenklatura e vjetër e transformueme. Në ktë mnyrë, klasa e vjetër e aparatçikve garantoi paprekshmëninë e vet dhe kulti i vjetër i personalitetit të diktatorit, u zëvendsue me kultin e personalitetit të kreut të PD-së, teksa tokëzimin mes dy kulteve e bante kulti i personalitetit të shkrimtarit I. Kadare, i cili, me të ardhë demokracia, u kthye në dimensionin e tij të vërtetë, atë të ndërgjegjes së rrejshme. Por le t’i kthehemi stilit të jetesës.
Publikja dhe privatja nuk kanë pasë ndojherë peshë, rol apo funksion social të përcaktuem kjartë te ne, mija vjet pa shtet tonin. Me shpronsimin total (metafizik, ekonomik, zakonor, deri edhe gjuhësor) të shqiptarëve, komunizmi ynë, arriti me i likuidue të dyja kto kategori të paftillueme, me anë të përvendosjes së kategorisë së kolektives. Ktë kategori, kanë ditë me e shfrytëzue shum mirë, të gjitha polet fiktive të politikës tonë. Ndryshimi psikologjik mes publikes dhe kolektives asht ky: publikja i bindet vetëdijes, kolektivja pavetëdijes. Funksioni i luftës së klasave, nuk ishte me zhdukë klasat, por me zhdukë publiken, tue i mbivendosë nji kolektive parafabrikat. Kjo ndodhi kryekëput në gjuhë.
Për me joshë nënvetëdijen kolektive, asgja s’ban ma shum punë se nji kult personaliteti. Kemi aktualisht kultin e vazhduem të personalitetit të Kadaresë, të cilit për së gjalli i kushtojnë institute dhe çmime, çka nuk ndodh me asnji shkrimtar në perëndim apo lindje, ngase asnjeni nuk asht aq koniunktural sa ai. Ky asht kulti-kolant, kulti-tutkall që shërben me ngjitë kultin-piedestal, atë të udhëheqësit, i cili në këtë rast asht Rama. Por teksa Berisha a Kadareja shfrytëzojshin boshllëkun publik me e mbajtë në spikamë kultin e tyne, pa qenë të gatshëm me nxjerrë gja prej xhepit, Rama asht i vetmi që shpenzon pare, për me mbajtë kultin e tij, dhe kryesisht kto shpenzime i ban me mediat e hueja, me muzeumet e artit kontemporan (oksimoron i pastër: edhe art, edhe kontemporan nuk ka se si); me konferencierët, me zarf-pagesat që ju jep figurave të riciklueme si laburisti T. Kjo e ban njiherit ma mondan dhe ma pak koprac se paraardhësit. Të paktën asht xhymert me paret e popullit. Në njifarë mnyre, kto investime, e bindin nënvetëdijen kolektive, dhe për me marrë votën mandej, mjafton nji investim i vogël në tregun e mbrendshëm të sovranitetit. Falë ktyne investimeve që ban “jashtë”, Rama fiton edhe virilitet diplomatik, dhe ngaqë ka kuptue se edhe politikanët perendimuer janë të bleshëm, jo vetëm trash zanin me kojshitë, porse kërcënon deri edhe shtetin amerikan, se në rast të zgjedhjes së Trumpit, ai dhe shteti që ai drejton, kanë me i ndërpré marrëdhaniet me Amerikën. Edhe qytetnim alien me qenë, në kjoftë se don me pasë punë me ktë planet, marrëdhaniet me Amerikën duhen të parat, besoj. Don apo s’don ti. Delir i çastit, apo reminishencë e xhaxhit?! Harron kah ana tjetër, se në sofrat ndërkombtare, ku derrat janë me të vërtetë të egër, ai ka me qenë gjithmonë nji derr i butë, nji gic, dhe se tek ai, a kushdo kjoftë në vend të tij, pushtetet e vërteta kanë me pa’ gjithmonë indigjenin. Rrezikon si te Eyes Wide Shut, mos me ditë fjalëkalimin për të dalë, dhe i rroftë gjysma e 100-dollarshit mandej dhe taksisti që e pret jashtë. Harron se te orgjia masonerike, atij maksimumi mund t’i jepet ndoj rol onanist. Harron se në thelb, veç shqiptarët ka.
Me justifikue trafikun e milardave, kryeministri Rama, thotë në mnyrë të përsëritun se: po bëj shtet. D.m.th. ai po e pastron administratën nga nepotizmi, nga korrupsioni e me radhë. Nuk la shurrufull pa futë në administratë. Dhe falë ksaj, po konsolidoka strukturën e shtetit, çdo do t’i pruka dobi brezave në vazhdim. Por po ta shohim me kujdes, nocioni i shtetit që ka Edvini nuk asht hiç i largët nga nocioni i shtetit që kishin në komunizëm. Pra, nji shtet, ku sovrani asht i përjashtuem. Pra, nse shteti që ndërtuen bolshevikët ishte haptazi antidemokratik, ky që po ndërton neo-bolshevizma asht maspakut a-demokratik. Krenimi i tij kryesor asht policia e shtetit, të cilën e mori institucion të nëpërkambun dhe e bani institucionin ma të sertë. Se si mund të kryhet kjo, pa shkollimin profesional të efektivave të saj, veç ai e din. Mbas t’bames së policisë së shtetit, a thue po ia kande me ba shtetin policor? Ka dhanë shenja të kjarta edhe për ktë. Po për kë po e ndërtoka shtetin, kur shumica e shqiptarëve duen me ikë prej Shqipniet? Dhe kjo ndërkohë që ai, pa pikë turpi, kumton kthimin e emigrantave si pjesë programatike e politikës socialiste. Kah ana tjetër si socialist, nuk mund të mos krenohet me mungesën e sindikatave.
Pa mbajtje ane, mund të thomi se në mandatin e fundit të PD-së, të paktën azilkërkimi nuk ishte në nivelet e plagës sociale. Por pavarsisht të mirave që ndodhën nën regjinë e PD-së në mandatin e fundit, pikërisht n’ato vite, PS dhe LSI vunë atë pasuni që sot i lejon jo vetëm me ble votat në vazhdim, por ju jep edhe arrogancën me marrë edhe simbolet. D.m.th. kriza e vërtetë asht se PD-ja nuk funksionon ma as në nivel simbolik, nivel i cili, në fakt asht ma i randsishmi, mbrenda dhe jashtë politikës.
Mbasi asht punue mirë me kolektiven, tue shantazhue fisin a klanin që ky ta shesë sovranitetin a thue se i tokon atij dhe jo popullit-sovran, çashtja e vazhdimsisë së pushtetit va da sé. Fundi i fundit, ato dy aspra që janë harxhue me ble fitoren, mund të rekuperohen dhe shumfishohen, falë përfitimeve të kohëzgjatjes së mandatit të ri. Në ktë logjikë, i bjen që PD-ja, e cila nuk paska hedhë kokërr leku me ble vota, jo vetëm s’i ka fitue me meritë ato vota që ka marrë, por i ka dhe qyl. Me nji performancë aq mediokre, edhe tepër i ka. Pra, jo vetëm që nuk kemi humbje të PD-së, por kemi fitore edhe të PD-së. Ndërkohë, falë manovrave nënparlamentare LSI-ja arriti me e ruejtë pozicionin e saj kërthizor në politikën e Tiranës dhe varet tashti prej manovrave parlamentare e mbiparlamentare, ku ka me zatetë për me mjelë lopën e tranzicionit shqiptar. Pra edhe LSI-ja ka fitue. Mirëpo te fitorja – victoria, asht e nënkuptueme që me pasë edhe të humbun – victis, që jep edhe ma së drejti në shqip, viktimën. At-herë meqë klasa politike fitoi e gjitha, kush humbi? Humbën partitë e vogla, por ata kanë luksin që nuk ekzistojnë, prandej s’patën si me humbë. At-hera i bjen që i vetmi që humbi në kto zgjedhje ishte populli. I falet, për shkak se ai nuk asht sovran.

Nessun commento: