mercoledì, gennaio 06, 2021

 Fragmente prej apokalipsit kelt
(ose Poema e mjerimit e fundit të botës)



Kam me pa’ nji botë të pashpirt
verë pa lule,
lopë pa tamël,
gra pa erz,
burra pa burrni,
pushtime pa kund mbret,
druj pa pemë,
detna pa jetë,

pleqnia kah jep mend pa besë,
vendime gjyqesh pa drejtësi,
secili nier ka me tradhëtue,
çdo djalë i ri ka me qenë hajn,
biri ka me hy në shtat të babës,
baba ka me hy në shtrat të t’birt,
sekush ka me pasë kunat vëllaun.

Nji kohë pa besë,
biri ka me premun në besë të atin,
bija ka me premun në besë të amën.


* * *


Në të vërtetë, kam lajme të zeza.
Kanë me ardhë kohna të pabesa; krenët kanë me qenë të shumtë,
të pakta nderet;
të gjallët kanë me i dhunue vendimet e tyne të pacen.
Gjaja e gjallë e botës ka me qenë shterpë;
burrat kanë me i ra mohit thjeshtësisë;
kampionët e kryezotave kanë me iu dalë para,
burrat kanë me qenë të ligj;
mbretat të paktë në numër;
uzurpuesit të shumtë;
qortimet kanë me qenë pa numër; sekush ka me qenë gjytyrym;
kerrat kanë me u capërlye ndër gara;
anmiqtë kanë me e çue dam pllajën e Niallit;
e vërteta s'ka me qenë ma dorëzanë e shkëlqesisë.
Shtigjet rreth vendeve të shejta, s'ka me ditë me i gjetë ma kush,
çdo art ka me qenë tallje;
e përzgjedhun ka me qenë çdo rrenë.
Sekush ka me dalë prej dukjes së vet, fodull dhe i krekosun,
aq sa s'ka me nderue ma kush as derë as moshë as fis,
as art dhe as arsim.
Çdo burrë i zoti ka me u shtypë
çdo mbret ka me qenë i mjerë; i përçmuem çdo fisnik,
çdo fundërrinë ka me u çue përpjetë, aqsa askush s'ka me dashtë ma
mbret as nier.

Ligji ka me u shkatërrue,
hi kanë me u bamun dorovítë.

[...]
Mosmikpritja ka me i farue lulet;
pemët kanë me ra nën vendimet pa ligj;
rruga ka me u ba e padukshme për të gjithë.
Qentë kanë me kafshue trupat,
aqsa sekush [...?...] të vetët për poshtërsi,
kopracì e pabukësi.

Në të sosun të botës së mbrame, ka me pasë nji strehë
për kopracinë dhe pabukësinë.
Sherre pa fund do t'lindin mes artistash;
sekush ka me pague nji satir me satirizue
në të mirë të vet;
sekush ka me i imponue tjetrit cakun e vet.
Tradhëtia ka me e pasë shpinë në çdo kodër,
aq sa as shtrati as besa s'kanë me qenë mburojë;
gjithkush ka me ia ba të zezën mikut, vllau vllaun ka me pré në besë;
sekush ka me gjymtue shokun e gotës a të gostisë,
aqsa s'ma me pasë ma as log, as nder, as shpirt.
Kopracat kanë me ia nxi jetën shoqi shoqit për shkak të numrit të tyne;
uzurpuesat kanë me shpotitë sho-shoqin me stuhina lemerie;
familjet e mdhaja kanë me u përmbysë;
[...]
të urtët kanë me qenë të përçmuem;
muzika ka me u ba e përdalë;
luftëtari ka me u ba murg e dhjak;
urtësia ka me u ba kuvend i padrejtësisë;
[...]
çdo dashni ka me qenë kunorëshkelun.

Kanë me dalë sheshit, të pakufishme, fodulleku e kryeneçësia
në t'birtë e fundërrisë dhe të maskarejve.

Kanë me ardhë, pa masë, kopracia, mosmikpritja dhe zija e bukës në shpijat e zotnive,
aq sa poemat e tyne kanë me qenë të zeza.
Të marrët dhe prostitutat kanë me qenë shegerta në artit e qendisjes,
aq sa kanë me arritë me veshë petka të dala boje;
kampionë të paburrni kanë me ia behë pranë mbretënve dhe kryezotave;
mosmirënjohja dhe ligësia kanë me u strehue në çdo shpirt,
aq sa asnji shërbyes asnji shërbyese s'kanë me ia vu ma veshin
lutjeve të tuathas së tyne, as mendimeve;
[...]
Secili ka me e shkatarrue artin e vet në doktrinë të pafé zgjuarsie të rrejshme
me u orvatë me ia kalue mjeshtrit, aqsa ma i riu ka me dashtë me ndjejtë
i ulun kurse ma i vjetri ka me ndejtë në kambë pranë tij;
kur as mbret as kryezot
s'kanë me pasë turp me shkue me pi dhe me hangër bashkë me shërbëtorin;
kur nji i ardhun s'ka me pasë ma marre me hangër mbasi ia ka mbyllë
derën në ftyrë artistit që shet nder e shpirt
për nji pëlhurë dhe për nji copë bukë;
aqsa secili ka me ia drejtue ftyrën kundër gjitonit
ndërsa han e pin; kur zilia ka me i mbushë të gjithë njerzit;
kur burri krenar ka me shitë nderin e vet
dhe shpirtin e vet me çmimin e nji skrupulli.
Thjeshtësia ka me u mohue; populli ka me u vu në lojë;
kryezotat kanë me u farue;
rangjet kanë me u përçmue; e diela s'ka me u respektue;
arti i letrave ka me u harrue; poetët kanë me mbëtë pa fjalë.
Drejtësia ka me u përmbysë; vendime të rrejshme kanë me u shfaqë te uzurpatorët
e botës së mbrame; pemët do të digjen, me të çelë,
prej nji trume të huejsh dhe njerzish kot;
në çdo vend ka me pasë nji sasi njerzish pa numër.
Vendet kanë me u shtri deri mbi male.
Çdo pyll ka me u ba pllajë; çdo pllajë ka me u ba pyll.
Secili ka me u ba skllav, bashkë me familjen.
Mandej, kanë me ardhë shum sëmundje të tmerrshme, stuhina të paprituna
dhe të frikshme me shira drujsh.
Dimni ka me pasë gjethe; vera ka me qenë e errët
vjeshta ka me qenë pa t'korra, prendvera pa lule.
Nji zi buke vdekjepruse ka me pllakosë.
Sëmundjet kanë me dhetue tufat e gjasë së gjallë:
marramendje, dobësim, edemë, murtajë, ejtje, ethe.
Zbulime pa hajr, skuta pa thesar,
plangje të mëdhaja pa njerz; zhdukje e kampionëve, mungesë drithnash,
shamje, përbetime zemërake, nji vdekje prej tri ditësh dhe dy netësh për dy të tretat e njerzve;
nji e treta e ktyne plagëve mbi kafshët e deteve dhe të pyjeve.
Mandej tash vijnë shtatë vjet ankime;
të huejt kanë me shkatarrue pllajën e Irlandës;
burrat kanë me iu shërbye burrave.
Luftimet kanë me nxi përreth Cnamchaillit;
[...]
bijat kanë me iu lindë bij etënve të tyne;
beteja ka me pasë rreth çdo vendi me namë;
ka me mbretnue shkretimi në rrafshnaltat e Ujdhesës së Lëndinave.
Deti ka me përmbytë çdo tokë, edhe strehat e Tokës së Premtueme.
Irlanda tash braktiset shtatë vjet para gjykimit;
ka me pasë zi mbas plojave.
[...]
Në çdo tuath kanë me u lindë përbindsha;
kënetat kanë me u kthye kundër lumejve;
landa ka me marrë ngjyrën e arit;
uji ka me marrë shijen e venës;
malet kanë me u ba fusha me lule.
Nji roj bletësh kanë me mizërue ndër male;
baticat kanë me u thye mbi plazhe
nji ditë po dhe nji ditë jo.
Mandej tash vijnë shtatë vite të zeza;
dritat e qiellit kanë me u mblue;
në sosjes e botës, kanë me e dëshmue gjykimin;
gjykimin e madh, bir, me lajme të mdhaja, lajme të kobshme, nji kohë pa besë.










































 



 





domenica, luglio 26, 2020

Nji Borges që nuk u verbue kurrë


Me Moikomin na bashkonte fakti se ishim dy prej shqiptarëve ma t’lexuem n’qarkullim. Në tavolinën e tij nuk mungonte kurrë rakia e mirë, kafja, duhani dhe kultura. Ishte njeri bujar. Ta jepte librin, nuk ta vidhte. Do të thoni ju pse nuk harxhoi ma shum kohë me luftue krimin, po ku ka kohë nji njeri që lexon nji libër në ditë, që për ma tepër punon me mbajtë familjen dhe i vjedh kohë kohës për me shkrue për pasion.
Kur flisnim për libra, rrallë m’lente me folë, edhe kur bahej fjalë për Borgesin e përkthyem prej meje. Imagjinoja me çfarë shpejtësie të rrufeshme e kishte përvetsue ai, kur kjenë botue Inkuizionet e tjera në 2005n. Kjo nuk tregon se ishte posesiv me librin, tregon thjesht ndjeshmërinë urgjente t’atij që don me dashurue prapë. Vetëm njiherë arrita me ia marrë fjalën, kur i fola për Evgenij Zamjatinin. U knaq dhe u befasue që e njihja. Si Borgesi, edhe ai nuk mburrej për librat që kishte shkrue, por për ata që kishte lexue.
Nji dashni e sinqertë e lidhte me dy shkodranë, Fred Rreshpjen dhe Skender Drinin. S’e ndieva kurrë njiherë tue folë keq për dikend, shêj ky i higjienës së tij mendore. Për poeteshat tona kishte fjalët ma t’mira, por thoshte (njiherë që po rrinim bashkë me Skenderin), më duket se s’kanë gjoks? A ka filanka gjoks, Skender? Dhe Skenderi ia ktheu: nuk e di, do ta pyes.
Kur vdiq Skenderi, i nisa nji shkrim temin për te, më përgëzoi, dhe më tha se Skenderi meritonte ma shum. Tashti po shkruej për Moikomin, dhe e di se edhe ai meriton ma shum.
Nji pjesë e kohortave të shpartallueme të lidhjes së shkrimtarëve e shpotisnin mbas shpine, për prejardhjen e tij komuniste apo për erudicionin remix. Por mbas fluturimeve të tij pindarike, ai nuk kthehej kurrë i lodhun, por i ripërtëritun.
Shkrimet e tija janë nji mozaik tipik postmodern, ku llamburin drita e çmendun e letrave të sotme shqipe.
Më thoshte se ishte martue shum i ri, 29 vjeç.
Kush martohet i ri, vdes i ri, por jeton përgjithmonë.
 
Lamtumirë, komunisti im!

venerdì, aprile 10, 2020

A jemi (të lirë)?*

Në kulturën tonë dualiste perëndimore, për me njoftë diçka, duhet më lypë me mend të kundërtën e saj.
E kundërta e lirisë asht sot burgu, kurse dikur ishte skllavnia.
Sot lindim teorikisht të gjithë të lirë.
I burgosuni e din që s’asht i lirë. Prandej, i liri duhet ta dijë se nuk asht i burgosun.
Veçse kjo kajherë i duhet kujtue, sikurse i duhet kujtue të riut se nuk asht plak.
Liria asht gjithmonë e kufizueme. Në kohë dhe në hapsinë. Në kohë, sepse ne jemi të vdekshëm; në hapsinë, sepse siç thotë anglezi, kahdo të shkoj s’kam me dalë kurrë prej ndjesive të mia. Dalja prej vetes, ekstaza platonike, asht nji lloj fluturimi, edhe ky i kufizuem në kohë dhe në hapsinë.
Dy koordinatat e njeriut të lirë janë koha dhe hapsina. Por njeriu lind rob, dhe njeriu i mirë në shqip quhet “rob Zoti”, pra krijesa në paqë me krijuesin. Asht me thanë se cilado kjoftë kondita jote sekulare, shpirti jot asht në dorë të Zotit. Mirëpo paqja jonë me vedin asht edhe në dorën tonë.
Pavarësisht pasionit tem të sinqertë për etimologjinë, nuk e kam gjetë halà rrajën e fjalës liria, që në fakt asht nji ndër fjalët kyçe të krejt shqipes. Ka gjuhë që nuk e kanë si p.sh. gjuhët e indianëve të Amerikës, dhe në fakt nuk iu hynte në punë deri ditën kur gjenovezi Kristofor Kolombi iu shkeli në derë. Lëkurëkuqat jetonin në paqe me natyrën dhe të mbinatyrshmen, mirëpo liria asht koncept politik.
Ajo që kam qëmtue ka qenë etimologjia e fjalës puna, tjetër koncept mirëfilli politik, dhe në të gjitha gjuhët ku e kam kërkue, asht e lidhun me dënimin. Në helenisht, ponos, asht po e njejta që jep pena në latinisht, pra dënim. Po kshtu travail e frangishtes asht travaglio e italishtes, nji fjalë që dikur e pat fut Ndre Mjeda edhe në shqipen e lavrueme. Kjo lidhet me faktin, se në botën klasike, puna ishte detyrë e skllevënve. Njerzit e lirë nuk punonin. Pra njeriu i lirë asht i papunë. Ende sot kur të pushojnë prej punet, të thonë “sei licenziato” pra “je i liruem” “ke leje me kenë i lirë” - you’re free to go.
Kondita e të papunit ngjan absurde sot në shoqninë industriale ku de jure puna asht ende baza e organizimit shoqënor. Madje sot puna mund të konsiderohet si conditio sine qua non e lirisë. Pse sot liria asht kontratë. Nji kontratë e cila në kuadrin e përmbysjeve të përgjithshme si pasojë e politikave globaliste, e ka humbë dimensionin e saj jetëprodhues, ngase njeriu tashti i bahet protezë makinave.
Në nji moment kah fundi i shekullit XX, sistemi global vuni re se për me ia hangër kohën robit, nuk ishte ma nevoja me e punësue me tre turne. Dhe kshtu përhapi mediat sociale, argëtimin qyl ose qylin e argëtimit. Dhe njeriu i sotëm asht argat i argëtimit. Pra mbjellës laknash në facebook. Kjo ishte nji mnyrë e shkëlqyeshme, me e izolue plotësisht njeriun, pa e lanë kurr vetëm.
Në kto ditë të idhta karantine, ku përherë të parë në histori, karantinohen njerzit pa qenë të smundë, e vemë re shum mirë, sesi sistemi i ri global, po teston mnyra, që bashkë me kohën me na hangër edhe hapsinën. Këto dy kategori që Kanti i quente intuita të kullueme, pra koha dhe hapsina, janë në fakt binarët e intelektit, intuita vetë.
Besoj gjithsesi se njeriu e gjen gjithmonë nji formë lirie, sa ma shum që vetëdijësohet se asht rob. Ktë intuitë nuk duhet me ia hekë, ia hoqe i ke hekë lirinë e lirisë, vetëdijen.
* * *
Due të kujtoj për të gjithë dashamirët e letërsisë distopike, se shum vjet para Huxleyt dhe Orwellit, ishte nji rus ai që e pa kjartësisht përmbysjen politike të jetës në shekullin e XX. Evgenij Zamjatin me romanin Ne. Zamjatini përjetoi revolucionin rus, kje i pranishëm në gardhimin me tela me gjemba të përgjakun të burgut të ri paanë që po ndërtohej në emër të lirisë. Te romani i tij që u botue vetëm në gjuhën angleze, njerëzit ushqehen me nji bukë të bame nga nafta dhe jetojnë ose ma mirë me thanë nënjetojnë në nji panoptikon ku heqja e lirisë nuk mundëson as lanjen vetëm të të burgosunit. Duhet marrë leje me ndejtë vetëm. Ksaj i thonë me të hekë edhe lirinë e të kenit i burgosun.
Kuptohet lexuesit e tij intelektuali Huxley dhe zani i ndërgjegjes Orwell e zhvilluen dhe sistemuen në mënyrë të përsosun botën e Zamjatinit, por kimera përspari vizitoi rusin.
* * *
Te Ferma e Kafshëve shkruhet se të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat. Due tu thom se miti i barazisë asht mit retorik. Njisoj si miti i demokracisë asht mit propagandistik.
Po ta marrim kah ana etimologjike, fjala shqipe barabar, nuk don me thanë tjetër veçse pari a pari, por jo si n’italisht pra: i barabartë me të barabartë. Barabar, don me thanë “si i parë me të parë”, ose ma troç “parë â parë”. Pra barazia asht prerogativë e parisë. Të parët janë të barabartë, por mesveti. Për me gjetë nji shembull të përsosun me e ilustrue ktë, duhet me doemos t’i drejtohemi Iliadës, ku kemi sherrin e famshëm mes Agamemnonit dhe Akilit. Sikur këta dy prijësa të mos ishin të barbartë, nuk kishte me pasë vend për sherr. Por ishin të barabartë, pikërisht ngase të dy ishin parì. Agamemnoni mtonte se ishte nji “primo inter pares”, pra nji i parë mes të parëve, nji “primo” që në fakt don me “pri”, mirëpo kjo lloj hierarkie nuk funksionon, sepse bahet e zhbahet mbi vullnetin e njerzve të lirë. I parë je ti, por i parë jam dhe un. (Pra ti mos ban si “i paparë”, pardon për batutën). Kjo asht edhe arsyeja pse bojkotit të Akilit nuk kishte çka me i ba kurrnjani ndër çetat akeje. Dhe jo pse Akili ishte gjysëhyjnor, apo se ishte ma i forti ndër fatosat akej. Por sepse simbas besës së këtyne shqiptarëve të vjetër, askush s’ishte i dytë ndaj të parit.
Në shoqninë klasike greke penda dhe shpata ishin bashkë. Tragjedianët dhe filozofët merrnin pjesë ballore në luftë. Mandej në kohë paqeje, merreshin me filozofi dhe teatër, teksa rrekeshin me rrokë kuptimin e luftës dhe të jetës në vetvedi. Në kohë lufte, askush pra s’ishte i lirë?! Të mos na rrejë mendja: në kohë lufte, të gjithë ishin të lirë. Edhe skllevnit mund ta fitonin lirinë kur ishte luftë. Sot na thonë jemi në luftë, për me na thanë: s’jeni të lirë. Por në fakt lufta asht ajo që po bahet kundër nesh, tue na hekë edhe lirinë e të qenit nënshtetas. Shqiptarët e Rilindjes Kombëtare (jo ata të Rilindjes ndërkombtare) ishin hëm të pushkës hëm të pendës.
Penda dhe shpata dorë për dorë pra. Në qytetërimin romak kjo vazhdoi deri me ardhjen e monoteizmit, kur penda u ba ma e randsishme se shpata. Kjo filozofi ka të bajë edhe me fuqizimin e shteteve dhe pra zhdukjen e traditave gojore, në favor të shkrimit. Kur flasim për botën homerike, jemi akoma te bota parashtetnore, jo pse nuk ka aty organizime të tipit protoshtetnor, por sepse në jetën e përditshme dominojnë institucionet parashtetnore: besa, nderi, mikpritja e me radhë. Kuptohet që epopeja e perandorisë romake ishte ende në vazhdën e këtyne institucioneve, pavarësisht se ata imponuen Pax romana-n në mbarë Mesdheun. Prapë puna ishte “pena” pra dënim.
Kur shteti merr dhénë përfundimisht, në prag të Renesansës, besa shfuqizohet në favor të kredisë, ose të kreditit. Fillon banka. Me fillimin e bankës fillon edhe punësimi në kuptimin modern. Dhe me Reformën puna fiton karakterin moral që ka deri më sot: pra rolin shëlbyes, shtetformues dhe denjëzues. Nse njeriu i Mesjetës e konsideronte veten “homo viator”, dhe paren e quente “mut i djallit”, njeriu i Renesansës, prihet tashma kah koncepti borgjez i pares dhe i kontratës shoqnore në përgjithsi. Njeriu i Kalvinit dhe i protestantizmit mandej, asht “homo faber”, ai sheh te puna qendrën formuese të krejt ekzistencës, formësuese të vetëdijes morale dhe karakterit etik.
Pra puna kje motori i kapitalizmit, aq sa Iluminizmi dhe ‘800a që doli prej tij, i kushtuen edhe filozofinë dhe politikën asaj. Revanshi i Arsyes, në luftë me absoluten, kishte, afërmendsh, parametra totalitare dhe nji prej institucioneve që dolën nga Revolucioni Francez, ishte pikërisht Komiteti i Shëndetit Publik, institucion që rishfaqet sot, anipse në kuptim ma teknik, me kompetenca mbiligjore mbi lirinë, n’emër të shëndetit publik ose të mirës së përbashkët. Por shteti asht e keqja jonë e përbashkët, jo e mira.
Betejat e Novecentos sa i tokon punës, i dijmë të gjithë, dhe nuk asht nevoja t’i cekim te ky shkrim i shkurtë. Falë përpjekjeve epokale u arrit për ndonji dekadë, që puna me qenë qendra e sistemit jo vetëm de jure, por edhe de facto. Puna u emancipue, sa me qenë dorëzanë lirie.
Mbas sheshimit të ekuilibrave botnorë post 1989n, puna e parë që sistemi njipolar bani në fillimet e ktij mijëvjeçari, ishte shkatërrimi i punës. Kjo gja përveçse krijoi nji vorfni të re, krijoi edhe nji tip të ri të vorfni. Tip të ri që nuk drashtem ta quej lumpeni snob. Nuk asht ma subproletariati i Novecentos, por asht njeriu pa “prole”, lumpeni post-modern.
Ndërkohë Kina tue qenë mbrapa, e la anash botën e vjetër dhe të renë, tue realizue Novecenton e vet, ndërkohë që perëndimi e kishte likuidue. Teksa reformat shkatrruen tregun evropian dhe amerikan të punës, ku iu dha nji goditje e fortë familjes pra bërthamës së vetë shoqnisë, në hipostazat e saj totalitare Kina futi në treg fuqinë e saj punëtore të përbame prej 500 milion punëtorësh të pandalshëm, teksa kontrollonte demografinë e vet me ligje të drejtpërdrejta, e pa politika të përdredhuna si bota e vjetër dhe e re. Falë punës Kina riktheu botën bipolare, por tashma pankapitaliste.
Kshtu pra falë politikës së spektaklit perëndimor, puna kndejpari u ba qëllim në vetvete. Vepra u zhduk nga horizonti i aspiratave.
Në kjoftë se shkrimtarët outsider të Novecentos hanin dynjanë në përpjekje me u ba shkrimtarë të pavarun, por e dinin se shoqnia dikur do t’ua ndiente zanin, sot inflacioni i arritun falë prodhimeve boshe, e ka ba të pamujtun shfaqjen e cilitdo za. Kuptohet që nji hierarki ekziston dhe asht kupola globale, por ne nuk shofim tjetër përveç gaztorëve të saj, që janë në krye të vendeve tona, të mbetuna tashma jo vetëm pa sovranitet por edhe pa identitet.
Ma përpara stafeta ishte e tillë: njeriu sakrifikonte në punë për me krijue nji vepër, pra me e tejkalue jo veç punën por edhe veten. Nuk quej vepër vetëm veprën artistike apo letrare, por në përgjithsi veprën ekzistenciale, ku njeriu ndërton nji jetë që i përngjet jo veç atij por edhe idealit. A mrrihet ma te vepra sot, kur je ende në kërkim të punës, në nji qerthull specializimesh të panumërta, deri të bahesh ekspert i boshllekut virtual?
Kjo shoqni likuide (si e quen Bauman), asht edhe likuidimi i shoqnisë.
A jemi të lirë? tingëllon pra si pyetje luksi në nji situatë memece. E pame nga nji ndërgjegje e Nandëqindës, do t’thoshim se situata flet vetë, por meqë e shohim si ndërgjegje të shekullit XXI, situata nuk flet.
* * *
Due t’ju jap nji shembull nga filozofia.
Izostenia asht nji koncept skeptik, simbas të cilit për të njejtën gja vlejnë baraz dy gjykime të kundërta njiherit. Shembulli ma tipik asht ai i gotës gjysë bosh ose/dhe gjysë plot. Kshtu p.sh. në fillim mendojsha se qeveria nuk kishte asnji strategji për përballjen e krizës, mandej mendova se kjo ishte në fakt strategjia. Pra strategji e tipit «tue pa’ tue ba’». Mirëpo sot, kur jemi gjithë kohën «tue pa’», veprimi thjesht asht zhdukë prej horizontit jetësor.
Falë mediave sociale ne i arkivojmë përjetimet pa i jetue ato halà.
Njiherit, më lejoni të theksoj se shprehja “liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit” asht izostenike. Në fakt, në situatën tonë na vlen nji tjetër parashtrim paradigmatik i këtij koncepti: liria ime fillon aty ku fillon liria e tjetrit. Nuk e kemi luksin të mendojmë sot ku mbaron liria, por ku fillon.
Kur iu thotë Skenderbeu prijsave shqiptarë “lirinë nuk ua pruna un, atë e gjeta në mesin tuej”, nuk po iu ban retorikë, thjesht po u thotë: ju falem nderit ju o trima, që po ma kurseni gjysën e mundit, pse liria n’kto male s’ka mbarue kurr.
E në kjoftë se fillon, liria s’ka fund.
Prandej në këto kushte un preferoj ta shkurtoj pyetjen që më shtron Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, nga A jemi të lirë? në A jemi?
Nuk e kam në kuptimin ekzistencialist, por në kuptimin e përditshëm që e përdorin shqiptarët, pra a jemi gati? a jemi gati me veprue? A jemi!?
* ky shkrim u hartue si gjegje ndaj call-for-papers të thirrun nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, prej sheshit Liria në Tiranë.

venerdì, luglio 26, 2019

TEATRI NA PASTROI NGA SPASTRUESIT


Nji marrëveshje u arrit. Nji besabesë mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozitës. Kjo arritje asht rritje. Duket si real deal. Dëshmitarë të saj nuk kjenë vetëm mullarët butaforikë të skenës së teatrit kombtar të lanun në mëshirë të fatit, por edhe të gjithë shqiptarët që e ndjekën ktë pjesë të kalvarit të nji grushti qytetarësh që patën konsekuencën sakrifikale, që kalvari i tyne të ishte fundi i kalvarit të gjasë publike, pra fundi i dhunimit dhe prostituimit të “res publica”s.
Ky kompromis me PD-në nuk ishte para kohe. Nuk ishte nji shfaqje jashtë sezonit. Erdhi në momentin e duhun. Për herë të parë Basha vetë nuk na u duk butaforik. Dikujt mund t’i jetë dukë se ai thjesht iu zgjati kurorën me gjemba atyne që i kishin hy kalvarit. Deri dje flitte për gropë, prandej njerzit ende kanë dyshime. Nji gja ma tepër që sak mund të bante Basha, ishte me përvjelë mangët dhe me ia hi pastrimit, tue tregue se përkundër atyne që e shohin teatrin me synin e spastrimit, ai ishte për pastrimin. Por jemi n’mirëbesim. Na ban me e marrë në mirëbesim besimi i Aleancës, por edhe sjellja horrorifike e palës tjetër, ku kryetari i Tiranës, kujtoi se mund të harbitet qytetaria e kryeqendrës tue e qerasë me ndoj koncert porno, për me i kujtue banorëve se asht verë dhe ata duhet të bajnë pak jetë nate meqë pushteti punon edhe natën për ‘ta. Kshtu mbasi çuen nëpunësat e ngratë me (r)ruejtë teatrin, pushtetarët sosën të qethun përvedi.
Në kjoftë se herën e parë stalinizmi shqiptar kje tragjedi, simbas dialektikës hegeliane, i ra që herën e dytë t’ishte farsë. 
Ne pamë para nji viti e kusur se renderat e teatrit të ri të bamun prej nji studioje beneluksoze, i ngjajshin ma shum nji kinemaje porno, sesa nji teatri kombtar. Dhe vumë re se çakejt tonë i kjenë lshue teatrit kombtar me e fshi prej faqes së dheut, si të ishte kinema porno. Të gjitha kullat që kta mundohen me ndërtue, janë monumente që mshehin por gishtojnë, mblojnë mirëpo kallzojnë, impotencën e tyne fallocentrike. Në krye dhe në krye të vet, qeveriu çoi nji komisì me i hjekë statusin “monument kulture”, të vetmit monument kulture që asnji pushtues të paktën prej ktij planet s’kishte mujtë me ia hjekë ktë status: teatrit.
Mjaftoi nji skotë çiçikovësh me e realizue në letër ktë çertifikim. Por asht e kotë me shqetësue rusin Gogol tue marrë uha personazh prej Frymëve të vdekuna. Marrim ma mirë nji tonin, Trebeshinën: te Tregtari i skeleteve, ka nji personazh ultra-gogolian, që merret me ksi punësh, shoqi Asmut Rrakatakja. Pra me asmutat e duhun, mundesh me “certum facere” ça të duesh ti si pushtet i radhës, që të mundesh me hy pa radhë në tana punët botore. Nji ballkanas i natyralizuem gjermanik Gregor Von Rezzori, tek mozaiku i tij për Ballkanin, difton si erdhi në pushtet dinastia e Karakriminajlloviçëve, alegori kjo që vlen për të gjithë vendet e gadishullit, ku hymë ndër të parët edhe ne.
Rama erdhi me luftue degradimin dhe e çoi në dekadencë. Asht ai vetë primsi i dekadentave. Me kravatat 500 dollarshe dhe xhaketat 3000 dollarshe, nuk humb rast me u shitë si bohem. Meqë ka deklarue vetëm 3000 euro kursime gjithsej, i bjen që kollaren e ka dhuratë. E pra bohema e vërtetë, dhe energjia pozitive që buron prej saj, ishte bohema e ktij grushti njerzish që mbrojtën teatrin kombtar. Ajo energji pozitive që bohemët e vërtetë derdhën në konakun e artit tonë skenik, në formë djerse dhe lotësh dhe ngëthjesh, s’ka me u fashitë ndër vite. Rama e la teatrin me degradue, që mandej me e luftue degradimin me dekadencë, me operacionet prej kirurgu estetik si kur botoksizon qendrat e lokaliteteve tue i pajisë me betonale që të duken të rilinduna jo prej hinit të vet po prej hiçit. Mirëpo ksaj radhe i kishte ba hesapet pa hanxhiun.
Poeti i dekadencës romake, Ausoni, vërteton kjartë se dekadenca nuk asht në gjendje me i ndi vlerat e të kaluemes as rrënimin e të sotshmes. Asht shurdhe karshi vetë historisë. Pavarsisht se ishte romanissimo, ai nuk ia mrrinte me e ndie dekadencën e qytetit të amëshuem, ngase nuk ishte ma pjesë e së tanës, ishte ba’ pjesë e pjesës. Tradita ishte pre’. Në vargjet e tij ai i bante fresk kastës së vet, porqë edhe kur i kndon të vetmes lule jashtë tarafit, skllaves gjermanike me emnin perimor Bisula, e ka për me diftue sa mashkull kenkej, jo për tjetër. Ma mirë se kushdo poeti dëshmon energjinë e kohës. Me nji energji si kjo që dëshmonte Ausoni, shum pak nuhatje i duhej Alarikut mbretit të Visigotëve me trokitë me ushtri në dyert e Romës. Misitë që Roma i çoi u munduen me e mërzitë me retorikë mandej kur e panë që s’e hante retorikën, i skjaruen se ata kishin shum ma tepër ushtarë se Alariku, prandej do ta kishte të sigurt humbjen. Sa ma i dendun bari, aq ma lehtë kositet, ia ktheu ky, pa e hollue shum muhabetin. Ça don at-herë? e pyetën misitë me habi. Tanë ça ka Roma të vlertë. E ne ça na mbetet? Shpirti gjallë. 
Kalimin prej dekadencës në mesjetë e bani nji shpirt i madh i perëndimit, i mbrami i antikëve dhe i pari i mesjetarëve, Agustini. Ndoshta sikur dekadenca të mos kishte qenë aq e gjatë, aq mesjeta s’kishte me zgjatë aq shum. Nji narrativë e re, që ishte pjekë me kohë underground në katakomet e Romës, tashma pak zanë vend mbi dhé dhe po unjisonte perëndimin, ajo që Agustini e shenjoi n’at nivel sa me u quejt shejt i saji.
Mirëpo në Shqipni, dekadenca nuk asht e pakthyeshme, asht smundje që ka kapë plotsisht pushtetin, por jo edhe njerzit. Karta e fundit që i ka mbetë ktij pushteti dekadent, asht premtimi se kanë me na integrue te dekadenca e madhe e perëndimit. S’kemi pse ngutemi n’ktë vrap. Ende e kemi nji shans me qenë vetvetja.  
Në gjithë kto muej ka ndodhë nji ndryshim paradigmatik. Asht kthjellue diskursi publik i palës civile në radhë të parë dhe i elitës së ardhshme në radhë të dytë. Lëvizja studentore pati efektin e nji ekzorcizmi. Por e gjitha filloi te teatri. Dhe për herë të parë pushteti e ndigjoi veten se po flitte marrina. Kjo nuk ndodhte qysh në ‘90n. Rama i ka përjetue të dyja kto momente kthjellimi, por të parin si kthjellim rinie, të dytin si aberracion. Teatri e provon ktë.
Ai e muer përsipër ktë sipërmarrje, me ktë logjikë: ça iu duhet teatri kombtar, kur un ju jap teatrin e ri? Mos të harrojmë se programi punist ishte: ça iu duhet njeriu kombtar, kur ne do prodhojmë njeriun e ri. Primend, me kohë kemi pyetë idhnisht: ça ju duhet teatri kombtar, kur keni kombin teatral? Por nuk jemi komb teatral. Jemi etnia ma e vjetër në Europë dhe nuk jemi n’Europë. A thue ngase Europa ka dashtë me na nda tue na falë dreqit ndër etni të reja? Thjesht pyetje. E dini si asht nji punë: nuk jemi komb teatral. Jemi komb jetim, mirëpo tash na erdhi pjekunia dhe nuk mund të rrimë ma mbrenda kushteve të jetimores. Dy janë rrugët: ose ikim, dhe bahet bota jetimorja jonë. Ose e bajmë jetimoren vend të jetueshëm si bota.
Nji pikë që nuk u konceptue për teatrin dhe në kto kushte emergjence nuk i pati ardhë ende radha, ishte libri në teatër. Nji kand i hapsinës teatrore i duhet kushtue librit. Tjetra, ajo që s’duhet, asht nji drejtor kanakar. Duhet vu’ në status që teatri drejtohet prej nji bordi profesionistash të papolitizuem. Ma e para, duhet nji bibliotekë e teatrit kombtar. Që aktorat, regjisorat, studentat të mos punojnë ma me fotokopje. Ne të gjithë do të japim koleksionet tona me libra teatri dhe ka me dalë nji fond krejt i vyem. Me libra në të gjitha gjuhët e gjalla dhe të vdekuna. Me veprat e plota të Sofoklijve, Shekspirëve, Molierëve, Hygove, Uajlldëve dhe Zharive, Brehtëve, Dyrrenmatëve dhe Kamyve, Bernhardëve dhe Beketëve me shokë. Me dorëshkrimet e panumërta të dramaturgëve tonë. Dhe aty mes tyne, resmet e aktorve e mjeshtrave, zani i të cilve dikur ndër njato mure të vjetra kumboi logos, pathos, eros.

mercoledì, marzo 14, 2018

Kingu Perandor

Përpjekja për sukses tregtar i botuesve shqiptarë, ka shfaqë jo vetëm mungesën e njohjes së historisë letrare, por edhe mungesën e njohjes së tregut. Konceptohet tregu si diçka që i nënshtrohet tanësisht statistikës ndërkombtare dhe i mbivendoset kërkesës vendase. Si nji vend i hapun ku mundesh me vjedhë prapë e rishtas. Blemja e të drejtave të botimit shërben ma shum me u ruejtë prej tuejve, sesa me qenë korrekt me autorët dhe botuesit e jashtëm. E drejta e shumfishimit blehet për 500 kopje, dhe aq i deklarohen për jetë e mot autorit, pavarsisht shumfishimit ndër vite. Fitoftë a jo autori Nobelin ndërkohë. Vdektë ai, a rrnoftë halà. 

Nuk asht vendi me akuzue hajnat e mbrendshëm se vjedhin jashtë, por se nuk dinë taman ke me vjedhë. As n’hajni s’kanë hierarki. Dhe nji autor që mund ta kishin vjedhë pafundsisht asht mbreti i letërsisë amerikane, Stephen King. King i lindun, mbas gjithë betejave që ka fitue, asht ba perandor. Kte kunorëzim nuk ia ka dhurue kritika, as kinemaja, ku prania e tij ka qenë e dorës së parë qysh kur Brian de Palma, në 1979n, filmoi romanin e tij të debutimit, Carrie. Ia ka dhurue thjesht publiku, sovrani i vërtetë. Prej at’herë, Kingu ka shkrue dhe botue me dhjetra romane, me qindra tregime, disa skenare filmash dhe radiodramash; ka bashkëpunue në disa vumje në skenë të subjekteve të tij dhe ka guxue me kenë edhe vetë regjisor në disa raste. E gjitha kjo, pa prâjtë së qeni amerikan i qetë.

Kah njena anë, ku ma gjen që Kingun s’e kanë vjedhë, asht, si me thanë – nji pallat ma pak, ose nji kompleks betonik ma pak në qiejt e betonuem të Tiranës. Megjithatë ka pasë bubrrime të veprës së tij. Janë përkthye dy-tri gjana në gjuhën tonë dhe ato për faqe të zezë, tue dalë shqip me tituj që tingëllojnë të dobët sa s’kanë ku shkojnë: Celulari dhe Rrezatimi. Pak dhe keq, ose pak dhe kak. Harresa ndaj tij, i brendashkruhet harresës ose injorimit të letërsisë amerikane. Nuk ka asnji lloj dijenie për përmasat dhe pasuninë që përfaqëson sot letërsia amerikane, që asht jo vetëm ma e kenuna, por edhe ma e thella e kohës tonë. Botuesve të Tiranës që halà punojnë me redaktorë të marrun natën për hanë prej gzts Zëri i popullit dhe zgjohen prapë me kërkëllimin e ndryshkun të zhavarinave të vjetra sovjetike, nuk ke çka iu thue, të kalcifikuem siç janë në idenë ’800ase se letërsi kanë sall franko-sllavët. Po të Kosovës ku janë? Buzuku që asht botuesi ma i mirë ndoshta jo vetëm i Kosovës, boton ekskluzivisht autorë të sotëm francezë, prej të cilëve ndoshta asnjeni nuk mund të quhet shkrimtar, teksa mundemi me pohue pa frikë se letërsia e madhe franceze grahmën e fundit e jep me Raymond Radiguet-në, meteorin e saj të fundit, kah mesi i viteve ’20.
Me të vërtetë që letërsia nuk ndryshon mbrenda vitit, sikurse edhe gjuha don shum kohë me u mbrujtë, por qysh kur Baudelaire u ul me përkthye Poen, ka kalue rrum nji shekull e gjysë, e me Jack Londonin asht bitisë shekulli qysh se amerikant kanë letërsi të madhe dhe popullore njikohsisht, pra kanë at që mund të quhet epope letrare. Edhe ma shum se kaq: kanë ende sifatin e të treguemit, atë çka n’Evropën mbas Auschwitzit, u konsiderue si paradigmë e humbun.
Nji mbllaçitje e pafundme eseistike, ku e vetmja risi asht ripërtypja, karakterizon letërsinë e kontinentit prej dekadash. Letërsia si e tillë asht e mbipopullueme, por nuk asht ma popullore. Detyrohemi me lexue dhe rilexue ndoj roman gjerman a austriak, nga ata që dilnin tek-tuk në dekadat e mbrame të luftës së ftohtë. Dhe janë romane që mishërojnë pikërisht fundin. Tjetër gja asht letërsia sa kalon La Manshin. Provincializmi e ka pshtue letërsinë angleze. Romani ka mbetë roman, poezia poezi. Ka edhe ese, por nuk asht zhanër vampir siç asht ba në letërsinë kontinentale. Provincializmi e ka pshtue edhe letërsinë e Kingut. Se veç provinca e pshton zejtarinë. 
Me pru’ letërsinë e Kingut në shqip, duhet pa diskutim nji njohje e katërciptë e zejes së letërsisë, e mekanizmave ma të thellë psikologjikë, duhet sinqeriteti i tregimtarisë, por krye të herës duhet përvetsimi i krejt të folmes urbane dhe suburbane të të gjitha trevave të shqiptarisë së sotme dhe nji vesh i shkëlqyeshëm muzikor. Por Kingu s’asht veç popullor. Romani i tij i pavdekshëm Shining, nuk i len gja mangut librave të nismimin ezoterik. Para tij romanet e Coelhos duken si anekdota. Tregimet e Kingut janë të përsosun si ata të Poes a Lovecraftit, të Mathesonit dhe të James Ballardit. Kryevepra e tij Needful things, për sa i tokon përsosjes stilistike, mund të krahasohet vetëm me Lolitën e Nabokovit, shkrimtar amerikan që ne shqiptarët halà vazhdojmë me e vendosë mes rusve. Atdheu i shkrimtarit asht gjuha. Dhe atdheu i Kingut asht nji gjuhë e pasun, tmerrsisht sugjestive, me spërdredhje zhargonore që s’kanë të sosun, ku as humori as thellësia psikologjike nuk mungojnë ndojherë. Nji kopsht antropologjik që i përngjet nji xhungle shajnitëse, ma parë sesa serës ku e kyçin europianët narracionin e tyne steril. Falë ksaj pasunie të stërhollueme në drejtime të panumërta, që ka vitalitetin e vetë jetës, Kingu ka arritë me shpalue mbrenda zhanrit horror, të gjitha dimensionet e letërsisë.
Redaksitë tona halà s’e pranojnë ekzistencën e zhanrit horror. Ti përkthen “film horror” ata ta kthejnë “film me tmerre”. Kshtu e vorfnojnë stilistikën e shqipes, n’emër të pasunimit. Kshtu shemb edhe policia ndërtimore, n’emër të ndërtimit. Shembin kioska, ngulin pallate. Kshtu bajnë edhe në gjuhë.
Periudha e kioskave ishte periudhë e sinqertë lirike, jo ma kot asokohe, çdo familje shqiptare e kishte ka’j poet, i cili kishte botue të paktën nji vllim me poezi. Kjo periudhë ishte e bukur, por pa strukturë. U pasue me të kundërtën e vet. Me nji periudhë që kishte strukturë, por s’kishte inteligjencë, pra as bukuri as duhunì. Strukturë kriminale a korruptive, a zbuteni si të doni.
Pasqyrimi i letërsive të lulëzueme, në kohën e duhun, pra sa asht e freskët gjuha, ka randësi jetike, për këndelljen dhe rivitalizimin e vetë letërsive vendase. Pra edhe e mendësive vendase. Duhet nji kompleks shum i dystë inferioriteti, për me besue, se ndikimi i të huejës asht shkomtarizues dhe damtor. Krejt e kundërta: e keqja vjen prej mosmarrdhanies, prej autarkisë, vetëmjaftueshmënisë së përllogaritun. Të gjitha diktaturat janë të mbylluna, ngase janë thelbësisht autike. Me konsiderue gjithçka të huej si antivlerë, pse asht e huej, kjo don me thanë me qenë i huej ndaj vlerës. A asht Kingu vlerë? A thjesht firmë!?
Kritika amerikane asht e para që e përçmon. Kompleksi i tyne prej ish-kolonie, i ban halà me vlerësue imitimet, dhe me nënçmue të mirat origjinale që kanë. Nji eseist i lodhshëm si Ph. Roth, iu duket shkrimtar, kurse Kingu autor. Guxoj me thanë se asht krejt e kundërta. Kingu nuk asht përkulë ndojherë para talljeve që i kanë ba jo vetëm kritikët, por edhe regjisorët, tue fillue me De Palmën, që i filmoi romanin e parë. E shihni ç’asht i detyruem me ba nji regjisor i ri. Më japin kshtu paçavuresh dhe un duhet me qitë diçka të pranueshme – ia pat n’at rast De Palma. Thirrte në kauzë kritikën, me thanë se ai vetë me synin e tij kritik, e dinte që filmi që i kishin porositë producentët vinte prej letërsisë komerçiale. Harronte, se filmi do të funksiononte pikërisht pse kishte nji subjekt të shkruem mirë, që vinte prej librit. Dhe gjatë 30 vjetve mbas atij rasti, Tefa ka shkrue romanet ma dërdëngë të letërsisë perëndimore. Në vitet tona, kryekritiku Harold Bloom, kur shoqata e shkrimtarëve amerikan i dha çmimin e karrierës Kingut, gjeti rastin me shpalosë virtuozizmin e tij intelektual për me ulë meritat e perandorit King. Ka zane se Bloomi u pat ulë njiherë me shkrue do tregime edhe ai, por as nipçja i vet nuk ia lexoi.
Asht e kjartë pra marrdhania e njianshme që kanë intelektualët me Kingun, dhe halà sot, me thanë më pëlqen Kingu, asht nji mnyrë me thanë nuk jam tip intelektual. Kuptohet që mes Ed Woodit dhe Kubrickut, Kingu darkon me Ed Woodin. E pra, askush ma mirë se ai, nuk e kupton qorrsokakun kur përfundon përpjekja intelektuale, kur ajo nuk shoqnohet me thjeshtësinë e zemrës së paqtueme, që karakterizon narratorin e panjohun, popullorin.
I ka fitue të tana betejat me mjerimin, me kapitalizmin amerikan, me të përbindshmin Hollywood, me rritjen e mëkambjen e familjes, me furgonin që nji mbasdite e shtypi në trotuar, por mbi të gjitha ka fitue betejën me hiçin, me zeron e fantazisë, me zbazëtinë e mendjes dhe zemrës. Ka pasunue botën tonë për shekujt që po vijnë.

Dhe prapë narrator i panjohun ka mbetë Kingu, pavarësisht 1 miliard kopjeve të shituna, pavarësisht se asht kampion bote n’letërsi, njeriu tek i cili shkrimtarët shohim triumfin e shpresave të tyne të parealizueme, ai prapë, me i shkue për vizitë, ka me pasë nji histori me ta diftue, nji prej atyne historinave që primend të njisin fill dhe të bajnë me iu kthye letërsisë, porsi i kthehesh dashnisë, me frikë të shejtë.
Dashnia, urrejtja, guximi, janë mbretni. Frika asht perandori. Kingu, perandori i saj.

mercoledì, luglio 12, 2017

Fitorja e Ramës dhe gozhda të tjera

Fitore e Pirros ka mbetë si shprehje prej vetë luftnave që bani Burri në çizme dhe shënjon nji fitore me hak njerzor aq të naltë sa i bjen me vye pothuejse baras me nji humbje. Por nse kjo fitore nuk asht fitore e vërtetë, të paktën lufta ishte e vërtetë dhe me logjikën e Napoleonit “disfatat e sodit na vyejnë për fitoret e motit”. Po fitorja e Ramës çar tip fitorje asht? Fitore e pagueme ka me thanë dikush. Në nji vend ku njerzit blejnë shkollën, blejnë vendin e punës, e pra, blejnë vendin e tyne në shoqni, asht normale që fituesi me ble votën. Korrupsioni asht filozofi jetese. I vetëdijshëm për ktë, Rama e deklaroi fitoren pa fillue numrimi. Fakti që mbas numrimit mandej po fillon me mendue për programin, don me thanë, a fortiriori, se mendon me garantue edhe fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, jo falë realizimit të ndoj premtimi, por prej faktit, se thelbi i programit të tij asht pushteti. Ksodore, Rama, përuron modelin e ri të liderit, që mban premtimin që i ka ba vetes.
Te “Arti i luftës” Sun Cu thotë se lufta në fillim fitohet, mandej luftohet, tue e përmbysë çdo ide apo pseudo-ide demokratike që dikush mundet me pasë mbi luftën, kjoftë ajo spartane apo spontane. Vetëm se Sun Cu nuk thotë kund që fitorja deklarohet mandej korret. Pra, kemi dy lloje fitoresh skajnisht të kundërta: fitoren e Pirros, dhe fitoren simbas Sun Cusë. Pra fitoren e nji prijësi (Pirro, Skenderbeu a të tjerë), dhe fitore e nji Perandori (si Shih Huang Ti, apo Bushët babë e bir). Ku mundemi me e vnue nji fitore të tipit Rama-dy? Sigurisht, ma afër fitores formale, alla Sun Cu, çka e ban tashma Ramën pretendent për perandor.
E vërteta asht, se nuk qeverisemi prej personash, por prej vetë mnyrës sonë të jetesës. Ata që fajsojnë, p.sh., Berluskonin për katrahurën italiane të 30 vjetve të fundit, harrojnë se berluskonizmi si stil jetet nuk u shpik prej tij, por ndoshta plasi sheshit falë tij si stil a mendësi mbisunduese. Stili shqiptar i jetës, asht gjithmonë i ndamë: këtu dhe jashtë. Kjo ndamje ka mbetë funksionale qysh me ramjen e diktaturës. E cila, ç’asht e vërteta, ra për arsye mbikombëtare, ma shum se për shkak të ndonji nisme të mbrendshme të shqiptarëve. Kjo nuk don me thanë që duhet zbehë merita e atyne të rijve e të rejave që e patën në gjak idealin e lirisë. Vetëm se kjo lëvizje u neutralizue pa marrë dimensionin e vet politik, nga vetë nomenklatura e vjetër e transformueme. Në ktë mnyrë, klasa e vjetër e aparatçikve garantoi paprekshmëninë e vet dhe kulti i vjetër i personalitetit të diktatorit, u zëvendsue me kultin e personalitetit të kreut të PD-së, teksa tokëzimin mes dy kulteve e bante kulti i personalitetit të shkrimtarit I. Kadare, i cili, me të ardhë demokracia, u kthye në dimensionin e tij të vërtetë, atë të ndërgjegjes së rrejshme. Por le t’i kthehemi stilit të jetesës.
Publikja dhe privatja nuk kanë pasë ndojherë peshë, rol apo funksion social të përcaktuem kjartë te ne, mija vjet pa shtet tonin. Me shpronsimin total (metafizik, ekonomik, zakonor, deri edhe gjuhësor) të shqiptarëve, komunizmi ynë, arriti me i likuidue të dyja kto kategori të paftillueme, me anë të përvendosjes së kategorisë së kolektives. Ktë kategori, kanë ditë me e shfrytëzue shum mirë, të gjitha polet fiktive të politikës tonë. Ndryshimi psikologjik mes publikes dhe kolektives asht ky: publikja i bindet vetëdijes, kolektivja pavetëdijes. Funksioni i luftës së klasave, nuk ishte me zhdukë klasat, por me zhdukë publiken, tue i mbivendosë nji kolektive parafabrikat. Kjo ndodhi kryekëput në gjuhë.
Për me joshë nënvetëdijen kolektive, asgja s’ban ma shum punë se nji kult personaliteti. Kemi aktualisht kultin e vazhduem të personalitetit të Kadaresë, të cilit për së gjalli i kushtojnë institute dhe çmime, çka nuk ndodh me asnji shkrimtar në perëndim apo lindje, ngase asnjeni nuk asht aq koniunktural sa ai. Ky asht kulti-kolant, kulti-tutkall që shërben me ngjitë kultin-piedestal, atë të udhëheqësit, i cili në këtë rast asht Rama. Por teksa Berisha a Kadareja shfrytëzojshin boshllëkun publik me e mbajtë në spikamë kultin e tyne, pa qenë të gatshëm me nxjerrë gja prej xhepit, Rama asht i vetmi që shpenzon pare, për me mbajtë kultin e tij, dhe kryesisht kto shpenzime i ban me mediat e hueja, me muzeumet e artit kontemporan (oksimoron i pastër: edhe art, edhe kontemporan nuk ka se si); me konferencierët, me zarf-pagesat që ju jep figurave të riciklueme si laburisti T. Kjo e ban njiherit ma mondan dhe ma pak koprac se paraardhësit. Të paktën asht xhymert me paret e popullit. Në njifarë mnyre, kto investime, e bindin nënvetëdijen kolektive, dhe për me marrë votën mandej, mjafton nji investim i vogël në tregun e mbrendshëm të sovranitetit. Falë ktyne investimeve që ban “jashtë”, Rama fiton edhe virilitet diplomatik, dhe ngaqë ka kuptue se edhe politikanët perendimuer janë të bleshëm, jo vetëm trash zanin me kojshitë, porse kërcënon deri edhe shtetin amerikan, se në rast të zgjedhjes së Trumpit, ai dhe shteti që ai drejton, kanë me i ndërpré marrëdhaniet me Amerikën. Edhe qytetnim alien me qenë, në kjoftë se don me pasë punë me ktë planet, marrëdhaniet me Amerikën duhen të parat, besoj. Don apo s’don ti. Delir i çastit, apo reminishencë e xhaxhit?! Harron kah ana tjetër, se në sofrat ndërkombtare, ku derrat janë me të vërtetë të egër, ai ka me qenë gjithmonë nji derr i butë, nji gic, dhe se tek ai, a kushdo kjoftë në vend të tij, pushtetet e vërteta kanë me pa’ gjithmonë indigjenin. Rrezikon si te Eyes Wide Shut, mos me ditë fjalëkalimin për të dalë, dhe i rroftë gjysma e 100-dollarshit mandej dhe taksisti që e pret jashtë. Harron se te orgjia masonerike, atij maksimumi mund t’i jepet ndoj rol onanist. Harron se në thelb, veç shqiptarët ka.
Me justifikue trafikun e milardave, kryeministri Rama, thotë në mnyrë të përsëritun se: po bëj shtet. D.m.th. ai po e pastron administratën nga nepotizmi, nga korrupsioni e me radhë. Nuk la shurrufull pa futë në administratë. Dhe falë ksaj, po konsolidoka strukturën e shtetit, çdo do t’i pruka dobi brezave në vazhdim. Por po ta shohim me kujdes, nocioni i shtetit që ka Edvini nuk asht hiç i largët nga nocioni i shtetit që kishin në komunizëm. Pra, nji shtet, ku sovrani asht i përjashtuem. Pra, nse shteti që ndërtuen bolshevikët ishte haptazi antidemokratik, ky që po ndërton neo-bolshevizma asht maspakut a-demokratik. Krenimi i tij kryesor asht policia e shtetit, të cilën e mori institucion të nëpërkambun dhe e bani institucionin ma të sertë. Se si mund të kryhet kjo, pa shkollimin profesional të efektivave të saj, veç ai e din. Mbas t’bames së policisë së shtetit, a thue po ia kande me ba shtetin policor? Ka dhanë shenja të kjarta edhe për ktë. Po për kë po e ndërtoka shtetin, kur shumica e shqiptarëve duen me ikë prej Shqipniet? Dhe kjo ndërkohë që ai, pa pikë turpi, kumton kthimin e emigrantave si pjesë programatike e politikës socialiste. Kah ana tjetër si socialist, nuk mund të mos krenohet me mungesën e sindikatave.
Pa mbajtje ane, mund të thomi se në mandatin e fundit të PD-së, të paktën azilkërkimi nuk ishte në nivelet e plagës sociale. Por pavarsisht të mirave që ndodhën nën regjinë e PD-së në mandatin e fundit, pikërisht n’ato vite, PS dhe LSI vunë atë pasuni që sot i lejon jo vetëm me ble votat në vazhdim, por ju jep edhe arrogancën me marrë edhe simbolet. D.m.th. kriza e vërtetë asht se PD-ja nuk funksionon ma as në nivel simbolik, nivel i cili, në fakt asht ma i randsishmi, mbrenda dhe jashtë politikës.
Mbasi asht punue mirë me kolektiven, tue shantazhue fisin a klanin që ky ta shesë sovranitetin a thue se i tokon atij dhe jo popullit-sovran, çashtja e vazhdimsisë së pushtetit va da sé. Fundi i fundit, ato dy aspra që janë harxhue me ble fitoren, mund të rekuperohen dhe shumfishohen, falë përfitimeve të kohëzgjatjes së mandatit të ri. Në ktë logjikë, i bjen që PD-ja, e cila nuk paska hedhë kokërr leku me ble vota, jo vetëm s’i ka fitue me meritë ato vota që ka marrë, por i ka dhe qyl. Me nji performancë aq mediokre, edhe tepër i ka. Pra, jo vetëm që nuk kemi humbje të PD-së, por kemi fitore edhe të PD-së. Ndërkohë, falë manovrave nënparlamentare LSI-ja arriti me e ruejtë pozicionin e saj kërthizor në politikën e Tiranës dhe varet tashti prej manovrave parlamentare e mbiparlamentare, ku ka me zatetë për me mjelë lopën e tranzicionit shqiptar. Pra edhe LSI-ja ka fitue. Mirëpo te fitorja – victoria, asht e nënkuptueme që me pasë edhe të humbun – victis, që jep edhe ma së drejti në shqip, viktimën. At-herë meqë klasa politike fitoi e gjitha, kush humbi? Humbën partitë e vogla, por ata kanë luksin që nuk ekzistojnë, prandej s’patën si me humbë. At-hera i bjen që i vetmi që humbi në kto zgjedhje ishte populli. I falet, për shkak se ai nuk asht sovran.

giovedì, aprile 27, 2017

N'oborr kuajt e hasmit hanë petale t'verdha

N'oborr kuajt e hasmit hanë petale t'verdha,
te shpija e Live fshatarët kryengritës po bastisin kopshtijet
e vena e vjellun hapërlyhet mbi dru t'shantalit.
Në bahçe zogjt nuk po kndojnë ma, duert gjakse kanë troshtitë 
në diell kafazin e praruem: jo kangë, por britma
gjithkah dhe thundrat shkelmojnë. 
Nji dreq, me jatagan të skuqun te dhoma përgjysë n'hije,
i vërsulet gjijve të ramun të zonjës Li.
Te korridori pa dalje, hyzmeqarët ma n'moshë e ma të besës
i fërkojnë zotit Li kryet e shkapetun, e ky mendjemadh, s'guxon ma, 
me duert n'ije, t'i sodisë madhështuer portretet e të parve te kandi.
Saora të birtë e yshtin, me fytyrat e lyeme n'pluhun:
"Si kenka kjo punë qi ma i vogli i Live, budalla Po,
faqja e zezë e familjes, tash kur shpinë e kanë msye
drangoj zjermi e shkrumi e hini, ky te alkova servile
po bajka qejf tue ngrehë kërcellin e vocërr prej giade
me ia njeshë nji bythe të pangime shërbtorje teveqele.
A s'asht krim ky, krim kundër ligjeve hyjnore?"
Dhe shohin korthi me bisht të synit djaloshin, i cili veç, i vetëm dhe i qetë,
prej dritores n'trapazan sheh malet e bardha,
ato prorë të njajta e mospërfillse, përtej oborrit të shkatërruem
të Live, përtej fushave të Live. Dhe Li Poja e ndin vedin
jo ma i biri i gjumashit Çeng por i Drangoit Hanor.

Te nji qytet i harlisun résh, matanë maleve me borë,
nji kalë zanash me flatra krille e ka përcjellë.

LI PO

mercoledì, settembre 28, 2016

SPROVA MA SHQIPTARE E HERKULIT

Sot si sot para çerek shekulli, rendi i ditës janë plehnat. Në ndrrimin e sistemeve, plehnat ishin metafora e ndrrimit të formës së sundimit të çnjerzores mbi njerzoren. E pati kapë Nexho Shabani, humorist popullor, që e përshkroi ndryshimin me formulën: ça na janë zbukuru’ plehnat. Tranzicioni e vazhdoi punën e zbukurimit të plehnave, dhe tash ka mrritë hipostazën e vet, i importon.
Personalisht nuk jam kundër importit të plehnave, plehnat janë biznesi i shekullit. Problemi asht se klika që asht në krye të punëve botore shqiptare, e ban ktë veç për interesin e vet. Për ma tepër që çdo biznes kta e konceptojnë si biznesin e drogës, pra nji aktivitet i nënligjshëm që synon me mbushë thasët e zij. Njerzit që kanë me punue n’ktë lamë, kanë me u pague me nji copë bukë, si në kohët ma të errta të komunizmit të baballarëve të pronarve të tyne. Meqë ministri i Gërdecit mbas masakrës u kalue te Ekologjia, në rast masakre, ktë herë, ministri i Mjedisit ka me kalue te Mbrojtja. Kjo asht mnyra shqiptare me ra prej fikut n’dardhë. Interesant por jo për tu çuditë ka me qenë fakti, se ky ligj kapitalist ka me u aplikue gjithnji me logjikë komuniste, pra: puntori i ksaj industrie, ka me fitue ma pak se mbledhsi privat i kanoqeve. Por nuk asht kjo tema kryesore e ktij shkrimi, veç nji shteg që qet ku due me dalë.
M’intereson me folë për procesin e kundërt, që për mendimin tem asht shum ma i rrezikshëm, ngase shkakton dame të pariparueshme antropologjike. Procesi i importimit të bukurive dhe të kthimit të tyne në plehna. Ato letraret m’interesojnë veçan. Teksa ky proces duket sikur ka kursye shum prej klasikëve, nuk ka dyshim se përdhosja dhe sakatimi kanë karakterizue importin e shumicës së kryeveprave letrare të modernitetit. Autorë të masakruem janë Céline, Camus, Kafka, Pessoa, Miller (H.), Sartre, Kundera, Vonnegut, Eliot, Levi (P.), Borges, Deleuze, Kavabata, Mishima deri te ma të vonët, Houllebecq, Murakami, Oz, Bolanjo. Kundera, Houllebecq, Murakami, Oz, nuk asht se më dhimben fort. Të mos ishin përkthye hiç, nuk kishte me u pasë vu oroe ndryshimi. Céline, çka. Camus të dhimbet për shkak të personalitetit ma shum se për shkak të letërsisë që ka shkrue; e njajta gja vlen për Sartre-n. Nji letërsi eseistike, mbetet në tentativë.
Padyshim që fatin ma të keq e kanë pasë poetët: plotësisht të masakruem francezët, gjermanët, italianët, amerikanët. Ma shum se të tjerët italianët, mbasi për do kohë shumica e shqiptarve kujtoi se dinte italisht. Tash bajnë sikur dinë anglisht.
Jo ma pak të masakruem janë ata që janë përkthye n’atë shqipe që për shkak të aparteidit quhet gegnisht, me idenë që falë muzikalitetit të gegnishtes mund të arnohet moskuptimi literal i tekstit.
Kulmi asht se kto përdhosje i faturohen pamundësive të shqipes. Por kundërshembujt janë dhe vikasin po mbrenda shqipes. Për turp, ligji shqiptar i pashkruem i mikpritjes, shkelet kur bahet fjalë për miq nga bota humaniste. Por ndoshta asht normale që kultura e pashkrueme me vlerat e saj, me dështue kur vjen puna te kultura e shkrimit.
Pra pseudointeligencja jonë asht e specializueme jo vetëm në zbukurimin e plehnave, por edhe në importimin e bukurinave për me i transformue në plehna. E gjithë kjo ka bekimin e fondacionit për një shoqëri të zbërthyer.
Nga përvoja e ime në ktë fushë, di ate se bane e prune diçka të bukur, të thrrasin direkt për me të futë në punë në zbukurimin e plehnave. Por siç e thashë, ani! Plehnat janë biznesi i shekullit. Nuk duhet me i thanë jo ktij sektori kaq vital, për ktë fazë të postkapitalizmit të avancuem! Të avancuem deri në skajet e kapitullimit. Dhe kshtu më thirrën edhe mue me përkthye nji Daniele Steel; vuejta 6 muej me nji libër që mund të përkthehet për 2-3 ditë. Titulli “Tradhtia” – ironi e trefishtë, mes autorit-botuesit-përkthyesit. Në fund rezultati ishte sakat dhe i papranueshëm. Botuesi e mbajti do kohë, e kaloi nëpër disa redaktorë, në fund vendosi: nuk mund të botohet. Në këtë gjendje që është nuk mund të botohet. Fajin de jure ia la autores: e ka shkruar vetë! De facto e hangra unë: përkthimi nuk botohet, pra nuk paguhet. Hera e parë dhe e fundit që baj kso kompromisesh për lek. Ironia, e trefishtë – Autorja tradhton vedin: në kulmin e famës ajo provon me e shkrue vetë librin (nuk ia beson si gjithmonë 36 editorve të saj); në kulmin e fuqisë industriale botuesi i saj amerikan, pranon me e botue n’at gjendje (i pandjekun nga botuesit e tjerë të gjuhëve të mdhaja ktë herë); nel mezzo del cammin të jetës profesionale, përkthyesi tradhton vedin tue përkthye ktë paçavure.
Bashkëudhtarë! Në kjoftë se ju ftojnë për merita të veçanta me bashkëpunue te industria e zbukurimit të plehnave, mos harroni, mund të mos paguheni!! Dhe era e plehnave s’ka me ju shqitë nga flegrat për shum kohë. Nse e bani kte për me luftue energjitë e tepërta, pra me humbë njifije energji, mos harroni se energjia nuk shpenzohet në gjana ku nuk ka lëvizje.
Industria e plehave nuk asht pra as e re, as e panjoftun për ne. E gjitha kjo ka përmasa epike, mitike kisha me thanë.
Prandej, edhe në ktë rast na vjen në ndihmë nji paralelizëm mitologjik. Nga 12 mundimet e Herkulit, që ne bashkëfshatarët e tij etnikë kajherë e quejmë me përkëdheli Hekruli, ma shqiptari më duket miti i stallave.
Herkuli pastron stallat. Diku në nji vis pellazg të quejtun Elidha, rrnojte nji mbret që kishte 1000 qé, Augjeu, dhe ky Augjeu kishte 30 vjet pa vu dorë me i pastru’ stallat. Kshtu plehu kishte arritë nivele pellazgjike. Pellazgu s’e vriste shum mendjen. Herët e vonë zotat kishin me i nisë nji tjetër pellazg që mund t’i kryente at punë. Nji sfidë iu lshue Herkulit, kundrejt nji shpërblimi. Herkuli pranoi. Ma shum për sedër, se për shpërblim. Herkuli përdori nji stratagjem prej Uliksi. Tregoi se pavarsisht forcës, nuk ishte ma i trashi ndër pellazgët, dhe fundi i fundit ishte gjysë-hyjni. I ndrroi rrjedhën dy lumejve, që vërshuen furishëm në atë lugajë dhe e shkulën krejt plehun tue e dyndë e shpërnda tjetërkund. Tue plehnue edhe tokat ma andej.
Duhet pra nji Herkul për me pastrue plehun 30-vjeçar të stallave të gjuhës shqipe.  Dy lumenjtë janë gegnishtja dhe toskërishtja.

lunedì, settembre 19, 2016

How the Doors can save your life


Isha tu u kthy prej Tiranet mbas mesnatet. Kjeshë nisë në zheg për aty, me shmangë trafikun dhe trafikantat. Kur mrrita isha i lodhun, dhe ma i lodhun tash në kthim. Ora 1 mbas mesnate. Sytë, që s'shohin mirë as ditën me diell, natën kapitullojnë. Mendja fut në përdorim backupin. Përllogaritë matrica; dekripton algoritmin e vendndodhjes pa adresë. Grahja pothuejse përmendsh. Për ma tepër, anipse pse gusht, at natë kishte ra mjegull. Kasetofonin e kisha zhgulë qysh kur radio ishte ba televizive. Imazhet verbale të saj, po aq të neveritshme dhe kakofonike sa televizivet. Me të kalue Kamzën ku tek tuk shtyllat edhe bajnë dritë hyna në mjegullën e ultsinës së mbjellun me shpia. Për ma tepër kisha nja nji vit pa u ngi me gjumë. E kshtu, po mendojsha përgjumshëm dermanin. Nji kafe te nji pikë karburanti, s'kishte me qenë keq. Shokët ishin tu m'pritë te nji oborr i mshehun n'Gjuhadol, me nji raki marakut. Duhet të ishin dejë tashma. Mu m'kishte dejë etja për gjumë. Ia dal, ia dal... kam përvojën e duhun, autonominë e duhun. Yeah keep your eyes on the road and your hands upon the wheel... Yeah we're goin' to the Roadhouse and gonna have a real... good time... Në Fushë-Krujë isha tu i kërku me za t'naltë zonjës prej hini me dorzue votat... Ashen Lady give up your vows... Save our city! right now!
Mandej u donte edhe nji dorë muhabet fluturak me femnën prej qytetit t'engjujve... si e diele mbrama që ishte... L.A. woman sunday afternoon... drived to your suburbs, into your blues... Kjo më zgjoi thuejse krejt... çar magjiet ka nata, me tu dukë Kurbini si Los Angeles... mjafton muzika e duhun... dhe mbulimi i dyfishtë me mjegull e me natë... kur pashë që e kisha kapë Lezhën, u ndiva ma i ftilluem dhe kalova te baladat ma t'buta She lives on love street... she has a house and garden... I'd like to see what happens... N'Beltojë kisha kapë baladën Crystal Ship, nji nga ma t'preferuemet e mia. Te harku i Bërdicës fillova me Soft parade i bindun se pa e mbarue kangën, që asht e gjatë dhe me dashtë me i ra shkurt mund të tjerret edhe ma gjatë, se pa mbarue balada kisha me kenë te oborri me shpresë se do t'kishte mbetë nji pikë prej asaj rakisë së marakut të cilës mjafton me i marrë erë për me tu pastru balli prej stogjeve të smogjeve. Dhe e gjeta azilin e butë dhe kishte teprue nji gotë e gjysë, gati dy gota prej rakisë... Can you find me soft asylum I can't make it anymore... the man is at the door...
Për veshë të tjerë për momente tjera ka grupe të tjera, nuk janë edhe aq shum sa mund të duken... por në nji moment t'caktuem, të gjithë më venë në gjumë. Me përjashtim të grupit The Doors... prej kangës së parë tek e fundit.
Vetëm ideja e infinitit e mban shpirtin gjallë.
Formulën e pagzimit e ka lanë William Blake:
If the doors of perception were cleansed every thing would appear to man as it is, Infinite

venerdì, luglio 01, 2016

Çka përfaqson tantrizmi për qytetnimin modern perëndimor*

Julius Evola

 

Çka përfaqson tantrizmi për qytetnimin modern perëndimor*

("What Tantrism means to Modern Western Civilization": "East and West", I, 1, f. 28-32, botue në Prill 1950.)

[marrun prej librit Oriente e Occidente, La Queste, 1984]


Nji nga karakteristikat e doktrinës hindu, siç mund të përshfaqet në mnyrë të përgjithshme te Tantrizmi, qendron në pohimin prej saj se ofron nji formulim të përgjithshëm të doktrinës tradicionale që asht e vetmja e përshtatshme për epokën e fundit të ciklit të tashëm, pra Kali-yuga-n. Pavarsisht randsisë së tij, Tantrizmi pak njihej në Perëndim deri para do kohësh. Pohohet se msimet, ritet dhe disiplinat që mund t'i vinin përshtat kohës së kryehershme (Satya-yuga [barazvlen me "kohën e arit" hesiodiane]) kanë prâjtë se qeni për njerzimin e gjallë në epokat e mandejshme dhe janë edhe ma pak [n'kohën e mbrame], në "kohën e errtë" [(Kali-yuga)]. Prandej nji njerzim i tillë, jo tek Vedat a në tekstet e tjera ngushtazi tradicional, por tek Tantrat dhe tek Âgamat – pohohet – mundet me gjetë njohunitë [botëkuptimin, ritet] dhe praktikat efikase të ekzistencës së kushtëzueme që i mundësojnë me arritë qëllimin epran të nierit: lirimin prej çdo formet. Kshtu, shpesh, Tantrat paraqiten si nji "Vedë e pestë", si nji zbulesë e matejshme gjegjëse me fazën e tashme të shfaqjes. Ata deklarojnë për ma tepër se ritualet e maparshme janë ba të paefektshëm sakur nji "gjarpën i hekun helmi", për arsye se cilsimi mbizotnues (adhikâra) i nierit ka psue nji ndryshim të tansishëm1.

* * *

Historikisht, Tantrizmi lidhet me nji revolucion karakteristik që filloi n'Indi kah gjysma e mijëvjetshit të parë p.K. Tue fillue prej asaj kohe, disa figura hyjnore femnore – Shakti – fituen nji randsi gjithnji e ma të madhe, tue shoqnue hyjnitë hindu që në periudhën ariane dukeshin të izolueme, dhe, në shum raste, fituen edhe nji vend të dorës së parë kundrejt tyne. Shaktismi asht nji nga aspektet kryesore të Tantrizmit.
Mirpo, prej nji pikëpamje metafizike, "çifti hyjnor" asht simbol i dy aspekteve kryesore të çdo parimi kozmik: hyjnia mashkullore përfaqson aspektin e pandryshueshëm dhe përtejsor dhe ajo femnore përfaqëson fuqinë, forcën, energjinë e shpërfaqjes dhe, në njifarë kuptimi, dhe aspektin e saj aktiv dhe himanent. Prandej, shfaqja e Shaktizmit në botën e hershme indo-ariane, pos formave të veta popullore dhe përkushtimore, asht tregues "barometrik" i ndryshimit tek besimet. Na thotë sesi, krahasuem me ndërgjegjen e maparshme të nierit që thelbsisht prihej kah bota e qenies, aspekti "shpërfaqje" dhe "veprim" i hyjnisë u ndie ma drejtpërdrejtë dhe mori randsi të veçantë3.
Mirpo, asht jashtë dyshimi se te kjo ne kemi njiherit edhe karakterin bazik të qytetnimit modern perëndimor, tek i cili himanentizëm asht fjala çils. Për ma tepër, domethania kryesore e fjalës Shakti asht: aftësi me veprue, autoritet dhe fuqi. Tantrizmi spekullativ e koncepton botën, jetën dhe nierin ekzistues thelbsisht si njifarë fuqie. Ai flet për nji Brahman aktiv, Mâyâ (è ricondotta) te Mâyâ-Shakti, që nuk don me thanë ma iluzion kozmik, por në të kundërt "shpërfaqje e esencës që përbahet prej vullnetit Icchâmâyî. Nga ana tjetër, Kâlî (nji barazvlerës i Shakti), qi simbas Tantave tek Kali-yuga "asht plotsisht e zgjueme", i shpërfaq aspektet e veta demoniake, të shprangosuna dhe të egra. A s'ka mundsi që kundërgjegjësja e tyne në botën moderne të jetë gjithçka që mund ta kallzojë shpërthimin e forcave irracionale elementare, nji "telurizëm" dhe nji demon i rrymave kolektiviste që, tekembramja, zbulohen si vetë fryma e botës së teknikës, teksa kundërgjegjësja e tyne realizohet nga feja e adhmënisë, nga teoritë "vitaliste, dhe nga zbulimi i fytyrës instinktive-të pavetëdijshme, natore të shpirtit?"

* * *

Nuk mund të mohohet, se nën këtë aspekt, ka tema të konceptimit tantrik që mton me veprue si pasqyrë ndaj qytetnimit modern në format e veta ma të guximshme dhe problematike. Kah ana tjetër, cila pikëpamje mundet me qenë ma tërheqëse për vokacionin e Perëndimit se ajo për shkak të së cilës, simbas De La Vallée Poussin, [te budizmi tantrik, te Vajrayâna,] Absoluti vetë prân se qeni nji përvojë ekstatike për tu ba diçka që ai i cili ka mrritë ndriçimin mundet me rrokë dhe me e zotnue?4.
Te dishepulli, te Siddha dhe te Vîra, Kaula tantrik ekzalton individin që asht epran ndaj çdo çifti të kundërtash, që asht i lirë si nga e keqja si nga e mira dhe ligji i të cilit asht vullneti i tij, (shvecchacarî) tue shkue ksodore shum ma përtej se mbinjieriu i Nietzsches. Tue ndjekë ktë rrugë, asketizmi i tipit damtor zëvendsohet prej teknikave të Hatha-yogas që prihen me i komandue forcat ma të mbrendshme të trupit, sbashkut me nji urtì që shpall me Kulârnava-tantran: "trupi asht tempulli i Zotit, dhe ndërgjegja e gjallë (Jiva) asht Shiva i amshuem (Sadâshiva). Rituali tantrik i msheftë (pancatattva) shpall mosekzistencën e antithezës mes asketizmit dhe shijimit të jetës, mes yogas dhe bhogas. Ai premton zotnimin e njenit dhe tjetrit, tue nënvizue se bota e lirimit asht në ktë botë dhe jo në tjetrën (yoga bhojâte, mokshyate samsârah). Zbatimi i rregullave morale si rite të dukshme, në rrethe të tilla, asht e deklarueme se i përket pashusë, nierit të lidhun, të trashë, që i përngjet shtazës, kurse Tantrizmi premton njohjen ezoterike që liron dhe i thyen tana zinxhirët5.
Mbi kto baza, mund të lindë tundimi me folë për nji Tantrizëm "modern" e mbase "perëndimor". E prapëseprapë tue ba kshtu, nji keqkuptim kishte me dalë me siguri. Përkimet nuk janë t'atilla sa me prekë nji ndryshim themelor te planet dhe primjet. Vetëm tue e pranue ktë ka me qenë e mujtun me pranue se Tantrizmi mundet me ia shenjue rrugën nji elite perëndimore që nuk don me u ba viktimë e atyne përvojavet, teksa i gjithë qytetnimi asht aty aty me u përmbytë sosh.
Në radhë të parë duhet nënvizue se tek Tantrizmi vlerësimi i forcave, të vërtetave dhe cilsimeve që mbisundojnë te Kali-yuga nuk lejon nji nivel të poshtëm, as nuk lejon që e dhana ekzistenciale të mrrijë me u konsiderue si nji instancë e mbrame, dhe aq ma pak (si në rastin e shum prej filozofinave tona himanentiste) si diçka që u dashka me qenë, e u dashka edhe glorifikue. Vlerat që i përkasin realizimit shpirtnor epran, si i pat konceptue tradita e hershme metafizike hindu, mbahen. Problemi aktual i kohës sonë asht me gjetë metodën për me i ba efektive. Kjo metodë, e krahasueme me të drejtë me "kalërimin mbi shpinën e nji tigri", mundet me u përmbledhë te ky parim: "Për me fitue lirinë duhet me futë në punë po ato forca që kanë çue te ramja."

* * *

Për me gjetë rrugën e duhun në ktë kontekst, duhet me mbajtë mend se, në teorinë tantrike të shpërfaqjes, mbisundimi aktual i elementit shanktik në nji fazë të caktueme (faza zbritëse pravrittî-mârga) nuk don me thanë asgja kur krahasohet me parimin e nënrendimit metafizik të Shaktisë ndaj parimit të saj të përkundërt Shiva, Purusha a në cilëndo mnyrë tjetër të quhet "mashkulli i Shkatisë". Në ktë perspektivë gjinden të pranishme pika të caktueme referimi që kanë humbë krejtsisht në vështrimin modern të aktivizmit perëndimor, për të cilin, në njifarë kuptimi, janë e përkundërta. Në fakt gjithçka që asht aksion, dinamizëm dhe divenir, simbas pikëpamjes hindù dhe tantrike, mvesh gjithmonë nji karakter femnor dhe negativ. Në të kundërt, gjithçka që asht permanente, e palvizshme dhe qendrore ka nji karakter mashkullor dhe pozitiv, zotnon dhantinë e dritës dhe qenies, ose, në fjalë të tjera, asht "Zoti i Skeptrit" (vajra-dhâra).
Kjo pikë përcakton nji ndryshim të saktë mes horizonteve moderne dhe atyne që iu tokojnë formave ma të nalta të Tantrizmit. Nse në nji botë moderne asht e mujtun me konstatue nji tejngopje të elementit shaktik, sidomos n'aspektet e tij ma të ulta, materialiste dhe irracionale, kundërgjegjësja shivatike mungon. Kjo e fundit mund të përçanësohet si viriliteti i njimendtë shpirtnor, i lidhun ngusht me vlera, primje dhe shkenca të cilave edhe vetë ideja iu asht humbë në perëndim. Dhe e gjithë kjo, në të kundërt, merret në konsideratën e duhun nga Tantrizmi, dhe jo në skaje spekullimi mirëfilli abstrakt, por si nji realizim. Pra asht e kjartë me pá ç'domethanie mundet me pasë kjo primje për ata që, edhe pse merren si individë në vetvedi, duen me iu vue nji cak forcave që përndryshe nuk do të kishin rezultat tjetër pos zhbamjes.

* * *

Shakti asht baza e jetës tantrike, por metoda qendron në kuptimin e saj me nji intensitet që, në njifarë kuptimi, e ban të vetkonsumueshme dhe e kthen në mjet transformimi dhe shpërfigurimi për nji ndryshim objektiv niveli. Nuk duhet me harrue se karakteristikat kryesore të hyjnive tantrike duhen konsiderue si simbole forcash destruktive, "lakuriqe", të lira prej lidhjesh, eprane kundrejt çdo ligji – Kalî, Durgâ, ose në disa aspekte të sajat, vetë Shiva-Rudra – kanë nji natyrë të tillë sa me qenë njiherësh hyjnitë e transhendencës së kullueme dhe të lirimit të mbrendshëm.
Në lidhje me ktë, nji aspekt "sakrifikal" dhe nji moment "transformues" gjenden në të gjitha metodat tantrike, deri edhe tek ato që ciken me magjinë në kuptimin e ngushtë ose në dëfrimet orgjiastike, shì si nji kornizë e shejtnueme dhe nismimore, ajo asht e pandashme nga çdo metafizikë dhe nga konceptimi tantrik i botës si "fuqi". Kjo përfaqson rishtas nji linjë ndamje dhe asht e lehtë me i kuptue plotsisht kushtet në të cilat ideali perëndimor i afirmimit të Unit dhe i lirisë së tij mundem me i shmangë revolucionet destruktive për të cilat kemi saora do parandjenja të mbrapshta.

* * *

Tue i lanë mënjanë aspektet ma të jashtme dhe materialiste të qytetnimit modern të aksionit, asht e nevojshme tash me konsiderue at që në njifarë kuptimi mundet me u marrë si nji arterie qendrore. Asht primja me glorifikue nierin që filloi gjatë Rilindjes dhe që, përmes idealizmit kritik, racionalizmit etik dhe moraleve "autonome" të imperativit kategorik, ka çue n'ushtrimin e fuqisë së vullnetit të kulluet dhe tek ideali i mbinjieriut. Baza e të tana ktyne primjeve asht ajo me mbetë, në tanësi, mbi nji plan natyralist, individualist dhe intelektual. Ksodore soset në qorrsokak. Po kje se konsiderohet seriozisht, asht e barazvlershme me nji tejngopje të forcës që, falë caqeve të natyrës njerzore, mundet me përfundue vetëm në nji qark të shkurtë, në kolapsin e mbinjeriut në nji demon dhe në varietete të tipit "jam naltësue falë ushtrimeve", kaherë e dënueme prej urtisë së hershme si nji shmangie e rrezikshme prej realizimit të vërtetë shpirtnor.
Atje, kur ndalemi para ktyne pasojave të mbrame, duket kjartë se në Perëndim e vetmja zgjidhje e njohun asht ajo me hekë dorë dhe me i lejue fésë, në aspektet e saj mistike-humanitare dhe në tërheksinë e saj, me u kthye në botë.
Jo ma pak se çdo mësim tjetër me karakter nismues, edhe në Perëndim, Yoga në përgjithsi, por sidomos Yoga që ka nji primje tantrike dhe vajrayânike, na thotë se kjo alternativë mund të kapërcehet dhe se nji rrugëdalje ekziston përnjimend, ani pse – simbas shprehjes Kâthaka-Upanishad – asht si me ecë mbi tehun e briskut. Ajo që Perëndimi duhet të mësojë në ktë fushë, asht se bahet fjalë për nji ndryshim thelbsor dhe ontologjik natyre. Me folë për "mbinjeri" mundet me çue në keqkuptim. Mbinjeriu perëndimor shpreh kufijtë ekstrem ose potencialitetet e llojit njerzor, kurse te Yoga ky asht tranziti nga ky lloj tek nji tjetër, dhe, si qëllim, asht shkëputja nga çdo gjendje e cilsueme, kjoftë ajo njerzore, a hyjnore, të cilin duhet me u sforcue me e mrritë përmes nji teknike pozitive, e konfirmueme nga nji traditë mijëvjeçare dhe që s'ka asgja të përbashkët me nji gjendje demoniake të intelektit dhe me prevarikimet e veçanta të fesë së njieriut materialist.
Prandej afërmendsh se duhet pá ku mbaron rruga dhe ku fillon nji tjetër. Në lidhje pikërisht me Tantrat, ka primje të përbashkëta me vokacionin perëndimor me realizue nji vullnet të pamvarun dhe sovran. Por, në radhë të parë, ky vokacion nuk shfaqet ma si "luciferin" apo "titanik", por mund të quhet "olimpik", nse mbahet mirë parasysh i njejti simbol tantrik ku Shkakti rrok ta paepunin "mashkull hyjnor", të bamë me dritë dhe që mban skeptrin, dhe ajo asht rrezatimi i fuqisë së tij. Së dyti, në ndjekjen e ksaj rruge asht e nevojshme me i ba gjanat seriozisht. Nji kualifikim i jashtëzakonshëm kërkohet. Vëmendja dhe përqendrimi i thukët kërkohen gjithashtu dhe kto nuk kanë asgja të përbashkët me ushtrimet e filozofisë himanentiste dhe vullnetariste dhe, në përgjithsi, me qendrimi të thjeshta mendore. Së treti, iluzionet dhe krenîa e vedit individual, i atij që në termat hindù mund të quhet vedi samsârik, ose vedi i elementeve (bhûtâtmâ) që asht praktikisht i vetmi i njohun nga shumica dërrmuese e Perëndimorve modern, duhen braktisë. Në fakt shkatrrimi i kësaj vedje asht kushti i lirisë së vërtetë dhe i fuqisë së vërtetë, rrjedhimisht ky asht qëllimi i nji numri të madh teknikash Yoga sikurse edhe i atyne tantrike, çka se kto kanë karakter dionisiak dhe orgjiastik6.

* * *

E gjitha kjo, që ka të bajë me Kali-yugan, duhet mbajtë parasysh prej çdo Perëndimori që, ani pse mbetet në të njejtën primje ku forcat mbisunduese të qytetnimit të tij janë zhvillue, dëshiron halà, me mjete virile, me e shtri rrugën drejt sferave ma të nalta që ai ka braktisë me pretekstin e pushtimit të botës. Faktorë të tjerë duhen marrë në konsideratë në mënyrë që të mos lindin iluzione dhe që të kuptohet mirë kontributi i dhanë nga shpirtërimi hindù i llojit Yoga. Sikurse kemi përmendë ma parë, Tantrizmi ndjek sidomos – rrugën e Hatha-Yogas7 dhe kjo duket se përkon rishtas me primjet moderne perëndimore meqense përçmimi i trupit zëvendësohet me idealin e nji zotnimi të plotë mbi të. Por ky zotnim asht i mbrendshëm; përkundër mungesës së kuptimit që i detyrohet disa botimeve të përhapuna në Perëndim, ajo nuk ka asnjë karakter fizik a fiziologjik.
Por udhët që çojnë te trupi e që zanë fill së brendshmi, nga "e imta", dhe përgjatë linjave të së cilës mund të zhvillohen përvojat e mbinatyrshme – sikurse shpjegohet në mësimin që po trajtojmë – paraqesin vështirësi të mëdha për shumicën e perëndimorëve për shkak të proceseve shekullore që kanë nji karakter gati konstitucional. Pjesa e mbrendshme e trupit asht e mbyllun për nierin modern, sikurse për të asht i mbyllun realiteti i jashtëm që lidhet me aspektet që nuk janë thjesht fizike, ndjesore apo hapsinore. Yoga i tregon nierit perëndimor udhën për tu ndjekë me qëllim që shpirti të mundet me e mbisundue trupin dhe – simbas vetë teorisë antike perëndimore të lidhjes mes makrokozmosit dhe mikrokozmosit – me zbulue te trupi i zotnuem ksodore dhe i bamë i vetdijshëm, burimin e fuqive të jashtëzakonshme. Mbetet, gjithsesi, me u pá në ç'masë secili mundet me e ndjekë ktë rrugë dhe me fitue nji njohje reale të ktyne proceseve.
Pika e fundit me u marrë në konsideratë në mënyrë të veçantë, ngaqë përgjithsisht keqinterpretohet në botimet perëndimore, asht ajo se do t'ishte e vështirë me lanë mbas dore, në realizime të këtij lloji, transmetimin e «ndikimeve» të caktueme, të nji karakteri spiritual dhe mbiindividual, të kryeme nga organizata nismimore të rregullta. Pikërisht si rastet e qarkut të shkurtë, të përmenduna ma sipër, mund të shkaktohen nga himanenca dhe nga vullneti, duhet nënvizue vështirësia e individit me kapërcye vetvedin, përpos rastesh të veçanta të marra në konsideratë, përkundrejt fantazive të nji vetafirmimi zhgënjyes. Duhet të ndërmendim sesi studiuesi ma i madh në Evropë i tantrizmit, Sir John Woodroffe, na tha se ai nuk mund t'i pranonte kushtet e përgjithshme që i kërkoheshin për me hy në lidhje me organizata tantrike nismimore për ndonji gja ma shum sesa plani i thjeshtë doktrinor.

* * *

Në përfundim, ajo që kemi vu ma parë në dukje ktu gjen konfirmim. Kah njena anë pra ka nji gjegjësi mes disa ideve tantrike themelore dhe disa primjeve mbisunduese të shpirtit modern, për shkak të të cilave mund të vihet re seriozisht njifarë baze në pretendimin e Tantrave me paraqitë nji ide të përshtatshme me epokën e mbrame, pra me kohët e tashme. Kah ana tjetër ekziston nji vijë shenjimi e mirëpërcaktueme mes dy domejneve, për të cilat nuk i kursyem mundimet që t'i parashtrojshim. Aftësia me i tejkalue kto vija në disa mendje perëndimore tepër të kualifikueme, i gjegjet në masën në të cilën ato mund t'i qendrojnë besnike udhës kryesore të ndjekun nga qytetnimi përkatës pa u drejtue, për ktë shkak, drejt ndoj krize pa zgjidhje. Kto mund ta kthejë, të paktën për hesap vetjak, nji helm të fuqishëm në nji medikament të shëndetshëm; forcën që ka prodhue ramjen, në nji forcë që ngjall nji ringjallje dhe ban pjesëmarrës bashkë me të tjerët tek diçka eprane dhe shkëndritëse, përtej atyne fuqive pa qendër dhe pa perspektiva që i tokojnë epokës së errtë.


1 Në lidhje me ktë, shih për shembull: «Mahânirvâna-tantra, I,19; II, 7, 14; Târâpradipa», I; Shiva-Chandra, «Tantratattva», përkth. Angl. I A. Avalon, Londër 1914, I, 382 etj. [Tek «Mahânirvâna-tantra» thuhet (propriamente) se mësimi i përshattshëm për epokën e parë (Satya-Yuga) ishte ai i Shruti, ose i Vedave, për të dytën (Treta) ai i Smriti, për të tretën (Dvâpara) ai i Purânave, për të mbramen (Kali-yuga) ai i Tantrave dhe i Âgamave. [Veni oroe se e dyta qyhet e treta dhe e treta quhet dvapara, pra me numrin dy (dva), për shkak se në epokën e dytë harmonia e shpërfaqjeve t'ekzistencës zvogëlohet me nji të tretën, kur n'epokën e tretë virtyti dhe drashtja prej Zotit përgjysmohen. Njiherit epoka e dytë dhe e tretë janë të përkëmbyeshme, meqenëse 4 epoka janë ciklike. shën i përkth.]
2 Për krahasimet mes formulimeve të ndryshme të doktrinës së katër epokave dhe përdorimin e saj në nji metafizikë të përgjithshme të historisë, shih J. Evola: «erhebungëieder die moderne ëelt» Stuttgart, 1935. Pjesa e dytë (= «Revolta kundër botës moderne»].
3 Fakti se nën disa kandpamje, Shaktizmi duhet konsiderue si rigjallnimi i nji nënshtrese arkaike prearjane, nuk e paragjykon aspak interpretimin e naltpërmendun.
4 L. De La Vallée Poussin: Bouddhisme. Études et matériaux, Paris 1989, f. 148.
5 Referimet dhe teksi si ma sipër, shih J. Evola: «Lo Yoga della potenza (Saggio sul Tantra)», Milano 1949, passim.
6 [Në nji tekst orfik-pitagorik të vonë pos katër epokave të shenjueme prej Hesiodit të cilat iu gjegjen yugave hindù, quhet edhe nji epokë e mbrame, e vume nën shenjën e Dionisit. Mirëpo, Dionisi edhe prej të lashtëve konsiderohej si nji hyj i ngjashëm me Shivën, në nji prej aspekteve kryesore të vume në spikamë prej Tantrizmit të Dorës së Majtë.]
7 [Hatha-yoga (në kuptimin tekstual don me thanë yoga-e dhunshme dhe aspak «yoga-fizike») e nënkuptueme si «yoga e fuqisë gjarpnushe», si Kundalinî-yuga e bazueme mbi rizgjimin dhe përdorimin, për «lirimin» e saj, të Shaktisë së parëlindun (latente) në organizmin njerzor, të cilës i bashkëshoqnohet zhvillimi i nji shkencë të tanë që për si objekt «trupësinë ekolute», anatomia dhe fiziologjia hiperfizike e organizmin njerzor në kuadrin e korrespondencave mes nierit dhe botës, mes mikrokozmosit dhe makrokozmosit.]

Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)