lunedì, aprile 26, 2010

EFEKTI EUROPE

Astrit CANI
EFEKTI EUROPË


Kampionati i egoizmit politik në Shqipëri, nuk ka të sosur. Nëse, normalisht, ky kampionat duhet të mbyllej me fitoren e egos më politike, pretendimet për vjedhjen e votës, e lënë të hapur garën e egoizmit. Jemi edhe më egoistë se ju. Dhe do e tregojmë posa të na jepet rasti.
Ata që e ndajnë popullin në të majtë e të djathtë, në popull opozitar dhe mutatis mutandi pushtetar, harrojnë atë pjesë, atë ajkë do thosha, të popullit, që nuk ka votuar: shumicën morale.
Kjo ajkë që është edhe shumica e heshtur, skeptike, inteligjente dhe e durueshme e shqiptarëve, pjesa që e projekton veten më shumë në të ardhmen, më 28 qershor ka heshtur (nuk ka votuar!), ka vazhduar të heshtë dhe tani bën të njëjtën gjë.
Kjo është e vetmja sjellje europiane, besoj unë, ky pezullim i gjykimit, është gjykimi më i mirë. Kur zgjedhja është si ajo në Itali, mes një të djathte populiste dhe një të majte pa identitet, të mos votosh, është gjesti më normal, më qytetar.
Sa herë fitonte Berlusconi, në Itali, nëpër metro e mjete të tjera publike, shfaqeshin njerëz me bluza ku shkruhej: “Io non ho votato Berlusconi”. Herën e fundit që fitoi il cavalliere, këta njerëz nuk u shfaqën më. Tashmë kuptohej se nuk kishin votuar fare, ose, çka është edhe më domethënëse, nuk jetonin më në Itali.
Unë i përkas atij populli që nuk ka votuar. I përkas asaj pjese që e gënjyer nga Berisha, nga energjia e tepërt, nga entuziazmi patriotik, nga karaokja politike e Tiranës, dhe nga sensi i tepërt i identitetit, është kthyer para kohe, në Shqipëri.
Para kohe, sepse kodi gjenetik i jetës publike shqiptare është po i njëjti, edhe tek brezat fizilogjikisht më të rinj. Është një kod që shpërfaqet in acto në bunkerizimin e djeshëm dhe të sotshëm. Me ndryshimin se bunkerizimi i djeshëm ishte horizontal kurse ky i sotshmi është vertikal.
Kopshti antopologjik i diktaturës ishte një serë. Kopshti i tranzicionit i ngjau më shumë një xhungle, por, me një shpejtësi skëterrë po krijohet, në Tiranë, një serë e re.
Mua më është vjedhur vota!
Jo, sepse me identitetin tim ka votuar dikush tjetër, por sepse identitetin tim dhe të brezit tim, nuk e përfaqëson asnjëri krah apo gisht i politikës. Më është vjedhur përfaqësimi, askush nuk më përfaqëson.
Dhe pasi ia vjedhin përfaqësimin këtij brezi, e quajnë atë: brez nihilist!
Me sa shohim, politika shqiptare, vazhdon ta shohë qytetarin si burim fitimi. Në fillim i shet depozitat, pastaj gjeneratorët, pastaj i shet diploma, korrent, rrugë, mend... Na thoni sa kohë mund të vazhdojë kjo? Për sa kohë do vazhdojmë ta imitojmë Italinë edhe në veset e saj? A mos Europa do na marrë në patronazh e do na mbajë me euro vetëm që të mos bëjmë krime në shtëpinë e saj?

Efekti Europë do kishte hirin që pikësëpari do na çlironte nga ky kod i ngurtë i gjenetikës moniste. Meqë në tranzicion nuk pranuam gjene të reja, gjene të afta për ta kodifikuar ndryshimin, i mbetet ndikimit të Europës dhe kontakteve të drejtpërdrejta e të pakushtëzuara me të, kodifikimi i këtyre gjeneve të reja, që brezi im i zotëron. Që të kemi sy të rinj për ta parë vendin tonë, njëri-tjetrin, të shkuarën dhe të ardhmen tonë, duhet ta shohim atë me sytë e të rinjve, siç e sheh dhe do e legjitimojë Europa plakë.
Në këtë kuptim sikur të paktën moti të ishte europian në këtë vend, do na jepte shi më 30 prill dhe me 1 maj. Sepse nuk e meritojnë as këta të protestojnë as ata të festojnë. Zemërimi i të ashtuquajturve socialistë nuk buron nga zemra. Festimi i këtyre të tjerëve nuk buron nga gëzimi.
Zemërimi iu takon të heshturve, të papërfaqësuarve. Atyre iu takon edhe refleksioni më i thellë mbi të sotmen, gjetja e një logosi në këtë kaos.

Nessun commento: