martedì, agosto 07, 2012

PORNOKRACIA, nji liber per Tiranen


 
Blloku, (ose Bërlloku siç e don gjuha normale) hyn me të drejta të plota, ndër lagjet porno të Evropës. Kuptohet që kjo lagje porno ka veçoritë e saj dhe i ngjan ma shum nji lagjeje porno të Moskës sesa nji simotre në Amsterdam. Sepse kjo lagje asht shtabi tipik i njeriut të ri.

Por ka diçka që nuk ndodh në Moskë, ndodh që Kremlini i vendit tonë, të kthehet në nji belvedere seksi të reklamuem. 

Këtu gjithçka asht porno. Nga vila e diktatorit që ruhet dit e natë, siç ruhet dhe duhet ruejtë virgjinia e çdo monumenti trash. Jo pak porno janë lokalet me televizorët – bordello 24 orëshe imazhesh - që varen në atmosferën e gërbulun, por kurrë aq sa kazinotë, ku njerz me syzë të errëta iu hapin derën klientave me barqe të errëta, që zbresin nga super-qerret me xhame të zeza. Aty hyn tinzash edhe syleshi i radhës që len bukën e fëmijëve, veç për pak jetë porno. Porno asht mashkullia kalimtare që shëtit 'xhevahiret e familjes', tue u mundue me ecë me hap prej bosi. Por ma porno janë bosat e vërtetë, që nuk janë kurrkund të kenun. Porno asht trafiku dhe porno asht dhuna. Porno janë rrogat, por kurrë aq sa çmimet. Nji çoko-krem hormonal i lyen fytyrat e bllokmerdëve të rij, en bloc. Por pornoja shqiptare asht modeste dhe prandej do ndigjojsh kah të thonë: në daç me ba jetë porno, shko në Mal t'Zi.

Kjo lagje ka redaksitë e veta. Me nji ose ma shum sesa nji vaskë për redaksi. Thonë se rubinetat e këtyne vaskave janë prej ari, por edhe sikur vetëm të lyem në ar të ishin, mjafton me i ba pornografët të ndihen pornokratë. Sidomos kur këta nuk lanë pa lye as flokët.

Prej vetë konstruktit të tyne, këto redaksi janë mjaft të hapuna për bashkëpunim. Kohët e fundit këto kuvlina kukulturet janë hapë edhe për ish-aktivistët e shoqatave të mjaftueshme. Këta aktivistë, ose këto aktivistë janë në të vërtetë shum aktivë në jetën sociale, kurse në jetën intime janë pasivë, gja kjo që e kanë ba vetë publike. Dhe luftojnë për të drejtat e pasivitetit. Tue marrë jo pak mbështetje prej ambasadave që janë të interesueme me qenë të përfaqësueme në bllok.
Njiherë, para se vorfënia të çrranjosej, shoqata e mjaftueshme pat ba nji porteste kundër mjerimit, tue dhanë shembullin nga maja e nji jahti ku me ndihmën e disa amplifikave që ishin fjala e fundit e teknologjisë, ia amplikojshin pordhët shoqi-shoqit. Kjo protestë, aspak snobe nga forma dhe mjaft higjenike për nga përmbajtja, pati aq shum sukses, sa në pak vite mund të thuhet se vorfnia u zhduk ndër shqiptarë.
Së fundmi, të frymëzuem nga lëvizjet simotra ish-anëtarët e shoqatës së mjaftueshme, të bamë tashma të vetmjaftueshëm, vendosën me dalë me protestue kundër mungesës së fantazisë së shqiptarëve, të cilët ishin akoma në epokën e sekseve të kundërta. Kjo botë ku harmoninë e krijojnë të kundërtat, duhej përmbysë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Me nji 'vafanculo' për Heraklitin.
Siç e shihni, bllomenët e vërtetë, janë ma afër artit se politikës. Janë fiks tek zhanri hibrid i quejtun folitika. Kohët e fundit janë tue koordinue folitikën e vetëvendosjes së shqiptarëve. Kanë deklarue se Kosova asht jo ma pak e kuqe se Albania e etënve të tyne, kanë botue librin themelor 'Shqipëria' që asht çuemja në vend e testamentit të Samiut dhe po ndërtojnë 'bllokun' e Prishtinës. Ndërtimi i kësaj lagjeje-shtab asht e vetmja gja që s'ju ka ecë deri më tash, për mungesën natyrore të nji lumi.

Por lagjja-shtab e Tiranës e ka lumin e vet, që e zhbllokon bllokun. Asht lumi AnaL që përmbajtjen e tregon qysh nga forma. Të pasionuem mbas nji perrie të kangës kaliforniane, të rijtë po e quejnë gjithmonë e ma shpesh Lana. Asht banale që nji qytet me u ndërtue buzë nji lumi, e aq ma tepër nji fshat që asht vetëshpallë kryeqytet, por nuk asht aspak banale, që nji qytet me u ndërtue buzë nji lumi që quhet AnaL. Kjo don me thanë që nji qytet me luejtë me letra të zbulueme, tue qenë i sigurt për vlerat urbane që mbart.

Ne, arkaikët, i qëndrojmë emnin tradicional, sepse na shpjegon shum gjana për gjeografinë njerzore të kryeqytetit. Ky lum e ndan qytetin në dy pjesë, përplotësuese me njena tjetrën: Sodoma në perëndim dhe Gomorra në Lindje.

Asht nji ndamje pikante, si ndamja mes barokut dhe gotikut.

Sodoma ia ka lakmi Gomorrës, por edhe anasjelltaz. Gomorra historikisht ka arritë me eksportue kamorrën në Sodomë, kurse Sodoma ia pat dalë me i dhanë Gomorrës nji Sodom. Të cilit përpos se me luejtë doktorash, i pëlqente qamet edhe me diktue. Diktimin e kishte mësue direkt nga shoku En Verité.

Në kthimin prej studimeve jashtë, ku thonë se qenkesh nismue me analet historike, shoku En Verité pat sjellë frymën e revolucionit: dhe motua e tij asht akoma e shkrueme në brigjet e lumit AnaL: liberté, egalité, fekalité. Nga këto të trija, shqiptarët s'i kanë realizue halà dy të parat, por të tretën e kanë pasë realizue qysh në lashtësi. Pavarësisht se e kanë trashëgim prej të parëve, asht meritë e tyne në çdo kohë ruejtja e kësaj vlere. Tolerimi i fekalitetit të tjetrit asht baza e realizimit të dy vlerave të tjera, të cilat janë parat në rend, por jo ne trend. Amëlsina, edhe në kët rast, asht lanë për fund.

Domethanë, torta asht e bame dhe libri Pornokracia i Pjetër Zef Prudonit, vjen si qershia, pra ka funksion ma fort dekorativ.

Në mbretninë e dekoratave, nji dekorim nuk asht gjaja ma inovative që mund të bajmë për momentin. Sidomos kur puna si përkthyes na ven në pozitën e nji sekseri. Por fundja Prudoni nuk asht seksolog!



Sekserët full-time i dinë ma mirë këto punë. Shpresoj që kjo vepër ta fitojnë vëmendjen e tyne.
Qe pra dhe Pornokracia, nji libër për të gjithë sekserët.



8/7/2012 (Milano)

Nessun commento: