giovedì, marzo 03, 2022

Dostojevkij para gjyqit

 

Mendoj për kursin mbi Dostojevskin që shkrimtari Paolo Nori duhet të mbante te ateneu Bicocca. Universitet ku dikur ndiqnim kurse matematike në mënyrë klandestine, me miqtë e regjistruem n'ekonomik. Beton i gjallë ishte struktura asokohe e tash po shof se ia kanë nisë me betonue edhe idétë. Në ktë moment pyka ideologjike ka hy aq thellë sa duhet me pezullue edhe zgjedhjen e trashëgimisë humaniste që iu serviret brezave, për me krijue ekuilibra të rrejshëm në perceptim. Asht nji demokraci që prihet me tredhë frymën e vërtetë demokratike. E vitit '20 kje censurimi i Mark Twainit në nji atene dem t'Amerikës, me pretekstin se ai përshfaqte skllevnit zezakë, si qëllim në vetvete, kinse nuk u dashka prekë ajo pjesë e historisë se fyeka ekuilibrat e spektaklit aktual.
Shoqëria e spektaklit ka arritë hipostazën e vet, ku i gjithë realiteti menaxhohet si reality show, ku zani i Big Brotherit vendos konsensusin idiosinkratik: kush hyn dhe kush duhet me dalë.
E pra Mark Twaini asht shkrimtari ma demokrat i letërsisë amerikane. Nji kalorës i shkëlqyeshëm i mendimit demokratik, si Ralphi Waldo Emerson dhe si Henriku David Thoreau. Mendimi i ktij të fundit, kje themelor për Tolstoin siç kje ma vonë Tolstoj nji edukator shembulluer për Gandin.
Kemi Dostojevskijn që anatemohet pse ishte rus. At-hera pyesim: a ishte rus Dostojevskij? Patjetër, ishte dhe e kishte për nder. A ishte faji i tij pse ishte rus? Nuk ishte. Krenaria nuk asht krim. Sa i dha Dostojevskij Rusisë dhe sa i dha Rusia atij. Çka i dha? Nji dënim me vdekje në moshën 25 vjeç. Të atin ia vranë fshatarët që i mbante në kushte bujkrobërie. Vdiq i sakatuem dhe i mbytun nga borxhet dhe i shkatërruem kah shëndeti. Por e deshti Rusinë e deshti shpirtin rus. Me nji dashni të madhe prej njeriu të madh. Përshkroi nji botë, ku mungonte Zoti, simbas fjalëve të tij, por kur s'e humbi shpresën se e bukra ka me pështue botën. Nuk ka letërsia e përbotshme nji shkrimtar ma kontradiktor dhe ma vital se ai. Dhe vitaliteti asht cilësia numër nji e artistit.
Nuk e kanë me Dostojevskijn, por e kanë me vitalitetin e tij që kapërcen çdo kufi, çdo ngërç perceptiv të aktualiteteve prefabrikat që servir pushteti.
Të marrim edhe jetët e dy shkrimtarëve të pavdekshëm rus me origjinë ukrainse. Çehov dhe Gogol. Çehovi që shërbeu si mjek në kushtet e rrënimit moral dhe social të nji populli, kurr s'e humbi nji lloj lumtunie pa kompromis që asht shifra e artit të tij të mrekullueshëm. Kur vdiq, pa mrritë as 50 vjeç, xhenazja e tij u transportue në vagonin e midhjeve, si tregon Gorkij te kujtimet e tij. Kurse Gogoli pati nji vdekje të tmerrshme. Ka shkrue Nabokovi nji libër mbi ditët e fundit të Nikollës Gogol. Kam përshtypjen se shprehja jonë "gogol" për me thanë "lubi" rrjedh ma shum prej jetës sesa prej veprës së tij. Çka ju dha Rusia ktyne burrave të mdhej? E pra ju nuk e keni me Rusinë, ju e keni me humanizmin, ju po minoni vetë bazat e humanizmit.
Për Dostojevskijn mund të merret si bazë akuzuese nji lloj pansllavizmi që ai nuk e mshehu kurr. Por po ta studioni doktrinën pansllaviste, do ta kuptoni, se u përdor prej carëve në mënyrë imperialiste. Mjafton rasti i Polonisë. Prej saj kërkoj gjithmonë sakrificë në luftë krah Nanës Rusi, dhe mbasi e shtrydhnin e hidhnin tutje si limonin, madje e fshinin krejt prej hartës. Të paktën Putini nuk flet për pansllavizëm, nuk e ka ktë hipokrizi.
Ju nuk po luftoni kundër luftënxitësave, se ju luftënxitjen e keni biznes, por po përfitoni për me luftue ndërgjegjen. Ju po ndëshkoni gjykimin e shëndoshë dhe jo krimin. Perendimi nuk asht diktaturë se nuk ka diktatorë, ngase teknokratëve të tij, iu mungon guximi me kenë diktatora. Por asht totalitarizëm. Cili asht ndryshimi? Diktatori iu imponohet turmave dhe don që ato ta duen madje ta dashurojnë. Mban nji sistem mbi supet e tij dhe ky sistem bjen me tu rrxue ai. Asht i sëmundë por me nji sëmundje që bazohet tek njerzorja. Nji lafitje e njerzore. Totalitarizmi nuk ka qendër. Asht njerzorja e lafitun. Nji makineri shtypje pa ftyrë. Bazohet tek ajo që Micheli Foucault quente "pëlhura pa merimangë". Nuk ka pra nji merimangë që thur pëlhurën, ktë pëlhurë e thurim të gjithë ne bashkë, ku përfundojmë të lidhun kambë e duer në nji kmishë force që na pin gjak.
A ju kujton diçka? Asht ndryshimi me botës diktatoriale të Orwellit dhe botës totalitare të Huxleyt. Mustakët e Vëllait të Madh orwellian, në botën e Huxleyt janë thjesht poster në dhomën e nji konvikti.

Nessun commento: