mercoledì, settembre 07, 2022

Pozicioni i Kadaresë në letrat shqipe asht ende helmatisës

 

Shum libra që janë mundue me hedhë dritë në lidhje me Kadarenë, janë zhdukë prej qarkullimit, kurse autorët që i kanë dalë kundër qysh në fillim Kadaresë dhe kultit të tij, thjesht nuk botohen as nuk lejohen falë nji censure të heshtun ku ndihet ende duhma e sigurimit të shtetit.

Përmendim librin e Pipës "Subvencion drejt konformizmit", librin e Petraq Kolevicës "Autobiografia e I. Kadaresë në vargje" sidhe librin e K. Myftarajt mbi të njejtën temë. Në kohë të ndryshme kemi pasë rastin t'i lexojmë të tre, kjo për shkak të kontaktit direkt me librin, kontakt që lexuesi i zakonshëm s'ka si me e pasë. Asnji prej ktyne librave nuk kishte qëllim për me anatemue a shkreditue nji figurë kaq të kompromentueme – qëllimi i tyne ishte thjesht me plotësue njohjen e nji shkrimtari të nji brezi tashma të vjetër, se për ndryshe, nuk arrin me njoftë as kush janë shkrimtarët e rij.

Në 2007n, ndërkohë që shkrueja thezën time magjistrale, që ishte mbi indentitetin narrativ, më thirrën për me përkthye Kadarenë. Nuk më thirri ndoj botues a ndoj letrar i kalibrit, por konsulli jonë në Milano, të cilit, me të drejtë ia kam harrue emrin. Ideja e tij ishte se Kadareja duhej përkthye prej shqipes direkt, ngase përkthyesi i tij i ri në frangisht ishte i dobët. Në fakt, konsulli, kishte hallin e vet, hallin e karrirës së vet, si ma pohoi edhe vetë. Ksaj mund t'i shtoja edhe faktin se edhe librat e fundit të Kadaresë ishin të dobët.

Un kisha lexue disa libra kritikësh francezë për Kadarenë dhe asnji prej tyne nuk kishte nivel të pranueshëm kritik, ishin ma shum agjiografi për Prometeun socialist, apo përqyrrje patriotike me ekzotizëm stalinist. Si ka mundësi që nji vepër që mëton me kenë kaq vitale të mos ketë ngjallë kuriozitetin a pasionin e kritikës letrare profesioniste? Por ky nuk ishte meraku em, asokohe, fundi i fundit Kadareja e kishte hangër livadhin e vet.

Habitesha si ka mundësi që nuk arrin me dalë kurrgja prej burgut të shqipes drejt gjuhëve të tjera? Për Trebeshinën e dija se kishte arsye politike pse kje dënue me vdekje për së gjalli edhe si shkrimtar. Letërsia e tij e thatë prej shkrettine tartarësh, ishte nji ndër gjanat ma të idhëta e t'idhnueme që ka letërsia botnore, po pse nuk kishte as nuk ka vepra të tijat në qarkullim. Teatri i tij ishte inekzistent, letër e vdekun, pse?! Nji përkthyes shqiptar me nismën e vet kishte përkthye n'italisht jetëshkrimin e tij "Dafina të thata". Kisha arritë me e sigurue falë nji blemjeje online. "Allori secchi" shtypë prej nji botuesi krejt të vogël me shum pak kopje besoj, ishte libër ndriçues. Aty Trebeshina tregonte jetën e vet, me stilin e tij të sertë e të esullt deri në fanatizëm. Me nji ndershmëni intelektuale që asht thuejse e pamujtun me e gjetë ndër shqiptarë, ku guximi intelektual asht gjaja ma e rrallë n'absolut.

Trebeshina tregonte sesi sigurimsat e infiltruem në qarqet kulturore i propozuen ta banin shkrimtar shtetnor dhe ai refuzoi. Në fakt qysh kur ishte student në Moskë ky sorollop fuksash kishin nxjerrë fjalë se Kasemi ishte i çmendun, kurse mbasi panë qendrimin e tij strikt në lidhje me ofertën bujare të udhëheqjes, e shpallën botnisht të çmendun. Dhe i çmendun ishte, nji njeri që preferon me ndejtë si skllav në burg, në vend që me dalë si star në publik, asht i çmendun. Por çmendunia e tij ishte xhenuine. Ishte nji mburojë tragjike për shëndetin e shpirtit. Si thotë Shën Pali: o je i çmendun sy botës dhe i shëndëtshëm për Zotin, o i shëndetshëm sy botës dhe i çmendun për Zotin.

Kurse çmendunia e tyne ishte perverse.

Ma ambicioz dhe ma materialist, Kadareja jo vetëm që pranoi, por e lakmoi nji pozicion të tillë si shkrimtar regjimi. Ky rol ishte i barazvlefshëm asokohe me rolin e ministrit të propagandës, ngase propaganda asokohe bahet fjalë shtypit. Ai duhej të zbukuronte me pëlhurë letrare linjën zyrtare të pushtetit mbi çeshtjen e ideologjisë komuniste dhe identitetit shqiptar. Duhet të veshte me bimë zbukuruese telat me gjemba që rrethonin burgun tonë 28 mijë km katror. Detyrë që e kreu me sukses.

Mendja e tij u hap drejt interesash të reja, kur vetë shpija botuese e regjimit që merrej me propagandën e jashtme, pra "8 nëntori", vendosi ta përkthente në frangisht. Kjo detyrë iu besue Jusuf Vrionit, nji filolog i burgosun prej familjes së madhe të Vrionëve, i cili kishte jetue 18 vjet në Francë dhe si francezist ia kalonte edhe Konicës.

Vrioni do të përkthente edhe veprat e diktatorit në frangisht. Kshtu Cufja prej rrënimit total fitoi nji vend pune si përkthyes te shpija botuese, e cila edhe pse krejt e vobektë ishte prap ma mirë se burgu, dhe ku shihej me xhelozi dhe urrejtje prej kolegëve spiunë. Kta ishin gati me ia ba gropën, por i kishte parapritë vetë diktatori, i cili i kishte dhurue nji autograf Vrionit, si përkthyesi i tij ma i mirë, gjatë nji vizite te "8 nëntori". Vrioni punonte si përkthyes i nji shtrese të përmbysun, në nji realitet që ishte për vete krejt i përmbysun. Besoj se ai këndaqej kur përkthente Kadarenë, të cilit ia sistemonte edhe stilin simbas stilistikës klasike të realizmit francez. Pra ai këndaqej e dëfrehej ndërsa përkthente Kadarenë, se letërsia e Kadaresë të duket e amël para veprave të Enverit, të cilat, duhet t'i përkthente po ai, e në pamundësi me lidhë kryet me peshqir, për shkak të fuksave që e rrethonin.

Falë këtij përkthimi në frangisht, Kadareja pati nji lloj lirimi mendor, kur ambicia e tij u përudh drejt nji dimensioni të ri ma pak kaps. Ky dimension i ri ishte dimensioni europian i letërsisë. Mirëpo niveli i tij kritik dhe kulturor ishte mediokër, çka ndikonte për keq te niveli i tij eseistik. Niveli i tij si poet kje thuejse inekzistent. At-herë mbetej niveli i tij si prozator. Ktu ai shfaqet si shkrimtar atmosferash. Nuk asht në gjendje me krijue personazhe, as me i vjedhë personazhet, si asht rasti i Nabokovit, p.sh. që vodhi personazhet e Lolitës prej nji ekspresionisti gjerman dhe tue iu veshë atmosfera amerikane, realizoi nji prej romaneve të pavdekshëm të shekullit të XX, që asht pikërisht Lolita.

Atmosferat e Kadaresë janë tipike bizantine. Intriga asht gjithkund e askund. Proza ma e mirë dhe ma origjinale e tij asht proza ma mbytëse ajo ma e zymta, ajo e Përbindëshit. Shum prej veprave të tij janë botue me diçiturën "roman" por nuk janë të tillë, as në kuptimin arkitekturor as në kuptimin simfonik. Gjaja ma e afërt me romanin që ka shkrue asht "Dimri i vetmisë së madhe", i cili vetëshkatërrohet ngase personazhi kryesor aty asht vetë diktatori.

Nji shkrimtar që ka afrimitet me Kadarenë për kah origjina, origjinaliteti dhe inteligjenca, asht Milan Kundera. Kah karakteri nuk kanë lidhje kurrkund. Kundera që ishte komunist në rini, mbas shpifjeve dhe intrigave provinciale që e rrethuen me qëllimin ta rrënonin, kuptoi se seleksionimi mes komunistave funksionon drejt të poshtmes dhe u arratis prej vendit të vet. Për do kohë ai vuejti bashkë me gruen e tij në nji papafingo parisiene, derisa arriti me jetue falë punës së vet, pra veprës.

Qysh prej arratisjes, Kundera, i cili shkruen direkt në frangisht, nuk e lejon botimin e veprës së tij në çekisht. Imagjinoni sikur Kadareja mos ta lejonte botimin e veprës së tij në shqip, kishte me mbetë pa bukë. Fati kritik i Kunderës asht shum ma i mirë. Sigurisht, prestigji i Pragës, nuk krahasohet me prestigjin e Tiranës.

Edhe Kundera nuk asht shkrimtar personazhesh. Por ka situata. Letërsia e tij dëshmon boshatisjen e njerëzores, teksa Kadareja duket sikur tjerr njerëzoren mbi boshllëkun. Marramendja urbane e Kunderës, asht gicilim para pështjellimit abisal të Kadaresë. Frika burokratike që shtyp personazhet e Kadaresë, e vendos at shpesh në krahasim me Kafkën.

Por vitaliteti i Kafkës, dhe inteligjenca e tij e pakufishme, ledhaton metafiziken. Teksa Kadareja, nuk hyn realisht në mjediset që përshkruen. Sillet rreth llambës, si flutura që kndej ka frikë të digjet, kndej ka frikë të ftohtët e largimit. Asnjanësia e tij e len gjithmonë nën palët, sado që ai ktë mundohet me e shënue si qendrim mbi palët.

Fati kritik i Kafkës asht i ngjashëm vetëm me fatin kritik të gjigandëve të letërsisë universale, ai asht qendra e letërsisë europiane të Nandëqindës. Kafka asht pra nji tjetër frekuentim i përbashkët i Kadaresë dhe Kunderës, siç asht Franca. Por ata, sikurse nuk janë tokue as në Francë, nuk tokohen as te Kafka.

Botuesi i Kadaresë ishte partia; Kundera iku në Francë pa pasë botues dhe arriti të botonte te nji shtëpi botuese borgjeze; kurse Kafka la amanet të mos botohej vepra e tij.

Ndër të tre, Kundera asht ma kinematografiku. Kafka asht kaq shumdimensional sa asht e kotë me e dritëshkrue. Kadareja ka atmosfera kinematografike, por nuk ka skena. Librat e tij janë nji mizanskenë e vazhdueshme. Janë tabllo letrare çuditërisht pagojce. Kundera rimerr romanin skenaristik të shekullit të XVIII. Ai ende diçka prej iluministi, i cili englediset edhe përballë nihilizmit të kohëve të reja. Kurse Kafka, ka forcën thellësinë dhe supremacinë kritike të gjysmës së parë të Nandëqindës, koha e cila shterr potencialin kuptimor letrar dhe themeltar të krejt shekullit.

Kafka asht shkrimtari bohem, gjeniu pa treg, i cili kupton në pak vite at çka njerzimit i duhen shekuj me kuptue. Kundera asht shkrimtari që e realizon bohemën e tij në moshë të rritun, pra bohemi i pjekun, që din ku don me dalë, që gërsheton taktikën dhe strategjinë si mjeshtrat e shahut. Kadareja asht shkrimtari pa bohemë. I kapun. Letërsisë së tij të parfumueme, thellë-thellë i vjen era shtet.

Përkthimin e Kadaresë në italisht, un do ta kisha realizue me qejf, pamvarësisht se çfarë mendimi kam un për të dhe veprën e tij. Edhe ma me qejf e kisha pajisë me parathanie dhe shënime. Jo se nuk kam përkthime ma të mira me ba, por se gjithsesi asht gjynah me e lanë me u masakrue prej kanibalëve që vlojnë nëpër redaksi. Imagjinoni nji shkrimtar që ka nevojë për përmirësim, siç asht Kadareja, sesi del i përkthyem keq prej përkthyesish që s'kanë lidhje me letërsinë. Dhe për arsye të drejtash, botuesit zgjedhin veprat e tij të 30 vjetëve të fundit, që sinqerisht nuk e vlejnë letrën ku shtypen.

Mirëpo, Kadareja që në rini ishte i kapun prej regjimit, në pleqni kapi tregun. Libri shkollor, libri artistik, deri edhe çmimet letrare, duhet të kenë pëlqimin e tij që të ndahen. Ka ende nji frymë klanore të tipit mafioze-komuniste, në mjediset tona letrare. E kam përjetue prej afër ktë klimë.

Si pëfundimin konsullit i patën shkue djersë të ftofta kur i përmenda Trebeshinën. Mandej, mbasi foli me Ismailin, s'më thirri ma. Por un nuk po tallesha. Pamvarësisht të gjitha të zezave, në epokën e pornografisë universale, letërsia e zymtë e Kadaresë, ka të paktën dinjitetin e tekstit që rrin në kambët e veta.

Përvit botohen përkthime prej shqipes drejt gjuhëve të tjera, të vepra tona ma të mira. Dhe e dini cilat prej tyne arrijnë të përkthehen në shum gjuhë? Ato vepra që i pëlqejnë të majtës. E pra, e çuditshme asht kjo punë. Ja pra që distribucioni asht politik. Sot ma shum se kurr, përhapen veprat që i pëlqejnë propagandës së majtë.

Ne vjet botuem poezitë e Rreshpjes në italisht. Asnji reagim nuk erdhi prej kurrkah. Vallë pse Rreshpja nuk asht poet i nivelit europian?

Si mund të krijohet hierarkia e letrave shqipe, nse nuk lejohet konkurenca e vlerave? Dhe pse nuk mund të serviret cilësia pa pasë nevojë për servilizma politike?!

Ende në qarqet e Tiranës, ka prej atyne që duen me na konvertue drejt kultit të Kadaresë, nji lloj idhujtarie pa krye as bisht, kult gjithnji e ma autik, n'at masë që i gjegjet mungesës së kulturës së përgjithshme.

E pra nji shkrimtar, sado i madh, madje sa ma i madh të jetë, aq ma shum asht pjesë e kulturës së përgjithshme. Dhe jo eksluzivitet i elitave të imponueme me mnyrë kriminale e mafioze, që po në mnyrë mafioze dhe kriminale imponojnë kulte personaliteti, aty ku kulti dhe personaliteti përjashtojnë njeni-tjetrin.



Sot e ksaj dite Kadareja ka nji vend të pëlqyeshëm në sistemin letrar francez, edhe për merita të politikave kulturore të së majtës franceze, edhe për faktin se niveli i letërsisë së sotme frange asht shum nën mesataren. Kurse në letërsinë shqipe, për arsye prap politike, ka vend toksik. Pa u detoksifikue roli dhe pozicioni i tij, nuk dalin në dritë shkrimtarët e rij. Nuk ndodh kalimi breznor i mjeshtërisë, zejes apo energjisë. Nuk ndodh pra kriterizimi.


Nessun commento: