giovedì, luglio 10, 2014

Selam për Petro Zhejin

Të gjithë ata që kanë pasë fatin me lexue në fëmini përkthimet nga Petro Zheji, a Klio Evangjeli, Pashk Gjeçi a Gjon Shllaku, kanë ruejtë me letërsinë artistike nji afërsi kaq të madhe, sa me e ndi halà si afërsi gjaku. Dhe kanë fitue nji respekt për gjuhën shqipe, që nuk e kanë humbë kurrë.
Emrat nuk janë të numrueshëm. Shkolla shqiptare e përkthimit ka pasë dhe në masë ma të vogël ka, mjeshtra kaq të mirë, sa në klimën e sotme të zvetënimit shpirtnor, ende janë dorëzanët e lidhnisë së njerzve me artin, dimensionin shpirtnor t'ekzistencës.
Petro Zheji ndër të gjithë kryemjeshtrat e përkthimit përban përjashtimin ma ekstravagant, për shkak se ai ka lanë nji vepër të vetën me randësi epokale, dhe kjo asht "Shqipja dhe sanskritishtja".
Në tollovinë e botimeve të sotme në gjuhë shqipe, ku forca e verbët fizike e mbisundon sensin e masës, energjia e mrritjes e përpin energjinë e nisjes, vepra përkthimore e Zhejit, mbetet nji etalon i maturisë, duke qenë Zheji artisti i matun dhe njeriu me formim të mirëfilltë shkencor, që e ka rrokë artin si mbishkencë, por ruen të paprekun higjienën mendore të intelektualit të mbrujtun me logjikë.
Përfaqësuesi ma i njoftun i zejes së përkthimit shqip para Zhejit, asht pa diskutim Fan Noli, qoftë për arsye politike, qoftë për arsye artistike. Noli, si përkthyes (por në gjithçka) i përket popullit të vet. Por Don Kishoti i tij, pjesa e parë pra, asht nji version që nuk i len mangut asgja të thanmeve e të bameve të Nastradinit. Bukuria e gjuhës së këtij përkthimi asht e gjitha tek mjalti i traditës fshatare shqiptare, nji traditë tmerrsisht e pasun dhe e gjanë. Noli asht për gjuhën e vulgut. Asht popullor. Tjetër karakteristikë e dorës së parë e stilit nolian në përkthim, asht liçensa poetike, shkurt e shqip: përmirësimi i origjinalit. Ose ma mirë me thanë zbukurimi, se zbukurimi jo gjithmonë asht përmirësim. Dhe Noli e stilistët e tjerë të ksaj magje, e shfrytëzojnë shqipen edhe me i shtue notat komike, edhe me e thellue kumbin tragjik të veprave që përkthejnë. Kjo asht ajo çka quejmë shqipërim. Kulmin e vet ky stil, nuk e mrrin me vetë Nolin, por me Gjon Shllakun, me Iliadën e tij madhështore (versioni gegnisht), shqipërim sa gjenial aq edhe jobesnik. Por shembujt janë pafund.
Shqipërimi shihet ende sot me admirim, dhe realisht filtri i shqipes duke qenë vetë i praruem, i shton ar florinit të origjinalit. Por ka nji problem: asht ar me karaturë tjetër. Çka prun me vedi inflacionimin e produktit vendas. Në të njejtën mënyrë shkolla italiane e dublimit, për krahasim, sakrifikon aktorët dhe vokalet ma të mirë të saj, duke zbukuru veprat filmike të vendeve të tjera, çka realisht rezulton damtore për vetë filmin italian. Saherë na janë dukë dublimet italiane ma të bukra se origjinalet amerikane! E sa herë na asht dukë e gjitha kjo nji harxh i kotë! Duke intepretu interpretimin, a nuk kemi teatrin e teatrit? A nuk jemi te meta-teatri?! Interpretimi origjinal asht i shejtnuem prej vetë dimensionit historik në të cilin lindet... por kur Noli e shqipëron simbas kushteve kozmo-historike të Shqipnisë së kohës e cila ishte nji realitet në bamje e sipër, siç ka mbetë ende sot, përsos se nji shqipe, jep edhe nji interpretim tepër të pakonkurueshëm, që mbetet si totem, në të gjithë prodhimin artistik shqiptar. Dhe në fakt po len terren të minuem. Kush merret mbas Nolit me Cervantes-in o me Shakespeare-in, duhet ose me imitue Nolin dhe me hy me kambën e djathtë në mbretninë e harresës, ose me ba diçka krejtsisht idiosinkratike, duke u ba bashkëautor me Shakespeare-in, çka ka kuptim, vetëm nëse përkthyesi asht njiherit edhe vumës në skenë i pjesëve të bardit. Në tana rastet duhet me u marrë me Nolin dhe me Cervantesin e Shakespeare-in njiherit.
Por shì ktu hyn në lojë Petro Zheji. Alternativa ndaj nolizmit.
Zbukurimi i origjinalit, nuk asht përmirësim. Veprat kanë pjesë të shëmtueme, që duhet të mbeten të shëmtueme, për hir të ekonomisë së veprës. Mbas çdo zbukurimi, tek përkthyesi që e realizon, fshihet artisti i dështuem.
Puna e Petro Zhejit nuk shfaq këso mbivendosjesh artistike ndaj origjinalit. Shkenca asht arti i tij. Njiherit, si njeri thellësisht shpirtnor, Zheji nuk shef kontradiktë mes shkencës dhe shpirtit. As mes arsyes dhe besimit. Puna e tij nuk ia hipotekon shqipes veprat e ardhuna.
Njohës i mirëfilltë i sistemit etimologjik e logjik të traditës indo-evropiane, Petro Zheji ka respektin dhe distancën e duhun nga gjuha popullore.
Asht thanë e përsëritet se gjuhëbamësit e mëdhej të Rilindjes evropiane, prej Dantes te Luteri, zgjodhën gjuhën e popullit si gjuhë të letrave. Por nuk duhet harrue se përtej alibisë po shkruejmë gjuhën e popullit, fshihet nji zgjedhje politike revolucionare: ata shkruejnë gjuhën e borgjezisë. Gjuha e klasës fitimtare të kohës, kje baza e gjuhës letrare të cilët ata "krijuen". Noli e mbarë rilindasit zgjodhën mirëfilli gjuhën e popullit, për shkak se borgjezia shqiptare nuk ekzistonte si borgjezi (pra si klasë jo si individë) dhe si shqiptare njikohsisht. Ende sot nuk kemi nji shtresë të mesme. Megjithatë ata ishin diasporë, pra gjuha e tyne ruen shum shpesh nji distancë diasporike nga shqipja popullore. Noli mundohet me e kompensue kët distancë diasporike, por përfundon duke e vulgarizu shum gjuhën. Por gjuha e zgjedhun prej Petro Zhejit nuk ka frikë me qenë krejtsisht diasporike dhe krejtsisht poetike. Regjistri i Petro Zhejit ka distancën e duhun nga gjuha e popullit dhe nga ajo e pushtetit. Ky i gjuhës së mesme (mesit të artë të gjuhës) asht nji dimension shum i randsishëm që i jep mëvetsì veprës intelektuale të Petro Zhejit. Don Kishoti pjesa II asht edhe ujëndamës në zejen përkthimore të shqipes së kultivueme.
Në dukje të parë, prodhimi i pamatë zhejian, shfaq nji paradoks. Teksa përkthyesi shfaqet elegant dhe i distancuem prej shqipërimit liberal të veprave që punon, vepra e jetës së tij "Shqipja e sanskritishtja" duket sikur ia hipotekon shqipes pjesën ma të kryehershme të etimologjisë indo-evropiane. Ai që nuk shfaqet shqipërues në përkthim (e kush kishte ma shum tagër se ai, për me qenë shqipërues!?), na del shqipërues n'etimologji!!
Njiherit, shumica e pseudonjohësve të shqipes besojnë se shqipja asht gjuhë e bame me arna, me huazime e kshu me radhë. E gjithë kjo asht nji keqbesim, në fakt. Asht nji ndër mbeturinat ma toksike të mendësisë komuniste. Fakti që fjalët e hueja quhet letrare, kurse fjalët shqipe pranohen vetëm si dialektore dhe kjo ndodh te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Titulli duhet të ishte në kët rast: Fjalor i mjerimit të gjuhës së sotme shqipe. Ata që nuk e njohin shqipen, nuk ia dinë e nuk ia duen randësinë asaj. Kanë vuejtë shum me msu nji gjuhë të huej, dhe ia besojnë asaj tanë dinjitetin e nji mundshëm të nji gjuhe. Shumica prej tyne, mes të cilëve nji pjesë e mirë kanë rol aktiv në shqipe, si shkrues e përkthyes, ankohen se shqipja s'e ka kët fjalë, apo s'përkthehet kjo fjala tjetër. Shqipes së tyne i mungon shumçka, e kujtojnë se kjo i ndodh mbarë shqipes. Nuk e kanë të kjartë se shqipja nuk asht thjesht arkaike, por asht arketipore. Leksikun e marrin prej kolegëve të tyne gazetarë. Nuk e kuptojnë dimensionin kryesor të gjuhës që asht tingulli. S'iu shkon në mend se nuk ka mundësi që shqipja me qenë nji enklavë në leksikun e saj, ndërkohë që në sistemin e saj tingullor asht perandori!!
Kulmi i kësaj keqnjohje të shqipes shfaqet te nji dedikim, kur shkrimtarja ia kushton veprën e saj të shkrueme në nji italishte të cilën e njef ma pak se shqipen, fjalës "përvujtni" e cila, simbas saj, nuk ekzistoka në shqip, madje nji e tillë mosekzistencë ndikoka në krejt mbarëvajtjen e nji populli.
Sidokjoftë vepra "Shqipja e sanskritishtja" nuk u pranue për botim, si na e tregon edhe Zheji te parathania. Zheji nuk i numron arsyet pse u ndalue, por s'ka dyshim se kjo ishte nji vepër me përmbajtje thelbsisht metafizike, e cila pavarësisht se censorët nuk arrijshin me e rrokë, i jep atmosferën krejt librit. Arsyeja tjetër, ma e pritshme, asht se libri ishte krejtsisht antidogmatik dhe propozonte nji përmbysje radikale ndaj mendësisë së mykun të gjuhësisë militante të kohës, simbas të cilës shqipja ishte gjuhë minore, pra gjeografia dhe historia e saj ishin njisoj të vogla. Ndërkohë që libri i Zhejit krijonte me mjete shkencore idenë se gjeografia fizike e gjuhës shqipe, ishte në raport të zhdrejtë me gjeografinë e saj metafizike.
Studimet e indo-evropianistikës patën për shum kohë e deri në ditët tona nji mbisundim prej sllavistikës. Mjafton me pa' faqen e Gjuhës trake tek wikipedia gjermane, për me pa' se bibliografia thelbsore asht sllave, përkatsisht pranohet si autoritet Duridanovi, i cili fjalën burr të trakishtes e lidh me emrin Boris, por jo me fjalën burrë të shqipes, që në fakt asht identike. Njikohsisht akull e trakishtes lidhet prej tij me aqua të latinishtes, por jo me akull të shqipes e me radhë. Asht e kotë edhe ndërhymja aty, se shpjegimet shqip nuk pranohen as ndër kllapa. Kur opinioni shkencor (i cili lind e vdes në nivelin e opinionit në fakt), nuk pranon evidenca si kto që radhitëm ma nalt, si mund të pranohet nji vepër si "Shqipja e sanskritishtja" që e përmbys perspektivën krejtsisht? Për ma tepër kur autori i saj, asht vetë shqiptar?!
Duhet të kemi parasysh se evropianët mjaftohen me identikitin tonë, dhe nuk kanë shum kohë as vullnet me njoftë identitetin tonë. Por që edhe ne të mjaftohemi me identikitin, e të vazhdojmë mos me e njoftë identitetit tonë, kjo asht, për ne, e pafalshme.
Tek kjo vepër e rinisë së vet, Petro Zheji, studion në mënyrë të kristaltë, marrdhaniet e lidhnitë e shqipes me gjuhët kryesore të antikitetit klasik. Rezultati asht mahnitës. Shqipja asht gjuha arketipore, ose gjuha motër, pra nji motër e madhe që muer rolin e nanës (mother).
Mund të pohojmë se sanskritishtja asht gjuha e parë letrare e indo-evropianve ose indo-gjermanve, por, e vetmja gjuhë e gjallë që na lejon me kuptue diçka prej gjuhës së folun që ekzistonte para kodifikimit të shkruem të sanskritishtes, asht shqipja.
Gjuha asht në dimensionin e saj parak, arketipor dhe metafizik, fonî. Kjo fonia, për të cilën flet Saussure, përkthet simbas helenishtes, herë si tingull, por ma saktësisht si zhurmë. Pra zhurmë, pra onomatope. Por shqipja asht e vetmja që ka foljen me folë, e cila jep veprimin e të bamunit foni. Gjuha asht folnî. Tridhetë e gjashtë folnitë e shqipes, na lejojnë ne shqiptarëve me kenë poliglotët ma të natyrshëm në botë. Kjo nuk vjen prej faktit se jemi ma të meçëm se të tjerët, çka nuk ka si me qenë e vërtetë, por për faktin e thjeshtë se gjuha jonë amtare ka nji shtrimje fonike prej 360 gradë.
Te "Shqipja e sanskritishtja" përpos raporteve të shqipes me gjuhët e kryehershme të indo-evropianve, hidhet edhe theza se sanskritishtja asht gjuhë e ndërtueme, vepër inxhenierike. Kshtu shpjegimet onomatopeike kalojnë me të drejtë në plan të dytë.
Pjesa ma gjeniale e ksaj vepre asht zbulimi i visarit gnostik të shqipes, dhe thezat e Zhejit – njohës i vërtetë ndo i mistikës ndo i arritjeve të mendimit racional të shekullit të XX - e vendosin atë ndër herojtë e mendimit shqiptar.
Penda e gjuheve simbas Luigi Cavalli-Sforza
Me kët vepër Zheji hedh përfundimisht bazat për nji fjalor të mirëfilltë etimologjik të shqipes, duke i ba nji shërbim madhor programit kulturor të shqiptarisë. Raporti që gegnishtja ka te ky libër me tosknishten nuk ka qenë kurrë ma i natyrshëm. Kisha e gjuhës shqipe nuk ka qenë kurrë ma e bashkueme, se te vepra e ktij intelektuali të kulluem, që përfaqëson njiherit ortodoksinë shqiptare dhe autoqefalinë e mendimit shqiptar.
"Shqipja dhe sanskritishtja" asht nji libër që do t'i kishte pëlqye Borgesit; dhe vërejtja se tana gjuhët me shum fjalë nji rrokshe lejojnë këso arti kombinatorik, bie poshtë prej faktit se anglishtja apo kantonishtja nuk mundson të tilla. Asht nji libër gjithashtu që do i kishte pëlqye prof. Luigit Cavalli-Sforza, i cili me rrugë të tjera mrriti me e vu shqipen në vend të parë te penda e gjuhëve, te libri i tij "Geni, popoli e lingue".
Asht po ashtu nji libër që mundet me e plotsue në shum gjana dhe me e ndryshue perspektivën e kryeveprës së Benveniste-it "Fjalori i institucioneve indo-evropiane", vepër tek e cila shqipja lihet gjatë gjithë kohës jashtë loje, duke u përmendë vetëm njiherë për fjalën "besa", e cila nuk analizohet as si fjalë as si institucion, e pra asht logu par excellence i mbarë institucioneve indo-evropiane të shoqnive parashtetnore.
Raporti që shqipja ka me gjuhët e tjera të sotme e të kryehershme, asht prova se jemi evropianë në spikamë dhe se gjuhsisht nuk kemi pse të vjedhim. Se kemi identitet, jo identikit.
Kjo asht shum e randsishme me përcaktue gjeografinë shpirtnore të gjuhës dhe shpirtërimit shqiptar.
Në kohën tonë kur edhe programin kulturor mundohen ta bajnë hajnat me pushtet, asht e kjartë se hajnia ka me qenë pikë kyçe e atij programi. Por pjesët ma të shëndetshme të programit kulturor real të shqiptarisë bahen në heshtje prej individësh me sistem nervor prej Petro Zheji, me nji nevrastë të krahasueshme me atë të nji Solxhenjicini e nji Trebeshine, dhe dikur, kur të jetë ora e njimendsisë e shqiptarët ta mbledhin programin e tyne të vërtetë kulturor për me qenë nji kulturë e vërtetë, kta kanë me qenë gjeneratorët kryesorë të rrymës së kohezionit mbarëshqiptar.
I thirrun me tërhekë çmimin Asturias, shkrimtari jonë ma i famshëm, deklaroi në prani të parisë së Spanjës se diktatori jonë ishte nji don kishot. Në kët mënyrë, vërtetoi se nuk përfaqësonte frymën e romanit dhe se e kishte keqkuptue thelbsisht shejtninë e Don Kishotit, duke i dhanë figurës së don kishotit të njejtit konotacion negativ që i pat dhanë intepretimi komunist, pra jo kuptimin që i jep fryma e romanit. Duke na tregue se simbioza e tij me diktaturën, nuk ka sosë kurrë si e tillë.
Diktatori nuk ishte don kishot, Petro Zheji ishte don kishot (sikurse vetë Cervantes). Dhe ne shqiptarët jemi evropianë pikërisht pse nxjerrim don kishot si Petro Zheji. Kur t'i duem don kishotët tanë, at'her kemi me e kuptue se kush janë herojtë tanë e kush janë gjanat e shejta që na kanë lanë sakrificat e tyne.
Jeta e vepra e Petro Zhejit mbesin nji dritare drite në qiellin shpirtnor të shqiptarisë. Petro Zheji i kthen shqipes metafizikën e saj, dhe nuk ka shërbim ma të madh që nji shpirt mundet me i ba shpirtit.
Dhe shqiptarët kanë me e kuptue se vetëm duke gjetë dashninë për gjuhën, kanë me e gjetë ma në fund gjuhën e dashnisë.



                                                                                                                           Milano 4-5 korrik 2014

giovedì, aprile 10, 2014

KOMSHITE E LETERSISE - fragment

Kafe Drakul.
Sa kam ardhë.
Kthimi nga jashtë në atdhé, nuk asht ma pak emocionues se kthimi nga Tirëra në provincë.
Nuk e di pse lashë që miku im të më tërhiqte për tek kafja e fundit që ishte çilë në kët qyqtet kafshësh që rrinë në kafe. Mbase qe shpresa me pá ndonjë ftyrë të re femnore, a ndonji ftyrë të vjetër të papame kaherë, mbase ndonji arsye tjetër ma e fshehtë, por kurrsesi forca e inercisë. Nuk mundet forca e inercisë me të çue drejt inercish të reja.
Sa hymë më bani përshtypje se mobilimi e muret e lyeme me stuko venedikase por të importueme prej Turqiet e të përzieme mandej shqiptarçe, ishte pak hard-core. Nji varg hudrash sa gazepi varej pa turp mbi banak.
Në atë lloj pompe që shokët e mi të akalopisë, e quejnë me admirim surrealizëm. E ky asht shoku i parë për nji sy si ky i imi, në tanësi i pamësuem me teknikat e artit kontraceptual.
Amà ky lokal më shkaktoi edhe nji mbresë të mirë: banaku i tij fin, pa asgja të tepërt dhe karriget e pakta i ftojshin njerzit me ndejtë në kambë. E thashë, ja, ma në fund nji vend që ta nxjerr gjumin. Se kishte sak, rrum nja dy-tri shekuj që jeta në kët qyqtet qe kthye në nji konvaleshencë të vërtetë, por pa përmirësim energjish jetësore, pa rikthim as të oreksit me punue, as të oreksit me jetue, të atij me shijue anën hedoniste të jetës, a si e thonë njerzit këtu: me e kullotë ma... Veç oreksi me hangër sa vinte e zgjahej.
Veç halà nuk më ishte përshtypë qartë kjo mbresë ndër shqisa, kur, nji fjollë e lehtë e nji tymi të tejdukshëm e ma të lehtë se ajri, më shkëputi da-kadalë prej ritmit e mandej edhe prej të tjerëve. Atëherë nën kët efekt, shkova e u ula te nji tavolinë e kandit. Me nji portret aktoreje italiane mbi murin djathtas e nji portret aktori hollivudjan me origjinë italiane mbas kreje, të dy me origjinë origjinale shqiptare.
Piva nji cigare e gati po më shijote, e po rrëshkisja ma thellë në at topitje, kur, qe, më shkrepi me shkue në banjo për me u freskue pak. Nuk jam si Leoja që ka kuriozitet me iu pá edhe banjat mjediseve të reja që hapen për publikun, por simethanë, po më qëllonte mue shorti me e përurue, prandej, e përurinova... dhe sikur u rinova për vedi.
Kur u ktheva, me ftyrën në mos ma të zgjueme, të paktën ma të lame, tek tavolina ime, shoh se qe ulë nji tip tmerrësisht i çuditshëm. E s'më len as kohën me u habitë pse po ikin tanë, kur më thotë:
- Zatet, i dashtun.
- Zaten, me ke kam nderin?
- Juve si kush ju dukkem?
- Si Vlad Tepeshi, fatosi kombiar...
- Po, pikërisht ay jam, Drakuli me nammë... por unë më shumë përdornja hunjtë sesa retorikën nacionaliste për punët e mia. Kam qenë sitatheshja, i hurrit e i litarrit.
- E mbase edhe shprehja prej jush ka mbetë...
- Ppoo. Jjoo. Hurrin nuk e shpikka h...unn... tek ne në Dakki, e kanë pasë sjellë hunnt... por sitatheshja mmua më mbeti.
- Chi di palo ferisce di palo perisce, non è così conte? Thashë unë në mendjen time. Por Drakula kishte telepati.
- Po, ashtu me hu, më dënuan dhe turkkit.
- Po tash n'epokë moderne me se merreni?
- Oh, po ta sspjeggoj, durim. Po juve çffarë do të merrni? - ma priti ai që kishte hallin e xhiros.
- Unë nji kafe, simbas vendit kuvendi.
- Bukkur.


Dhe i bani nji sinjal kaq të avashtë banakierit, sa mu duk si ngurrimi i qëllimshëm i qezarit në kolosé para se ta kthente gishtin e madh për me vendos fatin e të mposhtunit n'arenë. Veçse unë nuk e pashë si publik at gjest, por si gladiatori i mposhtun prej mosluftimit.
- Na ven edhe do muzikkë. Klasikke, kuptohet, për mysafirin moddern.
Më erdhi nji kafe e nxime, këllirë e shkuar këllire, as me qenë zie me lesh të palamë. Ladi shihte kah korridori i shkurtë majtas meje, ku vareshin do steka bilardoje luksoze. Nuk iu shkulkan hujt nga mendja dhe këtij... mendova.
- Ja, çfarë bëj tani me hunjtë – më tha me at shqipen prej sllavo-dakasi të Transilvanisë. Por unë e kisha mendjen te kafja, dhe fill mbasi riktheva kryet në pozicionin fillestar, mendova se më kishte ba me kthye kryet qëllimisht për me më ba me ekspozue qafën. Dhe unë që bash at ditë pata dalë me qejf prej të ngrohtit, e ma në fund pa pasë nevojë me e veshë golfin.
- Kont, i thashë, tue e pranue përfundimisht identitetin e tij prej të vdekuni të pakallun, pozitën e tij prej mbreti të ndërbotëve, a mund të kem nji kafe ma të mirë?
- Jjoo... Jjoo... ka bbërë më të mirën e mundshme.
- Jo mu duk si e zieme...
- Ppo e zierë është ajo dreqi e hëngërt...
- E di conte, por më duket sikur â zi uji veç e kafja veç...
- Dale, se kshu e kka ekspressi sapo është vvënnë në punnë... njësoj do dalë edhe tjettra.
- Po pak sheqer kont, ju lutem (e me veti: na qenka dhe leibnitzian pale).
- Sheqerin na e ka ndaluar biroja, por ka kripë... - tha ai me nerva prej të vdekuni që s'gjen vorrim dhe futi dorën tek nji thes poshtë tavolinës e më hodhi do kokrriza të bardha në kafen e zezë si nata transilvanike. Mandej futi thonin e tij të zi e të gjatë të gishtit të vogël dhe e përziu. Në fund, kur po bante me e nxjerrë, nga gishti i tij i hollë i shêjit ra drejt e në filxhanin tim nji unazë.
- Oh, tovarish, e kisha harrosur... (veç tek varrosjet e kishte mendjen shejtani!) kisha edhe pak nga ky pluhuri i cianurit... e kam qysh prej Luftës së Ftohtë.
Mori unazën, e mbylli rubinin dhe e vuni prapë në gishtin e hollë. E mbante siç mbahet kambëza e nji pistolete e jo siç mbahet nji unazë.
- Pra juve conte, i thashë unë me pak latinitet edhe në za, keni qenë aktiv gjatë Luftës së Ftohtë.
- Po. Pse prej kujt mësuan ata? Dhe e dini juvve pse u quajt e ftohtë?
- Ngaqë ishte luftë nervash mes byrokratësh të ftohtë?!
- Jjooo. Dimri rus nuk hyn aspak. Asnjë dimër i madh s'ka lidhje. Ajo qe luftë e ftohtë, pasi ishte thjesht një luftë civvile e jona. Por ne jemi të pavdekshëm, prandaja... dhe jemi gjak-ftohtë. Luftuam kryesisht në bursë, me thënë të drejtën. Ndërsa vegjëlia luftonte për pilaf. Dhe faktikisht dolëm shumë më të pasuruar se çdo dilnim nga çdo luftë e nxehtë, por sa parà bën kjo pasuria jonë? Nuk ha mordja as dyfishim t'i japim! Të na thuash vdeksh neve është njësoj si juve kur i thoni njëri-tjajtrit rrofsh!
Kshtu mora vesh që kontit mund t'i faleshe nderit, por jo t'i thoshe rrofsh!
Me këto fjalë konti po hynte prej derës kryesore në rolin e vampirit filozof, ma profesionistit në kohnat moderne, në kohnat kur karriera asht gjithçka, ku edhe kometat luhet në bursë!
- I keni të gjiththa aty, te 'Dimri i madh'... këshilli i vamppirëve... në dimrin rus. Por mos u tuttni, se ne nuk i tuttemi dimrit rus... më shumë na tuttet dimri nne!
- Interesante.
- Kam shumë respekt për vampirizmin shqiptar.
- Komunizmin, deshët me thanë?
- Po pra, vampirizmin... Ai, Rampiri ka qenë talent i linddur. Qysh para se ta njihja. Një virtuozz. S'kishe ç'ti mësoje. E mbann mend takkimin me studentët? ...Ai e kafshoi edhe shekullin e ri... që ju akoma e ndiqni si bebat kur ndukin bishtin e mackave.
- ...E mbaj mend si nëpër tym atë takim, me sa na e kanë shtrembënue mediat veç.
- Po pra, natën përpara pattëm qenë bashkë për darkë. Çfarë ironiku ai, ë? Si iu tha studentëvve: juve nuk i dini ca gjëra. Nuk dinin menunë e re, me ingrediantët e vjetër, që po u gatiste ai. Si i thonë fjalës, mirë që do hani, po dikush duhet të gatuajë. Dhe ky pilaf do tu thejë edhe ato gjysma dhëmbësh që ju kanë mbetur.
- Po mirë kont, cili asht vampirllëku ma i madh që keni ba ju vetë?
- O, nuk e kam bërë akoma, atë po pres, ndaj jam edhe këtu në mesin tuaj, e mbasse kur ta bëj do të vdes më në fund nga gëzimi. Shiko, unë i mësova të gjithë këta, dhe hapën të gjithë bisnez. Por edhe unë e bëra time: këta hap një biznes, unë hapu antibiznes përballë, në krah, poshtë shtëpisë së prindërve. Pse kush i lexoi Marksin, Adam Smithin, Bakuninin? Këta parapolitikët tuaj?! Këta nuk dinin as shqip! Kupton?! Unë ua thashë të gjitha. Kot, se jam snob!! Por më gjetën plak. Dhe kujtuan se më lanë si pykë, hahahu... Besoj e kuptuat lojën e fjalëve? (Dhe me gjysmë zani: Plepi plak i plasur pak palcë ka pasur, Plepi plak i plasur pak palcë ka pasur, Plepi plak i plasur pak palcë ka pasur... konti i bënte kto ushtrime për zgjidhje gjuhe, me i vërtetue vetes dhe mue se edhe pas gjashtë shekujt vegjetimi ai akoma ishte në gjendje me llapë)
- Ngaqë... pykë asht ai që mbet guak, por pyka asht edhe ajo majë druni që shërben me vra vampirat... tue ia ngulë në... hëkhë... në... zemër.
- Po, pra, me më lanë ata mua si pykë. Unë i bëra rehat. Pse, s'i thashë unë sektretarit tim dhe tuaj të parë En Verité-së, ç'industri zezën do bësh, bëre traktorin dhe nuk të eci... e vetmja industri që të ec këtu është një industri që bazohet mbi një lëndë të parë që nuk ka kosto përpunimi...
- Gjaku...?!
- Ekzakt, zotni, gjaku. Industri, biznes, dhe për më tepër e vetmja industri që respekton mjedisin. Pse kot e mora për sekratarim tim të parë unë atë, ashtu vetëm Aliun kam patur!!
- Domethanë, Vladiç, edhe ju paskeni vendosë me hapë biznes.
- Oh, biznes këtu hap gjithkush. Unë do të hap direkt monopol. Ndërsa, antibinzese simethanë kam boll. Jam Ladi i Dhombëve, ke nigju besoj... Kam edhe atë uniseksin... më fal, universitetin privat. Dhombët i njof kaher fort, i njoh me rrojë, simethonë... përpos kësaj mund të shërbej edhe si pemtar gjenealogjik... ja ti për shembull, i njoh të tonë të parët e tu... e keni gjakun e omël, po duhet t'i shtoni pak ujë amà... dhe më zgjati nji gotë ujë që ia mori kamerierit, gjesti i tij qe aq i avashtë, dhe unë kisha aq të nxehtë, sa gjysma e gotës mund të avullonte deri sa të ma vinte para ai. Kishte do kokrriza mbrenda... si naftalinë dukej, por unë kishem tepër etje.
- Falemnderit për komplimentin, kont – thashë unë dhe e piva me neps.
Me aq u ndamë, se shkoi në banak me pi Bloody Mary me kryetarin e bashkisë.
Rrugës mendojsha se si më ishin shkoqë tanë ato gjana. Tanë ata vampirushat merrkan zemër e mësokan prej kryevampirit të kryevampiratës botnore esnafit Vlad Tepesh, që masat e njofin vetëm me nji emën: Drakula.

Po Transilvaninë kujt do t'ia ketë lanë?



vijon 

venerdì, febbraio 07, 2014

Ku sos zemrimi i rrejshëm i intelektualit


Me qenë intelektual nuk don me thanë me qenë në vijën e drejtë, as në udhën e Zotit. Juda ishte i vetmi intelektual ndër apostujt e Krishtit, i vetmi që kishte kulturë simethanë, kurse të tjerët ishin analfabetë. Ai tradhtoi.
Amà leksionin ma t'idht bash atij ia dha mjeshtri, tue i caktue njiherit edhe detyrën ma të vshtirë.
Ndjeshmënia ime për problemin e gegnishtes si problem i gjuhës shqipe në tanësi, nuk ka lindë mirëfilli prej gazetave të Prishtinës a të Tiranës (vaj hallit me t'lindë ndjenja nga gazetat), sa ka lindë prej do kryeveprave të përkthyeme a shkrueme në kët variant letrar të shqipes. Nji mbi tana, Iliada e Gjon Shllakut. Si ka mundësi që nji superkryevepër e letërsisë shqipe, sikundër duhet konsiderue me të drejtë ky natyralizim, nuk asht e përfaqësueme kurrkund në shkollat tona? Dhe si ka mundësi që arin e gegnishtes, tregu i shtetit nuk e pranon si valutë, por e quen të vjetër, arkaik? Arkaik e quen edhe bylmezi Vehbiu Eposin tonë të kreshnikëve, teksa analizon androgjininë e Halilit në trans, tue i ba nji përdhosje kshu edhe Eposit edhe Freud-it. Por në kët shkrim do të merremi me nji Ardian tjetër, jo me Vehbiun i cili ka ba harakiri me kohë.
Ardiani tjetër asht nji flamurtar i gegnishtes dhe i katolicizmit. Madje simbas tij njena pa tjetrën s'kanë kuptim. Falë avancimeve të tij gegnishtja sot tolerohet edhe nga Muçi, për hir të urbanizmit katolik shkodran etj. Dmth, asht mrritë deri aty sa me thanë, po, ka pasë dikur qytetnim edhe në veri. Nënkuptohet: tash s'ka ma.
Ardiani tjetër madje arriti deri aty sa me fitue edhe simpatinë e Kadaresë, i cili i dha bujarisht leje, tue e këqyrë nga syzet e tij kagebese, "nuk ka ndonjë gjë të keqe pse shkruhet gegnishtja".
Edhe vetë Enverit me ia pasë marrë, leja s'do ishte dukë ma e amël.
Vetëm nji demokrat i flaktë si Kadareja mundet me të dhanë leje me qenë vetvetja në këto vite të errëta mesjetare që po jetojmë.
Në tanë kto vite gegnishtja e Ardianit shkëlqeu nëpër gazeta dhe prodhoi aq shum artikuj gazetash sa me i ba konkurencë edhe vetë standartit si gjuhë gazetash me u marrë shembull. Pra u prodhue nji gegnishte letrare por me qëllime gazetareske, ergo, pa vlerë estetike.
E meqë formën e dekonspiroi zhanri, at'herë ne gegët e maleve kthyem sytë kah përmbajtja. Përmbajtja e artikujve t'Ardianit ishte krejtsisht gazetareske. Sala, Edi, Nanë Tereza, Kisha, Berisha, Fazlliçi, Nishani, Berisha prapë, Tuneli, Kriza, Kisha prapë, Pullat e postës, Ligji, Maliqi, Iriqi etj. Nji eklektizëm pa dandizëm, premtonte toka t'ujta në çdo faqe.
Por n'asnji prej shkrimeve ky klerik i munguem, nuk shpërfaqi përkorsinë e pritun. Përkundrazi, nji vner ushtarak dhe nji ton prej oficeri (i përkthyem me sukses në gegnishte kësaj here), i përciti shkrimet e tij ndër vite, tue i ba me fshikullue si kërbaçhane. Kërbaçi i tij antikomunist fshikulloi mu si kërbaçi komunist, dhe Ardiani tankist rrafshoi e bani petë edhe trimin Kasem Trebeshina, që e krahasoi me Hitlerin.
Në historinë e Vatikanit gjendet aleat ma të vyem të Hitlerit se socialisti Kasem Trebeshina, por Ardiani të palamet i ka për me na i nxjerrë ne, jo atyne që e kanë lavanderinë sa gazepi. E drejtë: nuk ke pse me qenë konstruktiv aty ku asht ndërtue gjithçka, ne kemi nevojë për tipa konstruktiv, që "të ndërtojmë Shqipërinë e re". Megjithatë mbasi shau Kasëmin, s'arrita ma me lexue asnji rresht nga kërbaçhana.
Deri sot, kur shof se Ardiani kishte dalë nga tanku dhe nën këshillat e shokëve Blushi dhe Islami po udhzohej drejt Vatikanit. Të gjithë bajshin sikur porosia për kët emnim vinte nga Tirana dhe jo direkt nga Vatikani. Kësaj hipokrizie i shtohej kritika konstruktive e Blushit për gegnishten e artikujve të Ardianit dhe kritika konstruktive e Islamit për tonet e kërbaçme të tija kundër Nishanit. Ardiani i përgjigjet Blushit se ka me e shkrue standartin pa gabime, kurse Islamit se e respekton institucionin e presidentit. Të dyja përgjigjet janë të lodhuna dhe të stërthanshme, mbasi nji intelektual e shkruen kurdo gjuhën zyrtare të shtetit të vet pa gabime – pra s'ka pse e ven në dukje – sidhe e respekton institucionin e presidentit, si pasojë e respektimit të ligjit.
Ju betohem se mu duk origjinal si nji pionier i Enverit i nxjerrun para klasës për nji kritikë konstruktive.
Zemërimi im me Ardianin asht se me sektarizmin e tij e bani gegnishten me u dukë për nji çast si koine eksluzive e pjesës katolike, aq sa filloi marria e nëpër Shkodër rrethet paraletrare që vetëquhen letrare flitshin cilsojshin gegnishte myslimane çdo gegnishte që të mos ishte fjalë për fjalë ajo e Gjuhadolit. Tue pasë kompleksin e të kenit pakicë, me synimin me pasë pushtet prej shumice, i dhanë Evropës ngjyra fetare e kishtare që me i kujtu pjesës muslimane se jeni ju pakica. Tu mos pasë kurrfarë shpirti artistik futën duert nëpër artista mediokër dhe i hoqën çdo shpresë me dalë përmasa e tyne reale. Tue qenë klerikë të munguem nuk e kthyen në virtyt vetëmohimin e nji jete klerikale, por në neurozë.
Nuk tha kurrnji fjalë kur Kadareja vuni do parathanie tek ata Camaj, Zorba, Pllumi, si gjethe fiku me mbulue lakuriqsinë e vet, mbas pilafit, kur s'e kqyrte ma kush.
Fakti se ky gazetar i gegnishtes kapitulloi para Blushit, nuk më zemëron. Nuk më zemëron asgja në fakt, as toni i stërfalë që e karakterizonte. Por më zemëron fakti se ky me shkrimet e veta monopolizoi zemërimin si instrumenti ma i akorduem i demokracisë. E monopolizoi dhe e kompromentoi me filistinizmin e tij. Foli për shëlbim siç fliste Nanoja për katarsis.
Nuk e njofti kurrë Shqipninë me sytë e njerzve të thjeshtë, por gjithmonë me sytë e verbër të pushtetmbajtësve: të Nexhit, Berishës, Edit, Kadaresë. Pra nuk e njofti. Prandej duhet emnue jo ambasador i Shqipnisë në Vatikan, por ambasador i Vatikanit në Shqipni.
Veç zemërimi i rrejshëm shpërblehet me ofiq.

martedì, gennaio 28, 2014

Justina


Vajza ka ndejt n'anë, por buzëqeshje e saj, e ven në qendër. Freskia e moshës ia lan kryet me qiell. Flokët i ka t'amël, të dendun si mjaltë i zi. Ka nji bashkëmoshatare në krah që buzëqesh ma fort se ajo, por jo ma bukur. Nuri i saj asht i qetë, nuk ka asgja provokuese te ajo. Duket sikur sapo asht çu prej pianos, ku notat e pezullueme n'ajër, i janë ba vello drite.
Asht 15 vjeçe dhe halà s'ka thy asnji zemër.
Te kandi i rrugës nji plak, i ka dhurue nji drandofille jashtëstine, e ka njoftue me micën e shpisë. Ora e qytetit ka ra 12. Shkolla ka mbarue. Si pupël n'erë ka shkue për shpi. Qyteti klimaterik ia ka zbutë flegrat. Me fije të padukshme e ka përkundë liqeni. Ajo, asht nji dritore e hapun mbi botën që zvarritet.
Tana zhurmat, grindjet, sherret, asaj i vijnë përkundshëm, si nji litani e sapozbritun mbi djepat bosh. E motra e pret me padurim, anipse flejnë në nji dhomë, anipse ndajnë nji dashni për babën, anipse janë dy duert e mamës së tyne, ani pse janë si me kenë binjake.
Ajo din muzikë, din me ecë, din me u veshë. Flet nji gjuhë kaq urbane sa duket si me kenë tue folë ndoj libër. Ka nji kulturë kaq të natyrshme, sa duket sikur ban jetë të mbyllun hanore. S'asht kshtu! Ajo nuk hahet me kend, nuk i han thojtë si shoqet, nuk ban si e para e klasës. Gjithmonë ka kenë anash jetës, nji admiruese, nji kalimtare. E mrekullueme ma fort prej asaj që asht, sesa prej asaj që s'asht e s'din me kenë.
Në ajrin e ftyrës së saj shum rrallë ka lot. Asgja s'i ngjan trishtimit tek ajo, veç... veç përsosmënia e tipareve, pashìa e fisme deri në birësi mbretnore, e ban poetin me kja së mbrendshmi, i shkakton nji lot të mbrendshëm që lyp me u derdhë në detin e qashtër të mangsinave.

Ma vonë ka me kenë darkë, e ajo ka me kalue, grue e rritun, në bulevardin absurd të nji qyteti tjetër, e turma ka me e veshë me arna dit-netësh. E veç poeti ka me pá halà tek ajo 15 vjeçaren e vendlindjes, te bulevardi me pemët gjethemdhaja, dhe loti i tij i mrendshëm, ka me pikue prapë, i madh, i dendun, alkoolik kët radhë, e ka me e deh. 

martedì, gennaio 07, 2014

Asht e diele

Asht e diele. 
Trupi pushon po shpirti s'prân.

Xhami që më ndan prej fminisë
Asht avullosë prej duhmës së botës. 

Tana rrugët janë plasaritje t'atij xham.
Po kristalet e tij s'janë ende të lira
Diçka e fortë i mban n'lidhnì.

Tana pritjet janë plagë 
Ku hedhi sytë si krypen
Me i pjekë ma mirë. 

Qielli sikur s'ka meteorologji.


Mungon ti shije e ditve t'errnueme,
Dora e punve të vendueme.
Largoma zhurmën prej kangve të zgjimit,
Perden prej dritës s'agimit.


Në kjosh primend ajo që je për mue,
Në kjosh parmenda e trunit tem t'lulzuem,
Shpaloja shtretnit mbretnuer dit-netve
Të bajnë dashni si dashnia n'vetvete.


A.C.

mercoledì, settembre 04, 2013

Kur të jesh plakë

W. B. YEATS

Kur të jesh plakë e thinjë e sytë t'i kesh tanë gjumë,
E të varet kryet tu zjarmi, merre njat librin tem,
E kndoje da-kadalë, andrro shikim'n e butë
Që e patne sytë e tu, me hije shumë;

Shumkush la kryet për ty kur ishe shend e verë,
E dekun ra për nurin tand a bani sikur,
Por sall nji burrë të deshti shpirt në arrati,
E deshti ftyrën tande në gaz edhe në zi.

Dhe kah përkulesh ngat votrës që xiglon,
Pëshprit, mërzitun, si dashunia t'pati ikë
Si fluturoi mbi malet mbushë me borë
E u spërkat si dritë mes yj've n'qiell.
 
shqip, a.c.
 
 

lunedì, agosto 26, 2013

Kur nxirret gozhda me gozhdë nastradini

Në replikën e tij ndaj shkrimit tim, Kur tradhëtohen Testamentet, jep një përkufizim për fjalën "snob" me të cilën merret më shumë se ç'duhet. Balili na fton të vëmë re: "fjala snob është një fjalë mysafire në gjuhën tonë dhe si e tillë është paksa e përkorë: ka pak përdorime, dhe nënkupton një njeri me sjellje e veprime të tepruara. Ka një ngarkesë të theksuar ideologjike, sepse përdorej veçanërisht gjatë Diktaturës për të shënjuar njerëz jashtë klisheve e standardeve socialiste". Balilit i ka mbetur ora në kohën e socializmit. Ky përkufizim është me të vërtetë i kufizuar në logosin simbas Dullës. Mjafton një kërkim në google shqip, dhe e vren sa përdoret ajo nga shqipshkruesit e sotëm dhe me çfarë konotacioni. Ky francezist gjatosh që shpërfaq një erudicion të rrejshëm që ia përgënjeshtron mungesa e gungës pra e përkuljes dhe e përultësisë para librit, nuk e din se snob është me prejardhje latine, dhe përdoret në të gjitha gjuhët e kulturës, prej Alaske deri në Kanada. Snob, është shkurtim i "sine nobilitate", "pa fisnikëri". Kësodore, po ta përdorim si folje, snoboj, ka kuptimin: nuk e trajtoj si të rangut fisnik, patric etj. Pse e përdori?
Problemi është i thjeshtë, në shkrimet e mia, pra në shtëpinë time, unë mund të përdor fjalët që dua, dhe simbas leximeve që bëj ndërkohë, e pranoj edhe ndikimin e gjuhëve të tjera. Balili, është më ambicioz se kaq, ai ngul ose "ngaful" simbas leksikut të tij, fjalët e veta në librat që përkthen. E kështu, ia bën bash si Nastradini që ngul gozhdën në shtëpinë e mikut. Kur të përfundojë puna te kadiu, ky, me gjyq, s'ka me mujtë me ia ndalue të hyrët në shtëpinë e mikut, pasi aty na paska një pronë (të shenjtë, të paprekshme, të paluajtshme!) Naser aga, që është pikërisht gozhda(t) e tij. 
Mandej Gjini ma ngatërron mbiemrin dhe ma bën Canaj, por para se ta bëjë këtë i fut një nga ato fap-fupet e tij.
Ka fjalë si snob, iluzion, refleks, koito, linçim, kritikë, etj., që janë terma ose skaje kulturore, pra gjinden në të gjitha gjuhët e kulturës. Këto s'kanë përse të shqipërohen. Sikundër fjala shqipe etnì, pra etnit, është në të gjitha gjuhët e kulturës e njejta.
Kunderën si romansier vazhdoj ta snoboj, mbasi në 100 romanet e mia të preferuara, nuk hyn asnjë roman i tij. Por kjo është çështje shijesh, ose de gustibus. Por n'esetë e mia të preferuara, hyjnë pa dyshim Testamentet.
B. Gj-së ia kënda shumë onomatopetë. Madje tek Kundera i tij, situata bëhet e "ububushme". Fjalëformimi i tij është krejt çudan, dhe i diskutueshëm, mbasi unë kur lexoj përkthimet e tij them: obobo! dhe jo ububu. Si unë e thonë shumica e shqiptarëve kur vënë duart në kokë.
Këso onomatopeshë gjinden me thasë tek të gjitha shqipërimet e tij, mirëpo ka një problem: këtij i stonojnë edhe onomatopetë.
Një fjalë tjetër me të cilën merret Gjini është koitoja, ose çiftimi. Unë si njeri me kulturë e lë në trajtë latine me "c" të shqipëzuar, koito. Mbasi kjo formë mundëson edhe një batutë mes humorit dhe filozofisë: coito ergo sum. Që është parodi e kartezianes: cogito ergo sum. Ia kam harruar autorin kësaj batute, por Kundera e ka parasysh. Për përkthyesin fatlum B. Gj., kjo është thjesht "pallimi", a thua se kemi të bëjmë me romanin "Femrat" të Charles Bukowsky-t, dhe jo me një traktat estetik. Përpos kësaj, është edhe çështje rrënje, koito, nuk është larg rrënjës shqipe "me kajt", siç përdoret ende sot në të folmen e Kosovës.
Mes nolistave të çedukuar në komunizëm gjinden shumë nga këta Sanço që shkruajnë e përkthejnë nastradinisht, që ia "kajnë nanën përkthimit". Një vërejtje me vend, në rastin e Gjinit, do ishte edhe kjo: në të folur, ai nuk ka nga këto onomatopetë veshtullore, kurse në të shkruar i përdor pa kursim. S'e kuptoj pse kjo skizofreni mes gjuhës së folur dhe të shkruarës? Përse në të folur është korrekt, kurse në punën letrare vendos kësi lëkura bananesh, a ogni piè sospinto? Përse gjuha e shkruar mund të bëhet pizza me mastiç? Përse gjithë kjo yndyrë sovjetike? Çfarë po grasaton me këto vajra, mos valle tanket? Ku don me shkue me kredon: ça passe ou ça casse?
Nga ana tjetër më kallëzon se qenkam ziliqar, se gjasme ai e paska përkthyer para meje. Jo, s'kam si me qenë ziliqar. Për faktin e thjeshtë se ai s'ia ka dalë. Sikundër s'ia ka dalë as tek Cioran-i, as tek Hrabali. Ai mund të thotë se e botoi i pari, por unë kam botuar në një vit më shumë përkthime se ç'ka botuar ai në njëzet vjet, prandaj, simbas logjikës së tij, i bie që me pasë zili veten, çka është e pamundur sikur jo bipolar po edhe polaroid krejt të jesh.
Në të vërtetë unë në këtë rast nuk pyes a pata fat unë, se fatin tim e shkruaj vetë. Dhe botoj aq libra sa dua. Pyes a patën fat lexuesit shqiptar.
Me Testamentet e Balilit, jo.
Pyes veten a kemi pasë ndonjëherë lexues më të mirë se sot, dhe a e kemi shërbyer atë më keq? Le të mendojmë vetëm për dhjetra mijërat që kanë studiuar jashtë e brenda dhe që njohin më së miri të paktën dy gjuhë. Ndërkohë që në Shqipëri bëhet akoma "mbrojta e gjuhës", një provim me pagesë, ku duhet të kalojnë edhe ata që kanë marrë larin jashtë. Sa të kurorëzuar me lar n'Oksford janë detyruar me mbrojtë anglishten e tyre para kuadrove të kalbur të katedrave të Tiranës? Kur oksfordianët mbrojnë anglishten para sorollopit të kuadrove, kush do t'i mbrojë ata nga injoranca sunduese në të gjitha nivelet e jetës shqiptare? Dhe kur situata është kjo, nga do t'ia fillojmë ndërtimit të qytetarisë së re shqiptare?
Të gjitha këto, janë pyetje në radhë të parë politike. Përkthimi vetë është punë politike, madje politike par excellence.
Përkthyesit si Balili veprojnë kështu: aty ku s'janë në gjendje të përkthejnë, ngaqë s'e marrin vesh, aty "shqipërojnë" (pra përdorin liçencën poetike). Ka prej këtyre shqipëruesve që përdorin gërshërën dhe presin paragrafë të tërë, aty ku s'munden as të përkthejnë (për mungesë kulture) e as të shqipërojnë (për mungesë frymëzimi, në këtë rast). Të paktën B. s'bën pjesë akoma ndër këta. Ky stil është aberracion i shkollës noliste të sovjetizuar nga censura komuniste.
Shkolla e re e përkthimit në të vërtetë po ndjek gjurmët e Petro Zhejit e jo të Nolit. Pra stilin e Don Kishotit pjesa II, jo pjesa I. Kushtet janë pjekur për këtë.
Ndërkohë, Gjini duhet thjesht të korrigjojë gabimet siç ia kam rreshtuar falas dhe të më konsultojë për qindra gabimet e tjera që ka bërë tek Testamentet.
S'është hera e parë që në sportin ambicioz të përkthimit, agonisti zgjedh të ndeshet me një rrip të zi të letërsisë (Kundera), ndërkohë që për vete është niveli i ushkurit.

Replika e Balil Gjinit

testamentet-e-tradhtuara-milan-kunderaBalil Gjini

Replikë: Mbi shkrimin e Astrit Canit, “Kur tradhtohen Testamentet”


Javën e kaluar sytë tanë panë diçka lëbyrëse: mbi faqet e kësaj gazete, sikur ajo të kishte qenë një tapet ringu, Astrit Cani, një qenie pa kontribute të vërteta në kulturën shqiptare, i kishte vënë thonjtë në grykë dhe, mes dihatjesh, djersësh e sokëllimash, kërkonte të mbyste veprën “Testamentet e tradhtuara”, përkthyer prej meje. Paj kërkonte ta mbyste thjesht ngase ishte pizmosur që unë e kisha përkthyer para tij, ngase ajo ishte e bukur dhe s’kishte mundur ta bënte të tijën. Ishte pizmosur aq shumë sa nuk e vinte re se beteja ku kërkonte të hynte kërkon majën e mprehtë të lapsit dhe jo majën e mprehtë të jataganit, kërkon daltën dhe çekiçin e ustait dhe jo ruspat e fadromat e mohimit, huazuar nga kushedi ç’peisazh i këtyre ditëve, fodroma që, tash e tutje, s’kanë pse futen më nëpër hangarë e magazina, sepse kanë si të tilla kokën e “kritikut”.
Për të parë sa pa themeli ishte shkrimi i tij le të shikojmë fjalinë e parë: “Milan Kundera m’ishte dukur eseist i maskuar, prandaj i snoboja romanet e tij”. Kjo fjali duket si një tra i gjatë, mbi të cilin rri fjala “snoboja”, fjalë së cilës i vezullojnë luspat ngase autori ia ka lyer me karaboja, dhe i ka vënë përsipër një ok pudër. Duket i qartë synimi: Autori mëton ta shndërrojë këtë fjalë në një xixëllonjë që lëshon nga nënbarku dritë. Fap-fup, fap-fup… Po a ia ka arritur një gjëje të tillë? Le ta shohim nga dy pikëpamje: nga  pikëpamja leksikore, dhe nga pikëpamja etike.
Nga pikëpamja leksikore: fjala snob është një fjalë mysafire në gjuhën tonë dhe si e tillë është paksa e përkorë: ka pak përdorime, dhe nënkupton një njeri me sjellje e veprime të tepruara. Ka një ngarkesë të theksuar ideologjike, sepse përdorej veçanërisht gjatë Diktaturës për të shënjuar njerëz jashtë klisheve e standardeve socialiste. Canaj kësaj fjale i shton një prapashtesë dhe na krijon një leksemë të re: snoboj. E vështirë të pranohet, sepse fjalëve të huaja iu duhet shumë kohë që të pranohen në shtëpinë e leksikut dhe pastaj të lindin aty pasardhës.
Nga pikëpamja etike. Canaj na paskërka snobuar romanet e Milan Kunderës. Pa shih, pa shih sa lart i fluturoka zogu i krenarisë! Ka dy mundësi për të snobuar Kunderën: ose të jesh një gjeni dhe ta kesh emrin, p.sh, Mario Vargas Llosa, ose të jesh një hiçkush dhe ta kesh emrin, p.sh, Astrit Cani. Edhe kërmilli i gjorë e armatos ballin me dy brirë, dhe, mbase ku mund ta dish, shumë herë mund t’i vejë ndër mëndje se ata janë brirë demi.  Autori i këtyre radhëve, jo vetëm s’ka patur ndjesi të tilla, por ka një adhurim pothuajse të shenjtë ndaj gjithë letërsisë së madhe dhe është ky shkaku i përkthimit edhe të kësaj vepre.
Siç shihet, ose të paktën siç më rezulton mua, fjala “snoboj”, jo vetëm s’është shndërruar në xixëllonjë, por përkundrazi, është shndërruar në kandër.
Cani, jo vetëm tek ky shkrim, por edhe tek të tjerë, e ka zgjidhur rrugën e protagonizmit përmes arrogancës dhe të bërtiturave, sepse, me sa duket e di shumë mirë se bën më shumë zhurmë një dru që rrëzohet, se sa një pyll që rritet. Po kjo filozofi mund të bëjë fajde vetëm për syleshët. E themi këtë sepse ai merret me problemet periferike, me vogëlimat, me manaferrat e pluhurosura buzë rrugës së këmbësorëve (ku edhe mund të marrësh ndonjë gjemb për të çjerrë), dhe jo me autostradën e gjerë të përkthimit. Edhe një përkthyes fillestar e di se t’i qëndrosh besnik origjinalit do të thotë të ruash stilin e autorit. Ndonjëherë kjo s’është dhe aq e lehtë, sepse stili mund të jetë i rëndë, serioz, por poshtë tij mund të rrjedhin rrëkeza të padukshme humori, ironie, etj. Le të kujtojmë esenë e Umberto Ekos për Silvinë e Nervalit. Falë veçorive të tij Kundera nuk i përket më shumë autorëve të stilit dhe gjuhës, por autorëve të ideve dhe mendimeve. Kjo veçori ka përcaktuar dhe gjuhën e tij: e qartë, e kthjellët, kundër barokut dhe ornamenteve. Mendoj se në funksion të këtij stili është zgjidhur tonaliteti i përkthimit.
Cani i anashkalon problemet kryesore dhe, pasi ka gjetur ndonjë fjalë, – guaskë fatlume që dallga e zemërimit ia ka sjellë në breg – e merr, e vendos në pinecka, drejton mbi të herë teleskopin e herë mikroskopin, ndërkohë që duhej ta kundronte thjesht me sy. Pasi ka bëri kësi gjestesh dhe ka gjetur «gabimin », ai ka ngritur gishtin lart dhe ka lëshuar vikamën revolucionare: «j’accuse. Po pa ta shohim për çfarë akuzon ky Cani?
Është një fjalë “coït”, që unë e kam përkthyer “pallim”. Në të vërtetë kjo fjalë, e përdorur edhe nga autorë të tjerë si Tournier, është një fjalë kyç tek Kundera, është një fjalë koncept, e cila nuk mund të përkthehet jashtë kontekstit letrar e historik. Është e tillë sepse kjo fjalë, në fushën e seksualitetit, ndan letërsinë e shekullit të XIX nga ajo e shekullit XX. Letërsia e shekullit XIX i trajton marrëdhëniet e dashurisë thjesht në fushën sentimentale: puthje, përqafime, lotë. I gjori Stendal që s’dinte ç’të bënte me duart e Fabricios, që vetëm sa humbisnin poshtë fustanit të dukeshës Sanseverina! Vetë Kundera na thotë se kjo letërsi e kishte kthyer zemrën në një kishë, kurse një vajzë me sytë e mbushur me lot dukej sikur të kishte në ta xhevahirë. I pari që solli risi në këtë fushë, po sipas Kunderës, është Kafka, tek “Kështjella”: K dhe Freida, të shtrirë aty mes pisllëqeve, shisheve të birrës dhe bishtave të cigareve (sepse vetë seksualiteti i flligësht është). Fjala është për vetë aktin seksual, të zhveshur nga romantika e shpëlarë e letërsisë së mëparshme.
Dhe Cani në vend të fjalës “pallim” na ofron në sini trupat cullakë të dy fjalëve të përkthyera nga ai. Coït = çiftim. Ky është dhe kuptimi që japin fjalorët. Veç një veteriner, por jo një përkthyes, mund të japë një përkthim të tillë. Veç kësaj fjala çiftim mund t’i pëlqejë Canit për faktin se lidhet me fjalën çifte, armë që e mban në sup për të gjuajtur ç’i del përpara: autorë, poetë, përkthyes, shtëpi botuese. Shpjegimi tjetër që jep Cani: coït = coit. E po, dreqi ta hajë, ky është një shpjegim që s’ka nevojë për shpjegim.
Sigurisht kështu janë dhe gjërat e tjera, por këtu s’është vendi për t’u marrë gjatë me to, sepse Cani shjumëzon nga një inat që s’mund te jetë veçse zbavitës. Mbase individualisht Cani edhe mund të ketë patur të drejtë. E kush është ai njeri që, pasi ka punuar mbase dhe një vit për të përkthyer një vepër, nuk do t’i vinte plasje ta shihte atë në vitrinën e një librarie, të përkthyer nga dikush tjetër? Por në këtë rast ( për shkak edhe të rrethanave si botohet në Shqipëri) duhet ta kishte inatin me fatin: atij duhej t’i sokëllinte, t’i bërtiste, dhe, po të donte, le të shakullepsej me të bokërrimave të Shqipërisë. Ama, jo të krijojë nga ato pellgaçe ligësie të quajtura shkrime, ku shllapuritet gjithë ëndje si në një pishinë. Se, në këto raste, dihet, sado të shllapuritesh, gjithsesi, veshët të mbeten përjashta…

Kur tradhëtohet Testamentet (version i shkurtë: gazeta Mapo)

Kur tradhëtohen Testamentet


Milan Kundera gjithmonë m'ishte dukur eseist i maskuar, prandaj i snoboja romanet e tij. Deri një ditë kur vendosa me lexue një ese të tij: Testamantet e tradhëtuara. Falë saj, Kundera më bindi dhe ma ndryshoi perceptimin për krejt veprën e tij. Për qejf fillova ta përkthej, e për respekt e mora me ngadalë.
Mbas do kohësh kur kisha mbërritur n'atë pikë sa me mujtë me i dhanë fund procesit, pyeta me gjeta ndonjë botues, por më thanë se dikush ma kishte kaluar dhe e kishte përkthyer krejt librin para meje. Kështu, mos me humbë kohë, u tërhoqa. Por njohja e thellë e këtij libri më lejon të jem ndër kritikët e tij, sidomos kur kam edhe një përkthim (çka se të pakryer) në sirtar.
Libri është Testamentet e tradhëtuara, botime Pika pa Sipërfaqe, përkthyer nga Balil Gjini. Ai  fillon me romanin me namë të Rabelais. Në shqipen e premiuar të Gjinit na vjen kështu:Qysh në fazat e fillimta libri i hap kartat: kjo që rrëfehet këtu nuk është serioze [...]”
Varianti im që flen në terrin e një sirtari: “Qysh prej fjalive të para libri loz me letra të hapura: ajo çka po tregohet nuk është e njëmendtë [...]”
Të paktën fjala “serioze” duhet shqipëruar sipas ngjyresës, pra: “e njëmendtë”. Shembull: ajo që i ndodh Gregor Samsës është shumë serioze (madje është tmerrësisht e rëndë), por nuk është e njëmendtë, është jashtë njëmendësisë. “Serioze” në gjuhët latine ka këtë sfumaturë ose ngjyresë kryesore, pra “e njëmendtë”. Kurse në shqip, një gjë që nuk është “serioze” mund të jetë një tallje. Por tek Metamorfoza që morëm shembull, nuk kemi tallje me lexuesin. poshtë, po në faqen e parë, kemi:
«Aty është gjithçka: “e vërteta dhe e pavërteta”, alegoria, satira, gjigandët dhe njerëzit normalë [...].
Vraisemblable” dhe “invraisemblable” e përkthen si “e vërteta” dhe “e pavërteta”».
Ndërkohë që e gjasshmja dhe e pagjasshmja janë gjegjëset e përsosura në shqip të këtyre fjalëve. Ndërkohë fjalën gege ‘e pagjasshme’, përkthyesi më poshtë e përdor, por ku nuk ka rëndësinë kategorizuese që ka më sipër.
Gjini shqipëron aty ku s’duhet dhe nuk shqipëron ku duhet.
Vijon libri:
«[...] S. Rushdie, në Vargjet satanike, bën që dy heronjtë e tij, pas shpërthimit të një avioni, të bien duke llomotitur, duke kënduar, duke u sjellë në mënyrë komike dhe të pagjasshme. Ndërsa “përsipër, mbrapa, poshtë, në zbrazëtirë”, fluturojnë karrige me shpinore të fushkëta, gota prej kartoni, maska për oksigjen dhe pasagjerë, njëri Gibraeel Farishta, “noton” në ajër me krahë fluture, me stil bretkosë, mbështillet si lëmsh, shtrin krahët e dhe këmbët në pafundësinë e këtij të quajturi agshol...»
Kurse, përkthimi im: [Teksa «nga sipër, nga prapa, nga poshtë tyre vareshin në atë boshllëk» sedilje të përkulshme, gota letre, maska oksigjeni dhe pasagjerë, njëri prej tyre, Xhebrail Farishta, notonte «në ajër, krol, bretkosë, dhe kruspullosej si një top, dhe prapë hapte këmbë e krahë mbi gruntin gati të pafundëm të pragzbardhjes».]

Balili e bën të pagjasë jo vetëm rënien rushdiane ku personazhet ia shtrojnë me muhabet, por edhe avionin. Vetëm në avionat me të cilët ka fluturuar B. gjatë përkthimit, në vend të (sièges à dossier inclinable) “sediljeve të përkulshme”, kemi “karrige me shpinore të fushkëta”. Pra në vend të një avioni të Indian AirLines, kemi një tonin të Lazarati Airlines, ku piloti-shkrimtar na tymoska barin magjik, dhe në vend të sediljeve të përkulshme shifka “karrige me shpinore të fushkëta”... Notin krol, B. Gj. e jep fjalë për fjalë si “not me krah fluture”... Kurse shprehja ‘në pafundësinë e këtij të quajturi agshol’ për të thënë se e gjitha po ndodh mbi sfondin ose gruntin e zbardhjes së ditës, na dëshmon se përkthyesi tashmë është ‘bërë dru’. Kundera, i cili s’ka gisht në këtë mes, duke cituar përkthimin frëng të Rushdisë, thotë: «dans la quasi-infinité de cette quasi-aube». Emrin e personazhit B. e lë Gibraeel, kur fare mirë mund ta shqipërojë Xhebrail, ose Xhibrail simbas dy trajtave shqipe të variantit musliman t’emrit të krye-engjëllit.

U morëm me tre paragrafët nistorë.

Shohim tani kapitullin kunderian mbi Kafkën sipas Brodit. Pra kapitullin më në spikamë të temës së tradhtimit të testamentit.

Gjini përkthen kështu: “Kësisoj ne nuk habitemi që Brodi, adhurues i romantikës femërore, për të cilin pallimi nuk ishte realitet, por “simbol i ndjenjës”, nuk kishte mundur të përshquante asgjë të vërtetë tek Brunelda, zaten as hijen e një përvoje reale, por vetëm përshkrimin e “tmerreve ndërshkuese, përcaktuar ndaj atyre që nuk ndjekin rrugën e mbrothtë”.

Nga file-i i përkthimit tim të 2007s, kopjoj:

«Nuk duket e çuditshme pra që Brodi, adhurues romantik i grave, për të cilin koito-ja nuk është një realitet por një «simbol i ndjenjës», s’ka parë te Brunelda asgjë të vërtetë, as hijen e një eksperience reale, por vetëm përshkrimin e «ndëshkimeve të tmerrshme rezervuar atyre që s’ndjekin udhën e drejtë».

Dhe origjinali, që është më i thjeshtë se çdo përkthim:
On ne s’étonne pas que Brod, adorateur romantique des femmes, pour qui le coït n’était pas réalité mais «symbole du sentiment», n’ait pu vir rien de vrai dans Brunelda, pas l’ombre d’une expérience réelle, mais seulement la description des «horribles punitions destinées à ceux qui ne suivent pas le bon chemin».”
Vini re se “le coït” B. e jep me fjalë “pallimi” e sa keq tingëllon kjo në këtë libër estetike, ku fill mbrapa flitet për “simbolin e ndjenjës”... Koito nuk domethënë pallim por çiftim, por edhe po t'ishte ashtu, nuk duhej shqipëruar. “Udha e drejtë” për të cilën flet çdo bibël a qitap, në asnjë libër fetar nuk rezulton si “rruga e mbrothtë”. 

Sipas B. prapë (faqja 273), tregimi i përsosur i Kafkës “Ein hungerkuenstler” qenka Një kampion i agjërimit. Fjalia e plotë në përkthim është: «Shkagimi nuk i përket automatikisht gjithçkaje që s’ishte botuar, sepse përmes veprave “të vlefshme” radhit edhe novelën Një kampion i agjërimit, e cila, në çastin kur e shkroi letrën, nuk ekzistonte veçse në dorëshkrim.»
Në radhë të parë Gjini duhet të ketë parasysh se fjala frënge ‘parmi’, nuk do të thotë përmes(!) pavarësisht ngjashmërisë grafike dhe fonetike. Ajo do të thotë ndërmjet, ose midis. Në radhë të dytë “Artisti i urisë” nuk është novelë! Dhe nuk titullohet Një kampion i agjërimit. Duhet me ia ripërkthye lexuesit këtë fjali, duke i thënë se Kafka n'amanetin letrar që i la Brodit, nuk dënoi me djegie çdo gjë që kishte shkruar, pasi mes veprave të tij mund të ruhej tregimi Artisti i urisë... etj.
Titullin e pjesës së nëntë të librit: “Là, vous n’êtes pas chez vous, mon cher” (e shqipëruar: Këtu nuk jeni në shtëpinë tuaj, i nderuar), Gj. e përkthen: Atje s’jeni në shtëpinë tuaj i dashur! Pra fjalë për fjalë, dhe kujton se do të thotë atje, si në italisht.
Kreu ku fliten këto gjëra titullohet Rrugët në mjegull, por lexuesit veçse mjegull tjetër i serviret. 
Në faqen 277 përkthyesi Gj. tregon se nuk e njeh fare Kafkën, kur përkthen pjesën e fundit të Procesit. Ndërkohë që shumë mirë mund të kishte kopjuar e ndrequr pak përkthimin e Gj. Vlashit.
Sipas B. Gj., prej Kunderës thuhet: «Mendoj për fundin e Procesi: të dy zotërinjtë janë përkulur përmbi K. që po e therin: “Me sytë që po i erreshin, K. pa përsëri, shumë pranë fytyrës, faqe më faqe, të dy zotërinjtë tek kundronin përfundimin:
Si një qen! – tha K.; dhe ishte sikur turpi e detyronte të mbijetonte”.» Dy dorasët janë bërë dy zotërinjtë. Duke parë K. që po jep shpirt ata thjesht “kundrojnë përfundimin”. Kurse marazi i K., se mos do t’i mbetej marrja (turpi) mbrapa, jepet me shprehjen e pakuptimtë “ishte sikur turpi...”. 
Ja dhe i miri Gj. Vlashi, tek përkthimi i tij që prapë është shumë më i pranueshëm:
Si një qen – tha K. dhe dukej sikur trupi do të mbijetonte edhe pas tij.
(Gabimi ortografik kthehet në gabim logjik dhe fjali përçudnohet krejt, duke u dukur si me qenë marrë nga librat me zombie të Stephen Kingut, ku “trupi” i mbijeton edhe vdekjes së të zot’.) [Procesi, fq. 226, Globus R., Tiranë, 1997)

Ndërkohë, anësore: Gj. shprehjen ‘gjë për tu çuditur, ose kërshëritëse’, e jep: gjë kurioze (fq. 248), a thua se gjërat janë antropomorfike dhe kanë kuriozitet si njeriu, apo macja, një kafshë me natyrë kurioze. Luftërat napoleonike, i jep si napoleoniane. Të pafajësueshmit, i jep si të pafajshmit (fq249) Dorasët e Procesit janë gjithkund zotërinjtë.fq 224, fq 277 etj. Madje K.së i shkon mendja të merrte një thikë dhe “ta ngafulte në trup” (fq. 224)

Rëndësia e Testamenteve është aq qendrore në veprën e Kunderës, sa ky libër mund të jetë pa frikë edhe testamenti i tij. Çdo shtrembërim i tij meriton  një "j'accuse" të madhe botnisht.

martedì, agosto 06, 2013

Kur tradhëtohen Testamentet



Zanati i përkthimit është judesk par excellence, dhe shprehja traduttore-traditore veç lojë fjalësh që s'është. Ka përkthime (të tipit rifreskime) që duke kujtuar se po shpalosin shumë gjetje, e vyshkin natyrën e veprës dhe ia afrojnë artificialisht afatin e skadimit. Janë përkthime që vetëskartohen.
Kur botohet një vepër (Testamentet e tradhtuara, M. Kundera, B. Gjini, bot. Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2011) që e ke pasë nëpër duar edhe vetë, me të cilën ke nda' orë të lume pa gjumë, e “do ditë andrrimesh me sy hapë” e veç tjerash e ke çuar në ‘cenacolo’ të miqve si libër logu, e për më tepër i kushtohet prijësit të letrave moderne doktor Kafkas, kurioziteti për krahasim mes variantit tënd të pambaruar që fle në terrin e sirtarit dhe variantin fatlum që gëzon dritën e botimit është i papërmbajtshëm dhe legjitim.

Paraprakisht dijmë se përzgjedhjet e B. Gjinit përkthyes janë ndërmes më cinikëve dhe më aristokratëve të letrave perëndimore: mjeshtri i mendimit Cioran, rabëlezjani Hrabal, snobi Baudrillard... Por pavarësisht se këta janë autorë celebralë, ai i pajis në shqip me leksema bio, ku shpesh vjen era kooperativë socialiste, ose realizëm socialist me lumturi të detyrueshme. Nuk është vendi ta numërojmë këtu leksikun blegtoral që ai iu mvesh autorëve. Por ju siguroj se ky freskim i plak menjëherë përkthimet e tij, ose i uthullon, pasi nuk i jep efektin e thantimit që koha i jep venës së mirë p.sh., por vetëm atë të thartimit. Marrim një rast kërcitës. Gjini përpiqet në veprën e Baudrillard-it (Amerika, bot. Zenit) ta ngjisë “lapërdhinë” në kategori estetike. Në të vetën Baudrillard-i po flet për ob-scene, jo për larpëdhi.
Por le t'i kthehemi Testamenteve.
Ngaqë nuk mund ta kapim për çdo fjali, as nuk do mund ta pasqyronim në format mediatik këtë kapje, do ta fotografojmë (me lejen dhe durimin e lexuesit) këtë përkthim në fillim në mes dhe në fund. Na ndihmon fakti se ne e kishim përkthyer edhe vetë dikur këtë libër, pavarësisht se e lamë të pakorrigjuar, meqë na siguruan se Balili e kishte kryer këtë qysh në 93shin, bash vitin kur e nxori Gallimard.
Libri fillon me romanin me namë të Rabelais. Në shqipen e Gjinit na vjen kështu:
Qysh në fazat e fillimta libri i hap kartat: kjo që rrëfehet këtu nuk është serioze [...]”
Varianti im është më shqip: “Qysh prej fjalive të para libri loz me letra të hapura: ajo çka po tregohet nuk është e njëmendtë [...]”
Në radhë të parë, mbiemri “i, e fillimtë” s’na duhet. Në shqip me temën “fillim” kemi mbiemrat “fillestar” dhe “fillimor” që mjaftojnë. Në radhë të dytë neologjizmi formohet duke përdorë një mbaresë që ka konotacion tjetër. Tek “i, e qëllimtë”, mbaresa –të, është gjegjëse dhe mëkëmbëse e mbaresës –shëm, pra “i,e qëllimtë, i,e qëllimshëm”, pra sipas logjikës fjalëformuese të Gjinit, mbas “i, e fillimtë” do kishim “i, e fillimshëm”. Çka është kakofonike (tingullkeqe) dhe e shëmtuar (kakologjike). “Fjalitë e para”, do ishte shkurt e shqip. Mandej në vend të “kartat” duhet “letrat”, ne nuk lozim me karta, por me letra.
Kurse fjala “serioze” duhet shqipëruar sipas nuancës ose ngjyresës, pra ashtu siç e kam pasë dhënë unë në përkthimin e pabotuar: “e njëmendtë”.
Shembull: ajo që i ndodh Gregor Samsës është shumë serioze (madje është tmerrësisht e rëndë), por nuk është e njëmendtë, është jashtë njëmendësisë. “Serioze” në gjuhët latine ka këtë sfumaturë ose ngjyresë kryesore, pra “e njëmendtë”. Kurse në shqip, një gjë që nuk është “serioze” mund të jetë një tallje. Por tek Metamorfoza që morëm shembull, nuk kemi tallje me lexuesin. Serioz është mbiemër karakterizues: një njeri serioz, një profesionit serioz, etj. Nëse thua, kjo që po ndodh këtu nuk është serioze, do të thotë, në shqip: 1. se ajo nuk është e denjë, 2. se ajo nuk duhet marrë seriozisht.
Më poshtë, po në faqen e parë, kemi:
«Aty është gjithçka: “e vërteta dhe e pavërteta”, alegoria, satira, gjigandët dhe njerëzit normalë [...].
Vraisemblable” dhe “invraisemblable” e përkthen si “e vërteta” dhe “e pavërteta”».
Ndërkohë që e ngjara dhe e patëngjara, ose e gjasshmja dhe e pagjasshmja janë gjegjëset e përsosura në shqip të këtyre fjalëve. Ndërkohë fjalën gege ‘e pagjasshme’, përkthyesi më poshtë e përdor, por ku nuk ka rëndësinë kategorizuese që ka më sipër.
Gjini shqipëron aty ku s’duhet dhe nuk shqipëron ku duhet.
Vijon libri:
«[...] S. Rushdie, në Vargjet satanike, bën që dy heronjtë e tij, pas shpërthimit të një avioni, të bien duke llomotitur, duke kënduar, duke u sjellë në mënyrë komike dhe të pagjasshme. Ndërsa “përsipër, mbrapa, poshtë, në zbrazëtirë”, fluturojnë karrige me shpinore të fushkëta, gota prej kartoni, maska për oksigjen dhe pasagjerë, njëri Gibraeel Farishta, “noton” në ajër me krahë fluture, me stil bretkosë, mbështillet si lëmsh, shtrin krahët e dhe këmbët në pafundësinë e këtij të quajturi agshol...»
Kurse, përkthimi im: [Teksa «nga sipër, nga prapa, nga poshtë tyre vareshin në atë boshllëk» sedilje të përkulshme, gota letre, maska oksigjeni dhe pasagjerë, njëri prej tyre, Xhebrail Farishta, notonte «në ajër, krol, bretkosë, dhe kruspullosej si një top, dhe prapë hapte këmbë e krahë mbi gruntin gati të pafundëm të pragzbardhjes».]
Balili e bën të pagjasë jo vetëm rënien rushdiane ku personazhet ia shtrojnë me muhabet, por edhe avionin. Vetëm në avionat me të cilët ka fluturuar B. gjatë përkthimit, në vend të (sièges à dossier inclinable) “sediljeve të përkulshme”, kemi “karrige me shpinore të fushkëta”. Pra në vend të një avioni të Indian AirLines, kemi një tonin të Lazarati Airlines, ku piloti-shkrimtar na tymoska barin magjik, dhe në vend të sediljeve të përkulshme shifka “karrige me shpinore të fushkëta”... Notin krol, B. Gj. e jep fjalë për fjalë si “not me krah fluture”... Kurse shprehja ‘në pafundësinë e këtij të quajturi agshol’ për të thënë se e gjitha po ndodh mbi sfondin ose gruntin e zbardhjes së ditës, na dëshmon se përkthyesi tashmë është ‘bërë dru’. Kundera, i cili s’ka gisht në këtë mes, duke cituar përkthimin frëng të Rushdisë, thotë: «dans la quasi-infinité de cette quasi-aube». Emrin e personazhit B. e lë Gibraeel, kur fare mirë mund ta shqiptojë Xhebrail, ose Xhibrail simbas dy trajtave shqipe të variantit musliman t’emrit të krye-engjëllit Gabriel.

U morëm me tre paragrafët nistorë. Dhe pamë sa me këmbë të mbarë ia ka nisur përkthyesi i specializuar.
Nuk jam hipermodernist, përkundrazi. Modernët e vërtetë, siç janë vazhduesit e Rimbaud-së, çka thuhet edhe në Testamentet, janë antimodernistë. E ndjej që njëfarë nastradinizmi në përkthim, mund të hahet ende si tek ‘Don Kishoti, pjesa I’ i Nolit, ashtu dhe tek Dostojevski i Doksanit, të cilit Dostojevsk s’ka pse t’i vijë era Firence, se në fund të fundit po flet për moçalin e reales, dhe i shkon një gjuhë xoxjane prej ‘lumi të vdekur’.
Por as Kundera eseist, as Ciorani filozof, nuk mund të përkthehen nastradinçe, apo me regjistrin e ‘lumit të vdekur’. Nuk ua mban estetika. Aq më tepër, kur kujton se arnat që iu vë, mbi kostumet e reja origjinale, janë sofistikim. Përkthyesit si Gjini, janë në mirëbesim, dhe kujtojnë se këto arna mund të vendosën edhe mbi xhaketën e re prej cohe të mirë, për t’iu mbrojtur bërrylat se mos iu ‘hahen’, por e forta është se nuk mendojnë as t’i qepin aty ku (edhe!?) mund ta kenë vendin, pra tek bërrylat dhe kshtu iu qepin mëngët duke i bërë mëngë manece.
Ata përkthyes që nuk e kanë takatin për të shqipëruar strukturën, rrinë e shtojnë fjalë, në vend që t’i heqin. Në punë e tij përkthimore, Gjini përdor rëndom fjalë si ‘kësmet’ në vend të ‘short’ a ‘fat’, tek shkrimtarët bashkëkohës. Ndërkohë që fare mirë, mund ta përdorte kësmetin tek një Hygo (që me raste e përdorte edhe vetë këtë turqizëm) a ndoj klasik tjetër, për t’i vendosur edhe në kohë edhe në hapësirë. Përse nuk përkthejnë shkrimtarë të Tetëqindës, kur ua kande aq shumë këtë leksik? Mbase, ngase duan të bëjnë si modernë?...
Po si mund ta pranojmë që aty ku një akademik i mërzitshëm si Baudrillard flet për një kategori filozofike, neve ia përkthjemë atë si ‘lapërdhi’? A nuk është ky një përkthim lapërdhar?
E gjithë kjo mënyrë përkthimi ku për-zihet shkolla e vjetër ‘e shqipërimit’ ose qethjes me stilin e pranuar nga ‘agjitpropi’, rezulton në një arnim grotesk e cigan, por pa muzikalitetin e ciganizmit të vërtetë.
Përpos kësaj, nevojat e një shkolle të re përkthimi, janë sot një urgjencë kombëtare. Edhe në rastet më të mira jemi akoma brenda nolizmit, ose nevojës për t’i kthyer veprat e ‘Evropit’ në dimensionet e fshatit-komb, ku e vetmja licencë është ajo e sforcimit, ose e shartimit të logotipit vendas, por me frikë strukturore jo veç nga ajo që vjen jo veç nga jashtë, por edhe nga brenda! Frikë nga mendimi: mizozofi!
Shohim tani kapitullin kunderian mbi Kafkën sipas Brodit. Pra kapitullin më në spikamë të temës së tradhtimit të testamentit.

Gjini përkthen kështu: “Kësisoj ne nuk habitemi që Brodi, adhurues i romantikës femërore, për të cilin pallimi nuk ishte realitet, por “simbol i ndjenjës”, nuk kishte mundur të përshquante asgjë të vërtetë tek Brunelda, zaten as hijen e një përvoje reale, por vetëm përshkrimin e “tmerreve ndërshkuese, përcaktuar ndaj atyre që nuk ndjekin rrugën e mbrothtë”.
Nga file-i i përkthimit tim të 2007s, kopjoj:
«Nuk duket e çuditshme pra që Brodi, adhurues romantik i grave, për të cilin koito-ja nuk është një realitet por një «simbol i ndjenjës», s’ka parë te Brunelda asgjë të vërtetë, as hijen e një eksperience reale, por vetëm përshkrimin e «ndëshkimeve të tmerrshme rezervuar atyre që s’ndjekin udhën e drejtë».
Dhe origjinali, që është më i thjeshtë se çdo përkthim:
On ne s’étonne pas que Brod, adorateur romantique des femmes, pour qui le coït n’était pas réalité mais «symbole du sentiment», n’ait pu vir rien de vrai dans Brunelda, pas l’ombre d’une expérience réelle, mais seulement la description des «horribles punitions destinées à ceux qui ne suivent pas le bon chemin».”
Vini re se “le coït” B. e jep me fjalë “pallimi” e sa keq tingëllon kjo në këtë libër estetike, ku fill mbrapa flitet për “simbolin e ndjenjës”... Koito nuk domethënë pallim, por edhe po t'ishte ashtu, nuk duhej shqipëruar. “Udha e drejtë” për të cilën flet çdo bibël a qitap, në asnjë libër fetar nuk rezulton e përkthyer balilianisht si “rruga e mbrothtë”. Kundera e përmend në kuadrin e kritikës së tij antireligjioze.
Sipas B. prapë (faqja 273), tregimi i përsosur i Kafkës “Ein hungerkuenstler” qenka Një kampion i agjërimit. Fjalia e plotë në përkthim është: «Shkagimi nuk i përket automatikisht gjithçkaje që s’ishte botuar, sepse përmes veprave “të vlefshme” radhit edhe novelën Një kampion i agjërimit, e cila, në çastin kur e shkroi letrën, nuk ekzistonte veçse në dorëshkrim.»
Në radhë të parë B. Gj. (që mbase bën gjoja), në përkthimet e ardhshme, duhet të ketë parasysh se fjala frënge ‘parmi’, nuk do të thotë përmes(!) pavarësisht ngjashmërisë grafike dhe fonetike. Ajo do të thotë ndërmjet, ose midis. Në radhë të dytë “Artisti i urisë” nuk është novelë! Dhe nuk titullohet Një kampion i agjërimit. Duhet me ia ripërkthye lexuesit këtë fjali, duke i thënë se Kafka n'amanetin letrar që i la Brodit, nuk dënoi me djegie çdo gjë që kishte shkruar, pasi mes veprave të tij mund të ruhej tregimi Artisti i urisë... etj.
Titullin e pjesës së nëntë të librit: “Là, vous n’êtes pas chez vous, mon cher” (pra, po ta shqipëronim: Këtu nuk jeni në shtëpinë tuaj, i nderuar), Gj. e përkthen: Atje s’jeni në shtëpinë tuaj i dashur! D.m.th. fjalë për fjalë, dhe kujton se do të thotë atje, si në italisht. Në këtë moment, Gj. vërteton padashje, se tek letërsia ai nuk është në shtëpinë e vet dhe hyn, tek ajo pjesë shumë e rëndësishme e komunitetit paraletrar që unë quaj: komshitë e letërsisë.
E thënë mes nesh, ndër komshitë e letërsisë ky përkthyes është shumë më në rregull se disa që bëjnë si të fortët e letërsisë apo gjynahët e letërsisë, që ankohen e “ankimohen” për gjendjen e letërsisë shqipe, ngase marrin vetëm nga shtatë rroga. E duke qenë se ka gurnue edhe si guru i çmimeve letrare kombëtare, meriton çmimin që ndajmë ne letrarët me vokacion: komshi i letërsisë i katit të parë!
Kreu ku fliten këto gjëra titullohet Rrugët në mjegull, por lexuesi nuk i sheh këto rrugë, që falë këtij përkthimi bëhen rrugë pa krye, dhe mjegullës i vjen era stallë.
Në faqen 277 përkthyesi Gj. tregon se nuk e njeh fare Kafkën, kur përkthen pjesën e fundit të Procesit. Ndërkohë që shumë mirë mund të kishte kopjuar e ndrequr pak përkthimin e Gj. Vlashit.
Sipas Balilit, prej Kunderës thuhet: «Mendoj për fundin e Procesi: të dy zotërinjtë janë përkulur përmbi K. që po e therin: “Me sytë që po i erreshin, K. pa përsëri, shumë pranë fytyrës, faqe më faqe, të dy zotërinjtë tek kundronin përfundimin:
Si një qen! – tha K.; dhe ishte sikur turpi e detyronte të mbijetonte”.»
Më shumë se kaq nuk mund ta mbrapshtosh fundin e romanit më emblematik të shekullit të XX. Dy dorasët janë bërë dy zotërinjtë. Duke parë K. që po jep shpirt ata thjesht “kundrojnë përfundimin”. Kurse marazi i K., se mos do t’i mbetej marrja (turpi) mbrapa, jepet me shprehjen e pakuptimtë “ishte sikur turpi e detyronte të mbijetonte”. Por në Weltanschauung shqiptar, shqetësimin mos me na jetun mârre mbrapa e njohim mirë, dhe e nxëmë në shtëpi e shkollë.
Ja dhe i miri Gj. Vlashi, tek përkthimi i tij që prapë është shumë më i pranueshëm:
    Si një qen – tha K. dhe dukej sikur trupi do të mbijetonte edhe pas tij.
    (Gabimi ortografik kthehet në gabim logjik dhe fjali përçudnohet krejt, duke u dukur si me qenë marrë nga librat me zombie të Stephen Kingut, ku “trupi” i mbijeton edhe vdekjes së të zot’.) [Procesi, fq. 226, Globus R., Tiranë, 1997)
Ndërkohë, anësore: Gj. shprehjen ‘gjë për tu çuditur, ose kërshëritëse’, e jep: gjë kurioze (fq. 248), a thua se gjërat janë antropomorfike dhe kanë kuriozitet si njeriu, apo macja, një kafshë me natyrë kurioze. Luftërat napoleonike, i jep si napoleoniane. Të pafajësueshmit, i jep si të pafajshmit (fq249) Dorasët e Procesit janë gjithkund zotërinjtë.fq 224, fq 277 etj. Madje K.së i shkon mendja të merrte një thikë dhe “ta ngafulte në trup” (fq. 224)
Kështu “i ngaful” përkthyesi fjalët e veta nëpër librin e tjetrit. Dhe – do të thonim sipas stilit të tij – e xhevahiros atë përdasshëm .
Kur iu flisja se po përktheja këtë libër në Tiranë më thoshin se B. e ka përkthyer qysh në ‘93shin... sikur të kishte qenë i pranishëm në seminarin e Kunderës dhe ta kishte incizuar live. Pra ka pasë 20 vjet kohë me e korrigjue!! Dhe rezultati shihet.
Për ta mbyllur analizën, do thonim edhe dy fjalë për veprën.

Rëndësia e Testamenteve është aq qendrore në veprën e Kunderës, sa ky libër mund të jetë pa frikë edhe testamenti i tij. Mund të themi me siguri se përbën një suvenir për të gjithë dashnorët e romanit. Nëse ky libër do të meritonte një titull tjetër, më utopik, ky do t’ishte “Qyteti i romanit” ose “Për një qytet të romanit”, në ‘falsariga’ të veprave utopike “Qyteti i Zotit” apo “Qyteti i diellit”. Ciorani e ka quajtur qytetërimin modern evropian “shoqëria e romanit”, dhe një libër si ky, ku shpaloset thjesht, e pa jargavitje “shpirti i romanit” meritonte një përkthim evropian. Mbas romanit, mjeshtri tjetër evropiane është edhe përkthimi. Kur copyright-i i këtij botimi të skadojë, pas pak vitesh, urojmë të hedhim në qarkullim përkthimin tjetër. A, fundja, ta pranojnë konsulencën tonë falas për rieditimin e tij. A fundja e fundit, kushdo që e citon këtë përkthim në ndonjë punim doktorature, ta marrë me dorashka.

Etichette

21 ARSYE (1) Aforizma (1) Aleanca per mbrojtjen e tearit (1) Artikull (22) Astrit Cani (2) BIZANT (2) Borges (1) CAMAJ (1) Cioran (2) COPYLEFT (1) COSTUME (1) DEBAT (11) DEBORD (2) Demokracia (1) Diario albanese (1) DODONA (1) Don Kishot (4) Drini (1) Elozh (11) Email (1) ENCIKLOPEDI (1) ENGLETISJE (1) EPISTOLA (1) EROTIKA (1) ESEISTIKE (14) Eulog (1) EVOLA (1) Facebook (1) Fante (1) FILOZOFIA (6) FOTO (4) GAID MARGOT (2) GEGNISHTJA (3) GRIMCA; (1) GUESTS (1) HUMOR (4) HUMOR I ZI (4) INTERVENTO (1) INTERVISTE (2) ITALIANO (11) KAFKA (1) KINA (1) Kinema (1) Koleksioni Furra e Books (1) KOSOVA (2) KRIJIMTARI (2) KRITIKA (7) KRYEVEPRA (5) Kundera (3) KURIOZITET (1) LEKSION (1) letersi amerikane (3) Letersi angleze (2) Letersi franceze (2) Letersi irlandeze (2) Letersi shqipe (4) Letersia ruse (1) Letra frange (1) Letteratura albanese (1) LIBRAT E MI (1) LIBRI (3) LOVE BOOK (1) MAPO (4) McCarthy (1) Memento (1) Metafizika (2) Moikom Zeqo (1) parathanie (2) PERKTHIM (17) Perkthime te lira (2) PERLA (9) PESSOA (2) Petro Zheji (1) POESIA (1) POESIA ALBANESE (5) POESIA ITALIANA (3) POEZI (13) Polemika (3) POLEMIKE (5) Politikisht korrektja (2) PROKLAME (1) PROUDHON (1) PROZE (2) PRUDHON (1) PUBBLICISTICA (2) PUBLICISTIKE (7) Quarta di copertina (1) RACCONTO (3) RELIGJION (1) Rendi i ri botnor (1) REVISTA (5) Rusia (1) SAGGIO (1) SCACCHI (1) SHQIP (34) SHQIPJA (2) STAMPA (1) Stephen King (1) Syzim (1) TEATRI (2) Teatri kombtar (1) TEST (1) TIRANA (2) TREGIM (2) TREGIMET (5) VETEPERKTHIM (2)