Replikë: Mbi shkrimin e Astrit Canit, “Kur tradhtohen Testamentet”
Javën e kaluar sytë tanë panë diçka lëbyrëse: mbi faqet e kësaj
gazete, sikur ajo të kishte qenë një tapet ringu, Astrit Cani, një qenie
pa kontribute të vërteta në kulturën shqiptare, i kishte vënë thonjtë
në grykë dhe, mes dihatjesh, djersësh e sokëllimash, kërkonte të mbyste
veprën “Testamentet e tradhtuara”, përkthyer prej meje. Paj kërkonte ta
mbyste thjesht ngase ishte pizmosur që unë e kisha përkthyer para tij,
ngase ajo ishte e bukur dhe s’kishte mundur ta bënte të tijën. Ishte
pizmosur aq shumë sa nuk e vinte re se beteja ku kërkonte të hynte
kërkon majën e mprehtë të lapsit dhe jo majën e mprehtë të jataganit,
kërkon daltën dhe çekiçin e ustait dhe jo ruspat e fadromat e mohimit,
huazuar nga kushedi ç’peisazh i këtyre ditëve, fodroma që, tash e tutje,
s’kanë pse futen më nëpër hangarë e magazina, sepse kanë si të tilla
kokën e “kritikut”.
Për
të parë sa pa themeli ishte shkrimi i tij le të shikojmë fjalinë e
parë: “Milan Kundera m’ishte dukur eseist i maskuar, prandaj i snoboja
romanet e tij”. Kjo fjali duket si një tra i gjatë, mbi të cilin rri
fjala “snoboja”, fjalë së cilës i vezullojnë luspat ngase autori ia ka
lyer me karaboja, dhe i ka vënë përsipër një ok pudër. Duket i qartë
synimi: Autori mëton ta shndërrojë këtë fjalë në një xixëllonjë që
lëshon nga nënbarku dritë. Fap-fup, fap-fup… Po a ia ka arritur një
gjëje të tillë? Le ta shohim nga dy pikëpamje: nga pikëpamja leksikore,
dhe nga pikëpamja etike.
Nga pikëpamja leksikore: fjala snob është një fjalë mysafire në
gjuhën tonë dhe si e tillë është paksa e përkorë: ka pak përdorime, dhe
nënkupton një njeri me sjellje e veprime të tepruara. Ka një ngarkesë të
theksuar ideologjike, sepse përdorej veçanërisht gjatë Diktaturës për
të shënjuar njerëz jashtë klisheve e standardeve socialiste. Canaj kësaj
fjale i shton një prapashtesë dhe na krijon një leksemë të re: snoboj. E
vështirë të pranohet, sepse fjalëve të huaja iu duhet shumë kohë që të
pranohen në shtëpinë e leksikut dhe pastaj të lindin aty pasardhës.
Nga pikëpamja etike. Canaj na paskërka snobuar romanet e Milan
Kunderës. Pa shih, pa shih sa lart i fluturoka zogu i krenarisë! Ka dy
mundësi për të snobuar Kunderën: ose të jesh një gjeni dhe ta kesh
emrin, p.sh, Mario Vargas Llosa, ose të jesh një hiçkush dhe ta kesh
emrin, p.sh, Astrit Cani. Edhe kërmilli i gjorë e armatos ballin me dy
brirë, dhe, mbase ku mund ta dish, shumë herë mund t’i vejë ndër mëndje
se ata janë brirë demi. Autori i këtyre radhëve, jo vetëm s’ka patur
ndjesi të tilla, por ka një adhurim pothuajse të shenjtë ndaj gjithë
letërsisë së madhe dhe është ky shkaku i përkthimit edhe të kësaj vepre.
Siç shihet, ose të paktën siç më rezulton mua, fjala “snoboj”, jo
vetëm s’është shndërruar në xixëllonjë, por përkundrazi, është
shndërruar në kandër.
Cani, jo vetëm tek ky shkrim, por edhe tek të tjerë, e ka zgjidhur
rrugën e protagonizmit përmes arrogancës dhe të bërtiturave, sepse, me
sa duket e di shumë mirë se bën më shumë zhurmë një dru që rrëzohet, se
sa një pyll që rritet. Po kjo filozofi mund të bëjë fajde vetëm për
syleshët. E themi këtë sepse ai merret me problemet periferike, me
vogëlimat, me manaferrat e pluhurosura buzë rrugës së këmbësorëve (ku
edhe mund të marrësh ndonjë gjemb për të çjerrë), dhe jo me autostradën e
gjerë të përkthimit. Edhe një përkthyes fillestar e di se t’i qëndrosh
besnik origjinalit do të thotë të ruash stilin e autorit. Ndonjëherë kjo
s’është dhe aq e lehtë, sepse stili mund të jetë i rëndë, serioz, por
poshtë tij mund të rrjedhin rrëkeza të padukshme humori, ironie, etj. Le
të kujtojmë esenë e Umberto Ekos për Silvinë e Nervalit. Falë veçorive
të tij Kundera nuk i përket më shumë autorëve të stilit dhe gjuhës, por
autorëve të ideve dhe mendimeve. Kjo veçori ka përcaktuar dhe gjuhën e
tij: e qartë, e kthjellët, kundër barokut dhe ornamenteve. Mendoj se në
funksion të këtij stili është zgjidhur tonaliteti i përkthimit.
Cani i anashkalon problemet kryesore dhe, pasi ka gjetur ndonjë
fjalë, – guaskë fatlume që dallga e zemërimit ia ka sjellë në breg – e
merr, e vendos në pinecka, drejton mbi të herë teleskopin e herë
mikroskopin, ndërkohë që duhej ta kundronte thjesht me sy. Pasi ka bëri
kësi gjestesh dhe ka gjetur «gabimin », ai ka ngritur gishtin lart dhe
ka lëshuar vikamën revolucionare: «j’accuse. Po pa ta shohim për çfarë
akuzon ky Cani?
Është një fjalë “coït”, që unë e kam përkthyer “pallim”. Në të
vërtetë kjo fjalë, e përdorur edhe nga autorë të tjerë si Tournier,
është një fjalë kyç tek Kundera, është një fjalë koncept, e cila nuk
mund të përkthehet jashtë kontekstit letrar e historik. Është e tillë
sepse kjo fjalë, në fushën e seksualitetit, ndan letërsinë e shekullit
të XIX nga ajo e shekullit XX. Letërsia e shekullit XIX i trajton
marrëdhëniet e dashurisë thjesht në fushën sentimentale: puthje,
përqafime, lotë. I gjori Stendal që s’dinte ç’të bënte me duart e
Fabricios, që vetëm sa humbisnin poshtë fustanit të dukeshës
Sanseverina! Vetë Kundera na thotë se kjo letërsi e kishte kthyer zemrën
në një kishë, kurse një vajzë me sytë e mbushur me lot dukej sikur të
kishte në ta xhevahirë. I pari që solli risi në këtë fushë, po sipas
Kunderës, është Kafka, tek “Kështjella”: K dhe Freida, të shtrirë aty
mes pisllëqeve, shisheve të birrës dhe bishtave të cigareve (sepse vetë
seksualiteti i flligësht është). Fjala është për vetë aktin seksual, të
zhveshur nga romantika e shpëlarë e letërsisë së mëparshme.
Dhe Cani në vend të fjalës “pallim” na ofron në sini trupat cullakë
të dy fjalëve të përkthyera nga ai. Coït = çiftim. Ky është dhe kuptimi
që japin fjalorët. Veç një veteriner, por jo një përkthyes, mund të japë
një përkthim të tillë. Veç kësaj fjala çiftim mund t’i pëlqejë Canit
për faktin se lidhet me fjalën çifte, armë që e mban në sup për të
gjuajtur ç’i del përpara: autorë, poetë, përkthyes, shtëpi botuese.
Shpjegimi tjetër që jep Cani: coït = coit. E po, dreqi ta hajë, ky është
një shpjegim që s’ka nevojë për shpjegim.
Sigurisht kështu janë dhe gjërat e tjera, por këtu s’është vendi për
t’u marrë gjatë me to, sepse Cani shjumëzon nga një inat që s’mund te
jetë veçse zbavitës. Mbase individualisht Cani edhe mund të ketë patur
të drejtë. E kush është ai njeri që, pasi ka punuar mbase dhe një vit
për të përkthyer një vepër, nuk do t’i vinte plasje ta shihte atë në
vitrinën e një librarie, të përkthyer nga dikush tjetër? Por në këtë
rast ( për shkak edhe të rrethanave si botohet në Shqipëri) duhet ta
kishte inatin me fatin: atij duhej t’i sokëllinte, t’i bërtiste, dhe, po
të donte, le të shakullepsej me të bokërrimave të Shqipërisë. Ama, jo
të krijojë nga ato pellgaçe ligësie të quajtura shkrime, ku shllapuritet
gjithë ëndje si në një pishinë. Se, në këto raste, dihet, sado të
shllapuritesh, gjithsesi, veshët të mbeten përjashta…
Nessun commento:
Posta un commento